PASHTRIKU: VV – KALLZIM PENAL NDAJ KRYESUESIT TË ASAMBLESË KOMUNALE TË PRIZRENIT, NJAZI KRYEZIU

(Pashtriku.org, 19. 09. 2012) – Sot, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren deponoi kallëzim penal, pranë Prokurorisë Komunale në Prizren, ndaj Nijazi Kryeziut, Kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit, për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Ne konsiderojmë se pas miratimit të Planit Rregullues Urban” për lokacionin “Qendra e Re-2” të qytetit të Prizrenit, Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Nijazi Kryeziu nxjerr një VENDIM tjetër në faqen zyrtare i cili për nga ana teknike është identik me vendimin e miratuar nga Kuvendi, kurse për nga ana përmbajtësore e ndryshon tërësisht vendimin e miratuar, dhe rrjedhimisht ka kryer këto vepra penale:
Neni 339 “Shpërdorim i Detyrës Zyrtare dhe i Autorizimit”, dhe
Neni 348 “Falsifikim i Dokumenteve Zyrtare”
Konsiderojmë se ndërrimi i lokacionit të Projektit “Qendra e Re-2” nga ana e djathtë në të majtë ka qenë i qëllimshëm, me dashje dhe për qëllime të përfitimeve materiale dhe realizimit të marrëveshjeve jo-formale ndërpartiake në Komunën e Prizrenit. – ka deklaruar Kryetari i Lëvizjes VV në Prizren Arbër Rexhaj, në një konfernc për media.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Njazi Kryeziu.

……………………………………….

Më poshtë e keni kallëzimin penal, dhe provat nga konferenca për media lidhur me këtë rast.

______________________________

Prizren, dt. 19/09/2012
Drejtuar: Prokurorit Publik Komunal, Prizren
Qendra Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren, në bazë të Nenit 198, paragrafi 1, dhe Nenit 199, paragrafi 1, të Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale, paraqet përpara Organit Publik të titulluar këtë;

KALLËZIM PENAL

Kundër: Nijazi Kryeziu, Kryesues i Kuvendit Komunal – Prizren
Sepse: Me datë, (nuk ceket dita dhe muaji )…2011, Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor i propozon Komitetit për Politikë dhe Financa në shqyrtim “Projekt-Vendimin mbi miratimin e Planit Rregullues Urban” për lokacionin Qendra e Re-2 të qytetit të Prizrenit.
Më pastaj, Nijazi Kryeziu në cilësinë e kryesuesit të këtij Komiteti (Neni 35, i Statutit të Komunës së Prizrenit) e shqyrtojnë dhe miratojnë Projekt-Vendimin e lartcekur, ku edhe ja paraqesin Kuvendit Komunal për miratim përfundimtarë.
Provë 1:
Projektvendimi për miratimin e Planit Rregullues Urban” për lokacionin “Qendra e Re-të Qytetit të Prizrenit” (konteksti i gjerë hapësinor).
Nijazi Kryeziu, në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit, në bazë të nenit 43, të Ligjit Për Vetëqeverisjen Lokale dhe Nenit 35, të Statutit të Komunës, thërret dhe e kryeson mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës, e cila ishte mbajtur më 20 Maj 2011 ora 10:00.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u diskutuan (9) nëntë pika të Rendit të Ditës, ndër të cilat më e rëndësishmja për qytetarët e qytetit të Prizrenit ishte pika 5, “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për miratimin e Planit Rregullues Urban” për “Qendrën e Re 2 të Qytetit të Prizrenit”. (Lexoni të plotë Procesverbalin nga mbledhja e XI e Kuvendit të Komunës mbajtur më 20 maj 2011 në Sallën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit: http://kk.rks-gov.net/prizren/getattachment/Kuvendi-(1)/Procesverbalet/Procesverbal20052001.pdf.aspx – shën. i pashtriku.org)
Kësisoj, Neni 1 i këtij Projektvendimi përcakton se “Me këtë Vendim bëhet miratimi i Planit Rregullues Urban për lokacionin “Qendra e Re 2 të qytetit të Prizrenit (konteksti i gjerë hapësinorë), investitor i së cilës është KK-Prizren e njëjta e hartuar nga ana e byrosë projektuese SH.P.K. nga Prishtina (hartues i Planit Rregullues Urban) në të cilën lokacion është paraparë ndërtimi mikst (Qendër Administrative) në pajtim me Planin Zhvillimor Urban të qytetit të Prizrenit e njëjta e miratuar nga Kuvendit Komunal – Prizren I dt 16 shtator 2004”.
Tutje, neni 2 i Projektvendimit parasheh se “Plani Rregullues Urban për Qendrën e Re-2 (konteksti i gjerë hapësinorë), përfshinë lokacionin që ndodhet në qendër të qytetit, sipas Planit Zhvillimor Urban dhe përkufizohet përkatësisht shtrihet: në anën e djathë të rrugës Prizren-Zhur duke filluar prej Gjykatës deri te tregu i plaçkave në lagjen Bajram Curri, në Jugë me rrugën “Wiliam Walker, në Lindje me rr. De Rada, në veri, me rr, Zara si dhe me shiritin gjelbërues të rrugës që ndan Zonën Industriale, e që përfshin një sipërfaqe prej 33.60 ha.
Po të njëjtën gjë thekson edhe propozuesi fillestar i këtij projektvendimi Sadik Paqarizi, Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim siç shihet në transkriptin e Mbledhjes Komunale faqe 35, data 20 Maj 2011.
Pas kësaj, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nijazi Kryeziu hedh në votim dhe pas votimit “Për” të 34 Asambleistëve sa ishin prezent në sallë, Projekt-vendimi, shndërrohet në VENDIM, ku edhe hyn fuqi. (Lexoni: VENDIMIN e KK të Prizrenit, Për miratimin e Planit Rregullues Urban për lokacionin Qendra e Re – 2 të qytetit të Prizrenit (konteksti i gjerë hapësinorë) – në mbledhjen e vet të mbajtur më 20 maj 2011:
http://kk.rks-gov.net/prizren/getattachment/70d2ceae-17ac-4f4e-afac-d3bbd3e6b8be/Vendimet-e-dates-20-05-2011.aspx – Shën.i pashtriku.org)
Provë 2:
Projekt-vendimi për miratimin e Planit Rregullues Urban” për lokacionin “Qendra e Re-të Qytetit të Prizrenit” (konteksti i gjerë hapësinor). VENDIM, për miratimin e Planit Rregullues Urban për lokacionin “Qendra e Re-2 të qytetit të Prizrenit (konteksti gjerë hapësinorë) Nr: 01/011-5300, datë 20 maj 2011, Prizren, transkripti i Mbledhjes se Asamblesë Komunale datë 20 maj 2011.
Në ndërkohë, Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Nijazi Kryeziu nxjerr dhe publikon një VENDIM tjetër në faqen zyrtare i cili për nga ana teknike është identik me vendimin e miratuar nga Kuvendi, kurse për nga ana përmbajtësore e ndryshon tërësisht vendimin e miratuar dhe të hyrë fuqi sipas procedurave te parapara nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Për pasojë, vendimi i falsifikuar ndryshon vendimin legal në nenin 2 i cili thekson se “Plani Rregullues Urban për Qendrën e Re- 2 (konteksti i gjerë hapësinorë) përfshinë lokacionin në vijim “Anën e Majtë të rrugës Prizren-Zhur duke filluar prej Hotel Prizrenit deri të tregu i plaçkave në lagjen Bajram Curri, që kufizohet në Jugë me lumin Lumëbardhi, në Lindje me rrugën De Rada, në veri me rrugën Zara si dhe shiritin gjelbërues të rrugës që ndan Zonën Industriale, dhe përfshin një sipërfaqe prej 33.60 ha”.
Provë 3: “Vendimi i Falsifikuar i publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit”
Konsiderojmë se ndërrimi i lokacionit nga ana e djathtë në të majtë ka qenë i qëllimshëm, me dashje dhe për qëllime të përfitimeve materiale dhe realizimit të marrëveshjeve jo-formale ndërpartiake në Komunën e Prizrenit.
Prandaj, nga e gjithë kjo shihet qartë se Nijazi Kryeziu në cilësinë e Kryesuesit të Kuvendit Komunal për interesa personale dhe ndërpartiake ka kryer këto vepra Penale të parapara me Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës, si në vijim;
Neni 339 “Shpërdorim i Detyrës Zyrtare dhe i Autorizimit”, dhe
Neni 348 “Falsifikim i Dokumenteve Zyrtare”.
Andaj, në bazë të Nenit 220, paragrafi 1, të Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës i propozoj Prokurorit Publik Komunal që të filloj hetimin kundër Nijazi Kryeziut, pasi që ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprat penale të lartcekura, duke u mbështetur në provat e paraqitura.

Kallëzuesi:
Qendra e Lëvizjes VETËVENDSOJE! Në Prizren

……………………………………………………..

Prizren, 19.09.2012: Kryetari i VV në Prizren-Arbër Rexhaj, gjatë konferencës me media.

……………………………………………..

PROVAT MATERIALE:

==================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura