DEMIR RESHITI: SHTREMBËRIMI I HISTORISË NË ‘DITËN E BUJARISË’

Prishtinë, 31. 03. 2014 – Gazetari i mirënjohur boshnjak Xhevad Sabljakoviq me të cilin pata rastin të takohem e të bashkëpunoj në Kukës në maj të vitit 1999, në notesin e tij regjistronte çdo detaj. Në një moment më tha: Demir, a po e vëren që po ndodh historia?! Dhe vërtetë ato ditë të majit 1999, po ndodhte historia. Por për fat të keq, vetëm 15 vjet pas, më 27 mars 2014, pati një tendencë të paskrupullt për ta shtrembëruar historinë dhe atë nga njerëzit e Partisë Demokratike në Kukës, në aktivitetin e quajtur “Dita e Bujarisë”…
Po rikthehem pak në vitin 1999, në vitin kur ndodhi historia!
Derisa në Kosovë Ushtria Çlirimtare e Kosovës po zhvillonte luftë të pa barabartë kundër një ushtrie të armatosur shumë më mirë dhe të ndihmuar edhe nga forca policore e paramilitare, në Kukës dhe vende tjera të Shqipërisë, po zhvillohej një luftë tjetër, një luftë humanitare për t’ju dalë në ndihmë qindra-mijëra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre shekullore.
Për ta fituar këtë luftë humanitare, ishin mobilizuar të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare, duke filluar nga institucionet, mediat e deri te individët që kishin hapur zemrat e shtëpitë për t’i strehuar bashkëkombësit e tyre.
Padyshim se rol të rëndësishëm në këtë drejtim kishin luajtur mediat, veçmas ato lokale. Radio Kukësi dhe Televizioni i Kukësit ishin bërë dy pika prej nga shpërndahej informacioni për tërë botën…
Unë pata fatin që ato ditë të jepja kontributin tim në Radio Kukës, një radiostacion për të cilin tërë Kosova ka pasur nostalgji të veçantë. Atëbotë, drejtore e Radio Kukësit ishte Zana Spahiu, bashkëshortja e poetit të ndjerë Agim Spahiu, ndërsa kryeredaktor ishte Besim R. Cengu. Që të dy kisha rastin t’i njihja që në vitin 1996 gjatë një pasditeje të qëndrimit tim të parë në Kukës. Me të dy, por edhe me krijues e artistë tjerë nga Kukësi pata rastin të takohem dhe të këmbenim fjalë e mall…

– Nga arkivi 1999 –

Autori i shkrimit Demir Reshiti, me drejtorin e tanishëm të Radio Kukësit – Petrit Palushi dhe me kryeredaktorin e atëhershëm (1999) të Radio Kukesit, Besim Cengu.

Kryeredaktori i Radio’Kukësit-Besim Cengu, Garip Osmani dhe gazetari Demir Reshiti.

 Njohja e mëhershme dhe mikpritja që më bënë në radio Kukës, më bëri që të ndihem si në familjen time. Kryeredaktori Besim më krijoi një ambient pune në zyrën e tij. Në atë zyrë, krahas Besim Cengut, punonte edhe shkrimtari e gazetari Bajazit Cahani, një emër gjithashtu i njohur e i respektuar për mua.
Zyra e kryeredaktorit që gjendej në katin e tretë të objektit të radios e kishte një dritare që shikonte nga sheshi. Nga ajo dritare çdo ditë shihnim me sy dhimbjen që na shkaktonin turma të mëdha shqiptarësh nga Kosova që vinin e zbarkoheshin në Kukës të cilin unë e quaja Qyteti i Shpëtimit.
Çdo ditë, në atë zyrë hynin pa trokitur dhjetëra gazetarë të mediumeve të ndryshme vendore e ndërkombëtare të cilët pritnin me padurim t’ua jepnim informacionet që na vinin nga frontet e luftës në Kosovë dhe nga pika kufitare e Morinit prej nga vërshonte lumi i të dëbuarve… Informacione në atë zyrë mbërrinin edhe nga kampet e ndryshme që ishin ngritur në disa vende në Kukës dhe përreth tij. Këto informacione i sillnin gazetarët dhe bashkëpunëtorët e palodhshëm të radio Kukësit të cilët ishin të përkushtuar në punën e tyre. Në atë zyrë furnizoheshin me informacione edhe disa korrespodentë të medieve ndërkombëtare të cilët këto informacione të marra gratis nga ne, i shitnin shtrenjtë, madje shumë shtrenjtë në mediat për të cilat punonin!
Njëri nga ta ishte korrespodenti i Zërit të Amerikës, Armand Mero, i cili shpeshherë dinte të lavdërohej përpara nesh duke thënë se për një paraqitje të tij telefonike paguhet 700 dollarë. Paguhej, si nuk paguhej, sepse Armand Mero gënjente shefat e tij dhe opinionin se po paraqitej nga vija kufitare apo nga vija e luftës, ndërkohë që paraqitej nga zyrat e Radio Kukësit!
Dhe këtij Armand Meros, me rastin e shënimit të 15 vjetorit të Luftës në Kosovë nga ana e Këshillit të Qarkut Kukës, i ndahet mirënjohje për “kontributin e tij në informim” për ngjarjet e asaj kohe! Gjithsesi Armand Mero ka dhënë kontribut por ai ato informacione që i shiste me qindra dollarë, i ka siguruar falas në zyrën e kryeredaktorit të Radio Kukësit, informacione të cilat i sillnin gazetarët dhe bashkëpunëtorët e këtij radiostacioni, kontributi i të cilëve as që u përmend në aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Qarkut.
Kjo me Armand Meron ishte vetëm njëra nga shumë defektet e aktivitetit të organizuar nga kryetari Ibsen Elezi e me skenar të disa aktivistëve të PD-së në Kukës të cilët rrinin në prapavijë.
Po këta skenaristë, kishin paraparë që në takimin me gazetarët pjesëmarrës në ngjarjet e vitit 1999, të mbante një kumtesë mbi rolin e medieve kombëtare, Bashkim Shala. Ishte po ky Bashkim Shala, ish-gazetar i gazetës Koha e Jonë, i prirë për të shpikur e për të shkruar kronika të zeza, dhe për të vjellur vrer kundër institucioneve shqiptare e kundër UҪK-së dhe që gjente njolla të zeza edhe aty ku nuk kishte, vetëm e vetëm për të shfryrë ndaj njerëzve që po e drejtonin atë luftë humanitare në Kukës…
Pothuajse të gjithë të pranishmit në aktivitet u mërzitën nga kumtesa monotone e stërzgjatur e Bashkim Shalës. Për që ishte e gjatë, mbase edhe mund të përtypej disi, por kjo “kumtesë” kishte brenda shumë të pavërteta dhe ishte në përpjekje e pashembullt për ta shtrembëruar historinë. Dhe këto të pa vërteta Bashkim Shala po i thoshte në prani të protagonistëve të asaj historie. Bashkim Shala lartësonte kontributin e disa gazetarëve partiakë që atëbotë kishin rol inferior ose nuk kanë raportuar fare sepse ishin të “sëmurë”, ndërkohë që nuk i zuri në gojë fare ata që vërtetë kanë bartur barrën e informimit në atë periudhë.
Bashkim Shala nuk përmendi fare se në atë periudhë strumbullar i të gjitha informacioneve ishte Radio Kukësi i prirë nga kryeredaktori Besim R. Cengu. Nuk zuri në gojë pothuajse asnjë nga emrat e gazetarëve që bënin gazetari të mirëfilltë në atë periudhë. Ai kishte frikë ta përmendte emrin e Besim Cengut edhe në pjesën e fjalimit të tij monoton ku flitej për botimet e librave që i kushtohen asaj periudhe. Për më keq akoma, Bashkimi lavdëronte librin e kirurgut australian me prejardhje sllovene Craig Jurisevic, “Duart e përgjakura: Kirurgu në luftë”, një libër tepër tendencioz dhe me shumë të pa vërteta. Sa për ilustrim po shkëpus vetëm disa citate të shkurtra nga ai libër: Në faqen 28 të kapitullit të tretë shkruhet se…në oborrin e spitalit të Kukësit ndodhej një lopë e ngordhur, meqënëse kosovarët nuk kishin me çfarë të ushqeheshin iu vërsulën lopës së ngordhur duke e ngrënë. Më poshtë lexojmë… shqiptarët nuk i duan kosovarët… Në vazhdim shkruhet dhe më keq… refugjatët kosovarë që vijnë këtu trajtohen si qentë…)!
Pas dëgjimit të kësaj “kumtese”, u binda se nuk ishte e rastësishme mos-thirrja e Besim Cengut për të marrë pjesë në këtë aktivitet! Besimi nuk u thirr nga se pseudogazetarët e sojit të Bashkim Shalës nuk do të mund aq lehtë ta shtrembëronin realitetin historik.
Besim Cengun me një gjysmë zëri e përmendi vetëm Sulejman Dida në kumtesën e tij kushtuar rolit të medieve lokale, duke e përzier atë në mesin e disa gazetarëve lokalë, pa pasur guxim ta thotë të vërtetën se Besimi ishte shefi i tij (kryeredaktori) por edhe strumbullari i gjithë informacionit që grumbullohej, përpunohej dhe ju shpërndahej medieve kombëtare e ndërkombëtare.
* * *
Ngjyrimi partiak i këtij aktiviteti arriti kulmin me rastin e ndarjes së dekoratave dhe mirënjohjeve. Organizatori ishte kujdesur që të dekoroheshin vetëm anëtarët dhe përkrahësit e PD’së. Madje njëri prej të dekoruarve u ndie keq kur e pa që nuk kishin marrë mirënjohje të merituarit… “Çfarë kontributi të hamamit kam dhënë unë që më ndanë mirënjohje?! Ka pasur gazetarë shumë më të përkushtuar në atë periudhë e që nuk u përmenden fare”, – më tha i sapodekoruari duke ma pranuar se unë kisha dhënë shumë më tepër se ai kontribut në atë periudhë…
Tendenca për ta shtrembëruar historinë pati edhe shumë të tjera në “Ditën e Bujarisë” të organizuar nga kryeqarkori Ibsen Elezi. Organizime të tilla i bëjnë dëm jo vetëm realitetit por edhe shkaktojnë ndarje e përqarje në mesin e vetë protagonistëve të asaj periudhe të lavdishme. Organizatori (Ibsen Elezi) dhe skenaristët e këtij aktiviteti (një grup drejtuesish e përkrahësish të PD’së në Kukës, në mesin e të cilëve edhe krijues e gazetarë) duhet të pendohen (nëse ju ka mbetur ndopak njerëzi), të skuqen (nëse kanë fytyrë) dhe të kërkojnë falje e të mos përsërisin të tilla gabime.
Drejtuesit aktual të shtetit shqiptar që kanë marrë votëbesimin për ta udhëhequr këtë vend nuk duhet t’i lejojnë këta dyftyrësha, dosta të Jurisevicit që ta shtrembërojnë kaq paturpësisht historinë.
(Autori është gazetar në RTK’radio, Prishtinë – kontakti: [email protected])

Kukës, 27 Mars 2014: Nga aktiviteti “Dita e Bujarisë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura