DILAVER GOXHAJ: BETEJA E SHKALLËS SË VALIT NË MARTANESH (MARS 1944)

Tiranë, 4 mars 2021: “Nuk duhet një hero për të udhëhequr njerëzit të hyjnë në betejë, por duhet një hero që të hyjë në betejë.” – sipas Norman SHVARCKOF

3 Mars 1944. “I vetmi shteg për të dalë Brigada e Parë nga rrethimi ishte Shkalla e Valit në fshatin Peshk të Martaneshit, – thuhet në Historikun e asaj brigade,- nja 4 -5 orë larg prej fshatit Lenë. S’duhej humbur kohë. Lypsej shfrytëzuar errësira e natës. Në orën 1 të natës, duke gdhirë 3 Mars, kolona vazhdonte përsëri marshimin me masa të forta sigurimi.” Mbritën në qendër të fshatit Peshk. Përballë ishte Shkalla e Valit me 72 dredha në ngjitje pothuajse pingul, rreth 200 metra lartësi. Përfundi saj kalon përroi i thellë i Çiçulit. I vetmi kalim i këtij përroi ishte një urë me dy dërrasa, në të dy anët e së cilës ngrihen dy kodra. Ato ishin zënë nga xhandaro-ballistët, por urën portative nuk e kishin hequr! Rastësi?! Ky quhet fat. Në këto kushte vendimi i vetëm i mundshëm për Brigadën e Parë Partizane ishte shpërthimi i rrethimit në të vetmen pikë të mundshme: Shkalla e Valit. Ndaj dhe për të marrë atë pikë, sikundër tregon Xhaferr Peçi, komandant Mehmet Shehu, pasi theksoi se e gjithë brigada kishte rënë në rrethim, urdhëroi: “Batalioni i parë të qëndroi ku është dhe të sulmoi në të dy anët nga na kanë zënë prita. Batalioni III, çani përpara si rrufe, ngjituni dhe kapni kryet e Shkallës! Kamber, merr dy pararojat dhe kap urën! Batalioni II të siguroni krahët dhe shpinën e Batalionit I dhe III. Përpara!”.
Për ata partizanë, fjala “përpara”, pa dyshim, tingëllonte si muzikë qiellore. Boria e Hakiut ra për sulm.
Një fjalë e tmerrshme kaloi gojë më gojë të të gjithë partizanëve: TË RRETHUAR! Ishte e vërtetë. Ishte ajo që çdo njeri i trëmbet më shumë se vdekjes: Rrethimi! Rrethi i hekurt ishte mbyllur. Ishte një rrethim më i egër se ai në përroin e Skroskës, ku Brigada pas 8 orë luftime më në fund e gjeti daljen, “u nis drejt malit të Shebenikut përpjetë duke çarë borën, me më tepër se një metër të trashë”. Ndërsa në këtë rrethim, reaksionarët e kishin mbyllur Brigadën e Parë në një rreth, duke lënë vetëm një shteg të hapur: Tërheqje andej nga erdhën. Në rast se Brigada do të binte në atë kurth, të tërhiqej prapa, ajo ishte vdekje e sigurtë. Por Brigada e Parë nuk mund të binte në atë kurth. Ai rrethim ishte një shtrëngim i fortë i asaj hallke të tmerrshme. Ishte një nga rrethimet më të papara deri atëherë nga kjo Brigadë heroinë. Erën e barutit e ndjenin si një shije të hidhur në gjuhë. Në secilën fytyrë lexohej qartë: “Jemi në rrethim”. E megjithatë ajo nuk ishte frikë. Ata kishin qenë në dhjetra beteja dhe në shumë rrethime, dhe kështu që u ishte argasur lëkura. Asnjë partizan nuk dukej i shqetësuar!

Vetë beteja rrezatonte një lloj elektriciteti. Me sa duket ishte vetëdija e të qenit në rrethim që e shkaktonte atë lloj elektrizimi, i cili i kish pushtuar të gjitha nervat e tyre. Në të tilla rrethana, qysh në vërshëllimat e para të plumbave e të predhave, tek ata lindi mprehtësia e shqisave; trupat e tyre u vunë në gatishmëri të plotë, ku çdo fjalë e shprehje merrte një tjetër tingull. Thirrja “Përpara Brigad’e Parë!” u rikthente atyre burimin e fuqishëm të jetës, duke eleminuar çdo çast ankthi dhe duke u mprehur instiktin e vetëmbrojtjes, i cili i shtyn që të mbrohen pas çdo guri, apo të shtrihen në tokë në të mijtën e sakondës para se të mbrijë plumbi. Po të mos ishte i zhvilluar ky instikt luftëtari të regjuar, Brigada do qe asgjësuar qysh në Skroskë. Në mos në Skroskë, në mal të Letmit. Në mos në mal të Letmit, në Okshtun. Në mos në Okshtun, në mal të Kaptinës. Brigada nuk mund të tërhiqej prapa. Çdo hap prapa do të ishte një hidhërim i madh, ndoshta i pandreqshëm, pasi reaksioni ishte bërë edhe më i egër, edhe më i bashkuar. Por ata dinin vetëm në gjë: të shkonin vetëm përpara. Tërheqja do të ishte vdekje për gjithë brigadën. Një hap i vetëm prapa i bërë qoftë edhe nga një partizan i vetëm do të ishte tradhëti. Nuk kishin ku të tërhiqeshin.
Bazuar në terrenin, në kohën në dispozicion që kish Brigada për t’iu larguar ardhjes së gjermanëve, në përbërjen e të dy palëve, në kohëzgjatjen e mundshme të asaj lufte dhe në pasojat që mund të kish mos-shpërthimi i atij rrethimi, si dhe në vendimin e marrë nga Komandanti i Brigadës, ajo luftë, për marrjen e Shkallës së Valit ishte një BETEJË. E quajmë të tillë nga që Br1S vepronte e pavarur, në një teatër lufte të veçantë, në zona të pushtuara nga hitleriantë e tradhëtarët, shumë larg forcave të tjera të UNÇ.
Fati i të rrethuarve vendosej vetëm nga sulmi. I tillë qe edhe vendimi. Palës së rrethuar i rritej probabiliteti i humbjes edhe për faktin se nuk kish rezerva të tjera edhe pse ishte ajo që hidhej në sulm; gjë që rrethuesit ishin komodë në këtë drejtim. Si rjedhojë e hedhjes menjëherë në sulm, si nga pararojat e Batalionit të pare e të tretë ashtu edhe nga i gjithë Batalioni i tretë, porsa ranë pushkët e para të rrethuesve, u bë e mundur edhe marrja e inisiativës. Të dy këto rezultate nga ana e Brigadës, i hoqën mundësinë armikut rrethues të ndërmerrte qoftë edhe një kundërsulm të vetëm.
Kur je më i dobët se kundërshtari ose në kushte më të disfaforshme se ai, vetëm sulmi është mjeti që të bën më të fortë. Dhe kjo ndodh vetëm atëherë kur forcat udhëhiqen nga komandantë të shkëlqyer ushtarakë, të cilët sukseset e tyre ua dedikojnë sulmeve në shkallën më të gjerë, sikundër veproi Mehmet Shehu dhe Brigada e komanduar nga ai.
Duke e hedhur të gjithë Brigadën në sulm, përveç që, “elementi vendimtar për të përcaktuar fituesin, numëri i të shtimeve në një interval të caktuar kohe”, e tejkaloi atë të armikut, por u arrit edhe faktori i tretë vendimtar, i cili solli fitoren përfundimtare të betejës nga ana e Brigadës: E bëri betejën shumë të ashpër. Ajo ashpërsi e shthuri armikun. Ashpërsia ishte arma kryesore, që i dha fitoren asaj Brigade. Vetëm me ashpërsinë e luftimit ajo mundi të kompesonte mungesën e epërsisë në forca, disfavorin e terrenit dhe mungesën e artilerisë mortajë, aq e domosdoshme në ato kushte e në atë terren.
Hedhja në sulm e të gjitha forcave që ke në dispozicion, kur nuk ke as edhe një skuadër në rezervë, është mënyra më e rallë që mund të përdoret, por që është mënyra e sigurtë e humbjes së betejës. Prandaj “Mehmet Shehut i qeshi buza vetëm kur mbritëm në Dumre”, shkruan në ditarin e tij zv.komisari i k3b1Br1S, Bedri Gjegji. Çuditërisht, ky lloj vendimi i dha fitoren. Duam apo nuk duam, jemi të detyruar ta pranojmë se në këtë rast ai ishte vendimi më i drejtë, vendimi më i mirë dhe i vetmi vendim i mundshëm, gjë që u vertëtua si i tillë.
Gjithashtu mund të shprehemi se ajo betejë është një nga rastet më të ralla, për mos të thënë se është i vetmi rast i fitores së betejës në këtë mënyrë. Kjo betejë është e veçantë në tërë historikun e asaj Brigade Partizane, prandaj beteja e Shkallës së Valit e meriton të jetë objekt i veçantë studimi për historinë ushtarake. Por edhe për një fakt tjetër: ajo Brigadë e fitoi atë betejë ngaqë mbështetej në forcat e veta dhe vetëm në forcat e veta, ndërsa reaksionarët e humbën sepse mbështeteshin kryekëput në ndihmën e gjermanëve, të cilët i konsideronin si mbrojtësit e tyre të fuqishëm.
Që të merrej Shkalla e Valit me 72 dredha nga Bataliomi III duhej t’i ngjitet përpjetë një shkëmbi nja 200 metra të lartë duhej të merrej ura mbi përroin e Çiçulit. Ajo urë mbrohej nga xhandaro-ballistët, të cilët ishin pozicionuar në ato dy kodrat mbi të. Që të kaloje nëpër Shkallë e të dilje në qafë ishte e domosdoshme që të dëboheshin armiqtë nga këto pozicione, në të kundërt humbjet do të qenë shumë të rënda.
Cili ishte vendimi i komandantit të pararojave, Kamber Sadik Dinaj, për të dëbuar armiqtë nga ato pozicione? Si duhej të vepronte, ndërkohë që breshëritë e armëve vinin nga anash dhe përballë, nga dy kodrinat shkëmbore në rrëzë të Shkallës, për të cilat kish marrë detyrë t’i kapte me çdo kusht, pasi midis tyre ndodhej i vetmi shteg për të kaluar Brigada, Ura e Çiçulit? Të hidhej në sulm me të dy skuadrat pararojë, apo të groposeshin a të fshiheshin pas gurëve? Jo. E pamundur. Nuk kish aspak kohë të mendohej më gjatë. Vetëm kalimi sa më shpejt në sulm. Ky sulm do të ishte krejt ndryshe nga të mëparshmit. Armiku ishte vendosur jo vetëm mbi dy kodrinat që duhej të merreshin me çdo kusht, por edhe nëpër shtëpi dhe mbi shkëmbinjtë më tej. Situatë e paimagjinueshme! Nuk kish rrugë tjetër përveç sulmit. O jetë, o vdekje!
Detyrë jashtzakonisht e vështirë. Ndoshta e pamundur, por e domosdoshme. Derisa ishte e domosdoshme, patjetër që nuk mund të ishte e pamundur. Dhe që të mos mbetej e pamundur, duhej të guxonte dikush. Rezultatet më të mëdha në luftë arrihen në sajë të komandantit. Dhe ai që duhej të guxonte ishte komandanti i dy pararojave, Kamberi. Dhe ai vendosi. Çfarë vendosi? Vendosi të përdorte një tjetër mënyrë të fortë, që e kish përdorur edhe më parë në pritat dhe rrethimet e mëparshme: Të hidhej në sulm ballor njëherësh me dy skuadrat pararojë, me të gjithë forcën e armëve të zjarrit që dispononin, duke vënë në veprim gjithë dijenitë e tyre, gjithë shkathtësinë e tyre rinore, gjithë vitalitetin e tyre, nën zjarrin e fortë e vdekjeprurës të xhandaro-ballistëve.
Rruga më e mirë për të çarë vështirësirë është t’i biesh mespërmes. Dhe ashtu bënë. U hodhën në sulm ballor. Xhandaro-ballistët ikën nga sytë këmbët. Dhe shtegu u çel. Nëse ato kodrina nuk do të ishin marrë në ato moment, Brigada rrezik të mos e merrte në kohën e duhur qafën e Shkallës së Valit ashtu si e mori. Ai vendosi që ta udhëhiqte sulmin vetë. Dhe jo se dyshonte te partizanët e tij: Ai i njihte ata prej shumë muajsh, kish besim të plotë, por këtë “copë” të mirë, e cila shpëtonte Brigadën, si duket desh ta “merrte” për vete. Sa herë që i paraqitej rasti, e cila tregonte mprehtësinë e mëndjes së tij, zotësinë e tij, që t’i hapte një fushë të gjerë mëndjes dhe gjithë skuadrës së tij, ai dridhej i tëri nga ngashërimi. Nga e drejta e tij si komandant e komisar, ai e ngarkonte kurdoherë vetëveten me detyrat më të rrezikshme, pa e pyetur nëse kjo do t’i kushtonte edhe jetën. Ai nuk kudesej për veten e tij, atij i interesonte vetëm një çështje: detyra e tij. Në këtë moment ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte: u vra komandanti i pararojës së Brigadës.
Është një gjë e zakonshme që tërë këtë luftë në lagjen Peshk ta thërrasësh thjesht “ferr”. Kamberi shkoi drejt tyre si një i gjallë që del nga ai ferr. Dhe, pikërisht, në mes të këtij ferri qëllohet në shpinë Kamberi, pikërisht kur “në këtë moment kompania e parë e Batalionit të 1-rë kapi kodrat mbi urën e përroit të Çiçulit, – tregon Dalan Memushi-, në të cilën kishin zënë pozicion mercenarët e Ballit dhe prej nga shtinin pa pushim kundër nesh. Në këtë luftim mbeti i vrarë komunisti Kamber Sadiku, skuadërkomandant në kompaninë III, nga fshati Golëm i Kurveleshit. Kamberi ishte një ndër luftëtarët e vjetër të krahinës së Kurveleshit. Ishte arratisur nga ushtria italiane me gjithë mitralozin që mbante gjatë një operacioni ndërshkimor që ajo kishte ndërmarrë në dhjetor 1942 kundër krahinës së çliruar të Kurveleshit”.
Nga erdhi plumbi, që goditi Kamberin? Këtë na e tregon zv.komisari Bedri Gjegji në ditarin e tij: “Në këtë kohë, nga penxheret e nji shtëpije na vrasin Kamberin, shokun tonë më trim e më komikun nga të gjithë. Lajmi i vrasjes së tij na bani që ne të qajshim të gjithë. Në sulm si të tërbuar e me bomba e pushkë vramë 6 xhandarë tue dalë nga shtëpijat. I gjithë katundi kish dalë e na kish zanë prita.”
Batalioni III u hodh matanë përroit, dhe po ngjiste Shkallët duke hapur zjarr majtas e djathtas, ndërsa pararoja e Batalionit i vijoi sulmin në krahun e kodrës së djathtë, nga filluan të tërhiqeshin xhandaro-ballistët.
Kamberi ra dëshmor në minutat e para të orës së parë të asaj beteje 9 orëshe, në ditën e 13-të të atij marrshimi heroik. Ishte i 21-ti dëshmor në atë marrshim, i 12-ti dëshmor komunist i brigadës, prej inaugurimit të saj nga 76 të tillë, i 69-ti dëshmor i brigadës nga 372 që pati kjo brigadë gjithsej deri në fundin e luftës. Kamber Sadik Dinaj binte dëshmor pas 576 ditë luftë partizane; 271 ditë para se të mbrinte 29 Nëntori 1944.
Duke kujtuar këtë tabllo, nuk mundet njeriu të rrijë pa i bërë homazhe një trimërie të tillë. Jo më kot qau e gjithë Brigada kur u vra ky trim, sikundër tregojnë zv.komisari dhe komandanti i kompanisë së tij, Bedri Gjergji e Xhaferr Peçi, pasi nuk ishte hera e parë që Kamberi kish treguar trimëri të tilla. Ai sulmoi me tërë forcën e urrejtjes e të hidhërimit që kish zënë vend në të gjithë partizanët e Brigadës I, kur u gjendën përpara pamjes së dhimbshme të atij rrethimi të pa besë shqiptarësh kolaboracionistë.
Armiku nuk e priste atë sulm aq të menjëhershëm të asaj pararoje. Armiku ishte i bindur se me atë rrethim, duke e mbajtur Urën e Çiçulit, Brigada, për ata, ishte zënë si miu në çark; duke u mbajtur ura, mbaheshin në rrethim 450 partizanë; mbajtja e Urës nga mercenarët siguronte kohën e mjaftueshme për të arritur forcat gjermane dhe… shfarrosej Brigada e Parë.
Por… reaksionarët dështuan. Pse dështuan? Sepse nuk e dinin se me cilët kishin të bënin. Ata nuk e njihnin aspak armikun e tyre, Brigadën e Parë dhe pararojën e saj, që vërsulej drejt tyre, edhe pse sulmonin në kushtet më të vështira: nga poshtë – lart. Mercenarët i kishin bërë hesapet pa “hanxhinë”. Për këtë arsye ata nuk e kishin shkatërruar Urën, ndaj dhe nuk e kishin organizuar me aq kujdes shërbimin roje, si në fshatin Peshk ashtu edhe në Val. Prandaj u kapën tre herë në befasi: së pari, ishte Brigada që u doli në befasi në mes të fshatit, në kohën që ata nuk e prisnin, atëherë u zgjuan; së dyti, sulmi i menjëhershëm dhe i fuqishëm i pararojës dhe eleminimi i pritës te Ura e Xuxllit. Këto dy befasi mundësuan befasinë e tretë: kalimin e Urës nga Batalioni III, pa u dëmtuar, dhe kapja e Qafës së Shkallës para se të mbrinin e ta kapnin mercenarët e Valit. Në të kundërt, Brigada e Parë ishte asgjësuar. Befasitë e arritura si rjedhojë e shpejtësisë së kalimit në sulm dhe çlirimi i dy kodrave dhe kapja e Urës së Çiçulit me guxim, i krijuan Brigadës epërsi numerike: faktori kryesor që solli fitoren.
Lufta që u ndez në Shkallën e Valit dukej si një oshëtimë e tmerrshme e tokës dhe e qiellit, ku dallohej vetëm plasja e granatave dhe e bombave të dorës; ajo lutë të jepte përshtypjen se po përmbyseshin shkëmbinj dhe shtëpi të tëra. Koka u oshëtinte partizanëve si një goditje e fortë por me pak dhimbje. Një kaos i tërë zhurmonjës. Krisma granatash të ndezura flakë, zhurma, vajtje e ardhje partizanësh e xhandaro-ballistësh, shkëmbim fyerjesh. Dukej sikur qielli po zbriste në tokë me një vërshëllimë ngjethëse përherë e më shpejt, për herë e më me vrull. Toka dridhej. Bombat pëlcisnin përherë e më afër. Qielli i tërë po shkulej dhe lëshonte një shi të madh breshëri prej plumbash drejt e mbi partizanët e mbrojtur pas gurëve. Të gjithë e shikonin njëri-tjetrin të alarmuar e të ndezur sikurse ndodh në një betejë të papritur. Granatat i thyenin gurët si goditjet e qysqive e të varéve, ndërsa plumbat i shponin shkëmbenjtë si sqepi i zogjve. Tymi i hidhur i plumbave dhe i granatave po shtohej gjithnjë e më shumë. Në hijen e tij të vrenjtur e të hirtë, kthjelltësia e qiellit po zhdukej dalëngadalë. Një njeri që do të mund të shihte nga jashtë këtë mish-mash, por të mund të mos i dëgjonte ato zhurma, do të kujtonte se kish të bënte me një grumbull të marrësh, një grumbull i madh njerëzish që nuk ishin në vete dhe që pëpiqeshin në një kazan natyror në mes të një atmosfere të zjarrtë, ku nuk mund të merrje frymë. Ç’mrekulli fishekzjarrësh!, do të thoshte. Një pamje disi e bukur dhe prekëse, por vetëm se të bën gjëmën. Nuk merrej vesh nëse luftonin apo mbroheshin nga asgjësimi. Breshëritë e mitralozave të shurdhonin me të kolliturën e tyre të thatë. Sipër tyre ajëri përshkohej prej vërshëllimave dhe ulërimave të predhave që plasnin para, anash dhe prapa çdo partizani. Përpara tyre binte “shi” prej copra gurësh. Duket sikur nuk fishkëllenin flurudhat e plumbave e të coprave të granatave, por sikur ishte vet toka ajo që ulërinte. Duhej që të shihej nga afër për të kuptuar se këtu kishe të bëje me një lloj shregullimi të regulluar më së miri dhe se të gjithë ata që ishin grumbulluar kishin të drejtë.
E gjithë brigada u hodh në luftë. Këtu ishte e pamundur tërheqja. Të gjitha shtigjet e malit ishin zënë nga mercenarët. Nuk mund të mendohej edhe një sulm direkt prej kësaj grope gjigande shkëmbore. Një gjë e tillë do të kërkonte sakrifica shumë të mëdha, prandaj Batalionit të tretë ju dha urdhër që t’i ngjitej sa më shpejt Shkallës së Valit. Nuk kishte rrugë dhe as shtigje të tjera përveç ngjitjes me çdo kusht të asaj Shkalle. Ndoshta shumë prej partizanëve u shkoi ndër mend se shumë prej tyre edhe mund të vriteshin, por atyre u kish rënë një detyrë e madhe: Të qëndronin fort gjer në vdekje dhe të çahej me çdo kusht rrethimi. Kjo ishte ndërgjegja partizane e asaj Brigade. Dhe, meqenëse nuk kishin qëllim të tërhiqeshin, ata të Batalionit III i ngjiteshin përherë më lart Shakallës së Valit, ndërsa ata të batalioneve të tjera hidheshin në sulme të njëpasnjëshme mes këtyre katakombeve prej guri. Armiku kishte vendosur mitraloza të veçuar në vendet më të favorshme të mbrojtjes së tij. Me sa dukej, armiku ishte i bindur se shkëmbinjtë e mbronin në mënyrë të sigurtë, dhe se askush nuk mund të delte i gjallë apo të kërkonte shtigje nga ky rrethim me shkëmbinj e mitralozë.
Deti i zjarrtë shkëlqente, shpërthehej, duke vërtitur dallgët e nxehta. Fishekët gjurmëlënës fishkëllenin nga të gjithë shkëmbenjtë dhe nga dritaret e shtëpive të fshatit Peshk dhe dukej sikur era po sillte një shi shurdhonjës prej zjarri. Përvoja u kish treguar partizanëve se rreziku sa më i madh të jetë, aq më shumë e ndryshon njeriun. Këtë ata e kishin provuar shumë herë, sidomos gjatë atij marshimi, dhe atëherë ata e ndjenin se u zhdukej çdo ankth dhe nervat e tyre të ndezura jashtzakonisht ua mbushnin trupin me një forcë të madhe. Në ato çaste ata arrinin të kuptonin forcën e madhe që fshihej në trupin e tyre, forcë që nuk ndjehet në kushte të zakonshme, sepse kjo zgjohet vetëm përpara rrezikut të vdekjes. Atyre u dukej sikur tërë musklataura dhe vullneti i njëqind njerëzve të fortë përmblidhesh brënda një trupi të vetëm dhe sikur e ndjenin veten ngushtë brënda këtij trupi. Kjo bindje e çuditëshme nuk u shkëputej kurrë në minutat më të vështira të jetës së tyre në atë luftim. Herë-herë, atyre u dukej se nuk qenë ata që ishin rrethuar, që ishin mbyllur në atë katakomb të rrethuar me male shkëmborë, por përkundrazi, ishin rrethuar xhandaro-ballistët, ngaqë partizanët shkëmbenin thirrjet me njëri-tjetrin. Skuadra! Kompania! Batalioni! Brigada! A mundej partizani i Brigadës së Parë të ekzistonte pa brigadën? E pamundur, e pallogjikshme! Kur qëllonte secili partizan, secili e kish të qartë se atë krismë e dëgjonte e tërë skuadra, e tërë kompania, i tërë batalioni, e tërë brigada e tij e dashur.
Si kurdoherë, përpara se partizanët e dy pararojave të komanduara nga Kamberi, e Batalionit I dhe e Batalionit III, të hidheshin në atë sulm të rrezikshëm, ata u “përqafuan” me shikim, një gjest i shpejtë dhe si i inatosur. Ky zakon lufte bëhet i natyrisht, sepse në luftë njeriut i ndodh edhe të vritet dhe, në përgjithësi ka rrezik. Kamberi i pa me bisht të syrit edhe partizanët e tjerë të pararojave që u hodhën në sulm njëherësh me të, në të dy kodrinat. “Trimi nuk mundet të shkojë i vetëm përpara, frikacaku nuk mundet i vetëm të ikë pas. Ky është ligj i udhëheqjes së efektivit”, thotë Sun Xu. Asnjë partizan nuk qëndroi në vend. Të gjithë të krusur gjer në mes vraponin përpara dhe thërrisnin: “Përpara Brigad’ e Parë!” Kjo i dha kaq forcë Kamberit, saqë edhe një urdhër i vet Komandantit të Brigadës nuk do të mund ta ndalonte. -“Të marrim hakën e Kamberit!”, bërtiti një zë dhe ai njeri u lëshua edhe më përpara në mes të britmave dhe zhurmës së luftës. Kjo thirrje u dha energji të egër dy pararojave dhe gjithë Batalionit I e III, pasi emëri i Kamberit filloi të gjëmonte si një britmë lufte: “Të marrim hakën e Kamberit!”. Kazani shkëmbor gjëmoi nga britmat. I gjithë Batalioni i parë po rendëte dhe po kacafytej me xhandaro-ballistët, të cilët me sy të trembur vraponin paditur se ku të shkonin, ndërsa Batalioni III iu qep si macet shkallëve përpjetë. Qytat e pushkëve fishkëllonin në ajër dhe dëgjoheshin britma dhe rënkime të shumta. Rrethimi duhej çarë duke sulmuar nëpër shkëmbinjtë e papërshkueshëm. Partizani e urren mbrojtjen, pasi e quan bezdi të hapurit e llogoreve dhe qëndrimin gjatë në vend, futur në gropë apo prapa një guri. Sulmi. Ja, kjo është në luftë një gjë e mirë, thotë partizani. Vetëm kur sulmon dhe përparon, vetëm atëherë partizani e ndjen veten se jeton.
Në Shkallën e Valit u përleshën me njëri-tjetrin ata që nuk duhej të përlesheshin kurrë. Ata që vranë Kamberin, një urdhër i kish shndërruar në vrasës për gjithë Brigadën Partizane. Ai urdhër i kish bërë armiqë për vdekje kundër shqiptarëve çlirimtarë të rrethuar; pushkët mercenare të atyre lartë mbi shkëmbenj qëllonin kundër atyre poshtë shkëminjve, kundër partizanëve çlirimtarë! Nëse këta nga poshtë nuk do të mund t’i shpartallonin e t’i largonin mercenarët atje lartë, atëherë do të shfaroseshin këta poshtë nga ata lartë, nga mercenarët. Për këta poshtë ishte çështje jete dhe çështje kombëtare. Për ata lartë ishte çështje shpërblimi dhe çështje hitleriane. Interesa diametralisht të kundërta! Për këta poshtë çështja shtrohej: O jetë për Brigadën dhe Shqipërinë, o vdekje e të dyjave. Për ata lartë mbi shkëmbinj çështja shtrohej: O vrasim partizanët dhe marrim stërlinat, o na ikin partizanët dhe nuk fitojmë gja. Injoranca s’paska kufi!
Ata mbi shkëmbenj ishin të ngrënë dhe të veshur. Ata poshtë, të rrethuarit, ishin të zbathur, të xhveshur dhe zorrëthatë; më i lumturi prej tyre ishte ai që kishte disa thërrime buke misri në xhep.
Kujt i shëbente lufta që bënin ata mbi shkëmbinj? Atyre që i kishin urdhëruar për t’i zënë pritë kolonës partizane. Kush ishin ata? Bejlerët kolaboracionistë. Ç’fitonin kolaboracionistët? Moslargimin e hitlerianëve nga Shqipëria, kolonizimin e saj, e cila u garantonte të qenët sundimtarë të popullit. Lufta në mal është një luftë për të pushtuar shtigjet ose për të kapur shtigjet, e cila kërkon manovrim të shkathët në pikat më të vështira, në labirinthe të pakapërcyeshme për t’i bërë ata nga armiq në miqtë e tu. Dhe këtë e kishin bërë realitet mercenarët këtu, në Shkallën e Valit. Ballisto-zogistët, duke i pushtuar këto prita e këto shtigje malore, kishin kujtuar se kjo pengesë natyrore do të ishte e pakapërcyeshme nga Brigada e Parë. Por ajo Brigadë e kapërceu! Si? Kur marshonin, ata dukeshin pak, prandaj dhe zogisto-ballistët u trimëruan dhe u ngritën pusinë e rrethimit. Por, kur partizanët u shpërndanë sipas urdhërit të dhënë me zë nga Komandanti i Brigadës, kur u dëgjua krisma e pushkëve të tyre dhe kur filloi lufta, dukej sikur numëri i tyre u dhjetëfishua.
Kujt i shërbente sakrifica dhe mbrojtja që bënin ata poshtë të rrethuarit? Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Luftonin për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë; jetë ose vdekje e saj.
Lind pyetja: Si është e mundur që kreu i Shkallës nuk qe zënë qysh gjatë natës nga forcat xhandaro-balliste? Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep historiku i Brigadës së Parë: “Armiqtë qenë penguar prej një kohë, prej fshatarëve të Valit, të cilët kundërshtonin të zihej qafa nga do të kalonin partizanët. Ata i qenë kanosur njëri-tjetrit edhe me armë.” Intuita popullore nuk gabon kurrë. Rreth orës 16.00 të datës 3 mars 1944 e gjithë kolona kishte ngjitur Shkallën dhe të gjithë partizanët ecnin të zymtë, thuhet në historikun e asaj brigade. “E si mos të ecnim të zymtë! – shprehet komandanti i kompanisë së Kamberit, Xhafer Peçi, – Kamberi, përveç që ishte ndër më trimat e batalionit tonë, ai kishte cilësitë e një njeriu të dashur e të dhimbshëm, shumë simpatik dhe me një fizik atleti; shpërndante gjithmonë zgjuarsi dhe sinqeritet, i këngës dhe i shakasë, apo që e hidhte me gjithë shpirt vallen popullore, një propagandist dhe orator i rallë, jo vetëm para Batalionit, por edhe me popullin; e donim pikërisht sepse te Kamberi ne shihnim vetveten, fuqinë tonë; humori i tij gjallërues të bënte të shpërfillje çdo vështirësi, të cilin e përdorte atje dhe atëherë kur vihej në diskutim morali; nuk mbahet mend të ketë përsëritur dy herë të njëjtën shaka, dhe kurrë nuk qeshte vetë; shumë herë me shakatë e tij arriheshin ato që nuk mund të arriheshin me krrëfarë arsyesh; ishte edhe pjestar i teatrit partizan të Brigadës, ku rolet e ballistave, veçanërisht të komandantëve të Ballit, i qante, sa e tërë Brigada mekej nga të qeshurit. Ç’të të them, ishte i jashtëzakonshëm dhe i gjithanshëm. Për trimëri, të rrallë ishin ata që i viheshin në krah”.
“Kamberi, ende i ngrohtë e i pamposhtur, pa lëshuar mitralozin nga duart, bëri një përpjekje për të marrë një pozicion, por s’ia arriti dot., – vijon Sotir Andoni.- E mbuloi gjaku; u turbullua… Mori kurajo, bëri edhe një përpjekje tjetër kur i vajtën pranë dy nga shokët, por prapë s’mundi të ngrihej.. Gjaku i ridhte, plaga po i ftohej. “Më lini, më lini!, – u thoshte atyre… Ja… mbështetmëni këtu në këtë ledhin dhe vraponi, kapini, se ja ku janë të poshtërit, këtu pari… Shpejto se ikën!”-shkruan në kujtimet e tij bashkëluftëtari i Kamberit, Sotir Andoni. (f.237). “Duke manovruar me vrap, i shkoi atje për t’i lidhur plagën Haxhire trimja… Edhe dikush prej familjeve të shtëpive të afërta eci në atë drejtim e desh t’i ndihte, por s’i qaste… – Jo! Mirë jam këtu. Lermëni të prëhem këtu ku jam! … Vetëm shokët të më rrinë pranë!… Shokë! Shokë!… Haxhire, motra!, – thirri disa herë si i turbullt… Dua të vdes në duart e shokëve!… Osh e zvarrë të më tërhiqni dhe këtu në duar të të tjerëve mos më lini!.. Ose pritmëni sa të më dalë shpirti e më varrosni!… Shokë, nuk dua nga ju veçse një gjë, marshoni bashkë, mos u ndani kurrë!.. Merrini që tani të gjitha ç’kam me vete! Asgjë mos më lini! Hiqmëni këpucët dhe pallton, jepjani ndonjë shokut që s’ka!… Gjendia e tij shumë e rëndë, si dhe fjalët që thoshte i bënë të gjithë të preken thellë. – Nuk ka gjë, nuk ka gjë. Jemi në luftë edhe do vritemi!”, përfundon tregimin Sotir Andoni. Do ta mbyllja shkrimin me vargëzimin poetik të poetit Halek, që shkruan për “Marko Boçari”, por që përshtatet plotësisht me përshkrimin e shkruar për këtë ngjarje të Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare: “Të gjith’ luftuan me trimëri,/Pushtuesin turk e grinë, e korrë,/Armiqt’u vranë mizëri,/Po n’luft ra Boçar’i gjorë./Kur sokëllitën shokët “urra”,/ Dhe e shfaros’n hordhin’ mizore,/ Panë heroin që shpirt dha, /Me buz’ në gas për kët fitore. /I qetë, i qeshur mbylli sytë, /Sikur po lindej për her’ të dytë”. *
Kolonel ® Dilaver GOXHAJ
Ish-Ushtarak Madhor i Ushtrisë Shqiptare
Ish-Zv/Shef i Shtabit të UÇK-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura