DOLI NGA SHTYPI LIBRI ‘PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR’, I AUTORIT FATON MEHMETAJ

Pashtriku.org, 02. 03. 2015 – Këto ditë doli nga shtypi libri ekskluziv “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, i autorit Faton Mehmetaj, botuar nga Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS), Prishtinë. Në këtë libër të veçantë dhe tejet voluminoz, janë përmbledhur mbi 600 figura të shquara – prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë të të gjitha konfesioneve, të krishterë e myslimanë, nga gjithë hapësira shqiptare, të cilët më shumë se për fenë dhanë për atdhenë. Libri i studiuesit Faton Mehmetaj “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, që vjen pas një pune disavjeçare është një ndër projektet më të mëdha për bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare si një vlerë unike e popullit shqiptar dhe njëkohësisht si një vlerë e paçmueshme e mbarë njerëzimit.
Në këtë libër voluminoz, përmblidhen figurat më të shquara të komuniteteve tona fetare që e kultivuan bashkëjetesën, prijës fetarë e shpirtërorë shqiptarë, që njëkohësisht kanë qenë edhe njerëz të shquar të kombit, të dijes, të kulturës, të artit, shkencës, etj., edhe përtej kufijve kombëtarë.
Studiuesi Faton Mehmetaj thekson se, sa më shumë që thellohej në studimin dhe në hulumtimin e bashkëjetesës dhe të tolerancës ndërfetare, haste në figura të shquara ilire-shqiptare, që i takojnë harkut dymijëvjeçar të historisë, shumë prej të cilëve i kanë dhënë shumë jo vetëm popullit të vet, por mbarë njerëzimit, prandaj e pa të nevojshme dhe të arsyeshme që të përfshiheshin në këtë album historik me titull: “Prijës Fetarë dhe Shpirtërorë Shqiptarë – Bashkëjetesa Ndërfetare dhe Kontributi i Tyre Kombëtar”, duke theksuar se ishte i vetëdijshëm se ishte e pamundur që të përfshiheshin të gjithë.

Të gjitha tablot me ngjarje kaq të mëdha të periudhave të ndryshme kohore që nga antikiteti e gjer në ditët tona janë paraqitur në këtë album historik nëpërmjet biografive të mbi 600 figurave të shquara që kanë qenë bartës të këtyre ngjarjeve. Përzgjedhja e kësaj tematike është bërë sepse ka pak studime dhe trajtime të këtij spektri, ku trajtohen prijësit fetarë në një dimension kombëtar pa dallim feje, ku xhamia, kisha, teqeja e luajnë të njëjtin rol në dobi të çështjes kombëtare.
Sipas Mehmetajt, “ky album historik është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një letërnjoftim unikat në botë mbi bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare të popullit shqiptar, është një tablo e historisë sonë e pa trajtuar gjerë më sot nga ky këndvështrim. Biografitë, fotografitë e materialet tjera të paraqitura në këtë libër janë në kontinuitet me njëra-tjetrën dhe përbëjnë tërësinë e tekstit. Kam bërë përpjekje të ndjek vijën kronologjike, ndonëse nuk ka qenë e mundur të ndiqet në të gjitha rastet edhe për shkak të natyrës teknike”.
Sot kur në Kosovë flitet se ka përplasje ndërfetare, me theks të veçantë për ekstremizmin fetar islam, sot kur diskutohen teoritë e përplasjes në mes qytetërimeve, studiuesi Faton Mehmetaj, me këtë libër monumental i bashkon shqiptarët e të gjitha feve rreth një ideali dhe një identiteti kombëtar, ashtu siç kanë qenë vërtetë.
Ky libër i rrallë ka 535 faqe të formatit A4 kolor dhe i tëri është i ilustruar me fotografi të rralla të këtyre prijësve fetarë shqiptarë.
Është një libër që na ka munguar prej kohësh, e që secili duhet ta ketë në bibliotekën e tij! Një libër voluminoz, që duhet t’ia dhuroni çdo miku ndërkombëtar, çdo delegacioni e përfaqësie diplomatike. Një libër që i BASHKON shqiptarët e të gjitha feve!

(Prishtinë, më 31 mars 2015 – Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura