DR. JAKUP KRASNIQI: DEMOKRACIA NUK NDËRTOHET ME DHUNË POLICORE AS ME ULTIMATUME!

Prishtinë, 27. 01. 2015 – Sot vendi im para opinionit vendor e ndërkombëtar u shfaq me një pamje që s’i duhet askujt në Kosovë, asnjë qytetari e shtetasi të saj. Kjo shëmti që u pa i shkon për shtati vetëm atyre që fillimisht kanë ngulfatur çdo formë demokratike brendapërbrenda subjekteve të tyre, të cilat i sundojnë si despotë. Po t’i lëmë mënjanë qeveritarët arrogantë, t’i drejtohemi edhe një herë drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje! Nëse mund të arsyetohet ultimatumi i së shtunës, në asnjë formë nuk arsyetohet ultimatumi që iu dha policisë për heqjen e barrikadës. Ata nuk duhej të jepnin ultimatumin për heqjen e barrikadave të vendosur nga policia për sigurinë e institucioneve të shtetit.
Me këtë papjekuri tuajën, për të bërë protestë të qetë, për të ndaluar çdo dhunë nga ana e qytetarëve, ua dhatë mundësinë tiranëve që e udhëheqin Kosovën, urdhërdhënësve të tmerrit të sotëm, të paraqiteshin viktima dhe mbrojtës të rendit demokratik që po u ndërtuaka në Kosovë! Kjo nuk është dashur të ndodhë. Askush për bindjet e veta politike apo ideologjike nuk e ka të drejtën t’i futë qytetarët e as rininë tonë në zjarrin e luftës.
Atëherë, kush duhet ta ndalë këtë trend të rrezikshëm për Kosovën?
Mundësia për t’i ndalë këto trende negative konsiston në (pa)mundësinë e organeve drejtuese të LDK-së. Sepse, në frymën e kësaj partie politike, e cila dhunën çlirimtare nuk e ka përdorë asnjëherë ndaj pushtuesit shekullor, ndërsa sot ushtruan dhunë të pakontrollueshme kundër protestuesve paqësorë të Kosovës!

Dhuna e pushtetit dhe ultimatumi i Vetëvendosjes!

A ka zë demokratik, në mesin e “ushtarëve të Ibrahim Rugovës”, i cili do të guxonte t’i thotë Kryeministrit që është edhe kryetar i LDK-së, pa qenë asnjëherë anëtar e veprimtar i saj!
Zoti Kryeministër,
ndale dhunën ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse vendi nuk mund të qeveriset me dhunë policore! Ky vend e këto rrugë gjatë dekadave kanë parë e përjetuar jo pak dhunë, gjak e dhembje. Këtij vendi i duhet demokracia, zhvillimi, progresi.
Përse nga organet drejtuese të LDK-së, nuk kemi asnjë zë “kryengritës”, asnjë zë kundërshtues, asnjë zë protestues, asnjë zë intelektuali (siç e ngriste zërin Dr. Rugova në takimet me intelektualët serbë në Novi-Sad para disa dekadash), atëbotë kur mund të rrezikohej shumë më shumë sesa që mund të rrezikohet sot?
Përse nuk kemi asnjë zë intelektuali, që ky Kryeministër e kryetar i LDK-së, me këto politika despotike nuk mund të qeverisë as me vendin dhe as me LDK-në?
Përse nuk kemi në mesin e kësaj partie “akademikësh” asnjë njeri të thotë qartë: Më mirë të mbesim përjetësisht në opozitë sesa politikën paqësore të ndjekur ndaj armikut shekullor me dekada ta shndërrojmë në politikë dhune e terrori mbi protestuesit shqiptarë?!
Përse po ndodh gjithë ky barrikadim, primitiv e heshtak, me partinë më të vjetër të shqiptarëve në Kosovë?!
Kaq e verbër politikisht, intelektualisht e kombëtarisht na qenka partia e “akademikëve” të Kosovës?
Ku janë zërat e qytetarëve te Kosovës në atë parti politike?
Përse ky konformizëm?
Ku janë zërat e qytetarëve të Kosovës në atë parti politike?
Pse ekziston ajo?
A ekzistojnë aty vetëm për vetën e vet?
Kjo heshtje është sa e frikshme aq edhe e tmerrshme. Ju paqësoret e LDK-së, duhet ta dini se e gjithë përgjegjësia e sotme bie mbi partin tuaj, pasi Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme janë nga radhët e “ushtarëve te Ibrahim Rugovës”?!
Kësaj radhe nuk po merrem me drejtuesit e tjerë te PDK-së.
Përse?
Sepse, pikërisht në këtë parti për më shumë se dhjetë vjet kam luftuar politikisht e me përgjegjësi e moral elementar të një qytetari të Kosovës kundër drejtimit despotik të saj. Kam luftuar brendapërbrenda organeve të saj pa hezituar, derisa ka pasur një frymë debati. Kur humbi debati më se i nevojshëm, e kam ngritur zërin për opinionin e gjerë, jo për të mbrojtur veten time, por më të shenjtën e mundshme: demokracinë! Në organet e saj asnjëherë nuk pati ndonjë kërkesë elementare për debat, për problemet që kam shtruar në vazhdimësi. Kjo dhe jo vetëm kjo më ka bindur se në atë parti nuk ka mbetur asnjë zë i arsyeshëm. Prandaj nga ato organe (u thënçin organe “drejtuese”!), të cilat as nuk kishin as nuk kanë zë për asgjë, nuk ia vlen të them asnjë fjalë! Zoti ua lasht pak bukë n’gojë, trimoshëve të luftës e të burgjeve të djeshëm?!
***
Konferenca e organizuar për medie nga Kryeministri e Zëvendëskryeministri për mua është më shumë se tmerruese. Ajo flet shumë për nivelin e tyre njerëzor, politik, intelektual e kombëtar! Deklarimet e Kryeministrave në Konferencën në fjalë, ishin deklarime korbash mbi prenë!!! Këta trimosh, tërë impotencën për të kundërshtuar Vuçiqin dhe njeriun e tij dhe për të mbrojtur Trepçën, tërë vrerin e derdhën mbi qytetarët e Kosovës dhe kundërshtarët e imagjinuar politik?!
Gjendja e krijuar sot, pamjet tmerruese që u shfaqën, shtrojnë domosdoshmërisht nevojën e riorganizimit të opozitës për t’i menaxhuar si duhet protestat që vetë i thërret dhe i organizon, pasi opozita nuk është në luftë me policinë, por është në luftë për të rivendosur demokracinë dhe jetën demokratike në institucione. Demokracia nuk mund të rivendoset as me polici në njërën anë e as me ultimatume në anën tjetër. Protesta duhet të jetë më shumë se e kontrollueshme nga organizatori. Sot nuk ishte e tillë.
Të përfundoj,
përkrahja apo mbështetja e terrorit të sotshëm mbi qytetarët është krim, sido që mund të arsyetohet nga urdhërdhënësit e sotshëm që u treguan plotë energji për të urdhëruar ushtrimin e dhunës mbi shqiptarët!

……………………………………………….

Pamje ekskluzive në momentin kur ka eskaluar protesta e sotme!

Pamje shokuese ku policët rrahin me shqelma protestuesit

Polici Godet Albin Kurtin!

Protesta: Jabllanoviq jasht!Trepça është e jona!………………………………………………

(Ilustimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura