DR. ABDULLA MEHMETI: SHQIPTARËT DHE ÇËSHTJA E EMRIT TË MAQEDONISË

Tetovë, 26 shkurt 2018: Gjatë muajve të fundit janë intensifikuar bisedimet në lidhje me kontestin për emrin e shtetit të Maqedonisë, mes palës maqedonase dhe greke, me ndërmjetësim ndërkombëtar në kuadër të OKB-së, të cilat kanë zgjatur mbi 25 vjet, pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, e cila për shkaqe të ndryshme është njohur me referencë të përkohshme, si ish republikë jugosllave (FYROM). Faktori ndërkombëtar këmbëngul që kjo çështje të mbyllet deri në gjysmën e dytë të këtij viti, me këtë të hapen rrugë që ky shtet të pranohet si anëtar i përhershëm i NATO-s dhe bashkë me pesë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia) t’i fillojnë bisedimet serioze për anëtarësim në BE.
Nga pesë propozimet për emrin e ri të shtetit, palët në bisedime si dhe shtetet tjera fqinje të Maqedonisë i kanë paraqitur vërejtjet dhe shqetësimet e tyre, me këtë edhe faktori shqiptar vendës, i cili së fundi pas një heshtje disavjeçare ka ndërtuar qëndrim UNIK për këtë çështje. Çfarëdo emri i ri i Maqedonisë që nuk do ta reflektojë realitetin etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të këtij shteti, kategorikisht do të jetë i papranueshëm për shqiptarët në Maqedoni, si dhe emri i ri i shtetit të shkruhet në marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e këtij kontesti, në OKB dhe në Kushtetutën e re të shtetit, edhe në gjuhën shqipe, si një nga gjuhët zyrtare në Maqedoni. Për këtë çështje është formuar një Grup intelektualësh shqiptarë me detyrë hartimin e një Memorandumi me argunetet e palës shqiptare, i cili do t’u drejtohet të gjithë faktorëve relevantë të përfshirë në këto bisedime për zgjidhjen e çështjes së emrit të shtetit të Maqedonisë.
1. Çka duhet të dinë qytetarët joshqiptarë në Maqedoni?
Qytetarët e Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, duhet ta kenë për nder dhe të krenohen që emri i shtetit të tyre të përbashkët me shqiptarët të shkruhet edhe në gjuhën shqipe; jo vetëm pse shqiptarët përbëjnë shumicë të konsiderueshme të popullsisë në këtë shtet, për shkak të fqinjësisë së mirë tradicionale mes maqedonasve dhe shqiptarëve vendës, sa për t’i respektuar vlerat demokratike të lirisë dhe barazisë, por edhe për disa arsy të tjera madhore, për çka duhet të mburen edhe ata, sepse:
– gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra jo vetëm në rajon dhe Europë por dhe në botë;
– folësit e gjuhës shqipe janë populli autokton më i vjetër se çdo popull tjetër në këto hapësira;
– gjuha shqipe është gjuhë e një populli të fuqishëm prej mbi 30 milionësh, i cili jeton në disa shtete të rajonit, në shtetet fqinje të Maqedonisë dhe shumë shtete të botës;
– gjuha shqipe bën pjesë në 30 gjuhët e mëdha të botës që nuk rrezikohen nga zhdukja;
– shqiptarët janë i vetmi popull fqinj i maqedonasve që nuk e kanë mohuar dhe rrezikuar asnjëherë qenien kombëtare, identitetin dhe gjuhën e tyre;
– gjuhët janë pasuria më e madhe kulturore e një shteti, të cilat e ndërtojnë imazhin e tij më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Prandaj, Maqedonia me emrin e shtetit edhe në gjuhën shqipe do të jetë shtet më i nderuar në botë dhe do të jetojë më gjatë përballë çdo sfide dhe në çfarëdo rrethanash në të ardhmen.
2. Shqiptarët kanë qenë pellazgë, ilirë, pajonë, maqedonë, epirotë, dardanë dhe dalmatë, përpara se të quheshin arbër (albanë, arvanitas dhe arbëreshë), shqiptarë dhe kosovarë
Nga emri historik i krahinës sonë, i shtetit të sotëm të përbashkët të Maqedonisë, ne shqiptarët nuk mund të heqim dorë përballë kundërshtimeve dhe manireve nacional-shoviniste të pushtetit të sotëm grek, sepse edhe grekët e sotëm mund ta shpjegojnë etimologjinë e këtij emri vetëm përmes gjuhës shqipe, jo përmes gjuhës së tyre të sotme greke dhe gjuhëve sllave! Emadhia-Maqedhonia-Maqedonia (fusha e madhe, rajoni i gjerë, nga Malet e Sharrit deri në brigjet e Detit të Gjerë (Egje), është emër historik i lavdishëm në gjuhën e Lekës së Madh, Shën Konstandinit, Skënderbeut (mbret i Epirit dhe Maqedonisë), i Shën Terezës, që shqiptarët e kanë ruajtur si AMANET I SHENJTË ndër breza dhe do ta ruajnë deri në përjetësi.
3. E drejta historike dhe etnike ua garanton shqiptarëve statusin e popullit shteformues në Maqedoni
Edhe përkundër gjendjes aktuale, të statusit juridik-kushtetues dhe politik aktual të shqiptarëve në Maqedoni, populli shqiptar në këtë shtet nuk duhet të heq dorë me asnjë kusht nga e drejta e tij historike dhe etnike mbi këtë shtet të përbashkët me popujt tjerë, edhe përkundër realitetit të krijuar në bazë të rrethanave të mëvonshme, dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore, kur janë zbatuar shumë marrëveshjeve të hapura dhe të fshehta të aleancave sllave-ortodokse, ruse-serbe-greke dhe turke-tartare, kundër shqiptarëve (për shfarosjen, asimilimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta etnike).
Edhe një shqiptar i vetëm nëse mbetet në Maqedoni, e gëzon të drejtën të jetë shtetformues në këtë shtet, e jo më kaq sa janë shqiptarët sot, mbi 35% e popullsisë së përgjithshme në Maqedoni.
4. Çka duhet të bëjnë sot historianët dhe ekspertët shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare?
Ndër shqiptarët në Maqedoni aktualisht ka mbi 30 doktorë të shkencave të historisë, po aq edhe të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët para se të jenë studiues dhe profesorë, si dhe anëtarë të ndonjë partie politike, janë shqiptarë; prandaj duhet ta ngrenë zërin sipas kompetencave të tyre profesionale-shkencore në mbrojtje të të drejtave kombëtare të mohuara dhe nëpërkëmbura, pa hamendje dhe frikë, meqë sot zhvillohet beteja për të ardhmen e popullit që i takojnë.
Nga zëri i tyre sot duhet të tranden kancelaritë e Evropës dhe botës, mediat e vendit dhe të huaja. Shqiptarët kanë qenë më të organizuar, të përfaqësuar denjësisht dhe të mbrojtur kur janë udhëhequr nga atdhetarë të pashkolluar sa duhet, seç prfaqësohen dhe mbrohen sot kur kanë gjithë këta studiues dhe profesorë të shkolluar, institucione të larta arsimore dhe shkencore!
(25.2.2018)
Harta: shtetet e dikurshme në Gadishullin Ilirik, shek. III-IV para erës sonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura