ÇERKIN ISMAILI: SI MË DIFERENCOI IDHULLI IM, AZEM SHKRELI?!

(Mitrovicë, 04. 06. 2012) – Një fragment kujtimi – /Në mbledhjen e 14 majit 1981, AZEM SHKRELI iu drejtua sekretarit të Komitetit SAVA KOMADINQIQ: “Ju jeni fajtor shoku sekretar! Ju! Ju keni faj që e përkëdhelni këtë fundrinë nacionalizmi! Futeni atje ku e ka vendin dhe ai do këndoj e jo vetëm të bëjë autokritikë”. Foli edhe shumë gjatë idhulli im Azem Shkreli. Kur mbaroi mbledhja, bëhet një pas mesnate. Ju afrova idhullit tim t’ia jepja dorën, por nuk ma morri. Në fund i thash: “Ngushllime Azem Shkreli, për shpirtin tënd që sot vdiq”. Të nesërmën më nxorën nga ora e fundit e mësimit dhe më dërguan atje ku i kishte porositur idhulli im Azem Shkreli, tashmë i urryer./…
AZEM SHKRELI rritej në mendjen time deri në natën e 14 Majit 1981, kur vdiq si njeri – idhulli im. Atë natë idhulli im Azem Shkreli ishte argat i Komitetit Krahinor në diferencimin tim ideopolitik. Sa do të doja që natën e 14 majit 1981 të mos e shihja e dëgjoja duke folur idhullin tim. Dy netë më parë më kishin marrë në UDB për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratën e 3 prillit 1981 në Mitrovicë. Në mbledhje, pos faktorëve tjerë politik të qytetit, Nezir Prokshi, zëvendës sekretar i komitetit, i cili e nisi mbledhjen me një retorikë staliniste duke hedhur gurë mbi personalitetin tim vetëm për një argument: në dollapin tim të vitrinës së arsimtarëve, UDB’a kishte gjetur një numër të revistës “FJALA” me tregimin e Sabit Rystemit “Mysafirët e paftuar”.


Ish’komitetliu dhe poeti Azem Shkreli!

__________________________________

Komitetliu i zi, argat i UDB’së bërtiste si bishë për “argumentin e fuqishëm” kundër meje. Të gjithë mysafirët ia mbajtën ison Nezirit. Madje ishin Rrystem Hasanaj, drejtori i shkollës, Mysherefe Zaifi Mustafa, Dragan Cvetkoviqi, si përfaqësues të Komitetit Krahinor ishin: Dr. Abedin Perroviqi dhe Azem Shkreli. Në mesin e kësaj BANDE mendoja, të paktën, idhulli im do të më përkrahi. Në shënjestrën e asaj bande atë natë ishin edhe PROF.SKENDER HAMZA DHE MR.SKENDER TAHIRI, tash punëtor administrativ në Kuvendin e Kosovës. Po atë natë dëgjova nga sekretari i Komitetit të qytetit, SAVA KOMADINQIQ, antishqiptarit të përbetuar të Mitrovicës, se isha bir ballisti.
Gjatë gjithë kohës idhulli im AZEM SHKRELI mbante kokën ulur. Mezi prisja ta marrë fjalën. Kur e mori fjalën u bë sikur nuk më njihte fare. Nuk m’u drejtua mua por Sava Komadinqiqit: “Ju jeni fajtor shoku sekretar! Ju! Ju keni faj që e përkëdhelni këtë fundrinë nacionalizmi! Futeni atje ku e ka vendin dhe ai do këndoj e jo vetëm të bëjë autokritikë”. Foli edhe shumë gjatë idhulli im Azem Shkreli. Kur mbaroi mbledhja, bëhet një pas mesnate. Ju afrova idhullit tim t’ia jepja dorën, por nuk ma morri. Në fund i thash: “Ngushllime Azem Shkreli, për shpirtin tënd që sot vdiq”. Të nesërmën më nxorën nga ora e fundit e mësimit dhe më dërguan atje ku i kishte porositur idhulli im Azem Shkreli, tashmë i urryer.
Pas kësaj nate ogurzezë vetëm edhe një herë, në vitin 1992, jam takuar me Azem Shkrelin, idhullin tim tani të urryer në një kafeteri në Mitrovicën e veriut jo fortë larg kafenesë: “Dolçe vita”, ku e kanë strofullën rojet e natës. Dëgjova se në atë kafiteri po promovohet një vëllim me poezi e një poeteshe të re. Më thanë se ishte i ftuar edhe Azem Shkreli dhe Ali Podrimja. Shkuam së bashku me mikun tim, poetin Jakup Ceraja.
Në fillim i kryqëzuam shikimet. Pastaj Azemi uli kokën dhe filloi të më shikoj nën vetulla. Asnjë fjalë nuk e folëm as unë as Azemi. Prisja që burrëria e malësorit rugovas të shkoj në vend. Por, ngeli. Azem Shkreli as pas 11 vjetësh nuk ishte penduar për fjalimin partiak të 14 majit 1981. Nuk i kërkoi falje viktimës së tij. Unë desha t’i kërkoj falje, por miku im, Jakup Ceraja, më tha: “Është ironike t’i kërkosh falje fajtorit”.

____________________________

Shtojcë e pashtriku.org
KUSH ËSHTË ÇERKIN ISMAILI

Çerkin Ismaili u lind në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e mbaroi në Smrekonicë, një fshat afër fshatit të tij të lindjes. Gjimnazin klasik e mbaroi në Vushtrri, kur edhe filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para letrare. Studimet në degën e albanologjisë i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Akoma si student filloi të punojë në gjimnazin e Vushtrrisë si profesor i gjuhës e letërsisë shqipe dhe gjuhës latine. Pas mbarimit të studimeve, një kohë, redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa pranvera e vitit 1981 e gjeti duke punuar në Shkollën e Mesme Ekonomike në Mitrovicë, kur për shkak të qëndrimit që e konsideron parimor, organizimit dhe pjesëmarrjes në demostratat e 3 prillit 1981, u diferencua politikisht, u largua nga puna, u dënua dhe u burgos. Për shkak të aktivitetit të mëtejmë ilegal dhe politik, ndonëse në vëzhgim të përhershëm, pas shpërndarjes së trakteve politike në Mitrovicë dhe në minierën “Trepça” në vitin 1986, u detyrua që dy vjet të qëndrojë larg syve të pushtetit të kohës, në Dalmaci, ku punoi si punëtor krahu. Përndjekjet, arrestimet e shantazhet politike ndaj tij kurrë nuk kanë pushuar. U burgos përsëri në vitin 1992. Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte. Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para. Deri tash ka botuar: “Lindjet e shpërndara”, poezi, Prishtinë, 1993; “Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997; “Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”, monografi, Prishtinë, 1998,“Shtrëngata”, roman, Prishtinë, 2006; “Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009. Përveç këtyre veprave, autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh. Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mori kritikash dhe studimesh letrare. Në dorëshkrim ka disa vepra letrare akoma të pabotuara. Disa herë ka marrë çmime letrare për poezi. Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë” në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë dhe kryesisht merret me krijimtari letrare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

Demokracia negative!

Demokracia negative! Kur politika, paraja,padrejtësia, vjedhja, korrupsioni, droga e krimi bëhen bashkë Nga Skënder Sadri Kapiti, 9 Korrik…