DR.ABDULLA MEHMETI: TË KRIJOHEN FORCAT E SIGURISË KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

Tetovë, 16. 10. 2016: Prej shumë vitesh, ekspertë për të drejtat e njeriut, studiues dhe analistë të shumtë e kanë konstatuar gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni si tepër të rëndë; mungesën e vazhdueshme të kujdesit të shtetit ndaj tyre, diskriminimin e hapur nga organet e pushtetit dhe ndërmarrjen e shpeshtë të ekspeditave policore-ushtarake, krijimin e proceseve të montuara politike dhe sajimin e aferave të ndryshme, të cilat nuk mund të ndodhin në asnjë shtet normal.
Organet e pushtetit dhe sidomos ato të sigurimit shtetëror, të cilat shumë herë është dëshmuar në të kaluarën e afërt se janë shndërruar në instrumente në duart e disa qarqeve të caktuara politike të vendit. Të shpresojmë se të gjitha këto procese të montuara dhe ekspedita ndëshkuese ndaj shqiptarëve janë ndërmarrë jashtë kontrollit të Parlamentit të këtij shteti, përndryshe skandali do të ishte edhe më i madh, kur dihet se në këto institucione kanë marrë pjesë vazhdimisht edhe përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Që nga vitet e para të pavarësimit të Maqedonisë, më 1991, shqiptarët menjëherë filluan të ndëshkohen në mënyrën më brutale nga organet represive të pushtetit, shpeshherë të ndihmuara edhe nga Serbia fqinje, që krijonin përshtypjen se shqiptarët nuk paraqesin asgjë më tepër në këtë shtet, përveçse taksapagues, makineri votuese dhe poligon për eksperimente të llojeve më çnjerëzore.
Nga një distancë kohore prej disa vitesh, sipas të gjitha analizave, nuk ka pasur asnjë rast të intervenimit brutal nga njësitë speciale të policisë dhe ushtrisë së këtij vendi mbi shqiptarët dhe vendbanimet e tyre, i cili nuk ka mundur të parandalohet, ose të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut demokratik e konstruktiv. Disa nga këto raste kanë qenë raste të thjeshta, të cilat kanë mundur lehtë të trajtohen edhe nga organet gjyqësore të vendit, ose në rastet më të rënda nga organet ndërkombëtare të drejtësisë, pa pasur nevojë për ndërhyrje brutale të policisë dhe ushtrisë, ngritjen e tensioneve dhe krijimin e konflikteve ndëretnike.

Në vazhdim do t’i paraqesim disa nga rastet më të rënda të intervenimit brutal nga organet e pushtetit dhe ekspeditat ndëshkuese policore e ushtarake kundër shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre, me qëllim të krijimit të pasqyrës sa më reale për arsyetimin e nevojës për krijimin e Forcave të Sigurisë Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.
Në vazhdim, të paraqitura në mënyrë kronologjike këto janë rastet më të rënda të cenimit të integritetit fizik dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor të shqiptarëve nga organet policore dhe të sigurisë në Maqedoni:
1. Rasti i Bit Pazarit, me pretekst të tregtisë së palejueshme me cigareve nga qytetarët e papunë, më 1992, ku humbën jetën tre shqiptarë;
2. Rasti i ,,Aferës së e armëve”, me disa të likuiduar dhe të burgosur;
3. Rasti i intervenimit të njësive speciale policore në shkollën fillore të Shipkovicës, për shkak të mbajtjes së administratës dhe evidencës pedagogjike në gjuhën shqipe nga arsimtarët e kësaj shkolle dhe disa shkollave të tjera;
4. Rasti i Gostivarit, për ngritjen e flamurit në objektin e Komunës, me 3 viktima, dhjetëra të plagosur, si dhe burgosjen e udhëheqësve të Komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovës;
5. Rasti i Ladorishtit;
6. Rasti Reçicës së Vogël, në themelimin e Universitetit të Tetovës, me një viktimë, dhjetëra të plagosur e të burgosur;
7. Rasti i Kondovës;
8. Rasti i Sopotit;
9. Rasti i Haraqinës, për vjedhjen e një sasie të madhe të drogës nga trezorët e MPB-së dhe raste të tjera;
10. Rasti i reprezaljeve ndaj qytetarëve, dhunës dhe djegies së pronave të shqiptarëve në komunën Gjorçe Petrov të Shkupit;
11. Rasti i Radishanit, i dhunës së ushtruar mbi familjet e pambrojtura shqiptare, me pretekst të shpërnguljes së tyre;
12. Rasti i Brodecit, me shumë viktima, të plagosur dhe të burgosur;
13. Rasti i Radushës, i likuidimit monstruoz të disa veprimtarëve politik;
14. Rasti i Liqenit të Smilkovcit, i ashtuquajtur ,,Monstra”, të montuar në ditën e festës më të madhe fetare sllave;
15. Rasti i Kumanovë; etj…
***
Shqiptarëve të Maqedonisë këto ekspedita ndëshkuese u kushtuan me qindra jetë njerëzish, të plagosur e të dënuar me mijëra vjet burgje, si dhe me pasoja të rënda materiale e trauma shpirtërore.
Nga rasti i parë deri në të fundit, në një hark kohor prej afër njëzet vjetësh, në asnjë rrethanë nuk është dashur që ato të përfundojnë në mënyrë kaq tragjike, me vrasjen, plagosjen, burgosjen dhe dënimin e shumë shqiptarëve, pa argumente dhe prova të mjaftueshme nga organet e hetuesisë dhe gjykatat e vendit, sikur faktori politik shqiptar të ishte më vigjilent dhe më i përgjegjshëm në parandalimin e këtyre rasteve, si dhe në menaxhimin e situatave të krijuara më vonë.
Janë me dhjetëra raste të këtilla të intervenimit brutal të policisë maqedonase mbi popullatën shqiptare, të cilat nuk kanë pasur asnjë arsye të ndodhin, duke marrë parasysh faktin se pjesëmarrësit e përfshirë në këto raste nuk kanë pasur asnjë mbështetje ose motivim prej ndonjë qendre, subjekti ose lëvizje politike në interes të kauzës shqiptare. Atëherë shtrohet pyetja: Pse u ndërmorën gjithë këto ekspedita ndëshkuese nga policia dhe ushtria maqedonase mbi shqiptarët, kur dihet se partitë politike të shqiptarëve përherë kanë qenë të përfshira në organet e pushtetit, në parlament, qeveri, ministri dhe organe të tjera, të cilat janë të obliguara me kushtetutë dhe ligj t’i zgjidhin të gjitha problemet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes qytetarëve dhe bashkësive etnike, si dhe kontestet e hapura mes qytetarëve dhe organeve të pushtetit.
Me cilën teori politike dhe ushtarake mund të arsyetohet nevoja e shpërthimit të konfliktit të armatosur mes kryengritësve shqiptarë dhe organeve të sigurisë të këtij shteti, siç ndodhi në vitin 2001, kur shqiptarët ishin deklaruar përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për aq sa ishin të tilla, në mbështetje të partive politike të veta, që t’i përfaqësojnë në organet më të larta të pushtetit të këtij vendi?
Me cilën teori politike dhe ushtarake mund të arsyetohet një konflikt i armatosur mes popullatës vendëse shqiptare dhe organeve të sigurisë së shtetit ku edhe shqiptarët ishin të përfaqësuar, përmes partive politike të tyre, në të cilat edhe gjatë këtij konflikti me shkatërrime të mëdha dhe shumë viktima në njerëz, përfaqësuesit e këtyre partive politike, të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe legale, e vazhduan ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të veta në mënyrë të rregullt, të vazhdueshme dhe të papenguar?
Si mund të shpjegohet fakti që, përfaqësuesit kryesorë të partive politike shqiptare të asaj kohe, të bëhen palë në bisedimet për arritjen e marrëveshjeve të mëvonshme për ndërprerjen e konfliktit dhe sigurimin e paqes në vend, pas konfliktit të armatosur, siç ishin Marrëveshja e Prizrenit dhe Marrëveshja kornizë e Ohrit, kur vetë ata ishin pjesë e rëndësishme e këtij pushteti, pjesëmarrës aktiv në Parlament, Qeveri, Ministri të Punëve të Brendshme, Ministri të Mbrojtjes dhe organe të tjera të pushtetit në këtë shtet?
Pa hyrë në analiza më të detajuara për situata dhe raste të veçanta, mund të përfundojmë se, ose shqiptarët nuk janë përfaqësuar asnjëherë në mënyrë të denjë nga politikanët e vet, ose ata kanë qenë plotësisht të kontrolluar nga organet e sigurimit të këtij shteti. Në të kundërtën, do të duhej ta pranojmë se populli shqiptar i këtushëm nuk ka qenë i pjekur politikisht për përballimin e sfidave që ia imponoi periudha e demokracisë! Apo, është në pyetje diçka krejt tjetër, për të cilën dyshojmë edhe ne. Prandaj, këtë analizë do ta përfundoj me konstatimin se, shqiptarët vazhdojnë edhe më tej të trajtohen si ,,element i huaj në këtë shtet”, të cilët në mënyrë të vazhdueshme dyshohen, kontrollohet, ndiqen dhe ndëshkohet, me ndihmën edhe të përfaqësuesve të partive të veta politike, me qëllim të plaçkitjes dhe varfërimit të tyre, kërcënimit dhe frikësimit të vazhdueshëm, asimilimit ose shfarosjes së tyre dhe shpërnguljes në masë nga trojet e veta etnike!
Të gjitha këto forma të shkeljeve brutale të lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive ndaj një popullate paraqesin gjenocid të formës më të vrazhdë, dhe sipas të drejtës ndërkombëtare janë të dënueshme. Prandaj, duhet të ndërmerren masa urgjente kundër këtyre shkeljeve të rënda mbi lirinë dhe të drejtat individuale dhe kolektive të një populli të pambrojtur, të nënshtruar me dhunë dhe të okupuar.
E gjithë kjo na përkujton strategjinë e kamotshme sllave kundër shqiptarëve, zbatimin me përpikëri të elaborateve të hartuara për ,,zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve”, sipas modelit serb, nga ideologët e pansllavizmit, Çubrilloviq, Garashanin, Cvijiq, Andriq, Qosiç e të tjerë, dhe sidomos Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, të frymëzuar nga një qendër më e rëndësishme e kësaj ideologjie jashtë Ballkanit. Nga viti 2001, këtij korri lugetërish shovinistë iu bashkua edhe Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, me idenë për ndarjen e Maqedonisë dhe shkëmbimin e territoreve me Republikën e Shqipërisë, sipas parimeve të po kësaj ideologjie pansllaviste!
Veprimet e sinkronizuara të organeve të pushtetit të këtij vendi në dëm të mirëqenies, rehatisë dhe perspektivës së shqiptarëve në Maqedoni, në dëm të paqes, mirëbesimit dhe respektimit të ndërsjellë mes popujve shumicë që jetojnë në këtë shtet, shqiptarëve dhe maqedonasve, lënë për të dyshuar se këtu diçka patjetër duhet të ndërmerret dhe ndryshohet, në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të tij, duke ndërmarrë masa dhe siguruar mekanizma efikas për tejkalimin e kësaj situate dhe mos përsëritjen e këtyre veprimeve tepër të dëmshme nga qarqet e caktuara politike që nuk ia duan të mirën këtij vendi, të zbatuara nga falangat ndëshkuese të njësive speciale policore dhe ushtarake, të cilat funksionojnë në kuadër të sistemit komandues të organeve të sigurimit të këtij shteti.
Sigurisht se, të gjitha këto ekspedita, afera, procese të montuara politike, vrasje enigmatike, burgosje dhe reprezalje ndaj shqiptarëve, nuk do të mund të realizoheshin pa ndihmën edhe të elementit shqiptar, të cilët në mënyrë të pavetëdijshme, ose si mercenarë të paguar, ose si elemente të sigurimeve të fshehta, jo vetëm të këtij shteti, i shërbejnë verbërisht kësaj politike antishqiptare. Pa e përjashtuar edhe mundësinë e implikimit të sigurimeve të fshehta nga jashtë, të cilat nuk ia duan të mirën këtij vendi dhe aq më pak shqiptarëve.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto, puna e parë dhe më e rëndësishme që duhet të ndërmarrin forcat përparimtare të shqiptarëve në Maqedoni, do të ishte krijimi i një Force të vet të sigurisë kombëtare, legale dhe me mandat ndërkombëtar.
Kjo Forcë nuk do të ishte vetëm pararojë e ruajtjes së interesit të shqiptarëve në këtë shtet, por edhe faktor stabiliteti, paqeje dhe progresi të përgjithshëm në vend. Përmes saj do të kthehej besimi i humbur i shqiptarëve ndaj këtij shteti; do të kursehej energjia e humbur së koti dhe mjetet financiare për sajimin e këtyre aferave të panevojshme, për organizimin e ekspeditave ndëshkuese ushtarake-policore kundër shqiptarëve; nuk do të rrezikohej jeta e shumë të rinjve në radhët e ushtrisë dhe policisë së shtetit, vetëm për arritjen e qëllimeve kriminale të qarqeve të caktuara politike, pa asnjë dobi për shtetin dhe qytetarët e tij.
Baza ligjore, legaliteti, qëllimet dhe detyrat, formati dhe numri i pjesëtarëve të këtyre efektiveve të Forcave të sigurisë kombëtare të shqiptarëve, komandimi dhe kontrolli, si dhe çështje të tjera, duhet të sigurohen përmes dialogut të hapur dhe konstruktiv mes faktorëve politikë në vend dhe faktorit ndërkombëtar, brenda institucione të shtetit dhe kornizave kushtetuese e ligjore.
Mandati për përgatitjen, trajnimin, komandimin dhe kontrollin e kësaj Force duhet t’i besohet një organizmi ndërkombëtar, i thirrur për misione të këtilla, siç është Këshilli i Sigurimit i OKB-së, organizmat e NATO-s dhe Këshilli Evropian.
Në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejohet kontrolli i kësaj Force nga subjektet politike të vendit dhe aq më pak për qëllime politike, fitimprurëse dhe johumane. Kjo Forcë me një efektiv prej disa qindra vetash, do të kishte kryesisht qëllime paqësore, humane dhe rol parandalues ndaj inskenimit të konflikteve.
Këto Forca do të kenë përgjegjësi për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në rajonet dhe vendbanimet me shumicë të popullsisë shqiptare, në bashkëpunim edhe me forcat tjera të sigurisë së shtetit, me qëllim të forcimit të besimin mes qytetarëve dhe njëherësh do të shërbenin edhe për parandalimin dhe menaxhimin e shumë fatkeqësive të tjera dhe situatave me rrezik për jetën e qytetarëve të vendit.
Këto Forca do të kishin mision të qartë dhe do të përdoreshin kryesisht si forca parandaluese të konflikteve, sidomos atyre ndëretnike, si forca shtesë të organeve të sigurisë së shtetit, si dhe për nevojat të tjera emergjente, siç janë vërshimet, zjarret masive, fatkeqësitë nga tërmetet, fatkeqësitë e rënda në komunikacion dhe të ngjashme.
Duke marrë parasysh përvojën e derisotme, kjo Forcë në asnjë mënyrë nuk duhet të paragjykohet si kërcënim, as si tentim për krijimin e organeve paralele të sigurisë së shtetit, por si nevojë e sigurimit të transparencës së munguar deri më tani; në mungesë e përgjegjësisë së shtetit për sigurimin e një sistemi kolektiv të mbrojtjes për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore dhe përkatësie e bindje tjetër.
Nëse përmes kornizave kushtetuese dhe ligjore, për një afat të caktuar kohor prej disa vitesh, do të tejkalohet gjendja e mosbesimit të krijuar dhe do të krijohen kushte më të favorshme për jetë në paqe, siguri dhe prosperitet të nivelit siç e kanë vendet tjera evropiane me popullsi të përzier, do të rishqyrtohej nevoja e ekzistimi të mëtejmë të kësaj Force të sigurisë, duke ia përshtatur fushëveprimin e saj nevojave të kohës.
Nëse shqiptarëve në Maqedoni u garantohet e drejta të marrin pjesë dhe të udhëheqin me organet më të larta të pushtetit: parlamentit, qeverisë, ministrive dhe organeve të tjera me përgjegjësi të lartë shtetërore, pse atëherë të mos u besohet kjo përgjegjësi edhe për krijimin dhe menaxhimi me një Forcë të këtillë të sigurisë kombëtare, sipas specifikave të veçanta etnike të përbërjes së këtij shteti? Për aq më tepër, duke pasur parasysh përvojën e hidhur nga e kaluara, si dhe rrethanat e reja, kur gjithnjë e më shumë kërcënohet siguria e vendit dhe qytetarëve të tij nga krimi i organizuar, kontrabanda, terrorizmi, ekstremizmi dhe fundamentalizmi i të gjitha llojeve, si dhe kërcënime të tjera ndaj qytetarëve dhe vendit, nga brenda dhe jashtë?
Nuk besoj të ketë qytetar maqedonas që do të dëshironte biri i tij të vritej së koti nëpër male, rrugë, sheshe dhe vendbanime ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë, kur atë përgjegjësi duhet ta mbajnë vetë shqiptarët e këtyre vendbanimeve, ku mund të shfaqen rreziqe të këtilla, të cilat janë përditshmëri edhe në vendet tjera të botës.
Në shtetet tjera të dala nga ish federata jugosllave, të cilat kanë pasur probleme të ngjashme, siç është Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, vende me shoqëri shumetnike, këto çështje janë rregulluar me kushtetutë dhe ligje, shumë më ndryshe nga Maqedonia, duke kontribuar kështu për ruajtjen e paqes dhe stabiliteti të këtyre vendeve, ku forcave të sigurisë kombëtare u është kushtuar vëmendje e posaçme përmes organizimit të forcave të sigurisë kombëtare dhe bartjes së përgjegjësive për këto çështje nga secili komunitet veçmas, në mënyrë të përbashkët dhe të veçantë.
Të vetëdijshëm se kornizat ligjore dhe kushtetuese aktuale në Republikën e Maqedonisë nuk mundësojnë një ndërmarrje të këtillë, kjo ide duhet të ndikojë fuqishëm dhe të pranohet për të ardhmen si detyrë me përgjegjësi të lartë shoqërore dhe kombëtare nga subjektet politike të shqiptarëve, për sigurimin e zgjidhjeve të qëndrueshme në dobi të të gjithë qytetarëve dhe hapjen e perspektivave evropiane të vendit përmes integrimeve euroatlantike, në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Tetovë, 7 gusht 2016 – 15 tetor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura