DILAVER GOXHAJ: NGA KUSH DHE PSE SULMOHET ALBIN KURTI?!

Tiranë, 02. 12. 2015: Kundërshtimet e njëpasnjëshme të opozitës politike në Kosovë ndaj dy marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe Malin e Zi, të nënshkruara prej Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafës dhe zevendësit të tij, Hashim Thaçit, (ky edhe Ministër i Jashtëm), kanë muaj po zënë kohën më të shumtë të mediave vizive dhe faqet e mediave të shkruara shqiptare si dhe të portaleve elektronikë shqip, në të katër shtetet: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ajo që bie më së shumti në sy është fakti se në masën mbi 90% e komenteve, analizave televizive, opinioneve, debateve të këtyre mediave janë jo kundër krejt opozitës politike kosovare, por kryesisht kundër Lëvizjes Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë kundër ish themeluesit të kësaj lëvizjeje, kundër Albin Kurtit, të cilin policia e Kosovës e arrestoi në ditën simbol të kombit shqiptar, në 28 Nëntor 2015 pas një mitingu madhështor popullor në mbështetije të kësaj opozite. Arrestimi i Albinit u bë në mënyrën më harbute, duke vepruar policia e Hashimit dhe e Isës dhjetra herë më urrejtshëm se policia shqiptaro-serbe e viteve 1981-1982. Këtë e shprehin me dhjetra ish të dënuar politikë të Kosovës për ato ngjarje të viteve 1981-1982 e më pas, e në mënyrë të veçantë akademiku shqiptar me autoritet ndërkombëtar, Rexhep Qose. Madje ai arrestim i Albin Kurtit në zyrën e tij të partisë u bë duke angazhuar qindra forca policore, që as Serbia nuk angazhoi më shumë kur rrethoi e vrau ilegalët te Kodra e Trimave (Kodra e Diellit). Dhe këtë Qeveria e Kosovës e bëri me qëllimin e ulët që ta frikësojnë sa më shumë popullin shqiptar të Kosovës, për të mos kundërshtuar gjithfarë vendimi që merr kjo qeveri, me nëntekstin: ne nuk duam të dimë as për simbolet kombëtare e as për interesat kombëtare kur është puna për mbajtjen epushtetit; që populli ta kuptoi se kjo qeveri është gati edhe për luftë civile po qe nevoja se i rrezikohet pushteti.
Por ajo që të shqetëson më së shumti është se kundër Vetvendosjes dhe Albin Kurtit është bërë dhe po bëhet një propagandë tepër intensive, e gënjeshtërt, fyese dhe denigruese, edhe në Tiranë, për të mashtruar mbarë opinionin shqiptar, këtej e andej kufijve tanë. Këtë sulm kundër Albinit e pamë edhe në dy artikujt e gazetarëve Mero Baze dhe Bedri Islami të nesërmen e arrestimit të Albin Kurtit. Mero Bazes opinioni i shëndosh shqiptar ia merr me rezerva ato çka ai shkruan për Albinin, pasi dihet që Merua me gazetën e tij ka qenë armiku më i madh mediatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndoshta edhe më i ashpër se shtypi serb; prandaj ai nuk ka se si të shkruaj ndryshe, ngaqë Albini ka qenë zëdhënësi i Komisarit Politik të UÇK-së, Adem Demaçit.

– Albin Kurti, Bedri Islami dhe Mero Baze –

Por të befason rreshtimi kundër Albinit i gazetarit Bedri Islami, i cili në periudhën Maj 1998-Gusht 1999 ka qenë edhe Kryetar i LPK-së! Natyrshëm të lind dyshimi se pse z.Bedri u pozicionua kështu, apo është i ndikuar nga disa deklarata të herëpasherëshme të Hashim Thaçit, duke thënë: “Vetvendosja dhe Albin Kurti janë armiq të Kosovës”; apo është i ndikuar nga deklarata në emër të Partisë Demokratike, e deputetit të saj Bekim Haxhiu (Kamishi), në 29 janarin e këtij viti, se Albin Kurti është agjent i Serbisë; apo është i ndikuar prej deklaratës së para disa javëve të mikut të tij, Xhavit Halitit, se “Albin Kurti është Neroni i Kosovës”?! Këto është mirë të na i shpjegoi vetë. Kuptohet se z.Bedri qëllon me dorashka, për t’u dukur si shumë objektiv, kur thotë se “Albin Kurti, duke qenë i heshtur, nuk e kam përkrahur, jo sepse kishim ndryshime, por ajo që më stepte ishte mendimi i shfaqur bujshëm se, vetëm pas Vetvendosjes fillon diçka e drejtë në Kosovë”. Me këtë deklaratë, z.Bedri kërkon që t’i heqë edhe ai përkrahjen Albinit sa më shumë në Shqipëri. Por gabon, pasi dihet që Vetëvendosja është themeluar disa vjet pasi mbaroi lufta! Mos vallë kjo mospërkrahje e Bedriut ndaj Albinit ka filluar kur Albini pranoi të ishte zëdhënësi i Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, Adem Demaçit, në Gushtin e vitit 1998? Shprehja e tij evazive për mospërkrahje të Albinit, këtë gjë të lë të kuptosh. Njëkohësishtë do të ishte mirë që z. Bedri të qartësonte në atë analizë disi më mirë se cilët janë shkaqet që Vetvendosja reagoi kaq ashpër.
Edhe z.Bedri, edhe të gjithë analistët e opinionistët e mediave shqiptare, (përjashtuar portalin e “pashtrikut” të drejtuar nga Sheradin Berisha dhe ai i “radiokosovaelire” të drejtuar nga Ahmet Qeriqi), deri tashti janë marrë me analizën e pasojës, të mënyrës së veprimit të Albinit, dhe jo të shkakut pse ka vepruar ai dhe gjithë Vetëvendosja në këtë mënyrë. Filozofia na mëson se pasoja është kondicion që lind nga shkaku; ajo na mëson se lidhjet shkakësore kanë karakter objektiv si në natyrë, ashtu edhe në shoqëri dhe në mendimin njerëzor. Të mos analizosh shkakun e lindjes së këtij reagimi të opozitës me në krye Albinin, do të thotë se këta zotërinj nuk e shikojnë shkakun dhe pasojën si dy momente që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin e që janë në unitet; do të thotë se bëjnë trajtim vulgar me qëllim që ta reduktojnë në një formë sa më të thjeshtë lidhjen shkaksore të kësaj veprimtarie të opozitës në Kosovë.
Lind pyetja: Ku e kanë qëllimin e këtij pozicionimi të gjithë këta që sulmojnë Albin Kurtin? Dihet se, goditet me gurë vetëm pema që ka kokrra. Dhe qëllimi i hedhjes të këtyre gurëve masiv kundër “pemës” Albini është: që ta njollosin sa më shumë atë dhe Vetëvendosjen, ngaqë është opozitari më i pastër moralisht, më i pakorruptuari dhe, si i till, kanë frikë se nesër mund t’u marrë pushtetin; dhe, po e mori ai pushtetin nuk kanë mundësi ta sakrifikojnë Kosovën për interesa pasurore, ngaqë favorizojnë Serbinë dhe Perëndimin. Gjithë kjo armatë kundër Albinit shfrytëzon mjeshtërisht difektin kryesor të pluralizmit, mungesën në popull të ndërgjegjes së harmonisë organike. Duke shfrytëzuar këtë difekt të pluralizmit, e për t’u bërë të besueshëm në akuzat e tyre kundër Albinit, lukunia e “analistëve” i ngre atij tri “akuza”. Dhe cilat janë këto tri “akuza”?
Së pari, i ngrenë faktin, se “Albini, edhe pse udhëhoqi një luftë kundër hyrjes së mallërave të huaja në Kosovë, ai vetë u martua me një të huaj”. Por kjo “akuzë” është si një godinë e ndërtuar mbi rërë, pasi Albini dhe Vetëvendosja ishin dhe janë kundër hyrjes së mallrave serbe në Kosovë dhe jo kundër çdo lloj mall të vendeve të tjera. Po qe se Albini do të vuante nga kozmofobia, nuk do qe martuar me një vajzë joshqiptare.
Së dyti, sikundër shprehet edhe Bedri Islami, “edhe opozita e sotme e kishte përzgjedhur fillimisht Isa Mustafën, (pinjollin e Rrahman Morinës), fillimisht si Kryetar Kuvendi e më pas si president, kështu që në këtë spektër nuk janë larg njëra-tjetrës, as qeveria e sotme e as ajo që synonte të ishte në pushtet”. Edhe në këtë rast kërkohet që me gjysëm të vërteta të mashtrohet opinioni e të urrehet Albini. Por e vërteta është që: Vetëvendosja me në krye Albinin deklaruan se do të ishin në mbështetje të koalicionit qeveritar Haradinaj + Ftmir Limaj + Isa Mustafa, por Vetëvendosja nuk do të merrte vetë pjesë në këtë qeveri. Por gazetarët dhe analistët këtë fakt nuk duan ta thonë.
Akuza e tretë është: “opozita nuk duhet të përdorte gaz lotësjellës në Parlament”. Në pamje të parë kjo akuzë duket se është e drejtë, por shtrohen pyetjet retorike: Kë “helmoi” me gazin lotësjellës në Parlament ky Albini kur edhe vetë nuk u largua nga salla e Parlamentit? Cilët janë këta që u “rrezikoi jetën” Albini me sprain lotësjellës? A janë ata që pranuan të ngrenë Gjykatën Ndërkombëtare të Posaçme kundër të gjithë atyre që e reshtuan në radhët e UÇK-së dhe që, çuditërisht nuk pranuan që të dalim para kësaj Gjykate asnjë nga kriminelët serbë të Kosovës dhe kosovarët që bënë krime kundër shqiptarëve?! Kush është helmimi i vërtetë në këtë rast, helmimi shpirtëror i përjetshëm i një populli, apo një gaz lotsjellës kundër varmihësve të një ushtrie çlirimtare? A e dinë këta “analistë”, “gazetarë” dhe “opinionistë” se të presësh në besë tërë një popull që të ka dhënë votën për t’i ruajtur sovranitetin dhe pasurinë kombëtare dhe ty nga ana tjetër ta vjedhësh e pasurohesh si dhe t’ia falësh të huajve territoret e këtij shteti, pa e pyetur popullin? Kështu bëri edhe Ahmet Zogu me disa fshatra të Vermoshit dhe me Shën Naumin, prandaj është damkosur si tradhëtar. A është tradhëti një veprim i tillë, duke i falur Malit të Zi gati 10.000 hektarë territor nga i Kosovës? Po krijimi nga Qeveria aktuale e një minishteti serb brenda në Kosovë, përmes Zajednicës, pa pyetur Parlamentin, në kundërshtim dhe me Nenin 60 të Kushtetutës së Kosovës, a përbën tradhëti? Pse nuk u bë edhe kjo me referendum, ngaqë cënohet Kushtetuta? Dhe, mos harrojmë se, një prej kërkesave të opozitës është referendumi. A është helmim i ndërgjegjes kombëtare kur vjedh pasuritë e popullit për t’u pasuruar vetë si pushtetar dhe e detyron popullin të braktisë atdheun? A e dinë këta diplomatë, politikanë, analistë e gazetarë që sulmojnë Albin Kurtin se korrupsioni i qeveritarëve përbën tradhëti kombëtare? Apo kanë lëpirë edhe këta ndinjë kockë prej atyre vjedhjeve galopante të qeveritarëve dhe tani u ngrenë himne! Ja, kundër këtyre akteve antikombëtare ka reaguar Albin Kurti. Jo më kot Viktor Hygo ka thënë: “Në politikë tradhëtia është ashtu sikurse kama në armatimin e përgjithshëm të ushtarit”.
Akuza tjetër kundër opozitës dhe kundër Albinit është: “duan të marrin pushtetin… Të qëndrosh gjatë në opozitë, kur e ndjen veten se je i aftë të qeverisësh, është gjë e rëndë për njerëzit e politikës”. Po, është e vërtetë që opozita lufton për marrjen e pushtetit, por, në këtë rast, opozita në Kosovë nuk e bën këtë reagim të ashpër thjesht për pushtet. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë Qeveria dhe mazhoranca aktuale do t’ia prisnin opozitës hovin e këtij “sebepi”, duke i anulluar këto dy marrëveshje antikushtetuese që kanë bërë me Sërbinë, apo jo?
Dhe, që të rreshtohet i gjithë opinioni shqiptar kundër Vetëvendosjes e Albin Kurtit, e gjithë armata e mediave shqiptare hedhin “argumentin”: “Të gjithë ndërkombëtarët janë kundër kërkesve dhe veprimeve të opozitës”. Po, kështu janë deklaruar të gjithë ambasadorët e atjeshëm. Mirëpo vetëm naivët nuk e dinë se këto dy marrëveshjet, si dhe Gjykata Speciale janë nxitur nga këta ndërkombëtarë sepse duan që ta marrin me të mirë Serbinë që ajo të shkëputet përgjithmonë nga Rusia, (kështu dhe Mali i Zi), dhe për këtë s’e kanë për gjë të sakrifikojnë Kosovën dhe territoret e saj. Cili ka më shumë rëndësi për Perëndimin në Ballkan, Kosova apo Serbia? Nuk mund të mohohet fakti që Perëndimi ndihmoi në shkëputjen e Kosovës nga Serbia, por, duke e parë nën këndin e atyre çka po ndodh aktualisht në Kosovë, del se gjetkë e kanë pas hallin: ta përdornin Kosovën më vonë për presion ndaj Sërbisë që ajo të shkëputet nga Rusia, dhe Rusia të largohet një herë e mirë nga Ballkani, duke sakrifikuar Kosovën. Jo më kot ndërkombëtarët shprehen përmes “analistve” të shumtë shqiptarë: “Ata na çliruan”. Pra, Perëndimi ka hallin e vet dhe jo tonin; dhe kjo s’është diçka e re. Por edhe PDK, edhe LDK shikojnë hallin e vet dhe jo interesat e Kosovës. Jo më kot shkrimtari i madh gjerman, Erio Remark thotë: “Në pluralizmin politik, partitë politike i sakrifikojnë interesat kombëtare kur bëhet fjalë për interesa partiake”. Cili është interesi i partive politike? Pushteti, i cili për ato nuk është mjet, është qëllim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura