DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (14)

Nga Prof. Dr. Sabit Syla

-25-

Relacion studimi mbi shkombëtarizimin e Kosovës dhe të trevave të tjera të banuara nga shqiptarët

       Shkombëtarizimi i Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe trevave të tjera të banuara nga shqiptarët ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës jugosllave kundër vendit tonë, si para luftës, ashtu edhe tani. Ky qëllim ishte dhe mbetet pjesë e planit të Jugosllavisë për aneksimin e territorit të Shqipërisë. Mirëpo, shpirti luftarak dhe patriotizmi i shqiptarëve u bënë në vazhdimësi pengesa të pakapërcyeshme për realizimin e këtyre qëllimeve. Megjithatë, Beogradi zyrtar vijoi të bëjë përpjekje dhe të gjejë mënyra e mundësi për t’ia arritur këtij qëllimi. Përpjekjet dhe mënyrat që ndiqte Beogradi në periudhën e “Jugosllavisë socialiste”, ishin pothuajse identike me ato të periudhës së krajlëve të Serbisë.

       Duhet t’i referohemi të dhënave të historisë rreth shkombëtarizimit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare për periudhën e krajlëve të Serbisë, për të kuptuar në thelb vazhdimin e politikës së shkombëtarizimit që ndiqet nga revizionistët jugosllavë, në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, duke u mbështetur në të dhënat e regjistrimit të popullsisë shqiptare më 1948, del që numri i banorëve shqiptarë ishte 750 431 banorë, kurse numri total i popullsisë së Jugosllavisë ishte 15 772 098. Ndërsa, në regjistrimin e popullsisë në Jugosllavi, rezulton se numri i banorëve shqiptarë arrin shifrën 754 215 banorë, ndërsa numri total i banorëve ishte 16 936 573 banorë.

       Nga regjistrimet e sipërshënuara, del që numri i popullsisë shqiptare ndër vite jo vetëm që nuk rritej, por stagnonte për dallim nga popullsia e përgjithshme e Jugosllavisë e cila rritej në vazhdimësi (në regjistrimin e vitit 1961 numri i banorëve në gjithë Jugosllavinë ishte 18 500 000 banorë). Arsyeja është fare e thjeshtë: presioni i vazhdueshëm nga pushteti jugosllav dhe shpërngulja e detyrueshme e shqiptarëve nga trevat e veta. Madje, për ta shtrembëruar të vërtetën historike, duke mohuar shifrat zyrtare të popullsisë shqiptare, pushteti shqiptarët i regjistronte si turq. Kështu, nga regjistrimi i vitit 1948 numri i banorëve të përkatësisë etnike turke arriti në 97 954 banorë, ndërsa së bashku me banorët shqiptarë kapnin shifrën 848 385. Mirëpo, nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë më 1953, rezulton që numri i popullsisë shqiptare është rritur vetëm për 3 814 banorë, për dallim nga numri i popullsisë turke që ka një rritje të jashtëzakonshme duke arritur shifrën 259 535 banorë, që i bie se është rritur për 161 581 banorë. Ndërsa, së bashku popullsia shqiptare dhe ajo turke në Jugosllavi kalonte shifrën prej një milion banorëve (1 049 780). Ky numër kaq i vogël i rritjes së popullsisë shqiptare dhe numrit enorm të rritjes së asaj turke, dëshmon që pushteti jugosllav ndryshonte strukturën etnike të popullsisë në dëm të entitetit shqiptar në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi. Sa i për ketë shkaqeve të numrit gjithnjë e më të vogël të popullsisë shqiptare në Jugosllavi pushteti jugosllav justifikohej duke dhënë “fakte” se problemi qëndron te regjistrat jo të saktë që bëheshin në Jugosllavi, mirëpo arsyeja e vërtetë ka të bëjë me rrethana shumë më të thella që kanë të bëjnë me politikën shkombëtarizuese që pushteti jugosllav ka ndjekur në vazhdimësi ndaj Kosovës.

Mënyrat e shkombëtarizimit kanë qenë të ndryshme. Hapi i parë i kësaj çështjeje ka qenë ndarja e Kosovës që në periudhën e Perandorisë Osmane në dy zona: në zonën e Kosovës dhe atë të Metohisë (Dukagjinit). Qëllimet e kësaj Perandorie i vazhduan më pas udhëheqësit serbë, që si qëllim primar kishin dëbimin e shqiptarëve nga këto treva dhe zëvendësimin e tyre me elementin sllav. Për më tepër kjo ndarje u bë për disa arsye thelbësore: 1) për të krijuar armiqësi ndërmjet këtyre dy zonave, me qëllim të pengimit të unitetit në luftë për të drejtat e tyre kombëtare. Kundërthëniet ndërmjet shqiptarëve në të dy këto zona thelloheshin duke nxitur gjakderdhjen (gjakmarrjen), që ishte traditë e shqiptarëve, krejt kjo për të eliminuar edhe fizikisht shqiptarët; 2) për të lehtësuar depërtimin dhe vendosjen e popullsisë malazeze dhe serbe (kolonëve) në tokat dhe pronat e shqiptarëve.

Pas vitit 1913 kur këto treva u aneksuan nga serbët dhe malazezët (nga 1918 nga Mbretëria SKS) filluan të zbatoheshin ligjet e xhungles ndaj popullsisë shqiptare. Pushteti i Beogradit nëpërmjet vëllavrasjeve, përçarjes ndërmjet fiseve, krijimit të diferencave ndërmjet banorëve të rajoneve të ndryshme (lindja e lokalizmit alogjik), lindjes së shtresës qytetare dhe fillimit të tendencave për diferencim me banorët e malësisë, bënte përpjekje për vështirësinë e vazhdimit të të jetuarit në këto treva dhe kësisoj detyrimit të tyre për t’u shpërngulur në Turqi, në veçanti nga trevat që kufizoheshin me Maqedoninë (trojet verilindore shqiptare). Për të arritur qëllimin e depërtimit të shqiptarëve, pushteti filloi operacionin e mbledhjes së armëve dhe kapjes së kaçakëve në male, veprime që mbjellën terror dhe frikë të paparë te popullsia shqiptare.

Një formë tjetër e detyrimit të shpërnguljes së shqiptarëve ishte edhe mungesa e zhvillimit ekonomik, që për pasojë pati varfërinë dhe problemet zinxhirore që lidheshin më të. Po ashtu, arsimi shqip ishte rreptësishtë i ndaluar, dhe asgjë më mirë nuk ishte as shëndetësia, çka e bënte të pamundur qëndrimin në këto treva. Kësisoj, krijohej përshtypja se popullsia shqiptare për shkak të kësaj gjendje të vështirë, brenda një kohe do të zhduket. Por, me gjithë këto vështirësi, në këto treva popullsia shqiptare ishte gjithnjë shumicë dhe ruajti me xhelozi gjuhën dhe traditat, duke ruajtur kështu identitetin e tyre kombëtar. Pra, popullsia shqiptare e Kosovës dhe e trevave të tjera shqiptare nuk u shua me gjithë përpjekjet e pushtetit serb, përpjekje të cilat vazhduan edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga Jugosllavia.

I. Periudha nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri më 1959

Këtë periudhë të shkombëtarizimit të shqiptarëve nga ana e pushtetit jugosllav e karakterizon likuidimi fizik i shqiptarëve, të cilin e realizonin nëpërmjet aksionit të mbledhjes së armëve dhe arrestimit të elementëve që bashkëpunuan me armikun. Ky aksion antishqiptar ndikoi mjaftë në shpërnguljen e popullsisë shqiptare në Turqi. Më poshtë do të shtjellojmë ngjarjet në këtë periudhë në aspektin kronologjik: Pas çlirimit të krahinave të banuara prej shqiptarëve njësitet partizane jugosllave më urdhër të udhëheqësve të tyre filluan vrasjet në masë të shqiptarëve dhe djegien e fshatrave. Vetëm në rrethin e Pejës në këtë periudhë janë pushkatuar në mënyrë kolektive 5 000 burra shqiptarë, për shkak se akuzoheshin se kanë bashkëpunuar me armikun. Raste të tilla të dhunës janë shënuar edhe në treva të tjera shqiptare në Jugosllavi, madje ndaj shqiptarëve dhuna dhe terrori ushtrohej edhe përtej territoreve të tyre. Kështu, në Novi Sad, më 1946, janë likuiduar rreth 30 000 shqiptarë, të cilët pas pushkatimit janë varrosur në një varrezë të përbashkët masive. Po ashtu, filluan ndjekjet dhe operacionet edhe ndaj shqiptarëve të cilët për të shpëtuar nga pushkatimet u detyruan të arratiseshin në male dhe nganjëherë të bashkoheshin me kriminelët e vërtetë që kanë qenë më parë të arratisur në male. Përndjekja dhe kapja e tyre filloi të bëhej me metoda të ndryshme dhe në të shumtën e herëve në mënyrë direkte nëpërmjet forcave ushtarake. Kapja e tyre realizohej edhe nëpërmjet futjes në radhët e tyre të njerëzve tradhtarë dhe spiunë të cilët më pas i dorëzonin te organet e UDB-së. Pas arrestimit të tyre, pjesa dërmuese pushkatoheshin menjëherë, ndërsa spiunët dhe njerëzit më pak të rrezikshëm dënoheshin me nga 20 vjet heqje lirie (burg). Të burgosurit trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore, duke iu nënshtruar torturave të vazhdueshme, prej të cilave jo pak vdiqën në duart e xhandarëve të UDB-së.

Pushteti jugosllav për të fshehur krimet që bënte ndaj shqiptarëve, mundohej edhe nëpërmjet veprave të artit dhe kulturës. Një tentativë e tillë u bë, kur kinematografia jugosllave prodhoi një film me titull “Likuidimi-Obraçm”. Në këtë film shqiptarët paraqiten si kriminelë, ballistë dhe vrasës të popullsisë shqiptare, ndërsa ushtria jugosllave si mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve. Ky film për herë të parë është shfaqur në sallën e kinemasë në Gostivar. Për shkak të përmbajtjes së tij antishqiptare dhe aspak të drejtë, ndërmjet shikuesve shqiptarë dhe serbë pati një përplasje fizike që rezultoi me shumë të lënduar.

Një metodë tjetër që pushteti jugosllav ndërmerrte ndaj shqiptarëve ishte edhe inkurajimi i shqiptarëve për gjakmarrjen. Inkurajimi u bë në mënyrë indirekte. Kështu, kur njerëzit vrisnin ndonjë person, ndaj dorasit nuk merreshin masa efektive, por edhe kur ndërmerrnin e shumta e dënonin me nga 3-4 vjet burg, por që zakonisht i lironin më herët. Këto lehtësira nga ana e pushtetit që kanë vazhduar gjatë gjithë kohës, kanë inkurajuar gjakmarrjen, fenomen që ndikoi mjaft në rritjen e numrit të vëllavrasjeve.

Përveç këtyre çfarë thamë më lart, në këtë periudhë kanë filluar dy procese të rëndësishme për shkombëtarizimin e shqiptarëve, të cilat arritën kulmin në vitet 1956-1957: 1) e ashtuquajtura fushata për mbledhjen e armëve; dhe 2) fushata e shpërnguljes masive të shqiptarëve në Turqi. Si u zhvilluan këto fushata: 1) E ashtuquajtura fushata për mbledhjen e armëve filloi pikërisht në kohën kur Nikita Hrushovi hodhi parullën (idenë) për afrimin e Jugosllavisë me kampin socialist menjëherë mbas vizitës së tij në Jugosllavi, më 1956. Jugosllavët e zhvilluan këtë aksion pikërisht në këtë kohë për ta shfrytëzuar situatën dhe kësisoj për t’i shpëtuar një demaskimi ndërkombëtar që mund të bëhej. Për këtë veprim të revizionistëve jugosllavë në fakt ka reaguar vetëm partia jonë (PKSH-ja). Gjatë aksionit të mbledhjes së armëve së pari krijoheshin listat e personave që “kishin armë”, dhe më pas ndaj tyre ushtrohej dhunë fizike e psikike. Shqiptarët detyroheshin të shisnin pronat e tyre për të blerë një pushkë, që të dorëzonin. Shumë prej tyre u pushkatuan dhe vdiqën gjatë torturave në duart e pushtetarëve jugosllavë. 2) Kjo fushatë ishte e kombinuar dhe me fushatën e shpërnguljes së popullsisë shqiptare në Turqi. Siç dihet në regjistrimet e vitit 1953 u hodhën bazat për shpërngulje, ngase shumë njerëz u detyruan të regjistrohen si të kombësisë turke. Në gjë u shfrytëzua gjatë periudhës së mbledhjes së armëve për t’i shpërngulur shqiptarët në Turqi.

Dy ishin shkaqet kryesore që i detyruan shqiptarët të shpërnguleshin në Turqi: 1) duke u shpërngulur për në Turqi, ata u shpëtonin torturave të vazhdueshme; dhe 2) duke qenë me kombësi turke ata konsideroheshin si njerëz më të privilegjuar se shqiptarët, nga ana tjetër shpenzimet për t’u shpërngulur ishin shumë më të vogla, të cilat kushtonin vetëm 2 000 dinarë, kurse për t’u riatdhesuar në Shqipëri u duheshin 12 000 dinarë.

Deri në vitin 1959 për në Turqi janë shpërngulur 300 000 shqiptarë. Në saj të demaskimit që i bënte partia jonë këtij plani, revizionistët (pushteti jugosllav) filloi të ngadalësonte shpërnguljen për në Turqi. Këtë e bënte, jo sepse nuk donte ta shkombëtarizonte Kosovën, por sepse politika antishqiptare e Beogradit u demaskua në arenën ndërkombëtare. Përveç kësaj, jugosllavët kishin frikë edhe nga ndonjë lëvizje e brendshme në Kosovë, që mund të shndërrohej në kryengritje. Këto ishin disa nga arsyet, që më pas ata ndryshuan mënyrat e shkombëtarizimit të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare në Jugosllavi, për të cilat do të flasim më poshtë.

          II. Periudha pas vitit 1959 e këndej

Shkombëtarizimi i krahinave të banuara me shqiptarë bëhej në dy fronte kryesore: 1) në frontin e largimit të shqiptarëve nga Kosova dhe vendet e banuara nga shqiptarët në thellësi të Jugosllavisë; 2) natyralizimi i popullsisë shqiptare. Përveç punës shkombëtarizuese në këto dy fronte, pushteti jugosllav nuk la pas dore as mënyrat e vjetra të shkombëtarizimi, të cilat i trajtuam më lart. Do të ndalemi në veçanti te këto dy mënyra të shkombëtarizimit.

1) Largimi i shqiptarëve nga vendlindja në thellësi të Jugosllavisë

Nga lëvizjet që kemi bërë neve dhe nga bisedat me njerëz të ndryshëm kemi kuptuar se pothuajse në të gjitha qytetet e Jugosllavisë banojnë disa mijëra shqiptarë që janë shpërngulur nga Kosova dhe janë vendosur në këto qytete, ose enden nga njëri qytet në tjetrin. Kështu, për shembull në Beograd të gjithë punonjësit e ndërmarrjes për pastrimin e rrugëve “Çistiça” janë shqiptarë nga një fshat i vogël afër Zhurit të Prizrenit, numri i të cilëve është 200. Në qytetin e vogël afër Beogradit, Smederevë janë vendosur rreth 1 000 shqiptarë, ndërsa numër i madh i tyre u vendosën në kryeqendrat e republikave si në Sarajevë, Zagreb, Lubjanë e qytete të tjera të Jugosllavisë. Ky proces nuk është i ri, por është që nga kohërat e krajlëve të Serbisë dhe ka vazhduar edhe sot, por mbas vitit 1959 ky proces filloi të zhvillohet edhe më shumë.

Cilët janë faktorët që detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendlindja dhe që i shfrytëzojnë revizionistët? Para se të përqendrohemi në faktorët e shpërnguljes në thellësi të Jugosllavi duhet të theksojmë se qëllimi i këtyre shpërnguljeve është i dyfishtë. Së pari, duke u larguar nga vendlindja e tyre, shqiptarët krijojnë njëfarë vakumi që plotësohet nga popullsia me kombësi serbe ose malazeze, e për pasojë ndryshon raporti i numrit të popullsisë shqiptare, që vije gjithnjë e më shumë duke u zvogëluar në dëm të elementit shqiptar. Kjo bënë që integrimi i popullsisë me kombësi sllave në Kosovë të zhvillohet më shpejt. Së dyti, duke u larguar prej krahinave të tyre burrat shqiptarë i lehtësojnë më shumë revizionistët për të shtypur popullsinë tjetër shqiptare, duke arritur kështu përçarjen e shqiptarëve dhe njëkohësisht duke lehtësuar vetën për të shtypur çdo lëvizje të mundshme patriotike në Kosovë. Në fakt, në këto treva shqiptare kanë mbetur vetëm pleqtë, gratë dhe fëmijët, kurse burrat që përbëjnë forcën më të madhe të Kosovës i kanë shpërndarë anekënd Jugosllavisë.

a) Faktorët politikë

Asnjëherë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi nuk kanë pasur të drejta të barabarta me kombësitë e tjera, madje konsideroheshin si armiku më i madh i shtetit. Kjo është arsyeja që ata ndjehen të pasigurt dhe në presion të vazhdueshëm për të ardhmen e tyre. Këtë pasiguri e ka rritur edhe burgosja e shumë shqiptarëve, gjyqet e ashtuquajtura kundër spiunëve të dërguar nga Shqipëria. Këtë e dëshmon edhe një shembull kur në bashkëbisedim e sipër me shumë qytetarë shqiptarë, kur kuptonin se ne jemi shqiptarë, me gjithë respektin dhe entuziazmin, për shkak të frikës ata tërhiqeshin. Madje nga frika ata flisnin në gjuhën serbe, disa prej të cilëve tregoheshin të sinqertë duke treguar se këtë e bënin nga frika. Në shumë vende, si në qytetin e Mitrovicës, popullsia shqiptare fletë gjuhën turke, ndonëse dihet se në Mitrovicë nuk ka dominuar asnjëherë kjo gjuhë. Një kamerier u përgjigj kur shikoi në të gjitha anët se nuk kishte njerëz. Madje, në takimet që kemi pasur me disa intelektualë na kanë thënë se nuk mund të takohen me neve, sepse humbasin shkollimin ose funksionin. Dhe në të vërtetë në drejtim të shqiptarëve UDB-ja ka ngritur një rrjet të gjerë spiunësh që i përpunojnë të dhënat dhe për më të voglin dyshim i heqin nga puna ose i fusin në burg. UDB-ja siç jemi në dijeni nga disa vizitorë që vijnë në Legatë, ka filluar verifikimin e të gjithë atyre që kanë qenë në Shqipëri para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë, shumë prej tyre ose pushohen nga puna, ose caktohen në pozita më të ulëta që për rrjedhojë kanë më pak përgjegjësi. Nga ana tjetër, revizionistët kanë krijuar një klikë ose aristokraci të shqiptarëve, të cilët kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve, ngase nuk përpiqen për përmirësimin e gjendjes së tyre. Kjo aristokraci ka zënë ato vende që u janë caktuar shqiptarëve në administratë. Sipas fjalëve të një intelektuali shqiptar të Kosovës, kjo aristokraci është bërë zgjedha më e rëndë për popullin shqiptar. E gjithë kjo pasiguri i detyron shqiptarët që të largohen nga krahinat e tyre dhe të stabilizohen në thellësi të Jugosllavisë, ku ata mendojnë se do të jenë më të sigurt.

b) Faktorët ekonomikë

Në qoftë se faktorët politikë i kanë nxitur shqiptarët të shpresojnë për ditë më të mira në të ardhmen, faktori ekonomik e ka zbehur këtë besim edhe ashtu të krijuar në mënyrë artificiale. Kësisoj, shqiptarët duke mos u ndjerë të sigurt dhe për shkak të mungesës së zhvillimit ekonomik, në krahasim me vendet e tjera të Jugosllavisë, u zhvendosën në thellësi të Jugosllavisë, ku kërkonin dhe mund të gjenin vende pune. Migrimi i shqiptarëve brenda Jugosllavisë u bë për së paku dy arsye: së pari, për shkak të papunësisë dhe të pagave të ulëta; dhe, së dyti, për shkak se prodhimet bujqësore bliheshin nga shteti me çmime shumë të ulëta. Kështu, të ardhurat nga bujqësia nuk janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të jetesës.

Për të pasur të qartë këtë gjë, po ndalemi pak mbi gjendjen ekonomike të Kosovës. Ashtu siç ka deklaruar edhe vetë Dushan Mugosha (shih në gazetën “Rilindja”, të datës 6 dhjetor 1961), “Forca punëtore shqiptare është më e lira në tërë Jugosllavin”. Dhe kjo për mendimin tonë vjen për shkak të papunësisë dhe zhvillimit të ulët ekonomik në Kosovë. Një punëtor i kualifikuar në Kosovë merr një pagë mujore prej 18-22 000 dinarë, kurse në krahinat e tjera të Jugosllavisë, këtë pagë e merr një punëtor i pakualifikuar. Ndërsa, punëtorët e kualifikuar merrnin pagën në vlerë prej 45-50 000 dinarëve. Ky shembull fletë mjaftë për zhvillimin e ulët ekonomik të Kosovës. Nga bisedat që kemi zhvilluar me shumë shqiptarë këtu në Beograd, kuptuam se ata preferojnë të vijnë këtu në Beograd për të punuar si kaleriferista dhe të marrin kështu pagën në shumë prej 20 000 dinarësh, plus punëve të tjera që arrijnë t’i bëjnë, si punë të dyta. Një shqiptar nga Gostivari rrëfen se një kg grurë shteti e blenë për zero dinarë, ndërsa vetëm po të shisje kikirikë, do të fitoje shumë më tepër sesa do të fitoje nga prodhimet bujqësore. Pra, kjo gjendje ekonomike i detyron burrat shqiptarë që të largohen nga vatrat e tyre për t’u vendosur më pas në thellësi të Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, revizionistët mendojnë të detyrojnë shqiptarët të largohen nga Kosova. Ata realizonin njëkohësisht dy qëllime: shkombëtarizimin e Kosovës dhe përçarjen e shqiptarëve, të cilët duke mos qenë të bashkuar u pamundësohet të krijojnë një forcë kompakte. Lidhur me këtë, në gazetën “Rilindja” të datës 13 shtator 1962, është botuar një artikull M Sharshuse me titull: “Beqarët dimrit kthehen”. Në këtë artikull vihet në dukje se si burrat e komunës së Leposaviqit, nga mungesa e vendeve të punës, largohen nga vendi i tyre dhe shkojnë më në thellësi të Jugosllavisë. Ndër të tjera thuhet: “Në asnjë qytet të Serbisë nuk e kisha ndjerë vetën të vetmuar, në njërin prej tyre jetojnë njerëzit e viseve të mia. Kamë punuar në shumë vende të Vojvodinës dhe në këto vende ka shumë bashkëvendës të mi nga Leposaviqi, Ibarsko, Sllavina dhe fshatra të tjera të komunës tonë. Në to nuk ka mjaft punë për duart tona tha njëri. Territori i Leposaviqit është i shënuar në hartën ekonomike me vetëm një legjendë: çekanin e kryqëzuar që shënon xeheroren e plumbit Bello-Berd. Ajo është e pazhvilluar. Përse sigurojnë punën dhe jetën këta shqiptarë që largohen nga krahinat e tyre për në thellësi të Jugosllavisë? Për të siguruar punën, shqiptarët bredhin nga një qytet në tjetrin dhe pas shumë përpjekjeve ata sigurojnë punë sezonale dhe të pjesshme dhe rrallë ndodhë që gjejnë punë stabile.

Cilat janë punët që ata bëjnë? Gjatë sezonit të dimrit ata punojnë kryesisht si kaleriferistë ose druprerës. Kjo punë është e pasigurt dhe jo e përditshme. Veç kësaj ata punojnë si punëtorë në ndërmarrjet e pastrimit të qytetit. Shqiptarët, në veçanti të rinjtë që kishin të mbaruar shkollimin fillor tetëklasësh, gjenin punë nëpër ndërmarrjet e ndërtimit si bartës tullash ose llaçi. Një pjesë prej tyre janë stabilizuar nëpër qytete prej shumë kohës sidomos shqiptarët e rrethit të Prizrenit, të cilët kanë hapur ëmbëltore të vogla. Të tillë bozaxhinj siç i quajnë këtu, ka pothuajse në të gjitha qytetet e Jugosllavisë. Këtu deri në një masë kanë siguruar një jetë të mirë. Për këtë vit kundër tyre janë marrë masa të rënda, duke u vënë taksa të larta, që arrijnë në disa milionë dinarë. Vetëm në qytetin e vogël afër Beogradit, Smederevë, të gjitha ëmbëltoret me pronarë shqiptarë, pas obligimit të pagesës së taksës prej dy milionë dinarëve, janë mbyllur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Beograd dhe në qytetet e tjera të Jugosllavisë. Shumë të pakta janë rastet kur shqiptarët punojnë në vende të punës që janë deri diku të rëndësishme, ngase atyre nuk u besonin. Kështu, sipas rrëfimit të një shqiptari, një shok i tij nga Gostivari ishte oficer, mirëpo më pas e çmobilizuan dhe e vunë si përgjegjës në një zyre, ndërsa tani punon si punëtor krahu. Kjo ishte në vija të përgjithshme jeta e shqiptarëve që banojnë në thellësi të Jugosllavisë.

1.    Përpjekjet për natyralizimin e popullsisë shqiptare me atë të kombësisë sllave

Revizionistët me një planë më të detajuar dhe më të përcaktuar se planet e mëparshme serbe punojnë intenzivisht për shkombëtarizimin e trevave të banuara me shqiptarë. Krahas metodave të sipërshënuara, pushteti jugosllav punonte me zell në drejtim të natyralizimit të popullsisë shqiptare me atë të kombësive të tjera sllave në Jugosllavi. Për të arritur këtë qëllim, revizionistët përdornin të gjitha mënyra, duke shfrytëzuar çdo mundësi që u jepet. Më tej, po specifikojmë metodat kryesore që përdornin, për t’ia arritur këtij qëllimi. Hapi i parë dhe më i rëndësishmi për natyralizimin e popullsisë shqiptare me atë të kombësive sllave ishte krijimi i shkollave të përziera ose territoriale siç i quanin ata, të cilat sipas propagandës jugosllave u krijuan për dy arsye: së pari për të forcuar të ashtuquajturën “bashkim-vëllazërim” dhe, së dyti për shkak të mungesë së kuadrit arsimor shqiptar.

Po të analizohet në thelb, vetë parulla “bashkim e vëllazërim” është parullë me të cilën shprehet hapur qëllimi shkombëtarizues i Kosovës. Kurse mungesa e kuadrit është vetëm një pretekst që tash më pak po përdorët, për shkak se binte në kundërshtim me propagandën revizioniste (e pushtetit komunisto-jugosllav), sipas së cilës arsimi në Kosovë ka arritur suksese të mëdha dhe të rëndësishme. Me të vërtetë mungesa e kuadrit është e madhe. Si është e mundur që për një periudhë prej 18 vjetësh të mos jenë krijuar kuadro të nevojshme arsimore? Sipas mendimit tonë, kjo ka ndodhur me dijeninë e pushtetit jugosllav, i cili donte të eliminonte gjuhën shqipe nga shkollat, andaj për këtë qëllim ata krijuan shkollat e përziera ose territoriale, siç i quajmë këtu. Shumë kuptimplote janë fjalët që na ka thënë një intelektual shqiptar i Kosovës, i cili u shprehë kështu: “Jugosllavët duke futur gjuhën serbe në shkollat e Kosovës kërkojnë të shuajnë te fëmijët ndjenjën e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe të zhvillojnë ndjenjën e dashurisë ndaj gjuhës serbe”. Po ashtu, sipas tij kjo bëhej “që brezi më i ri kur të rritet duke humbur ndjenjën e dashurisë dhe patriotizmit shqiptar do të humbas gjënë më të shtrenjtë, dashurinë për atdheun e tij, Shqipërinë”.

Krijimit të shkollave të përziera tani po i jepet një publicitet i madh dhe po mundohen t’i japin një karakter shkencor. Kështu, në revistën “Përparimi”, që botohet në Kosovë, në numrin e saj të dhjetë që ka dalë më 1962, Jashar Rexhepagiqi, ka publikuar një artikull me titull: “Vlera pedagogjike e mësimit në dy gjuhë”. Nëpërmjet këtij artikulli, ky autor mundohej të vërtetonte vlerën e mësimit në dy gjuhë dhe të mirat që rrjedhin prej saj, pa e kuptuar ai vetë se kjo është e panevojshme për arsye se në Kosovë nxënësit shqiptarë jashtë orarit të shkollës dëgjojnë vetëm gjuhën serbe, sikur në Kosovë të ketë më shumë serbë sesa shqiptarë. Andaj është e padrejtë t’u ngarkohej kjo detyrë shqiptarëve, të cilët përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë së Kosovës, ndërsa serbët ishin të papërfillshëm për nga numri i banorëve, por që trajtoheshin në mënyrë të veçantë. Përveç krijimit të shkollave të përziera, një rëndësi të madhe pushteti jugosllav i ka dhënë edhe serbizimit të emrave të vendbanimeve shqiptare. Tani, thuajse të gjitha fshatrat e Kosovës krahas emrit të vjetër shqiptar kanë edhe emrat e rinj serbë.

2.    Martesa e shqiptarëve me gra ose burra të kombësive të tjera sllave

Tani, çdo ditë e më tepër po rritet numri i martesave të shqiptarëve në veçanti e të rinjve shqiptarë me vajza të kombësive të tjera të Jugosllavisë. Edhe këtë kanal, pushteti i Beogradit mundohej ta shfrytëzonte, për shkombëtarizimin e Kosovës. Pse martoheshin shqiptarët me vajza të kombësive sllave? Kjo bëhej për dy arsye: së pari, duke u martuar me vajzat e këtyre kombësive ata sigurojnë të ardhmen e tyre, ndjehen më të sigurt etj., dhe së dyti, duke u martuar me vajzat e këtyre kombësive ata sigurojnë banesa në thellësi të Jugosllavisë ose trashëgojnë ndonjë pasuri që kanë këto vajza. Ky fenomen më tepër është i theksuar te intelektualët shqiptarë që kanë studiuar në universitetet e qyteteve të mëdha të Jugosllavisë, ku kanë parë jetën e shfrenuar që bëhet në to. Ata këtë jetë nuk e gjejnë kur kthehen në Kosovë. Pas mbarimit të studimeve, ata nuk kthehen në Kosovë, por martohen në qytetet ku kanë studiuar, ku stabilizohen aty me punë dhe banim. Këto martesa këta intelektualë i justifikojnë duke menduar se femrat shqiptare kanë nivel të ulët kulturor dhe se në Kosovë për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik jeta është e keqe dhe kësisoj nuk mund të gjenin kënaqësitë, që i gjenin në qytetet jugosllave ku kanë studiuar. Me gjithë këtë, në popullsinë shqiptare ndjehet një rezistencë e madhe ndaj këtij fenomeni. Për të nxitur këtë kohët e fundit në faqet e gazetës “Rilindja”, duke filluar nga 22 qershori deri më 1 korrik 1962, është botuar artikulli i Ramiz Kelmendit, me titull: “Romani i malësores së bukur”. Po ashtu, në këtë gazetë një tregim i këtij zhanri dhe nga i njëjti autor është botuar edhe në numrin e saj të datës 5 gusht 1962, me titull: “Vajza e Bubës”. Në këtë tregim rrëfehet jeta e mirë e dy grave shqiptare që janë martuar me malazezë. Krahas këtyre dy mënyrave të sipërshënuara, zhvillohej edhe procesi i:

3.    Integrimit të popullsisë me kombësi serbe në krahinat e banuara me shqiptarë

       Ky integrim i duhej pushtetit jugosllav për të kundërbalancuar forcat dhe për një përzierje të popullsisë shqiptare me atë të kombësive të tjera, duke marrë parasysh se numri i banorëve shqiptarë është më i vogël se sa i kombësive të tjera, jugosllavët mundoheshin ta mbytnin popullsinë shqiptare në mesin e kombësive të tjera. Zakonisht personat e kombësive të tjera vijnë në Kosovë për të drejtuar dhe punuar në ndërmarrjet industriale ose ekonomike që ndërtohen atje, pra në Kosovë. Ata, në të shumtën e herëve ishin punëtorë të kualifikuar dhe që sipas kontratave merrnin paga që arrinin shifrën deri në 80 000 dinarë. Në këtë mënyrë bëhen dy punë: në njërën anë vendet e mira zihen nga njerëzit që kanë ardhur, kurse shqiptarëve ju mbeteshin vendet e ulëta dhe punët e rënda. Ndërsa, në anën tjetër shpejtohej integrimi i popullsisë sllave me atë shqiptare.

4.    Gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi

       Në trevat e banuara me shqiptarë politika jugosllav ka ndjekë një strategji “përçaj e sundo”, e cila ka dhënë rezultate të mira për ta. Në saj të kësaj politike kanë arritur të përçajnë shqiptarët, duke ua shfrytëzuar atyre mentalitetin dhe duke i nxitur të mbajnë qëndrime të kundërta, krejt kjo për të arritur qëllimin e pushtetit jugosllav që ishte thyerja e unitetit kombëtar të shqiptarëve.

       Siç jemi në dijeni, trevat e banuara me shqiptarë, janë kryesisht pjesët malore, andaj blegtoria ka qenë veprimtaria e tyre më e shpeshtë. Të ardhurat e qytetarëve shqiptarë ishin tejet të pakta. Vlen të përmendet se në trevat e banuara me shqiptarë kanë funksionuar më tepër se në rajonet e tjera ligjet e bajraqeve. Kështu, mund të themi se shqiptarët e këtyre trevave lidhur me marrëdhëniet ndaj vendit tonë, janë të ndarë në dy grupe: grupi i parë është kundërshtarë, apo më mirë të themi nuk është aleat i vendit tonë dhe shtrihet në krahinat Zogaj dhe Malësia e Liqenit të Shkodrës. Revizionistët (komunistët jugosllavë) pasi zhdukën kundërshtarët e tyre në këto territore, komprometuan disa njerëz me ndikim duke u dhënë atyre disa privilegje si të drejtën e mbajtjes së armëve etj. Andaj, ndonëse këto territore kanë qenë tradicionalisht problematike për krajlët e Serbisë, tani janë pasivizuar mjaft shumë, madje janë kthyer edhe kundër vendit tonë (Shqipërisë). Krejt tjetër fare paraqitet gjendja në krahinat e Dimoshit dhe bregut të Bunës, ku ndjenjat e patriotizmit ruhen më shumë, për shkak se shumë prej familjeve të tyre janë të lidhura me Shqipërinë nëpërmjet martesave ose lidhjes së gjakut, por edhe për shkak se këto treva kanë jetuar vetëm me tregun e Shkodrës.

       Këtë gjendje e kemi konstatuar edhe gjatë bisedave që kemi bërë gjatë vizitës tonë në Mal të Zi. Një propagandë kundër Shqipërisë në këto territore e bëjnë edhe emigrantët e grumbulluar në territorin e Malit të Zi, nga UDB-ja. Për veç kësaj, në territoret shqiptare në Mal të Zi, pushteti jugosllav ka mbyllur shkollat në gjuhën shqipe. Kështu, për shembull në Ulqin u mbyll në këtë vit e vetmja shkollë shqipe, me pretekstin se mbylljen e saj e kanë kërkuar prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Por shtrohet pyetja, cila është arsyeja që i shtyu prindërit të kërkojnë mbylljen e kësaj shkolle? Është e natyrshme të arrihej në këtë gjë, mbasi nxënësit që mbaronin shkollën fillore detyroheshin të vazhdonin mësimet në gjuhën serbe. Duhet shtuar faktin se në gjithë territorin e Malit të Zi, ishin vetëm dy shkolla 8-vjeçare. Po ashtu, ndjehej mjaft shumë mungesa e teksteve në gjuhën shqipe. Kështu, mund të themi se në drejtim të natyralizimit të popullsisë shqiptare në trevat e banuara prej tyre, pushteti jugosllav ka arritur rezultate të kënaqshme. Këto janë disa metoda të natyralizimit të popullsisë shqiptare me kombësitë sllave të Jugosllavisë.

Krahas dy mënyrave kryesore të sipërshënuara për shkombëtarizimin e shqiptarëve, revizionistët inkurajuan deri në një masë edhe: 1) Arratisjet në Shqipëri. Kjo gjë u nevojitet atyre për dy qëllime: a) për dërgimin e spiunëve në vendin tonë; dhe b) për të larguar nga territori i Jugosllavisë rininë revolucionare kosovare. Për qëllimin e parë nuk është e nevojshme të zgjatemi, ngase ajo tashmë është e mirënjohur, ndërsa për pikën e dytë është me rëndësi të ndalemi pak.

Dihet se krahas kësaj politike që ndjekin jugosllavët rritet dhe rezistenca e popullsisë shqiptare dhe kjo duket sidomos te rinia gjimnaziste, e cila është pjesa revolucionare, por jo e organizuar dhe jo rrallë e papërmbajtur.      

Elementët përparimtarë të Kosovës përpiqen të organizohen, por për shkak të mungesës së një qendre, ata shpesh dekonspirohen dhe nga frika e arrestimit, arratisën në vendin tonë. Kjo gjë siç e theksuam më lart u konvenon jugosllavëve, prandaj ata i inkurajojnë që të arratisën në Shqipëri. Kështu, për tentativë arratisjeje dënimi më i madh është deri në dy vjet burg. Megjithatë arratisjet për në Shqipëri i shqetësojnë revizionistët, sepse ata kanë frikë nga demaskimi për propagandën e tyre për jetën e tyre që bëjnë shqiptarët në Jugosllavi etj.

Pavarësisht nga sa thamë më sipër, popullsia shqiptare në Jugosllavi nuk mund të zhduket dhe të fshihet fakti i ekzistencës së saj, përkundrazi me gjithë vështirësitë, ajo do të ekzistojë ashtu siç ka ekzistuar dhe kombi shqiptar. Popullsia shqiptare e do Shqipërinë. Për ilustrim po përmendim fjalët që kanë thënë dy ushtarë me kombësi shqiptare të cilët u shprehën lidhur me shërbimin ushtarak: “Shqiptarët nuk i lënë të kryejnë shërbimin ushtarak në Kosovë për shkak se frikësohen se ata mund të arratisen në Shqipëri”. Ose fjalët e një shqiptari tjetër, i cili na u shpreh kështu: “Në rast se Jugosllavia do të luftojë kundër Shqipërisë, unë do t’i kthej armët kundër këtyre dhe jo vetëm unë por gjithë shqiptarët”. Pikërisht kjo i frenon revizionistët të cilët po bëjnë përpjekje intensive për shkombëtarizimin e Kosovës, Rrafshnaltës së Dukagjinit dhe trevave të tjera të banuara prej shqiptarëve.

I ngarkuari me punë a. i.

(Tahmaz Beqari)

(VIJON)

© Pashtriku.org

________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (15)

Nga Prof. Dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura