DR.AGIM ZOGAJ: VITET E PASLUFTËS DHE DIPLOMACIA E FSHEHTË – Kapitulli i dytë (5)

Prishtinë, 24 prill 2019: Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore shënoi fundin e një prej kapitujve më të errët të historisë së re të kontinentit. Më 7 maj 1945, në Reims, u nënshkrua akti i dorëzimit të Gjermanisë nga feldmarshali Jodl, në emër të Vehrmachtit, dhe nga gjeneral-lejtnant Bedell Smith, në emër të forcave amerikane e britanike. Ky akt, simbolikisht, paralajmëroi një agim të ri në kontinentin e shkatërruar e të dërrmuar tmerrësisht nga humbjet e luftës më të gjatë dhe më shkatërrimtare në historinë moderne. Megjithatë, shpresat e miliona njerëzve të dalë nga lufta e madhe, shumë shpejt, filluan të zbehen për shkak se mosmarrëveshjet dhe divergjencat në radhët e aleatëve fitimtarë të luftës e kishin vënë para sfidave të reja aleancën e kohës së luftës. Në fakt, grindja midis aleatëve kishte filluar qysh në mbarim të luftës. Lufta përfundoi me një vakuum gjeopolitik. “Ekuilibri i forcës ishte prishur dhe një trakt i gjithanshëm paqeje mbeti i papërcaktuar. Tani bota ishte ndarë në dy kampe ideologjike. Periudha e pasluftës do të kthehej në një luftë të zgjatur e të dhimbshme…”.49 Ndarja e botës pasluftës nuk kishte filluar në Jaltë, sepse edhe gjatë luftës kishte pasur fërkime të ndryshme midis Moskës dhe aleatëve Perëndimorë. Realisht, në Konferencën e Jaltës prioritete të Bashkimit Sovjetik dhe ato të SHBA e të Britanisë së Madhe, të cilat ishin shtruar për bisedime të fshehta, ishin të ndryshme.50 Aleanca e luftës po dobësohej deri në prishje. Kjo edhe për faktin se, kjo aleancë, e cila ishte mbajtur kryesisht për shkak të rrezikut të përbashkët nga fashizmi, pas përfundimit të luftës, ishte bërë jo e preferueshme dhe jo me interese rëndësi të njëjtë për të gjitha palët. Ndërkohë edhe qëllimet e aleatëve, në muajt dhe vitet e para të pasluftës, ishin në masë të caktuar kontradiktore. Sferat e interesit, si instrument i ruajtjes së ekuilibrit të brishtë në marrëdhënie të atëhershme ndërkombëtare, kishin zënë rrënjë qysh në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Burrështetas të shteteve të boshtit antifashist kishin pranuar hapur se kishin bërë marrëveshje dhe ruanin dokumente ndërkombëtare lidhur me sferat e interesit.
Në botimin e vitit 1963 të Enciklopedisë Britanike shkruhej: “Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik krijoi sferën e interesit, si fakt politik, në territoret e vendeve në Evropën Lindore dhe në Ballkan, përveç në Greqi. Ndarjes politike të Ballkanit, në sferat e ndikimit dhe në kuptimin politik, iu vunë themelet me marrëveshje te arritura në mes Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik, në vitin 1944…”.51 Marrëveshje për ndarjen e sferave të interesit janë bërë edhe midis Rozveltit, Stalinit dhe Çërçillit. Gjatë bisedimeve rreth ndarjes të sferave të interesit, Stalini vazhdimisht kishte këmbëngulur në argumentet se në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik duhet të kishte shtete mike, në mënyrë që të evitohej ndonjë agresion ndaj shtetit sovjetik. Përmes këtyre bisedimeve dhe kërkesave ultimative, Stalini kishte arritur që të zgjeronte dukshëm ndikimin rus në Evropën Lindore dhe në një pjesë të Ballkanit. Moska zyrtare, në vitet e para të pasluftës, vite këto që paralajmëruan stuhi të reja, e shtroi influencën e saj politike dhe ushtarake në ato shtete, kryesisht në bazë të marrëveshjeve për ndarjen e sferave të interesit, të cilat diplomatikisht interpretoheshin si aspekte të internacionalizimit. Derisa: “Çërçilli kërkonte të parandalonte sundimin e Evropës Lindore nga Bashkimi Sovjetik, Stalini donte të shpërblehej me monedhë territoriale për fitoren ushtarake sovjetike…”.52 Sfera e influencës në Evropën Juglindore ishte një prej pikave kyçe të bisedimeve dhe interesime vetë Stalinit. Në fakt, Stalini ishte i interesuar që të restauronte atë që ai e quante kufi të vjetër të perandorisë cariste dhe që në marrëveshjet e fshehta, të vitit 1939, ia kishte marrë Hitlerit. “Objektivi i Stalinit ishte vënia e Evropës Lindore nën kontrollin sovjetik. Për Perëndimin hëpërhë nuk ishte e qartë nëse Stalini ishte i vendosur të impononte edhe në këtë rajon regjime komuniste apo do të pranonte shtete relativisht të pavarura, por me qeveri mike kundrejt Bashkimit Sovjetik. Stalini ishte agresiv dhe imperialist ndaj Evropës Lindore”.53 Mirëpo, dokumentet historike të diplomacisë së kësaj periudhe të krijojnë përshtypjen se, në atë fazë të viteve të para të pasluftës, Perëndimi nuk kishte bërë më përpjekje që t’i përgjigjej energjikisht dhe vendosmërisht influencës sovjetike në Evropën Lindore në atë masë dhe në atë mënyrë siç u ishte imponuar sistemi sovjetik shteteve të rajonit.

Në këtë kontekst duhet parë edhe rënia e Shqipërisënë zonën e influencës sovjetike, edhe pse, madje edhe ndër historianët bashkëkohorë ka pasur mendime se Shqipëria kishte mbetur nën influencën jugosllave. Në të vërtetë, sovjetikët, përmes jugosllavëve, kishin siguruar dominimin e influencës së tyre në Shqipëri dhe kjo mund të kuptohej edhe nga vetë reagimi i rreptë dhe dramatik i Stalinit në çastin kur kishte kuptuar se Tito vërtetë synonte ta gëlltiste Shqipërinë në variantin e politikës hegjemoniste. Ndërsa, demokracia e modelit perëndimor, në muajt e parë të pasluftës, nënkuptonte vendosjen e kapitalizmit. Kjo gjë ishte e papranueshme për Stalinin, i cili sipas doktrinës së tij ideologjike, kapitalizmin e barazonte dhe e identifikonte me fashizmin dhe nga të dy ndjente rrezik të barabartë e të njëjtë për shtetin sovjetik dhe ambiciet pansllaviste. Në këtë kohë, Stalini, si komunist besonte që komunizmi doemos do t’ia zinte vendin kapitalizmit dhe në këtë drejtim çdo bashkekzistencë e të dy sistemeve nuk mund të ishte e përhershme. Në këtë kohë, qëndrimi i Stalinit ishte sa mbrojtës po aq edhe agresiv nga frika e hegjemonisë së SHBA, pasuria dhe fuqia e të cilave dukej sheshazi që u rrit tejmase.
Nga ana tjetër, kur politika e konfrontimit midis Uashingtonit dhe Moskës po bëhej gjithnjë e më transparente, edhe SHBA ishin të shqetësuara nga rreziku i një epërsie ndërkombëtare sovjetike.54 Në këtë periudhë, pra, në vitet 1945, 1946, 1947, SHBA ishin në gjendje t’u ofronin evropianëve planet e tyre politiko-ekonomike dhe ishin mjaft të fuqishme për të dominuar në rrafshin ndërkombëtar. Duhet pasur parasysh se treguesit relevantë, sidomos ekonomikë dhe ushtarakë, në vitete para të pasluftës, flisnin se ato vite do të ishin në një kuptim të gjerë epokë e sundimit të amerikanëve, natyrisht, nëse SHBA nuk do të respektonin deklarimin e mëhershëm, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, të tërheqjes së tyre në politikën izolacioniste (e izolimit).
Shihej qartë se, SHBA dolën nga Lufta e Dytë Botërore si shteti më i fuqishëm në të gjitha drejtimet, ndërkohë që Anglia dhe Franca dolën krejtësisht të shkatërruara. Fakti që, për SHBA më nuk kishte kufi ushtarakë dhe politikë, kjo u pa qartë në verën e vitit 1945, kur SHBA zotëronin bombën atomike. Kërcënimin me bombë atomike, Stalini e neutralizoi përmes iniciativës së menjëhershme që edhe ekspertët sovjetikë të fillonin punën në prodhimin e bombës bërthamore, gjë e cila rezultoi me sukses. Nga ana tjetër, ideja e Stalinit në atë kohë ishte që në Evropën Juglindore të kishte sundimtarë të sigurt. Politika e aleancës kundër Bashkimit Sovjeti kishte përpunuar dhe ekzekutohej nga politika e jashtme amerikane. Mirëpo, objektivisht, në rrethana të tilla nuk kishte rrezik real për luftë botërore. Bisedimet midis Uashingtonit, Londrës dhe Moskës për të ardhmen e botës, e në veçanti të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, nuk ishin të lehta. Ato përshkoheshin me një diplomaci të ashpër, me shumë sfida dhe fshehtësi, jo vetëm diplomatike. Njëkohësisht, kjo ishte periudha kur ende preferohej për zbatim politika e deklaruar nga SHBA se, ajo do të tërhiqej vullnetarisht nga Evropa pas mbarimit të luftës. Ndërkohë që Bashkimi Sovjetike kishte shtyrë kufirin e tij shtetëror 600 kilometra në perëndim, derinë Elbë, nga ana tjetër pritej të vihej në zbatim tërheqja e parashikuar e forcave amerikane.
Në këtë periudhë, pra, në fillim të mbarimit të luftës dhe paralajmërimit të paqes së brishtë, Rozvelti, i cili sipas historianëve amerikanë nuk shquhej për sens dhe intuitë të veçantë diplomatike në politikën e jashtme, ende shpresonte se bashkëpunimi me Rusinë do të vazhdonte edhe pas luftës. Ai influencohej nga një ndjenjë jorealiste se Stalini do të bashkëpunonte pa hile me të. Në opinionin e atëhershëm amerikan dhe në vetë qarqet më të larta të diplomacisë amerikane mbizotëronte bindja se Rusia e pas luftës do të ishte një aleate e natyrshme e SHBA për të formësuar një imazh të ri, paqësor dhe vëllazëror midis popujve të botës. Ndaj nuk ishte e rastësishme që në opinionin publik amerikan, në fund të luftës dhe fillimin e paqes së luhatur, kritikat ndaj Rusisë dhe regjimit të Stalinit nuk priteshin me simpati, përkundrazi.55 Nuk ishte e rastit pse Rozvelti, në tërë etapat e bashkëpunimit me Stalinin, përkundër Çërçillit, nuk kishte ndonjë emocion mosbesimi ndaj Stalinit. Në pikëpamjet e tij politike, Rozvelti shkonte aq larg sa që mbronte qëndrimin se Stalini nuk kishte aspirata hegjemoniste, por kishte dyshime dhe mosbesim ndaj politikës britanike, ideolog i së cilës ishte Uinston Çërçilli.
Ky lloj i mosbesimit politik ndaj aleatit të deridjeshëm të luftës shkonte aq larg, saqë kryetari amerikan në konceptet politike të Çërçillit përpiqej të gjente konceptet e vjetra dhe reaksionare të interesave të mëhershme tradicionale të britanikëve. Ç’është e vërteta, pa mbështetjen dhe përkrahjen pa rezerva të amerikanëve, britanikët nuk mund të rezistonin gjatë dhe me sukses ndaj pretendimeve të reja territoriale dhe hegjemoniste të Bashkimit Sovjetik për pjesët e Evropës Lindore, më vonë edhe në Ballkan. Çërçilli, i cili ishte dëshmuar si strateg lufte dhe me përvojë edhe në fushën e diplomacisë, në ditët e para të pasluftës, kishte dëshmuar instinkt të veçantë në të kuptuarit me kohë të rrezikut të avancimit të Rusisë në Evropë, për ç’ka politika amerikane dhe e majta evropiane, në ato kthesa të historisë së pasluftës, ishin gati të përgjumura.56 Për njohësit e mirë të rrethanave të atëhershme politike ishte e qartë se problemi po shtrohej në atë se sa do të shtrihej ekspansioni i Bashkimit Sovjetik dhe me sa lehtësi do të realizohej procesi i përpirjes së fqinjëve të tij të afërt. Stalini, qysh nga dita e parë e përfundimit të Luftëss ë Dytë Botërore, në mënyrë transparente po dëshmonte një animozitet dhe mosbesim të madh ndaj udhëheqësve perëndimorë, pavarësisht nga dëshmimi i ndjenjës së simpatisë dhe të miqësisë nga ana e Rozveltit dhe Çërçillit. Ky qëndrim arrogant i Stalinit, në fakt, paralajmëronte se aleanca e luftës do të prishej brenda pak muajsh.
Nuk do të kalonin shumë muaj të historisë së pasluftës dhe Konferenca e Postdamit dhe e Jaltës do të viheshin në thumb të kritikës. Në veçanti, sulme të rrepta do të drejtoheshin kundër Rozveltit. Akuza ishte e gatshme: “Udhëheqësve perëndimorë ua kishte hedhur Moska, se nuk kishin qenë në gjendje të parashikonin se pas luftës Moska do të kthehej kundër Perëndimit”.57 Mirëpo, duhet pasur parasysh se, në atë kohë, përderisa nuk u dha informacion i plotë për vendimet e konferencave të sipërpërmendura, në Perëndim ishin të paktë ata që politikën e Stalinite shikonin me dyshim dhe vështrim kritik. Madje edhe vetë Çërçilli, në fjalimin e tij mbajtur në Jaltë më 4-11 shkurt 1945, kishte deklaruar: “Ne e konsiderojmë jetën e marshallit Stalin si shumë të çmuar për shpresat dhe gjithë zemrat tona”. Disa javë më vonë, në një fjalim të mbajtur në Dhomën e Komunave të parlamentit britanik, lideri i atëhershëm britanik kishte thënë: “Unë nuk njoh qeveri tjetër që u përmbahet më mirë detyrimeve të saj sesa qeveria sovjetike”.58 Çërçilli i shihte bisedimet si një mënyrë për të lidhur forcën me diplomacinë. Ndonëse asnjëherë nuk ishte konkret në deklaratat e tij publike, ai shtronte me forcë se kishte parasysh një lloj ultimatumi diplomatik të demokracive perëndimore. Çërçilli donte të ngushtonte zonën e influencës sovjetike, por ishte i gatshëm të bashkëjetonte me pushtetin sovjetik brenda kufijve të reduktuar. Përkundrazi, udhëheqësit amerikanë nuk donin t’i ngushtonin, por t’i shkatërronin sferat e kundërshtarit të tyre. Ata parapëlqenin të prisnin përmbysjen e komunizmit sado larg të ishte, të siguronin një zgjedhje uillsoniane të problemittërenditbotëror.59
Harry Truman, i cili zëvendësoi Rozveltin në postin e presidentit të SHBA, kishte një instinkt më të zhvilluar në të kuptuarit e hileve diplomatike të Stalinit, prandaj, qysh në kontaktet e para me diplomatët sovjetikë ishte më realist sesa paraardhësi i tij. Truman, i pakënaqur nga takimi i parë i tij me ministrin e jashtëm sovjetik, Molotovin, me shqetësim ishte shprehur: “Ne duhet të jemi të ashpër me rusët, ata nuk dinë të sillen, ata janë si arinj dhe ne duhet t’u mësojmë atyre si të sillen”.60 Padyshim, ky ishte një vlerësim publik mjaft karakteristik për politikën e atëhershme amerikane, i cili, në fakt, zbulonte ndeshjen me realitetin dhe paralajmëronte stuhi të reja në raportet diplomatike midis Uashingtonit dhe Moskës. Tensionet politike midis SHBA dhe Bashkimit Sovjetik kishin filluar të bëheshin realitet. Këto tensione nuk ishin shkaktuar nga ndonjë keqkuptim për ndonjë çështje konkrete politike, por reflektonin brendinë e kundërshtimeve dhe të mospajtimeve esenciale, e në radhë të parë, rreth sferave të interesit dhe kufijve, të cilat ishin përcaktuar në rrafshine interesave gjeostrategjike. Politikanët perëndimorë nuk e merrnin shumë seriozisht faktin se Bashkimi i atëhershëm Sovjetik nuk ishte vetëm një shtet i madh, por kishte edhe një ideologji dhe sistem tjetër shoqëror që ndryshonin në thelbnga ato të Perëndimit. Ndryshonin fondamentalisht edhe sistemet e vlerave. Bashkimi Sovjetik kishte ndërmarrë iniciativa të mëdha diplomatiko-ideologjike për sovjetizimin e shteteve të vogla që i kishte nën influencë, duke u angazhuar në të gjitha mënyrat për ngadhënjimin e komunizmit në tërë kontinentin. Kishin pasur të drejtë të gjithë ata historianë dhe politikanë të kohës që, në vorbullën e trazuar të këtyre marrëdhënieve Perëndim-Lindje, shihnin fillimin e historisë së Luftës së Ftohtë. Përndryshe, lufta nuk po rihapej vetëm për ndarjen e sferave të influencës. Konkretisht, Moska e atëhershme zyrtare po sforconte fushatën ideologjike që, përmes komunizmit, si doktrinë politike e ideologjike të ripërtërinte luftën kundër “imperializmit perëndimor”. Stalini, qysh në fillim të viteve 1945-1946, preokupohej lidhur me kërkesën e perëndimorëve që në vendet, të cilat fituan luftën ndaj nazizmit të vendoseshin qeveri demokratike, shumë partiake, sepse kjo nënkuptonte qëllimet për rrethimin kapitalist të Bashkimit Sovjetik. “Prapa të gjitha këtyre dyshimeve, keqkuptimeve dhe mosbesimit të plotë midis aleatëve të deridjeshëm të luftës kundër nazizmit, në esencë, fshiheshin konflikte të mëdha interesash për influencë dhe dominim në rendine ri botëror. Kornizate dy blloqeve antagoniste po krijoheshin me shpejtësinë të gjitha kuptimete Luftës së Ftohtë.
Njerëzit në Perëndim, jo vetëm politikanët, nga dita në ditë filluan të ndjenin shqetësim real për këtë ndasi në blloqe ideologjike dhe frika e tyre nga rreziku sovjetik sa vinte e bëhejmë dramatike. Papritmas, Perëndimi u ndie i zhgënjyer dhe ky zgjim tronditës bëri pluhur e hi shumë iluzione të kohës së luftës: ekzistonte një prirje për ta dramatizuar shumë konfliktin dhe për t’u atribuuar Stalinit dhe udhëheqësve të tjerë komunistë, jo vetëm një dinakëri djallëzore dhe gjithë të këqijat e tjera, por edhe ambicie të pangopura e të pakufizuara territoriale”.61 Kjo frikë nga sovjetizimi, ky shqetësim nga komunizmi dhe dëshpërimi i thellë nga udhëheqja sovjetike, deri dje aleate lufte, bëri që Perëndimi, i cili me aq lehtësi e kishte injoruar për vite të tëra komunizmin si ideologji, t’i rikthehej mësimit elementar për njohjen dhe vlerësimin realist të doktrinës së komunizmit, si botëkuptim mbi shoqërinë, historinë, botën dhe marrëdhëniet shoqërore mes njerëzve, shteteve dhe popujve. Megjithatë, ndonjë diplomat amerikan, siç ishte George Kennan, i cili, në vitet e para të pasluftës, punonte në ambasadën amerikane në Moskë, e kishte kuptuar esencën e strategjisë të diplomacisë sovjetike që falë Stalinit dinak, si dhe të një varg bashkëpunëtorësh me përvojë të madhe diplomatike, në ato vite, kishte epërsi ndaj diplomacisë së përgjumur Perëndimore. Kryesisht, përmes të famshmit “Telegrami Gjatë”, (dërguar nga Moska në Uashington, në vitin 1946), Kennan kishte bërë presionte burrështetasit dhe diplomatët amerikanë që të nxiste një ripozicionim të ri të diplomacisë amerikane karshi ekspansionit komunist me ngjyrim sovjetik. Esenca e kërkesës së George Kennan ishte që diplomacia amerikane të përpunonte një strategji të re ndaj ekspansionizmit sovjetik, strategji diplomatike kjo, e cila më vonë do të ndërtohet mbi të ashtuquajturën “teori e frenimit”.62

Megjithatë, Perëndimit, e në radhë të parë, SHBA u mungonte forca për të kundërshtuar vendosmërisht politikën agresive të sovjetizimit dhe komunizimit të shteteve të reja përreth Bashkimit Sovjetik. Në tërë këtë situatë të re të diplomacisë botërore të pasluftës, qëndrimi i Perëndimit ishte pa strategji, inert, i vonuar dhe para së gjithash mbrojtës. Edhe në këtë periudhë, kur Lufta e Ftohtë por merrte përndezje të fuqishme, kur agresiviteti sovjeti kishte në rritje e sipër dhe kërcënues, diplomacia amerikane, jo vetëm që nuk i merrte në shqyrtim vërejtjet dhe sugjerimet kritike të Çërçillit dhe të Kennanit, por tregonte interesim më të sinqertë për vazhdimin e partneritetit të Uashingtonit me Moskën dhe nuk preferonte forcimin e marrëdhënieve anglo-amerikane. Ishte ende viti 1946, kur diplomacia amerikane sinqerisht besonte në gjetjen e marrëveshjeve të reja me Bashkimin Sovjetik, përmes bisedimeve politike të drejtpërdrejta të nivelit më të lartë zyrtar ndërshtetëror.63
Nga arkivat historike amerikane dihet se, kur delegacioni amerikan kishte arritur në Konferencën e Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945), diplomacia amerikane ende u përmbahej pikëpamjeve të kohës së luftës. Kështu, në dokumentin e Departamentit të Shtetit, që ndryshe shërbente si orientim për delegacionin amerikan, ndër të tjera, theksohej se krijimi i zonave të interesave do të ishte kërcënimi më i madh për paqen botërore:“…Objektivi ynë kryesor duhet të jetë mënjanimi i shkaqeve që i bënë kombet të ndjejnë nevojën e sferave të tilla për të ndërtuar sigurinë e tyre, në vend që të ndihmojnë një vend të forcohet kundër tjetrit”.64 Rezultati praktik i Konferencës së Potsdamit ishte nisma e procesit të ri diplomatik që paralajmëroi ndarjen definitive të Evropës në dy sfera influence. Ky proces thuajse u legjitimua në mbledhjen e parë të ministrave të jashtëm, që u mbajt në Londër, në shtator dhe fillim të tetorit 1945. Sovjetikët, as në këtë takimtë nivelit të lartë diplomatik, nuk u treguan më kooperativë, ndërsa iluzioni amerikan se ndoshta me kërcënimin e bombës atomike do t’i frikësonin sovjetët u tregu ai pabazë. Përkundrazi, sovjetikët, përmes diplomatit Molotov, i cili i kishte mbetur besnik Stalinit në udhëzimet për diskutimet e çështjeve diplomatike, edhe në takimin e Londrës, bënë të qartë se nuk heqin dorë nga diplomacia kërcënuese. Nga kujtimet e Sekretarit amerikan të Shtetit, James Byrnes, del se: “…Ne kishim përballë një Rusi të re, krejtësisht të ndryshme nga Rusia që jemi marrë një vit më parë. Sa kohë që ata kishin nevojë për ne në luftë dhe ne u jepnim atyre furnizime kishim marrëdhënie të kënaqshme, por tani që lufta kishte mbaruar, ata po mbanin një qëndrim armiqësor dhe një qëndrim të pambrojtshëm për çështjet politike territoriale”.65
_______________________
Referencat:
49 Henri Kissinger, Diplomacia, Tiranë 1999, f. 422.
50 Gabriel Partos, Bota që erdhi prej të ftohtit, Tiranë 1994, f. 15. 51 Enciklopedia Britanica, vëll. 21, f. 210-211.
52 Shih: Henri Kisinger, vep. e cit., f. 424 53 Gabriel Partos, vep. e cit., f. 20.
54 Shih: Eric Hobsbawn, Epoka e ekstremeve, I rrëmbyeri shekull i njëzetë 1914-1991.
55 Shih: Walter Laqueur, Evropa në kohën tonë, Tiranë, 1996, f. 90.
56 Po aty, f. 90-91.
57 Po aty, f. 95
58 Po aty, f. 93.
59 Shih: H. Kissinger, Diplomacia… f. 467.
60 Shih: Richard J. Walton, Henri Wallance, Harry Truman and the Cold War, New York,Viking Press, 1976, f. 6.
61 Walter Lakqueur,, vep. e cit., f. 100.
62 Shih: Gabriel Partos, vep. e cit., f. 27.
63 Shih: H. Kissinger, vep. e cit., f. 430.
64 State Departament briefing book, British Plans for a Western European Bloc, July 4,1945, in U.S. Departaments of State, Foreing Relations of the United States: The Coference of Berlin (The Potsdam Conference) 1945 Washington D. C: U. S. Government Print-img Office), vëll. I, f. 262-263.
65 Shih: The United States, Great Britain, and the Cold War, 1944-1947, Columbia University Press. 1977. p. 81.
VIJON…
_
___________
DR.AGIM ZOGAJ: HISTORIKU I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO – JUGOSLLAVE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE – Kapitulli i parë (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8677

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura