DASHURI DHE HIMN PËR ATDHEUN

Dashuri dhe himn për atdheun

Nga Faik Xhani

Vëllimet poetike “Fjalë zemre”, “Kur zemra flet”, “Vazhdoj të jem”, “Atje dua”, “Mall për gjithësinë”, “Dallandyshe në fluturim”, “Më thërret një zë” dhe “Larg teje nuk jam” sjellin te lexuesi shqiptar zërin e një gruaje, të një nëne,

të një emigranteje, të një poeteje të talentuar dhe atdhetareje të vërtetë e të thekur, zërin e Trandafile Mollës.

Për Trandafilen atdheu dhe vendlindja, Shqipëria dhe Durrësi, përbëjnë një unison pazgjidhshmërisht me qenien njerëzore. Si askush ajo ndihet krenare, bijë e nderuar, qytetare e civilizuar dhe progresiste, sepse është shqiptare.

Dashuria për atdheun dhe vendlindjen përbëjnë thelbin e gjithë krijimtarisë së autores, por në vëllimin e fundit poetik “Diell i zjarrtë i syve të mi”, kjo dashuri ngrihet në stadin më të lartë, pa të cilën poetja nuk e nënkupton jetën dhe qenien, është gati të bëjë gjithçka, madje të sublimojë dhe jetën.

Duhet thënë me zë të qartë, se poetja Trandafile Molla (Baja), me krijimtarinë e saj poetike, veçanërisht me vëllimin e fundit “Diell i zjarrtë i syve të mi”, radhitet si një poete e Rilindjes së kohëve moderne. Kjo përmbledhje poetike është si një “Bagëti e Bujqësi” e kohëve moderne, dashuri dhe himn për atdheun dhe vendlindjen.

Poezia e saj është ylberike, ku përshfaqet dashuria me të gjitha ngjyrat, me gjithfarë situatash, gjendjesh e përjetimesh. Në gjithë vëllimin poetik shfaqet dashuria për atdheun dhe vendlindjen, që është dashuri unikale, një dashuri mbi të gjitha dashuritë, të cilën e ka dhe e gëzon vetëm qenia njerzore, për të cilën duhet bërë çdo përpjekje dhe çdo sakrificë. Kjo dashuri për njeriun është gjithçka, është gëzim, paqe, frymëzim, motivim, lumturi, kushtrim e himn për të bërë më të mirën, më të duhurën e më sublimen që të jep nder e krenari, që të bën të pa vdekshëm përgjithmonë. Ajo është e lidhur ngushtë me dashurinë për njeriun, për familjen, për prindërit, gjakun e gjininë.

Janë pikërisht këto komponentë që e bëjnë njeriun të plotësuar, të respektuar, të vlerësuar, të nderuar, të shtrenjtë e të pa zevendësueshëm me asnjë lloj tjetër materie në botë, e bëjnë atë unikal për atdheun dhe shoqërinë.

Si askush tjetër Trandafile Molla (Baja) ndihet krenare, bijë e nderuar, qytetare e civilizuar dhe me fat, se është shqiptare, kur Shqipëria ka kaluar një tranzicion të stërgjatur dhe të brishtë. Shoqëria shqiptare ka marrë plasaritje të mëdha, mandej edhe trauma si varfëri të tejskajshme, korrupsion galopant, krim gjithfarësh deri monstruoz, trafik të qenieve njerëzore, ku mbi tridhjetë mijë gra e vajza enden rrugëve të botës e shfrytëzohen si prostituta, ku droga ka gjet një stacion efikas për përdorim e tranzit, ku papunësia e pashpresa kanë arritur pikat kulmore dhe janë bërë shkas për shpopullimin e krahinave të tëra dhe braktisjen e atdheut, ku afro pesëqind mijë të rinj e të reja janë larguar nga Shqipëria dhe ajo më e keqja një pjesë e mirë e tyre nuk denjojnë të rikthehen më në atdheun e tyre, pa le pastaj në vendlindje.

Shqipëria po përjeton ritmet më të ulta të shtesës natyrore, mandej dhe shifra negative. Ajo, nga një vend me shtesë më të lartë të popullsisë në rajon e botë, po plaket me ritme të shpejta.

Është koha kur familja shqiptare vazhdon të pësojë të çara të mëdha e plagë të rënda, kur dashuria për atdheun, vendlindjen, familjen, prindërit, gjakun e gjininë kanë marrë ftohjen e akullt. Janë dyzet e tre mijë të moshuar të vetmuar, ku shumica e tyre janë të harruar e të braktisur edhe nga bijtë e bijat e tyre.

Është kjo situatë që e bën librin e Trandafile Mollës një Yll Polar për t’u kthyer në normalitet, një lloj margaritari që i ndrit çdo shqiptari për një orientim të drejtë e të duhur, për kthjellësi mendimi, maturi veprimi, një mal dashurie e krenarie për atdheun dhe të qenurit shqiptar.

Me interes është ky vëllim poetik për gjerësinë dhe larminë e tematikës. Ai rrok disa probleme të kohës, të shoqërisë shqiptare që meritojnë vemendje dhe kujdes, mandej disa janë tipike dhe të veçanta, siç është rasti i gjakmarrjes. Është një qasje e veçantë, ku poetja ngjyen penën e saj në skutat e errëta, ku vepron kanuni i Lek Dukagjinit, ndonëse në kohë moderne, në demokraci, u rikthye fenomeni i gjakmarrjes. Janë afro katërqind fëmijë të ngujuar. Po etja e shpalos këtë plagë shoqërore me nota dridhëruese, por edhe thërret me lutje zemre, te poezia “Këput zinxhirët hasmëria”:

    Si ky ëngjëll ka dhe plot të tjerë,

    prej hasmërive janë ngujuar,

    nuk mund të dalin deri në derë,

    se një hap jeta e tyre ka mbaruar.

Dhe me zë të fortë thërret:

    -Ndal hakmarrje, më shumë dashuri e paqe

    të jetojmë së bashku në botë me miqësi,

    për hir të të madhit Zot, jo gjakderdhje

    ju lutem falje, jetë, mjaft gjakësi!

Në vëllimin poetik “Diell i zjarrtë i syve të mi” vendin kryesor e zë motivi i dashurisë për atdheun dhe vendlindjen, të cilëve u kushtohen gjysma e poezive, ku secila përshfaqet me dritë, me ngjyrë, me dashuri vargmal, me kolorit figurativ, me përjetime pezmi, brenge, reflektime të thella, me lumturi e krenari dhe mesazhe shprese. Në disa prej tyre shprehet:

    O nanë Shqipëri, për ty jam përvëluar

    me dashurinë tënde do të hyjë në varr,

    edhe e vdekur s’kam me të harruar,

    dhe kur gjumi i thellë do të vijë të më marrë!

    “Shqipëri, je dielli i zjarrtë!”

    Më fal atdheu im, se nga ty u largova

    buzëqeshjen ma vranë me padrejtësitë,

    s’e harroj prehërin tënd ku u lazdrova,

    gjithë botës për ty ia rrëmbeva dashuritë.

  “Je gjiri i ngrohtë i nënës”

    Përqafuar mes lotësh do të thërras,

    Shqipëri, ngrihu zonjë e rëndë planetare

    si e gjallë dhe e vdekur, me ty do të flas

    se jam bija jote, jam shqiptare!

    “Lotët e atdheut tim”

    Je në thellësinë e syve të mi,

    ku lëvrojnë të detit dallgë,

    dashuria ime e pafund je ti,

    Durrës, dhimbja ime, je plagë.

    “Në dashurinë tënde të përfalem”

    Atdhe, je ti, ndaj ekzistoj unë

    në ritmin e zemrës që nuk ndal,

    dhimbja jote më mundon dhe në gjumë,

    thellë në inde për ty kam mall.

    Le të thonë çfarë të duan, le të thonë

    këto njerëz sinqerisht nuk i kuptoj,

    për ty atdhe, shpirti më qan e rënkon

    zemra ime vetëm aty di të dashurojë!

    “Atdhe”

Mjaft të goditura dhe interesante janë poezitë “Ku e lashë tokën time” dhe “Klithma e atdheut”, ku brenga, pezmi e dhimbja arrijnë shkallën më të lartë dhe poetja lëshon psikamën, ashtu si kurse ndodh në situata të veçanta kur njeriu shkul flokët e kokës dhe gruaja i bën faqet gjak nga dhimbja:

    Me piskamë thërret atdheu,

    djemtë e rinj ku i kam, ku

    ikën udhës, morën arratinë

    vajtën tutje, shkuan kuturú.

    Thërret atdheu, ndahet qielli

    vajzat trimëresha, ku i kam,

    ku ikën matanë, përtej atij dielli

    vajtën tutje, shkuan kuturú.

Me gjithë gjendjen e rënduar psiko-shpirtërore poetja ringrihet, normalizohet dhe mesazhon:

    Jo kërkush s’do të guxojë

    dhe s’ka njeri që ty të tremb

    për një flamur, për një shqiponjë,

    ne për ty vdesim në këmbë!

    “Klithma e atdheut”

Në këtë vëllim poetik vend të rëndësishëm zë motivi i krenarisë për atdheun, për të qenurit shqiptar, për flamurin, lirinë, dëshmorët, luftrat, historinë:

    Larg teje kur unë jam,

    aq më shumë ty të dua,

    gjithmonë pranë ty të kam,

    fryma jote më mbush mua.

    Syri zemrën s’e shikon,

    veç për ty do të tretet,

    malli i djegur më verbon,

    më shumë zgjuar kaloj netët.

   “Të shtrenjtë e kam idealin, lirinë!”

    Në jetë e lirë sfidova ligësinë,

    me lirinë mposhta çdo ndryshim,

    mbusha botën me dashurinë,

    me shpresa fitova pandeminë.

    “Liria e prangosur”

Me dashurinë për atdheun është e lidhur ngushtë dhe dashuria për punën e profesionin, të qenit i ndërgjegjshëm, i përkushtuar e i devotshëm për t’i shërbyer në mënyrën më të mirë. Këtij motivi poetja i ka kushtuar njëzet e katër poezi, ku nëpërmjet shembullit pozitiv të poetit të parë shqiptar, Pjetër Budit; italianit me origjinë shqiptare, Pino Cacozza; at Gjergj Fishtës, poetit Hysni Milloshi, Arben Dukës, Demir Gjergjit, veprimtarit të palodhur Shpëtim Metani, mësueses shqiptare që vdiq në New York, Alda Rafti, Kristullka P. Cezari, mësuesit kujdestar Tefik Milaqit, aktorit Guljem Radoja, sportistit të talentuar Ramazan Ragami, njerëzve të saj të afërt, babait, nënës, motrës, hallës, dajës etj, përmbush bukur dhe të plotë dashurinë për punën e profesionin, pa të cilët nuk mund t`u shërbesh si duhet atdheut dhe vendlindjes.

    Pino Cacozza:

    Në të pashtershmet tënden gurrë,

    për të dashurat, trojet amëtare

    për fjalën e dhënë, besën si burrë

    Arbërisë i këndon, tokës shqiptare…

    Për at Gjergj Fishtën:

    Trandafili prapë do çeli në lulishten,

    edhe bleta do të vijë të mbledhë nektar,

    ëmbël këngës për at Gjergj Fishtën

    do t’ia marrë përsëri ky bilbil mërgimtar…

    Poetit të parë shqiptar, Pjetër Budit:   

    Pendëndritur, burrë me mend e kulturë

    barí i Zotit, me natyrë e besë,

    fetar në gjuhën shqipe ai nuk vdes kurrë,   

    shkrimtar i fjalës së bekuar, hero i parë…

    Për poetin Arben Duka:

    Ti vrapo maratonomak,

    betuar je mbi shqiponjë e flamur

    muza jote ndezur flakë,

    për atdhe s’u shua kurrë

    se fat të kishte Shqipëria,

    djalë me shpirtin si vullkani,

    Arben Duka, je vetë krenaria

    ndaj nuk vdes poet vigani!

    Poetit Hysni Milloshi:

    Hysni Milloshit, ndoshta në këtë mëngjes,  

    kisha dëshirë mbi varr t’i ndizja qirinjtë,

    nga toka mëmë një trëndafil me vesë,

    që ti dhurove vargje të florinjtë…

Poetja Trandafile Molla (Baja) është emigrante. Si mijëra të tjerë ka ditur të ndërtojë një jetë dinjitoze dhe të ingranohet mirë në jetën italiane. Por, si intelektuale dhe patriote, i është përkushtuar arsimimit të fëmijëve emigrantë, mësimit të gjuhës shqipe dhe promovimit të vlerave e traditave shqiptare. Veçanërisht ajo i është përkushtuar krijimtarisë poetike. Njihet si poete e talentuar, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, pjesëmarrëse në disa veprimtari letrare në Itali, Shqipëri, Gjermani, Kosovë, Maqedoni e gjetkë, ku ka fituar disa çmime prestigjoze.

Si nitelektuale e mirfilltë ka ndjekur dhe ndjek situatat në rajon e botë, mban qëndrim dhe paraqet një sinoptikë reale. Edhe në këtë vëllim poetik Trandafilja ka sjellë poezitë “Europë plot viruse”, “Planeti është i marrë”, “Kushtrimi im”, “Larg duart nga padrejtësitë”, “Mos vritni ëndrrat dhe lirinë”, “Mbillni jetë, paqe e dashuri” etj. Edhe në këto poezi nuk është vetëm informuese e përjetuese, por godet me forcën e shpirtit dhe shkulmin e ndjenjave padrejtësitë shekullore ndaj vendit tonë, Kosovës e Çamërisë, luftrat gjakatare kudo në botë, gjenocidin serb dhe agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Me indinjatë të thellë e me pezëm jep kushtrimin për ndalimin e luftës në Ukrainë, për një front unik nga Europa dhe SHBA për t’i dhënë fund luftës e genocidit në Ukrainë e kudo në botë. Ja disa vargje:

    Pse moj bën sikur s’ke veshë,

    fytyrë hyjnore tuj ngërdhesh

    asnjëherë s’m’i kënaqe brezat,

    shpesh më bëre të vesh të zezat.

    Ty të kisha shpresë të madhe,

    pse më bën sikur s’dëgjon

    kur jam keq dhe kam halle,

    s’më je pranë, s’më ndihmon…

    “Europë plot viruese”

    Shkoj të fle e nuk kam gjumë,

    në vesh më vijnë zëra që thërrasin fort,

    nga një kokë e çmendur, e krisur shumë

    një popull civil u mbyt në gjak e lot.

Gjumë s’kam, thirrjet që vijnë nga Ukraina më zgjuan, lutem në Zot e ty, perëndi Rusi, duam paqe, mos të të mbysë idiotësia ndale luftën, tërhiq forcat e mbill dashuri! “Mbillni jetë, paqe e dashuri!”

    Janë miket dhe shoqet tona në Ukrainë,

    që me vdekjen përballen me vetmohim,   

    “Ç’kërkon në tokën tonë”, i thonë djallit Putin

    largoji tanket, mos vrit e mos na djeg 

    shtëpinë!

   “Mos vritni ëndrrat dhe lirinë!”

Vëllimi poetik “Diell i zjarrtë i syve të mi” ka edhe poezi për natyrën, ku përshkrimet dhe peisazhet e thurura të mahnisin, lirika të bukura për gruan dhe kujdesin e saj jo vetëm te ne, por në gjithë rruzullin toksorë, lirika për dashurinë që pa frikë themi se janë perla poetike si dhe poezi, ku analiza e imët dhe reflektimi janë modele poetike, që bindin dhe shijojnë. Ato paraqesin vlera të vërteta për të sotmen dhe për të ardhmen për çdo lexues dhe krijues. Janë këto vlera të shumta ideore, artistike, pse jo dhe filozofike, që e bëjnë vëllimin poetik “Diell i zjarrtë i syve të mi” interesant, që ia vlen të lexohet e të pasurojë bibliotekat tona.

Faik Xhani “Mjeshtër i Madh”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura