Tiranë, 8. 7. 2016: Duke marrë shkas nga përgjigjia që z.Jakup Krasniqi i jep anëtarit të Institutit të Historisë Serbe, historianit serb Dr. Miomir Gataloviç, i cili përmes një shkrim të tij, botuar këto ditë në gazetën “Veçernje Novosti”, ku mundohet të mohojë faktin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389, po e plotësoj me atë çka shkruan një autor tjetër amerikan, i mirënjohuri Edwin Jacques, në librin e tij “The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic”, (botues Jefferson, North Carolina, 28640,USA), dhe përkthyer e botuar në Tiranë në vitin 1995 prej Fondacionit Abraham Linkoln.
Në Kreun 14 të këtij libri, (f.194-195), me titull: “Kërcënimi i turqve osmanë” dhe nëntitullin “Shtrirja e islamizmit”, midis të tjerave autori shkruan: “Islamizmi, lëvizja e madhe historike që kërcënonte Shqipërinë dhe Evropën në këtë periudhë , e kishte origjinën nga Arabia….Në vitin 1333 perandori i Lindjes, Androniku III, i frikësuar nga përparimi i turqve, i kërkoi ndihmë Papës, mirëpo nuk mund të pranonte kushtet e rrepta romake. Papa Benedikti XII i rihapi bisedimet me Andronikun, por gjithçka mori fund, kur më 1339, në Avinjon, ai i kërkoi dorëzimin pa kushte të ortodoksisë. Në vitin 1354 turqit e anashkaluan Kostandinopojën dhe u hodhën përtej Dardaneleve, në Evropë. Perandori i Lindjes, Gjon Kantakuzeni, i dha të bijën për grua emirit turk, Orhanit, dhe nënshkroi me të traktate të miqësisë së përjetshme (Gibbon 1860,6:230-233). Pas vdekjes së parakohshme të Orhanit, fronin e trashëgoi i vëllai, Murati I (1361-1389). Ai e caktoi kryeqytetin në Adrianopojë (ose Edrene), afër kufirit me Greqinë, dhe vuri nën sundimin e vet provincën e Trakës…. Ndërkohë turqit po marshonin në Ballkan, duke kaluar përmes Greqisë në Shqipëri. Mbizotërimi i anarkisë feudale bëri që ata të mos ndeshnin ndonjë qëndresë të efektshme.”
Dhe menjëherë vijon nëntitulli tjetër: “Beteja e Kosovës (1389)”, i cili vijon si më poshtë:
“Një koalicion antiosman i hungarezëve, bullgarëve, rumunëve, polakëve, serbëve dhe shqiptarëve, i kryesuar nga princi serb, Llazari, u ndesh me një ushtri turke dy herë më të madhe në fushën e Kosovës, afër Prishtinës, më 15 Qershor 1389. Aty morën pjesë edhe trupat e Gjergjit II Balsha të Shkodrës dhe të Teodor Korona Muzakës nga Berati. Ndonëse një shqiptar, i quajtur Milosh Kopiliqi, depërtoi deri në çadrën e Sulltanit dhe e vrau Muratin I, turqit arritën ta shkatërronin koalicionin ballkanik. Kjo disfatë e përgjakshme i hapi rrugën Sulltan Bajazitit, të mbiquajtur “Rrufeja”, për depërtimin e mëtejshëm në tokat shqiptare. … Fuqitë e krishtera patën rastin që t’i eliminonin turqit në vitin 1402, kur Tamerlani me tartarët e tij i mundi osmanët, deri atëherë të pathyeshëm, në Ankara. Trupat turke u tërhoqën nga të gjitha zotërimet e tyre në Evropë, me përjashtim të provincës së Adrianopojës… Sikur atë çast koalicioni i princave të krishterë të ishte bashkuar kundër Perandorisë Turke, ata me siguri do të kishin shkatërruar atë. Mirëpo familjet feudale zgjodhën rrugën e luftrave kundër njëra-tjetrës për zgjerimin e tokave të tyre dhe u ndeshën me Venedikun për të rimarrë qytetet e humbura”.
Lexoni librin: Edwin Jacques,“The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic”, (botues Jefferson, North Carolina, 28640,USA
https://books.google.de/books?id=IJ2s9sQ9bGkC&printsec=frontcover&hl=de&source=gbs_ge_summary_r&cad=0#v=onepage&q&f=false
Megjithatë historiani serb Miomir Gataloviç, nuk duhet ngarkuar me shumë faj, pasi nuk është as i pari dhe as i fundit historian serb, të cilët mbajnë vendin e parë në Ballkan për falsifikimin e historisë, gjë që e di gjithë shkenca botërore. Ky ves i njohur i tyre, që kërkojnë me ngulm heroizmin dhe një të kaluar të panjollosur të popullit të tyre, buron nga fakti se e kanë shumë të vështirë të pranojnë faktet; që do të thotë se as institucionet e tyre shkencore të kësaj fushe nuk janë emancipuar ende,ndaj vijojnë të vuajnë nga shovinizmi. Dhe kjo u ndodh ngaqë vuajnë nga ndjenja e kompleksit të inferioritetit para popujve të tjerë shumë më të lashtë se ata, prandaj dhe nuk i pëlqejnë popujt fqinjë dhe historinë faktike të tyre.
…………………………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)