DARDAN MOLLIQAJ: STRUKTURA E KRIMIT TË ORGANIZUAR BRENDA POLICISË SË KOSOVËS!

Pashtriku.org, 19 prill 2017: Më 13 prill 2017, në një konferencë për media, Sekretari Organizativ Dardan Molliqaj, paraqiti skemën e krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës, skemë kjo që ka bërë që Kosova të renditet si vend me nivel të lartë të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe drogë në raportet e progresit dhe raporte të tjera ndërkombëtare.
Kjo skemë e paraqitur nga Molliqaj ka në krye Kadri Veselin, i cili për një kohë të gjatë ishte në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës, kurse tash është në krye të Kuvendit dhe PDK-së. Në skemë shfaqen qartë lidhjet e drejtuesve të departamenteve kryesore në Policinë e Kosovës me Kadri Veselin dhe PDK-në.
Molliqaj fillimisht tregoi se i pari i Drejtorisë së Përgjithshme, Shpend Maxhuni, përmes lidhjeve me PDK-në është zgjedhur drejtori i Policisë kundërligjshëm. Babai i tij ka qenë pjesë e UDB-së, kurse dhëndrri i tij, Kadri Arifi, dyshohet për vjedhjen e Dhomës së Dëshmive, duke qenë në atë kohë ndihmësdrejtor i shtyllës së hetimeve. I njëjti, më herët kishte qenë pjesë e UDB-së, kurse më pas edhe e ShIK-ut.
“Si zv/drejtor i Njësitit Anti-terror është i vendosur Luan Keka, bashkëshortja e të cilit ishte kandidate e PDK-së për deputete, kurse vetë ai është mik i Shefit te Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti. Ai po ashtu ka lidhje me Ilmi Ramadanin, dikur zyrtar i lartë i ShIK-ut e tani këshilltar i Kadri Veselit”, shtoi Sekretari Molliqaj.
Ai tregoi po ashtu se drejtor i Departamentit të Operacioneve është miku i Elmi Reçicës, Rashit Qalaj, babai i të cilit ka qenë pjesë e partisë së Millosheviqit, SPS, kurse ky vetë ka banesë në kompaninë “Beni Dona”, e cila merr tenderë prej mijëra eurosh nga Policia. Ndërkaq, në krye të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike është një ish-zyrtar tjetër i ShIK-ut, Emin Beqiri, për të cilin dihet publikisht se ishte vartës i Nazim Bllacës.
Molliqaj përmendi edhe një gjë shqetësuese që lidhet me përgjimet.
“Sipas informatës sonë, për vite të tëra përgjimet e Policisë së Kosovës kanë qenë të jashtëligjshme. Nuk e di nëse ekziston edhe sot, por dhoma ku janë bërë përgjimet ka qenë brenda policisë, ku ka përgjuar qytetarët pa asnjë vendim”, tha ai.
Me këtë rast, shtoi se këtu ka shkelje të ligjit dhe kërkoi që Policia e Kosovës të bëjë publike kontratat që ka me operatorët e telefonisë mobile në vend, ku tha se këto kontrata për vite të tëra kanë qenë të ndryshme, pasi që ajo me IPKO-n është sipas standardeve që parashihen, kurse ajo me VALA-n shkel ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura