DILAVER GOXHAJ: JEMI NË PRAGUN E BASHKIMIT KOMBËTAR, APO TË NDARJES KOMBËTARE VERI – JUG?!

(Tiranë, 03. 12. 2012) – Që të zgjatesh me argumente për urrejtjen anti Jug të Berishës dhe gjithë pasuesve të tij, është e kotë, pasi fshati që duket nuk do kallauz. Por ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë përçarje Jug-Veri është qëndrimi i gjithë personaliteteve kryesore të Kosovës që asistuan në atë 100 vjetor në Vlorë: Thaçi, Krasniqi, Jahjaga dhe Xh. Haliti. U duk ashiqare që këta zotërinj erdhën në Vlorë thjesht për të shoqëruar Berishën dhe ikën po me Berishën, gjë që do të thotë se erdhën për Berishën dhe janë me Berishën dhe jo me Vlorën e Pavarësisë. Personalitetet kosovare, nëse do të kishin ardhur për Vlorën e Pavarësisë, nderin e kishin të qëndronin në Vlorë dhe jo të ktheheshin në Tiranë pas Berishës, ose të iknin direkt për Prishtinë kur e panë qëndrimin antikombëtar të Berishës, Topallit dhe Nishanit. Por bashkimi vetëm me Berishën tregon se erdhën në Vlorë sa me thënë, sipas një proverbi Tiranas, “Më ka çu nana me lajt gojën”.
Këtë bashkësynim të tyre me Berishën e tregoi edhe fakti tjetër, ku duket se kemi një marrëveshje të fshehtë midis Thaçit dhe Berishës, pasi ai i pari na gjeti një kapso historian dhe menjëherë Berisha deklaroi: “Zbulim epokal!, Akti i Pavarësisë është firmosur në Durrës dhe jo në Vlorë!” Ç’tregon ky ngazëllim i Berishës, përveçse nxjerrjen haptas të urrejtjes kundër Jugut dhe si rjedhojë e asaj urrejtje bëri ato që bëri ditën e Pavarësisë, duke harxhuar miliarda Euro për ca lloj “monumentesh’ pa asnjë domethënie.

Madje, na thirrën edhe historianin Bernard J. Fisher, (autorin e librave, “Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945” dhe “Mbreti Zog dhe përpjkja për stabilitet në Shqipëri”), në ditën e 27 nëntorit, në një simpozium shkencor për 100 vjetorin e Pavarësisë, nga kapso historianët e Institutit Albanologjik, si kundërvenie ndaj aktivitetit të njëjtë të Akademisë së Shkencave, me qëllim që t’i hidhte edhe më shumë benzinë zjarrit të përçarjes, i cili gjoja paska dokumente, por pa autor, që tregojnë se ushtari i fundit gjerman është larguar nga Shqipëria në 4 dhjetor 1944 dhe jo në 29 nëntor! Kuptohet që po të shohim faturën e ftesës dhe shpërblimit që i është bërë zotit Fisher, dalim në përfundimin e paimagjinueshëm se edhe ky zotëri bën pjesë në ata historianë që, “kur vjen puna për paranë, ters e vërtit sherjanë”. Ai, pas asaj deklarate e kuptoi dhe vetë se fyejti vet Brnard Fisherin me atë deklaratë gënjeshtër dhe të nesërmen na dha dy tre intervista, duke u munduar ta lante mutin me shurrë, gjë që nuk mund ta regulloi më imazhin që ai kish patur në Shqipëri deri dje. Të qe rasti i parë i këtij lloj qëndrimi i z. Fisher, edhe mund të mendonim se ishte një lajthitje e tij, por të njëjtën gjë ka bërë edhe me rastin e 80 vjetorit të vetshpalljes së Zogut Mbret, në 2008, i ftuar nga familja e tij, z. Fisher na dha një intervistë në TV Klan, e quajti Zogun “shtetari më i zoti që ka nxjerrë ky popull”, gjë që bie në kundërshtim me atë çka ka shkruar në librin e tij: “vendi (nën regjimin e Zogut, D.G) që jetonte në varfëri të madhe, administratë e urryer dhe e korruptuar, si dhe në moçal ekonomik të përhershëm..” (f.276).
Vepra tjetër që bëri Berisha me shtetarët kosovarë, që çon ujë në përçarjen, është shkuarja në vorrezat e dëshmorëve në datën 28 nëntor dhe jo në 29 nëntor, sikundër është caktuar me ligj, si dita e çlirimit të Shqipërisë dhe e rifitimit të Pavarësisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Por, do të pyesi dikush se pse bëhet kjo? Kjo bëhet ngaqë Lufta Nacionalçlirimtare i ka fillesat e saj gjigante në Jug dhe se formacionet e shumta partizane ishin nga Jugu dhe se në krye të asaj lufte ishte po Enveri nga Gjirokastra. Mirëpo të mohosh atë luftë do të thotë se je profashizmit dhe kundër populli shqiptar që dha 28 000 dëshmorë. Dhe sot, në datën 29 nëntor, për këtë veprim të tij antu LANÇ-it, u justifikua duke thëhë: “Unë jam kryetar i një partije që ka programin e saj për këtë qëllim”, duke harruar se është kryeministër i Shqipërisë dhe jo i principatës së partisë së tij politike. Nëse është kështu, atëherë ai nuk duhej ta pranonte detyrën e kryeministrit,mose le ta shpalli Shqipërinë pjesë të Mbretërisë Italiane, sikundër e shpalli Musolini.
Një dukuri tjetër interesante, që të bën të bindesh se edhe Thaçi me suitën e tij i bien kavallit të përçarjes njësoj si Berisha e Topalli, është edhe fakti që në Vlorë dhe në Tiranë u shpallën qytetarë nderi gati mbi 30 qytetarë të Kosovës (të gjallë e të vdekur), sidomos të UÇK-së, ndërsa nga asnjë qytet i Kosovës dhe as nga Presidenca e saj nuk u nderua qoftë edhe një dëshmor i UÇK-së nga radhët e vullnetarëve nga Republika e Shqipërisë, nga radhët e të cilëve, 148 vullnetarë, kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës mbi 30 dëshmorë. Të jetë pakujdesi? Të jetë harresë? Jo, pasi këto nderime në Shqipëri u bënë publikisht përmes mediave, por është thesht mosmirënjohje që çon ujët në mullirin e përçarjes.
Prandaj shtrohet pyetja: Jemi në pragun e bashkimit kombëtar apo të ndarjes kombëtare Veri-Jug?
Përgjigjen më të mirë të kësaj dileme ka për ta dhënë koha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura