DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): KOSOVARËT U DETYRUAN QË TA PRANOJNE LUFTËN (7 QERSHOR 1998)

Pashtriku, 18 mars 2019: Lajmet që vijnë çdo ditë nga Kosova bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Sërbët kanë vendosur si rregull që çdo fshat të digjet, kur një ose dy banorë të tij marrin pjesë në mbrojtjen e fshatit,kur shtiejnë kundër trupave të tyre ose përgjithësisht ndihmojnë UÇK-në. Çdo njeri i zënë me armë në dorë dhe, sipas konceptit serb, nuk vihet në shërbim të serbëve, duhet pushkatuar në vend. Ky sistem mesjetar po zbatohet pa mëshirë prej më se 5 muajsh dhe vazhdon të jetë në fuqi. Pra ushtria serbe në vend të qetësisë solli mjerimin. Kjo gjë shpërndau virusin e urrejtjes në popullin shqiptar të Kosovës, e cila u bë shkak i rezistencës kosovare, e që po merr masa çdo ditë e më të mëdha. Kjo rezistencë fillimisht lindi si rezistencë në mbrojtje të pasurisë dhe jetës familjare, më vonë në mbrojtje të fqinjit e të fshatit. Kjo është e vetmja formë për t’u mbrojtur nga ushtria serbe, e cila po zbaton tezën hitleriane se zgjidhja e problemeve bëhet vetëm me forcën e ushtrisë.
Shtimi i përditshëm i forcave të ushtrisë serbe rriti gradualoisht tensionin në të gjithe territorin e Kosovës. Ky tensionim bëri që në qëndrën patriotike të Kosovës, Drenicë, të shpërthejë mbrojtja me armë. Ky veprim i ligjshëm po bëhet masiv në të gjithë Kosovën, ku kosovarët, me sa duket, u detyruan që të pranojnë luftën, si pasojë e së cilës erdhi natyrshëm krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe po qe se serbët nuk do ta largojnë ushtrinë nga Kosova, ka gjasa që kosovarët, këtë rezistencë ta shndërrojnë në kryengritje të armatosur.

Pra, kosovarët terrorit sërb nuk iu përgjigjën me terror,sepse terrori nuk mund të quhet kurrë një veprim ushtarak.Terrorit sërb kosovarët iu përgjigjën me thirrjen: të bashkohemi për të mbrojtur familjet dhe fshatrat tona nga terrori i shtetit sërb. Në këtë moment dolën vullnetarët e parë, si elementët e parë të UÇK-së. Pra, kosovarët fillimisht nuk bënë thirrje për t’u hedhur në sulm, por bënë thirrje për krijimin e një organizimi të armatosur, për të qënë të aftë e të gatshëm të mbrojnë jetën e popull- sisë shqiptare dhe pasurinë e saj në fshatin e më vonë në zonën ku banojnë. Ky organizim nuk filloi për zgjidhjen parimore të çështjes së Kosovës, por për zgjidhjen praktike të përballimit të terrorit aktual sërb.
Kryengritja e armatosur
Këta njerëz filluan gradualisht të armatosen gjithnjë e më shumë, e cila po çon në armaosjen e gjithë popullit. Armatosia e popullit shënon fillimin e kryengritjes. Sa më shpejt të armatoset populli i Kosovës dhe sa më me forcë t’i rezistojë ai ushtrisë terroriste serbe, aq më shpejt do të detyrohet Serbia të tërheqë ushtrinë nga Kosova, aq më shumë do të gjenden ndër ushtarët serbë njerëz që do ta kuptojnë më në fund se ç’po bëjnë.
Kjo rezistencë që filloi në Drenicë, po bëhet shkalla e parë drejt një kryengritje më të gjerë, më të ndërgje- gjëshme e më të përgatitur. Pa dyshim, që populli i Kosovës, jo vetëm që është solidarizuar me rezistencën e Drenicës, por ai do të bashkohet me këtë rezistencë, që gradualisht po merr emrin luftë. Armatosja sa më shpejt e gjithë popullsisë së zonave ku ushtria serbe po kryen luftime sipas teorisë së “tokës së djegur” ,aq më shpejtë do të bëhet përgatitja dhe organizimi i kësaj popullsie në formacione që kanë marrë e po marrin emrin “UÇK” .Ja baza praktike e kësaj ushtrie çlirimtare.
Pra, nga reagim për vetmbrojtje,po kalon në rebelim dhe, nga rebelim spontan, në organizimin luftarak. Ky rebelim po arrin suksese në organizim dhe në përpjekjet me ushtrinë pushtuese serbe, gjë që jep shenja se mund të shndërrohet në kryengritje të armatosur në rast se institucionet ndërkombëtare nuk do ta detyrojnë qeverinë e të ashtuquajturës Jugosllavi e mbetur, të heqë dorë nga dhuna dhe të pranojë uljen e menjëherëshme e pa kushte në tavolinën e bisedimeve me palën kosovare, me ndërmjetësimin e një të treti,por të besueshëm për palën kosovare.
Lufta e jonë është luftë e ligjëshme
Krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të thotë luftë. Nga të gjitha luftrat që njeh historia, kjo lloj lufte që po përgatitet të bëjë populli i Kosovës, është një nga luftrat më legjitime, më të drejta dhe më e madhia. Kjo luftë, që po imponohet nga Sllobodan Millosheviçi, nuk bëhet për interesa egoiste të një grushti kosovarësh, por për interesat e tërë popullsisë dy milionëshe shqipëtare që banon në Kosovë.
Dihet se çdo fillim është i vështirë dhe se çdo luftë kërkon gjak, por kjo nuk do t’i pengojë të armatosen
kosovarët atëdhetarë e të ndërgjegjshëm për momentet historike që po kalon Kosova. Ata e kuptojnë se po nuk u armatosën, qeveria serbe mund t’i çojë në pushkatim me çfarëdo preteksi. Secili do të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur për vehte një pushkë a një revolver, për ta fshehur atë dhe për të qenë i gatshëm që nesër të radhitet në UçK.
Kosovarët e kanë shumë të vështirë të kalojnë në luftë të armatosur, por qeveria serbe po i detyron ata të kalojnë në këtë lloj lufte. Dhe hapi i parë u hodh, u krijuan formacionet e para të UÇK-së. Masat fshatare dhe ato qytetare po e ndiejnë çdo ditë vehten palë ndërluftuese dhe nga dita në ditë pritet të lëshohet kushtrimi për gjithë popullin shqiptar: “Rrokni armët!”
Që nga ky moment, populli i Kosovës, nga popull luftarak, duhet të shndërrohet në popull ushtarak, duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse vetëm kështu mund t’i jepet përgjigjia e duhur veprimeve terroriste të ushtrise pushtuese jugosllave. Shndërrimi në popull ushtarak, do t’i mundësojë kosovarët të mbajnë midis tyre marrëdhënie më të rregullta e më konspirative, çdo gjë do të bëhet sipas një plani të përgjithshëm e me objektiva të qarta dhe të gjithë do të dinë t’i binden këtij plani. Në të kundërtën ata nuk do të quhen kryengritës, por banditë dhe do shtypen shumë lehtë me zjarr e me hekur. Po qe se populli luftëtar i Kosovës nuk do të shndërrohet në një popull ushtar, ai nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë gjatë terrorit serb dhe do të trajtohet si popull frikacak. Shndërrimi në popull ushtarak do t’i japë atij mundësinë të bëjë një luftë guerile, si e vetmja alternativë e imponuar nga kushtet objektive aktuale, e cila shumë shpejt do ta bindë Serbinë se nuk mund të ecë gjatë me metodat që po vepron.
Millosheviçi po e nxit kryengritjen Millosheviçi, me viktimat e shumta në zonën e Drenicës, mendonte ta frikësonte popullin e Kosovës, por në të vërtetë ajo bëri efektin e kundërt, i nxori frikën popullit kosovar nga gjakderdhja dhe nga përpjekjet e armatosura. Si rrjedhojë, faktorët moralë po dalin në plan të parë, të cilët nuk mund të llogariten kurrësesi nga pala serbe dhe për të cilët mund të themi vetëm se ata janë në favor të UÇK-së.
Lufta në Kosovë,që po e kërkon me ngulm Serbia, nuk do të jetë thjesht një luftë e zakonshme, luftë midis dy qeverive, por do të jetë një luftë e vërtetë, një luftë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë popullsia shqiptare atje, luftë, që ka më se gjysmë shekulli që s’ është parë në qëndër të Evropës. Dhe lufta popullore zhvillohet me të gjitha format dhe zgjat me muaj, por dhe me vite, deri në fitore, gjë që ushtritë e regullta nuk mund ta përballojnë gjatë. Lufta popullore,ose siç quhet ndryshe, lufta guerile,po qe se filloi, asnjëherë nuk shuhet pa ia arritur qëllimit. Ajo, në rast se fashitet përkohësisht në një rajon, del në dritë në rajonin tjetër, gjithnjë e më kërcënuese dhe kudo krijohet mjedisi armiqësor për armikun. Tashti që Kosova e filloi luftën, nuk duhet të tregojë shenja tërheqjeje. Të dorëzohesh në kushte të tilla do të ishte një tradhëti e hapët.
Kosovarët duhet ta vazhdojnë luftën me çdo kusht. Parulla e vetme, që duhet të dëgjohet në të gjithë Kosovën ,duhet të jetë: Organizohuni! Ky organizim duhet të realizohet tani dhe jo më vonë. Sot Kosova ka një sasi kaq të madhe në njerëz, sa kurrë ndonjëherë ajo nuk ka qenë në kushte kaq të favorshme, ku dhe i gjithë opinioni ndërkombëtar dhe shumica e qeverive demokratike po e mbështesin me të gjitha mënyrat, përfshi edhe OKB- në dhe BE-në. Në asnjë vend të botës nuk ka probleme kaq të nxehta sa sot në Kosovë, prandaj dhe diplomacia botërore po angazhohet tërësisht me çështjen e Kosovës. Për këtë arsye populli i Kosovës duhet të ngrihet totalisht dhe të kërkojë të gjitha të drejtat dhe të vërë në vend padrejtësitë që i janë bërë gjatë këtij shekulli e të mos kënaqet me pak, pasi ky moment nuk na vjen më. Të mos harrojmë se historia nuk përsëritet. Nuk duhet lejuar më, që të tallen me popullin e Kosovës. I gjithë populli,o sot o kurrë, duhet të ngrihet në këmbë për mbrojtjen e lirisë dhe t’ujapë grushte të rënda atyre që do të përpiqen ta largojnë zëmërimin e tij ndaj armikut të vërtetë.Populli
kosovar duhet të rrokë armët, të formojë njësitet guerile e të sigurojë municionet. Ai, kudo duhet të dërgojë emisionarët e vetë për bisedime diplomatike. Le të armaoset i gjithë populli. Ti jepen armë çdo kosovari të aftë për ta përdorur atë dhe kudo të organizohen organet drejtuese për drejtimin e kësaj lufte të ashpër. UÇK-ja është krijuar, gjë që do të thotë se tashmë udhëheqja ushtarake ekziston.
Vetëm me forcë zgjidhen problemet e mëdha të historisë. Organizimi i kësaj force quhet organizim ushtarak. Nuk duhet të lihet populli shqiptar i Kosovës të bjerë në prehërin e aventurimit e të premtimeve të bujëshme e absurde. Popullit duhet t’i bëhet e qartë se ç’kërkohet dhe ato të jenë: armatosja e popullit; krijimi i organeve të drejtimit të luftës në çdo fshat, qytet e zonë; me luftë të organizuar të detyrohet qeveria jugosllave të ulet në tavolinën e bisedimeve.
Që të realizohet ky program imediat kërkohet ekzistenca e dy institucioneve kryesore: ushtria çlirimtare dhe organi i udhëheqies së saj dhe të popullit në luftë, të cilat janë dy anë të së njëjtës medalje. Këto institucione,për fat të mirë , ekzistojnë. Ato janë UÇK-ja dhe qeveria e Kosovës. Si rrjedhojë, dy janë parrullat që duhet të hidhen në popull: kryengritja e armatosur dhe çlirimi i Kosovës.
Organizimi luftarak
Me hedhjen e parrullës për kryengritjen e armatosur duhet të merren masat për organizimin e popullit në ushtrinë çlirimtare, e cila, po të nisemi nga përvoja e luftrave të mëparëshme popullore të popullit shqiptar e të popujve të tjerë, do të përfshijë 8-10 përqind të popullsisë. Një ushtri e tillë, rreth 200 mijë vetë, do të jetë e papërmbajtshme, prandaj ajo duhet të organizohet. Që të organizohet ajo duhet të vihet nën drejtimin e ish oficerëve kosovarë dhe të burrave e djemve shqipëtarë të Kosovës,që kanë kryer shërbimin e plotë ushtarak në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. Në çdo formacion luftarak të bëhet kombinimi i kuadrove të të gjitha moshave.
Le të organizohen menjëhere repartet luftarake me 3, 5, 10 deri 30 vetë. Këto reparte le t’i zgjedhin vetë drejtuesit e tyre dhe të lidhen me shtabin drejtues të UÇK- së. Me t’u krijuar ato duhet të fillojnë menjëherë stërvitjen ushtarake dhe të kryhen aksione të menjëhershme, duke vrarë spiunët,duke goditur postat e policisë dhe pikat e vogla ushtarake. Çdo repart do ta mësojë artin e të luftuarit duke luftuar. T ë mos hezitohet dhe të mos thyhemi për shkak të humbjeve që mund të kemi fillimishtë, pasi humbjet e pësuara shumë shpejt do të zëvendësohen nga shumë luftëtarë të tjerë që do të dalin, të cilët nesër do të tërheqin qindra e mijëra të tjerë.
Repartet luftarake (njësitet, çetat, kompanitë etj) të përbëhen mundësishtë nga njerëz që banojnë afër njëri- tjetrit e që njihen, pasi ata mund të mos qëndrojnë të organizuar çdo ditë dhe çdo orë të ditës. Si rrjedhjë, detyra e tyre do të jetë që ta rregullojnë aktivitetin në mënyrë të tillë që edhe në kushtet më të papritura e në çdo çast të gjënden sëbashku. Për këtë qëllim të caktojnë sinjalet, me shumë mjete: me zë, me dritë, me shenja e me pushkë. Nuk duhet të harrohet përvoja botërore, e cila tregon se 99 pëqind e rasteve të zënë në befasi, prandaj të organizohet bashkërendimi midis luftëtarëve të të njëjtit njësit dhe midis formacioneve të tjera. Në asnjë mënyrë të mos shtyhet formimi i formacioneve luftarake me pretekstin se s’kemi armë.
Fillimisht të mos pretendohet për formacione të mëdha kryengritëse, pasi humbjet e mëdha të armikut nuk shkaktohen nga rendimet dhe luftimet e mëdha, por nga rendim et e vogla dhe luftimet e vogla, por të shumta e të vazhdueshme. Në përbërjen e rendimeve luftarake mund të lindin probleme në lidhje me të qënët bashkë të antarëve të të njëjtës parti politike. Do të ishte e dobishme që në çdo rendim të ketë ish anëtarë të partive të ndryshme. Pikërisht këtu duhet të fillojë bashkimi i shqiptarëve me bindje të ndryshme politike, pasi për çdo shqiptar, në radhë të parë, shtrohet çlirimi i Kosovës, ndërsa partitë politike i shpalosin dhe duhet t’i shpalosin programet e tyre kur jeta në Kosovë të jetë e lirë.
Zvarritjet, diskutimet, shtyrjet e aksioneve dhe pavendosmëria janë vdekje për kryengriljen. Vendosmëria dhe orientimi i popullit drejt kryengritjes – ja detyra e çdo shqipëtari të Kosovës sot.
Botuar në gazetën “Rilindja”, Tiranë – 7 Qershor 1998

VIJON…
_________________
PROLETAR HASANI: LUFTA E UÇK-së DHE DILAVER GOXHAJ
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8569

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura