Buchs – St.Gallen, 08. 01. 2016: Me rastin e ndërrimit të moteve, gjatë kam menduar se cilët janë më meritorët? – Ata të cilët me punën, angazhimin dhe qëndrimin e tyre janë ndër shembujt më të mirë në botën shqiptare. Padyshim se gjatë vitit 2015 do të kisha veçuar qindra fëmijë shqiptarë, të cilët në kuadër të shkollës shqipe mësojnë dhe ruajnë gjuhën e tyre amtare. Merita dhe respekti ju takon atyre. Gëzuar!
Si zakonisht, me rastin e ndërrimit të moteve njerëzit përkujtojnë, atë që kaloi gjatë vitit, meritat, sukseset, por edhe dështimet. Në shtypin e përditshëm por edhe atë pompoz elektronik lexojmë nga dita në ditë, nga ora në orë lajme nga më të ndryshmet: intervista politikanësh të dështuar, lajme të lyera me ngjyra inekzistente, intervista të porositura, lavde dhe himne ndaj të të ashtuquajturve VIP-a, foto dhe një varg fjalësh banale të femrave keq të veshura apo shkurt të zhveshura, konferenca shtypi, koktej apo edhe takime të kurdisura qëllimisht për të thënë diçka, me rastin e fundvitit. Fundviti është bërë datë që plasohet një pamje në mes reales dhe joreales, nganjëherë e zbukuruar së tepërmi, e ngarkuar me figura të ndryshme letrare dhe joletrare ku dominon hiperboli. Por, në këtë rrëmujë shumë pak por të mos thënë aspak nuk përfaqësohen ata që bëjnë një punë të shkëlqyeshme në shërbim të identiteti kombëtar dhe në përgjithësi në shërbim të gjuhës apo atdheut. E këta janë fëmijët shqiptarë, që lindin larg atdheut, në vend të huaj dhe me ndihmën e prindërve të tyre mundohen me çdo kusht të ruajnë gjuhën dhe kulturën kombëtare. Në jetën shqiptare shumë gjëra për të mos thënë të gjitha janë materializuar dhe vetëm një shtresë e mërgimtarëve shqiptarë, të shpërndarë në katër anët e botës ka mbetur në mesin e idealistëve të rrallë të popullit shqiptar, ata të cilët së bashku me familjet e tyre, mundohen të punojnë dhe jetojnë nën frymën e Rilindjes Kombëtare, ata të cilët me shpirt nëpër dhëmbë ruajnë gjuhën e të parëve – gjuhën shqipe.
Vaxhid Sejdiu – mësues i shkollës shqipe.
Në kohën e internetit, ku shumë gjëra të mbuluara nga pakujdesia, nga padrejtësia janë shkundur nga pluhuri i kohës dhe kanë zënë vendin e vet, edhe gjuha shqipe ka filluar të çaj tokën djerrë të Gadishullit Ilirik dhe më gjerë për të dëshmuar ekzistencën, pasurinë dhe vlerën e saj. I madh është numri i shqiptarëve që kësaj gjuhe jashtë dhe brenda trojeve shqiptare ia kanë kthyer shpinën, e bastardojnë. I dukshëm është numri i shqiptarëve, të cilët nuk e dinë edhe vetë se për ç`arsye gjuhën e tyre amtare e zëvendësojnë me një gjuhë tjetër qoftë edhe ajo e vendit ku përkohësisht punojnë dhe jetojnë. Por, përballë gjithë kësaj është një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare që jeton larg vendlindjes, të cilët me kujdes dhe përkushtim e ruajnë gjuhën e nënës, dhe fëmijët e tyre i orientojnë në ruajtjen e saj. Gjuha shqipe është si drita e syve, ai i cili nuk e di gjuhën e amtare, i mungon edukimi dhe shpirti i saj, frymëmarrja atërore… Kohëve të fundit gjithnjë e më tepër njerëzit shërbehen me fjalët e huaja mbi fjalët shqipe duke treguar se gjoja ata janë…, ata janë…, por në fakt brenda gjithë asaj rrëmuje gjuhësore identifikohet edhe një rrëmujë kulturore, edhe një rrëmujë njerëzore, që përkufizon një hapësirë të zbrazët, të mbuluar me të shëmtuarën si dukuri estetike. Dhe , në këto dallgë që përplasen pamëshirshëm me gjeneratën e dytë të mërgatës shqiptare, brenda së cilës ekziston një degë e fortë që nuk dorëzohet, që reagon, bënë përpjekje mbinjerëzore për të ruajtur gjërat më të shtrenjtë në jetë, të identifikuara si shenjat kombëtare. Gjuha, është ajo që dëshmon në pamjen e parë, sa po të hapësh gojën identitetin. Kot mund të thuash se quhesh Kastriot, Flamur, Kosovare, Shqipe, Shqiponjë, Berat, Dibran, Teuta etj., apo të thuash se jam shqiptarë dhe pastaj të vazhdosh të flasësh në gjuhë të huaj. Baballarët tanë me shekuj e kanë ruajtur këtë gjuhë me të cilën kanë identifikuar veten dhe trojet shqiptare. Prandaj, deshëm apo nuk deshëm, na pëlqen apo nuk na pëlqen, gjuha shqipe- gjuha e nënës është identiteti ynë. Ajo është shenja e parë dhe dëshmia e parë reale e asaj që themi “jam shqiptar”.
Prandaj, këta fëmijë që me përkushtim mësojnë gjuhën e nënës në mësimin plotësues në shkollat shqipe në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Greqi, ShBA-të, Angli etj., meritojnë një vëmendje të veçantë, një mbështetje gjithëkombëtare, sepse ata janë më meritorët. Ata vijojnë mësimin pas mësimit të rregullt në shkollat e vendit, apo të mërkurave pasdite, të shtunave, kur fëmijët e tjerë e kanë të lirë. Ata krenohen me gjuhën shqipe dhe me ndihmën e mësuesve dhe prindërve përpiqen ta ruajnë gjuhën e të parëve të tyre. Dhe në këtë rrugëtim të gjatë, të gjithë prindërit shqiptarë, pa marrë parasysh se ku jetojnë, detyrimisht duhet ndryshe të reflektojnë, që të përkujdesen dhe të angazhohen që fëmijët e tyre të jenë së bashku me më meritorët. Me ata të cilët ulen në bankat shkollore, nëpër qendrat e ndryshme të qyteteve të botës dhe e mësojnë gjuhën e nënës. Këta fëmijë dhe prindërit e tyre përbëjnë medaljen e artë në rrethin e medaljeve të përpjekjeve mbarë shqiptare, përballë qindra e qindra fëmijëve shqiptarë të cilët në mes veti apo me prindërit e tyre flasin në gjuhë të huaj , apo e flasin një gjuhë të përzier me gjuhën e vendit. Secila gjuhë e ka rëndësinë dhe vendin e vet, por çdo njeri pa gjuhën e nënës është larg asaj që duhet të jetë.
Dhe fare në fund, për ta ilustruar këtë shkrim për nxënësit e shkollave shqipe kam zgjedhur një fotografi të shkollës shqipe të Buchsit në Kantonin e St. Gallenit, në Zvicër, ku unë jap mësim, duke ju dëshiruar këtyre dhe të gjithë të tjerëve Gëzuar Vitin e Ri 2016, shëndet dhe suksese në mësim. Si dhe duke ju bërë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë shqipe, sepse fëmijët e tyre pa këtë gjuhë janë analfabet në gjuhën amtare.
Vaxhid Sejdiu – mësues i shkollës shqipe,së bashku me nxënësit e shkollës shqipe të Buchsit – Kantoni i St. Gallenit.