GJOKË DABAJ: ‘SHKËMBIMI I TERRITOREVET’ NUK SJELL PAQE!

Durrës, 30 nëntor 2018: Në këtë Ditë të shenjtë të Flamurit tonë Kombëtar, na u dha edhe njëherë mundësia të ngopemi me zhgënjime!
Në Pejë përjetuam një nga shfaqjet më të papëlqyeshme, pikërisht përsipër KËTIJ Flamuri, të cilin Isë Boletini e puthte dikur iu ulur në gjunjë: Ed Rama dhe Ramush Haradinaj, mbasi i shkarravitën firmat e veta mbi faqen e KËTIJ Flamuri (që s’është pronë e tyre, por është pronë e të gjithë neve), u vunë në garë kush e kush ta “zaptojë” i pari. Jo me përvujtni e nderim, por duke qeshur, sikur të ishin fëmijë! Kush nuk ndien njëkohësisht edhe revoltë edhe neveri, tek i shikon këta dy KRYEMINISTRA, njëri dinak e tjetri naiv, se si qeshin, duke vënë duart sipër atyre firmave?! Dhe kush ua dha të drejtën që ata, sado që janë KRYEMINISTRA, të sillen në atë mënyrë me Flamurin tonë?! Ajo pamje, aspak e bukur, do të rishikohet dhe kujtohet në histori vit mbas viti!
Fill mbas kësaj, ose krahas kësaj, na vjen ndër mend edhe shprehja MË E PADENJË për një kryeministër: “Kush e quan Hashim Thaçin tradhtar, është gomar!” Një gomarllëk i radhës i Ed Ramës, i cili ndoshta synon kështu TË MBULOJË, bashkë me tradhtinë e H.Thaçit, edhe tradhtitë e veta!
Tradhtitë e veta, sepse s’mund të mos bëhet edhe kjo pyetje: Pse na e la hapur shtegun e “shkëmbimit të territorevet”, ky “ithtar” dhe tashmë “promovues” i “bashkimit” të dy shtetevet tanë “jo më larg se më 2025-n”?! Kujt po ia shet këto “llokma ëmbëlsire” ky mjeshtër molloisjesh?! A vërtet do të mund të ndodhte farë shkëmbimi, apo çdo gjë do të përfundonte me pushtimin e komunavet të veriut edhe të kësaj pak Kosove që ka mbetur?!

Në vazhdim, nuk mbetet gjë tjetër, veçse prapë të pyesim: A mos është një manovër e parakurdisur kjo “tarifa 100%” për mallrat e Sërbisë, enkas për të krijuar trazira?! Në është manovër e kurdisur, kush e kurdisi?! Ed Rama apo dikush sipër tij?!
Dhe, sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, që i pamë e që na “mallëngjyen”, na rishfaqet edhe njëherë Akademiku ynë Rexhep Qosja me variantin fund e krye çorientues: “Shkëmbimi i territorevet sjell paqe midis Kosovës dhe Sërbisë”.
Kujt po kërkoni t’i mbushni mendjen kështu, zotërinj “baballarë të sotëm të Kombit”?! Kujt po kërkoni t’ia futni ujët nën rrogoz?! A s’po e shohim që situata e sotme me Mitrovicën i ngjan në shumë pika Vlorës së vitit 1920?! Si nuk po e kuptoni që humbja e Mitrovicës do të thotë humbje e pavarësisë për krejt Republikën e Kosovës e madje edhe më shumë, ashtu siç do të ishte lënia e Vlorës nën pushtimin e italianëvet më 1920-n, humbje e pavarësisë së krejt shtetit të atëhershëm shqiptar?!
Ç’ishin Labëria dhe Mallakastra për Vlorën më 1920-n, do të duhej të ishin sot Drenica e Llapi për Mitrovicën e për Zveçanin! Ç’ish më 13 qershor 1920 një Avni Rustem për Esat Toptanin, do të duhej të ish sot një tjetër Azem Galicë për dikë që po ia lëshon Mitrovicën dhe realisht krejt Kosovën Sërbisë! Ç’ish më 1920-n një Selam Musa për Kodrat e Babicës e për Vlorën, do të duhej sot një tjetër Adem Jashar për Urën e Ibrit dhe për një Flamur Shqiptar mbi Kështjellën e Zveçanit! Ç’ish Kuvendi i Barçallisë për Vlorën e për krejt Shqipërinë më 29 maj 1920, do të duhej të ish sot një Kuvend tjetër, ndoshta mu në Shalë të Bajgorës para Kullavet të Boletinëvet! Një Kuvend i Vetëvendosjes dhe jo vetëm i Vetëvendosjes,(që Ed Rama e” shndërroi” sakaq në një gomar), por i të gjithë shqiptarëvet që janë të gatshëm për të mos ia lënë Sërbisë vatanin!
Ç’ish Kongresi i Lushnjës i vitit 1920 për shpëtimin e shtetit tonë të atëhershëm, do të duhej të ish sot ajo Mbledhja e Pejës! Por ku t’i gjesh sot burrat si Sulejman Delvina, të cilët, në vend që të hapnin dhëmbët përsipër Flamurit të vet, do të merrnin vendime të rëndësishëm dhe shumë seriozë PËR TA MBROJTUR tërësinë tokësore të Republikës së Kosovës dhe jo “për të bërë shkëmbime”?!
Vajmedet! U janë verbuar sytë disa shqiptarëve me një SHPALLJE PAVARËSIE dhe mendojnë që çdo gjë tashmë është kurorëzuar me liri të plotë! Janë dehur nga një sukses, vërtet i admirueshëm, por s’e dinë që të tjerët S’I ZE GJUMI pa na i prishur dhe pa na i marrë nëpër këmbë krejt ç’kemi arritur e fituar me aq shumë viktima!
Duhet njëherë e mirë ta mbleshim mendjen: “Shkëmbimi i territorevet” (që, në të vërtetë, do të mbyllej thjesht me një pushtim të Mitrovicës, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, pa na dhënë as edhe një fshat të Luginës) nuk sjell PAQE, por VUAJTJE dhe HUMBJE të paparashikueshme për krejt Kombin Shqiptar!
Gjokë Dabaj, Durrës
Shkruar me dhimbje më 28 Nëntor 2018.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura