BARDHYL MAHMUTI: ALARM! UJKU, QIMEN E NDËRRON POR ZANATIN NUK E HARRON!

Zvicër, 12. 05. 2015 / Të nderuar drejtues të medieve në gjuhën shqipe, po bëhen tri ditë që kur udhëheqësi i regjimit diktatorial të Maqedonisë, Nikolla Gruevski deklaroi se në mesin e të vrarëve janë edhe 14 përfaqësues të grupit të armatosur shqiptar asnjë informatë për identitetin e tyre nuk është dhënë. Duke parë se fatkeqësisht historia po na përsëritet, sidomos po përsëritet varianti tragjik i saj, e shoh të udhës të alarmoj për një çështje që mbetet në heshtje që disa ditë: kush janë 14 shqiptarët e shpallur të vrarë në Lagjen e Trimave në Kumanovë? A u ekzekutuan civilë shqiptarë dhe a po përgatitet opinioni që civilët të shpallen si pjesëtarë të grupit të armatosur? Pse nuk publikohen emrat e tyre? Çka fshihet prapa kësaj strategjie?
Përderisa gjithnjë e më tepër flitet se vrasjet në rastin «Monstra» janë të një logjike të njëjtë me vrasjet e organizuara nga Shërbimi Sekret Serb në Kafenenë «Panda» në Pejë (më 14 dhjetor 1998 – sh.b), me të drejtë ngre shqetësimin tim se a mund të kemi një përsëritje në Lagjen e Trimave në Kumanovë si në rastin e vrasjeve të civilëve shqiptarë në fshatin Reçak (më 15 janar 1999 – sh.b). Edhe për rastin e civilëve të fshatit Reçak propaganda e dirigjuar nga shërbimi sekret shtetëror propagandonte se kishte vrarë ushtarë të UÇK-së.

‘Monstra’, arrestohen dy të akuzuarit në Kosovë

Krimi kundër njerëzimit që ndodhi në Reçak i mobilizoi institucionet me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare që t’i jepet fund dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve në Kosovë. A kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit edhe në Kumanovë mbetet të shihet.

Rasti ‘Panda’ në Pejë!

Vrasja e civilëve shqiptarë në Reçak!

Rasti ‘Monstra’ në Smilkovc – Shkup!

Mendoj se një pjesë të përgjigjes për atë që ka ndodhur në Lagjen e Trimave në Kumanovë mund ta keni më 13 maj 2015.
Atyre që harrojnë të kaluarën dhe u intereson ta dinë peshën simbolike të 13 majit po u sugjeroj artikullin e botuar para 3 vjetësh: «Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!»

==============================

ANEKS:
UJKU, QIMEN E NDERRON POR ZANATIN NUK E HARRON!

“Aksioni i armëve” i Rankoviqit dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare!
I
Analistët dhe historianët e dhunës së diktaturave komuniste, një vend të rëndësishëm i kushtojnë themelimit të shërbimit sekret rus ÇEKA-s (në rusisht ЧК, IPA- Komisioni i jashtëzakonshëm pan rus për shtypjen e kundërrevolucionit dhe sabotazhës).
Ky aparat represiv në duart e komunistëve shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë e njerëzimit. Jepen shifra rreth dhjetëra milion të vrarë dhe të torturuar.
I diskredituar për krimet monstruoze të ushtruara që nga themelimi i këtij shërbimi më 20 dhjetor 1917 dhe me qëllim të fshehjes së gjurmëve me 13 mars 1954 ky shërbim emërtohet KGB.
Emërtimi i ri i shërbimit të vjetër sekret, që do të mbetet në fuqi deri në shpartallimin e BRSS-së më 6 nëntor 1991, do të ruaj në tërësi mënyrën dhe mjetet e dhunës kundër kundërshtarëve real apo të imagjinuar të sistemit.
As ndarja e këtij shërbimi në shumë sektorë të ri pas kësaj date nuk do të ndryshojë format e institucionalizuara të dhunës kundër kundërshtarëve.
II
Duke pasur si model ÇEKA-n ruse, Partia Komuniste Jugosllave themeloi, me 13 maj 1944, shërbimin sekret OZNA (Odseka za Zaštitu Naroda – sektori për mbrojtjen e popullit). Që nga themelimi i tij e deri në vitin 1966 krimineli famëkeq Aleksandar Rankoviq do të jetë udhëheqës i këtij shërbimi.
13 maji do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune që për një kohë të shkurtër do të mbjellë zi tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti te populli shqiptar.
Që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të këtij vitit 1945, nën akuzat e „anti- komunizmit ekstrem“ u ekzekutuan me dhjeta mijë shqiptarë. Zyrtarisht vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17400 shqiptarë.
Për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës, pjesa maqedonase e OZNA-s ekzekutoi mbi 700 shqiptarë në Kumanovë, 1400 në Shkup, 1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë, 800 në Kampin e Gostivarit, 320 në fshatin Zajaz…Mbi 8500 shqiptarë u mobilizuan për Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%.
Krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA-s në UDB (Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit) nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit.
Në këtë shkrim nuk do të përmend të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së. Por do të kufizohem vetëm në një vendim që më duket se riaktualizohet në formën e vet në Maqedoni.
Më 18 shkurt 1953 Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve.

Tito ngarkoi Aleksandar Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte kryexhandari Rankoviq. Pas tij vinin: 2. Kërste Cërvenkovski, 3. Sfetislav Stefanoviq, 4. Millan Bartosh, 5. Leo Grishkovski, 6. Vojkan Llukiq, 7. Marko Vuçkoviq, 8. Pavle Joviçeviq, 9. Petar Stamboliq, 10. Sllobodan Peneziq-Kërçun, 11. Gjoko Pajkoviq, 12. Gojko Medenica, 13. Çedo Mijoviq, 14. Sërba Saviq dhe 15. Dushan Mugosha.
Për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes, më 12 prill 1956, ministri i Brendshëm Jugosllav, Aleksandar Rankoviq, në një intervistë dhënë gazetës BORBA (Lufta) shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në Kosovë.
Kjo datë do të shënojë fillimin e asaj që në memorien tonë kolektive mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”.
Nën akuzën e “kontrabandistëve të armëve dhe kriminelëve që destabilizojnë vendin” brenda një muaj, deri më 12 maj 1956, me dhjetëra mijë familje shqiptare u bastisën, me mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u torturuan barbarisht…
Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me rezultate të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd u ekspozuan “armët e konfiskuara”!
Brenda vitit 1956 nga terrori shtetëror 106 vetë u vranë dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme.
Ky terror shtetërorë kundër shqiptarëve shkaktoi një klimë të pasigurisë që pati për efekt shpërnguljet masive drejt Turqisë.
Mbështetur në hulumtimin sistematik të dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1953-1966 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415.371 shqiptarë…
Viti – Numri i të shpërngulurve
1953: 19.300
1954: 17 500
1955: 51.000
1956: 54.000
1957: 57.710
1958: 41.300
1959: 32.000
1960: 27.980
1961: 31.600
1962: 15.910
1963: 25.720
1964: 21.530
1965: 19.821
Në viti 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Tito shkarkoi Aleksandar Rankoviqin dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve.
Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brijoneve asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar.
As Aleksandar Rankoviqi, as Kërse Cërvenkovski e as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan dhe sot e kësaj dite vazhdojnë përmes pasardhësve të tyre të aplikojnë të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit. Si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni!
III
Transformimet e sistemeve politike në këtë pjesë të Ballkanit dhe imponimi i ndryshimit të emrave të shërbimeve sekrete nuk ndryshoi asgjë në natyrën antishqiptare të funksionimit të tyre. Vrasje, burgosje, procese të montuara gjyqësore, diskriminim ekonomik, politik, social dhe kulturor të shqiptarëve….
Dhuna dhe terrori shtetëror në Maqedoni ka marrë përmasa dramatike, sidomos pas ardhjes së VMRO-së në pushtet në vitin 2006.
Për katër vite të diktaturës së VMRO-së me dhjetëra mijë shqiptarë janë keqtrajtuar nga policia politike maqedonase; me qindra të tjerë janë burgosur dhe me dhjetëra janë vrarë.
Diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent krijuan klimën e pasigurisë totale për një perspektivë të shqiptarëve në trojet e veta etnike. Si rezultat i kombinimit të këtyre formave të dhunës dhe diskriminimit që nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit për heqjen vizave Shengen mesatarisht 2000 banorë shqiptarë në ditë largohen në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës.
Mediatizimi kombëtar dhe ndërkombëtar i këtij fenomeni dhe sidomos vendimi për të kthyer disa mijë shqiptarë nga shtetet e perëndimit irrituan qarqet antishqiptare të Shkupit.
Rrezikimi i planit shtetëror të Maqedonisë për ndryshimin e strukturës së popullsisë i hodhi në ofensivë pasardhësit e Aleksandar Rankoviqit dhe Kërste Cërvenkovskit.
Bastisje, dhunë, procese të montuara gjyqësore… (brenda dy muajsh 7 dënime me burg të përjetshëm për 7 ish ushtarë të ish UÇK-së!)
Më 12 prill 2010, në përvjetorin e Deklaratës famëkeqe të Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe themeluesit të shërbimeve sekrete jugosllave Aleksandar Rankoviq për “Aksionin e armëve” pasardhësja e Kërste Cërvenkovskit, Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska e shënoi këtë ngjarje në mënyrën e vet.
Për të qenë “në modë” ajo në vend të Gazetës BORBA (Lufta) i dha një intervistë Radio Evropës së Lirë, dhe shpalli publikisht se “së shpejti Qeveria do t’i propozojë Parlamentit të marrë vendim për organizimin e ndonjë aksioni për mbledhjen e armëve ilegale”.
Nga kjo datë filluan përgatitjet e krijimit në opinion të “psikozës së luftës”, të “trafiqeve me armë”, të “kriminalitetit të organizuar”…
Zyrtarisht brenda një muaji, si në kohën e Rankoviqit, “u konfiskuan sasi të mëdha armësh” “ u “shpartalluan grupe kriminelësh”, ”u arrestuan njerëz që synojnë destabilizimin e vendit”, … dhe më 12 Maj, një ditë para kremtimit të datës së themelimit të OZNA-s, “ u vranë katër trafikant armësh”…
Emri i veprimtarit të shquar të Çështjes kombëtare shqiptare, Kryetarit të Alternativës Kombëtare, u mbajt i fshehur për t’u bërë publik me 13 maj! Trofe për përvjetorin e OZNA-s!
Ekspozimi i “armëve të konfiskuar” u bë si në kohën e Rankoviqit, me dallimin e vogël se nuk u ftua Kori Diplomatik. Korit Diplomatik iu servuan këto trofe përmes medieve!
Ekzekutimi i katër veprimtarëve të shquar në vigjilje të këtij përvjetori dëshmon fjalën e urtë popullore shqiptare se “Ujku, qimen e ndërron por zanatin nuk e harron!”
As etiketimet kriminale për të fshehur gjurmët e ekzekutimit terrorist të katër shqiptarëve, as ekspozimi pompoz i “arëve të konfiskuar” nuk mund të fsheh faktin se shqiptarët në Maqedoni përballen me një regjim terrorist!
“Aksioni i armëve” i Rankoviqit i shpallur me 12 prill 1956 në Gazetën Borba (Lufta) dhe “Aksioni i armëve” i Jankullovskës, i shpallur më 12 prill 2010 në Radio Evropa Lirë janë produkte të të njëjtës kuzhinë antishqiptare! Produkte të regjimeve terroriste që synojnë krijimin e klimës së pasigurisë me qëllim të nxitjes së shpërnguljes dhe ndryshimit të strukturës së popullsisë!
Këtij regjimi, si të gjitha regjimeve terroriste, do t’i vijë fundi! Sa më shpejtë që partitë politike shqiptare ta kuptojnë domosdoshmërinë e bashkërenditjes së veprimtarisë politike aq më afër do të jetë fundi i këtij regjimi! Sa më shpejtë që të kuptojnë institucionet demokratike në botë për domosdoshmërinë e intervenimit energjik kundër mbeturinave të logjikës totalitare në Maqedoni aq më të vogla do të jenë pasojat!

###
BARDHYL MAHMUTI: KËRKOJMË NJË MOBILIZIM TË GJITHANSHËM POLITIK KUNDËR REGJIMIT TERRORIST TË SHKUPIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=310

………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura