ÇЁSHTJA ÇAME, AKTI I PARAFUNDIT I ZGJIDHJES SЁ CЁSHTJES SHQIPTARE

Nga Sulejman Abazi NESHAJ © Pashtriku.org
(18). Çështja Çame, akti i parafundit i zgjidhjes së çështjes shqiptare
Kreu 66 – Mbrojtja e të drejtave të popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe denoncimi juridik i gjenocidit të shtetit grek mbi popullsinë e pafajshme, është interes strategjik. Situata kushtëzon unifikimin e veprimit politik të shteteve shqiptare, veprimit patriotik drejt koalicionit të fuqishëm akademik dhe atdhetar mbi qëndrimet, pikpamjet, kërkesat e programeve shkencore kundër politikave të gjenoncidit, aneksimit dhe diskriminimit etnik.
Në kushtet e zhvillimeve pozitive kombëtare, zgjidhja e Çështjes Çame do të jetë akti i parafundit i zgjidhjes së çëshjtes kombëtare dhe si akt juridik i takon institucioneve të larta politike (Parlamentit) në Republikën e Shqipërisë. Në planin kombëtar ajo ushqehet shpirtërisht nga produkti i dobishëm edukativ, organizativ dhe akademik, duke e trajtuar atë veçanërisht në fazën e fundit të mundshme të strategjisë së zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Askush nuk ka monopolin politik në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe në këtë kontekst, Strategjia Kombëtare përveç bazës filozofike, përcakton planifikime afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjata.
Kushtëzimi konceptual dhe praktik e përjashton Çështjen Çame në trajtimin e Strategjisë Kombëtare, sipas metodologjisë shkencore të pranuar për drejtimet e tjera ku shtrihet kombi shqiptar, duke i rezervuar këtij interesi kombëtar madhor një këndvështrim të veçantë dhe të ri.
Mbi Çështjen Çame strategjia nuk do të planifikojë dhe veprojë në vizionin afatgjatë të saj. Ajo do të ndjekë objektivat strategjikë në kushte të favorshme, për ta zgjidhur Çështjen Çame në favor të plotësimit të interesave afatgjatë të kombit shqiptar.
Kjo arsye madhore dhe e rëndësishme me vlera fundamentale, e përcakton dhe vlerëson zgjidhjen e Çështjes Çame si Aktin e Parafundit të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan. Rrugëzgjidhja e saj është e sigurtë, vetëm duke ekspozuar dhe denoncuar problemet për të cilat politika shqiptare dhe ajo greke frikësohen pa rrugëdalje.
Kreu 67 – Në trajtimin e Strategjisë Kombëtare mbi interesat e popullit shqiptar, Çështja Çame është interes specifik. Ajo nuk mund të trajtohet e lidhur me çështjen e Kosovës apo të drejtimeve të tjera ku jeton popullsia shqiptare. Parrullat patriotike sot nuk vlejnë për ta zgjidhur problemin.
Çështja Çame është çështje e integruar me dinamikën e politikës shqiptare. Ajo me mospranimin e saj, ka kompromentuar institucionet qëndrore të politikës së Jashtme, të Mbrojtjes, Ekonomisë dhe të tjera me problematikën e përballjes me shtetin grek, për të harruar të vërtetat historike kundër saj.
Çështja Çame është një çështje më vete për disa arsye, të cilat duhet të merren në vlerësime të dobishme. Në periudhën shekullore nga viti 1913, kjo hapësirë asnjëherë nuk ka qenë territor brenda shtetit shqiptar, përfshi në periudhën e Mbretërisë Shqiptare. Pasoja e këtij fakti, i heq të drejtën juridike shtetit shqiptar që ta kërkojë atë si territorin e tij.
Në territorin e Çamërisë për një shekull ka munguar faktori shqiptar, i cili mbeti i përfaqësuar nga popullsia shqiptare çame e besimit ortodoks, e integruar në jetën greke. Brenda një shekulli në këtë krahinë u krye shkëmbimi i popullsive muslimane me ato ortodokse mes Greqisë dhe Turqisë, (120 mijë), duke i dhënë goditje fatale faktorit shqiptar në krahinë. Marrëveshja e Varkizës si çështje historike, kalon tërësisht në hije.
Kreu 68 – Çështja Çame duhet të trajtohet në këndvështrimin e Emigracionit Çam drejt Shqipërisë përmes represionit, gjenocidit, detyrimit, vrasjeve, plaçkitjeve, diegies dhe shkatërrimit të pasurisë. Këtu fillon problem i trajtimit të Strategjisë Kombëtare, për të cilin shteti dhe politika greke shfaq frikën e saj duke deklaruar “Çështjen Çame inekzistente dhe të mbyllur”.
Ndaj popullsisë Çame është realizuar gjenocid. Shteti grek përmes provave të pakundërshtueshme duhet të pranojë që në drejtim të Shqipërisë në vitet 44 – 48 ka detyruar dhe shpërngulur me forcën e armëve nga trojet amtare një pjese të popullsisë në krahinën e Çamërisë, me shtetesi greke dhe etni shqiptare, duke ushtruar gjenocid ndaj saj.
Në formatin dhe vendimin politik dhe juridik të shtetit shqiptar, dosja e plotë e këtij largimi të dhunshëm duhet të denoncohet dhe dërgohet në Gjykatën e Hagës.
Çështja Çame ka të bëje më “ligjin e luftës” që Greqia mban në fuqi kundër Republikës së Shqipërisë. Ligji është akti i justifikimit të politikës greke ndaj të vërtetës historike mbi Çështjen Çame. Paradigma politike greke është e gabuar dhe fatale, nëse ata mendojnë se me këtë mënyrë do ta largojnë me tej ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame. Kjo çështje edhe për këtë arsye do të kërkohet pambarim.
Politika greke ende justifikon shpopullimin e Çamërisë sipas pretendimeve se, “popullsia çame, me gra e fëmijë, pleq e plaka, burra dhe të rinj bashkëpunuan me pushtuesin gjerman”!! Kjo është një gënjeshtër e turpshme dhe në këtë çështje janë kushtet që të kërkohet ndihma e arkivave gjermane të luftës. Ndihma për zbardhjen e të vërtetës mund t’i kërkohet arkivave të Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat kanë pasur rolin e tyre në konfliktet brenda territorit të Çamërisë. Kryebanditi Napoleon Zerva ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të fashizmit gjerman në Greqi.

Çështja Çame është alarmante, është e turpshme pë ata që e realizuan. Historiku i saj, kushtet dhe rrethanat në të cilat ajo u shkaktua dhe rrugëzgjidhjet janë krejt ndryshe nga drejtimet e tjera të çështjes kombëtare. Ajo nuk mund të jetë aneks i çështjeve të tjera ku shtrihen interesat shqiptare. Është detyrimi kombëtar i Strategjisë Kombëtare, Kuvendit Kombëtar dhe Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”, që ta trajtojnë Çështjen Çame si problem të veçantë, me fuqinë e mjaftueshme për ta ndërkombëtarizuar dhe orientuar atë në rrugët e zgjidhjes.
Ta rikthejmë Çështjen Çame në pikën kur nuk kishim gabuar
Kreu 69 – Problemi themelor:
Si ta rikthejmë Çështjen Çame në mënyrë shumëdimensionale, brenda dhe jashtë vendit;
Si të ndërgjegjësojmë faktorët e brendshëm patriotik, i cilët ndihet i lodhur duke u marrë me këtë çështje pa rrugëzgjidhje;
Si të rizgjojmë ndërgjejen kombëtare tek njerëzit që sot nuk kanë dëshirë të merren me këtë çështje, duke menduar se më shumë mund të prishin punë sesa të bëjnë diçka të mirë;
Si të planifikojmë masa adekuate kundër kompromentimit politik të figurave patriotike, politike dhe akademike, të cilët sot heshtin;
Si ta nxjerrim Çështjen Çame të asfiksuar nga gjendja e reanimacionit, për ta sjellë në mënyrë të studiuar dhe të programuar në vendin që i takon brenda interesave kombëtare të popullit shqiptar.
Fatkeqësisht nuk ka pasur rrugë të sigurta për të shkuar tek e vërteta, përveç pikës kulmore të saj në vitin 2004, kur me vullnet dhe organizim, Shoqata Politike Atdhetare “Çamëria” arriti të fus në programin e Parlamentit Shqiptar Projekt – Rezolutën për Çështjen Çame.
Në rrëzimin e kësaj Projekt – Rezolute dhanë kontributin e tyre antishqiptar 4 figura kryesore të politikës shqiptare, (S.B, F.N, J. T, S. P.). Me këtë rast u zbulua tërë sekreti që nxori në dritë miqtë dhe armiqtë e vërtetë të Çështjes Çame. Deri më sot nga figura qëndrore të politikës janë mbajtur qëndrime kundër kësaj çështje.
Politika shqiptare nuk ka ecur hap pas hapi në këtë rrugë. Detyra e korrigjimit i takon inteligjencës patriote dhe akademike Çame. Çështja Çame nuk është çështje e politikës së brendshme të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij. Kjo nuk do të thotë që ato të mos merren me rrugëzgjidhjet e saj, por ky program duhet të përfshihet në programet e partive politike që drejtojnë jetën e vendit. Popullsia Çame nuk ka nevojë për parti, por për një shoqatë të fuqishme, e cila të jetë zëri i përbashkët i saj. Potencialet e inteligjencës dhe të votuesve çamë duhet të ushtrohen brenda partive të mëdha, të cilat mbajnë peshën kryesore të diplomacisë shqiptare.
Ndoshta është momenti që të gjithë sëbashku të bëjmë një hap prapa, për të përjashtuar me kurajo nga planifikimi i së ardhmes së Çështjes Çame ato gabime të rënda që janë bërë në trajtimin e saj. Gabimet duhen të denoncohen dhe çështja të rikthehet në pikënisjen e saj të vitit 1990 – 2004. Kemi detyrimin patriotik dhe studimor të planifikojmë rrugë të sigurta shkencore e pragmatiste, për t’i imponuar institucioneve ligjore shqiptare (Parlamentit, Presidencës dhe Qeverisë) të mbajnë qëndrim në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar.
Do të duhet të bëjmë një hap prapa për t’u rikthyer në atë periudhë dhe kohë, kur nuk kishim gabuar në trajtimin e Çështjes Çame. Për shkak të vullnetit të popullsisë Çame të organizuar në shoqatën më të madhe patriotike të vendeve ish – komuniste, Shoqatën Politike Atdhetare “Çamëria”, Çështja Çame u fut në rrugë të drejtë duke i qëndruar të vërtetës mbi Çamërinë dhe popullin e saj.
Të kemi kurajon njerëzore dhe politike të pranojmë gabimet dhe ta shpëtojmë Çështjen Çame. Nuk mund të pretendohet nëse para saj mbahet si prioritet biznesi, interesi politik për të përfituar nga torta e pushtetit në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë që pretendojnë se janë në shërbim të Çështjes Çame, e kanë vendin e tyre në Shoqatë dhe brenda forcave politike shqiptare, për të ushtruar vullnetin politik në interes të saj. Deputetët, politikanët, biznesmenët, patriotët Çam e kanë vendin dhe nderin e tyre në Shoqatën Politike Atdhetare “Çamëria”. Ata që goditën dhe shkatërruar fuqinë e kësaj shoqate, kanë kryer aktin e tyre kriminal mbi interesat kombëtare të popullit shqiptar.
Kreu 70 – Strategjia Kombëtare duhet të inkurajojë Shoqatën Patriotike Atdhetare “Çameria”, të ngrihet në nivelin e përgjegjësive të saj kombëtare, të ringrihet nga bataku ku e zhytën partitë politike, të dalë në ballë të programit politik të planifikimeve për ta futur Çështjen Çame në rrugën e zgjidhjes. I takon kësaj shoqate të grumbullojë provat e gjenocidit si strukturë kriminale. Është detyrim i shoqatës “Çameria” të evidentojë popullsinë refugjate çame drejt Shqipërisë. Është detyrimi i saj të nxis përgatitjen e praktikës juridike të dorëzimit të shtetësisë shqiptare të popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë, e cila iu dha asaj në kushte emergjence nga shteti shqiptar.
Partitë që pretendojnë se janë përfaqësuese dhe ndjekëse të zgjjdhjes së Çështjes Çame (PDIU), janë thika pas shpine që kanë sabotuar deri tani këtë çështje, duke e përdorur si marketing politik për të qenë pjesë e pushtetit politik në Republikën e Shqipërisë.
Dalja në skenë e partisë politike Çame, ishte frika që përfshiu politikën greke në Athinë dhe atë filogreke në Republikën e Shqipërisë, për rolin e padiskutueshëm të Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”, e cila arriti ta çonte Projekt – Rezolutën për çështjen Çame deri në Kuvendin e Shqipërisë. Partitë politike kompromentuan pas vitit 2004 vendin dhe rolin e shtetit shqiptar në këtë çështje, duke ia lidhur duart patriotizmit për ta çuar Çështjen Çame deri në mohimin e saj.
Fuqia morale dhe politike e shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria”, vullneti i njerëzve që e duan dhe e mbështesin me shpirt dhe ndërgjegje kombëtare Çështjen Çame, duhet të çojë në shkrirjen e partisë politike, për t’i dhënë asaj frymëmarrjen e munguar deri më sot. Qytetarët çamë në Republikën e Shqipërisë duhet të përfaqësojnë vullnetin e tyre elektoral brenda forcave politike, për të rritur vetëdijën kombëtare të tyre, atje ku politika ka fuqi vendimmarrëse në jetën shqiptare.
Kundër konceptit të “minoritetit shqiptar në Çamëri”
Kreu 71 – Për hatër të marrëdhënieve të mira me Greqinë, kulltukofagët shqiptare vazhdojnë të punojnë kundër saj, duke asfiksuar çdo nisëm politike apo atdhetare që ka tentuar të çojë Çështjen Çame në rrugën e saj të vërtetë. Gjitashtu, emigracioni shqiptar në Greqi (sot më shumë se 1.2 milion banorë), nuk është shfrytëzuar si urë lidhëse, për të zhvilluar politika normale bashkëpunimi me shtetin grek. Shpesh ky faktor është përdorur si kërcënim mbi shtetin shqiptar, kundër pretendimeve të tij.
Çështja Çame është masakruar nga politika për rrezikshmërinë që gjoja paraqet popullsia Çame, “nëse ajo do të rikthehej në pronat e saj në Greqi”. Ky qëndrim nuk e ka burimin tek politika greke, por tek politika që ka marrë përsipër ta përfaqësojë Çështjen Çame. PDIU ka dhënë imazhin në opinion sikur, “të gjitha nismat ekstremiste të veprimtarëve çamë janë qëndrime të politikës zyrtare shqiptare”. Kjo nuk është e vërtetë. Politika shqiptare ka kërkuar “të drejtën e minoritetit Çam”, kur në fakt ndaj kësaj popullsie është kryer gjenocid, si akti i fundit që çon në pretendime deri në ndërprerjen e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Ky pretendim dhe kompromentim i qëllimshëm, e ka çuar politikën shqiptare në mohimin e Çështjes Çame, duke ngritur pengesa artificiale, që popullsia Çame të mos ketë mundësi asnjëherë të rikthehet në pronat e saj në Çamëri (deri në grisjen e pasaportave në kufi). Klima antiçame është produkt i qëndrimit të klasës politike shqiptare.
Duke shkuar më tej në këtë trajtim, për arsyet e mësipërme Greqia është vënë para faktit që, nëse do të pranonte rikthimin e popullsisë çame në Çamëri, do të pranonte djallëzisht lindjen e çështjes së minoritetit ndaj saj, kur në fakt kjo lëvizje ka legjitimitetin e saj si lëvizje e lirë brenda standardeve të shtetit të qytetarit të BE. Një lëvizje e tillë nuk ka lidhje me minoritetet.
Kreu 72 – Në planin politiko – juridik përparësi e Strategjisë Kombëtare është zgjidhja e problemit të pronave të popullsisë çame në Çamëri dhe territoret e tjera shqiptare në Greqi. Programimi juridik do të çojë hap pas hapi në rikthimin e tyre dhe të drejtën e lëvizjes së lirë të popullsisë në trojet e të parëve. Ky është problemi më delikat politik për shtetin e Greqisë, i nxjerrë nga kadastrat dhe i shtruar në rrugë juridike e demokratike jashtë tensioneve nacionaliste, konflikteve politike, duke respektuar ligjërisht të drejtën ndërkombëtare mbi pronën. Drejtësia ndërkombëtare le të bëjë punën e saj.
Për Çështjen Çame duhet të luftohet për rikthimin e popullsisë në pronat e tyre dhe kjo nuk ka lidhje me pretendimet territoriale të Republikës së Shqipërisë ndaj Greqisë. Jemi shumë herët për të folur për këtë problem.
Asnëjherë shteti shqiptar nuk ndërmori nismën për të orientuar qytetarët Çamë të kërkonin rikthimin në pronat e tyre brenda ligjeve greke, që respektojnë pretendimin e pronarëve të ligjshëm mbi pronat e tyre. Kjo mund të ishte rruga e shmangies së tensioneve politike mes dy shteteve. Politikat ekstremiste dhe angazhimet në emër të partiotizmit pa patriotizëm, nxitën politikën greke të mbahte qëndrim të prerë kundërshtues ndaj kësaj çështje. Kjo situatë është nxitur qëllimisht nga armiqtë e kombit shqiptar.
Jashtë trajtimit politiko – etnik dhe sipas interesit qytetar, pronarët Çame duhet të shkojnë në pronat e tyre si shtetas grek.
Problemi shtrohet i qartë: brenda të drejtave që ka shteti grek, akteve normative të standardeve të BE, qytetarët Çamë duhet të kërkojnë të drejtën e pronës dhe të rikthimit. E drejta e pronës nuk mund të tjetërsohet as në rastin absurd vetëm pse qytetari Çam është me etni shqipare. Ai është pronari i ligjshëm i tokës së tij.
Në mbështetje të angazhimeve politike për zgjidhjen e Çështjes Çame, Strategjisë do t’i duhet të përcaktojnë alternativa të tjera, sepse koha imponon shfuqizimin e “ligjit të luftës” nga parlamenti grek, njohjen e Çështjes Çame, ngrirjen e ligjit të përdorimit të pronave të popullsisë shqiptare, deri në zgjidhjen ndërkombëtare të çështjes. Situata duhet të argumentohet në mënyrë shkencore me fakte historike.
Në përpjekjet e saj popullsia Çame ndihet e braktisur nga politika dhe shteti shqiptar. Popullsia Çame meriton lëvizjen e lirë drejt pronave, marrjen e shtetësisë greke, ndërtimin e jetës dhe të zhvillimit ekonomik në Çamëri, duke ringjallur faktorin shqiptar të dhunuar dhe përgjumur në këtë krahinë epiriote të Shqipërisë.
Mendësia antishqiptare e “dëmshpërblimit” të popullsisë shqiptare të Çamërisë mbi pronat është krim politik në përmasa kombëtare, është shitja e interesave kombëtare, është akti më i shëmtuar i dhunimit të gjenezës, traditës, varreve të të parëve, është akti i tradhëtisë kombëtare, i cili tenton që Çështjes Çame “t’i vihet përfundimisht kapak floriri” dhe të kalohet në harresë. Ende mungon vullneti politik për t’i bërë “rrethimin e plotë demokratik” politikës greke.
Kreu 73 – Çështja Çame si dosje e arkivuar në Senatin dhe Kongresin Amerikan, duhet të jetë “dosja e nxehtë politike” që kërkon zgjidhje në interes të së ardhmes së vetë Europës. Kërkesat politike drejt Parlamentit Europian duhet të mbështeten në vlera juridike nga institucionet politike të shtetit shqiptar, organizimet akademike dhe patriotike, Shoaqta Politike Atdhetare “Çamëria”, me autoritetin e tyre të përfaqësimit të interesave të popullit shqiptar, në të kundërt si deri tani, ato do të bien në vesh të shurdhër.

Rrëzimi i Rezolutës për Çështjen Çame në Kuvendin e Shqipërisë, është akti i lartë i braktisjes dhe tradhëtisë ndaj popullsisë së masakruar të Çamërisë. Strategjia dhe Kuvendi Kombëtar duhet të denoncojnë ndërkombëtarisht gjenocidin grek mbi popullsinë e pafajshme Çame, duke miratuar Rezolutën për Çamërinë dhe duke ia deleguar atë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për miratim. Akti i tradhëtisë së vitit 2004 duhet të rrëzohet.
Kreu 74 – Në trajtimin e Çështjes Çame duhet të çlirohemi nga frazeologjia patriotike folklorike, e cila nuk çon në rrugëzgjidhje. Patriotizmi formal mbi këtë çështje është i rrezikshëm. Ai deformon realitetin dhe mbyll rrugët për të mos realizuar asgjë. Ai është një ilaç gjumi, i cili po e çon këtë çështje në eleminimin e saj.
Është fakt që në Republikën e Shqipërisë ka një popullsi Çame, e cila sot ka kaluar shifrën 240 mijë njerëz. Kjo popullsi ekziston, ka aspiratën e saj të rikthimit në trojet amtare. Ky është fakti dhe denoncimi më i fortë që duhet t’i bëhet politikës greke ndaj qëndrimit të saj mohues. Pse heshtet për këtë, kur në kushte dhe rrethana të tjera kjo popullsi mund të dorëzojë pasaportat shqiptare dhe të kërkojë ndërkombëtarisht të rikthehet në trojet e saj?
Çështja Çame duhet të orientohet me mençuri politike drejt marrëdhënieve të mirëkuptuara me shtetin grek. Politika greke duhet ta shkulë nga mentaliteti i vet se, “Çështja Çame nuk ekziston”. Qëndrimet ndaj pasaportave shqiptare në kufi të njerëzve që kanë lidhje me Çamërinë janë skandale për një shtet që pretendon se respekton demokracinë dhe të drejtat njerëzore.
Strategjia Kombëtare nuk mund ta përshpejtojë trajtimin e Çështjes Çame në të njetën kohë që vëmendja kryesore duhet të përqëndrohet në territoret ku popullsia shqiptare është faktor në kërkesat për zgjidhje.
Qëndrimi i ekuilibruar larg patriotizmit folklorik, do të bëjë që të mos ulen vlerat e kërkesave që kanë mundësitë të shtrohen për zgjidhje brenda fazës së parë dhe të dytë të rrugës drejt bashkimit kombëtar.
Djegia e etapave të veprimit do të dëmtonte çështjen shqiptare dhe vetë Çështjen Çame. Armiqtë tradicionalë të kombit shqiptar do ta dëshironin që Strategjia Kombëtare t’i globalizonte të gjithë faktorët përbërës të çështjes shqiptare për të mos zgjidhur asgjë.
Kuvendi Pançam, ura lidhëse kombëtare dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e Çështjes Çame
Kreu 75 – Çështja Çame nuk ka ecur në shtratin e saj të planifikimit të zgjidhjeve shqiptare. Ajo është ngatërruar politikisht, duke e kaluar në gjendje konfuzioni, kundër qëllimit të saj të drejtë. Për hir të së vërtetës, Çështja Çame ka qenë më e qartë në kohën e shtetit komunist, më e qartë në kohën kur Kosova u çlirua dhe fitoi pavarësinë, më e qartë nën trajtimin e saj nga Shoqata “Çamëria”.
Shprehja e idealizmit për Çështjen Çame reflektonte vetëm tek fuqia dhe aktiviteti në rritje i shoqatës me mbështetjen e shoqatave të tjera patriotike. Ky idealizëm sot vazhdon të nxitet vetëm nga gabimet e politikës shqiptare, të zyrtarëve buroktatë, të cilët vazhdojnë të përfitojnë nga ekzistenca e partisë Çame (PDIU), duke synuar përfitime nga pushteti dhe braktisjen e Çështjes Çame. Partia Çame në Republikën e Shqipërisë duhet të shkrihet. Ajo është ura e kalimit mes qëndrimit të politikës ndërshtetërore për ta penguar Çështjen Çame në rrugën e saj të zgjidhjes.
Forca reale e zgjidhjes së Çështjes Çame duhet të kalojë përmes ringjritjes fuqishëm të Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria” dhe nën kujdesin e saj, tek organizimi i Kuvendit Pançam. Çështja Çame nuk është vetëm çështje e shtetit shqiptar, por është dhe çështje e Greqisë, Turqisë dhe e popullsisë Çame kudo ku jeton në Botë.
Çështja duhet të trajtohet në dimension më të gjerë. Emigracioni i dhunshëm mbi popullsinë e Çamërisë nuk është nxitur vetëm në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Ai është kryer edhe në shkëmbimin e popullsive mes Greqisë dhe Turqisë sipas marrëveshjes së Varkizës. Kjo çështje nuk është Çështja Çame por Çështja e Çamëve kudo në botë. Kujdesi i Kuvendit Pançam duhet të rishikojë historinë e popullsisë çame, si një popullsi e martirizuar, për të dalluar brenda Historisë së Popullit Shqiptar specifikën historike të kësaj popullsie. Edhe për popullsinë Çame atdheu mëmë është Shqipëria, por sot ata janë të shpërndarë anekënd botës, vetëm në Çamëri jo.
Kuvendi Pançam duhet të godasë fortë në ndërgjegjen kombëtare, përmes mirëorganizimit, për të rrëzuar poshtë këtë periudhë të errët 20 vjeçare të goditjes rëndë të Çështjes së Çamëve nga brenda dhe jashtë saj. Ky kuvend si ide, organizim, financim mund të zhvillohet në Vlorë ose në Sarandë, por mund të zhvillohet dhe në Turqi, duke u mbështetur tek lobistët patriotë të Çështjes Çame dhe të çështjes shqiptare. Njerëzit që janë dëshmuar dështakë dhe kompromentues të Çështjes Çame, nuk duhet të jenë pjesë e Kuvendit Pançam. Pak njerëz janë në Shqipëri që mund të jenë përfaqësues të denjë të popullsisë çerëkmilionshe çame.
Kreu 76 – Në organizimin e procesit nuk vlen nostalgjia folklorike mbi këtë çështje, por duhet ideologu i Çështjes Pançame, një Avdyl Frashër i Ri i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili të mos ketë lidhje me çështjen e pronave, por me idealizmin e vlerësimit të saj, duke iu përmbajtur metodologjisë pragmatiste të zgjidhjes hap pas hapi të problemeve që parashtron Çështja Pançame. Çështja e programit shkencor të organizimit dhe futjes së saj në rrugën e zgjidhjes, është çështje konceptuale themelore strategjike.
Detyrë parësore e Kuvendit Kombëtar është nxitja dhe përgatitja e kushteve gjithpërfshirëse për organizimin e Kuvendit Pançam në mbështetje të zgjidhjes së Çështjes Çame. Ky duhet të jetë vetë thelbi i një Rezolute mbi Çështjen Pançame.
Kuvendi Pançam është një zgjidhje e dobishme, i mundshëm të realizohet pas Kuvendit Kombëtar;
Kuvendi Pançam mund të organizojë degët e tij në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, Greqi, vende të ndryshme të BE, SHBA, Turqi, Australi;
Mbledhja themeluese e Kuvendit Pançam mund të realizohet në shtetin amë, Republikën e Shqipërisë (Tiranë);
Në drejtimin e Kuvendit Pançam mund të zgjidhen personalitete të shquara (çamë dhe joçamë) atdhetare, politike dhe shkencore;
Politikanët e angazhuar në jetën politike në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk kanë dëshmuar përgjegjësi ndaj Çështjes Çame, mund të ftohen (ose jo, për të mos ulur vlerat e kuvendit), por të mos përfshihen në organet e drejtimit të Kuvendit Pançam;
Në Kuvendin Pançam të afrohen personalitete çame që kanë aktivitet në vendet e BE dhe në lobin Euroatlantik;
Kuvendi Kombëtar dhe Kuvendi Pançam duhet të marrin nisma për botimin e dokumentave në plotësimin e Dosjes së Çamërisë, të gatëshme për ta depozituar në Gjykatën Ndërkombëtare për gjenocid mbi popullsinë çame;
Në kuadrin e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare, Kuvendi Pançam mund të nxisë paraqitjen në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin Evropian të Rezolutës për Çështjen Çame, si akt i denoncimit për krime kundër njerëzimit mbi një popullsi të pafajshme. Ky akt mund të arrihet përmes kontakteve me ambasadat e SHBA, Senatorë, Kongresmenë dhe njerëz përfaqësues të lobit Euroatlantik me lidhje të fuqishme pranë tyre.
Mospërshirja e Çështjes Çame në planifikimin strategjik të zhgjidhjes së çështjes shqiptare, ka të bëjë me faktin që, Kuvendi Pançam duhet të jetë i vetmi institucion që duhet të merret me këtë çështje, jashtë interesave të politikave shtetërore, duke ndjekur të drejtat juridike ndërkombëtare mbi emigracionin e dhunshëm, gjenocidin, të drejtën e pronës, të drejtën e shtetësisë për ta futur çështjen Çame në rrugën e zgjidhjes. Askush më mirë sesa Kuvendi Pançam nuk mund ta ndërkombëtarizojë këtë çështje në bashkërendim me mbështetjen e aleatëve strategjikë të kombit shqiptar.
Ideja themelore ka të bëjë me faktin që, Çështja Çame të mos jetë vetëm çështja e Çamëve në Republikën e Shqipërisë, por e çamëve kudo ku jetojnë në botë, madje një çështje e rizgjimit të popullsisë ortodokse Çame që sot jeton në Çamëri. Ky problem duhet të trajtohet me kuarajo për një popullsi mbi 120 mijë vetë, që nuk mund ta harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare.
Është goditur djallëzisht ecuria normale, përballë zhurmës propogandistike shkatërruese, duke e barazuar atë në një plan me drejtimet e tjera ku duhet të veprojë Strategjia Kombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në Çamëri aktualisht mungon faktori shqiptar dhe ky është një problem delikat që kërkon zgjidhje afatgjatë. Kjo është arsye bindëese që zgjidhja e Çështjes Çame vlerësohet si akti i parafundit i dramës kombëtare të popullit shqiptar në rrugën e tij të bashkimit.
(Pjesë e marrë nga SULEJMAN ABAZI NESHAJ – EDHE NJË HERË PËR STRATEGJINË KOMBËTARE (PROJEKT – 2), PJESA E TRETË – KAPITULLI – 5)
© Pashtriku.org
____________________
STRATEGJIA KOMBЁTARE E POPULLIT SHQIPTAR (1 – 7)
Nga Sulejman Abazi NESHAJ – Tiranë, nëntor 2021
https://pashtriku.org/strategjia-komb%d1%91tare-e-popullit-shqiptar-1/