DILAVER GOXHAJ: POLITIKANËT ME MENTALITET TË NJË FSHATARI MESJETAR PRISHIN NJË SHTET

Tiranë, 7 Prill 2020: Duke ndjekur zhvillimet politike në Kosovë këto gjashtë muaj, prej 6 tetorit 2019 e deri sot, veçanërisht debatet e zhvilluara në seancat parlamentare të 3 shkurtit dhe 25 marsit 2020, kur u miratua dhe kur u rrëzua Qeveria Kurti, si dhe tentativat politike që po bëhen nën udheheqjen e presidentit Thaçi këto ditë mes udhëheqjeve të partive të koalicionit PLAN, bashkuar padallim kundër Vetëvëndosjes, nuk di pse m’u kujtua romani i Balzakut, “Fshatarët”, me të cilin ai kërkon të na thotë, se kur shteti drejtohet nga një kastë politike me mentalitet fshataresk të shekullit XV, ata prishin jo vetëm një komunë, por edhe një shtet.
Sikundër dihet, për këtë roman Balzaku ka punuar 8 vjet resht dhe megjithatë nuk arriti ta botonte të plotë sa ishte gjallë. Kjo, për të vetmen arsye, se iu desh shumë kohë për të kuptuar e zbuluar përkohësinë e aleancës midis fshatarëve dhe borgjezisë provinciale. Faktikisht edhe klasa aktuale politike në Kosovë s’është gjë tjetër veçse një borgjezi provinciale, (bazuar në origjinën dhe mentalitetin e saj), të përkohëshme e pati aleancën me shumicën e popullit, vetëm 20 vjet.
Kjo aleancë u tregua e përkohëshme për faktin se shtresa parazitare e politikanëve në Kosovë, ka më se 20 vjet që pasurohet në mënyrë kapitaliste, duke u kthyer në armike të popullit të varfër. Kjo ndodhi për faktin se kjo shtresë, me shumë pak dallime, nuk është larguar ende nga mentaliteti i saj fshataresk mesjetar, duke filluar nga presidenti Thaçi.
Po t’i marrësh në analizë një për një, të gjithë kryetarët e partive parlamentare të pasluftës na rezulton se janë të ardhur në politikë direkt nga fshati, pa u bërë ende qytetarë, dhe falë pushtetit politik që kanë pas këto 20 vjet, janë shndërruar në borgjezë.
Po si është e mundur kjo gjë?, do të shtroi pyetjen gjithkush që e lexon këtë shkrim.
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: ata nuk janë çliruar ende nga mentaliteti fshataresk i kohës së Turqisë, të cilën e kanë treguar me nepotizmin e jashtëzakonshëm, duke e mbushur administratën shtetërore e politike me farefisninë e tyre. Nuk është turp aspak të jesh fshatar apo me origjinë nga fshati, apo edhe të jetosh në fshat, pasi përfshi dhe autori i këtij shkrimi është me origjinë nga fshati. Por është turp që të pretendosh se je intelektual apo udhëheqës i një force politike dhe të mbetesh ende me mentalitet fshataresk të tipit mesjetar.
Dhe atë mentalitet prej fshatari mesjetar të shek.XV e pamë në mënyrën më të theksuar e më qartë në seancat parlamentare të 3 shkurtit dhe 25 marsit, ku e treguan në mënyrën më arrogante e tepër fyese atë mentalitet prej fshatari mesjetar pothuajse tek të gjithë ata deputetë që folën në të dy ato séanca. Atje pamë sesi ata manifestuan mentalitetin e fshatarit të vogël, i cili shprehte pa droje e me fyerje udhëzimin arrogant të kryesisë së partisë së tyre, kundër një qeverie që, edhe pse 50 ditë ishte për herë të parë në pushtet, e akuzuan si autoren e gjithë padrejtësive të bëra për 20 vjet nga partitë e tyre! Gjithë atë vulgaritet që treguan ata diskutantë dhe udhëheqësit e tyre si në datën 3 shkurt, kur u njoh qeveria Kurti, edhe gjatë seancës për mocionin, duke përdorur fjalorin më banal që ata zotërojnë, përfshi edhe presidentin Thaçi dhe kryetarin e LDK-së, treguan se nuk kanë asnjë lloj kostoje morale. Vetëm fyerjet nga nëna munguan. Vetëm një fshatar i pakultivuar nuk e ka merak këtë gjë, prandaj dhe na shkoi mendimi t’i kthehemi së lexuari romanit në fjalë të Balzakut.

Në të dy ato seanca parlamentare, në njërën anë u pa borgjezia e re fshatare e veshur me mantelin e deputetit, pothuajse të gjithë të pasuruar nga të qenët në politikë e pushtet, por që kuptohet se zenë një vend të ndërmjemë; në anën tjetër pamë deputetët e Vetvendosje! dhe tre deputetët e LDK-së me në krye Kryeparlamentaren Vjosa Osmani, të gjithë intelektualë të rinj, duke folur me kulturë, dhe kjo ngaqë të gjithë janë me universitet të kryer regullisht në Kosovë ose jashtë saj, në Perëndim.
Karakteristike ishte se deputetët me mentalitet fshataresk të papërpunuar plotësishtë si intelektualë, nuk qëndruan në sfond, por kishin zenë vendin qëndror në ato diskutime duke luajtur rolin vendimtar në rrrëzimin e qeverisë Kurti.
Në ato séanca ndodhi një përputhje interesante midis atyre séancave dhe asaj çka përshkruhet në kapitullin “Armiqtë ballë për ballë” në romanin e Balzakut. Në ato séanca u manifestua thellësia e antagonizmit për jetë a vdekje që i ndan Vetëvendosje! nga partitë e tjera nepotike dhe të korruptuara deri në imtësitë jetësore. Me sa pamë, ai është një antagonizëm që nuk ka për t’u shuar derisa edhe në partitë që përbëjnë koalicionin PLAN të vinë drejtues me kulturë qytetare; antagonizëm, i cili nuk mund të mbulohet me vellon e demokracisë së rreme. “Mund të pajtohen dy familje që janë vrarë e prerë midis tyre, – shprehet Balzaku në këtë roman-, por nuk mund të pajtosh grabitësit dhe njerëzit e grabitur, si dhe shpifësit dhe ata për të cilët shpifin. Në qoftë se vegjëlia nuk ia fal atyre që qëndrojnë sipër tyre, si është e mundur që batakçiu t’ia falë një burri të ndershëm?… Kjo është lufta e parasë, e cila është më e vështirë se lufta e zakonshme. Atje mund të vrasësh njerëz, po nuk vret interesa”.
Si është e mundur që ballafaqimi midis Vetëvendosjes! dhe këtyre partive me stazh të gjatë qeverisës të ketë mbritur në këtë lloj antagonizmi?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: Sepse udhëheqjet e forcave politike LDK, PDK, AAK dhe NISMA janë mësuar ta rrjepin popullin, duan të ruajnë me çdo kusht të drejtat e jashtëligjshme që ia kanë përshtatur interesave të tyre; ngaqë e shohin se rinia që kërkon shtetin ligjor “e urren çdo tradhëti, – sikundër thotë Balzaku, – si dhe njerëzit që kurdisin çdo lloj intrige”; ata e urejnë këtë rini ngaqë ajo kërkon barazi në jetë, paqe, po jo paqe me shpinë të kërrusur dhe me kokë të ulur, jo paqe nën zgjedhën e despotizmit të kësaj klase politike 20 vjeçare. Kjo arrogancë e kastës 20 vjeçare politike me mentalitet fshataresk mesjetar bëhet sepse kërkon ta ruajë këtë pabarazi, “sepse, – sikundër thotë Balzaku,- pabarazia sundon ligjin, sundon në zbatimin e dënimit me vdekje”. A ndodhi kështu me Astrit Deharin e po ndodh me Murat Jashar Kumanovën? Shembujt e shumtë në këtë drejtim nuk mungojnë.
Kjo tregon se, udhëheqjet e partive që kanë sunduar tash e 20 vjet janë acaruar ndaj kësaj rinie, ndaj dhe luftojnë me të gjitha mënyrat kundër brezit të ri në politikë i përfaqësuar nga LVV dhe disa deputetë intelektualë të LDK-së; janë acaruar se u ka humbur qetësia ngaqë po e kuptojnë se janë të paracaktuar të dështojnë; janë acaruar ngaqë nuk i përshtaten dot shtetit ligjor që nisi prej ditës së parë Qeveria Kurti duke njoftuar popullin se do të verifikohet pasuria e çdo politikani, gjë që ata i tmerroi. Kësaj klase politike në ikje nuk është inteligjenca, as vullneti i ndjenjave ato që i mungojnë, por, duke pasur në duar pushtetin dhe pasurinë, atyre u shkon fjala në parlament, në gjykatë e në prokurori, duke u bërë kështu xhelatë të çdo gjëje progresite që nuk pajtohet me interest e tyre.
Me diskutimet e tyre në ato seance, sidomos kryetarët e grupeve parlamentare të AAK, PDK, NISMA e LDK, ata ua hoqën aureolën fallco udhëheqjes së partive të tyre, edhe nëse u kishte mbetur ende ndonjë virtyt njerëzor, apo ndonjë pasion, qoftë edhe të egër, por që tashti në shpirtin e tyre ka vetëm zbrazësi. Kur u numëruan votat pro mocionit dhe rezultoi se 70 % ishin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, të 85 deputetët si dhe presidenti Thaçi dhe Isa Mustafa patjetër që do të kenë lëshuar një psherëtimë kënaqësie e, po t’i shihte ndokush, do të kuptonte se ata shpëtuan nga një qeveri, që i bënte t’i vriste ndërgjegjja.
Ata deputetë që diskutuan, me atë mënyrë të foluri dhe së votuari, me ato diskutime që bënë dhe me ngritjen e dorës për mocionin, korrën dy fitore: përfituan të qenët në lista për deputetë edhe në zgjedhjet e ardhëshme si dhe siguruan mundësinë e rimarrjes në duar të qeverisë nga partitë e tyre pa prezencën e këtyre “antiamerikanëve”; por, duke qenë me mentalitet fshatar i pakultivuar, nuk e kuptuan se votuan për jetëgjatësinë e korrupsionit dhe varfërimin thellë e më thellë të popullit në Kosovë. Prandaj me të drejtë Balzaku ka dalë në përfundimin: Fshatarët prishin një shtet.
Gjithashtu, në ato seanca si dhe në reagimin e popullit kundër atyre seancave me të cilin u bashkua dhe gruaja e ambasadorit Kosnett, pamë, se në mos sot nesër kjo rini e kulturuar e përfaqësuar nga ata që votuan kundër mocionit, do të vijë në pushtet. Prandaj kasta aktuale politike në krye të LDK, PDK, AAK, NISMA etj., u hodh në sulm frontal me të gjitha forcat duke vënë në lëvizje të gjitha mediat në Kosovë, pa mbajtur asnjë rezervë. Në këtë sulm u shfaq më së miri mentaliteti i tyre mesjetar fshataresk, me shpresën që ta vonojnë sa më shumë të jetë e mundur marrjen e pushtetit nga kjo rini e angazhuar në politkë, më synimin të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë nga pasuria që kanë vjedhur. Këtë sinjal ua dha populli në 6 tetor 2019, i cili u shpreh me votë kaq të avancuar për këtë rini, të cilën ia diktoi logjika e jetës.
Edhe këtë dukuri e shpjegon Balzaku te ky roman: “Ky solidaritet i vegjëlisë kundër zotërinjve shpjegon atë heshtjen kuptimplote që mbajti shërbërtori Sharl për gjeneralin Monkorne: gjeneralit nuk i beson më fshati Kush”.
I vetmi superioritet që kanë udhëheqësit e partive të koalicionit PLAN ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të Vetëvendosjes si dhe ndaj Vjosa Osmanit dhe dy deputetëve të tjerë të LDK-së, superioritet të cilin e pamë në ato dy seanca, është dinakëria tipike fshatare, dhe kjo veçori e tyre është në funksion të një vesi: të lakmisë për pasuri e pushtet; është hipokrizia e tyre e pashoqe, të cilën e kanë në gjak dhe e manifestuan edhe në datën 4 prill, duke i “qarë hallin” Veriut të Kosovës, ku dihet që janë ata vetë, të cilët nuk e lejuan marrshimin e madh popullor në verën e vitit 1999 për bashkimin e Veriut me Jugun e Mitrovicës, janë ata që lejuan ngritjen e monumentit të Car Llazarit atje etj; ata dinë të shfrytëzojnë propagandën, trillimin, mediat, televizionet dhe drejtuesit e emisioneve të tyre, analistët e korruptuar e ata “të pavarur”; ata dinë të manipulojnë edhe shtresën e varfër për t’i hedhur kundër inteligjencës së kategorisë Albin Kurtri e Vjosa Osmani, duke hiperbolizuar me tendenciozitet shpifjen e tyre për gjoja antiamerikanizmin e kësaj klase të re politike në rritje e sipër, edhe pse e dinë se shumica e kësaj rinie revolucionare kanë studjuar në SHBA!, duke treguar në këtë mënyrë një idiotizëm tipik të një fshatari mesjetar. Ata janë ngjashëm si personazhi i Balzakut, Riguja, të cilët njësoj sikundër Riguja që shfrytëzoi revolucionin e vitit 93 për t’u pasuruar, edhe këta u pasuruan duke e përdorur luftën çlirimtare për qëllimet e veta grabitqare; prandaj nuk e tepërojmë aspak nëse i karakterizojmë njësoj siç e karakterizon Rigujanë personazhi tjetër i atij romani, Zhan-Luis: “Riguja mund të shesë kë të duash… ai ështrë më i rrezikshëm se vetë djalli”. “Revolucionet popullore – shprehet më tej Balzaku – s’kanë armiq më të tmerrshëm sesa ata që janë ngritur e kanë përfituar në sajë të tyre… Nga këta hajdutë duhet të ruhesh më tepër sesa nga armiku në luftë”.
Një fakt tjetër kuptimplot që na jep të drejtën të shprehemi se udhëheqja e kësaj klase politike përfaqëson fshatarin mesjetar të shek.XV, të përshkruar nga Balzaku, është blerja prej saj e dhjetra e qindra hektarëve tokë arë e kullotë dhe ngritja e kështjellava të stilit të feudalëve të dikurshëm, si në fshat dhe në Prishtinë, duke e kthyer shikimin nga shekulli XV, kohë kur sundonte vetëm gënjeshtra. Me këtë mënyrën e tyre të jetuari duket sikur kërkojnë të na thonë, se lufta çlirimtare 1997-1999 na paska qenë një revolucion antifeudal. Ç’tregon kjo nostalgji e tyre për të kaluarën mesjetare, sikur kanë lindur sundimtarë?! Ashtu si Isa Mustafa me kështjellë në fshatin e tij Prapashticë, Agim Veliu në Bradash e Avdulla Hoti nga Ratkoci i Rahovecit me disa shtëpi me vlerë qindra mijë eurosh në Prishtinë, edhe këta, njësoj si të gjithë gjeneralët politikanë të dalë nga Lufta e UÇK-së. Të gjithë këta nuk kanë asnjë dallim nga njeri-tjetri, të cilët ngjasojnë me gjeneralin e Balzakut, “Monkorne, i cili, gjatë kohës që kishte komanduar ushtrinë në Spanjë e në Pomerani, kishte vënë mënjanë shumën e nevojshme për të blerë këtë kështjellë, nja një milion e njëqind mijë franga”, për të cilët i gjithë populli në Kosovë sot ka të njëjtin opinion për gjeneralët e Fondit Vendlindja Thërret, sikundër kishte fshati për gjeneralin Monkorne, shprehur prej shërbëtorit të tij, Sharli: “Ju nuk e merrni me mend zotëri sesa duhet të ruhesh e të mos i zësh besë njeriut në fshat, (në rastin tonë në Kosovë,D.G), sidomos këtu, ku gjeneralin s’e kanë edhe aq me sy të mirë”.
Këta udhëheqës politikë të koalicionit PLAN nuk kanë asnjë ndryshim nga fshatarët e fshatit Kush që na i përshkruan Balzaku: “Fshatari bukurinë e jashtme nuk e kupton, por është gjyqtar i pagabuar në punët e përditshme, ai di t’i mati forcat e veta e, duke punuar për borgjezinë, përpiqet të derdhë sa më pak mund për të marrë një pagë sa më të madhe. Shkurt fjalët, kjo pushkë e shëmtuar luan një rol të madh në jetën e familjes së tyre… Edhe në fshatrat e humbura ka privilegje, të cilat fitohen e ruhen po me atë mjeshtëri me të cilën tregëtarët përpiqen të fitojnë të tyret…Epoka e gurit dhe epoka e arit ngjajnë më shumë me njëra-tjetrën nga ç’mund të mendohet; në epokën e parë, njerëzit s’kanë asnjë skrupull, nuk ruhen nga asgjë, në të dytën nga çdo gjë. Për shoqërinë rezultati është ndoshta i njëjtë… Interesi, qysh nga viti 1789, (për tanët qysh nga viti 1999, D.G), u bë forca lëvizëse e të gjitha mendimeve të tyre”. Mjafton për këtë të kujtojmë vetëm vendimet e Qeverisë Haradinaj për pagat e veta e të gjithë qeveritarëve, e leri më kështjellat e tyre nëpër fshatrat nga kanë ardhur dhe zullumet e tjera.
“E sotmia e tyre, – sikundër shprehet Balzaku -, është motra më e vogël e së djeshmes”. Atyre s’u mungon asgjë, prandaj për këtë s’mund të kërkojnë miqësinë e popullit, prandaj dhe janë kundër kushtetutës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky akordim i tyre aq i shpejtë me presidentin Thaçi është sikundër e shpreh Balzaku te kapitulli “Një histori hajdutësh: “ Kjo miqësi, që mbështetej në njohjen nga të dyja palët të njollave të fshehta që mbante tunika e bardhë e ndërgjegjes së tyre, ishte një nga nyjet më të forta që bëhen… Një mprehtësi karakteristike e njerëzve që pasurohen me dhelpëri. A nuk janë një përjashtim ushtarakët dinakë e politikanët e zotë? Se më të shumtën e herës, ushtari, sidomos një shpatar i përsosur si Monkorneja, është pa përvojë në punë tregëtie dhe i paaftë për të qeverisur një ekonomi bujqësore, që nxjerr njëmijë telashe. Por gjeneralit nuk i mungonte dhelpëria. Jeta civile, sjelljet e matura, takti, ishin të panjohura për këtë gjeneral”.
Ndërsa te Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe e gjithë ajo pjesë e popullit që i mbështeti dhe po i mbështet këto ditë, sundon sensi i realitetit dhe shkathtësia e sinqertë, të cilat janë tipare të kushtëzuara nga roli historik i përkatësisë së tyre. Këto cilësi i kanë ndihmuar këta deputetë të fitojnë zgjedhjet dhe të ecin përpara prandaj dhe i dalloi populli, ngaqë u bind se këto cilësi ata duan t’i vënë në shërbim të popullit.
Votimi në shumicë për Albin Kurtin e Vjosa Osmanin ishte hakmarrja e të vjedhurve, e cila tregoi se populli po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm ngaqë nuk pati asnjë përparim ekonomik nga ajo luftë çlirimtare, i cili shpëtoi nga një robëri e huaj por ra në një tjetër, në robërinë e udhëheqësve të koalicionit PLAN. Me atë votim populli u tregoi politikanëve të pasur shembullin e virtyteve të larta e të nderit, duke u thënë: ju të gjithë shiteni te çdo politikan i huaj për të mbetur në pushtet e për të bërë pasuri.
Aktualisht, populli në Kosovë, si dhe në Shqipëri, ndodhet në një gjendje tragjike: toka nuk punohet, përkundrazi, po betonizohet sepse fshatarin e mbyti importimi i prodhimeve të huaja, dhe kur Albin Kuirti tha se do vendosim reciprocitetin, populli e votoi; punëtori shfrytëzohet në mënyrë të dyfishte e të trefishtë nga bizneset e ngritura nga kjo borgjezi politike e porsa ardhur direkt nga fshati.
Populli, duke mos pasur aleat tjetër të besueshëm, prandaj votoi si kurrë ndonjëherë në këta 20 vjet Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, votim, i cili na tregon se po ndodh një revolucion demokratik i ardhshëm i njerëzve pa të drejta, për të shpëtuar Kosovën nga shpopullimi, të cilin nuk e bëri dot Millosheviçi, por e bëjnë këta politikanë të mentalitetit fshataresk primitiv të etur për pasuri e lavdi. Fillimisht populli u mashtrua dhe ua dha votën, ngaqë nuk e kuptoi hilen e fshatarëve nga Prapashtica, Bradashi e Ratkoci, nga Broja, Glloxhani, Banja etj.
Me këtë shkrim nuk kam aspak ndër mend të them se inteligjenca me origjinë fshatare nuk është e aftë të drejtoi forca politike dhe vetë shtetin. Absolutisht jo. Historia jonë tregon se nga kjo inteligjecë kanë dalë edhe burra shteti. Por e kam fjalën për atë kategori politikanësh me origjinë nga fshati, por dhe nga qyteti, pa shkollë ose me diploma fallco, apo edhe me shkollë por që kanë mbetur përgjithësisht me mentalitet fshataresk mesjetar, sikundër na kanë treguar bëmat e udhëheqësve aktualë të partive të koalicionit PLAN.
Pavarësisht nga simpatia që pati populli gjatë luftës për këta ish-komandantë formacionesh të ndryshme të UÇK-së, jemi të detyruar të pranojmë domosdoshmërinë e rënies së tyre, dhe ajo që ka më tepër rëndësi – se e ardhmja i përket popullit të cilin po e përfaqësojnë brezi i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, gjë që u shfaq në reagimin mbarë popullor atë natë që zhvillohej seancë parlamentare me të cilën u solidarizua dhe gruaja e ambasadorit amerikan në Kosovë.
Klasa politke në udhëheqje të PDK, LDK, AAK e Nisma përfaqëson në mënyrën më të dallueshme lakminë për pasuri dhe lavdi, një klasë egoiste, njerëz të dhënë pas mirëqënies individuale dhe kënaqësive të veta, të ftohtë dhe të vrazhdë sikundër i pamë sidomos këta dy muajt e fundit por edhe këto ditë, ku doli në pah, se pos makinave të shtrenjta, kostumeve firmato dhe parasë së tepërt, por në emencipim dhe në mënyrën sesi e përceptojnë shtetbërjen, nuk e kalojnë rubikonin e fisit apo të mexhës së fshatit të tyre, ndaj dhe nuk e kuptojnë situatën dhe realitetin ku e kanë çuar Kosovën.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura