DOKUMENTE RRETH MBRËMJES SË 7 PRILLIT 1984 NË DUSSELDORF TЁ GJERMANISЁ
Nga Xhafer Durmishi
DOKUMENTE RRETH MBRËMJES SË 7 PRILLIT 1984
I. Teknika e shkëputjes së mikrofonave
1. Xhafer Durmishi: Programi dhe Statuti i Bashkësisë së klubeve
2. Faridin Tafallari: Thirrje për mbledhjen e parë të Bashkësisë së klubeve
3. Ibrahim Kelmendi: Pjesë nga Letra kryesisë së Lëvizjes për Republikë
4. Xhafer Durmishi: Letër delegatëve të Bashkësisë së Klubeve
5. Faridin Tafallari: Thirrje për mbledhjen e dytë të Bashkësisë së klubeve
6. Raport i komisionit të mbrëmjes së 7 prillit 1984
7. Letër e Bacalokut dërguar shokëve të Shtutgartit
8. Letër e Xhafer Shatrit dërguar Ibrahim Kelmendit
9. Ibrahim Kelmendi në librin Atentatet
10. Xhafer Shatri: Letër Qendrës Ekzekutive
11. Ibrahim Kelmendi në librin Atentatet
12. Pjesë nga letra e mbyllur e Xhafer Durmishit dërguar shokëve të Shtutgartit
13. Xhafer Durmishi: Tubimi i 7 prillit 1984 në Düsseldorf
II. Teknika e ngjitjes së mikrofonave
14. Filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?” i vitit 1997
15. Filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?” më 1997 dhe disa relacione me mbrëmjen e 7 prillit 1984
I. Teknika e shkëputjes së mikrofonave
1. Xhafer Durmishi: Programi dhe Statuti i Bashkësisë së klubeve
Nga ”Programi Aksional i Bashkësisë së klubeve të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia në Evropën Perëndimore”
Për qëllimet dhe interesat e tyre, në fillim, iniciativën për hapjen e klubeve shqiptare e përkrahën edhe policët e sigurimit jugosllav të veshur me petkun e diplomatit. Ata ushqenin shpresat se me ndihmën e klubeve do të kryenin më lehtë misionin e tyre të spiunazhit.
Shikuar realisht, po të kishte nisje nga qëllime të mira, krejt puna në këtë drejtim do të duhej të kryhej nga ana e përfaqësuesve të RSFJ, të cilët këtë punë edhe e bëjnë kur janë në pyetje klubet e kombeve dhe kombësive tjera nga Jugosllavia, të cilave pos ndihmës së ndryshme administrative u ofrohen edhe ndihma materiale.
Kur planet djallëzore me shqiptarët u dështuan, atëherë edhe çjerrja e maskës dhe zbulimi i vërtetë i planeve të tyre nuk ka vonuar të duket. Disponimi i përgjithshëm antishqiptar i shovinistëve të Beogradit dhe sidomos i politikës së tyre të jashtme antishqiptare erdhi në shprehje edhe në qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve të mërguar nga Jugosllavia, si thonë në mënyrë ironike “me punë të përkohshme”. Duke u nisur nga ky qëndrim, ku më heret e ku më vonë filluan presionet ndaj aktivistëve të ndryshëm që kishin kontribuar më së shumti në tubimin e shqiptarëve të shkapërderdhur, duke i etiketuar si element armiqësorë dhe ndaj pjesës dërmuese të tyre u morën masa të ndryshme; prej marrjes së pasaportave e deri tek burgosjet e rënda.
Këto fërkime në mes punëtorëve e aktivistëve të ndryshëm dhe ambasadave e konsullatave jugosllave arritën kulmin në momentet pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, të cilat pos të tjerash çuan edhe tek tubimet e shumta nëpër klubet shqiptare, të organizuara nga përfaqësitë jugosllave, të cilat nga punëtorët shqiptarë në mërgim kërkonin të dënonin vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë. Konsullatat, vet, në emrin e disa klubeve dërguan telegrame në Radio Prishtinë, sipas të cilave bashkatdhetarët në botën e jashtme i dënonin demonstratat në Kosovë. Gënjeshtrat e tilla u denoncuan në mënyrën më kuptimplote me anën e tetë demonstratave që u organizuan vetëm në Pranverën dhe Verën e vitit 1981 e që do të vazhdonin edhe në vitin 1982.
Nga ngjarjet më të ndryshme të të gjitha llojeve në këtë kohë nuk u kursyen as klubet e shqiptarëve. Sot është fakt me rëndësi se këto klube dita ditës po grumbullojnë rreth vetes gjithnjë e më shumë anëtarë të rinj dhe në përgjithësi po konsolidohen. Kjo i dedikohet më së shumti faktit se mërgimtarët po e kuptojnë se një prej detyrave të para për ta është ajo, që në këto momente të jenë sa më të bashkuar.
Që kjo punë të intensifikohet edhe më shumë, deri në atë shkallë që e kërkojnë interesat e kohës, më 9 korrik 1983, nga përfaqësuesit e shumicës së klubeve dhe rretheve të dalluara të shqiptarëve në Evropën Perëndimore u vendos që të themelohet BASHKËSIA E KLUBEVE DHE RRETHEVE SHQIPTARE NE EVROPEN PERENDIMORE.
Ideja themelore e Bashkësisë është solidariteti.
Bashkësia me punën e vetë ka për qëllim:
-Të koordinoj punën e të gjitha klubeve në Perëndim, duke aplikuar përvojën e përparuar të ndonjë klubi në një tjetër; të bëjë njohjen e tyre reciproke, të organizojë mbrëmje të përbashkëta në mes klubeve fqinje dhe të atyre më larg, të cilat do të shkojnë në interesin e mërgimtarëve.
-Të ndihmojë me të gjitha forcat, me njerëz, me mjete materiale dhe me ndihmë morale në hapjen e sa më shumë klubeve, duke organizuar sa më shumë mërgimtarë që të tubohen rreth tyre.
-Edhe pse përfaqësitë diplomatike dhe të gjithë mekanizmat tjerë të RSFJ-së, që kanë kontakte më të shpeshta me ne, duke u nisur prej një diplomati e deri tek një polic i thjeshtë në autostradë apo tren po sillen ndaj nesh tejet armiqësisht, ne do të vazhdojmë të respektojmë simbolet e RSFJ, ashtu siç veprojnë edhe klubet e kombeve e kombësive tjera megjithëse trajtimi i tyre në krahasim me ne është diametralisht i kundërt.
-Bashkësia do të përkrahë kërkesën e popullit shqiptarë “Kosova-Republikë” dhe në këtë drejtim ajo e shikon me simpati punën e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Konsiderata e lartë e Bashkësisë ndaj Lëvizjes i vjen sidomos kur të kihet parasysh fakti se Lëvizja u ngritë lart duke pasur në themelet e saj edhe gjakun e freskët të tre heronjve që ranë afër Shtutgartit.
Bashkësia me këtë punë, me koordinim të aktivitetit, ka për qëllim që në kushtet e ashpërsimit të krizës t’i ndihmojë mërgimtarët tanë në mundësitë e veta që problemet e tyre që po u shtohen dita ditës, t’i përballojnë më lehtë.
Bashkësia është e vetëdijshme për situatën e rëndë të popullit të Kosovës dhe këtë situatë ajo e vlerëson si të jashtëzakonshme, situatë që u afrohet kushteve të luftës, andaj ajo me ndihmën e mërgimtarëve do të ndërmarrë hapa të atillë që i kalojnë kufijtë e aktivitetit të Bashkësisë në kushte normale. Kjo do të thotë pos të tjerash se Bashkësia, pjesën më të goditur të popullit të Kosovës për aq sa i lejojnë mundësitë, do ta ndihmojë edhe materialisht.
Xhafer Durmishi, Gusht 1983, Saarlouis
(Marrë nga libri: Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 226-228
STATUT I BASHKËSISË SË KLUBEVE
Statut i Bashkësisë së klubeve të punëtorëve shqiptarë nga Jugosllavia përkohësisht në Mërgim
1. Përfaqësuesit e klubeve dhe shoqërive propozuan që koordinimi i punës së tyre të bëhet përmes organizimit të tillë që u vendos të quhet ”Bashkësia e klubeve të punëtorëve shqiptarë përkohësisht në mërgim”.
2. Bashkësia e formua me qëllim që t’i jap shtytje aktivitetit dhe mbarëvajtjes së klubeve, ta koordinoj punën e tyre dhe të organizoj ndihmën e tyre reciproke e cila është e domosdoshme. Ajo punën e vet do ta orientojë edhe në atë drejtim që rrethet e ndryshme të aktivizuara t’i organizoj në nivel të klubeve.
3. Klubet dhe rrethet e ndryshme në Bashkësi dërgojnë nga një delegat. Me rastin e thirrjes së tubimit të Bashkësisë, nëse delegati i ndonjë klubi apo shoqërie nuk ka mundësi të shkoj në atë tubim, çështja zgjidhet në atë mënyrë që klubi në fjalë dërgon për atë tubim një tjetër të deleguar vetëm për atë rast, i cili zgjidhet me pëlqimin e udhëheqësisë së klubit dhe të delegatëve të tij.
4. Bashkësia do të koordinoj të gjitha aktivitetet e lira në nivel të bashkësive të klubeve. Kjo do të realizohet përmes organit më të lartë të bashkësisë, i cili quhet Këshilli Drejtues i Punës (KDP) i cili përbëhet prej tre gjer në pesë veta.
a) Këshilli Drejtues i Punës (KDP) në përbërjen e vet ka Kryetarin, nën Kryetarin, Sekretarin dhe Arkatarin.
b) KDP ka edhe ndihmësat e vet që u vendos të quhet ”Këshilltarë” të cilët janë nga një nëpër vende të ndryshme në mërgim.
c) Përfaqësimi i vendeve të tjera që ende nuk janë të përfaqësuara me Këshilltarë pranë KDP-së do të bëhet në të ardhmen në raport me aktivitetin që do të organizohet nëpër ato vende.
d) Tubimet e rregullta KDP së bashku me Këshilltarët do t’i mbaj në çdo tre muaj, ndërsa tubimet me të gjithë Këshilltarët e delegatët e të gjitha klubeve një herë në vit.
e) KDP në raste të nevojshme mund të thërras tubim të jashtëzakonshëm të Bashkësisë.
5. Të punoj për grumbullimin e shënimeve për inventarin e të gjitha klubeve.
6. Të punoj për grumbullimin e shënimeve dhe të shpeshtoj kontaktet:
a) me të gjithë punëtorët social dhe përkthyesit e ndryshëm,
b) me përfaqësues aktivistë të sindikatave të vendit dhe me aktivist tjerë vendas që merren me problemet e të huajve, të cilët do të mund t’u vinin në ndihmë punëtorëve tanë.
7. Lidhur me çështjet materiale, Bashkësia do të përpunoj një politikë të atillë që përveç nivelizimeve dhe ndihmave për iniciativa do të ketë orientime të qarta lidhur me detyrimet e veta ndaj popullit të Kosovës. Bashkësia materialisht do të ndihmohet nga të gjitha klubet duke u mbështetur e secilit klub dhe rreth.
Ky Statut u parashtrua nga Xhafer Durmishi dhe u aprovua në mbledhjen e parë të Bashkësisë së klubeve më 16 tetor 1983 në Gjenevë.
(Marrë nga libri: Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 280-281)
2. Faridin Tafallari: “Thirrje për mbledhjen e parë të Bashkësisë së klubeve
“Këshilli Drejtues i Punës i Bashkësisë së Klubeve Shqiptare në Mërgim
Thërret
Mbledhjen e vetë të parë të zakonshme, më 14 janar 1984, me ketë rend të ditës:
1. Përpilimi i planit të punës njëvjeçare të Bashkësisë së klubeve shqiptare në mërgim;
2. Të ndryshme.
Mbledhja do të mbahet në Shtutgart, më 14 janar 1984 dhe do të filloj në ora 15.00.
Vendtakimi është në stacionin e autobusëve të Shtutgartit në ora 14.30.”
3. Ibrahim Kelmendi: Pjesë nga Letra kryesisë së Lëvizjes për Republikë
“PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI!
Në mërgim…, më 19 mars 1984
…Tani jemi në prag të 3-Vjetorit të demonstratave të përgjakshme të Kosovës. Besoj se pos një kryeartikulli që duhet të botohet në ZK, do të duhej të organizohen aktivitete. Sa për demonstratë, pasi nuk ka ndonjë aktivitet ndërkombëtar, përkatësisht ndonjë tubim ndërkombëtar, nuk do më dukej e domosdoshme të thirret ndonjë dasmë. Sikur të kishim biseduar dhe përgatitur teren, marr parasysh “disponimin” momental të opinionit austriak, shumë do të kishte qenë mirë të thërrisnim një dasmë atje. Por, po e patë të arsyeshme, nuk do të duhej ta qesim në harresë ndonjë dasmë, ose t’i koncentrojmë forcat, që në mënyrë më të përgatitur se herat tjera, të dalim në demonstratë, masovikisht, për 1 Majin, bashkë me proletariatin e vendit.
Klubi ED (Emin Duraku-shën i Xh. D.) ka vendosur bashkë me 6-Vjetorin (si pretekst maskues) ta shënon 3-Vjetorin e Demonstratave në Kosovë, me karakter të gjerë.
Çfarë mendoni edhe ju?
Pranoni përshëndetje revolucionare, Shoku”
4. Letër e Xhafer Durmishit delegatëve të Bashkësisë së Klubeve
Të dashur shokë, delegatë pranë Bashkësisë së mars 1984
Klubeve Shqiptare në Mërgim,
Në bazë të vendimit të aktivistëve më të dalluar të klubeve të ndryshme shqiptare në Evropën Perëndimore, që u bë në një tubim më 9 korrik 1983, mbi formimin e Bashkësisë së klubeve, kjo Bashkësi thirri mbledhjen e vetë të parë më 16 tetor 1983 në Gjenevë, në të cilën pos të tjerash u aprovua Statuti i Bashkësisë dhe një Rezolutë me anë të së cilës klubet marrin përgjegjësi që për organin udhëheqës të Bashkësisë (Këshillin Drejtues të Punës KDP) të përgatisin raporte mbi aktivitetin e tyre.
Puna në këtë drejtim filloi. Disa klube në këtë drejtim u dalluan më shumë se të tjerat.
Disa shokë janë përpjekur në çdo rast që iu është dhënë mundësia të japin sugjerimet e tyre lidhur me atë se në çfarë binarësh të orientojmë aktivitetin nëpër klubet megjithëse Bashkësia filloi nga puna duke pasur në gjirin e vetë një heterogjenitet sipërfaqësor, por jo edhe të parëndësishëm në çështje praktike. Bashkësia me disa aktivitete të saj është përpjekur sidomos t’ia ndalë hovin veprimeve spontane nëpër klube.
Siç jeni në korrent në bazë të letrave, mbledhja e dytë e Bashkësisë së Klubeve ka qenë e planifikuar për datën 14 prill 1984, por me që ra kjo mbrëmje (e 7 prillit) u pa e arsyeshme që ta shfrytëzojmë këtë rast për mbledhjen e dytë të Bashkësisë së klubeve në këtë vit.
Ne besojmë se ju aktivistë të klubeve keni pasur kohë të mendoni dhe vendosni për ato çështje që doni të shtroni në këtë mbledhje. Në këtë mbledhje do të diskutojmë e marrim qëndrime për;
– organizimin e festës së 1 Majit,
– planifikimin e pikave, në të cilat mendojmë të hapim klube të reja gjatë këtij viti,
– angazhimin e disa shokëve për marrjen e kontakteve dhe informatave nga organizata të ndryshme për çështje të emigrantëve, kontakte këto që do të na nevojiten për shokët të cilëve nuk do t’ju vazhdohet viza nga konsullatat jugosllave dhe për çështje tjera që tani janë të njohura në praktikën e punën tonë.
Në këtë takim do të ishte me rëndësi që të sillni me vete edhe Statutet e Klubeve. Kjo shtrohet e rëndësishme pasi Bashkësisë i kanë ardhur vërejtje se një klub në Statutin e tij e paska një nen të atillë në të cilin po u thoka se për t’u bërë anëtarë duhet të shkruar një lutje me shkrim.
Aktualisht udhëheqësitë e klubeve duhet ta ruajnë unitetin e tyre.
Një aktivist i Bashkësisë (Xhafer Durmishi-Skenderi)
5. Faridin Tafallari: Thirrje për mbledhjen e dytë të Bashkësisë së klubeve
Këshilli Drejtues i Punës i Bashkësisë së Klubeve Shqiptare në Mërgim
(KDPBKSHM)
Thërret
Mbledhjen e vetë të dytë të zakonshme më 8 prill 1984, me ketë rend të ditës:
1. Analizë e punës së gjertanishme të Bashkësisë së klubeve shqiptare në mërgim;
2. Detyra në të ardhmen e BKSHM
3. Të ndryshme
Mbledhja do të mbahet në Düsseldorf më 8 prill 1984 dhe do të filloj në ora 10.00.
P.S. Të dashur shok, delegat të Bashkësisë së klubeve shqiptare në mërgim,
KDPBKSHM, bëri këtë ndryshim të datës nga 14 prilli 1984 në 8 prill 1984 për arsye të një tubimi të përgjithshëm në Düsseldorf që do të mbahet më 7 prill 1984. Prandaj për të shfrytëzuar këtë rast bëri këtë ndryshim të datës me një javë më par.
Vendtakimi do të jetë në klubin ”E. Duraku” në Düsseldorf.
Përshëndetje Revolucionare
BKSHM Nënshkrim i Faridin Tafallarit
6. Raport i komisionit të mbrëmjes së 7 prillit 1984
Pas përfundimit të mbrëmjes, më 8 prill 1984, u tubuan anëtarët e komisionit të caktuar për udhëheqjen e kësaj mbrëmjeje e në mungesë të Xhavit Ramabajës nxorën këto
Vlerësime
Para fillimit të mbrëmjes, u caktua komisioni prej pesë vetave, nga ana e shokëve me sa vijon:
1. Zymber Kryeziu 2. Qamil Rexhepi
3. Faridin Tafallari 4. Hyzri Rekaj
5. ”Skenderi” (Xh.D.) 6. Malush Ademaj
7. Ganiu (Milaim Zeka) 8. Hafiz Gagica
9. Fazli Mema 10.Ibrahim Kelmendi
11.Mejdi Rexhaj 12.Shaban Bobaj
13.Muhamet Kelmendi 14.Xhavit Ramabaja
Nga këta shokë u zgjodh ky komision në mënyrë unanime:
1. Faridin Tafallari 2. Muhamet Kelmendi
3. Xhavit Ramabaja 4. Zymber Kryeziu
5. Hyzri Rekaj
Para se të zgjidhet komisioni, lindën disa grindje nga Ganiu (Milaim Zeka) dhe Ibrahimi, me përmbajtje të Ganiut nga Xhaviti dhe Fazliu, i cili tha se Ibrahimi ta ngjet për koqe (na falni në shprehje). Njëherit Ganiu tha se, kur kam qenë unë në Lëvizje, ti (Ibrahim) ke qenë duke u shëtitur nëpër bare, kafe të degjeneruara në Perëndim. E gjithë kjo u arrit, kur Ibrahimi i tha se duhet ti nënshtroheni disiplinës së LRSHJ-së, por me këtë rast Ganiu iu përgjigj se unë i përmbahem Zërit të popullit të Kosovës.
Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, të gjithë shokët vendosën unanimisht për komisionin e lartpërmendur të mbrëmjes dhe për të cilët Skenderi ka dhënë propozim i pari, me të cilët u pajtuam të gjithë. Shokët e komisionit e morën vendin e caktuar për udhëheqjen e mbrëmjes festive dhe për të cilën u pajtuan që asnjëri mos të ndërhyj në punët e tij. Komisioni filloi punën, me ç’rast filluan të vijnë referatet nga rrethet e ndryshme për t’i shqyrtuar dhe analizuar, se a janë për këtë mbrëmje të organizuar nga LRSHJ-a.
Duke u nisur nga fakti se këtë mbrëmje e organizon LRSHJ-a, nga komisioni u pa e arsyeshme të lexohet vetëm referati i Lëvizjes, për arsye që të mos lexohen shumë referate tjera. Në ndërkohë erdhi Skenderi me një referat në dorë dhe ia paraqiti komisionit të lexohet referati i Ganiut, ndërsa referatin e vetë për të cilin tha se kam punuar dy net po e heqi. Në mënyrë vëllazërore duke e sqaruar se ky komision vendosi të lexohet vetëm një referat, me ç’rast ai na u drejtua me fjalët; cili referat? Aty ishte Ibrahimi, na e kishte dorëzuar referatin prej 22 faqesh, në të cilin ishin të përfshira të gjitha ngjarjet brenda këtyre tri viteve në pika të shkurta. Dhe komisioni pat vendos që ky referat të lexohet, pasi t’i hiqen disa pjesë për të lehtësuar mbrëmjen, sepse kishim pika të shumta të përgatitura nga të gjitha rrethet.
Në këtë rast Skënderi me këmbëngulje dhe në mënyrë brutale ndërhyri në punën e komisionit, duke ia imponuar referatin e Ganiut si të domosdoshëm për t’u lexuar, pa marrë parasysh natyrën e referatit, i cili sipas tij ka disa (shumë) pika kontraverze. Njëherit ai na u kërcënua se pa marrë parasysh se a do të lejoni apo jo, ai ka për t’u lexuar. Komisioni duke u bazuar në kërcënimet e Skenderit nga ana e të cilit u acarua gjendja e muar në shqyrtim referatin dhe pas analizës vendosi njëzëri që të mos lexohet. Referati ishte i ngarkuar me sharje, ofendime, kërcënime dhe demaskime të disa shokëve, e në të cilin përdhosej LRSHJ-a. Referati kishte tri faqe, me ç’rast komisioni pjesën e dytë të faqes së tretë e nënvizoi me laps të thjesht si të dëmshme me dalë para masës. Pavarësisht nga kokëçarjet që kishte komisioni u sulmua nga Skenderi dhe Ganiu, e kohë pas kohe edhe nga Fazliu.
Mbrëmja filloi dhe për masën çdo gjë ishte në rregull. Meqenëse këta persona bënin shantazhe e kërcënime, komisioni vendosi që referati të lexohet nga shoqja prej Suedie, e cila edhe e udhëhoqi programin. Masa e entuziazmuar përcillte me kënaqësi dhe respekt programin dhe me duartrokitje frenetike e përshëndeti referatin kryesor. Por gjatë kësaj kohe nga masa nuk u diktuan kërcënimet e shantazhet e këtyre personave sepse ne tentonim me çdo kusht që të mos vjen gjer tek konflikti. Pas një kohe me kërcënime filloi programi me këngë e recitime dhe me pika tjera të përgatitura.
Meqenëse Xhaviti propozoi që në fillim të dal Ganiu dhe Fazliu me pikat e paraqitura, komisioni pas dy tri pikave vendosi të dalin me pikat e tyre. Por me këtë rast Xhaviti i shkeli qëndrimet e komisionit dhe tha që ta lejojmë ta merr fjalën Ganiu, sepse ai ka vendosë me dalë pa lejen e komisionit. Pasi e cekëm edhe më lartë se kishim shumë pika të përgatitura dhe duke i parë tendencat e tyre për të prishur mbrëmjen, komisioni qëndroi në vazhdimin e programit, sipas rendit të parashikuar.
Në këtë rast, ne biseduam me Ganiun në mënyrë vëllazërore, si gjatë tërë kohës ai erdhi në pajtim për nder të masës dhe bacit Faridin (të cilit ai i deklaroi) të mos dali në binë (skenë). Mirëpo në atë moment erdhi Skenderi në binë dhe i tha Ganiut ti ke me dalë dhe me i folur të gjitha ato çka i ke shkruar në referat pasi ti ato i din përmendësh. Kurse ne komisioni duke parë se mbrëmja po përfundon mirë e lutëm Skenderin që kjo mbrëmje të përfundoj ashtu siç ka vazhduar më parë. Mirëpo Skenderi në mënyrë brutale i hyri në frymë komisionit, duke i mëshuar me grushta tavolinës dhe me za të lartë tha kush jeni ju. Ju jeni një klikë e poshtër dhe unë nuk ju njoh për komision, të cilin unë (Skenderi) e hudhi në pleh. Përsëri vazhdoi duke thënë se Ganiun Enver Hoxha e ka propaganduar dy muaj në ekranin e RT Shqiptarë.
Në ndërkohë Haxhi Krasniqi ia muar shoqes që e udhëheqte programin dhe e kapi për krahu Ganiun dhe e qiti në binë, ku ai ia filloi pallavrave të tija. Në atë moment hypën në binë të tjerët dhe aty u bë një tollovi, kurse komisioni duke e mbrojtur mbrëmjen me tërë fuqinë që kishte, bile edhe më shumë lutje që bina (skena) të jetë e mbyllur me perde, për të mos parë masa se çka po ndodhë në skenë. Në atë kohë, njerëzit e përgatitur së shpejti hypën në binë me armë dhe ia filluan sulmeve të tyre me thika dhe revole. Përkundër asaj që ne u munduam të qetësojmë, në pamundësi kaluam në mbrojtje për të mos u derdhur gjaku ndërsa në atë rast Musa Daka i therri dy shokë, Haxhi Begën dhe Sylë Nuhën, të cilët gjenden të shtrirë në spital. Dhe gjithë kjo krijoi në masë një gjendje të ndjerë dhe aspak të kënaqur.
Komisioni nënshkruan me emër e mbiemër duke ia dhënë nga në kopje çdo anëtari dhe redaksisë ia dërgoi një kopje për masat e mëtutjeshme.
Anëtarët e komisionit:
1. Faridin Tafallari 2. Hyzri Rekaj
3. Muhamet Kelmendi 4. Zymber Kryeziu
Më në fund komisioni propozon:
Për të mos ardhur deri tek dezinformimi i masës, mendojmë që nëpër rrethe: Skenderi, Xhaviti, Ganiu, Fazliu, Musa, Haxhiu të paraqiten si shkaktarët kryesor të eksesit të mbrëmjes. Kurse për qëndrime definitive, iu la LRSHJ-së, duke i propozuar të formohet komision i posaçëm ose të merret ky material për bazë, i cili u përpilua nga komisioni i mbrëmjes së trevjetorit.
Ju lutemi që urgjentisht t’i analizoni këto dhe të merrni masa urgjente.
Komisioni i mbrëmjes.
Unë (Faridin Tafallari) mendoj dhe jam për atë që ky procesverbal të botohet pasi që është një dëshmi e një ngjarje të rëndësishme të (trishtuar) dhe nuk ka asgjë që mund ta ndryshoi. Nuk përjashtohet se aty kanë luajt role edhe të tjerë por rolet që i kanë zbatuar ndoshta edhe të të tjerëve që kanë qen anash… Pra janë këta dhe ky rast duhet të ndriçohet medoemos. (Marrë nga libri i Faridin Tafallarit, Terror Dhimbje Qëndresë, faqe 359-361)
7. Letër e Bacalokut (Xh. Shatrit) dërguar shokëve të Shtutgartit
Të dashur shokë,
mbrëmë bisedova me Faridinin dhe më tregoi për dëshpërimin tuaj në Dyseldorf. Më besoni se edhe unë kam qenë në lëkurën tuaj, por mërgimi qenka shumë i rëndë. Këtu nuk paska fjala peshë. Të shtunën unë kam biseduar me një shok në Dyseldorf. Kishte fjalë të mira. Pastaj bisedova edhe me Plakun dhe ai foli me të plagosurit. Edhe ata e sidomos Syla patën fjalë të mira. Duke u nisur nga kjo e pash të arsyeshme që t’u shtrihet shokëve sa më parë dora e pajtimit. Ju nga ana juaj e keni bërë tuajën, pse dikujt nuk i ka konvenuar kjo është tjetër çështje. Dhe nesër po që se ndodhë diçka dihet se kujt do t’i mbetet përgjegjësia. Kujt iu kujtuar që në këtë çështje ta përziej Lëvizjen si dhe të gjithë atyre që duan të bëjnë shesh për përshesh në këtë situatë kaq të rëndë do t’ua bëjmë me dije, me punën dhe përpjekjet tona të përditshme se i kanë bërë hesapet pa hanxhiun. Prandaj mos u dëshproni, me Musain mbani kontakt parreshtur dhe pos jush mos të kërkoj ai as mësues e as shokë tjerë, sepse do ta qesin në pozitë edhe më të keqe. Thuani le ta ruaj gjakftohtësinë dhe të mos flas me askend tjetër pos me juve për këtë çështje. Herëdokur të vie pajtimi, në mes fjalësh nuk mund të jetë dikush tjetër pos jush. Mu për këtë, prandaj mbajeni Musain afër, këshillojeni, sepse ata që e kanë penguar pajtimin, të jini të sigurtë nuk do t’u dalë e tyrja, sepse jo vetëm juve, por edhe neve na kanë pre në besë.
Armiku memzi po pret të fus pyka në këtë mjegull që e kanë krijuar ata që janë ushqyer me bukën e punëtorëve tanë zemërbardhë e duarplasaritur, prandaj si këta të parët që e kanë nxitur këtë kasaphanë, si këta të dytët që nuk lejojnë të shtrihet dora e pajtimit mes vëllezërish, do të pësojnë disfatë të turpshme para vullnetit të shokëve që kanë lënë shtëpi e familje, dhe janë në gjendje ta lënë edhe kokën për lirinë e popullit.
Prandaj mos u mërzitni, me ata shokë që i keni përreth rrini më shpesh, konsultohuni në mes veti, kijeni parasysh se e tërë kjo mjegull nuk është bërë për tjetër veçse ndonjë hesap i Serbisë t’i ngul dhëmbët në gjak shqiptari. Qoftë edhe një hap apo ndërmarrje të vetme mos e bëni pa u konsultuar me shokët e atyshëm, sidomos me Hafizin, me Musën (të riun) etj. Ta keni parasysh se ne, kështu siç jemi, që të gjithë jemi me ju, sepse keni shkuar në Dyseldorf me qëllimet më të pastra e më fisnike.
Në këtë situatë më shumë s’po mund të bëjë, veçse përmes kësaj letre t’ju përshëndes përzemërsisht.
Të fala shokëve, Bacës Selim, Lutanit, Ismetit dhe të gjithë shokëve tjerë.
Zvicër 1 Maj 1984 B.cl (B. cl është shkurtesë për Bacalokun, emër apo titull i përdorur nga Xhafer Shatri)
8. Letër e Xhafer Shatrit dërguar Ibrahim Kelmendit
“Me asnjë kusht nuk do t’i shkruaja këta rreshta, sepse më me dëshirë do të takohesha me ty dhe do të bisedonim gjerësisht, sepse e tërë ajo që dua të them, as përciptazi nuk mund të përfshihet në një letër. Por mbrëmë bisedova me Faridinin, me shokun tonë të mirë, dhe dëshpërimi i këtyre njerëzve të ndershëm që kanë udhëtuar më shumë se 1000 km për ta bërë mirë dhe sjellja jote arrogante ndaj përpjekjeve të tyre po më detyrojnë të them troç: Ti je i papërmirësueshëm. Ti përgjithmonë ke mbetur mbreti i rrugëve, i mospërgjegjësisë dhe i thashethemeve.
Së pari nuk denjove të shkruash për ngjarjen si ka ndodhur në tërësi, por një letër plot panik “me shyqyr që mbeta gjallë.” Për atë që është në dijeni të gjërave më mirë ka qenë që ti të mbetesh aty, bile do të qanim… E unë e di mirë se nëse Skënderi është fajtori kryesor që i nxiti punëtorët tanë t’ia fusin thikat njëri-tjetrit, atëherë ti je ai që me tërë forcën tënde ke kontribuar të krijohen kushtet për një atmosferë të tillë. Ti vetë më ke gënjyer në pyetjen time se a ke biseduar me Faridinin lidhur me mbrëmjen e 7 prillit dhe më ke thënë po, e kjo nuk kishte qenë e vërtetë. Madje jo vetëm kaq, por ke shkuar aq larg, sa agjutanti yt, Muhameti, të cilin me çdo kusht po përpiqesh ta mbash nën hijen tënde të mjerë, ka thënë Lëvizja është ku janë masat. E ajo s’ka qenë e vërtetë, sepse Lëvizjen aty e keni përfaqësue ti dhe Faridini e jo masa. Ashtu siç më ke thënë ti, duke të besuar, se njeriu dreqi e marrtë duhet t’u besoj njerëzve, unë e shkrova traktin. Dhe në atë e kam përmendur, sipas asaj që më the edhe 5 vjetorin e themelimit të Klubit. Sepse sipas teje “s’është dashur të rrezikohet Muhameti në Bohum.” Merre me mend ti interesat e një njeriu i vë mbi interesat e 200 e sa të tjerëve. Po kush është Muhameti të rrezikohet? Po atëherë pse ka dalë këndej? Si është e mundur të përmendësh gjëra të tilla? I lëmë këto. Pastaj si ke guxuar ti t’i telefonosh Mujës që ta dërgoj telegramin për ta përflliqur traktin që ishte shpërnda anë e kënd Evropës? Me çfarë të drejte manipulimet e tua të ulëta prej një mediokri prepotent përpiqesh në sy të 600 njerëzve, të m’i hedhësh mua (sepse njerëzit e dinë se prej ku është dërguar trakti)? Pse nuk telefonoje te Plaku apo te unë dhe të na thuash neve, që kemi qenë parreshtur në banesa, por e ke gjetur Mujin, po ashtu shokun tonë të mirë dhe ke manipuluar me të.
Jo vetëm kaq, por siç del edhe nga procesverbali i BK, ti i ke thënë Musa Dakës “myzevir” që pa nisur kjo punë, sepse për fjalë ti zakonisht je i zoti, prandaj, mos u mbaro si Pilati para askujt, bile jo para atyre që e dinë punën fare mirë. Unë Musain nuk e shoh si vëllavrasës, ai është një viktimë, së paku nga kjo perspektivë, e sharlatanizmit tënd, pafytyrsisë së Skenderit dhe karrierizmit të Milaimit. Dhe kur ne në pamundësi të kontaktojmë me ty, i çuam disa shokë shumë qëllim mirë, që t’i vënë kapak kësaj pune, që të mos lejojnë më gjakderdhje, që të mos lejojnë të fusë armiku pyka, sepse ti nuk je aq budalla të mos e dish kush dhe pse po shpërndanë trakte, në të cilat të përziejnë edhe ty. Dhe vijnë njerëzit atje e ti je aq i pacip, sa që një Sylë e Haxhi që të mbrojtën me trupin e tyre, dëshiron t’i bësh lodra të kapitalit tënd të mjerë politik. Po të m’i kishe dërguar gabelët e Pejës për një pajtesë unë nuk do t’i ktheja prapa. Ti me çdo kusht ke dashur të përziesh Lëvizjen dhe përmes petkut të saj të akuzosh kundërshtarë të ndryshëm. Njeriu nuk guxon të hipën mbi popullin e vet për t’u dukur më i madh as më i pastër. Dhe i kthen njerëzit, shokët tanë të mirë, pa kryer asgjë, bile edhe i keqpërdor. Për tërë këtë përgjegjësia bien mbi ty.
Nuk je ti aq injorant, siç preferon të mbarohesh kur ta kërkon puna, e të mos e dish se në këtë çështje nuk guxon të përzihet çështja – lufta. Në këso situatash i duhet vënë kapak punës, sepse do ta shpëtoje edhe Musain nga kthetrat e merimangave të tipit të Skenderit, sepse në emër të tij nuk kanë ardhur rrugaçë, por njerëz, të cilëve Musa Daka nuk do të guxojë t’i luaj kurrë. Sepse që të gjithë ata janë njerëz të familjeve të ndershme që nuk luajnë me dikë, por as që lejojnë dikend të luaj me ta. Ata kanë ardhur nga qëllimet e pastra, ata janë konsultuar me ne. Plaku ka biseduar me shokët e plagosur, që të dy kanë treguar gatishmëri për ta bërë mirë. Por ti, që këso rastesh i pret si shkretira shiun apo si bora, ke shkuar aty dhe si njeriu i Lëvizjes ke dashur të bësh gjyq e ligj. Ti ke pasur rastin të tregohesh burrë, t’i shtish njerëzit të pajtohen dhe ta vrasësh një zagar të fëlliqur siç është Skenderi, me pjekurinë tënde, por edhe këtë rast e ke shfrytëzuar të tregosh se je kampion absolut i mospërgjegjësisë dhe meskinitetit.
Nuk po dua të çaj dërrasa më me ty, por po dua të përfundoj: Nëse atyre njerëzve sot apo nesër u ndodh diçka, nëse ata njerëz ndërrojnë në mes veti qoftë edhe një fjalë të keqe, apo po që se këtë atmosferë të rëndë e shfrytëzon armiku në çfarëdo aspekti qoftë, dije mirë se faji të a mbetur ty dhe poashtu dije mirë se unë do të kujdesem që t’i njoftoj njerëzit për atë se kush është shkaktari kryesor.
Nëse vjen gjer te pajtimi, në mes fjalësh nuk guxon të ketë njeri tjetër, pos atyre që kanë qenë gjer aty, sepse fjalëve të tyre Musa Daka nuk mund t’u luaj kurrën e kurrës.
Letra mos më shkruaj dhe ki kujdes e të mos ndodhë më kurrë që të përdorësh letrat me stemën e Lëvizjes për t’u treguar njerëzve “kompetencat” e tua. Janë disa raste që i di mirë, që ti i ke keqpërdorë këto letra.
Edhe sa për të më shkruar mos u lodh, sepse pas kësaj unë kurrë s’do t’u besoj fjalëve të tua Xh. (Xhafer Shatri)
(Marrë nga Faridin Tafallari, Terror Dhimbje Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 417-419)
9. Ibrahim Kelmendi në librin Atentatet
I. Kelmendi: “Më 7 prill organizohet tubim i madh në Düsseldorf. Sejmenët e Sabitit dhe të Xhafarit, ndër të cilët Xhahili, M.Z., M.D., Baca Zymri, e Faziti provokojnë gjakderdhje, të bindur se do t’i japin goditjen e fundit Miranit dhe bashkëveprimtarëve të tij. M.D., godet me thikë prapa shpine Suliot Nelajn, kur ai ishte angazhuar të qetësonte zënkat që po ndodhnin në skenë, prapa perde për të dalë në mikrofon ose jo M. Z. Sapo Sulioti merr goditjen e rëndë, shkon qetësisht deri te Mirani që gjendej në fund të sallës.“ (Atentatet, f. 459)
10. Xhafer Shatri: Letër Qendrës Ekzekutive
Xhafer Shatri: “…një rast tjetër edhe më flagrant me rastin e shfaqjes së koncertit në Dyseldorf. Shkon Engjëlli (Kolaneci, diplomat shqiptar në Vjenë-shën i Xh. D.) dhe i merr Xhavitin, Hyzriun dhe Fazliun e u thotë: ku është Lëvizja, keni kujdes se aty është udba, mos u mashtroni, hapni sytë dhe kështu në këtë kuptim…diçka e pabesueshme dhe ata burrat e botës asnjëri se kanë njoftuar shokun me të cilin kanë kontakt (Xhafer Durmishin-shën ynë).” (Letër Qendrës Ekzekutive, 7 qershor 1983)
11. Ibrahim Kelmendi në librin Atentatet
I. Kelmendi: “Fundjavës vijuese Lëvizja organizoi demonstratë në Bernë. Pas demonstrate u bë edhe mbledhja e QE-së. Në demonstratë dhe në mbledhje nuk morën pjesë Sadriu, Xhafari dhe sejmenët e tyre. Në vend që të merrte pjesë në demonstratë dhe mbledhje, Xhafari shkroi një letër publike prej 12 faqesh dhe ua drejtoi shokëve të Stuttgaritit me rrethinë.” (Atentatet, f. 461)
12. Pjesë nga letra e mbyllur e Xhafer Durmishit dërguar shokëve të Shtutgartit
“Shokëve të Shtutgartit e me rrethinë, 14 maj 1984
… Kah gjysma e muajit shkurt 1983, makina (e shkrimit) u dërgua në Zvicër. Meqë ata që e kishin marrë përsipër nuk kishin haber nga puna me te, dhe me radhitjen (punën grafike) në përgjithësi në fillim të muajit mars shkova në Zvicër, ku e kalova kufirin me Faridinin (me pasaportë të H.R.) i cili më la në Basel. Në Gjenevë më priti Uka në Stacion. Tek ai qëndrova gjer më 13 mars 1983 kur u bë edhe mbledhja e parë e QE në përbërje të plotë. Por para se të takohemi të gjithë së bashku, u takuam në banesën e Ukës; Unë, Faridini, Plaku (Hasan Mala) dhe Uka ku biseduam për shumë çështje në mes të cilave më e rëndësishme qe puna e arkatarit. Faridini i dorëzoi Ukës një regjistër mbi shënimet e plota lidhur me të gjitha shpenzimet duke u nisur prej asaj dite që e ka marrë punën e çështjeve materiale nga Nuhiu e gjer në atë ditë. Plaku dhe Uka as përafërsisht nuk qenë në gjendje të bëjnë ndonjë shpjegim të saktë lidhur me shpenzimet e ndryshme, e të mos flasim për të hollat të cilat janë mbledhur në konton ”Ndihma për Kosovën”. Sa kanë qenë gjallë shokët ka pasur një marrëveshje (gojore) të precizuar në këtë çështje se ato do të jenë të përbashkëta, respektivisht do të ndahen në mënyrë të barabartë, pasi të dy palët kanë pasur njerëz të burgosur në Kosovë.
Biseduam edhe në lidhje me Ibrahimin, me të cilin unë gjithmonë i kam pas kartat e hapura dhe çka i kam thënë ia kam thënë gjithmonë parasysh, kurse Uka e ka quajtur shok para syve, ia ka dhënë megafonin në demonstrata dhe gojë më gojë me te (nga i njëjti megafon) kanë brohoritur parulla të ndryshme, si herën e fundit në Gjenevë, kurse prapa shpine nuk ka lënë gjë të zezë pa thënë kundër tij. Këtë e dëshmojnë disa letra. Këtë e dëshmon edhe sjellja e tij në atë mbrëmje, kur ende pa u takuar me Ibrahimin, thoshte se këtë punë (afrimin e tij në QE pra) e kam bërë me dy mendje, dhe se për gabimin e tij të parë do ta bëjmë ”fuz”. Këtë fjalën ”fuz” e përsëriti disa herë para se të takoheshim.
Gjatë takimit unë e kritikova për disa çështje Ibrahimin, sidomos për disa pika që kishin të bënin me klubet. Si duket ai toni im i kritikës dhe mënyra ime e argumentimit e frikësoi Ukën se mos ndonjë ditë do të ndodhet vetëm para meje, kështuqë për të ruajtur vehten e për të mbajtur ekuilibrin, në fund të mbledhjes tha se me Ibrahimin duhet të sillemi më mirë, të jemi më korrekt se ka punuar shumë. Gjatë qëndrimit tim prej më tepër se 10 ditë në banesë të Ukës patëm rastin të këmbejmë mendime për shumë çështje. Tek ai (në adresën e gazetës) kishin ardhur disa letra për mua që nuk m’i kishte dërguar. Duke e parë se që në fillim ra në sy një atmosferë joshoqërore më tha: ” Mua jeta më ka mësuar që të mos i besoj askujt.” Në ato ditë punuam për ”ZiK” nr.2 të vitit 1983. Në atë tubim unë lexova të vetmin material që ishte përgatitur në atë mbledhje, në mënyrë më të qartë e që kishte të bënte me punën e aktivitetin që do ta zhvillojmë në mërgim. Sa u përket klubeve unë shpreha disa ide si këto:
– se ne që kemi rënë më shumë në sy me aktivitete të mos dukemi fare nëpër klube,
– t’u sugjerojmë bashkatdhetarëve të shkojnë në të gjitha klubet pa marrë parasysh se kush është në udhëheqjen e tyre,
– që në aktivitetin tonë të orientohemi për të hapur sa më shumë klube, por pasi në to mund të hyj kush të dojë të respektohen rigorozisht simbolet e RSFJ dhe të ndiqet një politikë e tillë që të mos rrezikojmë punëtorë.
Të gjitha këto pikëpamje të miat u aprovuan, me përjashtim të pikës që ne të rënët në sy, të mos dukemi nëpër klube. Këtë pikë e kundërshtuan Uka (Xhafer Shatri) e Ibrahimi.” (Letër e mbyllur 5-6 shokëve më të afërt në Shtutgart në 12 faqe A4, faqe 3-4)
13. Xhafer Durmishi: Tubimi i 7 prillit 1984 në Düsseldorf
Kurrë në jetën e tyre e as në prill të vitit 1984, Xhavit Ramabaja, Milaim Zeka e Musa Dakaj nga Korisha, Zymer Kryeziu, Fazli Memaj nga Korisha nuk kanë qenë sejmen të Skenderit të Shtutgartit.
Për datën 7 prill 1984, Ibrahim Kelmendi mori iniciativën për organizimin e një mbrëmje në Düsseldorf, si shënim i përvjetorit të demonstratave në Kosovë, por që formalisht do të paraqitej para publikut si tubim për shënimin e një përvjetori të klubit Emin Duraku. Këtu kemi pra taktikën e tij të kundërt me timen, luftën për implikimin e përzierjen sa më të madhe të klubit me Lëvizjen dhe organizimet politike. Unë, nga Parisi, kontaktova me Faridinin dhe e shkruam thirrjen për Këshillin Drejtues të Punës, të Bashkësisë së klubeve, për ditën e nesërme pra për datën 8 prill.
Këtu për lexuesit e këtij punimi po i jap disa shënime plotësuese që m’i ka treguar me kujdes Milaimi disa herë në Suedi. M. Zeka, nga fshati Obri, ishte arratisur së pari në Austri. Pastaj në vjeshtën e vitit 1982 ishte gjetur në mesin e rrethit të ngushtë të Hasan Malës dhe Xhafer Shatrit në Zvicër. Në demonstratën e 10 dhjetorit 1982, në Gjenevë, e cila ka qenë demonstrata më e suksesshme gjer atëherë Milaimi ka qenë ai që më së shumti u ka folë demonstruesve përmes megafonit që ia ka dhënë Xhafer Shatri. Arsyeja e kësaj lidhjeje të ngushtë të Xhafer Shatrit e Hasan Malës me Milaimin ishte se ai e konsideronte veten anëtarë të OMLK-së, dhe se burri i motrës së tij Fatmir Krasniqi nga fshati Komoran i Komunës së Gllogovcit, në aktakuzën e datës 25 maj 1982 kundër Hydajet Hysenit, Jakup Krasniqit, Mehmet Hajrizit, Berat Luzhës, Azem Sylës, (gjithsejtë 19 veta) ishte i akuzuari me numrin rendor 14 dhe është dënuar me ta. Më heret kam shkrua se si pas demonstratës së Shtutgartit të janarit (1983), Hasan Mala dhe Xhafer Shatri e sjellin Milaimin në Shtutgart (Sindelfingen) për punë minuese dhe për shkatërrimin e ndikimit tim, të Haxhi Berishës e të tjerëve në rrethin e Shtutgartit. Pas një qëndrimi të tij në Sindelfingen, Milaimi gjendet në Düsseldorf, në pranverë 1983. Në prill 1983, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve e bënë turneun e vetë nëpër Gjermani, turne e cila ishte organizuar nga Engjëll Kolaneci, diplomat në Ambasadën Shqiptare në Vjenë. Pas një koncerti në Gjermaninë veriore, Milaimi e blen një tubë të mirë me lule për Enver Hoxhën dhe ia jep përfaqësuesve të Ansamblit në skenë dhe ky gjest me mjeshtëri propagandistike videofilmohet për t’u shfaqur më vonë në televizionin shqiptar, (dhe nëpër një videokasetë që u shpërnda për shitje, nëpër Evropë), se si i shkojnë karanfilat Enver Hoxhës prej të rinjve kosovarë. Kjo ngjarje e karanfilave nuk është primare në këtë shtjellim, por më interesant janë disa ngjarje që pasojnë. Talentin për propagandë të Milaimit, përveç Xhafer Shatrit e heton edhe Engjëll Kolaneci i cili e organizon shkuarjen e tij në Shqipëri në pranverën e vitit 1983 (PARADA e 1 MAJIT 1983). Në Shqipëri, Milaimi qëndron dy-tre muaj ditë, dhe kohën më me rëndësi e kalon me Ajet Haxhiun. Ajeti me qëndrimin dhe përvojën e tij, e përgatitë mirë dhe i jep argumente të bollshme ideore për ta kthyer në luftë kundër Xhafer Shatrit.
Xhafer Durmishi: “Në takimin e fundit u diskutua edhe përpilimi i Programit Politik të LRSHJ me rastin e njëvjetorit të formimit. Deri më sot, kur jam duke e shkruar këtë letër, për diçka më shumë në këtë drejtim nuk jam i informuar. Poashtu mendoj që përmes letrash të vendoset se kush do ta bëjë një projektprogram i cili në rrethet e ngushta duhet të lëshohet në diskutim së bashku me projektstatutin. Përndryshe çdo hap tjetër në këtë drejtim është joserioz dhe mund të ketë pasoja të këqija.” (Letër Qendrës Ekzekutive, 4 maj 1983) |
Këtë, Ajeti e bënë duke ia analizuar e zbërthyer fjalë për fjalë të gjitha frazat që Xhafer Shatri i kishte shkruar në Zërin e Kosovës, gjatë vitit 1983, e sidomos të njëfarë programi të tij. Ajeti shkon deri në atë masë sa i thotë Milaimit: “Nëqoftëse patjetër do me veprua për Kosovën, dhe ta zëmë se nuk të kanë mbetur shumë mundësi me zgjedhë, atëherë Kosova ka me të llogaritë ma patriotë e ma bir të ndershëm nëse bashkohesh në fund të fundit edhe me UDB-në e LKJ-së revizioniste se sa me Xhafer Shatrin.”
Gjatë gjithë kësaj kohe, unë nuk di asgjë për këtë punë, pasi nuk kam pasur mundësi si t’i marrë vesh këto rrjedha. Sidoqoftë, me përkrahjen e diplomatëve shqiptarë e të Ajet Haxhiut, Milaimi gjatë muajve të parë të vitit 1984 është shokë i pandarë me Fazli Memajn nga fshati Korishë afër Prizrenit, dhe këta dy qëndrojnë shumë tek bashkëfshatarët e Fazliut në rrethin e Bilefeldit dhe në Düsseldorf. Në Düsseldorf, apo thënë më saktësisht afër Düsseldorfit, qëndrojnë më së shumti tek Musa Daka, nga Korisha, i cili ka banua në Duisburg. Musa Daka ka qenë aktivist i dalluar në klubin Emin Duraku të Düsseldorfit.
Gjatë vjeshtës 1983 si organizator dhe ideator i Bashkësisë së klubeve shqiptare në Evropë e kam takuar Musa Dakën në shtëpinë e tij në Duisburg. Arsyeja se e kam takuar Musën ka qenë në radhë të parë pasi ai ka qenë aktivist i dalluar. Shkak tjetër ka qenë edhe fakti se përkundër asaj se isha caktuar nga Lëvizja të merresha me klubet, kjo punë në praktik minohej e më bëhej e pamundur nga I. Kelmendi e Xhafer Shatri për shkak të urrejtjes që kishin ndaj meje qysh nga 15 marsi apo 15 maji i vitit 1982. Por jo vetëm Musën e kam takuar në banesën e tij, pasi në banesat e tyre kam shkuar edhe te shumë aktivist tjerë si në Düsseldorf ashtu edhe në qytete tjera, pasi ideja ime themelore në këtë punë ka qenë që në klube të dukem fizikisht sa më pak apo aspak.
Milaimi ka shkuar vazhdimisht në klub me Musën, dhe në klub me aftësitë dhe memorien e tij, i ka përsëritur vazhdimisht të gjitha argumentet që ia kishte mësuar Ajet Haxhiu në Tiranë, kuptohet se Milaimi nuk i ka thënë të gjitha fjalët deri në fund se çka i ka thënë Ajeti. Gjithashtu Milaimin, sa ka qëndruar tek Musa Daka e kanë vizituar dhe përkrahur diplomatët shqiptarë të Vjenës.
Në këtë situatë e në këto rrethana, pos tjerash, është organizuar mbrëmja e 7 prillit 1984 në Düsseldorf.
Për të marrë pjesë në këtë mbrëmje jam nisur nga Parisi për në Düsseldorf, kur do të takohesha me Faridinin për të diskutuar përgatitjen e mbledhjes për udhëheqjen e Bashkësisë së klubeve. Edhe pse kisha marrë leje qëndrimi në Francë, pasaporta nuk më ishte lëshuar andaj një shok NN në Paris ma ka dhënë një pasaportë të Kosovës, të një kushëriri të tij, i cili kishte emigruar në Kanada e e kishte lënë pasaportën tek ai.
Në mbrëmjen e 7 prillit erdhi një numër i madh bashkatdhetarësh nga Shtutgarti. Unë nuk i njihja mirë rrethanat e krijuara dhe krejtësisht seriozitetin e tehut të propagandës së Milaimit. Rrethanat e asaj mbrëmje në një mënyrë i ka përshkruar Faridin Tafallari në librin “Terror, dhimbje, qëndresë” (1997). Në një formë krejtësisht tjetër i ka përshkruar Ibrahim Kelmendi në librin Atentatet, ku Milaim Zekën dhe Musa Dakën mundohet me i paraqitë si ‘sejmen’ të mi (Xhafer Durmishit). Në atë mbrëmje qe formuar një komision që do të merrej me atë se kush mundet me dalë në skenë e me folë e kush nuk mundet. Thelbi i këtij hapi ishte që të mos i jipet fjala Milaimit. Unë nuk isha kurrë për atë që me çdo çmim t’i jipet fjala Milaimit. Por kur shumica në komision ishin që kurrsesi të mos i jipet fjala, unë me atë rast e kam përdorë shprehjen banditizëm. E pranoj se është shprehje e gabueshme dhe unë nuk është dashtë me e përdorë këtë fjalë. Por kjo fjalë ka qenë si me thënë një shprehje në tërheqje e sipër, pra një shfryrje për faktin se Milaimit nuk do t’i jepej fjala.
Pas largimit tim prej tavolinës së komisionit të asaj mbrëmjeje, e ka marrë Musa Daka, Milaimin dhe e ka përcjellë në skenë deri tek mikrofoni. Sa ia ka nisë me folë Milaimi, Sylë Nuha, një shokë e shofer i afërm i Ibrahim Kelmendit i shkëputë telin (përçuesin) e mikrofonit prej altoparlantëve (megafonave, apo zmadhuesve të zërit). Këto skena nuk i kam pa nga afër por po tregoj ashtu si m’i kanë përshkruar më pas. Musa Daka mundohet me e pengua Sylë Nuhën në hapin e tij, por nuk ka sukses. Atëherë Musa e paska therë thikë në një mënyrë apo tjetër Sylën dhe një tjetër. Syla, në gjendjen e vetë menjëherë është largua dhe ka shkua tek Ibrahimi me i tregua se çka ka ndodhë. Kjo mbrëmje përbën një nga ngjarjet më të zymta që kam pasur rastin ta përjetoi.
Kundër Milaimit, këtij anëtari të hershëm të OMLK-së në fillim të vitit 1984 kanë luftuar Xhafer Shatri dhe Ibrahim Kelmendi duke u munduar me çdo çmim t’ia mbytin zërin e të mos e lejojnë të flas në tubime publike, duke ia shkëputur kabllat e mikrofonave prej altoparlantëve në sytë e të gjithë bashkatdhetarëve. Është fatkeqësi ajo që ka ndodhë në mbrëmjen e 7 prillit 1984 në Dyseldorf.
Është fatkeqësi e imja pse unë me u gjetë në atë mbrëmje, dhe lejua veten të implikohem në luftën e Xhafer Shatrit e Ibrahim Kelmendit kundër njëri tjetrit e kundër të tjerëve, sidomos kur dihet se kam kërkuar dorëheqje nga Lëvizja, nga Qendra Ekzekutive, në korrik 1983 dhe në këtë kuptim mund të them se është faji i Hasan Malës dhe Faridin Tafallarit që nuk jam lejuar të largohem.
Unë atë natë u ktheva me një shokë në një qytet afër kufirit me Francën, pastaj vazhdova për në Paris. Nga libri i Faridinit (më 1997) kam marrë vesh se është bërë një tubim të nesërmen në klubin Emin Duraku dhe fajin kryesor për atë mbrëmje, një grup së bashku me Muhamet Kelmendin, Hyzri Rekën e Faridin Tafallarin, na e kanë lënë mua, Xhavit Ramabajës, Milaim Zekës dhe tre vetave tjerë.
Në ditët në vazhdim nuk kam bërë asnjë hap të vetëm apo ndonjë veprim të veçantë, përveç disa bisedave telefonike që i bëja me Faridinin dhe Haxhi Berishën. Faridini më thirrte në telefonin e Ibush Bytyçit në Paris. Në këtë kohë Faridini kishte kontakte të mira me Xhafer Shatrin, dhe në përçarjen e shkaktuar nga Sabriu në nëntor 1983, Faridini në fillim mendonte se Xhafer Shatri është më i drejtë, se e ka më drejtë.
Shtrohet pyetja se si kanë rrjedhë gjërat disa vjet më vonë. A ka ndonjë provë historike, ndonjë projekt historik që pikërisht Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi të kenë nevojë për mikrofonat, kabllot, altoparlantët e teknikën elektrike e elektronike pikërisht të Milaim Zekës?
Xhafer Durmishi nuk merr pjesë në demonstratë dhe në mbledhjen e Qendrës Ekzekutive më 14 prill 1984 në Bern, megjithëse rendi e ka dashtë të merr pjesë në demonstratë dhe në mbledhje
I. Kelmendi: “Fundjavës vijuese Lëvizja organizoi demonstratë në Bernë. Pas demonstrate u bë edhe mbledhja e QE-së. Në demonstratë dhe në mbledhje nuk morën pjesë Sadriu, Xhafari dhe sejmenët e tyre. Në vend që të merrte pjesë në demonstratë dhe mbledhje, Xhafari shkroi një letër publike prej 12 faqesh dhe ua drejtoi shokëve të Stuttgaritit me rrethinë.” (Atentatet, f.461)
Unë nuk kam qenë i informuar dhe as i thirrur në ndonjë mbledhje të Qendrës Ekzekutive, nga asnjë anëtar i saj, as gojarisht e as me shkrim, e as që e kam ditë se do të bëhet demonstratë në Bern. QE, pas demonstratës së 3 marsit 1984 në Gjenevë nuk ka ekzistua. Letra ime prej 12 faqesh nuk ka qenë publike por i është dërguar vetëm 5-6 shokëve më të dalluar në Shtutgart e rrethinë të cilët kanë qenë në njohuri të rrjedhave themelore të ngjarjeve nga viti 1980 e më tej. Xhafer Shatri pa I. Kelmendin, është angazhuar ta bëjë një takim në të cilin unë, sipas bujarisë së Xhafer Shatrit, do të kisha shansin për t’u mbrojtë prej akuzave. Këto ftesa m’i ka bërë gojarisht përmes Faridin Tafallarit, në telefonin e Ibush e Sadije Bytyçit në Paris. Kur i kam thënë se çdo ftesë e çdo gjë në këtë pikë dua ta kem me shkrim dhe kërkoj që në takim të jetë edhe I. Kelmendi, Xhafer Shatri nuk donte të përgjigjej.
II. Teknika e ngjitjes së mikrofonave
14. Filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?” i vitit 1997
Express: Pa rrotullat e Milaimit
E Diel, 01-02-2009, 04:45pm (GMT+1) www.zemrashqiptare.net
Milaim Zeka në Gazeta Express. Express: Milaim, emisioni (Pa Rrotlla më 17 janar 2009-shën i Xh. D.) filloi dhe po duket se është mjaft i nxehtë sa i përket temave, komenti i juaj për këtë?
Milaim Zeka: “Paj nëse doni ta kuptoni se sa shoqëri e mjerë jemi ne ballkanasit në përgjithësi, ju lutem gërmoni qoftë edhe sipërfaqësisht ndonjë temë e cila është lakuriq përpara nesh, por që ne i mbyllim sytë. Mos mendoni që vetëm këta primitivcat me petkun e veshur të Usama bin Ladenit me kanë kërcënuar. Reagime ka pasur edhe rreth emisionit të pare ku bëhej fjalë për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Pse e more Sabri Novosellën me thoshte Hysen Gërvalla. Një tjetër me thoshte, po çka deshi aty Adem Dema-Demaçi. Një doktor me thoshte po ku e ka njoftë, Jusufin, Kastriot Haxhirexha. Të gjithë i shikoja si krokodilë të lloçit. Të gjithëve ju thosha edhe po ju them edhe atyre që u munduan të ma diktojnë emisionin tim; “Askush prej jush nuk me keni pyet se çfarë rrobash të trupit me vesh, apo çfarë mobilesh me ble në shtëpi. Sa të jetoj, deri në vdekje, kurrë nuk kam me leju imponime në emisionin tim. Këshilla e sugjerime po, ama imponime jo. Ato kurrë nuk i kam pranuar. Prandaj kam jetuar 18 vite në perëndim pa e pa familjen dhe Kosovën, vetëm pse e kam dashtë mendimin e lirë dhe fjalën e lirë. Sa ju përket reagimeve të disa bastardeve të fesë islame, po edhe të atyre të krishtera, ju them se ata janë shkelës të librave të shenjtë. Mirëpo unë nuk frikësohem, sepse gjyshi im me ka thënë kur kam qenë i vogël, “Zoti ta jep dhe vetëm Zoti ta merr Shpirtin”. (Marrë nga zemrashqiptare.com, më 1 shkurt 2009)
15. Filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?” për Jusufin, Kadriun e Bardhoshin më 1997 dhe disa relacione me mbrëmjen e 7 prillit 1984 në Düsseldorf
Milaim Zeka: “Për mua, figurat qendrore të emigracionit, për çka mund të lexoni edhe në fejton të Rilindjes në vitin 1987 kanë qenë Xhafer Shatri dhe Xhafer Durmishi. Këtu e kemi fjalën pas vrasjes së Jusufit dhe Kadri Zekës. Xhafer Durmishi ka qenë një njeri i mrekullueshëm, por një pjesë e njerëzve që e rrethonin në atë kohë, e nxitnin për disa veprime të pakontrolluara dhe të nxituara.” (Drita, Trelleborg-Suedi, nr.11, 1997, faqe 9) |
Në vitin 1992 ishte 10 vjetori i 17 janarit 1982. Ishte edhe 10 vjetori i formimit të Lëvizjes për Republikë, më 17 shkurt 1982. Lëvizja (LPRK) në Zvicër (Emrush Xhemaili) më kontaktojnë në Suedi, përmes Hajdin Abazit dhe më ftojnë në Zvicër për shënimin e 10 vjetorit të formimit të Lëvizjes. Nuk shkova. Emrushi më tha: A mundesh me na e dërgua një telegram përshëndetës. I thash po, dhe përmes telefaksit, Emrush Xhemailit ia dërgova këtë përshëndetje: ”Me rastin e 10 vjetorit të formimit të Lëvizjes për Republikë uroj që puna juaj të jetë në interes të popullit shqiptar.”
Në janar të vitit 1997, me rastin e pesëmbëdhjetë vjetorit të 17 janarit 1982, përmes televizionit shqiptarë u shfaq filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?” i cili duhet të jetë përgatitur gjatë vitit 1996. Kush ishte sponsor e porositës i këtij filmi? Kush bashkëpunoi gjatë punës me këtë film?
Është interesant si e angazhoji Xhafer Shatri Milaim Zekën dhe mikrofonat e ngjitur e të montuar për mrekulli për altoparlant e kamera televizive, për filmin dokumentar ku një vend të veçantë e kishte Ibrahim Kelmendi, pastaj Hyzri Reka – një ndër aktivistët kryesor të Klubit “Emin Duraku” të Dusseldorfit. A bashkëpunoi në këtë projekt apo a u ftua të marrë pjesë fare në këtë projekt Xhafer Durmishi, nga “sejmeni i tij Milaim Zeka“?
Dhe kulmi i gjithë kësaj del se këta persona, që i kërkuan Milaim Zekës ta merr teknikën më të mirë nga televizioni suedez së bashku me kameramanin Nikolla Majstoroviç, një ndër ustashët më të papërmirësueshëm, a u ra ndërmend gjatë këtij afrimi e bashkëpunimi, pajtimi i Haxhi Begës, i Sylë Nuhës, shkëputësit të kabllove e mikrofonave, me plagën e thikës në trup, me Musa Dakën, të cilit i ka ndodhë kjo fatkeqësi duke u munduar që mikrofoni i Milaim Zekës të mos shkëputet?
Plaga e Sylë Nuhës e Haxhi Begës nga thika e Musa Dakës, fizikisht mund të jetë shëruar. Plaga psikike nga pabesia e udhëheqësve të tyre është më e rëndë. Kjo nuk është asgjë tjetër pos një lloj justifikimi i Musa Dakës që me çdo çmim të kujdeset për kabllot e mikrofonat e Milaim Zekës për të cilët kanë aq shumë nevojë, para të gjithëve vetë Ibrahim Kelmendi e Xhafer Shatri.
Xhafer Shatri ishte ministër i informatave. Për përgatitjet e filmit dokumentar që u shfaq së pari atë vit, nuk kam ditur asgjë dhe as sot nuk i di sendet në hollësi. Por edhe ajo çka di më duket se është interesant. Xhafer Shatri, nuk di sa ka punuar në bashkëpunim me Ibrahim Kelmendin e angazhojnë Milaim Zekën që të merret me anët teknike të mikrofonave, kabllove e altoparlantëve, pikërisht atë Milaim që me çdo çmim kishin luftuar të mos ia japin fjalën e mikrofonat në Düsseldorf më 7 prill 1984, për çka punëtorët ishin therë me thika, në përpjekje për t’ia marrë mikrofonin prej dore. Kështu Milaimi angazhohet në këtë projekt nga ata që i kishin qëndruar afër në fund të 1982 e fillim të 1983.
Këtu nuk po dua të bëjë ndonjë recension të filmit të 1997-shit. As ta komentoj seleksionimin e shokëve të Jusufit. Sikur natyra të mos ma kishte dhënë aftësinë time me u shpreh vetë, me siguri që do të mërzitesha sikur historia ime të mvarej prej bujarisë së Xhafer Shatrit. Ajo çka dua të them është vetëm kjo, se vetëm e vetëm ata që kanë dashtë me ia shkëputë mikrofonat Milaim Zekës më 1984 e kanë angazhuar më 1997. Ky fakt, besoj se është e arsyeshme ta përdori, ma jep të drejtën të them, e vërteton rrethanën, se pesha ime e vërtetë në mbrëmjen e 7 prillit 1984, kur mikrofonat e Milaimit janë shkëputë, në realitet ka qenë e barabartë me peshën time në vitin 1997, kur mikrofonat e Milaimit janë ngjitë. Kjo tregon se unë nuk kam nxitë armiqësi në mes Musa Dakës, Sylë Nuhës e Haxhi Begës. Kjo tregon gjithashtu se unë nuk i kam shitur kurrë këta tre persona e bërë aleanca e pajtesa prapa shpinës së tyre as për llogari të mia dhe as për llogari të kujtdoqoftë.
Më 17 janar 1992, Milaimi e ka udhëheq programin e Radios Suedeze të gjuhës shqipe, dhe në transmetim direkt, pa kurrfarë paralajmërimi paraprak më ka thirrur në shtëpi (në Oskarshamn) në telefon. Unë këtë ditë nuk kam qenë në banesën time (në Oskarshamn, 350 km prej Stockholmi) por kam qenë pikërisht në Stockholm për të përkthyer tek avokati im i dikurshëm Kjell Jönsson. Me këtë deshta të shtoj se me rastin e 10 vjetorit të 17 janarit 1982, me Milaimin nuk kam pasur diçka të organizuar. Edhe kur është bërë një përpjekje e vetme për kontakt, rrethanat janë sjellë në atë mënyrë sa edhe kontakti i rastit nuk është arritur të vendoset. Në këtë rast dua të them se në premierën e programit ‘Pa Rrotlla’ më 17 janar 2009, Milaimi ka deklaruar në televizion se të ftuar në studio kemi qenë edhe unë Xhafer Durmishi, Hafiz Gagica dhe Donika Gërvalla. Për Hafizin e Donikën nuk mund të përgjigjem, sa për mua, puna qëndron kështu: Hafiz Gagica, rreth një muaj ditë pas emitimit të programit më ka tregua se si Milaimi e paska ftuar Hafizin në këtë emision dhe i ka thënë atij për të na e përcjellë përshëndetjen mua dhe Donikës. Fakti mbetet fakt, unë nuk jam njoftuar për kurrfarë ftese në këtë program, para emitimit të tij, as në mënyrë direkte e as indirekte.
(Shkëputur nga libri: XHAFER DURMISHI ”LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS”, Pashtriku, 2012, faqe: 562 – 578)
© Pashtriku.org