DR.BLEDAR KOMINI: KUR ANTIVLERAT KTHEHEN NË VLERA

Pashtriku.org, 09. 04. 2014 – Teknologjia i revolucionarizoi artet, kulturën, traditën, vlerat, muzikën, etj. Me anë të mediave, si radio dhe televizioni dhe nëpërmjet mediave të shkruara, ato përveç evoluimit që pësuan erdhën në të njëjtën kohë më pranë publikut. Prandaj shekulli i XX mund të quhet ndryshe edhe si “shekulli i informacionit dhe i kulturës masive”. E në të njëjtën kohë që bëjmë këtë pohim, duhet të ripohojmë gjithashtu se po i njëjti shekull ishte edhe shekulli ku masiviteti e mbyti artin dhe kulturën, prandaj, që në dekadat e para të tij do të dilnin rryma të ndryshme që do të bëheshin përfaqësueset kryesore të antikulturës dhe antiartit.
Bota e pas Luftës së Dytë Botërore ishte një botë e ndryshme nga e djeshmja, nga ajo e paraluftës. Nëse do të donim ta përkufizonim sa më thjeshtë “botën e djeshme”, atëherë do të ishte më mirë të citonim paragrafin e Stefan Cvajgut (Stefan Zweig), i cili kur përshkruan fillimin e shekullit të XX thotë: “Mjeshtrit e mirë e të sprovuar të epokës së etërve tanë, Gotfrid Keleri në letërsi, Ibseni në artin dramatik, Johanes Bramsi në muzikë, Lajbeli në pikturë, Eduard fon Hartmani në filozofi, mbartnin në vetvete, sipas mendimit tonë, tërë maturinë e botës së sigurisë; me gjithë mjeshtëritë e tyre teknike dhe intelektuale, ata nuk na ngjallnin më interes. E ndienim instiktivisht se ritmi i tyre i ftohtë e tepër i ngadaltë ishte si diçka e huaj për ritmin e gjakut tonë të shqetësuar dhe nuk përputhej me ritmin e përshpejtuar të kohës.”
E tërë kjo sentencë përmban në thelb esencën e ndryshimit. Esencën e atij ndryshimi që nuk përcillet dot nga një brez në tjetrin. Kjo, për faktin se kalimet nga brezi i thyer në brezin e ri ndeshin në ato që shpesh i quajmë vlera dhe antivlera. Në ndryshimin e brezave mundësia për t’i kthyer vlerat në antivlera është me e madhe se në të gjitha etapat e tjera të historisë shoqërore. E teksa “bota e djeshme” kalonte me ritmin e saj, Evropa e vitit 1947 nuk ishte më qendra kryesore e arteve të kultivuara.

 Nju Jorku kishte zëvendësuar Parisin si qendër e arteve vizive. Çmimet Nobel kishin filluar të jepeshin për artistë jo evropianë dhe jo amerikanoveriorë. Romanet latinoamerikane dhe shkrimtarët latinë ishin bërë të dashur për këdo që i lexonte. Kinemaja që po lulëzonte me Hollivudin, po ndiente në çdo hap konkurencën e kinemasë indiane (Bollivudin). Arkitektura ishte zhvendosur nga Evropa në Amerikë, ku stilet e reja po gjenin aplikim në të gjitha ndërtimet e viteve 1950-1970. Arkitektë si Le Corbusier (1887-1965), i cili ndërtoi një qytet të tërë në Indi, Çandigarin, dhe Oscar Niemeyer që ngriti me arkitekturën e veprave të tij Brazilian e Brazilit, po shkëlqenin nën dritat e një bote të re, ku vlerat e djeshme po thyheshin përball risive të kohës. “Vdekja” e artit modern, që ishte quajtur “arti i pararojës”, i hapi rrugë eksperimenteve të ndryshme në këtë fushë-gjini.
Nëse thelbi i modernizmit ishte se e sotmja është më e mirë se e djeshmja dhe se e ardhmja duhet të jetë më e mirë se e sotmja, rrymat e reja si: Nihilizmi, Dadaizmi, Kubizmi dhe Surrealizmi, në thelb shprehnin dëshirën për të mos qenë art por antiart. Në vitin 1917 Marsel Dushamp (Marcel Duchamp 1887-1968) ekspozon në frymën Dada në Nju Jork një urinore publike, me anë të së cilës ironizonte përfundimin e shpejtë të modernizmit dhe shprehte hapur nevojën për një revolucion antimoral.
Megjithatë, modernizmi, ashtu si edhe kapitalizmi, imperializmi e liberalizmi do të mbaheshin fort deri në vitet 30-të të shekullit të XX-të.
Në fillim të viteve 1960 lindi rryma e re e quajtur Postmodernizëm. Artet në përgjithësi e pranuan shumë lehtë postmodernizmin, por në fusha të tjera “posti” i modernizmit nuk kaloi kollaj. Ralf Dahrendorfi thotë: “Postizmi” është bërë natyrisht një sëmundje e vërtetë autorësh: gjithnjë e më të shumtë janë ata që duan të na ngulisin në mendje se kohët e fundit kanë ndodhur gjëra të padëgjuara, por, duke qenë se nuk mund t’i përcaktojnë, e shohin të udhës të thonë se, rrjedhimisht, po jetojnë në ndonjëfarë post-kohe.”
Ndërsa në një paragraf tjetër, ai vazhdon të mbrojë mendimin e tij duke përkrahur Hekvilin e duke thënë: “Nuk ka vend për një gjuhë të tillë. Forcat e modernitetit janë të fuqishme si përherë. Veç kësaj, pikëpamjet postmoderne vetëm një hap i ndan nga ato anti-moderne. Me këto të fundit, jemi të tejngopur. Fondamentalizmi i ri nuk është gjë tjetër veçse politikë e dëshpërimit kulturor dhe kjo ka qenë gjithmonë e papajtueshme me politikën e lirisë. Kemi ende shumë rrugë për të bërë deri në realizimin e një shoqërie civile të përbotshme dhe më mirë të merremi me këtë.”
Megjithatë, postmodernizmi nuk u kufizua vetëm në art edhe pse aty lindi, thelbi i arteve të pararojës ishte kërkimi i mënyrave për të shprehur atë që nuk mund të shprehej si duhet me termat e së kaluarës. Kështu, nga vitet 60-të të shekullit të XX-të, fjalëve kyçe të diplomatëve, historianëve, artistëve, etj., filloi t’i shtohej parafjala “pas” në formën e latinizuar “post” si: postimperiale, postmoderne, postkulturaliste, postmarksiste, postkomuniste, etj. Pikërisht u zgjodh kjo parafjalë për të treguar se kishte ardhur një erë e re. Dhe sa herë që bëhet fjalë për një erë të re, ndryshimi që ajo mbart bie mbi thyerjen e tabuve të para erës që sapo kaloi.
Kështu incipit-i (lat. fillimi, hyrja) e kësaj periudhe të quajtur postmoderne, fillon me demonstratat e studentëve të Parisit në vitin 1968, të cilët u rebeluan në masë. Demonstratat përfshinë të gjitha qendrat urbane të Europës dhe Amerikës në të njëjtën kohë, ku studentët, kudo të nxitur prej protestave, në Paris hidhnin thirrje dhe ngrinin parrulla revolucionare. Në trazirat e vitit 1968 në Francë dhe në Itali në vitin 1969, të rinjtë bërtisnin: “Duam çdo gjë dhe tani!”, “Është e ndaluar të ndalosh!” etj. Slogani i majit të vitit 1968: “Kur unë mendoj për revolucionin, dëshiroj të bëj dashuri”, do të kishte habitur jo vetëm Leninin, por edhe Ruth Fisherin (Ruth Fischerin), militanten komuniste vjeneze që Lenini e sulmoi për mbrojtjen që u bënte ajo marrëdhënieve seksuale liberale. Bluxhinset dhe Roku (Rock) u bënë simbole të rinisë kudo, ndërsa duhani u përhap si shenjë rebelimi. Ishte kjo periudha kur u shembën vlerat dhe erdhën në fuqi “antivlerat”, të cilat dalëngadalë morën statusin e paravlerave. Në Kinë, ndryshe nga Evropa e urbanizuar dhe e mirëshkolluar, në krah të kundërt me të, Mao Ce Duni po zaptonte qytetin me fshatin. Revolucioni Kulturor kinez (1966-1976) e pezulloi të gjithë arsimin e lartë.
Në momentin që tabutë thyhen dhe antivlerat janë kthyer në paravlera, lind nevoja për një reformë morale të shoqërisë. Kjo nevojë vjen jo si rezultat i ndonjë dëshire për të rikthyer tabutë e thyera, por si rezultat i domosdoshmërisë së pranimit të ndryshimit të kryer. Shoqëria e ndien të domosdoshme që Kontrata Shoqërore (Sociale) të mbijetojë, në mënyrë që të shmanget konflikti në fjalë.
“Kontrata shoqërore nuk është themeli i shoqërisë, por rezultat i historisë. Ajo shkruhet dhe rishkruhet nga çdo brez. Elementet e saj të qëndrueshme, në rastin më të mirë, janë gramatikë e shoqërisë; çdo gjë tjetër është e ndryshueshme, e aftë për t’u përmirësuar, por edhe e hapur ndaj keqësimit.”
Shembull tipik i ndryshimit të vlerave të djeshme, duke i kthyer në vlera të sotme, janë të gjitha shoqëritë dhe shtetet europiane, të cilat janë shquar për traditën e tyre të fortë katolike, si: Spanja, Suedia, Italia, Belgjika, Polonia, etj. Ishin këto shtete, të cilat gjatë viteve 70-80-të të shekullit të XX-të, thyen tabutë dymijëvjeçare, duke i kthyer antivlerat në vlera. Kështu Italia katolike në vitin 1970 e ktheu divorcin nga ilegal në legal dhe e konfirmoi edhe me referendum në vitin 1974. Pas katër vjetësh, në vitin 1978 u bë legal edhe aborti, i cili edhe ky u konfirmua me referendum në vitin 1981. Të njëjtën rrugë ndoqën edhe shtetet e tjera. E ndërsa martesat monogame kanë qenë esenca e jetës familjare dhe shoqërore deri në vitet 60, pas këtyre viteve bërthama e familjes monogame u shpërbë, numri i divorceve u rrit. Tipar kryesor i këtyre dekadave u bë individualizmi i theksuar, të cilin në formën më konçize të tij e përcaktoi kryeministria britanike e asaj kohe M. Thatcher (1979-1991), duke thënë se: “Nuk ka shoqëri, por vetëm individë.”
Vetëm pothuajse pas katër dekadash debati i simboleve, përfaqësimit dhe modeleve, do të rikthehej edhe një herë në kryeqytetin e trazirave të vitit 1968. Incipiti i kësaj here do të ishin emigrantët e huaj aziatikë dhe afrikanë, të cilët popullonin rrethinat e Parisit, Marsejës dhe Lionit. E ndërsa në Francë debati mbeti vetëm pjesë e mediave, politikanëve, kritikëve dhe elitës kulturore, në Austri (shtetin fqinj me të), gjatë dhjetorit të vitit 2005, në të gjithë Vjenën u vendosën disa postera nudo që paraqisnin presidentin Bush, Shirak dhe mbretëreshën Elisabetë sëbashku në një treshe krejtësisht origjinale.
Sot pas shumë vitesh e dekadash regresi e shtypjeje edhe “Pranvera e vendeve arabe”, tregoi se tirania e sunduesve të paligjshëm nuk mund të mbahet dhe s’ka si të ekzistojë në këtë mijëvjeçar të ri!
– Autori është pedagog i Shkencave Politike në Universitetin “Vitrina” – në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura