DEMONSTRATAT E 11 MARSIT DHE 2 PRILLIT 1981 NË KOSOVË

Prof.dr.Hakif Bajarami – Pashtriku, më 8 shkurt 2023

Demonstratat që u kthyen në përpjekje për kryengritje popullore shqiptare në Kosovë – 11 mars – 2 prill 1981

Kosova ishte një koloni moderne, që e shfrytëzonin të gjitha republikat jugosllave, sidomos në grabitjen e lëndës së parë, për nevojat e tyre ekonomike. Në këto rrethana, Kosova po shënonte prapangecje enorme në ekonomi, shëndetësi, arsim, politikë kadrovike në fushën ushtarake dhe diplomatike, por mbi të gjitha në punësim dhe përfaqësim në organet e Federatës. Nga Kosova pra merrej çdo gjë që kishte dhe nuk investohej po thuhej se as 30%, sa kishin zhvillim pjesët tjera të vendit. Thellimi i dallimeve ekonomike në vend se të zbutej, ai po thellohej për çdo vit. Kreditë e huaja që i dedikoheshin Kosovës, vetëm regjistroheshin në banka dhe ato mjete investoheshin gjetiu. Dokumentet e bankave këtë krim e vërtetojnë saktësisht.

Mbi këtë realitet të shtypjes ekonomike dhe nacionale, populli shqiptar nuk mund ta duronte më pozitën neokoloniale dhe sidomos shtypjen në fushën e kulturës dhe shkencës, por mbi të gjitha nuk mund ta duronte pabarazinë. Lidhur me këta faktorë, sidomos rinia patriotike e pa të udhës që kundër këtij pushteti gjakatar të demonstrohet publikisht, dhe bota pastaj ta kuptojë realitetin e qëndrimit të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve që ishin të robëruar në të. 1.

 (1. Arkivi i Kosovës, Fondi LKK: Një letër konfidenciale që ishte grumbulluar nga arsenali i letrave dhe parullave politike të drejtueseve të demonstratave; Aty: Pse u organizuan demonstratat në Kosovë, 11 mars-2 prill 1981, konfidenciale – analizë e gjetur te një demonstrues më 1982 që i shërbente kreut marionetë politik të LKJ-së; Demonstratat manifestonin një moskënaqësi totale shqiptare me pozitën e tyre koloniale. Në bazë të dokumenteve me shenja sekret të Kryesisë së LKK-së, që i kam botuar më 2007, në “Kosova sot” në 239 vazhdime, që do të thotë 1 187 faqe libri, të formatit të botimeve enciklopedike.? Lirisht, mund të thuhet se tërë materiali me shenjë sekret politik, demonstratat dalin se e kishin kërkesën që populli mos të durojë më dhe në nivel programatik Kosova të avancohet në Republikë).

Më 11 mars 1981 shpërthyen demonstrata e studentëve në Prishtinë. Atë natë udhëheqja e Kosovës, tërë kohën mbajti mbledhje me dyer të mbyllura, vërtetojnë të dhënat zyrtare. Por nuk jepet ndonjë vlerësim. Prandaj, vlerësimin e merr përsipër udhëheqja ushtarake dhe politike e Serbisë. Pas dy orëve që kishte mbaruar vlerësimin Kryesia e Serbisë, në akuza kyçe edhe kreu i shtetit në RSFJ, dhe Kosovës pastaj i mbetej vetëm të pranojë çdo vendim. Në këtë vlerësim demonstratat vlerësohen si armiqësore. Dhe këtë qëndrim kreu shtetëror jugosllav e mban deri më 25 mars 1981. 2.

 (2. Vlerësimi i Stane Dollancit për demonstratat shqiptare në Prishtinë, më 26 mars 1981, sekret i SPB, në A. të Jugosllavisë, i lexuar më 1985.).

Sipas dokumenteve jugosllave vlerësimin për demonstratat shqiptare në Prishtinë, më 26 mars e bëri edhe kreu ushtarak i vendit. Ky vlerësim e mban datën 27 mars 1981. Me këtë vlerësim kreu ushtarak nuk e njofton fare udhëheqjen e Kosovës. Gjithnjë në bazë të dokumenteve jugosllave, kreu ushtarak, pa e konsultuar fare pushtetin në Kosovë, e autorizon Spasoje Gjakoviqin që më 23 ish-udbashë të transferohet në Kosovë dhe ta ndjekin për së afërmi tërë situatën, sepse të gjithë këta ish-udbashë të kohës para vitit 1966, ishin diskredituar politikisht si të deformuar në Plenumin e Brioneve. Në fillim të gjithë do të vendosen në një zyre në SPB të Kosovës. Spasoje Gjakoviq e njofton drejtuesin e SPB së Kosovës, se “janë përkohësisht në Kosovë si të deleguar nga federata”. Këta duke e njohur terrenin për një kohë fare të shkurtër, do t’i aktivizojnë agjentët e tyre që i kishin pasur nëpër Kosovë, si në: Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë, Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Gjilan dhe Podujevë. Ndërsa, në Podujevë çuditërisht ishin dërguar edhe tre specialistë ushtarakë (pa emra) për ta përcjellë aktivitetin e Mustafë Hoxhës. E Mustafë Hoxha ishte komandant i Mbrojtjes Territoriale për tërë Krahinën e Llapit (83 fshatra). 3.

 (3. Raport i Spasoje Gjakoviqit dërguar Stane Dollancit, për gjendjen politike në Kosovë, sidomos për dyshimin që kanë në milicinë shqiptare. Në raport thuhet se të gjithë komandantët e milicisë që janë shqiptarë, në momentin më të volitshëm, brenda njëzetë ditëve duhet suspenduar. Mustafë Hoxha dhe regrutët e tij po përcillen hap pas hapi, sepse një pjesë e tyre po lirohen të shkojnë në shtëpi, ndërsa një pjesë po mbetet në detyrë. Mustafë Hoxha dhe dy nënoficerë të ri janë tërë kohën në detyra, si të mobilizuar).

Lidhur me këtë gjendje, nga 28 marsi e deri më 1 prill 1981, Shtabi i Spasoje Gjakoviqit do të shkojë dy herë në Kryesinë e LK të Kosovës dhe tri herë për instruksione në Kryesinë e LK të Serbisë, e cila kishte zbritur në Nish, për ta përcjellë situatën në Kosovë edhe në aspektin e mobilizimit popullor. Ajo Kryesi (e Serbisë) deri më 1 prill 1981, do t’i mbajë 15 mbledhje në Prekuple, Kurshumli, Vranjë dhe Leskovc. Ato instruksione që i merrte S. Gjakoviqi, janë bërë publike nga një daktilografe që ishte e lidhur me KOS-in, degën sllovene (!). Kjo do të thotë, se armiqësia ndaj shqiptarëve po zgjerohej nga këndi, se Sekretariati i Punëve të Brendshme i RSFJ që drejtohej nga Stane Dollanc me një anë dhe nga gjeneral Nikolla Lubiçiq në anën tjetër, ishin pozicionuar në luftë politike dhe agjenturore se kush do ta zëvendësojë Josip Broz Titon në drejtimin e partisë. Të themi se Tito kishte vdekur një vit më parë (në fillim të majit 1980). 4.

 (4. Informatë e SPB të Jugosllavisë, për SPB të Maqedonisë, më 29 mars 1981, i fotokopjuar nga origjinali).

Demonstratat e 1 dhe 2 prillit ndryshuan çdo skenar jugosllav

Në vlerësimin që do të përpilohet nga kreu shtetëror jugosllav, në prani të kreut ushtarak, në mbrëmjen e 2 prillit në Beograd, demonstratat do të vlerësohen me një ton shovinist. Fjalës: “demonstrata armiqësore”, do t’i shtohet fjala: “edhe kontrarevolucionare”. Në mbledhje, në bazë të dokumentit bazë, primatin për vlerësim e morën: Petar Satmbolliq, Llazar Kolishevski dhe Vidoje Zharkoviq . Kuptohet se këtë treshe e përkrahu edhe Stane Dollanc, që pretendonte për ta zëvendësuar J. B. Titon në fron. Në mbledhjen e 2 prillit u aprovua edhe një qëndrim se si duhet vepruar ndaj demonstratave. Dokumenti parashihte që ndaj demonstruesve të intervenohet me ushtri dhe milici. Së dyti, përpos që u kërkua nga Vidoje Zharkoviq që në Kosovë të vihet ora policore, parashihej që në rast nevoje të intervenohet edhe ndaj Shqipërisë. Në këtë pozicion kishte kontribuar me propozime sidomos udhëheqja politike e Serbisë, e cila de fakto drejtohej nga Nikolla Lubiçiq dhe gjenerali Graçanini. 5.

 (5. Arkivi i Jugosllavisë, Raport i KEF-it, më 3 prill 1981, në 8 faqe).

Në mbledhjen e 2 prillit në Beograd diskutohet edhe për organizatat dhe individët e mundshëm, që i drejtuan demonstratat. Në dokumentet e kësaj provenience më së shumti lakohen emrat e organizatorëve patriotë, si: Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Xhafer Shatri etj., të gjithë ishin patriotë të përkushtuar për avancimin e Kosovës në Republikë. Në dokument nuk theksohet se a kishin lidhje me kreun politik dhe shtetëror të Shqipërisë. Por, potencohet se këta dhe të tjerët janë të “infektuar” nga ideologjia enveriste. Gjithnjë në bazë të dokumenteve me shifër sekret shtetëror, këta emra cilësoheshin pra të ndikuar nga Shqipëria dhe propaganda e saj, por që organizimi mbetej bindja se ishte autokton, thjesht i proveniencës së intelektualëve nga Kosova: “për emrat e të cilëve duhet kohë dhe gjurmime të reja për t’i zbuluar”. 6, konkludohet në dokument.

 (6. Po aty; Raport i gjeneralit Nikolla Lubiçiq, Kush janë: Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni dhe Xhafer Shatri, sipas të dhënave ushtarake”?).

 Demonstratat, sidomos në Prishtinë, ishin vlerësuar se ishin shumë të egra, sidomos ndaj milicisë, prandaj në masë adekuate duhet reaguar dhe dërguar forca ushtarake që janë në rezervë, se për ndryshe situata “do të na dali nga dora dhe Shërbimi përkatës nga Shqipëria po ishte shumë aktiv, sa që në periferi të kufirit shihen lëvizje më të mëdha të personave me armë në dorë.7.  (7. Po aty).

Kulmi i demonstratave shqiptare në Kosovë, më 2 prill 1981

Në bazë të dokumenteve të lexuara, nga 2 e deri më 30 prill për çdo ditë mbajnë mbledhje me dyer të mbyllura dy kryesitë e Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Nga 4 prilli në dokumentet e këtyre formimeve dominon nominimi se “demonstratat janë kontrarevolucionare”. Ky nominim kishte ardhur edhe nga fakti se druhej në një sulm ushtarak nga Shqipëria . Në këtë konstatim, dokumentet e nxjerrin si më të zëshmin Vidoje Zharkoviqin. Sidomos në mbledhje gradualisht do të dallohet edhe Llazar Mojsovi. Ky do të kërkojë nga agjencia “Tanjug” që më me përkushtim t’u kundërvihet artikujve të shkruar që distribuoheshin nga Shqipëria. Këtë detyrë, do të shton ai (L. Moisovi) e kanë edhe përfaqësitë diplomatike jugosllave. Por, konkludon se “gazetarët” nga Shqipëria tani për tani (8 prill 1981) e kanë një përparësi të theksuar. Sidomos në vendet e Lindjes së Afërme, autoriteti i RSFJ-së ka rënë në pikën zero, sepse në këtë rrafsh po manipulohet edhe me faktorin fetar, pa marrë parasysh se çka ndodhë në “Shqipërinë ateiste”. 8. (8. Po aty).

 Dokumentet e proveniencës jugosllave, nëse lexohen dhe studiohen me kujdes, vërehet se nga 5 prilli 1981, dominon togfjalëshi: “në Kosovë duhet të ndodhë kthimi i serbëve dhe malazezëve dhe ata sllavë që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në këtë krahinë”. Kuptohet se këtë plan e inkorporoi si detyrë partiake dhe shtetërore kreu i ushtrisë, të cilit qëndrim i printe gjenerali Graçanin. Në këtë drejtim ata që e propagandonin këtë ide kishin gjetur mbështetje se më 6 mars 1945, Kryesia e AVNOJ-it, ua kishte ndaluar me një dekret (pra jo ligj) “ndalimin e kthimit të ish-kolonistëve në Kosovë, për derisa t’ua sigurojnë kushtet”. Pra, nuk ishte fjala për ndalim, sepse shqiptarët u detyruan me hangari t’ua ndërtojnë kolonistëve sllavë të viteve 1912-1941, jo më pak se 10 000 shtëpi me tërë infrastrukturën. Pra, ky kthim u paraqit nga gjenerali Graçanin, i cili e dinte fare mirë se struktura e popullsisë në një kilometër katror në Kosovë është 204 banorë; në Serbi ishte 104 banorë në një kilometër katror, kurse në Jugosllavi ishte 88 banorë në një kilometër katror. Këta oficerë dhe politikanë e kishin një obligim shumë të theksuar nga koha e krimeve të UDB-së, sepse kishin mbetur planet për sllavizmin e Kosovës në gjysmë të rrugës, edhe pse Tito ua kishte mundësuar më 5 mars 1953, me Marrëveshjen Xhentëlmene, me Fuad Kyprilin në Split, se shqiptarët duhet të deportohen në Anadolli, në vilajetin Mysh. Pasojë e kësaj marrëveshjeje Tito-Kyprili, më 1953-1966, ishin 415 156 shqiptarë dhe boshnjakë të shpërngulur me dhunë në Turqi. Pra, politikanët e Shtabit A. Rankoviqit e panë se demonstratat e kanë komprometuar Jugosllavinë, në çdo lëmi dhe provuan që me metoda rankoviqiane t’i shfarosin, kuptohet me metoda të tjera që ua kishte krijuar koha. E shfarosjen e kishte synuar Shtabi i A. Rankoviqit nga viti 1949 e deri më 1966. 9. (9. Po aty;

Statistiçki kaledar popisa stanovnistva 1981, Beograd 1985; Më 1948 në Kosovë në një km katror jetonin 67, 20 banorë; më 1981 në një kilometër katror jetonin 145, 24 banorë; në Serbi më 1948 jetonin 73, 9 banorë, më 1981 jetonin 105, 4 banorë; në Jugosllavi më 1948 jetonin 61 banorë në një km katror; më 1981 në Jugosllavi jetonin 87, 7 banorë në një km katror: Shiko: Statistiçki godishnjak Srbije 1995. F. 35; Statistiçki Godisnjak Jugosllavije, 1983, f. 112. I paraqitëm këto fakte nga dokumentet e ndryshme për t’u vrenjtur se statistikat kanë kontradikta në mes veti edhe si të botuara dhe të “verifikuara” dihet se u shërbejnë klaneve politike. Por shtrohet pyetja, si është e mundur që në Serbi struktura e popullsisë më 1981 është 105, 4 banorë në një km katror, kurse në Kosovë më 1981 në një kilometër katror jetonin 205 banorë dhe plus të kolonizohet edhe sllavë të tjerë. Kjo tregon për orientimin shovinist të politikës serbe që nuk kishte ndryshuar fare nga ajo e kralevinës. E vërteta, në nivel të Kosovës e patën themeluar një shtab që i printe një shqiptar, dhe ai shtab për çdo muaj raportonte deri më 1988 në të gjitha forumet. Por, më 1988 Kryesia e LK-së të Serbisë e dërgoi Dekretin e 6 marsit 1945, në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Dhe pas një shqyrtimi detal, Gjykata e refuzoi kërkesën politike si “të pa bazë juridike”. Duke mos u kënaqur me këtë përgjigje, Kryesia e LK-së të Serbisë do ta dërgoi dekretin e 6 marsit 1945, në Gjykatën Kushtetuese të RSFJ-së. Edhe kjo Gjykatë do ta refuzojë kërkesën si dokument që ka dalë i jashtëligjshëm me Kushtetutën e 31 janarit 1946 dhe Kushtetutën e RSFJ-së nga viti 1974. Tash Sllobodan Millosheviqi do t’i hyjë punës për ta përgatitë “Programinjugosllavpër Kosovën” që është njëherit “Naçertania” e dytë. Origjinal: Jugoslovenski progarm mera i aktivnosti za zaustavljanje iseljavanja srbia i Crnogoraca sa Kosova, brzheg povratka onih koji su ga napustili i dolaska svih koji zhele da zhive i rade në Kosovu “Sluzhbeni list” SFRJ nr. 2/1988. Këtë dokument neokolonial së pari e aprovoi më 16 dhe 17.12.1967, Dhoma Federative e RSFJ-së, e pastaj më 17.12.1987 e aprovoi Dhoma e Republikave dhe Krahinave, me 90 detyra për Kosovën. Dokumentin e tillë që nuk e kishte përpiluar as Mbretëria Jugosllave do ta përpilojnë: Tone Ferenc (Kryetar), Ajsell Berieva, Nexho Brkoviq, Ante Budimir, Aleksander Vujin, Verica Dudiq, Ranko Gjukiq, Ivka Ivkoviq, Tomisllav Knezheviq, Millan Krniq, Jellena Millkoviq i Zdravko Shevo). Në realitet, nga viti 1981 e deri më 1988 kur botohet ky dokument, pushteti i RSFJ-së, sidomos i Serbisë kishte sjellje shumë më të egra ndaj shqiptarëve, se sa Visarionoviq Josif Stalini në kulmin e pushteti tij, 1931-1939. Ky dokument së bashku me “Librin e Kaltër” 1976, me Memorandumin e Akademisë Serbe nga viti 1986, konsiderohen si parathënie për grushtshtetin në Kosovë, më 23 mars 1989. Më këtë metastazon etapa e krimeve monstruoze ndaj shqiptarëve, duke arritur në shifrën e 750 000 dosjeve, që do të thotë persona shqiptarë nën hetime. Kjo do të thotë se i tërë populli shqiptar në Kosovë ishte vënë para notesit të prokurorëve. Pra, sipas emrave që e përpiluan Programin Jugosllav për Kosovën, nuk qëndronte prapa vetëm Serbia, por e tërë Jugosllavia komuniste-çetnike; shiko: Struktura e emrave të drejtuesve të institucioneve në Kosovë, 1990-1999. Të gjithë janë sllavë, botuar në librin: H. Bajrami, Shqiptarët dhe Kosova, Prishtinë 2020 – detajisht; shiko: H. Bajrami, “Mbishkrimet nëpër Kosovë, janë të gjitha në cirilikë”, “F. Jonë” nëntor 1995; Kuptohet se këto krime skenarin e kishin në bazë të urdhrave që i jepte Shtabi i Nikolla Lubiçiqit, të cilin shtab në vijim, nga 28.06.1991-1999, do ta drejtojë Sllobodan Millosheviq, mizoritë e të cilit dihen; Kam lexuar me mija dokumente të nazifashizmit për 20 vjet (1970-1990), por dokument të tillë nuk kam hasë. Po e them këtë sepse me leje të Kuvendit të RSFJ-së, me leje të Kryesisë së RSFJ-së, Kryesisë së Serbisë, Kryesisë së Kosovës, shqiptarët që e kishin ble me para tokën e vet, që ua kishte grabitë Kralevina jugosllave, 1918-1941, tash parashihet që ato prona t’ua lirojnë ish-kolonistëve. E për realizimin e këtij fashizmi ishte autorizuar prokurori, gjykatësi dhe çdo serbë. E vërteta, kur sllovenët e vrenjtën se për çka është fjala, ia krisën armëve dhe kështu sllavët e “një goje” filluan të vriten në mes veti).

Themelimi i Shtabit të Nikolla Lubiçiqit si zëvendësim i Shtabit A. Rankoviqit

Shtabi i gjeneral Nikolla Lubiçiqit themelohet në “ilegalitet” (pra jashtë dies së LKJ-së dhe shtetit) më 5 prill 1981 në Beograd. Në Shtab ishin: Nikolla Lubiçiq-kryetar, gjenerali Graçanin-sekretar, Sllobodan Millosheviq-anëtar dhe Patriku Pavle-anëtar. Në mbledhjen e parë, më 5 prill, u aprovuan një udhëzim se duhet shkruar dhe imponuar opinionit “Një platformë politike për Kosovën”, të cilën duhet maskuar se prapa i qëndron tërë Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Dhe ashtu ndodhi, se të gjithë komunistët sllavë ishin kundër shqiptarëve. Në këtë drejtim nuk duhet harruar edhe qëndrimin e komunistëve shqiptarë, sidomos i një kaste që luftonte për pozita politike dhe shtetërore. Ata që e përpiluan “Platformën politike për Kosovën” (Millojko Drulloviq, Sinan Hasani dhe Zharko Papiq më 18 shtator 1981 në Zagreb, në Kryesinë e LK-së të Kroacisë do të debatojnë me propozim të Millka Pllanincit me Vlladimir Bakariqin). Në debat vërehen dy tendenca: tendenca e V. Bakariqit që mos ta akuzojë udhëheqjen politike dhe shtetërore të Serbisë, por shtypin ta kritikojë me një tonë tepër pezmatues. Në këtë drejtim, M. Drulloviq dhe Zh. Papiq provojnë të nxjerrin nga Bakariqi një “përkrahje blanko”, por atë nuk do ta marrin. Në anën tjetër është Sinan Hasani që e mori fjalën vetëm dy herë me nga një pyetje sugjestive për Bakraiqin se: Partia Marksiste-Leniniste në Kosovë, si organizatë ilegale nuk është ekspozuar aq sa kemi menduar. Fjala është për Frontin e Kuq dhe disa organizata tjera më të vogla. Si duket Sinani provon që nga Bakariqi të nxjerr një porosi që ndaj Shqipërisë, të paktën mos të zgjerohet lufta propagandistike. 10.

 (10. Shiko: Themelimi i Shtabit N. Lubiçiq; Platforma politike për Kosovën, si material pune e Millojko Drulloviqit, Zhrako Papiqit dhe Sinan Hasanit e ku në nuanca anësore marrin pjesë edhe oficerë të tjerë, përpos gjeneralit Graçanin. Dokumenti mban datën 6 prill 1981. Platforma pastaj është plotësuar dhe botuar edhe në gjuhën shqipe, si material i LKJ-së dhe shtetit).

Nga dokumentet e kohës mësohet se në Shtabin e N. Lubiçiqit ishin me mendime të ndryshme të gjithë anëtarët, kur është në pyetje Kosova dhe shqiptarët në të. Aty, Nikolla Lubiçiq propozoi që LKJ dhe ushtria të “angazhohen në sllavizimin e Kosovës”. Kurse gjenerali Graçaninit kishte një orientim origjinal që do të bëhet detyrë e përhershme e të gjitha forumeve në Kosovë që të punojnë në: “Kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë”. Ndërsa, në diskutimin më të gjatë të Sllobodan Millosheviqit, dominion orientimi se: “Në Kosovë duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe ligjet. Madje, duke sjellë serbë edhe nga Shqipëria; duke i vendosë ata afër Manastirit Deçanit, në mënyrë që komuna e këtillë të shërbej pastaj si shembull për komunat tjera në tërë Kosovën”. Në diskutimin e Patrikut Pavle, jepet një informatë se Patrikana është e brengosur për pronën dhe kishat në Kosovë. Prandaj, i ka hyrë punës që të publikojë një libër monumental me titull: “Zaduzhbine Crkve na Kosovu” (Pronat e kishës në Kosovë). Dhe, atë publikim ta shpërndaj në të gjitha kishat në botë. 11.

(11. Nga konkluzat e mbledhjes së 5 prillit 1981, në Shtabin e N. Lubiçiqit, si material në pronësi të një gazetari slloven).

Është me interes të thuhet se në mbledhje, gjenerali Graçanin propozoi: “burgime masive të rinisë dhe atyre që janë ekspozuar, si me vënien e barrikadave në rrugë, ashtu edhe ndaj atyre që në mbledhje të LKJ-së ose Lidhjes Socialiste, do të solidarizohen me rininë demonstruese. Aty u tha se duhet ngritur niveli i numrit të konfidentëve nëpër lokalitete. Se në provime nëpër fakultete, asnjë student nuk mund të hynë, pa vërtetimin e bashkësisë lokale se: “nuk ka qenë demonstrues; se shqiptarët duhet ta lëçitin secilën familje që është në anën e kontrarevolucionit”. 12.

 (12. Nga diskutimi i Gj. Graçanin – aty).

 Pra Kosovës dhe shqiptarëve po u përgatitej një atmosferë politike e pasigurt; një jetë që në çdo hap ka pikëpyetje se çka po sjellë e nesërmja dhe paperspetiva, parashihej të dominojë në trurin e shqiptarëve të infektuar me ideologji të Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës, sepse Enveri, duhet shpallur në të gjitha garnizonet e ushtrisë, dhe organizatat e LKJ-së, në çdo punishte, në çdo lokalitet, armiku numër një i Jugosllavisë; Shtabi i Nikolla Lubiçiqit e kishte një detyrë speciale: “Egërsia e hetimeve dhe gjykimeve duhet t’i përfshijë të rinjtë dhe të rejat shqiptare. Kjo për faktin se populli duhej të sillet në mentalitet deri aty, e një ditë të thotë: “Ja, çka na banë këta demonstrues”; madje pati shqiptarë se pa menduar fare propagandonin se “demonstratat i ka organizuar UDB-ja” e trillime tjera pa asnjë argument). 13.

(13. Arkivi i Kosovës “përshtypjet” që i paraqet një anëtar i Kryesisë së LKK-së që kishte diferencuar përkrahës të demonstratave, prill-qershor 1981).

Demonstratat më 1 dhe 2 prill 1981, në Prishtinë

Gjatë dy ditëve (1 dhe 2 prill 1981) në Prishtinë, demonstratat kanë qenë pa asnjë ndërprerje. Sidomos, demonstratat ishin në kulmin e ekspozimit në rrugën Fakulteti Filozofik-Mensa e Studentëve (ku është sot). Aty, të rijnë e të reja, nxënës dhe studentë ishin në një rresht duke brohoritë parulla politike atdhetare, pa asnjë frikë nga pushteti, që po liferonte rrugëve duke hedhur gaz lotsjellës dhe bomba plastike me tym që dëmton frymëmarrjen. Në këtë atmosferë demonstrimi, “diku në mes” ishin gazetarë të mediumeve të ndryshme nga jashtë dhe të brendshëm. Shumica prej tyre kishin vetëm fotoaparate. Ndërsa me kamera kishte gazetarë dhe agjenci të pakta. Për emrin dhe origjinën e tyre nuk mund të dihej në ato rrethana. Por më të frekuentuarit ishin gazetarët e “Tanjugut” dhe agjentet e Sigurimit Shtetëror, të cilët nuk i njihnim, e silleshin para neve sikur të “janë pjesëmarrës në demonstratë”. 14.

(14. Po aty; Reagimet e dy anëtarëve të Kryesisë së LKK-së ndaj diskutimit të anëtarit që i shfaqë mendimet e lira nga tereni).

Aksioni i armatosur i të rinjve shqiptarë në autostradën Prishtinë-Podujevë në Besi më 2 prill 1981

Demonstratat e 2 prillit shënuan kulmin e zhvillimit, duke i dëmtuar tre kamionë të blinduar ushtarak afër shkollës së Besisë, në autostradën Prishtinë-Besianë. Organizator i këtij aksioni ishte Ruzhdi Hajdini-Xhaka, i cili me një pushkë gjuetie me shumë shokë, i ndali kamionët ushtarakë dhe i privoi nga liria drejtuesit e tyre. 15.

(15. Arkivi i Kosovës, Fondi: Gjyqi i Qarkut të Prishtinës, Dosja e Ruzhdi Hajdinit me shokë 1981).

Tentim kryengritja në Besi ishte një risi për pushtetin, sepse populli ishte ngopë me padrejtësi të regjimit gjakatar titist. Prandaj, demonstruesit e Besisë do ta grabisin tërë armatimin që ishte në kamionët ushtarakë, i destinuar që të armatosen serbët nëpër tërë Kosovën. 16.

(16. Po aty).

Nga grupi i demonstruesve të Besisë do të themelohen dy qeta të armatosura  me armatim dhe municion të mjaftueshëm për luftë guerile dhe frontale nëse e kërkon nevoja. 17.

 (17. Po aty).

Çetën e parë të armatosur në Besi e përbënin: Ruzhdi Hajdini-Xhaka nga Mirofci i Llapit, Sami Leci nga Barileva, komuna e Prishtinës, Zijadin Hoxha nga Prishtina, Vehbi Leci i Barilevës, Osman Krasniqi nga Bërnica e Epërme, Ibush Kelmendi nga Prugofci, Agim Selmani nga Barileva, Agim Leci nga Barileva, Hajrullah Dragusha nga Prugofci. 18.

 (18. Po aty; Biografia e Ruzhdi Hajdinit në 5 faqe, ku babai i tij, Smail Xhakja, përshkruhet si antijugosllav dhe nacionalist i përbetuar).

Çetën e dytë e përbënin: Zymer Krasniqi nga Besia, Bajram Syla nga Rimanishta, Qerim Arifi nga Rimanishta, Nagip Bllaca nga Besia, Naim Statofci nga Prugofci, Sadik Dragusha nga Prugofci, Shaban Dragusha nga Prugofci), Ramadan Rexha nga Rimanishta, Enver Koliqi nga Lupçi i Ulët, Nexhmedin Pireva nga Lupçi, Sadri Berisha nga Drenoci. 19.

(19. Po aty; Biografia e Zymer Krasniqit në 4 faqe).

Në demonstratën e Besisë ishin dalluar edhe: Afrim Bllacaku, Agim Selim Leci, Naser Rexha, Shemsi M. Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani, Xhemshit Leci, Pajazit Ndreca, Nexhat Dragusha, Osman H. Abdullahu, Sami Abdullahu, Osman S. Abdullahu, Ismail Koliqi, Zenel Krasniqi, Lutfi Leci, Xhafer Fetahu etj. 20.

  (20. Nga një shkrim për shkollën e Besisë që e paraqet prokurori, por që nuk merret për “provë”).

 Nga ky përshkrim mund të konkludojmë se: po atë moment kur demonstruesit i grabisin armët e ushtrisë jugosllave, e ku ishin 30 pushkë automatike; 50 automatikë, 30 pushkë gjysëmautomatike, demonstratat e rinisë patriotike shqiptare të 1 dhe 2 prillit 1981, e marrin karakterin e tentim organizimit të kryengritjes së armatosur . Okupatori në anën tjetër për ta shuar këtë tentim kryengritjeje, do t’i përdorë të gjitha mjetet, nga ushtria e policia me armatim të lehtë dhe të rëndë e deri te përdorimi i helikopterëve të luftës speciale. Në lidhje me këtë nga Kryesia Shtetërore e Kosovës do të mbesin dokumente që “kualifikojnë” se në arenën ndërkombëtare kjo ngjarje nuk ka pasur ndonjë përkrahje të theksuar”, konstatim ky që bëhej vetëm për konsum të brendshëm politik. 21.

 (21. Arkivi i Kosovës, Raport i Kryesisë së Kosovës që e drejton Xhavit Nimani. Raporti pasqyron një vlerësim realist se çka kishte ngjarë në Besi, kuptohet i sajuar nga raportet e milicisë dhe bashkëpunëtorëve komunistë të saj. Në raport është edhe një letër e kryetarit të Bashkësisë Lokale të një fshati (jo i Besisë) pa emër, i shkruar në serbisht, me plot gabime gjuhësore).

Mustafë Hoxha në Podujevë i armatos rezervistët shqiptarë dhe i dëbon oficerët serbë jashtë trevës së Llapit

Mustafa, njësitit të ushtrisë serbe që hyri në Kosovë nga Merdari u thotë hapur: “Shkoni në Kurshumli, këtu komandant jam unë. Këtë ma garanton Kushtetuta. Ju nuk keni autorizim për hyrje në Kosovë”!.

Mustafë Hoxha ish-komandant i Aradhes “Meto Bajraktari” 1944/45, dhe punëtor politik pas vitit 1945, ishte nga fillimi në anën e demonstruesve. Prandaj, fillim e mbarim të veprimit të tij, 1981-1995, u angazhua publikisht për Republikën e Kosovës. Mustafa, më 3 prill 1981, në depon e armatimit në komunën e Podujevës, do t’i armatosë të gjithë rezervistët, ngaqë e thyen atë me forcë, sepse punëtorët e SPB-së e kishin bllokuar, duke i frikësuar se demonstruesit do ta thyejnë dhe do t’i grabisin armët. 22.

 (22. Arkivi i Kosovës, Raport i Kryesisë së Kosovës, Mustafë Hoxha duhet të dërgohet në Gjykatë Ushtarake, deklaron oficeri Vuk Shaliq.Deklaratën e tij e kundërshton ashpër Fadil Hoxha, duke theksuar se “sjelljen e Mustafë Hoxhës në Podujevë ndaj ushtarëve rezervistë nga APJ-ja, ia garanton Kushtetuta”).

Sjelljen e Mustafë Hoxhës në Gjykatë Ushtarake, sipas dokumenteve të Kryesisë së Kosovës e kundërshton Fadil Hoxha kategorikisht, dhe çështja mbyllet për procedurë të mëtejme. Në prononcimin e tij me dyer të mbyllura për opinion, Fadil Hoxha deklaron: “Mustafë Hoxha ka vepruar në bazë të Kushtetutës dhe kompetencave që i ka si komandant i Mbrojtjes Territoriale në krahinën e Llapit. Dhe kësaj çështjeje shoku Branko Shkembaroviq dhe Vuk Shaliq i vunë pikë. Çdo bisedë tjetër ngritë pyetje tjera, se ndaj shqiptarëve po drejtohet prapë gishti i fjetur i Rankoviqit”. 23.

 (23. Raport nga Kryesia e Kosovës, 11 prill 1981).

Mustafë Hoxha nuk do të kënaqet vetëm me armatimin e rezervistëve të tij, por do t’i vizitojë gati të gjitha bashkësitë lokale. Duke mbajtur atje fjalime dhe duke lëshuar këshilla se është fjala për një tentim që A. Rankoviqi të kthehet në pushtet dhe të fillon politika e vjetër e “re” serish ndaj shqiptarëve. Në bisedimet me popull më 1981 do të kuptojmë se: “Me sjelljet e Mustafë Hoxhës nëpër Llap, populli fitoi një siguri të dukshme, sepse kishin filluar të përhapen lajme se në pushtet do të kthehet A. Rankoviqi me tërë ekipin e tij të udbashëve. Sidomos sjellja e Mustafë Hoxhës ndikoi pozitivisht te arsimtarët dhe nxënësit, sepse gjithashtu ishte përhapur lajmi se do të mbyllën shkollat shqipe posa të stabilizohet gjendja dhe ushtria do ta ketë pushtetin për një kohë të gjatë në tërë Kosovën”. Kuptohet se Mustafë Hoxha pa u konsultuar me askënd i demantoi këto lajme, kudo që pati kontakt me popullin. 24.

 (24. Po aty; Raport i Kryesisë së LKK-së, më 11 prill 1981).

Kur e pyetëm më 1983 për ato ditë të vështira, do të përgjigjet: “Dhjetë ditë kam fjetur me roje të rezervistëve me tesha veshur, sepse oficerëve të APJ-së nuk iu besoja fare. Sidomos në ato rrethana shumë të rrezikshëm ishin disa zyrtarë të sigurimit nga Sllovenia, të cilët në Kosovë i kishte sjellë Stane Dollanc, e për të cilët nuk dinim se ku janë të stacionuar dhe çfarë detyre kanë”. 25.

 (25. Deklaratë e Mustafë Hoxhës, më 1983).

Kush ishte organizator i demonstratave sipas dokumenteve të pushtetit?

Demonstratat ishin të organizuara nga patriotët shqiptarë. Ata ishin të informuar për tretmanin kolonial të tërë trevës së tyre kombëtare. Demonstratat pra kishin karakter nacional (për barazimin e Kosovës me republikat tjera, sepse vetëm në atë mënyrë, me avancimin e Kosovës në Republikë, do të pasonte çlirimi ekonomik dhe kombëtar shqiptar. Në realitet, demonstratat ende e kishin ngjyrën e kërkesës paqësore, që ishte eksplikuar në Programin e Adem Demaçit (LRBSH), më 1964. Por, ai Program parashihte aplikim edhe të politikës jopaqësore, pra, kryengritje të armatosur, dhe në atë kryengritje nuk ka rëndësi a do t’i ndihmonte në luftën çlirimtare shqiptarët: Lindja apo Perëndimi. Me rëndësi është, shkruante Demaçi, se lufta jonë është e drejtë. Këtë profeci kuptohet e realizoi me përpikëri në fund të shekullit UÇK-ja, së cilës Adem Demaçi i printe politikisht, por i printe në një mënyrë edhe në rrafshin e diplomacisë. 26.

 (26. Programi i LRBSH-së në Arkivin e Kosovës, Fondi: Gjyqi i Qarkut Prishtinë 1964, “Dosja Adem Demaçi”.

Në bazë të këtij Programi (LRBASH), organizatorët e demonstratave ishin të pajisur edhe me dituri të lartë për rrjedhat politike, sociale dhe kombëtare në vend dhe në botë. Ata e kishin ndier më shumë se askush tjetër peshën e robërisë. Prandaj, kishin vendosë që ta vejnë gjoksin e tyre të njomë, para tytave të blinduara dhe tankeve të okupatorit. 27.

 (27. Lexo shtypin e atyre ditëve: “Politika”, 2 dhe 3 prill 1981; “Ekspres”, 1, 2 dhe 3 prill 1981; “Rilindja”, 2 dhe 3 prill 1981; “Zëri i rinisë”, (fundi i javës fillim prillit 1981 etj.).

Organizatorët e demonstratave, do të më thotë Fehmi Berisha, do të çuditën se si populli i mllefosur me pozitën kolonale është në gjendje ta thyej çdo mit dhe çdo forcë kur e vendosë për të bërë një transformim rrënjësor revolucionar në shoqëri, në interes të çlirimit social, ekonomik dhe nacional. Këtë po e them se jo vetëm afër autostradave, por edhe në brendi ka pasur organizim që demonstruesit të furnizohen me ushqim, po edhe të strehohen. 28.

 (28. Arkivi i Kosovës, Fondi i Lidhjes Socialiste, “Një raport javor (2-8 prill 1981) i milicisë Kosovës: “Demonstruesit dhe populli janë në lidhje të ngushtë…”.

Se demonstratat nuk e përfshinë vetëm qytetin e Prishtinës, ku është Universiteti, por edhe qytetet tjera, e në veçanti rrugët strategjike prej kah okupatori sillte përforcime ushtarake dhe policore për ta sulmuar çdokënd që e gjente në rrugë, sepse fuqi policore dhe ushtarake, për t’i shuar forcat demonstruese dhe tentim kryengritëse, nuk kishte. Prandaj u dëshmua se nga populli po shfaqej energji e paparë, deri atëherë, për ta përkrahë një luftë të drejtë, kauza e së cilës sipas Adem Demaçit ishte bashkimi me Shqipërinë. Ky orientim e nxiti të mendojë ndryshe për Jugosllavinë titiste, sidomos tërë Ballkanin. 29.

 (29. Arkivi i Kosovës, Fondi LKK, Diferencimi nëpër organizata, sidomos Prishtina, Podujeva, Peja, Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica…).

 Dokumentet e LKK-së, sidomos e potencojnë se: “Në energjinë rinore, pa program nga një grup të rinjsh në fshatin Besi (rruga Prishtinë-Besianë), do të avancojnë, më 2 prill 1981, në përpjekje që ta rrëzojnë tërë shtetin, sepse aty shpërtheu një lloj kryengritjejepopullore, duke ia grabitë ushtrisë tri automjete me tërë armatimin që e posedonin”. 30.

 (30. Arkivi i Kosovës, Fondi LKK, Fushata e diferencimeve nëpër katunde, sidomos në Besi, Prugofc, Rimanishtë…).

Në mbledhjen e Komiteti Komunal të Prishtinës, për tentim kryengritjen në Besi, më 2 prill 1981, do të theksohet:“Grabitja e armatimit, djegia e automjeteve të blinduara, do të avancohet në themelim të dy çetave të armatosura, të cilave u prijnë djemtë nga familjet tradicionalisht armiqësore”. E në realitet, në zhvillim e sipër demonstruesit kryengritës në Çetën e parë, do të strukturoren në një dhjetëshe që u printe Ruzhdi Xhakja (Prishtinë). Çetën e dytë që e drejtonte Zymer Krasniqi (Besi)”, thuhet në mbledhjen e 4 prillit 1981, të Komitetit Komunal të LKK të Prishtinës). 31.

 (31. Arkivi i Kosovës, Fondi LKK, Raport nga Komiteti Komunal i Prishtinës për Kryesinë e LKK-së, 4 prill 1981).

Në një raport të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK-së theksohet se në Federatë më së shumti me demonstrata po merren Llazar Kolishevski dhe Vidoje Zharkoviqi. Ata kishin deklaruar se ideolog i demonstratave ishte Adem Demaçi. Ai kishin theksuar, këta eprorë politikë dhe shtetërorë, po drejtonte me “tërë arsenalin antijugosllav nga burgu. E ata që e dëgjojnë janë të organizatave: grupi marksist-leninist i Kosovës, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste në Jugosllavi; Fronti i Kuq; Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Trojeve Tjera Shqiptare; Grupet shqiptare në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Austri, të gjitha të dirigjuara nga PPSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror i Shqipërisë”. 32.

 (32. Po aty; Një raport nga Boni për emigracionin shqiptar, i panënshkruar, por që mbanë adresën e konsullatës. Teksti është në gjuhën shqipe). 

Pse demonstratat nuk ishin kontrarevolucionare?

Nuk ishin për faktin se demonstruesit nuk kishin tentuar për t’i marrë asnjë institucion të shtetit si: Kuvendin Popullor, ndërtesën e Qeverisë, ministritë, radiotelevizionin, pallatin e shtypit, e mbi të gjitha nuk është ndier asnjë parullë që do të ketë kërkuar dikush nga demonstruesit: ndryshimtësistemitekonomiko-shoqëror, nga ai socialist në sistem kapitalist. Në mbledhjen e Komisionit të Historisë të LKK-së, më 5 prill 1981, e ku ishte vetëm një gazetar i akredituar shqiptar, ishte shtruar në rend dite çështja e demonstratave 11 dhe 26 mars dhe 1 e 2 prill 1981. Kjo për faktin se aty në baza teorike shkencore (ishte Rregullorja se çka mund të diskutohej dhe debatohej në interes të së vërtetës, por me fakte shkencore) ke mundur ta shprehësh çdo mendim që është objektiv, dhe i mundshëm e të argumentohet, dhe mos të dënohesh. Aty, nuk ka qenë e lejuar të debatohet vetëm për Programin e LKJ dhe për rolin e J. B. Titos në histori, pa një përgatitje të gjerë shkencore të të gjitha republikave dhe krahinave). Më 1981, qarqet serbomëdha (por edhe të gjithë sllavët pa dallim), por edhe palaçot shqipfolës të niveleve të ndryshme: partiakë, policorë dhe ushtarakë, në vijim e kthyen tërë situatën në një industriakuzash, hetimesh dhe dënimesh ndër më të egrat në Evropën e pasluftë, kundër shqiptarëve. Për një kohë rekorde (28 ditë) Sigurimi Shtetëror i Sllovenisë, në akordim relativ me atë të Kosovës, ku ishte Arkiva ishte instaluar (kuadrot eminent të saj) në Prishtinë, e pastaj nëpër komunat e Kosovës, i kishte aktivizuar rreth 680 000 dosje hetimore. Pra, afro një e treta e popullit shqiptar serish ishte vu nën hetime. 33.

 (33. Diskutim i Rrahman Morinës në mbledhjen e KK LKK-së, më 6 prill 1981).

 Në realitet, UDB-shët e vjetër me sigurimsat e rinjë, në Kosovë do ta kthejnë gjendjen politike dhe pozitën shoqërore të shqiptarëve në rrethana të para të Plenumit të Brioneve të vitit 1966, për një kohë shumë të shkurtë. Lidhur me këtë, pozita më e rëndë ishte për ata trima dhe trimëresha që u burgosën dhe mbeten në burgje. Por, njëherit edhe fushata e ashtuquajtur e diferencimeve, do të prodhojë një pasiguri dhe një hasmëri ndër më të egrat ndër shqiptarë, e që ishte qëllim i kreut politik dhe shtetëror të Serbisë, fakt ky që metastazoi me kthimin e LKJ-së në parti fashiste më 1983, kur u themeluan batalionet e armatosura të partisë, në çdo komunë të Kosovës, kuptohet për ta shtypur çdo shkëndijë çlirimtare shqiptare. Ajo kohë do të karakterizohet edhe me nivelin e shpifjeve dhe përgojimeve ndër më monstruozet në historinë shqiptare, sepse do të provohet, gjithnjë nga goja e UDB-shëve t’i hasmojnë: prindërit me fëmijët, nxënësit me arsimtarët, studentët me profesorët, shkrimtarët dhe shkencëtarët me popullin, shkurt në stilin: ominia contra omes, të gjithë kundër të gjithëve. Me një fjalë, provohej të avancohen shqiptarët në armiqtë në mes veti, e mizorët të shikojnë “teatër” nga bregu. Por gjeniu popullor, ngadalë po e kuptonte se ku është e vërteta. E vërteta, ishte dhe mbeti prapë nevojë që pushka, të cilën e meritoi UÇK-ja, me komandantin legjendar Adem Jasharin me shokë dhe shoqe, të shkollës së Adem Demaçit, ta bartë çështjen deri në shanse të çlirimit definitiv të Kosovës martire. 34.

 (34. Analizë e Adem Demaçit, më 10.06.1991, kur e themeloi Shtabin e Rezistencës në Prishtinë).

Diskutimi në Komisionin e Historisë së LKK-së, më 5 prill 1981

Mbledhja e Komisionit ishte caktuar 7 ditë më parë, me rend dite: “Demonstratat studentore në Kosovë, 11 maras-2 prill 1981”. Mbledhjen e drejtonin: Desa Gjorgjeviq, Xhevdet Hamza dhe Branko Skembaroviq. Në mbledhje ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e Luftës Antifashiste në Kosovë, si: Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Ismet Shaqiri, Alush Gashi, Ali Shkukriu, një turk (e quanim Hasan “Turku”; Petar Brajeviq, Mita Milkoviq, Pavle Joviçeviq, Milija Kovaçeviq, Branko Shkembaroviq, Millutin Foliq. Nga Instituti i Historisë ishin: akademik prof. dr. Ali Hadri, dr. Tahir Abdyli dhe Faruk Salihu. Nga Arkivi i Kosovës ishte: prof. dr. Hakif Bajrami. Pas një bisede të shkurtër me akademik Ali Hadrin u pajtuam që të diskutojë vetëm unë, sepse profa ishte nën hetime për Memoaret e Tempos, nga viti 1972. U pajtuam që ta marrë fjalën i pari. Aty theksova se fjala kontrarevolucion është e përdorur për nevoja politike dhe akuzuese, ndaj tërë popullit shqiptar, dhe pyeta me fakte: “Të pranishëm të respektuar, po flas i pari sepse e njohë fare mirë Programin e LKJ-së, teorinë e demokracisë dhe lëvizjen punëtore revolucionare. Jam i obliguar të deklaroj profesionalisht se në Kosovë, më 11 mars-2 prill 1981, nukkemi të bëjmëmekontrarevolucion. Po, ju jeni këtu përfaqësues të politikës dhe shtetit dhe mund të diskutoni nga këndi i juaj. Unë ju pyes publikisht: A e kanë marrë demonstruesit Kuvendin e KSA Kosovës, Këshillin Ekzekutiv, ndonjë ministri – jo. A e kanë marrë demonstruesit Televizionin e Prishtinës dhe nga mikrofoni i tij të ftojnë popullin për kryengritje ose luftë – jo. Po, Radio Prishtinën a e kanë marr dhe përmes valëve të saj t’i drejtojnë të njëjtat thirrje. A e kanë marrë Pallatin e Shtypit dhe nga aty të botojnë ndonjë gazetë që thirret kundër pushtetit të RSFJ-së – jo. A e kanë marrë pushtetin në ndonjë komunë – jo. Mbi të gjitha, Ju keni informata. A ka kërkuar ndonjë demonstrues ndryshimin e sistemitsocialist në Kosovë dhe vënien e sistemitkapitalist – jo, jo, jo!.

Ndërhynë Pavle Joviçeviq dhe i mllefosur ndaj diskutimit tim shton: “Po demonstruesit kanë kërkuar sistemin stalinist të Enverit”. Unë, – ai sistem nuk është i Enverit, por dallimet në mes socializmit në Jugosllavi dhe atij në Shqipëri nuk janë të pakapërcyeshme, nuk janë substanciale shkencërisht. Të dyja shtetet ndërtojnë sistem socialist drejt komunizmit. Është kështu Pavle Joviçeviq? Nuk përgjigjet. I shtoj se ti, gjatë Luftës Antifashiste (1941-1944) ke pasur qëndrim që: “Nëse Shqipëria ndërton sistem socialist, Kosova shkon me Shqipërinë; nëse Shqipëria ndërton sistem kapitalist, Kosova shkon me Jugosllavinë, por jo në kuadër të Serbisë dhe jo pa nominim Republikë”. Ia vej fotokopjen e dokumentin, që vet e kishte shkruar përpara, dhe shtangohet, nuk fol fare për dy minuat, pastaj shpërthen: Të falënderoj, se me kishte humbur ky dokument”. Në sallë atmosferë pa asnjë zë. Përpos atij dokumenti të Luftës Antifashiste, të pranishmëve ua shpalosi “Librin e Kaltër – Pllava Knjiga”, të përpiluar më 1976, nga Kryesia e Serbisë. I pyes të pranishmit e keni lexuar këtë dokument konfidencial. Nuk përgjigjen. Vazhdoi: ky pamflet është i njohur për juve dhe ka për qëllim rrëzimin e sistemit kushtetues të Jugosllavisë dhe provon që Kosova dhe Vojvidina mos të kenë kushtetutë. Çka i thonë këtij tentimi me fjalorin juridik kushtetues të RSFJ-së. E këtu është fjala për grushtshtet, për kontrarevolucion, pra me “Librin e Kaltër” 1976, i cili pushtet ushtarak tanimë është vënë në Kosovë në mbrëmje të 2 prillit 1981. Dhe në fund ju pyes a jeni ju ata,“të gjithë udhëheqësit që jeni këtu pa dallim se më 1967 keni kërkuar që: Kosova të avancohet në status të Republikës”. Po, jeni të gjithë dhe ne si intelektualë atëherë kemi qëndruar prapa juve. E për këtë më 20 mars 1967, J. B. Tito në Polit Byro të KQ LKJ pyet: Deri në cilin nivel ka ardhur mendimi se Kosova duhet të  avancohet në Republikë. Po aty, Bobi Radosavleviq ka theksuar me ekuivoke se: Kosova duhet të avancohet në Republikë. Të nesërmen, më 21 mars 1967, Eduard Kardel vjen në Kosovë dhe në mbledhjen në Brezovicë e shtron çështjen e zhvillimit ekonomik dhe të avancimit të Kosovës në Republikë. Atë kërkesë të tij, e keni refuzuar të gjithë, sepse natën nga Beogradi kishte intervenime se duhet ta kundërshtoni çështjen e Republikës. Këtë e thotë Eduard Kardeli në Lublanë, duke shtuar se “shqiptarët më prenë në besë”. Të gjitha këto fakte ju i dini dhe ju lus që të keni qëndrim parimor në kuadër të Programit të LKJ-së ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Edhe një fakt, më 1968 kishte demonstrata në Zagreb dhe Beograd. Atje është biseduar me demonstrues. Në Beograd bije fjala: Velko Vllahoviq dhe Millosh Miniq e qetësuan situatën. Në Prishtinë janë zhvilluar menjëherë akuza dhe tre drejtues, njeri ndër ta është Mita Milkoviq (që është këtu anëtar i Komisionit si ne të tjerët) dhe dy shqiptarë (Veli Deva dhe Mahmut Bakalli). Ti shoku Mita Milkoviq e ke pyet Titon: “A të ndërmarrim burgime masive në Kosovë”?. Dhe Tito nuk të përgjigjet, por që të treve ju përjashton nga Kabineti duke ju thënë se: “I keni lëvizë tanket nga Shkupi pa lejen time, dhe tash doni të e komprometoni më tej vetëqeverisjen dhe mosinkudrimin”. Fol Mita Milkoviq: “Nuk flas, sepse përfaqësuesi i shtypit është këtu”. Reagon Fadil Hoxha, – cili është përfaqësues? Te dera ishte një gazetar që merrte shënime. Dhe Fadil Hoxha i thotë: Dil përjashta dhe nuk guxon të shkruash asgjë për asnjë diskutim. I drejtohet Shani Hoxhës (sekretar i Komisionit) që t’ia marr bllokun dhe të gjitha shënimet. Ai gazetar ishte i panjohur atëherë për neve. Më vonë është bërë i njohur dhe nuk dihet kujt i shërbente me prezencën e tij aty. “Rilindjes” jo. Nuk solidarizohem me askënd, por i jam koshient interpretimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbi të gjitha në Programit e LKJ-së dhe etikës shkencore, se demonstratat 11 mars 1 dhe 2 prill 1981, nukjanëkontrarevolucionare. E ju përkujtojë se: në Plenumin e Brioneve (1966) ishte gjykuar UDB-ja; A. Rankoviqi, S. Stefanoviqi, V. Llukiqi etj., të deformuar nëpër Republika dhe krahina, por jo të gjithë udbashët.

Më 1981 për demonstrata është lansuar një fushatë antishqiptare. Kështu, fushata e diferencimeve i ka përfshi të gjithë shqiptarët, horizontalisht, sidomos arsimin, inteligjencën. E unë këtu sot po flas lirisht si punëtor shkencor. Por mbani në mend çka do të japi sonte Radiotelevizioni i Prishtinës, e gazetat. Pra, mjetet e informimit ende pa e jap vendimin gjykata, po nxitojnë ta gjykojnë një veprim që nuk është detyrë e tyre. Të theksoj në këtë shkrim edhe këtë që do të ndodhë më tutje në lidhje me diferencimin. I vetmi intelektual që do të ua thotë troç ekipit të të diferencuarve ishte akademik Ali Hadri: “Dikush sot po donë të dëshmohet se është më katolik se Papa. E këshilloj që ta ruaj gishtin për veti, se një ditë do të jetë në bankën e zezë vetë, kështu si ka filluar fushata politike e diferencimeve”. Është fjala për Azem Vllasin, që provonte të avancohej në kallauz të diferencimeve, sidomos në fakultete dhe institute. Pra, ky axhami provonte t’ua realizojë synimet karrieriste të: shqipfolësve Sianan Hasanit, Ali Shkuriut, Kolë Shirokës, Rrahman Morinës etj… “Në realitet, neve duhet të mbështetemi në shembuj të personaliteteve që i kanë afruar popujt. Bije fjala sa herë duam ta objektivizojmë krimin e pushtetit serbë, njëherit thirremi në veprat e: Dimitrije Tucoviqit, Dragisha Llapçeviqit, Dushan Popoviqit, Kosta Novakoviqit, Velko Vllahoviqit, Millosh Miniqit etj. Sa herë që duam ta objektivizojmë ndonjë shovinizëm shqiptar, menjëherë thirremi në veprën e Zenel Hajdinit, Meto Bajraktarit, Emin Durakut, Ramiz Sadikut, Hysni Dobrunës etj. Me këta shembuj i afrojmë popujt. E tani sikur po krijohet një front antiintelektual antishqiptar”. 35.

 (35. Nga Diskutimi i Hakif Bajramit në Komisionin e Historisë, më 5 prill 1981, i incizuar nga Shani Hoxha; Diferencimi i Ali Hadrit, Fehmi Aganit dhe Rexhep Qosjës nga Grupi diferencues i Azem Vllasit. Dokumenti si stenogram posedohet dhe mund të botohet si tërësi në veti).

Pas Hakif Bajramit e merr fjalën Fadil Hoxha dhe shton: “Unë flas nga këndi i politikës dhe nuk mund të polemizoj me Hakif Bajramin për çështje shkencore. Kjo që thotë Hakifi se diferencimi po paralajmërohet si do të merr karakter antishqiptar dhe sidomos antiintelektual, është politikë shumë e rrezikshme. E rrezikshme sepse shumë njerëz mund të pësojnë për shkaqe tjera e u mëveshët se janë me demonstratat. Unë demonstratat i gjykojë dhe nuk mund të them më tepër asgjë, sepse nuk kam informata. Sa i takon shtypit dhe mjeteve informative, vërej një atmosferë të luftës për linçim të kundërshtarëve. E leçitja te shqiptarët merret si diçka shumë e rëndë dhe nuk përmirësohet kollaj dëmi i saj. E them se çdo gjë duhet gjykuar, me fakte dhe maturi objektive”. Me këtë kryesuesja e mbyll mbledhjen (!) dhe cakton mbledhje pas një jave, pale mos organet e sigurimit dhe hetuesit do të burgosin, çdo njeri që ka mendim ndryshe. E çka ndodhë pas disa ditësh? Pason që Hakif Bajrami të merret në pyetje në “Germi” (Hoteli i Qeverisë) për katër orë nga: Rrahman Morina, Lorenc Selmani, N. Muçolli dhe Rr. Cakiçi. Marrja në pyetje mbaron pa më arrestuar, sepse atyre u thash se nga Programi i LKJ-së nuk fali asgjë. Ju silluni si të doni, unë jam këtu dhe nuk legalizoj asgjë. Pas këtij deklarimi Rrhaman Morina largohet duke konstatuar se ne këtu nuk kemi punë”. Marrja në pyetje nga të tjerët vazhdon, por me disa kërcënime të vogla, nga Lorenc Selamni, të cilin e kisha pasur nxënës në gjimnazin e Podujevës. 36.

 (36. Dokumentin zyrtar të policisë e ka ofruar në Arkiv pas 8 viteve Rrahman Morina! Dokumenti ishte në 8 faqe, i shkruar me makinë. Aty ishin trilluar nja tri çështje: për Shqipërinë, për LNÇ-në dhe për fjalën kontrarevolucion. Nuk jam i sigurt se serbët më 1990 e kanë ndalë këtë dokument në Arkiv, por e kanë eksportuar në Beograd. Përndryshe propozoi që nëse gjendet të botohet integralisht).

Themelimi i Shtabit, gjeneral Nikolla Lubiçiqit, në Beograd në ilegalitet, më 5 prill 1981

Më 5 prill 1981 në Beograd do të themelohet Shtabi i Nikolla Lubiçiqit si imitim i shtabit të A. Rankoviqit. Në mbledhjen e parë Nikolla Lubiçiq do të ko konkludojë se “duhet të sulmohet Shqipëria, sepse Jugosllavia është e rrezikuar”. Në planin e brendshëm kishte konkluduar ai se: “duhet me të gjitha mjetet të sllavizohet Kosova, sepse rrugë tjetër nuk ka që ajo tokë të kthehet në banorë të një race dhe një gjuhe”. 37.

 (37. Raport i siguruar nga Arkivi i Jugosllavisë më 1985, për veprimet “ilegale” që ndodhin në Serbi).

Gjeneral Graçanin, më 5 prill 1981, e kishte fokusuar diskutimin e tij në dy rrafshe. Në rrafshin e parë tha ai “Demonstratat janë kontrarevolucionare dhe në këtë drejtim shteti me metodat e veta që i disponon duhet t’i dënojë organizatorët dhe ata që kanë marrë pjesë në forma të ndryshme në to. E në këtë drejtim numri i të burgosurve dhe atyre që do të hetohen duhet të jetë shumë më i madh. Por në fillim disa organizatorë dhe disa pjesëmarrës duhet të mos burgosen, shton ai, sepse ata me aktivitetin e tyre do t’i zbulojnë vijat tjera të personave që pushteti tani për tani, nuk i ka informatat. 38.

 (38. Po aty).

Pozita jonë e dytë e veprimit duhet të përqendrohet, thekson gjenerali Graçanin, te kërkesa që dekreti i 6 marsit 1945, të vihet jashtë ligjit, dhe të fillojë epoka e kthimit në Kosovë të serbëve dhe malazezëve dhe atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë atje. Kjo detyrë duhet të aprovohet në forumet e LKJ-së dhe pastaj me detyrim forumet e LK-së në Kosovë duhet të tregojnë gatishmëri se e pranojnë obligimin”. 39.

(39. Po aty)

Sllobodan Millosheviq, në diskutimin e tij më 5 prill 1981, në Mbledhjen konstituive të Shtabit, do të përqendrohet në fushën e legjislacionit, duke theksuar se: “Në Kosovë, në bazë të “Librit të Kaltër” nga viti 1976 duhet të ridefinohet sistemi kushtetues dhe ligjor në të dy krahinat. Duhet në bazë të platformës politike për Kosovën, të kolonizojmë sa më shumë sllavë dhe atë krahinë ta integrojmë plotësisht në sistemin kushtetues dhe ligjor të Serbisë. Me fjalë tjera duhet në nivelin e Partisë të fillojë fushata e zhvleftësimit të Kushtetutës së RSFJ-së, e pastaj të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë dhe kushtetutat e të dy krahinave. Posaçërisht, Krahina e Kosovës, thotë ai, duhet të kthehet në Statut të vitit 1963. Në këtë drejtim partia duhet të jetë e vendosur dhe me përkushtim ta realizojë sa më parë obligimin. Përndryshe, demonstratat e kanë vënë Kosovën një hap afër nominimit në Republikë”, të cilën më 1967 e ka pranuar edhe udhëheqja e Serbisë. 40.

 (40. Po aty).

Patriku Pavle, do të ndalet në diskutimin e tij: “Në KOS jemi të përkushtuar që ta përpilojmë një publikim me titull: Zaduzhbine Kosova” dhe atë publikim do ta shpërndajmë në të gjitha kishat e botës, duke konstatuar se pasuria e kishave dhe kishat në Kosova janë të rrezikuara nga ideologjia komuniste që transferohet nga Shqipëria”. 41.

 (41. Po aty).

Ky Shtab e luajti rolin e Shtabit A. Rankoviqit deri më 28.06.1991, por për qëllime dhe metoda të shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës në rend të parë, me mjete ushtarake dhe policore.

Jugosllavia planifikon për ta sulmuar Shqipërinë

Më 4 prill 1981, udhëheqja politike dhe shtetërore e RSFJ-së do ta pranojë vlerësimin ushtarak të APJ-së se “në Kosovë është fjala për kontrarevolucion”. Pas këtij aprovimi të kreut shtetëror të RSFJ-së, kreu ushtarak do të ofrojë skenar të ri për Kosovën duke vepruar në tri rrafshe:në rrafshin e parë të luftës parashihej që të sulmohet me të gjitha mjetet rinia shqiptare, ajo në shkollim të mesëm dhe në mësim të lartë – fakultete. Pra, lufta parashihej të zhvillohet prej së larti poshtë: nga profesorët universitarë e deri te mësuesi i shkollës fillore.42.

(42. Arkivi Ushtarak, Raport i siguruar nga një oficer që ishte aty me origjinë sllovene më 1985).

Në rrafshin e dytë të luftës, duhej të sulmohej udhëheqja politike dhe shtetërore e Kosovës, në rend të parë ajo shqiptare. Në rivlerësim thuhet se kuadrot e reja që do të vijnë duhet në plotësi ta pranojnë se do të punojnë në sendërtimin e përmbajtjes së “Librit të Kaltër” 1976, pra ta pranojnë ridefinimin e Federatës, të punojnë në kuadër të Platformës politike për Kosovën, për rikolonizimin e saj me serbë dhe malazezë, e sidomos nga RS e Serbisë. 43.

 (43. Po aty)

Në rrafshin e tretë të skenarit politik dhe ushtarak jugosllav parashihej që të sulmohej Shqipëria, me të gjitha mjetet. Nëse demonstratat përsëriten dhe vërehet se prej andej po u shprehet përkrahje përmes radios dhe televizionit e shtypit të tyre, “…atëherë duhet të ndërpritet çdo komunikim me Tiranën zyrtare”. Në skenar ishte planifikuar që Shqipërinë ta sulmojnë, pa paralajmërim dy divizione të këmbësorisë jugosllave. Në sulm ishte paraparë të futet edhe aviacioni në formulë ofensive: 8+4+4. Kjo do të thotë se 8 aeroplanë duhej të sulmonin nga Aeroporti i Sllatinës; 4 aeroplanë të sulmojnë nga Aeroporti i Titogradit dhe 4 aeroplanë të sulmojnë nga Aeroporti i Ohrit. Në të njëjtën kohë ishte paraparë që t’i organizohet Shqipërisë bllokadë edhe kah deti, në mënyrë që kjo trevë të kthehet në një kamp, ku duhet të inkuadrohen të gjithë elementët nga jashtë dhe nga brenda, e që e luftojnë sistemin e Enver Hoxhës”. 44.

(44. Po aty).

Shqipëria organizohet për mbrojtje jo vetëm të kufirit, por në rast nevoje edhe ta mbrojë me fuqinë e armës Kosovën e sulmuar nga sllavët në çdo aspekt. Në këtë drejtim, kreu ushtarak shqiptar kishte llogaritë se në Kosovë do t’i themelojë në kohë rekorde tri divizione. Kishte planifikuar që në Maqedoni ta themelojë një divizion të këmbësorisë, i cili do të ketë rol të dyfishtë: mos të konfrontohet me maqedonasit dhe ta mbrojë Kosovën Jugore në Grykën e Kaçanikut, për të dominuar në vijën strategjike Shkup-Tetovë-Gostivar-Strugë. 45.

45. Raport i Ushtrisë shqiptare, konfidenciale deri më 1997.

Kreu ushtarak i RSFJ-së dhe kreu politik dhe republikan i Serbisë kishin sajuar bindjen se demonstratat në Kosovë (11 mars-2 prill 1981) i kishte organizuar PPSH-ja, përkatësisht Sigurimi Shtetëror i saj. Prandaj, kishin bërë planifikime detale që të vijnë deri te dokumentet përkatëse. Në realitet këtë orientim udhëheqja shqiptare do ta kuptojë qysh më 2 prill, prandaj kishte bërë mobilizim të ushtrisë dhe policisë, e cila me tërë armatimin adekuat ishte vënë në gjendje gatishmërie në kufi, sepse kishte rënë vendimi se: “nuk duhet të sulmojmë të parët”. Këtë qëndrim e kishin sajuar, sepse vija e parë e frontit ishte e tëra e bunkerizuar kah Mali i Zi, kah Kosova dhe kah Maqedonia. 46.

(46. Po aty; Raport i siguruar pas vitit 1999 nga një oficer me gradë gjeneral (H. K).

Pasojat e politikës jugosllave për shqiptarët e Kosovës  1981-1999

Okupatori do të përdorë një taktikë politike që në shkallë permanente të vrasi civilë dhe ushtarë shqiptarë, në mënyrë që te ky popull të mbillet shenja e paperspektivës dhe pasigurisë totale në çdo fushë të jetës. Në Lidhje me këtë, akuza se demonstratat ishin “kontrarevolucionare” i “amnistonin” vrasësit sllavë të civilëve dhe ushtarëve shqiptarë, nga përgjegjësia penale. Prandaj, po i shënojmë me radhë vit pas viti se çka dhe pse ngjante një tragjedi e tillë, kundër një populli të pambrojtur. Shkojmë me radhë sipas viteve: në vitin 1981 vriten mizorisht nga pushteti 13 civilë dhe 4 ushtarë shqiptarë; më 1982 vriten mizorisht 2 civilë dhe 7 ushtarë shqiptarë; më 1983 vriten mizorisht 3 ushtarë shqiptarë; më 1984 vriten mizorisht 3 civilë dhe 2 ushtarë shqiptarë; më 1985 vriten mizorisht 1 civilë dhe 5 ushtarë shqiptarë; më 1986 vritet mizorisht 1 ushtar shqiptar; më 1987 vriten mizorisht 6 ushtarë shqiptarë; më 1988 u vranë mizorisht 4 ushtarë shqiptarë; më 1989 vriten 33 civilë dhe 1 ushtar shqiptar; më 1990 vriten 39 civilë dhe 5 ushtarë shqiptarë; më 1991 vriten 14 civilë dhe 1 ushtar shqiptarë; më 1992 vriten 20 civilë shqiptarë; më 1993 vriten 3 ushtarë shqiptarë; më 1994 vriten mizorisht 18 civilë shqiptarë; më 1995 vriten mizorisht 14 civilë shqiptarë; më 1996 vriten mizorisht 14 civilë shqiptarë; më 1997 vriten mizorisht 17 civilë shqiptarë; më 1998 vriten mizorisht nga pushteti serb 1 934 civilë shqiptarë, prej tyre 213 fëmijë, 229 femra, 395 pleq, plagosën 818 civilë shqiptarë, burgosen dhe likuidohen nëpër burgje 1 128 civilë shqiptarë, keqtrajtohen në polici duke ua thyer edhe duart 3 768 civilëve shqiptarë, ndërsa humbin pa gjurmë 799 civilë shqiptarë. 47.

(47. Burimi: Raporti i KLDMNJ për vitin 1998/99).

Pushteti neofashist serb, më 1999 i vrau: 7 382 civilë shqiptarë, prej tyre mbi 2 000 femra dhe 1 858 fëmijë të mitur. Pushteti i rrënoi 1 008 fshatra me bombardime, i rrënoi 122 775 shtëpi banimi, 85 336 ndërtesa ndihmëse, 8 284 lokale pune, (nga 15 227 sa ishin gjithsej), do të rrënohen 113 ambulanca, do të rrënohen 103 biblioteka, publike dhe 18 516 biblioteka private, 215 xhami, 5 kisha katolike, 358 shkolla fillore, digjet Arkivi i Bashkësisë Islame me vlerë të dokumenteve nga shekulli XIV. Në këto krime duhet llogaritur edhe shqiptarët e deprotuar nëpër botë, sidomos më 1999 që arrin një shifër të një milioni. 48.

(48. Nga Buletini i KLDMNJ, 1999).

 Shqiptarët e shpërngulur nëpër botë si pasojë e mizorive serbe, më 1999

Si pasojë e politikes së gjenocidit, nga Kosova do të detyrohen të largohen nëpër vende të ndryshme të botës 993 588 persona. Prej tyre në: 1. Shqipëri, 507 800 persona; 2. Maqedoni, 360 000 persona; 3. Mal të Zi, 70 000 persona; 4. Bosnjë-Hercegovinë, 21 000 persona; 5. Kroaci, 4 000 persona; 6. Slloveni, 3 450 persona; 7. Turqi, 18 000 persona; 8. Gjermani, 14 000 persona; 9. Itali, 10 000 persona; 10. Francë, 6 300 persona; 11. Angli, 3 300 persona, 12. Suedi 7 000 persona, 13. Norvegji, 8 000 persona; 14. Kanada, 3 200 persona; 15. Belgjikë, 9 000 persona; 16. SHBA, 6 100 persona; 17. Australi, 3 500 persona, 18. Zvicër, 4 100 persona; 19. Zelandë e Re, 600 persona; 20. Izrael, 450 persona. 49.

(49. KLDMNJ, Buletini, 1999/2000).

Të përfundojmë:

 Mizoria serbe provoi 1981-1999 ta aktualizojë politikën e vjetër të gjenocidit, edhe pse demonstrata 11 mars-2 prill 1981 ishin legjitime dhe kërkonin vetëm drejtësi nacionale. Por, në veprimet mizore ndaj një populli që luftonte për liri dhe për ekzistencë, shkencërisht mund të thuhet se pushteti po ushtronte gjenocid.

Ja definicioni i gjenocidit: “gjenocidquhet nëse një populli organizon vrasje të tërë; nëse i shkakton lëndime të rënda trupore apo mentale; nëse i imponon qëllimisht kushte të jetesës (tri vite shqiptarët u detyruan nga 3 deri në 5 herë për t’i lëshuar shtëpitë më 1998/99, dhe për të jetuar neper male – HB); nëse ia imponon masat e lindjeve (1981-1989); nëse ia bartë fëmijët nga një grup në grupin tjetër; nëse të masakruarit dhe të vrarët ua shkatërron kufomat; nëse kufomat e të vdekurve nga dhuna shtetërore i bartë dhe i varrosë në varreza masive jashtë territorit (1998/99) ku ata kanë jetuar deri në momentin e mizorisë.

Demonstratat e 11 marsit-2 prill 1981 e hapën një etapë historike të re për shqiptarë: në mënyrë legale dhe legjitime do të punohet për avancimin e Kosovës në Republikë.

Prishtinë më 22 shkurt 2021.

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura