DR.ABDULLA MEHMETI: BARAZIA KULTURORE DHE GJUHËSORE NUK ËSHTË BARAZI POLITIKE

Tetova, 13 korrik 2017: Statusi i gjuhëve zyrtare, ose i gjuhëve në përdorim zyrtar në një shtet, definohet në bazë të statusit juridik-kushtetues dhe politik të pupullit që e flet atë gjuhë.
Pa barazi të plotë politike (status të popullit shtetformues) nuk mund të ketë barazi të plotë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoni, me këtë, as status të gjuhës zyrtare për gjuhën shqipe, e barabartë me gjuhën maqedonase në këtë shtet.
Të drejtat e një populli, ose pakice kombëtare, burojnë nga statusi juridik-kushtetues dhe politik i tij (i përcaktuar me kushtetutë), jo nga statusi (përdorimi sipas ligjit) i gjuhës që e flet ai popull, ose pakicë kombëtare në një shtet.*)
Sipas bindjeve dhe ideve që përhapin disa politikanë dhe analistë në Maqedoni në lidhje me çështjen e gjuhës shqipe, avancimin e statusit të saj në gjuhë zyrtare në tërë territorin e shtetit, duke marrë për analogji modelin e gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës, këta politikanë dhe analistë pa dashur i japin prioritet të panevojshëm çështjes së gjuhës, para zgjidhjes së statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në Maqedoni, avancimin nga statusi i pakicës kombëtare në popull shtetformues (konstituiv). Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta, pas definimit të qartë të statusit politik, çështja e të drejtave kulturore dhe definimi i statusit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare mund të zgjidhet më lehtë, më qartë dhe më drejtë.

Kjo është arsyeja kryesore pse organet e pushtetit në Maqedoni, me pëlqimin edhe të partnerëve shqiptarë në qeveri, duan që këtë çështje t’ia drejtojnë Komisionit të Venedikut, i cili prej tani e tutje do të merret me çështjen e gjuhës shqipe, pasi Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që pasi ta përgatit propozimligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, të gjuhëve që flasin mbi 20% e qytetarëve, jo ligj të veçantë për përdorimin (zyrtarizimin) e gjuhën shqipe, të cilin do ta dorëzojë për konsultime në Komisionin e Venedikut. Ky komision, si institucion këshillëdhënës, sigurisht do ta merr parasysh gjendjen faktike, sipas përcaktimit kushtetues të statusit aktual të shqiptarëve në Maqedoni, si pakicë kombëtare, dhe konform me këtë do të sugjerojë respektimin e standardeve ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave kombëtare.
Ky komision, eventualisht mund të sugjerojë zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në disa institucione dhe segmente të administratës shtetërore dhe në nivel të pushtetit lokal, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, por jo edhe avancimin e statusit të gjuhës shqipe në gjuhë zyrtere në nivel të shtetit, e barabartë me gjuhën maqedonase, siç është rasti me gjuhën e pakicës serbe në Republikën e Kosovës, statusi i së cilës është përcaktuar jo sipas standardeve ndërkombëtare, por sipas specifikave vendëse dhe si rrejedhojë e disa marrëveshjeve politike mes palës shqiptare dhe serbe, me ndërmjetësim ndërkombëtar, para sjelljes së Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

*) Çështja e gjuhëve, statusi dhe përdorimi i tyre, bëjnë pjesë në të drejtat kulturore të popujve, përkatësisht të pakicave kombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura