TEKNIKA E PËRROIT TË NDËRGJEGJES NË LETËRSI
Nga Xhelal Zejneli, Shkup – qershor 2024
(anglisht: STREAM CONSCIOUSSNES)
Romani “Uliksi” (Ulysses, 1922) i prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) konsiderohet sot si një prej shembujve më të mirë të zbatimit të teknikës së përroit të ndërgjegjes në letërsi.
Në teorinë e letërsisë, përroi i ndërgjegjes ose rrjedha e ndërdijes është një teknikë narrative apo mjet që ka të bëjë “me pasqyrimin e një mozaiku asociacionesh të mendimeve, të ndjenjave dhe të përshtypjeve të personazheve në tekstin letrar”. Për këtë teknikë narracioni përdoret edhe termi monologu i brendshëm. Termin e krijoi filozofi dhe psikologu amerikan Uilliam Xhejmz (William James) në veprën e tij “Parime të psikologjisë” (The Principles of Psychology) të botuar në vitin 1890. Në kontekstin letrar, termin e përdori për herë të parë në vitin 1918, shkrimtarja britanike Mej Sinkler (May Sinclair, pseudonim i Mary Amelia St. Clair, 1863-1946) kur i analizonte veprat e prozatores angleze Doroti Riçërdson (Dorothy Richardson, 1873-1957).
Përkufizimi – Përroi i ndërgjegjes është teknikë narrative që synon të pasqyrojë ekuivalentin e shkruar të proceseve mendore të personazheve, qoftë nëpërmjet monologut të brendshëm jo aq të lidhur, qoftë lidhur me veprimin e tyre. Stili i të shkruarit me përroin e ndërgjegjes kryesisht konsiderohet formë e veçantë e monologut të brendshëm. Ky stil i të shkruarit karakterizohet nga kërcimet e asociacioneve, nga dekonstruksioni apo nga shkelja e rregullave të sintaksës si dhe nga mungesa e plotë apo e pjesshme e shenjave të pikësimit (interpunksionit).
Përroi i ndërgjegjes nuk është si monologu i dramës apo solilokvij, ku folësi i drejtohet publikut apo një personi të tretë, që janë karakteristike për poezisë dhe dramën. Te romani i përroit të ndërgjegjes, proceset apo rrjedhat e mendimeve të personazhit paraqiten kryesisht sikundër zhvillohen vetëm në kokën e tij (apo i drejtohen vetë atij); aty kemi të bëjmë me teknikën e thurjes (të ngatërresës, të ndërlikimit).
Termin e krijoi në vitin 1890 filozofi dhe psikologu amerikan Uilliam Xhejmz (William James) në veprën epokale të tij The Principles of Psychology: “Ndërgjegjja (vetëdija) nuk i duket vetes e ndarë në copa…ajo nuk është fare e lidhur; ajo rrjedh. ‘Përroi’ apo ‘rryma’ janë shprehje me të cilat ky proces përshkruhet në mënyrë më të natyrshme. Kur të flasim për këtë në vijim, këtë do ta quajmë rrymë (rrjedhë) të mendimeve, të ndërgjegjes apo jetë subjektive”.
Shënim: Në këtë roman të nobelistit amerikan Fokner flitet për shkatërrimin e katër fëmijëve të familjes së vjetër Kompson, të përfshirë në historinë e jugut të Amerikës. Njëherazi kemi të bëjmë me një roman inovativ, eksperimental të përroit të ndërgjegjes që mund të qëndrojë pranë “Uliksit” të Xhejmz Xhojsit.
* * *
Pjesë caktuara të romanit “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) të shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962) ilustrojnë mënyra të ndryshme të përdorimit të teknikës së përroit të ndërgjegjes. Bëhet fjalë për një segment në pjesën e dytë (2 qershor 1910) të pasqyruar nga perspektiva e Kentin Kompsonit (Quentin Compson), e që pothuajse tërësisht është shkruar me teknikën e përroit të ndërgjegjes.
Pjesë nga romani “Këlthitja dhe mllefi”, e shkruar me teknikën e përroit të ndërgjegjes:
Vetëm duke imagjinuar atë korije m’u duk se mund të dëgjoja pëshpëritjen baticën e ulët vlimin e gjakut të nxehtë nën lëkurën e egër të pamaskuar të shikoja nën kapakët e kuq derrat e zgjidhur në çifte që ia mësyjnë detit kurse ai ne patjetër të rimë zgjuar një kohë të caktuar për të parë sesi bëhet e keqja kjo s’është përgjithmonë ndërsa unë për një njeri të guximshëm kjo nuk duhet të zgjasë aq shumë kurse ai a e konsideron këtë si guxim e unë po baba e ti a nuk po e konsideron kurse ai çdo njeri është arbitër i shkathtësive të veta a e konsideron ti të guximshëm apo jo më i rëndësishëm është se vetë akti se cilido akt ndryshe nuk do të mund të mendonte seriozisht kurse unë ti nuk beson se unë mendoj seriozisht kurse ai mendon se ti mendon tepër seriozisht ….
Uilliem Fokner, “Këlthitja dhe mllefi”
Monologu i brendshëm
E gjora Kentin (Quentin)
është mbështetur në shuplakat e duarve të shtrënguara rreth gjunjëve
ti këtë kurrë s’e ke bërë apo jo
ç’është ajo që s’e kam bërë
atë që e kam bërë unë
po po e kam bërë shumë herë me shumë vajza
dhe atëherë kam qarë dhe dora e saj përsëri më preku kurse qaja
i mbështetur në bluzën e saj të lagët dhe atëherë ajo rinte shtrirë
me shpinë dhe shikonte mbi kokën time në qiell e pashë qartë
skajin e bardhë nën brekët e larme të saj e hapa thikën
a të kujtohet ajo ditë kur vdiq gjyshja kur rije në ujë me brekë
po ia mbaja majën e thikës në fyt….
* * *
Ka burime apo studiues të cilët përroin e ndërgjegjes dhe monologun e brendshëm i quajnë sinonime.
Oxford Dictionary of Literary Terms konsideron se këto dy nocione mund të dallohen, si në pikëpamje psikologjike ashtu edhe në pikëpamje letrare. Në kuptimin psikologjik, përroi i ndërgjegjes është subjekt, ndërsa monologu i brendshëm është mënyrë e prezantimit të subjektit. Në aspektin letrar, monologu i brendshëm vërtet gjithmonë i prezanton mendimet e personazhit ‘drejtpërsëdrejti’, pa ndërhyrjen e ndonjë narratori (tregimtari), të njëjtat mendime nuk i kombinon me domosdoshmëri me mbresat (impresionet) dhe me perceptimet as që i shkel me domosdoshmëri rregullat gramatikore apo bazat e logjikës, ndërsa përroi i ndërgjegjes e bën njërën prej tyre madje edhe që të dyja.
Po ashtu edhe Encyclopædia Britannica Online, edhe pse e pranon se këto dy nocione shpeshherë ndërthuren apo gërshetohen, thekson se monologu i brendshëm, ndonëse vërtet mund t’i pasqyrojë të gjitha gjysmë-mendimet, mbresat (impresionet) dhe asociacionet që ekzistojnë në vetëdijen (në ndërgjegjen) e personazhit, ai mund të kufizohet edhe në prezantimin e organizuar të mendimeve racionale të një personazhi.
Zhvillimi historik i teknikës së përroit të ndërgjegjes
Pionierët e përroit të ndërgjegjes – Edhe pse përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes ndërlidhet kryesisht me romanin modern të gjysmës së parë të qindvjeçarit XX, ekziston një seri e plotë e përdorimit të kësaj teknike edhe në periudha të mëhershme, ndonëse jo në formë të pastër siç paraqitet në periudhën e pjekur.
Zhvillimi historik i teknikës së përroit të ndërgjegjes mund të vështrohet në tri periudha:
1. Përdorimi fillestar i teknikës së përroit të ndërgjegjes
deri në vitin 1922
Ndër shembujt e parë të përdorimit të kësaj teknike përmendet romancieri anglez Lorens Stern (Laurence Stern, 1713-1768). Ka studiuar në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge). Është fenomen unik në letërsinë shekullit XVIII. Kemi të bëjmë me romanin psikologjik të tij, kryeveprën “Jeta dhe mendimet e Tristram Shendit, xhentëlmenit” (The Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman, 1-2, 1759, 3-4, 1760, 5-6, 1761, 7-8, 1765, 9, 1767). Ky roman, i mohuar nga bashkëkohësit, aq sa edhe i vlerësuar lartë, përcaktoi në mënyrë vendimtare zhvillimin e prozës moderne narrative (tregimtare).
Kritikët kanë sugjeruar se teknikën e përroit të ndërgjegjes e ka paralajmëruar tregimtari dhe poeti amerikan Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849) në tregimin e tij “Tregim i zemrës “ (The Tell-Tale Heart, 1843).
Si një prej ndikuesve potencialë të drejtpërdrejta mbi mjeshtrit e teknikës së përroit të ndërgjegjes, Xhejmz Xhojsin dhe Virxhinia Ulfin* (Virginia Woolf) përmendet shkrimtari francez Eduar Dyzharden (Ḗdouard Dujardin, 1861-1949) me romanin e vet “Dafinat janë prerë” (Les lauriers sont coupés, 1887)*. Për ta arritur subjektivizimin e skajshëm të prosedesë dhe të temës, autori e zbaton në mënyrë konsekuente teknikën narrative (tregimtare) të monologut të brendshëm, që është një prej prosedeve moderniste kyçe. Me këtë vepër Dyzhardeni u radhit ndër paraardhësit e ripërkufizimit të zhanrit romanesk, kulmi i të cilit do të arrihet në romanet e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922), të prozatorit dhe poetit irlandez Xhejmz Xhojs (James Joyce, 1882-1941) dhe të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulf (Adeline Virginia Woolf, 1882-1941).
Shënim: Në romanin “Dafinat janë prerë” të Dyzhardenit flitet për një ditë të një të riu të dashuruar.
Shënim: Virxhinia Ulf, ndonëse shumë e arsimuar, ka pasur arsimim joformal, d.m.th. nuk ka ndjekur shkollim të rregullt. Në vitin 1912 u martua me teoricienin politik dhe shkrimtarin britanik Leonard Ulf (Leonar Sidney Woolf, 1880-1969). Eseja e saj “Një dhomë më vete” (A Room of One’s Own, 1929) është vepër themelore e feminizmit. E munduar prej sulmeve të depresionit, bëri vetëvrasje duke u mbytur në lumin Ouse në afërsi të pronës në Rodmell në Sussex.
* * *
Disa kritikë kanë thënë se fillimet e teknikës së përroit të ndërgjegjes mund të hasen edhe te novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov (1860-1904), te shkrimtari norvegjez Knut Hamsun* (1859-1952) dhe te romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejmz (Henry James, 1843-1916).
Shënim: Romancieri, novelisti dhe kritiku amerikan Henri Xhejms është vëlla i filozofit dhe psikologut të njohur Uilliam Xhejmz (Wiliam James, 1842-1910).
Shënim: Shkrimtari Knut Hamsun nuk ka pasur ndonjë arsimim formal të madh, d.m.th. nuk ka ndjekur shkollim të duhur.
* * *
Ka kritikë që sugjerojnë se teknikën e përroit të ndërgjegjes e ka përdorur për herë të parë në mënyrë të plotë tregimtari dhe dramaturgu austriak, me prejardhje hebraike Artur Shnicler (Arthur Schnitzler, ) në novelën e tij “Togeri Gustl” (Leutnant Gustl, 1900). Shnicleri ishte mjek. Më pas u bë shkrimtar i lirë. Është një prej përfaqësuesve qendrorë të modernes austriake.
Zhvillimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes mbërriti në avangardë. Një prej të parëve që i shfrytëzoi segmentet e tilla është romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (À la recherche du temps perdu,1913-1927).
Elemente të tilla, shkrimtarja britanike Mej Sinkler (May Sinclair, pseudonim i Mary Amelia St. Clair, 1863-1946), ka gjetur në veprën e prozatores angleze Doroti Riçërdson (Dorothy Richardson, 1873-1957).
Monologu i brendshëm është i pranishëm edhe në poemën “Kënga e dashurisë e J. Alfred Prufrock” (The Love Song of J. Alfred Prufrock, 1915) të poetit, kritikut dhe dramaturgut anglo-amerikan Tomës Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965).
Shënim: Tomës Stërnz Elliët u shkollua në Harvard, Sorbonë dhe Oksford. Në vitin 1948 mori çmimin “Nobel”.
2. Përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes
prej viti 1922 deri në shekulli XXI
Përdorimi i teknikës së përroit të ndërgjegjes arriti kulmin në fillim të dhjetëvjeçarit të tretë të shekullit XX. Kjo teknikë letrare filloi të përdoret mirëfilli në vitin 1922 kur u botua romani epokal “Uliksi” (Ulysses) i Xhejmz Xhojsit (James Joyce).
Përdorimi i mëtejmë i kësaj teknike vërehet në romanin “Ndërgjegjja e Zenit” (La coscienza di Zeno, 1923) të prozatorit italian, nga nëna hebre, nga babai gjerman, Italo Svevo (Trieste, 1861 – Motta di Livenza/Treviso, 1928). Romani i sipërthënë është kompleks. Aty relativizohet çështja e shëndetit dhe e sëmundjes dhe polemizohet me metodën psikanalitike të rrëfimit, duke qenë i shtrirë në kanape.
Shënim: Në vitin 1906 filloi miqësia e tij afatgjatë me Xhejmz Xhojsin (James Joyce) i cili një kohë punoi si arsimtar në Trieste.
Pasojnë romanet “Zonja Dallovej” (Mrs. Dalloway, 1925) dhe “Te fari” (To the Lighthouse, 1927) të prozatores dhe eseistes angleze Virxhinia Ulfit (Virginia Woolf). Në romanin “Zonja Dallovej” autori flet për jetën e heroinës, të pasqyruar brenda një dite.
Në vitin 1929 del romani “Këlthitja dhe mllefi” (The Sound and the Fury, 1929) i shkrimtarit amerikan Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962).
Shënim: Në vitin 1949 Fokneri u vlerësua me çmimin “Nobel”.
* * *
Monologun e brendshëm në trilogjinë apo në romanet e veta “Moloj” (Molloy, 1951), “Malone vdes” (Malone meurt, 1952) dhe “I paemër” (L’Innommable) e përdor edhe romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes franceze, miku i Xhojsit, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989), ndonëse është pikëpyetje nëse në veprat e sipërthëna kemi të bëjmë pastër me përroin e ndërgjegjes.
Shënim: Në vitin 1969 Semjuel Beketit iu dha çmimi Nobel”.
Kritikët kanë sugjeruar se teknika e përroit të ndërgjegjes shfaqet edhe në ndonjë vepër të prozatorit anglez me prejardhje indiane Selman Rushdi (Salman Rushdie, Bombei, 1947- ).
Shfaqet edhe në romanin “Kambana e qelqtë” (The Bell Jar, 1963) të poetes amerikane Silvia Pladh (Sylvia Plath, Boston, 1932 – Londër, 1963). Është romani i vetëm i saj.
Përroin e ndërgjegjes e hasim edhe në krijimet e shkrimtarit skocez Irvin Velsh (Irvine Welsh, 1958- ).
Shënim: Poetja Silvia Pladh (Sylvia Plath) ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Këtë krizë dhe mjekimin afatgjatë në klinikën për sëmundje shpirtërore e ka paraqitur në romanin e njohur autobiografik “Kambana e qelqtë” (The Bell Jar). Metafora kryesore të vargjeve të saj janë tmerri dhe vdekja. Studioi në Amerikë, më pas në Kembrixh (Cambridge) në Angli. Atje u njoh me poetin anglez Ted Hjuz (Ted Hughes, 1930-1998), me të cilin, në vitin 1956 u martua. Pas kësaj, dy vjet i kaluan në Amerikë duke punuar si arsimtarë. Në vitin 1959 u kthyen në Angli. Martesa së shpejti u rrënua, ndërsa poetja Pladh helmoi veten me gaz, pa i mbushur të tridhjetat. Përmbledhja e saj “Ariel” e botuar në vitin 1966, d.m.th. pas vdekjes, ndikoi që vdekja e saj të shndërrohet në legjendë, që vuajtja e saj të bëhet simbol i dëshpërimit ekzistencial dhe i neurozave të një brezi të tërë, ndërsa poezitë e saj të marrin përmasa mitike. Adhuruesit e Silvia Padh për vdekjen tragjike të saj e konsideronin përgjegjës edhe ish-burrin e saj Ted Hjuz (Ted Hughes). Në vitin 1999 ai botoi librin e kujtimeve për poeten “Letra ditëlindjeje” (The Birthday Letters). Edhe shumë dekada pas vdekjes, nuk u shua interesimi i publikut për poeten tragjike.
3. Teknika e përroit të ndërgjegjes
në veprat e shekullit XXI
Edhe pse në masë më të vogël, përroi i ndërgjegjes shfaqet edhe në letërsinë bashkëkohore. Shembuj të rëndësishëm janë romani “Vepra zemërthyese e gjeniut mahnitës“ (A Heartbreaking Work of Staggering Genius) i shkrimtarit amerikan Dave Eggers (1970); romani “Amuleto” i shkrimtarit kilian Roberto Bolano (1953-2003) dhe romani “Everything Is Illuminated” i shkrimtarit amerikan Xhonatan Safran Foer (Jonathan Safran Foer, 1977- ).
Xhelal Zejneli
***
“NJËQIND VJET VETMI” – GABRIEL GARSIA MARKEZ
Nuk gjetëm shtigje që e lidh Makondon me botën. Jemi të izoluar . Do të vazhdojmë t’i përlajmë gjelat!
“Njëqind vjet vetmi” (spanjisht – Cien años de soledad) është roman i shkrimtarit kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez, 1927-2014), të botuar në Spanjë në vitin 1967. Vepra korri sukses të jashtëzakonshëm dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kjo vepër paraqet zbulim më të madh të stilit postmodern të të shkruarit. Kur u bë libër i dytë më i shitur në tërë historinë e letërsisë spanjolle, vepra korri edhe sukses komercial, menjëherë pas “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantesit (Miguel de Cervantes, 1547-1616).
“Njëqind vjet vetmi” është vlerësuar si më i miri roman i Evropës, i botuar nga një joevropian. Është vlerësuar si roman i vështirë për t’u kuptuar.
Lufta midis guerilëve të Makondos, në një anë dhe kompanisë së bananeve, në anën tjetër, zgjati njëzet vjet. Pas dy dekadave, midis palëve ndërluftuese u arrit një marrëveshje paqeje. Guerilët luftën s’e humbën, por edhe nuk e fituan. Historinë do ta shkruanin, jo guerilët, por kundërshtarët e tyre.
Varrimi i njërit prej komandantëve të gueriles u bë me gjashtë vetë. Ishte një ditë me shi. Arkivoli me trupin e komandantit ishte vendosur në karrocë që tërhiqej prej katër kuajve. Rruga nëpër të cilën kalonte karroca ishte mbuluar nga balta. Rrotat e karrocës ishin zhytur deri në gjysmë në baltë. Me të mësuar për varrimin, Ursula i kërkoi mbesës së vet, Amarantës, ta nxirrte te dera, për t’ia dhënë përshëndetjen e fundit prijësit të guerilëve. Plaka ishte njëqindvjeçare. Kishte mbetur sa një kumbull. As shihte, as dëgjonte. Komandanti ishte rritur në oborrin e saj. I kishte dhënë gji, njësoj si djalit të vet. U ndal nën strehën e derës së oborrit. Shiu binte rrëke. Në shenjë nderimi për nënën e guerilëve, Ursulën, gjashtë guerilët e ndalën karrocën me kufomën e kryekomandantit. Ursula salutoi, duke ngritur grushtin përpjetë.
Makonadasit nuk e dinin se atë ditë shkonte në amshim njeriu i cili njëzet vjet kishte udhëhequr 200 mijë guerilë, në luftë kundër kompanisë së bananeve. Histori për luftën e tyre s’kishte. Atë e shkruanin të tjerët.
* * *
Në këtë vepër Markezi punoi plot 15 muaj pandërprerë, duke u tjetërsuar nga pjesa tjetër e botës, në dhomën e vet, bashkë me faqet e letrës që gjithmonë i mungoni dhe cigareve.
Në pikëpamje kronologjike, romani përcjell familjen Buendia dhe historinë e fshatit mitik Makondo. Titulli i veprës tregon se veprimi i romanit zgjat njëqind vjet. Megjithëkëtë, veprimi nuk është i kufizuar në mënyrë rigoroze në atë periudhë kohore. Shumë kritikë janë dakord se “një vjet” është përdorur si metaforë. Kjo papërcaktueshmëri e kohës ndikon në interpretimin e kohës sipas mënyrës që është karakteristike për romanin, në të cilin ndërthuren mendimet dhe përshtypjet se koha përsëritet, e ndërron shpejtësinë apo plotësisht ndalet të rrjedhë në pjesë të ndryshme të rrëfimit. Duket sikur të gjitha ngjarjet ndodhin disi në të njëjtën kohë.
Sikundër edhe shumë romane të tjera të Markezit, “Njëqind vjet vetmi” i takon një zhanri karakteristik në të cilin janë kombinuar elemente të romantikës, të historisë dhe të fantastikes. Vepra është e pasur me metafora dhe ironi dhe është ndërtuar në mënyrë të përsosur mbi baza të realizmit magjik.
* * *
Veprimi i romanit “Njëqind vjet vetmi” nuk është i caktuar me kufijtë që i vendos realiteti. Ai i kapërcen ato, duke i fshirë kufijtë e tij me një guxim të tillë, saqë vetë realiteti i shtrin rrënjët e veta në fantazi. Raporti midis realitetit dhe fantastikes është harmonizuar në mënyrë të përsosur, në rrafshin e një objektiviteti të jashtëzakonshëm. Kësisoj është krijuar efekti i një realiteti fiktiv që i shemb të gjitha muret pengues që i vendos realiteti i ashpër, duke e privuar lexuesin që ta përjetojë veprën plotësisht. Duke i përsëritur shkallë-shkallë temat e njëjta nëpër roman, Markezi dëshmon në të vërtetë për natyrën ciklike të historisë, të cilën gjithsesi nuk duhet harruar, ngase një harresë e tillë sjell me vete të këqija të shumta.
Romani e përcjell fatin e familjes Buendia në fshatin Makondo. Edhe Makondo është një prej fryteve të imagjinatës së Merkezit. Makondo edhe pse krijohet në fillim të romanit dhe shkatërrohet në fund të tij, krijon përshtypjen se është i përhershëm. Kjo ndodh mbase për shkak të faktit se ky fshat mitik nuk shfaqet vetëm në këtë roman të Markezit.
Personazhet
Trungu familjar Buendia
Brezi i parë
Hose Arkadio Buendia (José Arcadio Buendía)
Patriarku i familjes Buendi, Hose Arkadio Buendia është njeri me vullnet të fuqishëm i cili, edhe fizikisht, edhe psiqikisht “tjetërsohet” prej familjes së vet, në momentin kur udhëhiqet nga interesi për mister filozofik. Buendia e udhëhiqte Makondon në vitet e hershme të fshatit.
Hose Arkadio Buendia tri herë ndërmori ekspedita për të gjetur rrugë që e lidhin Makondon me botën. Rrugë nuk gjeti. I dëshpëruar, bashkë me ekspeditën, u kthye në fshat. Bashkëfshatarëve që e pritnin me ankth, u tha:
“Rrugë që na lidhin me botën, nuk gjetëm. Jemi të izoluar. Do të vazhdojmë t’i përlajmë gjelat!”
Në luftën e gjelave, merrte pjesë me gjelin e vet edhe Hose Arkadio Buendia. Gjatë një përleshjeje, gjeli i tij e mundi atë të një tjetri. Ai, gjeli i të cilit kishte humbur, iu drejtua me zemërim:
“Dëgjo ti Hose Arkadio Buendia, merre këtë gjelin tënd dhe çoja gruas tënde që t’ia bëjë atë punë që s’je në gjendje t’ia bësh ti!”
“Kujt ia thua ato fjalë, or ti horr i ligë?” – ia ktheu me të keq Hose Arkadio Buendija.
E nxori revolen dhe e qëlloi makondasin me tre plumba në gjoks. U kthye në shtëpi, e pa gruan e vet në oborr te zarzavatet, e zuri dhe e shtriu për toke, ia grisi rrobat dhe ia bëri punën.
E shoqja mbeti pa mend. “Ç’je duke më bërë kështu Hose?! Të paskan lënë mendtë!” – i tha ajo e habitur.
Prej çastit të vrasjes së bashkëfshatarit, Hose Arkadio Buendia nuk do të jetë ai që kishte qenë dikur. Nisi të çmendet, prandaj u detyruan ta nxjerrin në oborr dhe ta lidhin për gështenje.
* * *
Prania e tij në roman humbet kur ai fillon të çmendet, duke kërkuar gurin e magjistarit. Me kalimin e kohës e humb arsyen dhe fillon të flasë në gjuhën latine. Që atëherë, e lanë të lidhur për trungun e gështenjës. Para se të vdiste, gruaja e tij, Ursula (Úrsula) e liron dhe çon në dhomën e tij. Në prag të vdekjes, ai kthehet nën trungun e gështenjës ku edhe vdes.
Ursula Iguaran (Úrsula Iguarán)
Gruaja e Hose Arkadia Buendias, Ursula, është një prej personazheve kryesore të romanit. Jeta e saj shtrihet pothuajse nëpër të gjithë brezat e familjes. Ajo mbikëqyr familjen, i kryen punët e shtëpisë dhe kujdeset për Hose Arkadia Buendian. Ajo vdes në moshën midis 114 dhe 122 vjeçe. Kishte mbetur sa një kumbull dhe nuk ishte më e madhe se një fetus.
Brezi i dytë
Hose Arkadio (José Arcadio)
Hose Arkadio ishte djali i parë i Hose Arkadio Buendias, nga i cili trashëgoi vetinë e të qenit këmbëngulës si dhe sjelljen impulsive. Kishte për dashnore Pilar Ternerën, nga e cila u nda në fillim të shtatzënisë së saj. U bashkëngjitet romëve dhe largohet nga familja. Në Makondo kthehet pas disa vitesh si një i rritur. Thoshte se kishte lundruar nëpër detet e botës. Me të ardhur, martohet me të motrën e adoptuar, Rebekën. Që të dy u dëbuan nga shtëpia familjare. Vdes nga plaga e shkaktuar nga një plumb i panjohur, vetëm disa ditë pasi i kishte shpëtuar i vëllai nga dënimi me vdekje.
Koloneli Aureliano Buendia
Aureliano Buendia ishte djali i dytë i Hose Arkadio Buendias dhe personi i parë i lindur në Makondo. E pagëzuan me emrin e gjyshit. Aureliano kishte qarë në barkun e së ëmës dhe kishte lindur me sy të hapur.
Shoku i tij i fëmijërisë kishte bërë nja gabim. Si pasojë, kishin pësuar katër guerilë. Në përputhje me ligjet e luftës guerile, koloneli Aureliano shokun e vet e kishte dënuar me vdekje. Për rastin e rëndë kishte mësuar edhe e ëma, Ursula. Kërkoi ta çonin tek i biri. Ende pa gdhirë, u nis për te koloneli, për të arritur para muzgut. Rojet e shtabit të guerilëve mësuan se është nëna e kolonelit. E njoftuan komandantin për ardhjen e saj. “Le të hyjë”, u tha koloneli.
E paralajmëruan nënën:
“Do të hysh brenda dhe do të qëndrosh tre metra larg kolonelit. Mund të qëndrosh brenda, jo më shumë se tri minuta.”
Nëna hyri në shtabin e guerilëve. Me ta parë të ëmën, koloneli u ngrit në këmbë. Nëna bëri t’i afrohet, por rojet e shtabit e rrokën për krahu dhe ndalën.
“Ju paralajmëruam zonjë. Mund t’i drejtoheni kolonelit vetëm nga një distancë prej tre metrave. Qëndrimi Juaj këtu nuk mund të zgjatë më shumë se tri minuta.”
Nëna nuk ia tha të birit atë për të cilën kishte ardhur – ta tërheqë dënimin me vdekje ndaj shokut të tij të fëmijërisë. Që të dy ishin rritur në oborrin e saj. Që të dyve u kishte dhënë gji.
Në ato dy-tri minuta Ursula ia tha të birit fjalët më të rënda. Koloneli heshti. Ende pa kaluar tri minuta, rojet e shtabit të guerilëve iu afruan nënës, e rrokën për krahu dhe morën ta nxjerrin jashtë. Ajo e ktheu kokën kah i biri dhe i tha: “Dënimin që e ia ke dhënë shokut tënd të fëmijërisë, ta tërheqësh sa më parë. Ndryshe, për se jeta do ta kesh mallkimin tim.”
Koloneli Aureliano vetëm tani e kuptoi përse e ëma e kishte marrë gjithë atë rrugë, nëpër shtigjet e egra të fushëbetejave.
* * *
Koloneli Aureliano nuk tregoi ndonjë aftësi të veçantë në dashuri. Besonte se zotëronte fuqi të mbinatyrshme për të parashikuar atë që do të ndodhte. Ato që i kishte thënë deri atëherë, kishin dalë të sakta. Lufton në anën e liberalëve, merr pjesë në 32 luftëra dhe disa herë ia ka dalë t’i shpëtojë vdekjes. Me të humbur interesin për luftë, nënshkruan me kompaninë e bananeve marrëveshjen e paqes dhe kthehet në shtëpi.
Aureliano s’ishte vetëm luftëtar. Ishte edhe poet. Në moshë të shtyrë, nisi ta humbë kujtesën dhe të bëhet i pandjeshëm për ndodhitë rreth vetes. Kohën e kalon në punëtori duke punuar peshq të artë. I shkëmbente për monedha të cilat i shkrinte dhe bënte prej tyre peshq të tjerë. Vdiq nën trungun e gështenjës nën të cilin babai i tij ishte i lidhur me vite.
Remedios Moskote (Remedios Moscote)
Remedia ishte vajza më e vogël e konservatorit dhe drejtuesit, Don Apolinar Moskote. Ngjyra e bukur e lëkurës dhe sytë e gjelbër smeraldi e bënin të jetë tërheqëse. Në moshën 12-vjeçare u martua me kolonelin Aureliano. Ishte shumë e re kur koloneli u dashurua në të. U desh të pritnin kurorëzimin derisa ajo të hynte në pubertet. Për befasinë e të gjithëve, ajo u bë një bashkëshorte e mrekullueshme dhe simpatike. Si rrjedhojë, e fitoi simpatinë e të gjithëve. Ishte i vetmi person që kujdesej për Hose Arkadio Buendian, gjatë kohës kur ai ishte i sëmurë. Për fat të keq, ajo vdes e re gjatë lindjes së fëmijës.
Amaranta
Amaranta ishte fëmija i tretë i Hose Arkadio Buendias. U rrit bashkë me simotrën e saj, Rebekën. Dashuria dhe delikatesa që shfaqte ndaj saj u shndërruan në xhelozi dhe smirë kur në jetën e tyre paraqitet Pietro Krespi (Pietro Crespi). Që të dyja e dashuronin me zjarr. Madje Amaranta kishte deklaruar se do ta vriste Rebekën po qe se martohet për Pietro Krespin. Por, pas vdekjes së Remedias, Amaranta u pendua për atë që kishte thënë. Pas kësaj, përjeton krizë emocionale.
Kur Rebeka martohet me Hose Arkadian (Jose Arcadio) dhe jo me Pietron, Amaranta e refuzon secilin që i vardiset, madje edhe Pietro Krespin. I dëshpëruar, ky e vret veten. Një prej atyre që i vardiseshin ishte edhe shoku më i ngushtë i vëllait të saj Aurelianos, koloneli Gerineldo Markez (Gerineldo Marquez), por ajo, pa ndonjë arsye, e refuzon edhe dorën e tij. Ka pasur marrëdhënie joseksuale me nipat e saj, me Aureliano Hosen dhe me Hose Arkadian.
Një ditë do të vdesim, i tha Amaranta vetes. Nisi të thurë mbulesën e saj të varrimit. Kur mbaroi së thururi, vdiq si një e virgjër dhe si një vajzë e vetmuar e pamartuar. Ishte disi e kënaqur ngase ishte pajtuar me fatin.
Rebeka
Rebeka është një bonjake që e adopton familja Buendia. Supozojnë se ajo është vajzë e farefisit të largët të Ursulës. Në fillim ajo ka qenë shumë e tërhequr, refuzonte të fliste dhe kishte një shprehi të çuditshme: hante truall dhe gëlqere nga muret e shtëpisë si dhe e thithte gishtin. Sjell me vete thesin me eshtrat e prindërve të vet dhe bisedon vetëm me shërbëtorët Visitacin dhe Kataurin (Cetaure). Paraqitet pasi që Hose Arkadio shkon me romët. Edhe pse ishte rritur në shtëpinë e familjes Buendia, e dëbojnë prej aty pasi u martua me Hose Arkadian. Vdekja e mistershme e Hose Arakdit është e ndërlidhur në mënyrë të pashpjegueshme me Rebekën. Pas kësaj, ajo jeton e izoluar nga bota.
Po ky personazh paraqitet edhe në novelat e Markezit veprimi i të cilave po ashtu zhvillohet në Makondo.
* * *
Në vepër ka një skenë ku fjalosen vjehrra me dhëndrin. Vjehrra i thotë dhëndrit:
“O i mjerë! Ti nuk je i vetëdijshëm se ke marrë për grua një vajzë e cila kur ishte dy vjeçe e bënte nevojën në oturak prej floriri.”
Me t’i dëgjuar këto fjalë të rënda, pa çelur gojë, dhëndri doli jashtë, ndërsa nusja e tij i theu duart dhe mallëngjyeshëm reagoi ndaj fjalëve të së ëmës: “Si munde t’ia thuash ato fjalë nënë…A e ke parasysh se do m’i prishësh raportet me burrin.”
* * *
Artisti kolumbian Garsia Markez është një ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX.
Xhelal Zejneli
***
INDIVIDI PËRBALLË FORCAVE TË TERRIT
“PROCESI” I FRANC KAFKËS
Analiza e veprës
Njërën prej veprave më të njohura gjermane të të gjitha kohëve, romanin “Procesi” Kafka e shkroi në vitet 1914 dhe 1915. Romani u botua psthum (pas vdekjes), në vitin 1925. U botua i papërfunduar. Megjithëkëtë, e përmban kapitullin përfundimtar që e çon veprimin deri në fund. Romanin e përgatiti për shtyp shoku i Kafkës, shkrimtari Maks Brod (Maks Brod, Pragë, 1884 – Tel Aviv-Xhafa / Yafo, Izrael, 1968). Ky e bëri sistemimin dhe radhitjen e veprës sipas kapitujve. Vepra përmban dhjetë kapituj.
Me titullin e vet, vepra sugjeron veprimin në qendër të të cilit vihet një proces gjyqësor. Në të vërtetë, vepra është revoltë e Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë së kohës. Si i tillë, “Procesi” nënkupton edhe luftën e njeriut të mbetur pa mbështetje, kundër atyre që janë më të mëdhenj se ai.
Gjykata si një instancë e padukshme, por megjithëkëtë ekzistuese, figuron nëpër tërë veprën. Ajo e përndjek individin i cili as që e di se çfarë faji i ngjishet dhe e dënon. Kësisoj, jeta e njeriut reduktohet në model dhe shndërrohet në forma të jetës robotike, ku ligjet dhe sistemi janë mbi jetën. “Procesi” interpretohet edhe si padiskutueshmëri dhe pashmangshmëri e fatit. Këtë e vërejmë edhe në sjelljen e Jozef K-së në fund të romanit, kur ai pa rezistencë i dorëzohet dënimit me vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit të cilin te Kafka e hasim edhe te “Metamorfoza”, është reflektim i përpjekjes së autorit për ta gjetur veten. Si një çifut çek që flet gjermanisht, Kafka gjithmonë ndjehej i huaj, pavarësisht se në çfarë mjedisi ndodhej. Tjetërsimi vërehet më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të vendit të zhvillimit të veprimit, në numrin e personazheve (të cilët paraqiten një herë ose përnjëherë humbin në mes të veprimit), por edhe në ripërkufizimin e fajit që i ngjishte personazhit kryesor. Megjithëkëtë, në situatën në të cilën ndodhet personazhi kryesor, s’mund të bëjë asgjë, përpos ta pranojë atë, gjë që në fund edhe e bën.
Shumë prej personazheve janë nëpunës të ndryshëm bankarë, gjyqësorë apo policorë. Bie në sy edhe atmosfera e interierit dhe e eksterierit që e pasqyron Kafka në roman. Hapësirat gjyqësore ndodhen në tavane, në pjesët e varfra, periferike të qytetit. Pranë hapësirave gjyqësore kryhen punë të përditshme, si për shembull larja e rrobave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i veprimeve krijojnë dimensionin kafkian të romanit dhe reflektojnë dimensionin psikologjik të tij. Më e keqja nga të gjitha është fakti se personazh kryesor mund të jetë cilido njeri në botë. Ai është njeri i zakonshëm dhe kjo vërehet edhe te emri i tij. Ai nuk ka një identitet të plotë, por vetëm emër dhe inicial – Jozef K. Në vend të tij mund të jetë kushdo qoftë. Këtu qëndron edhe kanosja më e madhe e romanit.
Për këtë arsye “procesi” i Kafkës është bërë sinonim i situatave absurde në të cilat ndodhet njeriu, pa fajin e vet. Prej situatave të tilla nuk mund të nxirret me logjikë. Në rrethana të tilla s’i tjetër pos të pranojë gjendjen në të cilën ndodhet.
Është një vepër e madhe dhe e rëndësishme e modernes e cila si asnjë tjetër tregon absurdin e shoqërisë moderne dhe të njeriut të ngatërruar në të.
Elementet letrare
Gjinia letrare: epika; Lloji letrar; roman; Vendi ku zhvillohet veprimi: qytet evropian i papërcaktuar; banesat e zonjës Grubah (dhoma e Jozef K.-së), salla e gjykatës, banesa e avokatit, banka, banesa e piktori Titoreli, gurorja; Koha e zhvillimit të veprimit: shekulli XX; Tema: procesi gjyqësor ndaj një njeriu të fajësuar në mënyrë të pabazuar; Ideja: pasqyrimi i absurdit të shoqërisë dhe individit i cili aty nuk ka mundësi të dëshmojë pafajësinë e vet.
Përmbajtja e shkurtër e veprës
Jozef K. është një nëpunës bankar i cili zgjohet në ditëlindjen e vet të tridhjetë me një trokitje në derë. Në dhomën e tij hyn një i panjohur, ndërsa tjetri e pret në dhomën tjetër. Prezantohen si nëpunës gjyqësorë të cilët kanë ardhur për ta arrestuar. Arsyet nuk duan t’ia tregojnë. Jozef K. mendon se krejt kjo nuk është veçse një shaka e pa kripë e kolegëve të byrosë. Pranon të merret në pyetje nga inspektori i cili i thotë se deri në fillim të gjykimit, është i lirë. Jozef K. e pa të udhës që lidhur me rastin ta njoftonte edhe pronaren e banesës, zonjën Grubah (Grubach), pastaj zonjushën Byrstner (Bürstner), në dhomën e së cilës zyrtarët kishin ndenjur atë mëngjes. Për ta qetësuar, Jozef K. e mbyti me puthje zonjushën Byrstner.
Thirrja telefonike e njofton Jozef K.-në se hetimi i rastit të tij është caktuar për të dielën. Nëpërmjet telefonit nuk ia treguan kohën, por vetëm adresën. Jozef K. supozoi vet se marrja në pyetje fillon në orën nëntë të mëngjesit. U nis vetë. Nuk dëshironte që në krejt këtë ta implikonte as ngasësin e taksisë. Kur mbërriti para ndërtesës, i pengoi fakti se ishte një godinë tejet e madhe me shumë shkallë dhe kate të veçanta. Ai s’e kuptonte se cila ishte banesë e vërtetë. U përcaktua për do shkallë dhe derisa ngjitej, e hidhte syrin në çdo hapësirë për ta gjetur atë që kërkonte. Nuk pa veçse një mori familjesh të varfra të cilëve u thoshte se e kërkon zdrukthëtarin Lanza. Në katin e pestë sheh një grua e cila lante do tesha fëmije. Ajo e udhëzon në një derë. Dalëngadalë mbërrin në një hapësirë që i ngjan sallës së gjyqit. Njeriu për të cilin pandehu se ishte gjyqtar, i tha se është vonuar një orë. Publiku në sallë e përshëndet, herë me duartrokitje, herë me heshtje.
Shpejt gjyqtari kryesor filloi me pyetjet, duke e pyetur ndërmjet tjerash Jozef K.-në në ishte ai piktor. Jozef K. menjëherë ia filloi me arsyetimet, duke e hedhur notesin e gjyqtarit dhe duke e përshkruar arrestimin e tij. Sakaq e nuhati se të gjithë në sallën e gjyqit kanë do karfica, ndaj mendoi se të gjithë ata s’ishin veçse nëpunës fëlliqur. Donte të dalë dhe të shkojë. Për gjestin e tillë gjyqtari ia bëri me dije se i rrezikoi të gjitha përparësitë që do të mund t’i kishte si një njeri i pafajshëm. Doli me vrap, duke lënë pas vetes turmën e njerëzve të cilët filluan ta analizojnë rastin e tij.
Jozef K. vendosi vetë të paraqitet në gjykatë. E priti po ajo grua eë cila lante tesha. Në bisedë e sipër, mësoi se ishte grua e shërbyesit gjyqësor dhe se banonin aty pa kompensim, në shkëmbim të punës që bënin. Bisedën e Jozef K.-së dhe të gruas së re e ndërpreu një student i drejtësisë. Jozef K. i shikoi nga distanca, i pa të putheshin, pa studentin që e mori gruan me vete. Pastaj i vjen burri i cili i ankohet Jozef K.-së për sjelljen gruas dhe të studentit. Por nuk i ankohet kujt nga frika e humbjes së vendit të punës.
Shërbyesi gjyqësor e shoqëron Jozef K.-në nëpër gjykatë. U ngjiten shkallëve të larta, hyjnë në hollin ku presin të akuzuarit. Në të ecur Jozef K. fillon të ndjehet i lodhur. I lutet shërbyesit ta shoqërojë jashtë, por ai refuzon. Jozef K. ndjen marramendje dhe fillon të bërtasë. Britmën e tij e dëgjon një grua në zyrën aty pranë. Ajo i thotë se secili që vjen për herë të parë në gjyq, ndjehet i tillë. I sugjeron zotërisë që punon në zyrën e saj, që ta çojnë Jozefin në ambulancë. Por ai i lut që ta shoqërojnë jashtë. Dy policë e rrokën për krahësh dhe e nxorën Jozef K.-në jashtë. Jozefi K. mendon sesi gjykata, si një ajër i ndotur, ndodhet kudo, ndërsa ky s’e sheh.
Jozef K. tenton të bisedojë me zonjushën Byrstner, por ajo i shmanget. I dërgon edhe letër, por nuk merr përgjigje. Të dielën vëren se në dhomën e saj do të vendoset një banore e re, zonjusha Montag. Më në fund Jozef K. i drejtohet edhe pronares së banesës, zonjës Grubah, me të cilën nuk ka folur me javë të tëra. Episodi në të cilin takon dy nëpunës para të cilëve qëndron rrahësi, i krijon huti akoma më të madhe. Në të vërtetë rrahësi kishte marrë për detyrë t’i rrahë dy zyrtarët për arsye se Jozef K. i ishte ankuar ndaj tyre gjyqtarit. Edhe pse Jozef K. i thotë rrahësit që t’i lëshojë, por ky s’e dëgjon. Jozef K. largohet.
Jozef K.-në e viziton xhaxhai i vet Karli i cili është i brengosur për rastin e Jozef. K.-së. Rasti i tij do ta dëmtonte tërë familjen. I kërkon atij të shkojnë te një mik i tij avokat për ta përfaqësuar ai. E takojnë avokatin dhe habiten se ai ishte i njoftuar për rastin. Madje atje kishte qenë edhe prokurori kryesor. Avokati Huld ishte i sëmurë dhe ndodhej i shtrirë në shtrat. Për të kujdesej Leni. Ajo del me Jozef K.-në dhe që të dy lëshohen në aferë dashurie. Jozef K. u kthye pas disa orëve. Kur u kthye, xhaxhai e qortoi ngase e kishte lënë prokurorin që ta priste. Përveç kësaj, vajza mund të ketë qenë dashnore e avokatit.
Jozef K.-në gjithnjë më tepër e preokupojnë mendimet për rastin e tij. Në punë nuk është në krye të detyrës dhe ku s’i shkon mendja. Të gjithë janë të njoftuar me rastin e tij. Midis tyre edhe një sipërmarrës i cili e sugjeron ta vizitojë piktorin Titoreli. Ai i pikturon portretet e nëpunësve gjyqësorë. Si i tillë ndoshta do të mund t’i ndihmonte. Jozef K. e viziton gjyqtarin i cili jeton në pjesën akoma më të varfër të qytetit se ajo ku ndodhej gjykata. Piktori ia ofron ndihmën e vet nëpërmjet personave të gjykatës që i njihte. I flet për epilogët e mundshëm të rastit të tij. Derisa piktori ia tregonte opsionet e aktgjykimit, Jozef K. përsëri u ndje keq, sikur u ngulfat nga ajri. U largua nga banesa e piktorit, pa i thënë se cilin prej aktgjykimeve e parapëlqen. Piktori e përcjell duke kaluar nëpër një korridor të ngjashëm me hollin ku ndodheshin zyrat e avokatëve ku nuk ishte ndjerë mirë. Jozef K. mban një shami mbi hundë dhe i shoqëruar nga shërbyesi gjyqësor del prej ndërtese.
Jozef K. vendos që rastin ta marrë në duart e veta. Shkon te avokati për t’i thënë se heq dorë nga bashkëpunimi. Avokati ia kthen duke i thënë se nuk është durimtar. Sidoqoftë, Jozef K. i jep fund bashkëpunimit. Punët për Jozef K.-në ndërlikohen. Një ditë i kërkojnë në punë që t’ia tregojë një italiani katedralen. Ndonëse klienti nuk u paraqit, Jozef K. hyn vetë. Aty takon klerikun i cili ia rrëfen parabolën për njeriun nga fshati dhe rojtarin. Kleriku i sugjeron që në procesin e tij mos të bazohet gjithaq në ndihmën e huaj dhe të qëndrojë larg femrave.
Procesi filloi në 30-vje3torin e ditëlindjes së Jozef K.-së dhe përfundon në 31-vjetorin e ditëlindjes së tij. Atij i vijnë dy burra të veshur me rroba të zeza. Jozef K. i pret me gatishmëri të plotë, sikur e dinte se do të vijnë. Ishte i veshur me tesha të zeza. Nuk ofron rezistencë dhe i lejon që ta marrin. E çojnë në gurore. Kokën ia mbështesin mbi një gur. Njëri prej tyre e nxjerr thikën prej kapotës së vet. Luanin me thikën sikur të pritnin që ta merrte ai për ta vrarë veten. Më në fund, njëri prej dy nëpunësve ia nguli Jozef K.-së thikën në zemër dhe e vrau.
Fjalët e fundit të tij ishin: “Sikur një qeni!”
Njëherazi mendonte për turpin që e përshkonte gjithë procesin që do ta mbijetonte.
* * *
Personazhet: Jozef K., zonjusha Byrstner (Bürstner), zonja Grubah (Grubach), zonjusha Montag, nëpunësit gjyqësorë, inspektori, avokati Huld, xhaxhai Karl, vajza Leni, piktori Titoreli, studenti i drejtësisë, shërbyesi gjyqësor…
* * *
Shënime për autorin
Franc Kafka (Pragë, 3 korrik 883 – Kierling, Klostemeuburg, Austri, 3 qershor 1924) është shkrimtar austriak me përkatësi etnike hebraike. Ka lindur në Pragë. Ka lënë gjurmë në letërsi me mënyrën e veçantë të të shkruarit dhe me temat interesante, disi të errëta. Për Kafkën është shkruar shumë. Me veprën dhe personalitetin e tij janë marrë kritikët letrarë më eminentë të botës, filozofët, estetët, psikanalistët, neurologët etj. Vepra dhe personaliteti i tij studiohen edhe sot, njëqind vjet pas vdekjes së tij. Me Kafkën merret çdo brez studiuesish. Figura e tij është ngritur në mit. Konsiderohet kryeidhull i modernizmit. Studiohet në të gjitha universitetet e botës. Për gjendjen psikike të tij kanë lindur shumë teori. Tendenca për të bërë vetëvrasje ishte provë e një çrregullimi psikik të tij. Lindi në një familje të pasur në të cilën mbizotëronte babai Herman Kafka (Hermann Kafka, Osek, Çeki, 1852 – Pragë, 06.06.1931). Profesor Stenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) babanë e Kafkës e përshkruan si një “person dominues që e njeh mirë natyrën e njeriut”. Nënë e Kafkës ishte Julie Kafka (1856 – Pragë, 1934).
Që të tri motrat e Kafkës – Valli, Elli dhe Otla përfunduan në kampet naziste.
Valerie “Valli” Kafka Pollak lindi në Pragë më 25.09.1890. Vdiq në vitin 1942 në kampin nazist të përqendrimit, Çellmo të Polonisë.
Ottilie “Ottla” Kafka lindi në Pragë më 29.10.1892. Vdiq më 17.10.1943 në kampin nazist të Aushvicit (Auschwitz).
Gabriele “Elli” Kafka lindi në Pragë më 22.09.1889. Vdiq në kampin nazist të përqendrimit në vitin 1944.
Shënim: Stenli Korngold (Stanley Alan Corngold, 1934- ) është studiues letrar amerikan, profesor i gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese (komparative) në Princeton University.
* * *
Në vitet 1889-1893 Kafka u shkollua në Pragë në Shkollën gjermane për djemtë. Pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnaz. Pas mbarimit të gjimnazit u regjistrua në fakultet për të studiuar kiminë. Pas kimisë kalon në letërsinë gjermane dhe në histori. Pas kësaj regjistrohet në drejtësi. Gjatë jetës krijonte të ardhura duke punuar si jurist, ndonëse gjithmonë dëshironte të bëhej shkrimtar. Në saje të babait, materialisht Kafka ka qenë i siguruar.
E kanë përshkruar si person të cilin gjithmonë e ka munduar epshi. Gjatë jetës, shpesh i ka vizituar bordelet.
Lidhjet intime të Kafkës – Një lidhje të gjatë e ka pasur me Felice Bauer me të cilën takohej kohë pas kohe. Me të komunikonte më së shumti nëpërmjet letrave. Ishte dy herë i fejuar me të. Lidhjet e tjera i ndërpreu në vitin 1917 kur e goditi sëmundja e rëndë e tuberkulozit.
Në vitin 1920 u fejua me Juli Voriçek, një pastruese e varfër e dhomave të hotelit. Duke qenë e fejuar me Felicen, e tradhtonte me çifuten Margarita Bloh, e cila ishte shoqe e Felices e cila jetonte në Berlin dhe sikur ai vetë, ishte çifute. Flitej se me Margarita Bloh, Kafka ka pasur fëmijë për të cilin ky s’kishte ditur. Fëmija paska vdekur shpejt pasi kishte lindur. Por ka studiues që thonë se kjo histori nuk është e vërtetë.
Kryeidhulli i modernizmit, Franc Kafka ka qenë në lidhje edhe me Dora Diamant.
Mbante lidhje dhe letërkëmbim me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena Jasenska. “Letra Milenës” (Briefe an Milena) botuar në vitin 1952 është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore gjatë miqësisë me Milena Jasenskën në vitet 1920-1923.
Ndonëse kurrë nuk u martua, Kafka e çmonte institucionin e martesës dhe të familjes.
Shënim:
Felice Bauer (Prudnik, Poloni, 18.11.1887 – Rye, Nju-Jork, 15.10.1960);
Juli Voriçek (Julie Wohryzek) lindi në Pragë më 28.02.1891. Vdiq në Polonisë më 26.08.1944, në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz;
Margarita Bloh (Margareth Bloch / Grete Bloch) lindi në Berlin më 21 mars 1892. Vdiq në vitin 1944 në kampin nazist të përqendrimit Aushvic / Auschwitz – Brikenau;
Dora Diamant (Pabiance, Poloni, 1900 – Londër, 1952);
Milena Jasenska ka qenë gazetare, shkrimtare, botuese dhe përkthyese çeke. Lindi në Pragë më 10 gusht.1896. Vdiq më 17 maj 1944 në kampin nazist të përqendrimit Ravensbrück në Gjermani.
* * *
Ndikimi i Kafkës në letërsinë bashkëkohore është i jashtëzakonshëm. Ai është një prej autorëve universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX.
Kafka ka shkruar tregime, aforizma, romane dhe letra. Veprat e tij i lidh uniteti shpirtëror. Përkundër faktit se krijonte nën përshtypjet e romantizmit, të traditës evropiane siç e kanë kultivuar shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), romancieri dhe novelisti rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881) dhe romancieri francez Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880), si dhe të doktrinës heteroortodokse çifute, Kafka deri më sot ka mbetur si një prej autorëve që nuk mund të sistemohet në asnjë prej drejtimeve letrare. Megjithëkëtë, përfaqësues të shumë drejtimeve letrare e marrin Kafkën si paraardhës të tyre. Të gjithë romancierët që kanë ardhur pas Kafkës, u referohen veprave si një fillimi të prozës tregimtare moderne.
Veprat e tij e përshkruajnë realitetin e vrazhdët dhe të hirtë në të cilin personazhet kryesisht janë të shtypur në luftën e pandërprerë me sistemin burokratik të ashpër.
Kjo vërehet më së miri në veprat siç janë “Amerika”, “Procesi”, “Kështjella” dhe “Metamorfoza”. Në veprat e Kafkës kemi një atmosferë në të cilën personazhet janë disi të humbur dhe nuk janë në gjendje të komunikojnë me të tjerë.
Kafka hoqi dorë prej pikëpamjeve religjioze dhe iu kthye filozofisë. U shndërrua në një prej shkrimtarëve shpirtërorë më të njohur të shekullit XX.
Në të gjallë, iu botuan dy përmbledhje tregimesh. Do shkrime iu botuan edhe nëpër revista. Sa qe gjallë iu botuan tregimet “Vëzhgimi”, “Mjeku i fshatit”, “Zjarrndezësi”, “”Metamorfoza” dhe “Dënimi”.
Në vitin 1931 dolën nga shtypi tregimet “Gjatë ndërtimit të murit kinez”.
Kafka i kishte lënë porosi shkrimtarit Maks Brod që t’ia digjte romanet “Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika”, por ky porosinë nuk ia çoi në vend. Në vitin 1917 iu paraqit tuberkulozi. Në vitin 1924 gjendja shëndetësore iu përkeqësua. U kthye në Pragë ku kujdesej e motra Otla (Ottla). Vdiq në Kierling, Klostemeuburg, Vjenë më 3 qershor 1024.
Xhelal Zejneli
***
ANTIDRAMA
“DUKE PRITUR GODONË” – METAFORË E TRAGJEDISË NJERËZORE
Beketi – ndërtues i rrënojave
A thua unë kam fjetur kur të tjerët kanë vuajtur – Beket
Analiza e veprës – Drama “Duke pritur Godonë” e romancierit dhe dramaturgut irlandez, kryesisht të shprehjes franceze, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) u shkrua në vitet 1947-1948, ndërsa u botua në vitin 1952. U shkrua në gjuhën frënge. Më pas u përkthye në anglisht. Përbëhet prej dy akteve, në të cilat veprimi pak a shumë përsëritet, me ca ndryshime të vogla. Personazhet kryesore janë nga dy: Estragoni dhe Vladimiri si dhe Poco (Pozz) e Luki (Lucky). Në dramat e Beketit, personazhet nga dy janë të shpeshtë. Lexuesi kurrë s’arrin të kuptojë përse e presin Godonë, a do të vijë ndonjëherë ai dhe në fund, a thua ekziston ai.
Duket si një personazh imagjinar, abstrakt i cili asnjëherë nuk shfaqet në skenë, edhe pse i tërë veprimi i dramës rrotullohet rreth tij. E vetmja gjë që dimë për të (sipas rrëfimit të fëmijës) është se ka mjekër të bardhë.
Endacakët e shkurtojnë bisedën me debate dhe me biseda të pakuptimta temash të ndryshme. Kryesisht flet Vladimiri. Supozohet se nëpërmjet dialogëve kuazi-filozofikë të tyre, Bekiti dëshiron në mënyrë subtile (të hollë) t’i përqeshë filozofët dhe intelektualët e mëdhenj.
Ndërrimi i temave konstatohet nga ndërprerjet e shkurtra, nga momentet e heshtjes të shkaktuara nga të menduarit apo nga zemërimi. Dy endacakët shpesh kanë mosmarrëveshje të cilat po ashtu përfundojnë me ndërrimin e temës.
Vepra sillet në radhë të parë rreth çështjes së shpresës. Që nga fjalia e parë që e thotë Estragoni: “Ja që s’po shkon” vërehet se sa e pashpresë dhe e pakuptimtë është jeta e tyre. E vetmja gjë me të cilën merren është të kërkuarit e ndonjë zbavitjeje që do ta shpejtonte kalimin e kohës, gjë që është ironike duke pasur faktin se Estragoni as që është i vetëdijshëm për kohën që ka kaluar. Estragoni harron, ndërsa Vladimiri, edhe pse i shkojnë ndërmend, nuk u beson kujtimeve të veta. Rinë bashkë ngase nuk mund të qëndrojnë pa njëri-tjetrin. Por, duke mos lënë të shkojnë, njëri-tjetrin e tërheqin në greminë. Në thellësinë e shpirtit pa dyshim janë të vetëdijshëm se Godoja s’ka për të ardhur. Por nuk mund të mos mendojnë se çfarë jete do të kishin kur ta përjetonin ardhjen e tij dhe kur të ishin shpëtuar.
Gjatë pritjes, disa herë tentojnë të shkojnë, por një forcë e padukshme, mbase shpresa, i pengon të nisen. Megjithëkëtë, në thellësinë e shpirtit besojnë se do ta kenë më mirë sikur ta kanë fatin e të shohin se Godoja erdhi.
Një mosikje të tillë nga situata e rëndë prej frike nga diçka më e keqe, vërejmë edhe te shërbëtori Luki (Lucky), të cilin zotëria e trajton si kafshë. Edhe ai dëshiron të ik prej tij ngase është fatzi, por ka frikë se pa zotërinë do të kishte qenë akoma më i pafat. Dhe kështu, Luki mbetet te zotëria, ndërsa Vladimiri dhe Estragoni vazhdojnë të presin, të trimëruar edhe nga një çun i cili vjen çdo ditë për t’u thënë se Godoja së shpejti do të vijë. Gjatë dramës, një gjë e tillë nuk realizohet.
Drama nuk përfundon ndryshe nga ajo se si fillon, ngase asgjë nuk ka ndryshuar.
Me këtë dramë Beketi është përpjekur të tregojë se sa e pakuptimtë mund të bëhet jeta po qe se e reduktojmë në pritje. E tregon edhe tragjedinë bashkëkohore të pamundësisë së komunikimit dhe raportet e këqija që mbizotërojnë ndër njerëz për arsye se nuk dinë për diçka më mirë apo ngase kanë frikë prej ndryshimeve.
Elementet letrare të veprës
Gjinia letrare: dramë; Lloji letrar: tragjikomedi, absurd; Vendi i zhvillimit të veprimit: nën një pemë (nën një dru), nuk dihet se ku; Koha e veprimit: brenda dy ditëve, nuk dihet kur; Tema e veprës: pritja e Godosë; Ideja e veprës: jeta shkon kot po qe se e kalojmë duke pritur ditë më të mira.
Përmbajtja e shkurtër
Shënim: Veprimi i kësaj drame nuk është i destinuar për ritregim, por për t’i paraqitur problemet tipike të shoqërisë, kështu që vetëm ritregimi mund të duket paksa i pakuptimtë.
Akti i parë: Është natë, rrugë jashtë qytetit. Estragoni ri nën një pemë (nën një dru) dhe mundohet t’i nxjerr këpucët. Kur s’ia del ta bëjë këtë, ndalet për t’u çlodhur. Me të hyrë Vladimiri, veprimin e përsërit. Estragoni përsëri heq dorë dhe i ankohet Vladimirit se si nuk i shkon. “Ndonjëherë, edhe mua më duket ashtu. Shumë jam mbrojtur nga një mendim i tillë. I thosha vetes: Vladimir, mos u bëj i mençur, nuk ke shkuar deri në fund. Dhe e vazhdoja luftën”.
Në këtë rast mund të supozojmë se Vladimiri nuk e ka me luftën për nxjerrjen e këpucëve, por ky është i pari në vargun e të menduarit filozofik dhe kontemplacion (soditje, kundrim, ëndërrim) i pakuptimtë. Konstaton faktin se Estragoni përsëri ndodhet aty. Përpiqet ta përqafojë në shenjë përshëndetjeje ngase mendoi se kishte vajtur përgjithmonë. Estragoni me pezmatim i thotë se është në pritje. Vladimiri zemërohet dhe e pyet se ku e ka kaluar natën. Mësojmë se Estragoni e kishte kaluar natën në një hendek ku e kishin rrahur, por jo shumë.
Vladimiri e vazhdon bisedën e cila më tepër i ngjan të menduarit zëshëm. Thotë se është ndër të parët të kërcente nga kulla Eifel, kur ende ka pasur kuptim. Estragoni pas shumë mundimesh arrin ta nxjerrë këpucën të cilën nuk mundi ta nxirrte nga e para, ngase nuk e praktikonte për t’i nxjerrë çdo ditë.
“Vladimiri: Ja si është njeriu, qorton këpucën, e në të vërtetë këmba është e shtrembët!”
I nxjerrim skicat e jetëve të mjera të tyre duke krijuar mozaikun prej imtësive. Vladimiri pyet se ç’do të ishte bërë sikur të pendoheshin, por Estragoni ia kthen duke i thënë se do të ishin penduar vetëm pse kanë lindur.
Bisedojnë për Zotin dhe me këtë rast mësojmë se Estragoni ka qenë në shtëpinë përmirësuese ku kishte mësuar për Tokën e Shenjtë. Vladimiri ia tregon rrëfimin për dy grabitës të cilët me Krishtin i kishin mbështetur për kryqi. E habit fakti se vetëm njëri prej katër ungjilltarëve e përmend grabitësin i cili ishte penduar dhe të cilit Krishti i kishte premtuar shpëtim dhe çdokush i beson këtij versioni të rrëfimit.
“Estragoni: Njerëzit janë të marrë”.
Estragoni rrotullohet rreth vetes, vjen te rampa dhe thotë se vendi ku ndodhen është i mrekullueshëm. Propozon të shkojnë, por Vladimiri refuzon me arsyetimin se duhet ta presin Godonë i cili u kishte thënë që ta presin pikërisht ndër atë dru, një shelg i thatë pa gjethe. Bisedojnë nëse vërtet është dru, apo ndonjë krande ose kaçubë. Dyshojnë mos e kanë gabuar vendin e pritjes. Vladimiri thotë se Godoja nuk ka premtuar në mënyrë të prerë se do të vijë. Ata kanë pritur dje dhe u duhet të presin edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër – derisa të vijë. Edhe pse ka thënë se do të vijë të shtunën pas zgjyrës (skories) së ditës. Ndoshta.
“Por cilës të shtune? A është e shtunë sot? Mos është e diel? Apo e hënë? Apo e premte?”
Pak më parë Estragoni tha se mbrëmë kishin qenë këtu, por tani thotë se nuk është shumë i sigurt. Lutet për pak qetësi. Vladimiri fillon të sillet lartë e poshtë, ndërsa Estragonin e mori gjumi. Kur Vladimiri nisi të ndjehet i vetmuar, e zgjoi Estragonin i cili ia ktheu me të keq. Por më pas deshi t’ia tregonte ëndrrat e tmerrshëm që kishte parë për të cilat Vladimiri nuk deshi të dëgjonte. Pyesin në do ta kishin më mirë pa njëri-tjetrin, por sakaq heqin dorë nga ndarja, ndaj e fillojnë një temë të re. Estragoni dëshiron që Vladimiri t’ia tregojë rrëfimin për anglezin në bordel, por ai refuzon dhe hidhërohet. Një kohë sillen pranë njëri-tjetrit, pastaj përqafohen dhe pajtohen.
“Vladimiri: Ç’do të bëjmë tani?
Estragoni: Do të presim.
Vladimiri: Po, por derisa presim.
Estragoni: Të varemi?
Vladimiri: Të paktën kjo do të ishte një mënyrë që më në fund të marrim fund”.
Për vetëvrasjen flasin me lehtësi. Kjo tregon se jeta për ta nuk ndonjë rëndësi të madhe. E kalojnë kot së koti, në pritje, por duket një fije shprese dhe besimi se ndoshta ndonjëherë do të mund të ishte pak më e mirë. Shtrojnë pyetjen se cili prej tyre do të duhej të varej i pari. Vladimiri pohon se i pari do të duhej të varej Estragoni ngase është më i lehtë se ai. Vijnë në përfundim se megjithëkëtë është më mirë të mos bëjnë asgjë, por vetëm të presin. Të presin dhe të shohin se çka do t’u thotë Godoja. T’i qartësojnë punët.
“Estragoni: Në të vërtetë, për çka e kemi lutur ne?
Vladimiri: Si të them… Në të vërtetë, asgjë konkrete.
Estragoni: Ndonjë lloj lutjeje.
Vladimiri: Ashtu është.
Estragoni: Kërkesë jo konkrete”.
Për herë të parë duket më se qartazi se pritja e tyre nuk ka qëllim për arsye se as vetë ata nuk e dinë arsyen e pritjes. Nuk dinë as çka dëshirojnë, as për çka e kanë lutur, as çka presin prej tij, s’dinë se çfarë përgjigjeje dhe çfarë premtimi u ka dhënë ai. Vijnë në përfundim se Godoja para se të marrë vendim duhet të këshillohet me të gjithë, ndërsa këta janë lutës të thjeshtë të cilët nuk kanë kurrfarë të drejtash ngase i kanë humbur pa pasur mundësi t’u dalin zot.
Duke pasur parasysh faktin se nuk kanë kurrfarë të drejtash, Estargoni e pyet Vladimirin, në janë të lidhur. Vladimiri e injoron pyetjen dhe i thotë të mbajë vesh. Duket sikur dëgjojnë diçka. Duke mbajtur vesh, që të dy mbeten të shtangur në mënyrë groteske. Pas pak vijnë në përfundim se s’dëgjojnë dot asgjë. Estragoni është i sigurt se ajo që kanë dëgjuar s’ka qenë veçse era që e ka lëvizur kallamin, por Vladimirit i ishte dukur se Godoja i bërtet kalit të vet. Estragoni propozon të shkojnë, por Vladimiri arrin ta bindë duke i thënë se ia vlen të presin po qe se ekziston mundësia që sonte të flenë diku ku është ngrohtë. Pas kësaj Estragoni, sikur të ishte fëmijë, ankohet se është i uritur. E refuzon rrepën që ia ofron Vladimiri, ngase dëshiron karotë. Më në fund, Vladimiri e gjen karotën e fundit dhe ia jep Estragonit i cili vjen në përfundim se sa më gjatë e ha ushqimin aq më pak kënaqesh me shijen e tij. Vladimiri thotë se tek ai është e kundërta, duke shtuar se kjo nuk është veçse çështje e temperamentit dhe e karakterit. Te kjo, si te shumë gjëra në jetë, nuk mund të ndikohet.
Estragoni përpiqet të kujtohet se ç’dëshironte ta pyesë Vladimirin, mor nuk ia del dhe kjo e zemëron. Më në fund i kujtohet se kishte dashur ta pyesë në i kanë duart dhe këmbët të lidhura për gunën e Godosë. Vladimiri ia ktheu se nuk i kanë të lidhura. Këtu biseda ndërpritet.
Përnjëherë dëgjohet një britmë e tmerrshme. Estragonit i ra karota. Rendën kah prapaskena, por Estragoni u kthye për ta marrë karotën, por edhe këpucën. Në skenë dalin Luki dhe Poco. Luki ka të lidhur në qafë një litar të gjatë, ndërsa në dorë mban një valixhe të rëndë, karrige që çmontohet, shportë me ushqim dhe gunë. Pozo ka kamxhik.
Endacakët e pyesin mos është Godoja. Pozo u ndje i fyer, por me të mësuar se janë “të llojit të njëjtë”, u qetësua.
“Megjithëkëtë jeni qenie njerëzore. (I vuri syzet). Sikur që e shoh. (I hoq syzet). Nga i njëjti lloj nga i cili jam edhe unë. (Qeshi me të madhe). I të njëjtit lloj si Poco! Me prejardhje hyjnore!”
Ua zuri për të madhe se këtë farë Godoje e presin në tokën e tij, por pastaj erdhi në përfundim se rruga është e çdokujt, ndaj është turp të bëjë një vërejtje të tillë. U tregoi se gjashtë orë kishte udhëtuar pa takuar dikë, kështu që do të qëndrojë pak me ta. Lukin s’e konsideron qenie njerëzore. I jep urdhra Lukit se ç’duhet të bëjë dhe ç’duhet t’i sjellë. Luki është i dëgjueshëm, i zbaton urdhrat dhe e përgatit karrigen dhe ushqimin. Kur endacakët (Estragoni dhe Vladimiri) morën zemër, nisën ta shikojnë Lukin nga afër. Erdhën në përfundim se ai duket i lodhur. Flasin për plagët rreth qafës, mos vallë është budalla, idiot, a ka fyt…nuk e kuptojnë pse e mban në dorë valixhen. Kur Pozo përfundoi së ngrëni, Estragoni e pyeti në mund t’i merrte kockat e pulës që i kishte hedhur ai. Pozo ia ktheu duke i thënë se për këtë duhej pyetur Lukin, por ky heshti, nuk dha përgjigje.
“Poco: O derr, ty të janë drejtuar! Fol!”
Sakaq, Vladimiri reagoi ndaj një sjelljeje të tillë me një qenie njerëzore, duke shtuar se një sjellje e tillë është e turpshme. Poco e injoroi dhe vendosi të ndezë edhe një llullë, përkundër kanosjes së Vladimirit se do të shkojë. Sapo mori të niset, Poco ia përkujtoi Godonë, kështu që Vladimiri hoqi dorë, u ndal. Estragoni nuk reshti së pyeturi përse Luki nuk e lëshon valixhen. Pas disa minutave injorimi, Poco iu përgjigj se Luki mund ta lëshojë valixhen, por nuk do. Ai dëshiron të tregohet para tij se është një hamall i mirë, që mbase ta ndalte. Vjen në përfundim se do të kishte qenë më së miri që të gjitha qeniet si ai të vriten. Lukit iu mbushën sytë. Estragoni u përpoq ta qetësonte dhe t’ia fshinte lotët me shami, por Luki i ra me tub.
“Poco: Ju tregova se s’i honeps dot të huajt!”
Estragoni fillon të qajë, ndërsa Vladimiri e qetëson butësisht. Luki pushon së qari. Estragoni i del para Pocos dhe e pështyn. Poco sqaron se Luki është bufon, palaço i tij. Tani i duhet të vendosë, edhe pse që të dy janë në moshë. Dikur e kishte shërbëtor të mirë, ndërsa sot po e çon në varr. Në fillim, Vladimiri dhe Estragoni e gjykonin Pocon, por tani – Lukin. Vladimiri dhe Estragoni komentojnë sesi kjo është një natë e shkëlqyer, si në cirk. Zhvillohen biseda të pakuptimta dhe ndodhin gjëra të pakuptimta. Vladimiri shkon dhe kthehet i zemëruar. Pozo ndjen një qetësi që lëshohet mbi hapësirë.
“Vladimiri: A thua s’ka për të ardhur nata?”
Poco paralajmëron ikjen e vet, por ndalet edhe pak, pas lutjes së Estragonit. U thotë se edhe po të ishte në vendin e tyre, do ta kishte pritur Godonë deri në orët e vona të natës. Pasi që në mënyrë poetike dhe bizare u tregoi se ç’është muzgu, i pyeti në mund të bënte edhe diç tjetër për ta. Estragoni i thotë se janë lypës dhe se do të ishte mirë t’u kishte dhënë ndonjë lek. Poco u shtir sikur s’dëgjoi dhe i pyeti nëse dëshironin që Luki të vallëzojë, të këndojë apo të mendojë zëshëm. U pajtuan që së pari të vallëzojë, e pastaj të mendojë. Luci e lëshoi për toke valixhen dhe nisi ta luajë “Vallen me rrjetë”. Vladimiri dhe Estragoni s’e pëlqyen gjithaq vallëzimin. Ata donin të dinin përse Luki dëgjon dhe bën krejt çka i thotë Poco. Poco u premtoi se do t’u jepte sqarime, por së pari e urdhëroi Lukin të mendojë. Vladimiri duhej t’ia vinte në kokë kapelën ngase pa kapelë nuk mund të mendonte.
“Luki: Në ç’mënyrë në bazë të punimeve publike të fundit të Puankonit (Poincon) dhe të Uatmanit (Watmmann) rezulton ekzistimi i zotit personal me mjekër të bardhë si jashtë kohës së hapësirës i cili nga lartësia e apatisë hyjnore të vet…”. Luki vazhdon t’i thotë mendimet e veta, fjalitë pa kuptim dhe fjalët e ndërthurura me përpjekjet e deklaratave të mençura. I neveritur, Poco e tërheq litarin dhe Luki, pas përpjekjes së dështuar për t’u mbajtur, bie në tokë. Vladimiri dhe Estragoni të frikësuar mos vdiq, i ndihmojnë të drejtohet, por me të prekur valixhen Luki e merr veten. Poco kërkoi ndjesë për atë që ndodhi dhe e kërkoi orën. Pasi nuk e gjeti, pyeti se kujt i vjen era. Pas një mori falënderimesh dhe përshëndetjesh, vendosi të niset. E tërhoqi Lukin nga vetja.
“Vladimiri: Disi e vramë kohën.
Estragoni: Ajo do të kishte kaluar edhe pa këto ndodhi.
Vladimiri: Po, por jo dhe aq shpejt”.
Përsëri tentuan të shkojnë, por u kujtuan se janë duke pritur Godonë. Nga biseda e tyre mund të konstatohej se Pocon dhe Lukin e kanë njohur prej përpara, por për këtë nuk ishin të sigurt.
Në skenë paraqitet djaloshi, emisari i Godosë i cili u tregon se Godoja sot s’ka për të ardhur, por le të jenë të sigurt se do të vijë nesër. Estragoni erdhi në përfundim se është i pafat, por nuk e di përse. I vërsul djaloshit se gënjen. Vladimiri e bombardoi me pyetje djaloshin: Kush është ai Godoja, ç’punon, me kë jeton dhe çfarë zoti është ai. Çdo pyetjeje djaloshi iu përgjigj me urti. U premtoi se do t’i tregojë Godosë se i kishte parë. Pasi shkoi djaloshi, Estragoni vendosi që këpucët e veta t’ia lërë dikujt që e ka këmbën më të vogël.
“Vladimiri: Mirë ama, këtu pari s’mund të ecësh këmbëzbathur.
Estragoni: Krishti ka ecur.
Vladimiri: Krishti? Ku të shkoi mendja? Mos vallë do të krahasohesh me të.
Estragoni: Gjatë tërë jetës jam krahasuar me të.”
Mendohen se sa kohë janë bashkë. Vijnë në përfundim se duhet të kenë kaluar pesëdhjetë vjet. U rikthehen disa kujtimeve dhe vijnë në përfundim se do ta kishin më mirë po të kishin shkuar secili në rrugën e vet. Por, tashmë kjo s’ka kurrfarë kuptimi. Thonë se shkojnë, por luajnë vendit.
* * *
Akti i dytë – Të nesërmen ndodhemi në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë. I vetmi dallim është fakti se shelgu kishte lulëzuar. Pranë rampës ndodhen këpucët e Estragonit dhe kapela e Lukit. Vladimiri hyn në skenë me vrull, i ngadalësoi hapat, duke u ndalur herë-herë për t’u marrë erë këpucëve. Përnjëherë u ndal dhe filloi të këndojë me tërë zërin që kishte.
“Na ishte një qen / Dhe ka vjedhur një koc / Dhe e ka zemëruar kuzhinierin / Dhe ia thyen hundën / Dhe u grumbulluan qentë / Ia çelën varrin / Dhe i vendosën pllakë / Në të cilën shkruante / Na ishte një qen…”
Këngën e përsërit disa herë derisa nuk vjen Estragoni, i zemëruar fort. Vladimiri tenton ta përqafojë, por ai i shmanget. Ishte prekur se Vladimiri këndonte, kurse ky kishte menduar se kishte shkuar përgjithmonë. Vladimiri thotë se njeriu nuk mund ta ndryshojë disponimin sipas dëshirës dhe se që prej mëngjesi është tejet i disponuar ngase gjatë gjithë natës nuk kishte pasur nevojë të çohet. Estragonin ndërkaq gjatë gjithë natës e kishin rrahur, pa e ditur përse. Që të dy e kuptojnë se nuk mund të jenë me njëri-tjetrin, por as pa njëri-tjetrin.
“Estragoni: Do të kishte qenë më mirë që çdonjëri prej nesh të shkonte në punë të vet.
Vladimiri: Gjithmonë kështu thua dhe çdoherë kthehesh”.
Rrotullohet e njëjta bisedë njësoj si dje. Përsëri flasin për të kaluarën, për të vjelat te Bonlai në Rusijon (Bonnellay Roussillon). Estragoni thotë se nuk i kujtohet të ketë shkuar ndonjëherë gjatë jetës diku më larg se vendi ku ndodhet tani. Thotë po ashtu se nuk i kujtohet ta ketë planifikuar ndonjëherë vetëvrasjen, as të Pocos as të Lukit.
“Estragoni: Më së miri do të kishte qenë të më vrasin, sikur edhe tjetrin.
Vladimiri: Kush ai tjetri?
Estragoni: Miliona të tjerë.”
Bisedojnë për zërat në kokat e veta. Për faktin se si janë të pashtershëm, se si të gjithë flasin në të njëjtën kohë, se si nuk u mjafton as fakti se kanë jetuar, as fakti se kanë vdekur. Pyetjes “Ç’do të bëjmë?” – gjithmonë përgjigjja e njëjtë: “Do ta presim Godonë”.
Në qoftë se pjesa e parë e dramës ka pasur elemente të komedisë, në këtë çast drama tërësisht kthehet në tragjedi. Shohim personazhe groteske dhe bizare të cilët na dhimbsen për jetën e mjerë.
Vladimiri dhe Estragoni dëshirojnë t’ia nisin nga e para. Vijnë në përfundim se puna më e vështirë është si ta bëjnë hapin e parë. Pastaj shkon më lehtë. Sa për fillim, vendosin të mendojnë dhe t’i shtrojnë njëri-tjetrit pyetje. Zhvillojnë një bisedë kryekëput të pakuptimtë që të përkujton një shqyrtim filozofik të cilin dikush tenton ta përqeshë. Mendohen se për çka do të mendojnë. E fillojnë bisedën lidhur me faktin se si është e mundur që shelgu të ketë lulëzuar brenda një nate. Estragoni thotë se mbrëmë fare s’kanë qenë në atë vend, por diku tjetër. Në fund të fundit s’ka rëndësi se ku ndodhen ngase kudo ka hapësirë të zbrazët.
“Po, m’u kujtua, mbrëmë kemi shirë kashtë të zbrazët. Qe gjysmë shekulli jemi duke e bërë këtë”.
Vladimir tenton ta bindë Estragonin se mbrëmë kanë qenë këtu. Ia tregon këmbën e lënduar dhe këpucët që i pat lënë ai. Ia rikujton kockat që ia pat dhënë Pozo. Estragoni i mohon të gjitha. Përsëri deshi të shkonte dhe përsëri iu kujtua se presin Godonë. Estragoni e refuzon rrepanin që ia ofroi Vladimiri. Për ta kaluar kohën më shpejt, vendosin që Estragoni të përpiqet t’i veshë këpucët. Vijnë në përfundim se të rinë bashkë, megjithëkëtë u del më mirë. Madje thonë se janë magjistarë të zbavitjes. Pasi që Estragoni ia doli t’i vishte këpucët, vendosi që të mos ia jep dikujt tjetër, edhe pse i vijnë të mëdha. Ndoshta ndonjëherë do të gjejë edhe çorape. U ul po në atë vend ku ishte ulur mbrëmë. I mbuluar me kapotën e Vladimirit dhe duke dëgjuar ninullë, e zuri gjumi. Kishte parë një ëndërr të keqe, ndaj ishte zgjuar i tmerruar, por Vladimiri i jepte zemër. Vladimir dëshironte të ecin pak bashkërisht, por Estragoni ndjehej tepër i lodhur. Përsëri tentoi të shkonte, por Vladimiri ia bëri me dije se janë duke pritur Godonë. Estragoni u ankua se kishin ardhur shumë herët, ngase nata s’dukej se vjen. Vladimiri e ngushëlloi duke i thënë se nata do të vijë befasishëm, mu sikur dje. Pas kësaj, u zbavitën pak me kapelën e Lukit. Vladimiri e vuri kapelën mbi kokë, zuri një farë pozite dhe e pyeti se si i rinte. Estragoni ia ktheu se duket i shëmtuar, si zakonisht. Prandaj vendosi ta mbajë kapelën. Vladimiri propozoi të luajnë Pozon dhe Lukin. Ai do ta luante Lukin, kurse Estragoni – Pocon. I thotë Estragonit t’i bërtasë. Estragoni i bërtiti një herë dhe e la me kaq. Vladimiri filloi t’i bërtasë vetvetes, të vallëzojë dhe të mendojë duke u rrotulluar për toke. Sakaq, vërejti se Estragoni s’është aty pari. Ai kishte ikur.
“Vladimiri: Ku ishe? Mendova se ke shkuar përgjithmonë.
Estragoni: Isha te cepi i humnerës. Ata po vijnë.
Vladimiri: Kush?
Estragoni: Nuk e di.
Vladimiri: Sa vetë janë?
Estragoni: Nuk e di”
Vladimiri klithi hareshëm, i bindur se po vjen Godoja. Sakaq, do të shpëtojnë. Megjithëkëtë, për një çast u mendua dhe erdhi në përfundim se janë të rrethuar. Duhej të iknin ose të fshiheshin. Për këtë kërkojnë një vend të përshtatshëm.
“Vladimiri: … (Ia tregon sallën e shfaqjes). Aty s’ndodhe askush”! (Ndoshta ndonjë farë simboli, alegori). Tentojnë të fshihen pas drurit, por ai fsheh vetëm pjesërisht. Vijnë në përfundim se ai farë druri s’i shërben dot kujt. Kur marrin të shohin se kush është duke ardhur, vijnë në përfundim se nuk vjen kush. I kërkojnë ndjesë njëri-tjetrit dhe shajnë njëri-tjetrin, por në fund pajtohen. Përsëri vijnë në situatë kur nuk dinë se ç’do të bëjnë. Vladimiri propozon gjimnastikë dhe ia nisin punës. Por Estragoni lodhet shpejt. Vladimiri vjen në përfundim se nuk kanë kondicion, ndaj propozon do ushtrime për frymëmarrje. Estragoni i refuzon. Pastaj i drejtohet Zotit për ta pyetur në e sheh dhe i lutet për mëshirë.
Hyjnë Poco dhe Luki. Pozo është verbuar, ndërsa Luki është i ngarkuar njësoj si dikur. Për ta ndjekur më lehtë, litarin në fyt Pocoja ia ka shkurtuar. Në një moment, që të dy bien. Estragoni përsëri mendoi se Poco është Godoja, ndërsa Pozo ri i shtrirë në dysheme dhe thërret për ndihmë. Vladimiri dhe Estragoni pyesin se kush është ky. Estragoni thotë se nuk i kujtohet se kush është. A duhet ta pyesin në ka ende kocka pule dhe a i duhet ndihmë për t’u çuar. Estragoni propozon t’i ndihmojnë po qe se u jep kocka. Vladimiri ndërkaq ia ka drojën Lukit. Megjithëkëtë, vendosin t’i ndihmojnë pa ndonjë shpërblim.
“Vladimiri: Të bëjmë diçka derisa na ofrohet rasti! Jo çdo ditë dikush ka nevojë për ne! Madje as tani nuk kanë nevojë pikërisht për ne! Dikush tjetër do ta bënte këtë po aq mirë, në mos dhe më mirë. Thirrja që e dëgjuam pak më parë i drejtohet mbarë njerëzimit. Por në këtë vend dhe në këtë çast, deshëm ose jo, njerëzimi jemi ne”.
Estragoni e pranon se nuk e ka dëgjuar fjalimin dinjitoz të Vladimirit. Vladimirit kjo nuk i lë përshtypje. Ai lëshohet në mendime filozofike të mëtejme për qëllimin e ekzistencës, duke harruar Pocon i cili vazhdon të jetë i shtrirë në dysheme. Deri në çastin kur Poco u ofroi njëqind franga. Ata e refuzojnë dhe kërkojnë më shumë. Pasi u ofron dyqind franga, përpiqen ta ngrenë, por Vladimiri bie. Estragoni tenton të shkojë, ndërsa Vladimiri i premton se, po qe se mbetet, bashkërisht do të enden nëpër Arjezhë (Ariege). Estragoni nuk heq dorë nga vendimi i vet për të shkuar. Vladimiri mendon se herët a vonë, edhe vetë do të mundë të çohet. Megjithëkëtë, Estragoni vendos t’i dalë në ndihmë, ndaj ia zgjatë dorën. Me këtë rast edhe ai pengohet dhe rrëzohet. Poco ende ndodhet i shtrirë për toke. Lutet për mëshirë (antitezë e ditës së djeshme, kur këta dy kërkonin ndihmë prej tij). Vladimiri dhe Estragoni vendosin të flenë. Poco i zgjon me lutjet për ndihmë. I zemëruar se ia nxori gjumin, Vladimiri e godet. Dy endacakët menduan se Poco vdiq, ndaj u hyri frika. Me forca të përbashkëta nisin ta thirrin. Estragoni ishte i mendimit se do të kishte qenë zbavitëse sikur ta thirrshin me ndonjë emër tjetër. Së pari Estragonit i ra ndërmend Kaini dhe Abeli. Vijnë në përfundim se do të kishte qenë më së miri të kalojnë në diçka tjetër. Përsëri marrin të shkojnë dhe përsëri u shkon ndërmend se janë në pritje të Godosë. Megjithëkëtë, vendosin t’i ndihmojnë Pocos. Nevojiteshin kohë dhe përpjekje për ta mbajtur në këmbë. Poco i pyet në janë hajdutë dhe i lut që të mos e lënë vetë. Poco i pyet se cila pjesë e ditës është. Estragoni dhe Vladimiri nisin të zihen edhe rreth kësaj. Vladimiri e pyet Pocon në ishte verbuar papritmas.
“Poco: Ishte një ditë kur u zgjova i verbër si fati. Ndonjëherë më bëhet sikur ende jam në gjumë”.
Vladimiri ia rikujtoi se një ditë më parë ai shihte, por Poco ia ktheu duke i thënë se të verbrit nuk kanë kuptim për kohën. Ia përshkruajnë Pocos vendin ku ndodhen. I thonë se aty nuk ka asgjë përpos një peme. Poco pyet se ku ndodhet shërbëtori i tij dhe përse nuk përgjigjet e thirr. Iu lut njërit prej pleqve të shkojë për të parë mos është i lënduar Luki. Sërish iu kujtuan njerëzit që i kishte parë Estragoni. Mendojnë se janë strukur diku dhe po i vëzhgojnë. Poco u jep sqarime se si mund t’i afrohen Lukit. Së pari duhet tërhequr litarin, e po qe se nuk reagon ndaj kësaj, duhet t’i biesh në stomak apo në fytyrë. Vladimiri i thotë Estragonit se ky është një rast për hakmarrje. Estragoni i bie me egërsi Lukit dhe me këtë rast e vret këmbën. Vladimiri ia përkujton Pocos se ishin takuar dje, se planifikonte ta shesë Lukin në panairin e Shpëtimit dhe se shihte mirë. Si duket, Vladimiri është i vetmi i cili ka ndjenjë se ka ekzistuar dhe se ekziston koha jashtë momentit të tashëm. Poco thotë se atij asgjë nuk i kujtohet. Mësojmë se në valixhen e Pocos ka rërë. Për shkak të peshës së barrës, Luki bie përsëri. Poco e ngre dhe paralajmëron vajtjen Vladimiri iu lut t’i urdhërojë Lukit që të këndojë dhe të mendojë. Pozo i thotë se Luki është shurdhmemec. Vladimir ia rikujton se një ditë më parë nuk ishte i tillë.
“Pozo: Mjaft më me atë kohën tuaj, se më lodhët! Kjo është absurde! …Ata lindin të shtrirë mbi varr, dita shkëlqen për një çast, pastaj përsëri vjen nata”.
Poco dhe Luki shkojnë. Gjatë asaj kohe Estragoni flinte. Kur Vladimiri e zgjoi ngase kishte mbetur vetë, ai u zemërua.
“Estragoni: Pashë ëndërr se jam fatlum”.
Vladimiri u mendua për absurditetin e jetës në ditën e përsëritur që e jeton me Estragonin. Vjen djaloshi.
“Vladimiri: T’ia nisim nga e para”.
Djaloshi nuk arrin ta njohë dhe pohon se dje nuk ka qenë aty. Vladimiri e di formulën. E di se ç’ka për të thënë djaloshi. Sonte Godoja nuk ka për të ardhur, por me siguri do të vijë nesër. Vladimiri e pyeti djaloshin në ishte i sigurt se e kishte parë, a do të thotë nesër përsëri se është hera e parë që takohen. Djaloshi ia mbathi. Pleqtë konstatojnë se është koha për nisje ngase po i zë nata dhe se Godoja me siguri nuk ka për të ardhur. Estragoni propozon që t’i ngrenë duart prej tij.
“Vladimiri: Ai do të na dënonte. (Qetësi. E vështron pemën). Vetëm pema jeton”.
Estragoni përsëri propozon të varen tek ajo pemë. Nuk kanë litar. Ai e nxjerr rripin e pantallonave të cilat pastaj i bien deri në kyçet e këmbës. Vijnë në përfundim se rripi nuk ka gjatësi të duhur dhe s’është i fortë sa duhet. U morën vesh që kur të vijnë të nesërmen, të sjellin edhe litar të mirë.
“Estragoni: Unë më nuk mund ta çoj kështu.
Vladimir: Kjo vetëm ashtu thuhet.
Estragoni: Të shkojë secili në rrugën e vet? Mbase do të kishte qenë më mirë?
Vladimiri: Nesër do të varrim veten. Po qe se Godoja nuk vjen.
Estragoni: Po nëse vjen?
Vladimiri: Atëherë kemi shpëtuar”
Vendosin të nisen. Vladimiri i bërtet Estragonit që t’i ngrejë pantallonat.
“Vladimiri: A po shkojmë?
Estragon: Shkojmë!
(Nuk lëvizin fare)”
* * *
Personazhet: Vladimiri (Didi), Estragoni (Gogo), Poco (Pozzo), Luki (Lucky)
Vladimiri (Didi) – i paraqitur si një personazh më racional, me dozë të madhe empatie (nuk është durimtar), krijon përshtypjen se vërtet nuk mundet pa Estragonin dhe kujdeset për të.
“Vladimiri: Të bëjmë diçka derisa na ofrohet rasti! Jo çdo ditë dikush ka nevojë për ne! Madje as tani nuk kanë nevojë pikërisht për ne! Dikush tjetër do ta bënte këtë po aq mirë, në mos dhe më mirë. Thirrja që e dëgjuam pak më parë i drejtohet mbarë njerëzimit. Por në këtë vend dhe në këtë çast, deshëm ose jo, njerëzimi jemi ne”.
Është i vetmi që ka perceptim për kalimin e kohës dhe në fund e kupton një të tillë. Për këtë arsye vjen në përfundim se çdo gjë që bën dhe krejt pritja e tij është e kotë. Megjithëkëtë, nuk heq dorë nga pritja.
“A thua unë kam fjetur kur të tjerët kanë vuajtur? A flejë në këtë çast? Nesër kur të duket se po zgjohem, ç’do të mund të them për ditën e sotme? Se me shokun tim Estragonin e kam pritur Godonë? Se Pozo kaloi me hamallin e vet dhe foli me ne? Ndoshta. Por, nga krejt kjo, çka do të jetë e vërtetë? (Estragoni më kot i mbathi këpucët e veta; pastaj e kaploi gjumi. Vladimiri po e shikon). Ai s’ka për të ditur gjë. Do të flasë për goditjet që i mori, kurse unë do t’i jap karotë…. Njeriu ka kohë për t’u mplakur. Qielli është përplot britmash tona”.
Estragoni (Gogo) – Në pjesën më të madhe të kohës sillet si fëmijë, është lakmitar dhe shpejt heq dorë prej çdo gjëje, ndaj edhe nga pritja. Çdoherë Vladimiri e kthen prapa. Pavarësisht nga fakti se shoku i tij kujdeset shumë për të, shpesh planifikon ta lërë dhe të largohet.
Estragoni: Po sikur çdonjëri të shkojë në rrugën e vet? A s’do të kishte qenë më mirë?
Nivel i ulët i empatisë. Personazh skajshëm fatzi.
“Estragoni: Pashë ëndërr se jam fatlum”.
“Estragoni: PO sikur të varemi?”
Nuk ka ndjenja se koha kalon. Harron se ç’ka ndodhur një ditë më parë. “Por cila e shtunë? A është e shtunë sot? Mos është e diel? Apo e hënë? Apo e premte?”
Poco (Pozzo) – padron, skllavopronar, vetjak dhe brutal. Ndaj Lukit sillet si ndaj një kafshe, e nëpërkëmb dhe e përbuz.
“Poco: O derr, me ty e kanë! Fol!”
Me siguri, Lukin e konsideron si qenie më inferiore se veten.
“Por megjithëkëtë, jeni qenie njerëzore (I vuri syzet). Sikundër shoh ( I nxori syzet). Nga i njëjti lloj nga i cili jam edhe unë. (Qesh sa s’bën). I të njëjtit lloj sikur edhe Poco! Me prejardhje hyjnore!” (I drejtohet Vladimirit dhe Estragonit). Në fund mbetet i verbër dhe krejtësisht i varur prej Lukit. Thotë se të verbrit nuk e njohin konceptin e kohës.
“Poco: Mjaft më me atë kohën tuaj, se më lodhët! Kjo është absurde! …Ata lindin të shtrirë mbi varr, dita shkëlqen për një çast, pastaj përsëri vjen nata”.
Luki (Lucky) – është reduktuar në rrafsh animal (kafshe). Në aktin e parë flet, kur i kërkohet të thotë ndonjë mendim, ndërsa në aktin e dytë është shurdhmemec.
“Luki: Në ç’mënyrë në bazë të punimeve publike të fundit të Puankonit (Poincon) dhe të Uatmanit (Watmmann) rezulton ekzistimi i zotit personal me mjekër të bardhë si jashtë kohës së hapësirës i cili nga lartësia e apatisë hyjnore të vet…”.
I kryen urdhrat pa menduar. Personazhet tjera sillen ndaj tij sikur s’është njeri.
“Poco: Ju thash se nuk i honeps (nuk i duron) të huajt!”
* * *
Shënime për autorin
Semjuel Beket (duhet shkruar dhe duhet shkruar Bekit) (Samuel Beckett, Dublin, 13 prill 1906 – Paris, 22 dhjetor 1989) është dramaturg dhe romancier me prejardhje irlandeze. Kritika botërore e ngritur në shkallë miti. Lindi në Dublin më 13 prill 1906. Studioi gjuhën frënge, italiane dhe angleze në kolegjin Trinity të Dublinit. Pas diplomimit, punoi një kohë si mësues në Belfast. Shpejt pas kësaj u shpërngul në Paris. Lektor i gjuhës angleze në Ḗcole Normale Supérieure në Paris. Atje u njoh me bashkëkombësin e vet, prozatorin dhe poetin irlandez, Xhejmz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih / Zürich, 1941). Dy shkrimtarët gjenialë dhe gjigantë u bënë shokë. Beketi menjëherë filloi t’i asistojë Xhojsit në kërkimet për veprat e tij, duke punuar si sekretar i tij.
Vepra e parë që e botoi Beketi ishte eseja kritike me titullin “Dante…Brino…Vico..Joyce”. Në këtë ese Beketi merret me krijimtarinë letrare të Xhojsit si dhe me metodikën, teknikën dhe stilin e tij të të shkruarit. Derisa jetonte në Paris, veprat e evta Beketi i botonte në gjuhën frënge. Prej vitit 1935 nisi ta botojë poezinë e vet, kryesisht në përmbledhje. Pas kësaj nisi të punojë në romanin e vet “Marfi” (Murphy). Proza e tij u pranua shkëlqyeshëm nga publiku. Në njërin nga tregimet e tij paralajmëroi daljen në dritë të dramës “Duke pritur Godonë”. Këtë dramë e shkroi në vitin 1952. Kjo antidramë u shndërrua në mit. Në Paris është shfaqur pothuajse çdo mbrëmje. Së pari para një publiku të zgjedhur, elitar. S’ka vend në botë ku s’është shfaqur ajo. Me Godonë e Beketit janë marrë kritikët letrarë më të mëdhenj si dhe filozofët më eminentë të botës. Veprat e Beketit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Dramat e tij më së shumti janë shfaqur në periudhën e viteve 1950-1970.
Veprimtaria letrare e Beketit është realizuar në kuadër të teatrit të absurdit. Në vitin 1969 Beketi u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi.
Periudha letrare në të cilën vepron është postmodernizmi, teatri i absurdit dhe ekzistencializmi. Antiteatri i Beketit përshkohet nga gjurmët e surrealizmit, si nga gjurmët e Xhejmz Xhojsit dhe të tregimtarit austriak me prejardhje hebraike, Franc Kafkës (Pragë, 1883 – Kierling / Vjenë, 1924). Antiteatri i Beketit ka ushtruar ndikim të fuqishëm në zhvillimin e teatrit bashkëkohor.
Protagonistë të Beketit janë njerëzit pa kulm mbi kokë, palaçot, pleqtë e sëmurë apo invalidët, të privuar nga konteksti apo nga çfarëdo rrethimi civilizues, shfaqen nga dy dhe zhvillojnë biseda të gjata, të palidhura, deri në shkatërrimin e leksikut. Në botën beketiane dëgjohet një zë i dehumanizuar. Personazhi beketian është i privuar nga vetitë psikologjike, është pa personalitet psikologjik, i humbur në kohë dhe hapësirë, i reduktuar në ekzistencë lakuriqe, në zë që i flet vetvetes. Fjalët e personazheve beketiane nuk kanë as porosi, as përmbajtje, përcjellin heshtje dhe asgjë, një hiç,
Tema të Beketit janë: rrjedhja e kohës, pritja, banaliteti i përditshmërisë, pamundësia e komunikimit, vetmia, rënia, shkatërrimi, vdekja, rrallëherë kujtimet, por edhe pasioni.
Rënien fizike e përcjell vdekja e sintaksës, zhduken karakteristikat e stilit, mbizotëron monologu i brendshëm, asociacionet e zbrazëta. Mungesë ndjenjash, varfëri të brendësisë së njeriut, toni është sarkastik dhe vetëshkatërrues.
Në veprat e veta, Beketi është i preokupuar kryesisht me ekzistencën njerëzore dhe me problemet e tjetërsimit në jetën moderne. Personazhet e tij janë viktima të fuqive madhore. Veprat e tij janë pesimiste, por pothuajse gjithmonë të përshkuara nga humori.
Beketi në letërsi dhe në teatër paraqet kthesë. Ai është promotor dhe themelues i prozës dhe i dramës postmoderniste. Personazhet dhe veprat e tij kanë dalë prej kornizave të faqeve, të letërsisë dhe të teatrit dhe janë bërë simbole të cilat sot i hasim shpesh në jetën e përditshme.
Ia bëri me dije botës disa ndjenja dhe probleme tipike të epokës sonë.
“Pritja e Godosë” u shndërrua në lokucion apo shprehje që shënon apo që nënkupton “pritjen e pashpresë dhe absurde, të pakuptimtë dhe të kotë të dikujt që mbase do të mundë të na shpëtonte, edhe pse një gjëje të tillë as vetë ne nuk i besojmë gjithaq”.
* * *
Rreth kategorisë ku do të bënin pjesë romanet e tij – Molloy (1951), Murphy (1938), Watt…) janë zhvilluar debate, në janë romane moderne, moderniste apo postmoderniste. Por dramat e tij, sapo u botuan dhe u shfaqën, u konsideruan kulm i realizimeve të drejtimit të ri, antiteatrit.
Bashkë me dramaturgun francez me prejardhje rumune, Ezhen Joneskon (Eugene Ionesco, 1912-1994), dramaturgun francez me prejardhje armene, Artur Adamovin (Arthur Adamov, 1912-1970) dhe poetin, romancierin e dramaturgun francez Zhan Zhene (Jean Genet, 1910-1986), Beketi konsiderohet përfaqësues më i rëndësishëm i tipit të tillë të teatrit, i cili e hedh poshtë dialogun e menduar dhe kompozicionin tipik të dramës. I tejkalon kufijtë e zhanreve të deriatëhershme (të komedisë dhe të tragjedisë).
Dramat e tyre përshkruhen si drama absurde, drama të bazuara në humorin e zi.
* * *
Beketi ka shkruar edhe romane. Më të njohur janë “Molloy” (1951), “Malone vdes” (Malone meurt, 1952) dhe “Pa emër” (L’Innommable, 1953). U shkruan në vitet 1947-1953.
Drama të njohura të tij janë edhe: “Fundi i lojës” (Fin de partie, 1957), “Shiriti i fundit” (La Derniére bande, 1958), “Prushi”, “Ditë të bukura” (Oh les beaux jours, 1963), “Fjalë dhe muzikë”, “Jo unë” etj.
Xhelal Zejneli
***
“I HUAJI – METAFORË E TJETËRSIMIT NJERËZOR
Ishte një i ri pa vlera kolektive, mezi një individ.
“I huaji” është vepra më e njohur e Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960). Ajo i ka sjellë famë botërore. Kjo vepër shënoi një epokë të re në letërsi. Pasqyroi një vështrim nihilist dhe negativ mbi botën, vështrim pa rrugëdalje, të paraqitur në mënyrë të përkryer me figurën e personazhit kryesor të veprës – Mersosë. Është vepër e absurdit.
Protagonist i romanit është nëpunësi Merso. Veprimi i veprës zhvillohet në Algjer. Romani fillon në një mënyrë të pazakontë. Personazhit kryesor i vjen një telegram ku thuhet se në azilin e pleqve i ka vdekur nëna. Mersoja nuk është i sigurt në ka ndodhur kjo dje, pardje apo mbase sot. Ai konsideron se kjo është diçka normale ngase me vdekjen ballafaqohet çdo njeri. Rrjedhimisht, këtij akti nuk i kushtoi ndonjë vëmendje të veçantë. Por ka shumë të tillë që thonë se djali nuk u shqetësua gjithaq nga vdekja e gruas që e kishte sjellë në jetë.
Ndonëse lajmi për vdekjen e së ëmës përbën hyrjen e këtij romani të çuditshëm, lexuesi nuk merr kurrfarë informate për raportin e nënës dhe të birit. Shtrohet pyetja: A kanë kontaktuar këta dy ndonjëherë ndër vete. Në një moment, gjatë përgatitjeve të varrimit, Mersoja nuk e di saktë se sa vjeçe ka qenë e shkreta nënë. Krijohet përshtypja sikur Mersosë gjërat e tjera, më shumë se vdekja e së ëmës. Madje në rrugën për në varreza kënaqet bukuritë e natyrës. Sillet sikur çdo gjë është normale, sikur s’ka humbur asgjë të rëndësishme.
Këto ngjarje dhe ndjenja, për të mos thënë “mungesë ndjenjash” shumë shpejt për lexuesin do të jenë më se të qarta, ngase rrjedha e ngjarjeve flet për një hiç-gjë të përgjithshme të protagonistit. Prandaj nuk është për t’u habitur sesi edhe në këtë moment tragjik Mersoja sillet sikur s’ka ndodhur diçka. Marrë në përgjithësi, shenja e indiferencës shtrihet përgjatë tërë veprës dhe kjo mund të vërehet në gjërat më bizare, siç janë pyetjet e fqinjit Rajmon për t’u shoqëruar apo të shefit të firmës ku punon Mersoja për t’u bërë përfaqësues i kompanisë së tyre në Paris. Të dyja pyetjeve si dhe shumë pyetjeve të tjera që pasojnë, Mersoja u përgjigjet: “krejt një për mua”. Kjo frazë rezulton nga këndvështrimi i jetës si një absurd. Me fjalë të tjera, jeta për Mersonë është një absurd, në të cilën kurrë dhe asgjë nuk do të ndryshojë, as që mund të ndryshojë.
Po të ishte përpjekur për ta marrë jetën e vet në duart e veta, ndoshta Mersoja nuk do t’i kishte gjithë ato koncepte nihiliste. Por kjo nuk ndodh. Mersoja vazhdon të jetojë me jetën e tij monotone ku secila ditë është e njëjtë, e njëjta punë, e njëjta banesë …
Për ta kuptuar kuptimin e kësaj kryevepre të Kamysë, në radhë të parë duhet kuptuar filozofinë e absurditetit të narratorit, përkatësisht të personazhit të cilin e përcjell i tërë veprimi i veprës. Duhet njohur më mirë jetën psikike të Mersosë, por edhe mënyrën se si e sheh ai mjedisin që e rrethon dhe shoqërinë në të cilën jeton. Kur të zhytemi më thellë në mozaikun kompleks të Mersosë, e kuptojmë se ai ndjehet i huaj në botën të cilën nuk e njeh dhe të cilën kurrë s’ka për ta njohur. Monotoninë e thyen ftesa e Rajmonit i cili e fton Mersonë dhe Marinë për vajtur të dielën me të në shtëpizën e Masonit. Ndonëse pa dëshirë, Mersoja e pranon ftesën, por qysh në mëngjes nuk ndjehet disi mirë. Gjatë gjithë rrugës e përcjell një ndjenjë e çuditshme e zbrazësisë.
Shthurja e veprimit fillon pikërisht në atë plazh, atë të diele, kur në rrugë e sipër, në afërsi të shtëpizës takojnë dy arapë. Për shkaqe fare nebuloze dhe të kota, Rajmoni deshi të krisë me revole ndaj arapëve të cilët më vonë përsëri i takuan derisa rreziteshin në plazh, por Mersoja e parandalon shokun e vet të bëjë një marrëzi të tillë. Ia del ta bindë atë për t’ia lënë revolen. I mbetur vetë, Mersonë sikur e tërhoqi diçka që përsëri t’u afrohet arapëve. Në vepër nuk duket qartë përse ndodh kjo. Mos ndoshta për shkak të vapës dhe nxehtësisë së madhe që mund ta kenë shkaktuar reagimin nervoz të Mersosë?! Mos ndoshta për ndjenjat e ndrydhura nga vdekja e së ëmës apo për shkak të mungesës së dëshirës për jetë në një udhëkryq të pashpresë?!
Por ngjarjet që pasojnë gjithsesi meritojnë analizë të mëtejme. Arapi ia nxori thikën Mersosë, kurse ky e qëlloi atë me plumb. Pas kësaj, krisi mbi arapin edhe katër herë të tjera. Lexuesit i mbetet të gjykojë vetë se ç’ishte ajo që e shkaktoi këtë sjellje të papritur të Mersosë. Duket sikur ky veprim, pa vetëdije paraqet revoltë ndaj monotonisë dhe dëshirën e mundshme të Mersosë që t’i ndodhë diçka e çuditshme, në një jetë plot ankth dhe të zbrazët që e përcjell që nga shkolla e mesme.
Tërësia tjetër e romanit është e ndarë në tri pjesë dhe përfshin burgosjen e Mersosë, gjykimin dhe më vonë edhe aktgjykimin. Dukej se ky rast nuk paraqiste ndonjë rëndësi të veçantë për autoritetet e qytetit. Dukej sikur edhe për vetë të akuzuarin kjo ngjarje nuk paraqet diçka të rëndësishme.
Mersoja nuk mbrohej, nuk ndjente kurrfarë nevoje për t’u arsyetuar para gjykatës, as që ndjente ndonjë farë faji.
Ndjenja e tij e të qenit rob i vetë jetës, akoma më shumë e ndërlikoi rrjedhën e gjykimit, fillimi i të cilit nuk kishte asnjëfarë lidhjeje me vrasjen. Çdokujt në gjykatë më së tepërmi i interesonte përse Mersoja nuk ndjente kurrfarë dhimbjeje për të ëmën dhe përse ndjehej krejtësisht i tepërt. Nuk kishte dëshirë të mbrohej, ndaj lejoi ta prezantonin si njeri pa zemër dhe shpirt, me të cilin sundonte zbrazësia.
Gjatë procesit Mersoja ishte përpjekur t’i sqaronte rrethanat e vrasjes së arapit në plazh. Por në sallën ku zhvillohej procesi gjyqësor dhe të mbushur plot e përplot, sqarimi i rrethanave të ngjarjes nga Mersoja hasën në vesh të shurdhët. Të pranishmit në sallë brohoritnin: “Ky që s’paska qarë në varrimin e së ëmës, nuk është veçse një i pashpirt, vrasës i lindur. Si i tillë, nuk meriton asgjë më pak se litarin në fyt”.
Pyetjes së gjyqtarit: “Përse e vrave arapin dhe pas plumbit të parë shkrepe mbi të edhe katër të tjerë”, Merso u përgjigj: “Për shkak të diellit”.
Për ta shpëtuar kokën, për t’i ikur dënimit me vdekje, avokati e sugjeroi klientin e tij në qeli që të deklaronte në gjykatë se pendohej për vrasjen e kryer. I akuzuari e refuzoi sugjerimin dhe i tha mbrojtësit të vet: “Nuk është e moralshme të thuash se pendohesh, vetëm e vetëm për t’i ikur dënimit me vdekje”.
Me aktgjykimin e shqiptuar, Mersoja u dënua me vdekje. Për prokurorin dhe gjyqtarin, rrethanë rënduese ishte fakti se ai s’kishte qarë në varrimin e së ëmës. Pas varrimit, në mbrëmje, kishte vajtur me Marinë për të parë një komedi. Pas kësaj kishin kryer edhe marrëdhënie intime. Me t’i dëgjuar këto fakte dhe argumente, krejt salla u ngrit në këmbë dhe brohoriti njëzëri: “Nëna i ka vdekur, e ky horr shkon në teatër, madje për të parë, jo një dramë apo tragjedi, por komedi. Në mesditë e ka varrosur të ëmën , ndërsa po atë natë ky i pashpirt ka kryer marrëdhënie intime. Vdekje vrasësit”!
Me të dëgjuar shqiptimin e dënimit me vdekje, Mersoja nuk tregoi shenja shqetësimi. Nuk deshi të paraqiste ankesë kundër aktgjykimit. As lutje për zëvendësimin e dënimit me vdekje.
Dita e ekzekutimit po afrohej. Mersoja nuk manifestonte kurrfarë shenjsh frike. Tani absurditeti i jetës dhe i vdekjes iu bënë fare të qarta.
Në qeli e vizitoi prifti me kryqin në gjoks. I kërkoi djaloshit të dënuar me vdekje që t’i lutet Zotit t’ia falë mëkatet. I dënuari ia ktheu: ”Askush, pra as Zoti, s’më kanë thënë se jam mëkatarë. Më ka thënë gjykata se jam fajtor. Prift, nuk i lutem Zotit të m’i falë mëkatet, unë jam ateist”. Prifti u turbullua: “O Zot, ç’njeri qenkësh ky”?!
Para se të ekzekutohej, Mersonë e vizitoi edhe Maria. Atë e sugjeroi që sapo të dilte nga qelia e errët, t’ia dhuronte buzët e njoma një të dashuri tjetër.
Dëshira e të dënuarit me vdekje ishte që këto skena të pakuptimta të marrin fund sa më parë. Ditën e ekzekutimit tim le të ketë sa më shumë njerëz. Le të më shajnë, le të më urrejnë sa më shumë që të jetë e mundur dhe le të më qëllojnë me gurë. Mbase tani e tutje nuk ka për të qenë vetë dhe i parëndësishëm. Më në fund, do të pushojë të jetë i huaj, si në mendjen e vet, ashtu edhe në gjykimet e të tjerëve.
* * *
Gjatë gjithë jetës Mersonë e ka përcjellë ndjenja e indiferencës. Kjo dramë e absurdit është studiuar dhe është interpretuar në hollësi prej kritikëve letrarë më eminentë dhe prej filozofëve më të shquar të Perëndimit.
Studiuesit thonë se për Mersonë ekziston vetëm e tashmja dhe asgjë tjetër përtej saj. Me asnjë veprim të tij, i riu 22-vjeçar nuk i plotëson normat e mjedisit, ndaj privohet nga liria dhe dënohet me vdekje pa fije racionaliteti. Për aparatin ndëshkues, rasti Merso është i pashpresë. Mungesa e vullnetit për jetë e bën atë person të determinuar të jetë humbës, të jetë askush dhe asgjë, një hiç.
Njeri absurd në një botë absurde, këtu qëndron thelbi i këtij romani. Ai pajtohet me fatin. Nuk jep shenja se i vjen keq për mënyrën e jetesës. Nuk ka për çka lufton në një botë të vrazhdët dhe plot djallëzi. Ikjen nga një realitet i egër, qoftë edhe në mënyrën më makabre, nuk e merr për humbje. Megjithëkëtë, ai mbetet në konflikt të përhershëm me botën përreth.
* * *
Tjetërsimi i njeriut dhe revolta ndaj tjetërsimit është nyja kryesore nga e cila udhëhiqet Alber Kamy. Pakënaqësia me vetveten dhe me botën përreth është burimi kryesor i kësaj drame të absurdit. Por Kamy e hedh poshtë edhe dëshpërimin të shkaktuar nga rrethanat e pakuptimta. Individi nuk duhet të lejojë që të përshkohet nga ndjenja e humbjes. Realiteti është simbiozë e situatave, sa të zeza, po aq edhe të bardha. Individi patjetër t’i bëjë ballë ligësisë. Kështu është vepruar gjatë gjithë historisë.
Vetëdija për vetveten dhe revolta ndaj një bote të rrejshme është çmimi që e pagoi heroi kryesor i këtij romani.
* * *
Vrasje fëmijësh dhe nënash, fëmijë pa kokë, nëna pa gjymtyrë, skena si te “Gernika” e Pablo Pikasos, sulm ndaj spitaleve, vrasje e personelit mjekësor, rrëmbime dhe arrestime, tortura, të plagosur të mbetur nën gërmadha, vdekje nga uria, krekosje për numrin e madh të të vrarëve të palës kundërshtare, shkatërrim infrastrukture, djegie fshatrash dhe qytetesh, ndarje familjesh, shpërngulje masive, rritje investimesh për armatim, kanosje me armë bërthamore dhe çmenduri të tjera të pafund. Hekur dhe zjarr në të katër anët, propagandë, gënjeshtra dhe mashtrime, shpëlarje truri, koka pa sy, trupa pa duar. E shëmtuara, e liga, e keqja është bërë normalja e njerëzimit. Valles makabre i prin djallëzorja. Bota qyqare hesht. Djajtë sundojnë, ata e kanë fjalën. Kohë e turpshme kundër qenies njerëzore. Ajo që është ndërtuar me dekada, rrënohet brenda pak kohësh. Para kamerave dalin alamet burra shteti, secili më i ligë se tjetri, më i djallëzuar se tjetri. Ja absurdi!
Xhelal Zejneli
***
PSEUDO-AKADEMIKËT SERBË PËR SHQIPTARËT
Për t’u dhënë mbështetje synimeve politike të shtetit serb, akademikët serbë e kanë keqpërdorur shkencën.
Instrumentalizimi i shkencës nga Jovan Cvijiqi
Kryetari i Akademisë Mbretërore Serbe Jovan Cvijiq (1865-1927) ishte një pseudoshkencëtar. Shumë segmente të studimeve të tij, sot e kësaj dite shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Cvijiqi angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë në drejtim të jugut, në territoret shqiptare dhe maqedonase. Sipas tij, “aneksimi i këtyre territoreve, është kusht për zhvillimin e Serbisë”. Në vitin 1918 Cvijiqi hartoi edhe hartën etnografike të Ballkanit.
“… Për të qenë ekonomikisht e pavarur, Serbia medoemos të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar; qoftë me pushtimin e territoreve, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të drejtave për qarkullim në ato zona. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton pushtimin e një rajoni, vërtet të huaj në pikëpamje etnografike, por një zaptim i tillë medoemos të bëhet për shkak të interesave ekonomike tejet të rëndësishme, pikërisht për nevoja jetësore”.
Në kohën e luftës për Maqedoninë, Cvijiqi me mori publikimesh dhe me harta etno-gjeografike synonte ta bindë opinion ndërkombëtar se sllavët maqedonas nuk janë veçse “serbë të jugut”. Midis viteve 1906-1918 hartoi një mori hartash me të cilat pretendimet serbe për këto rajone i arsyetonte duke i shpallur maqedonasit si një grup etno-linguistik serb. Hartat etnografike të Cvijiqit të botuara në vitin 1906, 1909 dhe 1913 dalloheshin ndër vete dhe u përshtateshin nevojave të Serbisë në politikën e jashtme. Në hartën e vitit 1909, krahasuar me hartën paraprake të vitit 1906, dukshëm është pakësuar prania e shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore. Në hartën e viti 1913, krahasuar me hartën paraprake të viti 1909, prania e të ashtuquajturve “kroatë-serbë” dukshëm është shtyrë kah jugu. Në të njëjtën hartë, prania e shqiptarëve “është reduktuar në mënyrë dramatike”, madje edhe në Shqipërinë veriore. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Cvijiqi publikoi hartën e cila duhej të ndikonte në vendimet e Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919. Në këtë hartë serbët dhe maqedonasit janë futur në një kategori. Me këtë, Cvijiqi i dha legjitimitet kontrollit të Maqedonisë nga Serbia.
Memorandumi i Vaso Çubriloviqit
Në vitin 1937, akademiku serb Vaso Çubriloviq (1897-1990) e shkroi memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve”. Elaboratin e lartpërmendur e shkroi për qeverinë e kryeministrit Milan Stojadinoviq (Çaçak, Serbi, 1888 – Buenos-Aires). Me shkrimin e tij propozon zgjidhjen “e çështjes shqiptare” me spastrimin etnik total të Kosovës nga shqiptarët. Ai konsideron se është “detyrë imperative” e shtetit të mos lejojë që territorin strategjik të rëndësishëm të tij, ta ketë në dorë “elementi i huaj, që për ne është armiqësor”.
Çubriloviqi e kritikon kolonizimin e deritashëm joefektiv serb të Kosovës dhe propozon metoda më efektive të dëbimeve të dhunshme të popullsisë shqiptare: “Është e pamundur që shqiptarët mposhten vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ne gjithmonë kemi qenë mbi ta”.
Çubriloviqi konsideron se e vemja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është shpërngulja e tyre “en masse”. Ai propozon një sërë mjetesh trysnie me të cilat do të arrihej shpërngulja masive, si: krijimi i psikozës, trysnia e aparatit shtetëror dhe e policisë, me të cilat “do të vështirësohej me të madhe ekzistenca e shqiptarëve te ne”, armatosja e popullsisë serbe, dërgimi i çetnikëve, djegia e vendbanimeve shqiptare, etj.
Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (ASShA)
Memorandumin e ASShA-së të vitit 1986 e hartoi Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, si një program strategjik i inteligjencies serbe. Memorandumi bënte fjalë për “pozitën e rëndë dhe pabarazinë e popullit serb në Jugosllavi, e posaçërisht në Kosovë ku zbatohet gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor ndaj popullsisë serbe”. Demonstratat e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1981, akademikët serbë i quajtën “agresion neofashist”.
Në vijim, Memorandumi e kritikon “konfederalizmin si dhe autorizimet e mëdha të krahinave autonome, të mundësuara me Kushtetutën e viti 1974”, duke vlerësuar se me këtë kushtetutë “serbët janë të diskriminuar”. ASShA-ja konsideron se “çështja serbe nuk ka për t’u zgjidhur pa u arritur bashkimi kombëtar dhe kulturor i plotë i serbëve, pavarësisht nga fakti se ku jetojnë ata”. (faqe 70-73)
Për shkak të pikëpamjeve lidhur me çështjen kombëtare dhe kërkesave për riorganizimin rrënjësor të shtetit, Memorandumi shkaktoi reagime të ashpra në Jugosllavinë e atëhershme.
Një ditë pas publikimit të Memorandumit, kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Serbisë, Ivan Stamboliqi (1936 – 25.08.2000) e quajti “manifest lufte për komisarët serbë”.
Pas disa viteve, komisioni i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara këtë memorandum e vlerësoi si “mjet të përhapjes së ndjenjave antishqiptare”.
Në Jugosllavi dhe në Serbi ka pasur shumë të tillë të cilët këtë dokument e kanë konsideruar si shprehje të nacionalizmit serbomadh. Konsiderohet se Memorandumi i ASShA-së ka luajtur rol kyç në shkatërrimin e Jugosllavisë, duke ndikuar me të madhe në luftën e Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinë dhe Kosovës.
Paraardhësi i Milosheviqit, Ivan Stamboliqi besonte se e larguan nga pushteti për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me Akademinë dhe kundërshtimit të Memorandumit.
Shënim: Më 25 gusht 2000, Ivan Stamboliqi kishte dalë të shëtiste në parkun e Frushka Gorës. E kishin zënë do njerëz dhe e kishin vrarë me dy plumba. E kishin hedhur në një gropë të çelur paraprakisht, ku kishin qitur edhe gëlqere të gjallë. Me fjalë të tjera, ai ra viktimë e regjimit kriminal të Milosheviqit. Mbetjet mortore të tij u zbuluan më 28 mars të viti 2003.
* * *
Albanofobia e Vladan Gjorgjeviqit
Në përhapjen e albanofobisë në Serbi në fillim të shekullit XIX kryesonte Vladan Gjorgjeviqi (1844-1930). Ishte politikan serb dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd 1913), shqiptarët i paraqet si “njerëz të egër të cilët nuk kanë histori, lëkurëkuq evropianë që flenë nëpër dru, të lidhur për degësh me bishtat e tyre”.
Dobrica Qosiqi për shqiptarët
Akademiku serb Dobrica Qosiq (1921-2014) shumë herë ka dalë në publik me qëndrimet e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve. Për shkak të përhapjes së gjuhës së urrejtjes, kundër tij është paraqitur edhe kallëzim penal.
Ky farë shkrimtari për shqiptarët thotë: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit barbar, tribal, e merr për aleat Amerikën dhe Bashkimin Evropian në luftë kundër popullit më demokratik, më të qytetëruar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”.
* * *
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve kurrë nuk është distancuar publikisht prej qëndrimeve të tilla të anëtarëve të saj.
Fizikani bërthamor dhe teoricieni social Stevan Dedijer (1911-2004), në fillim të vitit 2003 i dërgoi letër të hapur kryeministrit të atëhershëm Zoran Gjingjiqit (1952-2003).
Fizikani i sipërthënë i propozonte Gjingjiqit ta shpërndajë Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në mënyrë që të bëhet riorganizimi i plotë i saj.
Sipas këtij dijetari, “Akademia si e këtillë, nuk merret me zhvillimin e forcës kreative të popullit serb në shkencë dhe në teknologji, por merret me ide të prapambetura të nacionalizmit, të shovinizmit, të urrejtjes dhe me marrëzira”.
Posaçërisht i kritikonte akademikët serbë për mbështetjen e idesë së Serbisë së Madhe. “Marrëzia kryesore dhe më e keqe e udhëheqësve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve është ajo se janë marrë me çdo gjë përpos me atë me të cilën duhet të merret çdo Akademi e Shkencave: me zhvillimin e forcës kreative të popullit të vet, në teknologji, në shpikje dhe në inovacione”.
Stevan Dedijeri konsideronte se shpërndarja e ASShA-së është pjesë e politikës së domosdoshme për zhvillimin e Serbisë në përgjithësi, e sidomos të shkencës dhe të teknologjisë së saj. Ai priste prej Zoran Gjingjiqit që me riorganizimin rrënjësor të këtij institucioni shkencor më të lartë, ta vërë Serbinë në rrugën e një zhvillimi dinamik. Ndërkohë, regjimi kriminal i Serbisë e vrau Gjingjiqin, ndaj edhe fizikani bërthamor s’mori përgjigje për propozimin e vet.
* * *
Lidhur me Kosovën është prononcuar disa herë edhe kryetari i ASShA-së Vladimir S. Kostiq (1953- ). Është neurolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd. Në lëmin e mjekësisë është me renome ndërkombëtare. Në vitin 2015 u zgjodh kryetar i ASShA-së.
Në tetor të vitit 2015 Vladimir Kostiqi për Kosovën thotë: “Kosova faktikisht dhe formalisht është e humbur për Serbinë. E vetmja mençuri politike është se si me elemente të dinjitetit ta braktisim Kosovën për arsye se ajo, as de fakto, as de jure nuk është në duart e Serbisë”.
Më 7 janar 2021, në një intervistë në TV N1 ai deklaron: “Askush në Serbi, përfshi edhe Kishën Ortodokse Serbe, nuk kanë tapi për të vërtetën përkitazi me Kosovën”.
Kundër qëndrimit të Kostiqit pati reagime të shumta, nga të katër anët. Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliqi pyeti: “Pas qëndrimeve të tilla për Kosovën, a mund ai të vazhdojë të jetë në krye të Akademisë”.
U prononcua edhe kryeministri i atëhershëm Alekdandar Vuçiqi.
Më 9 nëntor 2018, Vladimir Kostiqi ofroi dorëheqje nga posti i kryetarit të ASShA-së. Më 16 nëntor 2018, dorëheqjen e tij Akademia nuk e pranoi. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 2023.
Xhelal Zejenli
***
KUSH SI VOTOI LIDHUR ME REZOLUTËN PËR GJENOCIDIN NË SREBRENICË
Serbi, të ka shkelur koha. Je e vogël për të qenë e madhe!
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork u miratua propozimi që 11 korriku të shpallet “Ditë ndërkombëtare e përkujtimit dhe e shënimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”. Prej gjithsej 193 shteteve, për aprovimin e Rezolutës votuan 84 shtete. Kundër ishin 19 shtete, ndërsa abstenuan 68 sish. Në momentin e votimit, 22 shtete nuk ishin të pranishëm në sallë.
* * *
Rezolutën e mbështetën shtetet: Afrika e Jugut, Andora, Arabia Saudite, Australia, Austria, Bangladeshi, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Britania e Madhe, Brunei, Bullgaria, Çadi, Çekia, Danimarka, Egjipti, Ekuadori, Estonia, Fixhi, Finlanda, Franca, Gambia, Guajana, Guineja Bisao, Gjermania, Holanda, Indonezia, Iraku, Irani, Irlanda, Islanda, Italia, Ishujt e Gjelbër (Kabo Verde), Japonia, Jemeni, Jordania, Kanadaja, Katari, Kili, Koreja e Jugut, Kolumbia, Kosta-Rika, Kroacia, Kuvajti, Letonia, Libia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malajzia, Malavi, Mali i Zi, Malta, Maqedonia e Veriut, Mauritania, Mianmari, Mikronezia, Moldavia, Nigeri, Norvegjia, Pakistani, Pallau, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda, Salvadori, San-Marino, Senegali, Sierra-Leone, Singapori, Sllovenia, Spanja, Suedia, ShBA-ja, Shqipëria, Tanzania, Tunizia, Turqia, Ukraina, Uruguai, Xhibuti, Zambia, Zelanda e Re dhe Zvicra.
Kundër rezolutës votuan shtetet: Antigua-Barbuda, Bjellorusia, Dominika, Eritreja, Esuatini, Grenada, Hungaria, Ishujt Komore, Kina, Koreja Veriore, Kuba, Mali, Nauru, Nikaragua, Republika Demokratike e Kongos, Rusia, Sao-Tome-e-Principe, Serbia dhe Siria.
Abstenuan shtetet: Algjeri, Angola, Argjentina, Armenia, Bregu i Fildishtë, Ishujt Bahama, Bahrejni, Barbadosi, Benini, Butani, Bocuana, Brazili, Burundi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopia, Filipinet, Gaboni, Gana, Greqia, Guatemala, Guineja, Guineja Ekuatoriale, Gjeorgjia, Haiti, Hondurasi, India, Kamboxhia, Kameruni, Kazakistani, Kenia, Kiribati, Kongo, Laosi, Lesoto, Libani, Madagaskari, Maldivet, Meksika, Mongolia, Mozambiku, Namibia, Nepali, Nigeria, Omani, Panamaja, Papua Guineja e Re, Paraguai, Peru, Qiproja, Republika Dominikane, Seishelet, Sen-Kits, Sen-Lui (në Afrikë), Sen-Vincent, Sllovakia, Ishujt Solomon, Sudani Jugor, Sri-Lanka, Sudani, Surinami, Tajlanda, Taxhikistani, Togoja, Trnidad-e-Tobago, Tuvallu, Uganda, Vietnami dhe Xhamajka,
Në momentin e votimit nuk ishin të pranishëm në sallë 22 shtete: Afganistani, Afrika Qendrore, Azerbajxhani, Belize, Bolivia, Burkino Faso, Ishujt Marshall, Izraeli, Kirgizia, Liberia, Mauriciusi, Monako, Maroku, Samoa, Somalia, Timor Lindor, Tongo, Turkmenia, Uzbekistani, Vanuatu, Venezuela, Zimbabve.
* * *
Rrjedha e seancës në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve
Me dokumentin, 11 korriku shpallet Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, dënohet mohimi i gjenocidit si dhe glorifikimi i krimeve të luftës. Propozues të dokumentit ishin Gjermania dhe Ruanda, të mbështetura prej tridhjetë vendeve bashkë-sponsorë. Para se të bëhej votimi, përfaqësuesja e Gjermanisë në KB, Antje Lendertse (1963- ) i ftoi shtet që ta mbështesin rezolutën, duke theksuar se ajo “nuk është e drejtuar kundër askujt, e posaçërisht jo kundër Serbisë”.
Ajo theksoi se “rezoluta ka të bëjë vetëm me kryerësit e gjenocidit”, duke shtuar se “gjatë luftës kanë pësuar të gjitha bashkësitë etnike “. Qëllimi është që “të njihen të gjitha viktimat”.
Beogradi zyrtar doli kundër aprovimit të rezolutës, duke pohuar se në këtë mënyrë populli serb do të shpallej “popull gjenocidal”. Në Sarajevë ndërkaq, rezolutën e konsiderojnë si një rast që do të bënte të mundur vazhdimin e pajtimit.
Në korrik të viti 1995 pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe vranë Srebrenicë 8.372 vetë, midis tyre edhe fëmijë. Srebrenica ndodhet në Republikën Serbe, e cila është një prej dy entiteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ), të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të gjykatave të vendit, për gjenocidin në Srebrenicë, edhe pas tri dekadave, ka dallime në pikëpamje.
* * *
Prej vendeve evropiane, kundër rezolutës ishin Serbia, Rusia, Bjellorusia dhe Hungaria. Prej shteteve të mëdha, kundër rezolutës votoi vetëm Kina.
Rezolutën e mbështetën të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë – Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Prej vendeve evropiane, abstenuan vetëm Gjeorgjia, Armenia, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
* * *
Me të filluar seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u kumtua se Vanuatu, një vend i vogël ishullor diku kah Australia, e ka tërhequr bashkë-sponsorimin e rezolutës.
Si vend propozues i rezolutës, e para e mori fjalën përfaqësuesja e Gjermanisë Antje Lendertse. Ajo tha: “Nisma duhet t’u tregojë respekt ndaj viktimave dhe t’u ofrojë mbështetje të mbijetuarve. Shënimi i 11 korrikut si Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të Srebrenicës duhet të bëjë të mundur shënimin vjetor të ditës në KB dhe të përmbajë gjuhën kundër mohimit të gjenocidit”. Ajo shtoi se kryerësit e krimeve siç është gjenocidi, janë përgjigjur para gjykatave.
Për gjenocidin ndaj të paktën 8.372 boshnjakëve dhe për krime të tjera të luftës në rajonin e Srebrenicës, mbi 50 vetë janë dënuar me rreth 700 vjet burg.
Me dënim të përjetshëm, përpos tjerash edhe për shkak të Srebrenicës, janë dënuar ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, gjeneral Ratko Mladiqi si dhe ish-kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiqi.
“Çfarë porosie do t’u dërgojmë brezave të ardhshëm po qe se nuk tregojmë respekt për viktimat”, pyeti diplomatja gjermane Antje Lendertse. Ajo shtoi se “rezoluta e ka mbështetje e vendeve të mbarë botës, përfshi edhe të Ballkanit Perëndimor”.
Në mesin e tridhjetë bashkë-sponsorëve janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.
* * *
Para votimit dhe pas tij, diplomatëve të Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve, iu drejtuan përfaqësuesit e një numri shtetesh. Ambasadori i Kinës pranë KB-ve, Fu Cong, midis tjerash tha se Kina do të votojë kundër rezolutës. Anën e Serbisë e mbajti edhe përfaqësuesi i Rusisë pranë KB-ve Vasili Nebenzja.
Beogradi zyrtar dhe autoritet e Republikës Serbe të Milorad Dodikut edhe më tej mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Sipas tyre, kemi të bëjmë, jo me gjenocid por me “krim të tmerrshëm”.
E mbështetur edhe nga Rusia, Serbia në mënyrë aktive loboi kundër aprovimit të rezolutës në Kombet e Bashkuara.
Vuçiqi vajti në Nju-Jork me bekimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej dhe me lutjen në tempullin e Shën Savës në Beograd, ku morën pjesë edhe krerët politikë të Republikës Serbe.
Vuçiqi e mori fjalën, si para votimit për rezolutën, ashtu edhe pas tij. Gjatë gjithë kohës, nuk arrinte ta fshehë zemëratën. Në momente të caktuara, ishte edhe teatral. Harroi se nuk ndodhej në pallankat e Serbisë.
Para votimit për rezolutën, Dodiku tha: “Po qe se rezoluta miratohet, Republika Serbe do të ndërmarrë procesin e ndarjes paqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Fuqitë Perëndimore deshën t’ua veshin serbëve gjenocidizmin dhe t’ua imponojnë diskualifikimin moral”.
* * *
Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk dëshirojnë ta pranojnë se epoka e Slobodan Milosheviqit ka mbaruar. Po kështu do të perëndojë edhe epoka e Vladimir Putinit. Serbia ka ngecur në kohën e Ilija Garashaninit, të Jovan Cvijiqit, të Vasa Çubriloviqit, të Nikola Pashiqit, të Karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit, të Dobrica Qosiqit, të Milosheviqit, të Vojislav Sheshelit dhe të epigoneve, si Tomislav Nikoliqi, Vulini.
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve dhe Lidhja e Shkritarëve e Serbisë – heshtin. Serbia ka mbetur pa intelektualë, pa mendim kritik, pa mendim alternativ, pa shkrimtarë, pa filozofë. Në Serbi mbizotëron diktatura, njëmendimi politik dhe ideologjik. Serbia ndodhet në anën e kundërt të demokracisë. Ajo vepron në kundërshti me tendencën historike. Atë e ka shkelur koha. Ajo është në konflikt me të gjithë, me Kroacinë, me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Malin e Zi, me Kosovën. Hiç më mirë s’qëndron me Maqedoninë e Veriut, me Bullgarinë. Në konflikt me të gjithë fqinjët. Serbia s’ka forcë t’i kthehet vetvetes, ta kërkojë fajin në vetvete. Ideologjia serbomadhe, e ashtuquajtura Botë Serbe nuk është veçse irracionalizëm. Ide ultranacionaliste, retrograde dhe anakronike në Evropën e shekullit XXI! Politikanët serbë thonë: “Integrimi i Serbisë në BE s’ka alternativë”. Po si do të integrohesh në familjen evropiane kur në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve i gjithë kontinenti votoi për rezolutën, për të mos thënë, kundër Serbisë. Miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë paraqet grusht vdekjeprurës për Serbinë. Nokaut. Udhëheqja e përtashme serbe që ndjek hap pas hapi politikën e zjarrvënësit të gadishullit, Milosheviqit, e ka marrë në qafë Serbinë, i ka marrë në qafë të rinjtë, brezat e rinj.
Nga shqetësimi i madh, miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiqi u përpoq ta relativizojë dhe ta minimizojë, duke thënë se numri i shteteve që votuan për të, nuk ishte i madh.
Serbi! Kundër rezolutës dolën jo më shumë se 18 shtete. Bashkë me ty bëhen 19 sish. Mos u kruaj me Gjermaninë Vuçiq, se po të mos ishin investimet gjermane që arrijnë rreth 10 miliardë euro, Serbia sot do të kishte krizë buke. Në 15 vitet e fundit, Serbia arrin të sigurojë bukën, jo me investimet ruso-kineze, por me ato perëndimore. Serbi, ti je mosmirënjohëse. Je e vogël, për të qenë e madhe! Ambiciet i ke në shpërpjesëtim me përmasat.
Lideri i partisë opozitare Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë, Dragan Gjilas, miratimin e rezolutës në Nju-Jork e quajti “dështim i ri i Vuçiqit”. “Pas kësaj, ai nuk mund të mbetet kryetar i Serbisë. Serbisë nuk i duhet një kryetar që lufton, por një kryetar që fiton, ndërsa Vuçiqi vazhdimisht humb dhe gjithmonë fajtorë janë të tjerët – kurrë s’janë fajtorë, as ai, as bashkëpunëtorët e tij . Serbia është e lodhur prej dështimeve të vazhdueshme, prandaj është koha që ‘prijësi i madh’, i cili i ka humbur të gjitha betejat, më në fund të shkojë në histori”. Le ta sheh bota se me çfarë Serbie gjenocidale kanë pasur punë shqiptarët!
Xhelal Zejneli
***
TEKSTI PËRFUNDIMTAR I REZOLUTËS PËR SREBRENICËN, DËRGUAR ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË KOMBEVE TË BASHKUARA
Propozimi përfundimtar i Rezolutës së KB-ve për gjenocidin në Srebrenicë u harmonizua dhe iu dorëzua kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Pas shumë konsultimeve inkluzive, Propozimi përfundimtar i Rezolutës ‘Dita ndërkombëtare e refleksionit dhe e komemoracionit të Gjenocidit në Srebrenicë 1995” nga ‘cross-regional core group’, iu dërgua kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-ve dhe të gjitha misioneve të përhershme në KB”.
Teksti përfundimtar i propozimit të Rezolutës:
“Duke u prirë nga Karta e Kombeve të Bashkuara, nga Deklarata universale për të drejtat e njeriut dhe nga Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, duke iu referuar Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit të datës 16 prill 1993 me të cilën Srebrenica shpallet zonë e sigurt, Rezolutës 827 të datës 25 maj 1993 për formimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ) dhe Rezolutës 1966 të datës 22 dhjetor 2010 për formimin e Mekanizmit ndërkombëtar rezidual për gjykatat penale, duke i përkujtuar të gjitha aktgjykimet e GjNPJ-së, e sidomos tetë prej tyre të cilët përmbajnë aktgjykime dënuese për krim gjenocidi ndaj myslimanëve boshnjakë të kryer në Srebrenicë në vitin 1995, veçanërisht aktgjykimin e Kolegjit ankimor të GjNPJ-së të datës 19 prill 2004 (GjNPJ kundër Kërstiqit), Mekanizmin ndërkombëtar rezidual për kolegjin ankimor të gjykatave penale, aktgjykimi i datës 8 qershor 2021 (GjNPJ kundër Mladiqit), aktgjykimin e Mekanizmit ndërkombëtar rezidual për kolegjin ankimor të gjykatave penale të datës 20 mars 2019 (GjNPJ kundër Karaxhiqit), Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të datës 26 shkurt 2007 e cila përcaktoi se veprat e kryera në Srebrenicë paraqesin vepra gjenocidale, duke konfirmuar kundërshtimin tonë të fuqishëm të pandëshkueshmërisë së gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës dhe të shkeljeve të tjera të të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të të drejtës ndërkombëtare të njeriut dhe duke theksuar në këtë kontekst përgjegjësinë e shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për këtë qëllim të hulumtojnë rrënjësisht dhe të ndjekin penalisht, në përputhje me detyrimet juridike ndërkombëtare relevante të tyre dhe me të drejtën në vendet e tyre, personat përgjegjës për vepra të tilla, për të shmangur përsëritjen e tyre dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme, drejtësi, vërtetësi dhe pajtim për të cilën nevojitet pjesëmarrja e viktimave dhe e të mbijetuarve si dhe e anëtarëve të familjeve të tyre si çështje me peshë qendrore, duke përshëndetur përparimin e rëndësishëm që kanë bërë në vitet e fundit gjykatat ndërkombëtare lidhur me luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe sigurimit të përgjegjësisë për gjenocid, për krime kundër njerëzimit, për krime lufte dhe për krime të tjera të papara, të arritur nëpërmjet sistemit të jurisprudencës penale ndërkombëtare, në këtë pikëpamje çmon kontributin e posaçëm të GjNPJ-së dhe thekson rëndësinë e gatishmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të ndërmarrë aksion kolektiv nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, në përputhje me Kartën dhe bazuar në rastin e veçantë, me qëllim që akoma më shumë të sigurohet përgjegjësia për gjenocid dhe për parandalimin e tij.
Duke përsëritur se përgjegjësia penale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për krimin e gjenocidit, është individuale dhe nuk mund t’i vishet cilitdo grup etnik, religjioz apo ndonjë grupi tjetër, apo bashkësi si tërësi.
Duke marrë parasysh rolin e këshilltarëve specialë të sekretarit të përgjithshëm për parandalimin e gjenocidit dhe përgjegjësinë për mbrojtje; dhe duke theksuar rëndësinë e brifingjeve të rregullta për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, si dhe për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen në ngritjen e hershme të vetëdijes për gjenocid potencial, po ashtu duke vënë dukje se procesuimi i personave përgjegjës për gjenocid dhe për krime të tjera ndërkombëtare në sistemet kombëtare të jurisprudencës, përfshi edhe Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të GjNPJ-së, si dhe Mekanizmin ndërkombëtar rezidual për gjykata penale, mbetet qendrore në procesin e pajtimit kombëtar dhe në ndërtimin e besimit dhe për përtëritjen dhe ruajtjen e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke pranuar edhe më tej faktin se bashkëpunimi i fuqishëm rajonal ndërmjet prokurorive shtetërore ka një rëndësi thelbësore për nxitjen e paqes, të drejtësisë, të së vërtetës dhe të pajtimit midis shteteve të rajonit, duke konstatuar se në vitin 2025 do të shënohet tridhjetë vjetori i gjenocidit në Srebrenicë në të cilën humbën të paktën 8,372 jetë, mijëra të tjerë u shpërngulën, ndërsa familjet dhe bashkësitë i devastuan (i shkatërruan):
1. Vendos që 11 korriku të shpallet Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë 1995 e cila do të shënohet çdo vit;
2. Dënon pa rezervë çfarëdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë si një ngjarje historike dhe i fton shtetet anëtare t’i ruajnë faktet e përcaktuara, duke përfshirë edhe nëpërmjet sistemeve të tyre të arsimit, duke zhvilluar programe përkatëse, po ashtu në shenjë përkujtimi, me qëllim të parandalimit të mohimit dhe të shtrembërimit të fakteve dhe të dukurisë së gjenocidit në të ardhmen;
3. Po ashtu pa rezervë i dënon veprimet të cilat i madhështojnë personat e dënuar për krime lufte, për krime kundër njerëzimti dhe për gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë personat përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;
4. Thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe të identifikimit të viktimave të tjera të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrosjes dinjitoze të tyre dhe bën thirrje për vazhdimin e procesuimit të atyre kryerësve të gjenocidit në Srebrenicë të cilët pritet të ballafaqohen me drejtësinë;
5. U bën thirrje të gjitha shteteve që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të veta sipas Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, siç është e zbatueshme dhe të drejtës zakonore ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, kundrejt respektimit të detyrueshëm të vendimeve të ICJ-së;
6. Kërkon prej sekretarit të përgjithshëm të përcaktojë programin e informimit me titullin “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar me veprimtaritë dhe me përgatitjet e veta për 30-vjetorin në vitin 2025, edhe më tej kërkon nga sekretari i përgjithshëm që t’ua tërheqë vëmendjen për këtë rezolutë të gjitha shteteve anëtare, të organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të shoqërisë civile për respektim përkatës;
7. U bën thirrje të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe pjesëmarrësit e tjerë relevantë për ta shënuar Ditën ndërkombëtare, duke përfshirë shënimet dhe veprimtaritë e veçanta në shenjë përkujtimi dhe respekti ndaj viktimave të gjenocidit në vitin 1995 në Srebrenicë, si dhe edukimin përkatës dhe veprimtaritë e ngritjes së vetëdijes së publikut.
Përktheu Xhelal Zejneli