CILI ISHTE IDENTITETI YNË FETAR NË PERIUDHËN PARAOSMANE, KATOLIKE APO ORTODOKSE?!
Nga Prof.dr Jahja Drançolli, Pashtriku 29 mars 2022
Për dilemën e shfaqur me zë të lartë ditë më parë në një emision televiziv: Cili ishte identiteti ynë fetar në periudhën paraosmane, katolike apo ortodokse?! Çfarë thonë dokumentet papnore dhe dokumentet e tjera përkatëse?!
Papa Calixtus II (Kaliksti II) sipas bullës të tij të viteve 1119-1124, kishte konfirmuar se në fillim të shekullit XII Serbia nuk kishte formacion të pavarur kishtar. Së bashku me zotërimet e saj ajo ishte pjesë e Kryedioqezës Katolike Romane të Tivarit (Antivari-Antibari), e cila në atë kohë zotëronte edhe dioqezat e mëposhtme të ritit katolik roman:
– Diocletanensem (Dioklea),
– Antibarensem (Tivari),
– Buduensem (Budva),
– Scatarensem (Shati),
– Dulchinensem (Ulqin),
– Suvacinensem (Shasi),
– Scodrensem (Shkodra),
– Drivastinensem (Drishti),
– Polatinensem (Pulti),
– Serbiensem (Serbia),
– Bosoniensem (Bosnja) dhe
– Tribensem (Trabuni).
Ndërsa, Kisha e territorit të sotëm të Kosovës, në atë kohë ishte në juridiksionin e ipeshkvisë së Kishës Katolike Romane të Prizrenit, e cila pas shkatërrimit të Justiniana Secunda (Ulpiana), mori kompetencë juridike dhe titullare.
Në fakt, edhe pse Ipeshkvia e Prizrenit përmendet në dokumentet e perandorit bizantin, Bazili II (1019/1020), ka të dhëna indirekte se ipeshkvi i Prizrenit përmendet më herët (në vitin 458), në kontekstin e Koncilit të Kalcedonit më 451. Ipeshkvia e Prizrenit përfshinte Rrafshin e Dukagjinit dhe Rrafshin e Kosovës së sotme!
Struktura fetare e paraqitur më sipër kishte filluar të pësonte ndryshime në kohën e Dushanit, mbret i Rashës (Serbisë), i cili sipas Kodit të tij nga vitet 1349, 1355, legjitimoi persekutimin e katolikëve jo vetëm arbëror, por edhe kroat e boshnjak, proces ky që është intensifikuar fuqishëm sidomos me themelimin e Patriarkanës së Pejës në vitin 1557 nga Perandoria Osmane!
***
Burimi: Fragment nga manuskripti i Bibliotekës së Vatikanit, No. 7109, fleta 2!