Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIX)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-88-
Konfidenciale
Shkresë për Beogradin
GRS 1083
Nga J C R Gray, EESD
Referenca e dosjes, datë 25 gusht ‘81
Grupi i punës i EC/Evropës Lindore: analizë mbi situatën në Shqipëri
1. Duhet të keni parë në përkujtesën time të datës 7 gusht për Joe Banks se në përgjigje të sugjerimit të Terry Clark për të bërë një analizë mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri, po bëjmë përgatitje që këtë ta marrë përsipër EC/EEWG në mbledhjen e radhës më 16 dhe 17 shtator. Paragrafët 2 deri në 9 më poshtë përbëjnë përpjekjen time të parë për një draft të tillë ku dhe do të mirëprisja çdo koment apo kritikë nga Beogradi. A mund t’i dërgoni këto komente afërsisht deri të mërkurën më 2 shtator? Nëse mund të arrijnë pas 28 gushtit a mund t’i adresoni tek Bob Campbell, i cili do të grumbullojë komentet në mungesën time ndërkohë që jam me leje gjatë gjysmës së parë të shtatorit?
2. Fillimi i draftit
Hyrje
Në mungesë të Ambasadës Britanike në Tiranë jemi domosdo të keqinformuar për situatën politike në Shqipëri. Për rrjedhojë, qëllimi i këtij dokumenti është që të hedhim në letër atë që dimë me shpresën se partnerët që kanë misione rezidente në Tiranë, mund të jenë në gjendje të mbushin këto boshllëqe. Do të mirëpritet veçanërisht një analizë e mëtejshme politike.
3. Regjimi shqiptar mbetet regjimi më i rreptë despotik dhe Stalinist në Evropën Lindore. Por që prej Kongresit të fundit në vitin 1976, ka pasur njëfarë zbutjeje në çështje të tilla si kontaktet me të huajt. Kjo politikë mund të jetë mbështetur veçanërisht fort nga Hoxha: por ka sugjerime se mund të ketë qenë më pak e mirëpritur për Shehun. Megjithatë, të dhënat për një divergjencë të tillë janë aq të pakta sa të mos konsiderohet më shumë se thjesht një hipotezë e arsyeshme paraprake.
4. Por, megjithëse kemi pak të dhëna mbi mosmarrëveshjet politike brenda Partisë, ka të dhëna të qarta mbi dallimin mes brezave në organe të ndryshme partiake.
Byroja Politike aktuale e cila u zgjodh në Kongresin e 7-të në vitin 1976, përbëhet nga 11 anëtarë të plotë dhe 5 anëtarë kandidatë. Të gjithë anëtarët e plotë, përveç dy relativisht të posaardhurve, Hekuran Isai dhe Pali Miska, të cilët u zgjodhën në vitin 1975, i përkasin grupit të periudhës së luftës që është i lidhur ngushtë me Hoxhën dhe është zgjedhur në mënyrë të përsëritur. Por të gjithë, përveç njërit prej anëtarëve kandidatë, janë emëruar që në vitin 1975 dhe i përkasin një brezi të ri që ka marrë dominim të menjëhershëm nën patronazhin e Hoxhës. Një dallim i ngjashëm brezash ekziston në Sekretariatin me 4 anëtarë përfshirë Hoxhën: një, Ramiz Alia, ka qenë anëtar që prej vitit 1960. Por dy të tjerët, Hekuran Isai dhe Prokop Murra, janë emëruar në vitin 1976. Prurja e gjakut të ri është edhe më qartësisht e dukshme në Komitetin Qendror, ku më shumë se gjysma e 77 anëtarëve të tij janë zgjedhur për herë të parë në Kongresin e fundit. Duket e mundshme që shumica e figurave të promovuara rishtazi janë persona të favorizuar nga Hoxha dhe që pasqyrojnë pikëpamjet e tij.
Vijimësia
5. Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë e ka mbajtur këtë post që në vitin 1948, dhe Shehu, si Kryeministër, që në vitin 1954. Ata janë respektivisht 73 dhe 68 vjeç dhe thuhet, së paku prej disa vitesh, se Hoxha është i sëmurë rëndë me ankesa të ndryshme përfshirë sëmundjen e kancerit dhe parkinsonit. Dalja e tij e fundit për të cilin jemi në dijeni ishte në ditën e 1 Majit këtë vit kur ai në dukje ishte në formë të mirë. Dëshmi të një vijimësie të mundshme mund të dalin nga Kongresi i 8-të i Partisë që pritet të mblidhet më 1 nëntor. Por, për momentin, besojmë se pasardhësi më i mundshëm do të jetë Shehu dhe Alia do të jetë zgjedhje e dytë.
Ekonomia
6. Shqipëria është ende vendi më i varfër në Evropë dhe tërheqja nga ndihma kineze në vitin 1978 ishte një goditje. Por standardi i jetesës dhe kushtet sociale janë përmirësuar. Aktualisht theksi kryesor në politikën industriale është në elektricitet, kimikate (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport. Plani aktual 5-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes së shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe ndihmë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e shkallës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria ka të ngjarë ta ketë tejet të vështirë të ruajë rritjen e shpejtë nëse vazhdon me politikën e vetëmjaftueshmërisë së ngurtë.
7. Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi në nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidro-elektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por ne besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vjet të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.
Tregtia e jashtme
8. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por që në fillim të viteve 70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milion dollarë amerikanë në vit. Tregtia me vendet jo-sovjetike Komekon (Comecon) është rreth 200 milion dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë tani është Jugosllavia. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.
9. Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.
Nënshkruar nga J C R Gray
-89-
Konfidenciale
C
H E C
DA
Për dijeni: J C R Gray Esq, EESD
P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
Shqipëria
1. Takova sot Jan Hesseling në Ambasadën holandeze për të diskutuar për Shqipërinë.
Personalitetet
2. Ai tha se ishte shumë e vështirë për Misionet në Tiranë për të marrë të dhëna për personalitetet drejtuese në Shqipëri meqenëse nuk janë publikuar madje as detajet bazë të tilla si vendi dhe data e lindjes. Hesseling komentoi se, megjithëse Hoxha është i sëmurë, ai shkruan ende artikujt kryesorë për gazetën “Zëri i Popullit” dhe ruan një kontroll të fortë të çështjeve shtetërore. Ai shfaqet në publik tre herë në vit, më 1 maj, 29 nëntor dhe rasti i tretë është zakonisht kur viziton një fabrikë. Për pjesën tjetër të kohës ai qëndron në shtëpinë e tij, e cila është larg rrugës kryesore në Tiranë dhe vizitohet vetëm nga këshilltarët e tij të afërt. Thuhet se ai asnjëherë nuk i shtrëngon dorën të huajve, por kalon në distancë dhe i përshëndet. Hesseling komenton se kjo sjellje ksenofobike është ndoshta shkaku kryesor i politikës izoluesee Shqipërisë. Ai tha se Shehu i pranon letrat kredenciale nga Ambasadorët e rinj dhe, në përgjithësi, vepron si President me Hoxhën që ruan një rol të fortë, por gjithsesi në sfond.
Çështjet ekonomike
3. Drafti i Planit të ri 5-vjeçar u miratua në fillim të korrikut dhe do të jetë plani i parë sipas të cilit Shqipëria duhet të mbështetet tërësisht në burimet e veta. Ai tha se shqiptarët e kanë pranuar se standardi i jetesës do të bjerë për shkak të Planit, por ata kanë thënë se më parë pranojnë të jenë të varfër dhe të pavarur sesa të varen nga vendet e tjera.
Disidentët
4. Jan Hesseling tha se, sipas jugosllavëve, në Shqipëri ka rreth 1-2,000 të burgosur politikë (një shifër shumë më e ulët se 20,000 që pretendohet nga grekët). Ata zakonisht marrin dënime të rrepta me punë të rëndë dhe mbahen në kampe të veçanta. Të burgosurit nuk mbahen të izoluar por në grupe. Disidentët që janë arratisur thonë se është e vështirë të largohesh nga vendi meqenëse kufijtë (duke përfshirë liqenet) janë të mbrojtur nga dy gardhe me lidhje zinxhirësh rreth 300 metra larg njëri tjetrit. Në kufijtë tokësorë zona ndërmjet gardheve është shtruar me mina tokësore dhe mina anti-personel.
5. Jugosllavët thonë se rreth 1,000 shqiptarë arrijnë të largohen nga vendi çdo vit për në Jugosllavi. Me të arritur aty, ata mbyllen në kampe të veçanta pritëse për rreth tre jave ndërkohë që merren në pyetje. Pjesa më e madhe e tyre marrin azil politik aty dhe vendosen në zonat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe natyrisht Kosovës. Pjesa tjetër dorëzohen pranë UNHCR që të risistemohen në vende të tjera.
27 gusht 1981
I Juaji
J. Ward
-90-
Konfidenciale
GRS 370
FM Beograd 011400Z shtator ‘81
Direkt për FCO
Telegram nr. 156, i datës 01 shtator ‘81
Shkresa e Gray e datës 25 gusht: dokumenti i EC/EEWG mbi situatën në Shqipëri
1. Përshëndes këtë iniciativë për të grumbulluar të dhënat e EC meqenëse është e qartë nga kërkimet e rastësishme këtu se disa nga kolegët tanë kanë më shumë informacione në Shqipëri nga vëzhgimet e drejtpërdrejta sesa na janë vënë në dispozicion.
2. Kritika ime kryesore për draftin është se nuk adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë problemin e ngritur në letrën time të datës 12 maj për Brian Fall, konkretisht pasojat për Kosovën dhe Jugosllavinë nga ndryshimi i regjimit në Shqipëri. Mendoj se duhet të përfshini në hyrje, p.sh. pas fjalisë së parë, diçka që të ketë efektin në vijim: “Interesi ynë është rritur veçanërisht nga deklaratat jugosllave se një prej arsyeve të trazirave të kohëve të fundit në Kosovë ishte se nacionalistët shqiptarë të Kosovës po përgatisnin rrugën për pavarësinë e Kosovës nga Serbia si një hap i parë drejt shkëputjes nga Jugosllavia dhe bashkimit me Shqipërinë. Sidoqoftë, në qarqet perëndimore është arsyetuar se nacionalistët nuk ishin aq shumë të interesuar për t’u bashkuar me Shqipërinë e Enver Hoxhës si një vend nën regjimin e pasuesit në të cilin kosovarët do të luanin një rol drejtues. Të dhënat tona në mbështetje të një spekulimi të tillë janë të pakta, qëllimi i këtij dokumenti është ECT (siç vazhdon drafti juaj)”.
3. Nëse pranoni këtë hyrje, nevojitet të përmendni në pjesën kryesore të shkresës lidhjet e mundshme midis shqiptarëve të Kosovës dhe organizatave shqiptare të emigrantëve, për të cilat jugosllavët kanë folur shumë, si dhe lidhjet e këtyre organizatave me shërbimet e fshehta shqiptare/sovjetike/të tjera, për aq sa janë të njohura. Nëse ka një dorë sovjetike që punon në Kosovë, si dëshmi të së cilës kemi vetëm deklaratën enigmatike të Gjuranoviq bërë së fundmi në Athinë dhe deklaratën po aq enigmatike të Vrhovec bërë në Londër, a mund të ketë një lidhje me elementët e pretenduar sovjetikë në Shqipëri? Arsyetimi për këto linja do të çonte në një konkluzion të ngjashëm me atë të JIC(81) (N) 39 të datës 16 korrik, (një version të të cilit kolegët tanë të EC do ta kenë nga NATO?).
4. Në një pikë tjetër më të detajuar në paragrafin tuaj 8, mund të përmendni vizitën e fundit të Bashiq në Tiranë për bisedime tregtare (referuar në shkresën e Jon Ward të datës 12 gusht).
Clark
-91-
Konfidenciale
A. E. Montgomery Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 1 shtator 1981
I nderuar Alan,
Kosova
1. Ju falënderoj për letrën tuaj të datës 12 gusht, ku komentoni mbi njoftimin e Ambasadorit të datës 1 korrik. Mirëpres dialogun për këtë pikë.
Situata e sigurisë
2. Tendenca drejt qetësimit të situatës së sigurisë, që është theksuar në letrën time të datës 28 korrik, duket se vazhdon. Siç shprehet Charles Crawford më vete, shtypi është i mbushur me raporte që tregojnë një qëndrim të sigurt në drejtim të rihapjes së shkollave më 1 shtator. Në të kundërt, raportet mbi “eksese” të vogla po bëhen gjithnjë e më të rralla. Gjithashtu kam dëgjuar nga Departamenti i Protokollit më 1 shtator se diplomatët kanë marrë aktualisht leje për të vizituar Kosovën si turistë, megjithëse njoftimi tyre nuk është bërë ende meqenëse zyrtarët lokalë janë “tepër të zënë”. Do t’ju dërgojmë sa më shpejt informacione mbi studimin e terrenit.
3. Ndërkohë, ekzistojnë raporte mbi diskutime serioze të zhvilluara midis firmave kosovare dhe firmave të tjera jugosllave me qëllim që të krijojnë ndërmarrje të reja në Krahinë. Këto marrëveshje, të njohura në zhargon si “fondet sociale shoqëruese”, padyshim do të pasqyrohen në Planin e rishikuar 5-vjeçar për Kosovën që pritet të dalë më vonë gjatë këtij muaji.
4. Megjithëse këto janë të gjitha shenja shpresëdhënëse për rikthimin e statuskuossë mëparshme, jam dakord me konkluzionin tuaj që problemi themelor vazhdon. Dënimet e ashpra që po jepen për udhëheqësit e demonstratave dhe për të tjerë për vepra penale krahasimisht të vogla të tilla si thjesht shkrimi i parullave dhe përjashtimi i studentëve, nxënësve dhe punëtorëve, janë masa të rënda shtypëse, të cilat mund të veprojnë si element frenues në aspektin afatshkurtër, por gjithashtu mund të forcojnë pakënaqësinë e nacionalistëve dhe vendosmërinë e tyre për të rezistuar në aspektin afatgjatë.
5. Një incident i çuditshëm dhe i pashpjeguar deri tani më 24 gusht mund të jetë puna e opozitës. Në orën 10.15 të këtij mëngjesi, linja elektrike që transportonte energji elektrike nga Kosova në Maqedoni, duhej të mbyllej “për shkak të një defekti”. Maqedonia ishte pa energji elektrike për një orë e gjysmë derisa u mundësua një lidhje me Greqinë. Për këtë u ngrit një komision i veçantë për hetimin e situatës. Unë arsyetoj se ky rast mund të ketë qenë sabotim.
Nacionalizmi serb
6. Kam reflektuar mbi vëzhgimet tuaja lidhur me efektet anësore të Kosovës për nacionalizmin serb. Natyrisht keni pasur në mendje artikullin e mirë-informuar të Chris Cviiç në gazetën ‘The Tablet’ të datës 8 gusht. Megjithatë, mendoj se vërejtjet e tij mbi marrëdhëniet serbo-maqedonase janë tërësisht spekulim. Është e vërtetë se kontaktet e nivelit të lartë midis autoriteteve dhe Kishës Ortodokse serbe duket se kanë qenë më të shpeshta së fundmi dhe po kështu atmosfera, duke gjykuar nga pasqyrimi i TV, ka qenë më e ngrohtë. Sidoqoftë, kjo situatë nuk ka penguar kritikën zyrtare në shtypin popullor të nacionalistëve klerikë, të cilët përfshinin ortodoksë si dhe katolikë dhe myslimanë dhe vetëm rreth një javë më parë doli një përgjigje e fuqishme në gazetën “Pravoslavlje”, e cila është një gazetë ortodokse që del dy herë në muaj. Kështu, e gjithë kjo panoramë nuk është e gjitha e ëmbël dhe e ndriçuar.
7. Përveç kësaj, Cviiç është në rrugë të gabuar për kishat serbe dhe maqedonase. Problemi për pajtim nuk premtonte sukses në anën maqedonase. Patriarku serb, German, ka kundërshtuar thekshëm krijimin e Kishës autoqefale maqedonase dhe, sipas të gjitha gjasave, vazhdon të mbajë këtë qëndrim. Natyrisht pakënaqësia e tij mund të jetë e shoqëruar me Kryepeshkopin Dositej, por vdekja e këtij të fundit dhe zëvendësimi i tij më 18 gusht nga Angelarij, ish metropolitani 70-vjeçar i Dibrës dhe Kërçovës, nuk ka të ngjarë që të ndryshojë qëndrimin e Germanit. Dyshoj se pajtimi mund të arrihet vetëm pas vdekjes së Germanit. Por ky mendim është po aq spekulativ sa edhe pikëpamja e Cviiqit.
8. Për momentin, nacionalistët e zjarrtë serbë do të vazhdojnë të ankohen për “humbjen” e Maqedonisë dhe nacionalistët e zjarrtë maqedonas padyshim do të vazhdojnë të ndjejnë keqardhje për sundimin e mëparshëm serb. Por unë nuk shoh se maqedonasit mund të sulen me armët e tyre thjesht për shkak të trazirave me shqiptarët në krahinën e Tetovës. Maqedonasit duket se e kanë situatën plotësisht nën kontroll atje dhe kanë bërë të qartë se shqiptarët e tyre janë shqiptarë maqedonas dhe do të mbeten të tillë, duan apo s’duan ata. Duket se ata nuk i janë drejtuar Serbisë apo tjetërkujt për ndihmë.
Kushtetuta
9. Siç e thoni edhe ju, zgjidhja kushtetuese nuk ekziston për Kosovën. Nëse ka pasur ndonjë dyshim në këtë drejtim, Vidiq, Kryetar i Kryesisë serbe i ka hedhur poshtë ato në një vizitë në Mitrovicë më 26 gusht, ku përsëriti në një fjalim aty se “sipas Kushtetutës së Federatës, Serbisë dhe Krahinave Autonome të vitit 1974, është përcaktuar statusi autonom i Krahinave, si dhe është përcaktuar plotësisht pjesëmarrja e tyre aktive në arritjen e marrëveshjeve dhe mirëkuptimit midis Republikave, Krahinave dhe Federatës si dhe roli i tyre aktiv në funksionimin e Serbisë në tërësi”. Megjithatë, më vonë ai theksoi: “Nevojitet që ne së bashku të çojmë më tej dhe të perfeksionojmë të gjitha aspektet e marrëdhënieve kushtetuese në Republikën tonë. Kushdo që kundërshton në publik shqyrtimin e kësaj teme, është i gabuar”. Kjo deklaratë synon të konfirmojë se shqyrtimi i çështjes vazhdon, por më tepër ka të bëjë me objektivin e shtrëngimit të situatës sesa të lehtësimit të saj.
I Juaji
T. J. Crark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
-92-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 2 shtator 1981
I nderuar Charles,
Kosova: përgatitjet për vitin e ri shkollor
Përmbledhje
1. Autoritetet e Kosovës janë përgatitur shumë për vitin e ri shkollor që filloi sot (Universiteti i Prishtinës rihapet në tetor). Vëmendje e veçantë i është kushtuar në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni përmbajtjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe; shumë libra janë konstatuar se përmbajnë paragrafe me tone nacionaliste dhe për rrjedhojë janë tërhequr nga përdorimi. Është kërkuar që të vihen para përgjegjësisë personat përgjegjës për shqyrtimin e këtyre teksteve shkollore dhe pranimin e tyre, por që deri tani pa sukses. Por autoritetet jugosllave vazhdojnë t’i japin shumë rëndësi rifillimit të qetë të mësimit.
Detaje
2. Siç kam raportuar (në letrën time për ju të datës 23 korrik), autoritetet në Kosovë kanë shfrytëzuar pushimet verore për të shqyrtuar sistemin arsimor në Krahinë dhe për të futur një larmi ndryshimesh. Meqenëse është afruar data e planifikuar për rifillimin e mësimit, shtypi ka vëzhguar nga afër (nëse jo në mënyrë të përsëritur) zhvillimet në këtë krahinë të rëndësishme; përmbledhja e mëposhtme është marrë nga përshkrimi i ngjarjeve në gazetën “Politika”, përveç kur shprehej ndryshe.
3. Në një fjalim madhor të Komitetit Qendror të LKK më 6 gusht, Sekretari i Kryesisë, Peter Kostiq, identifikoi katër detyra të gjera arsimimi në Kosovë: nevojën për diferencim në radhët e kuadrove të përfshirë në arsim për të përjashtuar të gjithë ata që nuk kishin “cilësitë e duhura moralo-politike” apo që kishin prirje nacionaliste; heqjen e “një numri të madh njerëzish të pakualifikuar”; nevojën për të mbushur këto hapësira me kuadro të përgjegjshëm; si dhe një shqyrtim analitik dhe kritik të bazës ideologjike të programeve shkollore dhe, në veçanti, teksteve shkollore. Megjithëse këto objektiva pa dyshim janë ndjekur pak a shumë me kujdes, gjatë muajit të fundit shtypi ka nxjerrë së paku disa të dhëna që tregonin se në jetën akademike të Krahinës po zëvendësohet “një numër i madh njerëzish të pakualifikuar”. Mbase suksesi në këtë front do të përmbushë përpjekjet e Z. Rushi për t’i dhënë fund praktikave shkel e shko dhe jokompetente mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës. Por analiza e fundit e përmbajtjes së teksteve shkollore ka qenë vërtet domethënëse.
Tekstet shkollore
4. Historia kryesore në Kosovë për këtë çështje ka qenë refuzimi i plotë i një vlerësimi të mëparshëm nga Komiteti përgjegjës i Këshillit të Arsimit të Kosovës që tekstet shkollore aktualisht në përdorim, janë të kënaqshme, megjithëse mund të bëhen një a dy ndryshime. Gazeta “Politika” më 20 gusht është nxitur që të sulmojë këtë konkluzion të bërë nga një gazetë serbe në Prishtinë, ku theksoi se pikërisht autorët dhe botuesit e librave kishin qenë përgjegjës për kontrollin e tyre. Për shembull, në një libër historie, gabimet ishin të shumta dhe të dukshme: fotoja e Titos mungonte në faqen e përparme të librit; Tito thuhej se ka lindur “shumë larg nesh”; emri i plotë i Jugosllavisë ishte dhënë në mënyrë të pasaktë; është ngatërruar dallimi i rëndësishëm jugosllav midis termave “kombe” dhe “kombësi”; dhe është pasqyruar lufta partizane në Kosovë por jo lufta tjetërkund në Jugosllavi. Me fjalë të tjera, libri portretizonte një pamje tejet ‘Kosovo-centrike’ të botës.
5. Në ditët e ardhshme shtypi nxori më shumë shembuj të librave të papërshtatshëm, shpesh të shkruar prej shqiptarëve nga Shqipëria, në të cilat tonet nacionaliste ishin mjaft të qarta. Më 29 gusht Këshilli i Arsimit të Kosovës bëri të ditur se nuk ishte pranuar konkluzioni i mëparshëm dhe përmendi 14 libra të cilët do të hiqeshin nga përdorimi në gjuhën dhe letërsinë shqipe. Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv i Kuvendit serb vendosi të hetonte përgjegjësinë e inspektorëve të shkollave, të cilët kishin aprovuar materiale të tilla si të përshtatshme.
6. Është interesante se autoritetet në Mal të Zi dhe Maqedoni gjithashtu nuk lanë gur pa lëvizur. Kështu, në Mal të Zi u zbulua se kurset e letërsisë që mësoheshin aty në gjuhën shqipe, i kushtonin rreth 67 orë letërsisë nga Shqipëria dhe vetëm 59 orë letërsisë jugosllave dhe asaj botërore. Në Maqedoni deri në 40% të teksteve shkollore aktuale në gjuhën shqipe vinin nga autorë të Shqipërisë e madje edhe nga shqiptarë që jetonin në Bullgari. Vetëm 7 (!) libra aktualisht në përdorim në orët e gjuhës shqipe në shkolla, ishin të përshtatshme për t’u përdorur në vijim. Në një mbledhje të Këshillit Arsimor Republikan në Shkup më 28 gusht, thuhej se “këta libra shkollorë ushtronin prej vitesh një influencë negative”. Disa prej tyre madje glorifikonin Stalinin dhe Enver Hoxhën. Thirrje të forta ishin bërë që personat përgjegjës të viheshin para përgjegjësisë. Megjithatë, deri tani asnjë person nuk është dënuar rëndë për këtë çështje në Kosovë, ose në Maqedoni apo Mal të Zi. Me të vërtetë, kaq shumë mësues dhe zyrtarë janë përfshirë saqë do të ishte e vështirë për të ditur se ku të fillohej – apo ku të ndalohej. Duke komentuar këtë çështje në tërësi, një artikull i gazetës “Borba” më 1 shtator vinte në dukje me sarkazëm se Universiteti i Prishtinës kishte “1,022 mësues, duke përfshirë 244 me gradën Dr. dhe 216 me gradën Ma., por nga 143 libra shkollorë që përdoreshin rregullisht në fakultetet e Universitetit, vetëm 38 prej tyre ishin shkruar në Jugosllavi”.
Universiteti i Prishtinës
7. Pak lajme ka pasur që prej letrës sime të datës 28 korrik, në të cilën në paragrafin 4 kam përmendur se regjistrimi i studentëve në klasat ku mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate, nuk ka shkuar aq mirë, megjithëse janë pritur përmirësime. Sidoqoftë, ‘raundi’ i dytë i regjistrimit nuk ka dhënë shumë kënaqësi në këtë rezultat; më 26 gusht ishte njoftuar se ishin zënë të gjitha vendet në degët e fakultetit të drejtësisë, mjekësisë, ekonomikut dhe fakulteti bujqësor, por në lëndë të inxhinierisë, metalurgjisë, matematikës dhe në lëndë të tjera të tilla kishte shumë pak të regjistruar, veçanërisht kur mësimi jepej në gjuhën serbo-kroate. Ndërkohë, vazhdon ‘raundi’ i tretë i regjistrimit. Në të kundërt, e vetmja pikë tjetër për t’u theksuar doli në një artikull në gazetën “Politika” më 14 gusht, ku shqyrtoheshin hapat e marrë (të cilat janë përmendur në letrat tona) për të siguruar se komunitetet lokale ushtrojnë kontroll shumë më të rreptë mbi studentët nga krahinat e tyre. Është identifikuar edhe problemi i studentëve që pranojnë bursa nga firmat e më pas dështojnë të përmbushin detyrimet e tyre. Gjatë pesë vjetëve të fundit, kompleksi gjigant“Trepça” ka sponsorizuar 2,090 studentë të universitetit dhe shkollës së mesme në pritje që të punësonte për pasojë mbi 1,000 ekspertë të rinj. “Por vetëm 211 studentë kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj … kolektiv … një numër i madh janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe 620 studentë kanë humbur bursat e tyre pas rezultateve të dobëta”. Ky fakt përfaqëson një humbje të madhe financiare për “Trepçën”.
8. Më tej do t’ju raportoj më vete mbi përgatitjet për vitin e ri shkollor në Universitet, i cili fillon më 1 tetor.
Komente
9. Në artikullin e datës 1 shtator, gazeta “Politika” deklaronte se “çdo gjë është gati për fillimin e vitit të ri shkollor” dhe, duke folur në Prizren më 27 gusht, Sinan Hisani, Zëvendës/Kryetar i Kuvendit Jugosllav, tha prerazi se “fillimi i vitit shkollor do të tregojë nëse e kemi fituar betejën”. Muajt e ardhshëm do të jenë një test i rëndësishëm si për autoritetet e Kosovës dhe ato Federale dhe do të ketë shumë rrezik. Por problemet mbi tekstet shkollore tregojnë se ndryshimet që kërkohen, janë të thella dhe do të duhen muaj ose, në disa pika, edhe vite që rezultatet të jenë të dukshme. Sidoqoftë, ‘shtypi i Beogradit’ po shikon me skepticizëm të gjitha këto zhvillime në Kosovë, një fakt ky që duhet të jetë burim i vazhdueshëm i dështimit aty.
I Juaji
C. G. Crawford
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
FCO
-93-
Konfidenciale
GRS 161
Shkresë
Nga A. E. Montgomery, Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore
6 shtator 1981
Për ndjekje për T. J. Crark, Beograd 14 shtator 1981
Telegrami juaj nr. 156: dokumenti i EC/EEWG për Shqipërinë
1. Ju falënderoj për komentet tuaja mbi draft dokumentin për EEWG për Shqipërinë.
2. Jemi dakord që dokumenti duhet të përfshijë një përshkrim të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave mbi Kosovën dhe për këtë arsye kemi përfshirë një fjali të re hyrëse siç është propozuar. Sidoqoftë, mendojmë se nëse bëhen ndryshime tërësore në të gjithë tekstin, artikulli do t’i shmangej shumë qëllimit kryesor, d.m.th. për të zbuluar më shumë për politikat e brendshme shqiptare nga partnerët tanë të KE të cilët kanë poste aty. Megjithëse jugosllavët vazhdojnë të flasin pa pushim për lidhje të pretenduara midis nacionalistëve kosovarë dhe Tiranës, aluzione të ndërthurura për përfshirjen e sovjetikëve, pak prova janë ofruar për këto deklarata. Por keni të drejtë që pasoja e ndryshimit të regjimit për Jugosllavinë meriton një vlerësim më nga afër dhe po mendojmë mbi mundësinë që EEWG t’i drejtohet këtij aspekti të problemit në një datë të mëvonshme.
Nënshkruar nga A. E. Montgomery
-94-
Për përdorim të kufizuar
A. E. Montgomery Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 8 shtator 1981
I nderuar Alan,
Kosova: situata e sigurisë
1. Siç kam raportuar në letrën e 1 shtatorit, situata e sigurisë është përmirësuar. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës u mblodh më 5 shtator për të shqyrtuar situatën dhe, sipas “Tanjug”, arriti në përfundimin se ishte më e mirë se më parë, por nuk kishte arsye për vetëkënaqësi. Viti shkollor kishte filluar normalisht dhe procesi i “diferencimit” po bëhej gjithnjë e më i suksesshëm.
2. Ky njoftim u shoqërua me një sërë raportesh në shtyp nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ku komitetet lokale të LK-së po zhvillonin në shqyrtim të ngjashëm të situatës në komunat e tyre. Tablloja e shfaqur kishte tendencën të konfirmonte konkluzionin e Kryesisë përveç në komunën e Ferizaj, ku kishte probleme të hapura. Këtu, duket se situata e sigurisë ka mbetur “e ndërlikuar” dhe aktiviteti i nacionalistëve nuk tregon shenja pakësimi, veçanërisht në fshatrat përreth vetë Ferizajt. Ata vazhdojnë të shkruajnë parulla, të qarkullojnë pamflete, të dëmtojnë të korrat, si dhe të rrethojnë dhe të angazhohen në zjarrvënie. Ky aktivitet u intensifikua në gusht dhe bëri që serbët lokalë të kërkonin masa të ashpra kundër të gjithë shqiptarëve. Serbë të tjerë thjesht vendosën të shpërngulen nga krahina.
3. Komiteti Qendror serb dhe Kryesia serbe u mblodhën së bashku më 7 shtator dhe, midis të tjerash, shqyrtuan çështjen e Kosovës. Vlerësimi i tyre ishte më i kujdesshëm me efektin se të gjitha përpjekjet e bëra deri tani kishin kontribuar në normalizimin gradual të situatës politike dhe të sigurisë por që kishte mbetur e ndërlikuar dhe aktive. Ata miratuan më tej, masa të papërcaktuara qartë “për normalizimin e plotë të situatës në Kosovë”.
4. Sot arritëm që të marrim një lejekalim për Atasheun e Mbrojtjes dhe djalin e tij që të kalonin në Kosovë nga dy rrugë të ndryshme me ndalime natën në Prishtinë dhe Pejë gjatë rrugës për në Ohër dhe prej andej përmes Tetovës. Pas kthimit të tij më 14 shtator,do t’ju informoj nëse përshtypjet e tij konfirmojnë përmirësimin e raportuar.
I Juaji
T. J. Crark
Për dijeni: P Rennie Esq
Departamenti i Kërkimit
FCO
Zyra e Kancelarit
UKDEL NATO Bruksel
(VIJON)
© Pashtriku.org
________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XX)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-95-