EMIN HALIMI: ROJET E VLERAVE

Prishtinë, 19. 11. 2013 – Para shumë kohësh u realizua dhe u shfaq një film, ndër të paktët, i Kosova Filmit – Rojet e mjegullës, i bazuar në njërin nga romanët e paktë të Rexhep Qosjes – Vdekja më vjen prej syve të tillë. Ndoshta nënvetëdijshëm u ndikova nga ky titull filmi për ta emërtuar një shkrim për një lloj tjetër rojesh. Titulli mund të ishte edhe “Sulmuesit e vlerave”. Nejse…Për ta pasur të qartë vetë dhe për t’ua sqaruar të tjerëve, të cilët mendojnë se e dinë, por nuk e dinë, çfarë do të thotë rojë dhe vlerë, hapa fjalorin.Fjalori më thotë se ‘rojë’ do të thotë detyrë për të ruajtur dhe për të mbikëqyrur me kujdes diçka a dikë që të mos e sulmojnë, të mos e dëmtojnë a të mos e grabitin. Pastaj vijnë me radhë edhe kuptime të tjera si: Njeri, zakonisht i armatosur, i ngarkuar për të ruajtur diçka a dikë; qen që ruan një banesë, një tufë bagëtish etj.; njeri që bëhet vegël besnike e dikujt për të mbrojtur interesat e tij etj.
Po vlerë? Shuma e të hollave që shpreh sa vlen diçka (një send, një mall a një punë); sende e pasuri të çmueshme për një popull ose për një vend; të mirat e jetës materiale a shpirtërore që ka grumbulluar njerëzimi ose që arrihen me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë; cilësia dalluese e diçkaje, vetia e diçkaje…

 Tanimë përditë hasim në sulmues vlerash e roje vlerash. Që të dy këto fjalë-emra edhe mund të vihen nën thonjëza, fare mirë, sepse ka plot ‘vlera’ që quhen vlera dhe plot ‘roje’ që quhen roje. Si t’i dallojmë thonjzat kur këto fjalë i dëgjojmë, por nuk i shohim të shkruara? Kur dëgjojmë dikë se po mbron një vlerë, mund t’ia marrim për ironi, derisa nuk e shohim zellin, zjarrin me të cilin e mbron atë vlerë a ’vlerë’. Prandaj që ta marrim vesh nëse është vërtet e tillë apo jo, doemos duhet t’u referohemi përkufizimeve që i bën fjalori. Tjetër referencë nuk kemi. Përveç edhe shpjegimeve të etërve e gjyshërve tanë, të cilët, edhepse nuk kishin shfletuar kurrë ndonjë fjalor, e dinin mirë cila është vlerë, cila antivlerë. As këto fjalë nuk i njihnin. Ata e njihnin fjalët ‘kimet’ e ‘pa kimet’. Dikur më vonë edhe ‘vjeftë’. E fjalori na shpjegon qartë se kush është vlerë. E kundërta e saj s’është veçse antivlerë. Ai që sulmon vlerat është antihero; ai që mbron vlerat është hero dhe ai që sulmon antivlerat është hero, ndërsa ai që mbron antivlerat është antihero. Kjo duket si lojë fjalësh, por nuk është e tillë.
Po vlera, është e dhënë njëherë e përgjithmonë për nga cilësia dhe sasia, apo ndryshon me kohën dhe rrethanat ?
Si vlerat materiale ashtu edhe ato kulturore e morale mund të pësojnë ndryshime gjatë kohës. Ato mund të rritën, por edhe të vogëlohen. Një violinë, sa më vjetër që të jetë, aq më shumë vlerë ka. Po ashtu një shishe verë, një libër, një eksponat arkeologjik…
Ka të tjera që bjerrin vlerat si pasojë e kushteve atmosferike, mosruajtjes në vende të përshtatshme etj.
Po vlerat morale ? Edhe ato nuk mund të quhen të tilla në të gjitha kohët. Një kohë ishte vlerë të marrësh hak (gjak), pavarësisht nëse i vrari yt e kishte detyruar vrasësin që ta vriste, dhe konsiderohej antivlerë mosmarrja e gjakut. Këtij ‘fatkeqi’ i jepej kafja për nën këmbë…
Nëse një mashkull shtëpie, apo edhe grua a vajzë, bën një akt heroik duke i dalë përballë një rreziku që i kanoset shtëpisë dhe robëve të saj, duke rrezikuar edhe jetën, do të quhet në çdo kohë akt heroik. Do të çmohet si vlerë, do të nderohet. Të njëjtin fat mund të mos e ketë edhe bartësi i këtij akti heroik. Nëse ndërkohë, ai apo ajo, fillon t’i keqtrajtojë bashkëfamiljarët, t’ua shesë bagëtinë e mallin për ta bërë rrush e kumbulla; me një fjalë nëse ai apo ajo vjedh shtëpinë e vet (këtij veprimi i thonë ‘kobë’), duke e varfëruar atë për të bërë vetë salltanet, nuk do të meritojë respekt, edhepse një kohë pati rrezikuar kokën për dobinë e të gjithëve. Nuk meriton respekt sidomos nëse këto mbrapështi i bën në emër të një merite nga një kohë e shkuar!
Për këdo që e ka lexuar shkrimin deri këtu është e qartë se bëhet fjalë kryesisht për vlerat e luftës, të cilat duket se janë cak i sulmeve të ndryshme dhe i mbrojtjeve të ndryshme.
Po e kërkove në internet Ligjin për vlerat e luftës të del Ligi për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
Pra, vetvetiu kuptohet kush është vlerë e luftës. Sipas Ligjit, Vlerat e Luftës janë dëshmorët, invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së dhe, në fund, viktimat civile të luftës dhe familjet e tyre. Kështu e ka vendosur Ligji hierarkinë e vlerave. E ligjit duhet t’i bindemi, se s’bën.
Është e padiskutueshme se gjaku i dëshmorëve është vlerë mbi vlerat, është kryevlerë, e cila nuk humb asgjë nga vetitë e saj nëpër shekuj. Përkundrazi. Edhe invalidët e luftës janë vlerë e pakontestueshme. Ata kanë dëshmi vrragët e trupit, këmbën a dorën e këputur, kukëzat, karrocën e invalidit…Edhe vetë UÇK, si formacion politik-ushtarak është vlerë, e cila do të përmendet sa të ketë njerëz mbi tokë. Për veteranët dhe ‘pjesëtarët e UÇK-së’ mund të diskutohet. Prandaj edhe po diskutohet qe sa kohë nëpër komisione. Ato nuk po mund të vendosin kush është i tillë e kush jo. Numri po lëviz, po rritet me gjithë kërcënimet se kush rren do të dënohet. Sa më shumë kohë kalon, më vështirë bëhet të dihet e vërteta. Diçka tjetër është konstante, e pandryeshueshme: numri i varreve të ‘viktimave civile të luftës”. Ato janë aty. Heshtin dhe nuk mund të kërkojnë të drejtë. As pushtet. Shumë nga ato viktima nuk kanë ende as varre. Ato kërkojnë fillimisht një varr! Në Bisedime nuk u fol për to. Pret puna e tyre. Le të rrinë atje ku janë, se kemi punë më të mëdha – sikur thanë Vlerat (!?)
Cilat vlera po mbrohen sot me kaq zhurmë? Gjaku i dëshmorëve? Invalidët e luftës? Viktimat civile të luftës dhe familjet e tyre? Jo! Dëshmorët nuk kanë nevojë për mbrojtjen tonë. UÇK-në nuk po e sulmon askush. Madje po thuhet qartë se nuk kemi asgjë me të, se po të kishim nuk do ta bënim aleate atëherë kur fati i popullit varej në një fije peri.
Atëherë kë mbrojnë këta militantë zhurmaxhinj, këto “roje vlerash”?
Këtyre u përgjigjet më së miri njëri nga cilësimet që bën Fjalori për rojet: Njerëz që bëhen vegël besnike e dikujt për të mbrojtur interesat e tij! Pak prej tyre mbrojnë edhe interesat e veta dhe shumë të tjerë shohin ëndërr ndonjë interes që mund ta kenë nga këto vlera e ‘vlera’. Një pjesë mbase edhe janë të bindur se po mbrojnë një vlerë.
Këto ‘roje’ po thonë se po sulmohet Lufta e UÇK-së – shtylla kurrizore e saj. Po viktimat civile të luftës, gjithë ai popull që e strehoi, e ushqeu ndërkohë që vetë u dynd sa në një mal, sa në një përrua për t’u degdisur më në fund jashtë kufijve, çka paraqet për këto roje? Po gratë e vajzat e përdhunuara, pa pasur kush t’u dalë zot, a paraqesin ndonjë vlerë për këto ‘roje vlerash’?! Po ushtarët anonimë të cilët sot mbledhin kanoçe për të mbijetuar bashkë me fëmijët e tyre, e të cilët vërtet patën luftuar aq sa mundën, a paraqesin ndonjë vlerë për ‘vlerat’ që po sulmohen dhe për mbrojtësit e tyre?!
Jam i vetëdijshëm se mund të jem në thumb të sulmeve të këtyre “mbrojtësve të vlerave”, por jam në gjendje të argumentoj në çdo kohë, së paku për ndonjërën nga këto vlera, se është ai djali plangprishës, i cili në emër të një merite nga e shkuara (të cilën ia atribuon veti dhe ia atribuojnë militantët e tij të vërbër), nëpërkëmbë “rob’t e shpisë” dhe e bën rrush e kumbulla mallin e saj, për hesap të vet!
Prandaj te mbrohen vetëm ato vlera të cilat meritojnë mbrojtjen tonë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura