Shkodër, 12. 06. 2014 – (1. Gjëma e Atdheut një prozë letrare) – Argument: Romani “Gjëma e Atdheut” mbart tiparet e një proze përfaqësuese për historinë e letrave shqipe, sepse autori i drejtohet lexuesit përmes zërit të historisë me vetëdije kombëtare. Ka frymë atdhetare në tematikë dhe motive. Konkretisht “Gjëma e Atdheut” në procesin narrativ zë vend mes buçitjeve të heronjve mitikë, historikë e realë me barrën e mallit të përhershëm për bashkim kombëtar, tejkalon ndarjet e krijuara nga historitë grabitqare të fqinjëve, kapërcen hapësirat e përkohshme dhe së bashku me vëmëndjen e një grupi liridashësish që kërkojnë bashkimin etnik, kthehet në narrativën e një kombi, ku individi bëhet ndërmjetës i copëzave shënjuese të rrugëtimit të historisë së shqiptarit drejt bashkimit të kombit të ndarë padrejtësisht. Lexuesi gjen jehonën e jetës së vet, përditshmërinë e tij në fatin vejtak të heroinave. Dashuria nuk ka farë por kumt. Gjëma e Atdheut2 është roman që qëndron midis historisë dhe letërsisë duke u nisur nga heronjtë historikë dhe ngjarjet historike. Ato rrëfehen letrarisht nën metaforën e gjëmës 3 së atdheut. Studimi ynë do përqëndrohet në origjinalitetin e autorit në rimarrjen e temës mitike dhe atdhetare. Do ndalemi tek idetë dhe përceptimi i përsonazheve duke veçuar ingranazhin letrar që i vë në lëvizje.
Pyetja themelore që parashtrojmë është: Cilat janë përparësitë e rrëfimit të Gjëmës së Atdheut?
2. Dualist mes lirisë dhe robërisë.
Autori shprish rregullat e jetës, gjithçka ndërtohet nga përtej jeta, titulli konstrukton kuptime, mundësi dhe vizione të shumëfishta. Në fillim të romanit sajohet një mjedis ku takohen fatet e dy heronjëve që i lidh fati i atdheut dhe mbijetesa, Besniku nuk është rrëfimtari i drejtpërdrejtë dhe hetuesi si rrëfimtar i tërthortë, pagëzon dëshmitë. Të dy ato bashkëjetojnë në hapësirën e Odavarrit ku fatet e tyre, kohët, përvojat, mendimet, filozofitë, ndërthuren. Hetuesi ndërton shkallët e zbritjes dhe ngjitjes nga njëra hapësirë kohore drejt kohës së sotme dhe vepron mbi rrëfimin e heroit, me të cilin e lidh zbulimi i së vërtetës historike.
Autori e ndihmon lexuesin të bëjë një kërcim parabolik mes kohëve, Rozafa, Teuta, Mamica e Shota4 flasin dhe mbas vdekjes, lexuesi ambjentohet me këtë ligjësi të re të autorit që mbulon kuptimin e vet të drejtpërdrejtë dhe zbulon e shumfishon atë. Si te Dantja, autori zgjedh një udhëtar “Besnikun”, përkundër Dantes personazh dhe i gjallë, Besniku është luftëtar i rënë, dhe gjithë veprimi rrjedh përtej botës së gjallë, në botën e të përjetshmëve. Zëri i atorit lidh gjithë rrëfimet: lexuesi, sidomos lexuesi i këtyre 100 vjetëve të fudit të jetës sime dhe jetës së shtetit, mund të çuditet për shumë çka por ky nuk është vetëm faji im. fajin e kemi të përbashkët, unë koha ime e përtej jetës dhe Besniku… (f. 9.). Hetuesi dyshon: i vetmi që duket se lidhet me realitetin? kërkon të dijë çdo gjë, hetuesi merr përsipër të zbulojë: si vijnë, pse vijnë, autori dyzon baladën në emër të vertetës dhe mitin e sakrificës në emër të qëndresës dhe lirisë.
Në nivelin dialogjik: i përmbahet botëkuptimit të përsonazhit, natyrës së emocioneve, përshtypjeve, dëshirave, ëndrrave, aspiratave.
Në rregjistrin gjuhësor: përsonazhet i përkasin klasave, niveleve, tendencave, e qëndrimeve politike. Përsonazhi: s’është i ndërtuar si përfaqësues i një tendence: romanet historike kanë këtë qasje, romanet përsonale pasqyrojnë shqetësimet e individit dhe jo kolektivit, thelbësore kanë paraqitjen e individit si atipik.
Tipik është rrëfimi i njëmbinjëshëm, aty ku mbaron rrëfimi i legjendës, nis udhëtimi i rrëfimit të historisë dhe ndodh takimi i rrëfimeve në një vend nga ku nis një rrëfim tjetër. Çdonjëri rrëfen idenë e dhimbjes dhe dëshirës për rrugëdalje për fatin e kombit të futur në rrethin e mbitejesës5, duke .
3. Koha në roman si lëvizje transhendente mes së djeshmes dhe së sotmes.
Kodi i kohës si përvijim i stilit origjinal, ndërthurje të stilit të Markezit me realitetin në ndryshimin e së tashmes si shfaqje që mbishtreson kohët identare për shenjat e atdheut.
Rrëfimi strukturohet mbi disa nivele kohore, e tashmja e lirisë si dialog me bashkëbiseduesin – robëri që përgatit kalimin nga njëra kohë në kohën e shkuar e përftuar si monolog me kohën e heroit në formën e rrëfimit të diktuar. Kjo formë mundëson vizatimin e një fati të dyfishtë dhe kohe të dyfishtë dhe lidh fatet dhe dramat e tyre individuale në fatin dhe dramën kolektive.
Ka forcë përshkruese, në narracionin e veçantë dhe aftësinë për të pasqyruar edhe luhatjet më të lehta të shpirtrave njerëzore. Dallohet, se brenda strukturës narrative të përvojave të përbashkëta si: ndjenja, dhembshuria, rreziku, vështërsia për të duruar fatin e kundërt, heroi shfaqet imun ndaj dhimbjes shekullore të ndarjes së atdheut padrejtësisht.
Mjeshtër i dialogut. Dialogu ka cilësinë e një zëri filozofik, në të cilin mbiteksti dhe nënteksti janë forma të domethënieve tronditëse të historisë së shqiptarit në shekuj. Dialogu i Besnikut me personazhet që vijnë nga thellësitë e kohërave i ngjan një lufte të brendshme dhe të përjetshme të individit mes dy pjesëve të qenies së tij: të jashtmes dhe të brendshmes, fizikes dhe metafizikes, koshiencës dhe subkoshiencës, reales dhe transcendentes të tëra në emër të ekzistencës së lirisë.
4. Kuptimet e jetës: Raporti mes jetës dhe vdekjes, përtej jeta, përtej koha, përtej e zakonshmja.
a) – Origjinaliteti në rimarrjen e temës së atdheut. Ai spikat në krijimin e galerisë së përsonazheve realistë, që përcjellin dy lloj kohësh, kohën filozofike-ideore të autorit dhe gjithëkohësinë historike të shqiptarit në shekuj. Rozafa është dëshmitare e realitetit mitik dhe e kohës mitike e riardhura nga dëshmia e ekzistencës 2400 vjeçare. Teuta është dëshmitare e realitetit historik dhe iliriadës shqiptare. Besniku është urëlidhësi i gjithë kohërave. Ai është dëshmitari-rrëfyes i ndërgjegjes mitiko – historike – kombëtare të etnitetit të popullit shqiptar që bashkon në Odavarrin e tij, gjithë nyjetoret e dëshmive gojore e historike të popullit shqiptar.
Fati i heroit është fati i një populli të tërë, në këtë përvijim të përsonazhit, shtresohen gjurmët e një realiteti të përjetuar, që evidenton se vepra ngërthen në trup të saj historinë i një vendi plot gjurmë fataliteti. Me zërin e autorit bashkohet në një kor tragjik klithma e bashkëudhëtarëve të tij zemërçjerrë në përshkimin e rrathëve të ferrit mbitokësor.
b) – Riardhja e përsonazheve përcaktohet nga shenjat e së kaluarës. Vlerësohet kultura, ndërfutja organike dhe hibridizimi i të vërtetave me profaninë biblike të ringjalljes të shpie në opusin e përsonazheve mitiko-historikë.
c) – Fati i përsonazheve, zbulohet në raportet bashkëkohore të individit me lirinë. Pozitiviteti, dëshira për të zbuluar rrugët e mbijetesës 2400 vjeçare, përpjekja e individit për të mos iu shmangur dëshmive të kohës dhe hapësirës bëhet tipike në këtë roman.
5. Idetë transmetuese janë universale jo individuale, ato përfshijnë në një kujtesë të vetme fakte të ndryshme të historisë së një populli, sidomos të asaj jete të izoluar dhe pa mundësi lidhjeje me trungun amë, pa liri, pa atdhe. Autori ruan si një mundësi të përjetshme fatin e kombit në të gjithë rendet e pushtetit uzurpues. Fati i kombit është më i qartë për lexuesin mbi të cilin vepron fuqia e lirisë, e parë nga perspektiva e hetuesit. Fuqia e lirisë dhe e tranzicionit që ajo ka pësuar nga njëra kohë në tjetrën, qëndron në mundësinë për të nënkuptuar lidhjet mes mendjeve dhe fateve të heronjve të këtij kombi.
6. Heronj ide dhe heroina ide, të riardhur në një realitet tjetër, për shkak se ndodhen në kapërcyellin e epokave. Diskursi rrëfimtar i Rozafës lëviz mes kodeve mitike, kumtit të sakrificës së gjithkohshme dhe krijimin e një botëkuptimi të ri. Statuset e Rozafës: malli mes gruas-nuses-vajzës së malit me kodet e shkruara dhe të pashkruara. Rozafa e Gjëmës së atdheut përballë Rozafës së baladës, dy diskurse rrëfimtare mbi portretin e femrës ideale që lëviz drejt një kodi që kumton së brendshmi dhe së jashtmi, së thelli që rri mbi kohët dhe ecën përgjatë kohëve. Kështu heroinat si Rozafa, Teuta, Mamica, Shota janë shëmbëlltyra të fateve njerëzore, te dramave të pathëna, të pazbuluara për shkak se në kohën e tyre përjetuan idealizmin. Me një këmbë te e shkuara, heroinat shihen në këndin personal dhe si të tillë ato janë shprehëset më besnike të impulseve të brendshme të autorit, pasqyra të natyrës së vërtetë njerëzore, e nevojave, dëshirave, pasioneve të njeriut. Në letërsinë që i pasvjen romantizmit shqiptar, gjegjësisht në fillimet e shekullit XX, tema erotike fitoi shtrirje të gjerë. Shekulli i ri solli me vete edhe një formacion të ri stilistikor. Figura e femrës vizatohet me larmi linjash dhe ngjyrash. Femra na paraqitet si figurë – model vajze, model nëne, model motre, model femre. Figurat femërore janë të portetizuara me bukuri njerëzore, ata janë të ëmbla, të ndjeshme, delikate. Të këtij formati janë dhe femrat e Kabashit.
Gjëma e atdheut është roman i vetëdijes përsonale dhe jo roman i vetëdijes historike.
Po pse ndërtohet përsonazhi i Rozafës, Teutës, Mamicës, Shotës e Besnikut? Nëse veprat historike kanë karakter qëllimor dhe realitetin historik e sendërtojnë si perspektivë, veprat letrare sendërtojnë një realitet të trilluar, kjo duket në funksionin e rrëfimit të secilit përsonazh. Besnikut ka funksion kritiko-konkretizues, natyra e rrëfimit te Besniku është reflektive në funksion të shenjtërimit. Rozafa si kryemit i themelit mbrojtës (përsonazh kulturor) ka tendenca për të ripohuar mitin nëpërmjet një procesi dekonstruktues e zbërthyes.
Teuta, është përsonazhi historik, në të cilën mishërohet ideja e sovranitetit dhe e lirisë ka funksion ndërlidhës mes historisë dhe letërsisë, (autori si njohës i fakteve historike përdor fiksionin letrar dhe letrarësinë në rindërtimin e rrëfimit të Teutës). Mamica është përsonazh i kohës historike dhe rifunksionalizohet në rrëfim si përsëritje e dramës së femrës. Nusja e maleve ose Shota, është përsonazh që qëndron mes epikës tradicionale dhe epikës historike.
Odavarri – purgatori dantesk, shpirtrat pastrohen nga çdo dilemë a sekret që i rëndonte prej shekujsh, rrëfehen… dhe kërkojnë shenjat e lirisë, Gjamën e atdheut. Për nga misoni Odavarri i ngjan varrit të Konstandinit dhe vetë Besniku është një Konstandin, ndërsa ky i fundit kryen detyrën ndaj nënës, i pari kryen detyrën e shenjtë ndaj atdheut. Themelet e kalasë janë odavarri i Rozafës 6. Dredhia e Moisiut është Odavarri i ri i Mamicës. Funksioni i Odavarreve është të rindërtojnë historinë dhe vetë gjëmën.
Kanë funksioni purifikues në analogji me besimin, me qëllim daljen e së vërtetës historike përmes së vërtetës letrare.
Drama e Rozafës, drama e Teutës, Mamicës dhe drama e Shotës: çfarë i lidh dhe pse kjo përsëritje? Struktura rrëfimore mbështetet në pikëtakimin e heroit kryesor, si një përsonazh fiksional, me përsonazhe kulturore, historike të fiksionalizuara. Të katër rrëfimet e femrave kërkojnë të ndërtojnë natyrën feministe të femrës shqiptare, kjo përbën risi për letërsinë tonë, vetëdija femërore para sakrificës. Motivi i murimit ndërthuret natyrshëm me motivin e mëmësisë, gruas lehonë, gruas si nuse, gruas si femër7. Tragjedia e secilës përbën aksin ku ndërlidhen fatet e përsonazheve, që reflektojnë dhe fatin e atdheut.
Niveli dialogjik synon t’i japë domethënien e duhur shpirtit të kombit, çështjeve që shqetësojnë shoqërinë nëpërmjet rëfimit të orientuar nga pyetjet që vijnë nga vetëdija historike. “Gjuha e grave të Gjëmës” është gjuhë e fuqishme emocionale (…) jeta që ka mbetur, e pret ardhjen Tënde si një borxh i lënë peng diku para 2400 vjetësh, … (f. 6.) me ngarkesa e ngjyrime subjektive e psikologjike 8. Ndërsa “gjuhë e burrave” është një gjuhë e hapur kur duan të flasin për femrat (shih: gjuhë e letrave të Besnikut) 9. Vetë hetuesi është në funksionin e personazhit që ndihmon në zbulimin e pjesëve të errëta të historisë së padëshmuar.
Përsonazhet e romanit janë sintezë të një epoke që përmbledhin veçoritë e tipareve dhe fateve njerëzorë në një. Besniku është heroi i iliriadës shiptare, idealisti, i mençuri, filozofi, i sinqerti, atdhedashësi, liridashësi, luftëtari i të gjitha kohërave, që ritakon në një, të gjithë dëshmitarët e luftës për liri.
7. Kuptimi historik: Idetë politike – idetë atdhetare – kombëtare e kulturore.
Fryma universale e mesazhit e bën veprën e Kabashit të lexueshme nga çdo lexues. Dallojmë një konceptim filozofik të historisë 10, frymë të thellë reflektive, për të evidentuar mbijetojën kombëtare, atdhetare ku është futur njeriu i dilemës së mbijetesës kombëtare. Dëshmitë e fitores dhe humbjes së lirisë janë përfshirëse deri në autoportretizimin e dhe portretizimin e heronjëve të lirisë, diferencën e përbën koha e heroit, i përbashkët është mjedisi ku rrëfehen dëshmitë. Ide atdhetare: Koha dikton heronjtë: Rozafa pohon: Unë nuk e di kuptimin e lirisë as kuptimin e gjakut të asaj kohe. Ndoshta nuk e di as Besniku. Por ai duhet të jetë i zënë shumë me gjakun që ia ka kërkuar koha e tij, nuk ka kohë të merret me edh me gjakunqë e ka kërkuar koha ime. (f. 15.) Botën asgjë nuk e frikëson më shumë sesa kur na shohin të se shkojmë te njeri-tjetri, se jemi bashkë. (f. 15.) Në aspektin historik autori i mëshon idesë se Shqiptarët janë komb autokton, Rozafa dëshmon se: Ne jemi aty ku na kanë lënë që nga koha e labeatëve, ndoshta edhe më parë. (f. 17).
Ide politike: Ëndrra për bashkim territorial shfaqet në fjalët e Rozafës kur thotë: Bota e di kur jemi bashkë, bëhemi më të fortë se të tjerët…(f. 15). Këtu dallojmë hollësitë e persiatjeve të dramës përsonale të heroit – njeri, në skutat e thella të ndërgjegjes, të motivimit të jetës, të hapësirës dhe rrethanës që përzgjedh për të rrëfyer. Përmes Rozafës autori shpreh se rruga për të bërë lirinë është rrugë e gjatë: Nuk po e fsheh zoti hetues, i kam thënë dhe herë të tjera Besnikut…por e di që i kam thënë: nëse nuk mësohemi ta shohim të keqen brenda gjakut tonë, atëherë rruga për ta bërë lirinë do jetë përherë e më e gjatë. (f. 15-16). Në mitin e Rozafës ai ndërton pamjen e atdheut të ndarë në dy pjesë: Mos kërko falje, se unë e kam ndërmend të të flas për atë trupin tim të ndarë përgjysmë, f. 27. Njërën gjysmë të trupit tim, që e sheh diellie e hëna, e ngrin dhe e shkrim ngrica e vesa, e merr nata dhe dita, e përkëdhel mëngjesi dhe mbrëmja, e mbulojnë bora dhe lulet, pjalmi dhe shtrëngata. Gjysmën tjetër të trupit tim, që rri në themelet e Kalasë, nuk e sheh as nata e as dita. Atje përherë është errësirë. Kohët sërish mund të na ndajnë përgjysmë. Në aspektin politik prek dramën e ndarjes shekullore të shqiptarëve. Jo vetëm pushtimet dhe historia lakmitare e vendeve të tjer ndaj nesh, po tash në liri janë vetë shqiptarët që po harrojnë gjysmën e atdheut të tyre. Ka mbetur një gjysmë atdheu andej… f. 31.
Ide atdhetare: Rozafa pohon se liria e atdheut nuk mund të ndërtohet pa sakrificë: I fola njëherë Besnikut, se nuk e di a është njësoj, si sakrifica për lirinë, si kur Kalaja në kohën e vet kërkoi gjakun tim. Ajo ishte liria jonë, liria e kohës sime. Prandaj hyra në themelet e Kalasë, jo vetëm të qëndronin themelet e saj, po të qëndronte dhe liria jonë. f. 14. Besniku pohon: f. 58. …u betova se atë pushkë do e përdorja vetëm për lirinë e vendit tim-për lirinë e Kosovës e pastaj deri ku të mbërrij.
Kuptimi kulturor merr rrugë me ritregimin e legjendave, miteve si dëshmi ekzistence jo vetëm historike por dhe shpirtërore. Me vijëmijësinë e vet social – psikologjike, autori krijues rrëfen kalimet e kohës, si në strukturën dramatike të flijimi të njeriut, nga akti makabër i vrasjes së njeriut deri te zëvendësimi me akte simbolike që qëndrojnë si rituale, si paganizma, si bestytni njerëzore, me të cilat kënaqet psikologjia e njeriut. Autori e konsideron mitin e Rozafës, si mundësi letrare, si letërsi që do zbuluojë dëshirat njerëzore, frikën dhe shpresat, dhe e ka përdorë në tekst si një lente nëpërmjet të cilit interpreton veçoritë kulturore të mitit dhe heroit, dhe zbulon qeniet njerëzore në përgjithësi, që duan të shohin veten dhe vendin e tyre në histori kulturore e letrare.
Këtu çdo hero shfaq pikëpamjet e tij origjinale që dallohen në kronologjinë e rrëfimit, në brendinë dhe jashtësinë e tij.
Autori mbërrin në konkluzion se: Për ta bërë lirinë, për ta ruajtur lirinë, të gjithë këta njerëz të gjallë a të vdekur, që shkojnë e vijnë në Odavarrin e Besnikut, marrin vetëm një mësim, se liria krijohet dhe mbrohet vetëm me gjak. (f. 14-15). Nuk ka atdhe të vogël a të madh. Ka vetëm atdhe. (f. 29).
8. Veçoritë e stilit. Fiksimi i çasteve solemne në periudha të ndryshme historike, atë që koha e fikson përmes historisë, autori e fikson në mënyrë të ngjeshur, të saktë dhe shprehëse. Lexuesi kështu shijon harmoninë, çmon përzgjedhjen e autorit për emrat e heronjve, historitë e tyre që rrëfejnë dhe peshën e tyre në histori, përshkrimet plot finesë ndaj gruas që vizatohet hollësisht me syrin estetik të autorit.
Përshkrimet e hollësishme, forca e dialogut, figuracioni i ngjeshur në stilema, simbolika e titullit, dialogu dramatik. Tradicional në kompozicion, ravijizim në vija të trasha dhe në vija të shpejta të tipave të jetës, strukturë tekstuale shumëstresore, brenda Gjëmës së Atdheut shihen gjithë gjurmët e dhimbjeve mbi mitin e lirisë. Gjurmët e legjendës dhe të mitit janë të prekshme në rrëfim. Fraza e plotë e kumbueshme e mbushur me befasi, përkujdesi për frazën spikat dhe transmeton psikologjinë dhe botëkuptimin e luftëtarit të lirisë.
9. Me anë të nëntekstit zbulohet mendimi filozofik e uiversal që fshihet në simbolikën e emrit të Rozafës dhe ritit të sakrificës. Kush është Rozafa? Femra ideale e sakrificës njerëzore, e dashura ideale, malli që ngujohet, gruaja mes dy fateve, të murimit dhe nënës? Autori përgjatë rrëfimit me teorinë e andergraundit zbulon një mënyrë jetese, një profil të nëndheshëm të personazhit.
10. Teknika e shkrimit të letrës brenda narracionit, zbulon ndjesitë e përsiatjet filozofike të përsonazhit me realitetin, para çdo rrëfimi shkruhet një dëshmi shpirtërore përmes letrave. Teknika e rrëfimit në veten e parë, zbulon se çfarë ndodh në shpirtin e njeriut. Teknika e palimpsestit mbi vetë mitin e Rozafës, mbi vetë figurën historike të Teutës, mbi vetë të pathënat e Mamicës dhe Shotës, mundëson mënyra të tjera interpretimi dhe rrëfen shkaqe e pasoja që zbulojnë mbijetojat historike në procesin e kërkimit të lirisë. Nëpërmjet lojës paradoksale, Odavarri flet në funksion të idesë së bashkëjetesës së mitikes me realen të para në një optikë tjetër të shfaqjes së realitetit.
10. Diagrama e zhvillimit të ngjarjeve dhe veprimeve, tipografia e vendeve që prek romani.
Ngjarjet kanë rend kohor të njëpasnjëshëm. Nga koha mitike, ilirike deri në kohën e sotme vijnë si përvijime rendesh e kohësh të qëndresës së mëvetësishme të atdheut si shtet, deri te fitorja e shtetit më të ri të Europës, Kosovës së mbijetojës së luftës qindra vjeçare. Tipografia është ajo e trojeve dhe viseve mbarë shqiptare. Struktura zbulohet që në titull: Roman me katër pjesë e tetë rrëfime. Secila nga pjesët ka nga dy rrëfime. Rrëfimi i parë është ai i Rozafës si rrëfim i identitetit etno – kulturor e historik, (arsyet e ardhjes në Odavarrin e Besnikut, pengjet, të pathënat, dhimbjet e saj si kod i sakrificës, dhe përfaqsuese e mitit të murimit të vijëzuara në katër pjesë. Koha 2400 vjet dikton kohën e parë të rrëfimit. Rrëfimi i dytë: rrëfimi i Besnikut po me katër pjesë na shpie në përjetimet e personazhit kryesor atë të Besnikut që shpesh lidhen drejtpërdrejt me momente kyqe të vetë jetës së autorit. Shenjat e rritjes së tij, shkollimit, edukimit, bindjeve, ashtit të tij si luftëtar i lirisë. Pjesa e dytë nis me Rrefimi e Teutës së Ilirikumit po me katër pjesë si rrëfim i identitetit historik. Rrëfimi i dytë ai i Besnikut përmbledh 6 rrëfime të historisë së atdheut. Pjesa e tretë nis me Mamicën, koha 600 vjet, rrefimi mbi betejën e Beratit shtrihet në katër pjesë. Rrefimi i dytë ai Besnikut shtrihet në gjashtë pjesë dhe prekin një tjetër etapë të rëndësishme të historisë së Kosovës. Pjesa e katërt nis me rrëfimin e Shote Galicës, ose Nusen e maleve, koha 80 vjet, shtrihet në katër pjesë. Rrëfimi i dytë bëhet në dy variante.Varianti i parë ka katër rrëfime, variante i dytë ka gjashtë. Datat themelore qe prek romani, dhe ngjarjet nisin që 2400 vjet më përpara. Vendodhja: Maja e maleve të anës së Therandës. Letrat shkruhen në këtë majë (ai që i kërkon heronjtë kulturorë e historikë në tërë epokat është Besniku, mjeti me të cilin e realizon janë letrat, si dëshmi të pamohueshme, si gjurmë, si hap përparimtar: Kurdo që vjen në Odavarrin tim, Rozafë e dashur, i jep kuptim edhe vdekjes së ngadalshme që po rri me mua. Nëse bëhet hise e imja, vdekja e humb kuptimin që i ke dhënë ti, e mira Rozafë! (f. 5). Kurdo që vjen, dije se vjen dhe heq ato shtresa të ndryshkut të mallit (sepse vetë ti e di mallin e asaj që mungon). Që ndonjëherë i bën ballë edhe vdekjes së ngadalshme!
___________
1. Emin Kabashi u lind me 22 dhjetor 1949 në Çifllak të Rahovecit (Drini). Ka kryer degën e gjuhës dhe të letësisë, ka magjistruar me temën Poetika e Lasgush Poradecit, kurse ka doktoruar me temën “Poetika e Jeronim de Radës”. Punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka botuar veprat: “Njerëz në rrugë” (roman), Prishtinë 1990. “Dimri i Drnisë” (roman), Prishtinë, 1993. “Gjaku i shprishur” (dy drama), Prishtinë, 1993. “Dashuri në kohë robërie”(roman), Prishtinë, 1994.” Përtej grilave” (roman), Prishtinë, 1996. “Lasgush Poradeci” Jeta dhe vepra, Prishtinë, 1997. “A erdhi nusja”, (dramë), Prishtinë, 2002. “Batalioni Atlantiku i UÇK-së” Prishtinë, 2004. “Udha e madhe e jetës” monografi, Prishtinë, 2005. “Shenjat e kujtesës historike” monografi, Prishtinë, 2006 . “Hisja e atdheut” monografi, Prishtinë, 2008. “Komandanti i lirisë” monografi, Prishtinë, 2010.
2. Kujtim M. Shala, Rugova Meditans, Kritika letrare e Ibrahim Rugovës, AIKD, Prishtinë 2008, f. 29. Autori citon se: Letërsia, si artet, është sistem autonom. Autonomia e tillë sigurohet nga refuzimi estetik, i cili buron nga vetë kjo autonomi. Ndërsa, autonomia bëhet e mundur nga qenësia estetikee veprës letrare.
3. “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” Tiranë, 1980. ASH e RPS të Shqipërisë, IGJL, f. 617. Gjëm/ë,-a, 1. Fatkeqësi e rëndë, mynxyrë e madhe, e lidhur zakonisht me vdekje; e zeza. Gjëmë e madhe (e zezë). E gjeti (e zuri) gjëma. Të rëntë gjëma! mallk. I lëshoi një gjëmë e mallkoi që ta gjejë një fatkeqësi, e mallkoi rëndë. 2. Lajmi i vdekjes, që u çohet të afërmve, mandate. I erdhi gjëma. Të ardhtë gjëma! mallk. 3. etnogr. Vajtim me britma që bëhej në rast vdekjeje; britmë që nxirrej gjatë këtij vajtimi, britmë vajtuese. Shkoi për gjëmë. Vajtonte me gjëmë. Nisi (lëshoi, dha) gjëmën. Zunë gjëmën. Krisi (pushoi) gjëma. I bënë gjëmën. Të bëfsha gjëmën! mallk. 4. Sasi e madhe e diçkaje. Një gjëmë para. 5. bised., keq. Diçka e keqe dhe e shëmtuar, që mezi durohet. Ç’e ke atë gjëmë!? S’e shoh dot me sy atë gjëmë! * Bën gjëmë vajton me britma, qan me kujë e ulërimë. Të bën gjëmën të sjell a të shkakton një fatkeqësi të madhe, të bën të keqen, të bën atë që s’ta ka prerë mendja. Gjëmë sh. Bubullimë, gjëmim; ushtimë. Gjëmë e madhe. Gjëma e rrufesë. Gjëma e topave. Gjëma e shpellave. Bën gjëmë gjëmon.
4. Albania, nr. 9. 1906, fq. 169. “Në komb t’onë, duket se tërë hollësia e mëndjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, i kanë rënë për miras gruas”
5. Kujtim M. Shala, Rugova Meditans, Kritika letrare e Ibrahim Rugovës, AIKD, Prishtinë 2008. f. 19. Studiuesi vëren se: Leximi i letërsisë si model i veçantë, i vetes, kur zbresim nga teoria tek empiria letrare shqipe, problematizohet vetiu, duke qenë e njohur natyra e thellë ideologjike e një pjese të madhe të saj, prandaj marrja e funksioneve të jashtme, vënia në shërbim të ideologemave.
6. A ndryshon gjë këtu mes varrimit dhe murimit, më shkrepi nëpër kokë, jo si pyetje, si një pykë që çan lisin e vet. ty, ose thënë më mirë, gjysmën e jetës tënde dhe gjysmën e trupit tënd, i vunë në muret e kalasë, se nuk rrinin. Ato që ndërtoheshin ditën, rrënoheshin natën, e mira Rozafë, prandaj vdekja jote,qoftë dhe vetëm ajo jeta e përtjme, nuk kishte varrim, po vetëm murim. f. 88-89.
7. U ngrita ngadalë, lashë me një anë peshën e varrit të atyre themeleve të lashta të kalasë, mora me vete mallin e djalit, që nuk e di a i kam dhënë gji ndonjëherë dhe erdha. f. 8.
8. Kabashi Emin, “Gjëma e Atdheut”, Prishtinë, 2013, f. 13. U fola ashtu si më tha shpirti.A mund ta thotë kush, a ka kund në botë pritje më të gjatë. Dymijë e katërqind vjet duke pritur.
9. Kabashi Emin, “Gjëma e Atdheut”, Prishtinë, 2013, f.19,…Ai pasi fshiu sytë me dorë, më shikoi përmallshëm dhe buzëqeshi. Nuk u liga se më erdhe si ….por se ç’më ra kokës malli për një shenjë që mbeti përjashta, e cila sa ka filluar të nxjerrë filiza të rinj.
10. Shih: Michel Foucault. Një historian e filozof francez, Foucault bashkoi rastet dhe fenomenet nga zonat e para normalisht si të palidhura historikisht dhe inkurajuese për histori të reja kulturore, për të ripërcaktuar kufijtë e hetimit historik. Ashtu si filozof Friedrich Nietzsche, Foucault refuzoi ta shihte historinë si një proces evolutiv, si një zhvillim të vazhdueshëm nga shkaku te efekti, nga e kaluara për të paraqitur drejt përfundimin, në një moment të caktuar, në ditën e Gjykimit. Asnjë ngjarje historike, sipas Foucault, nuk ka një arsye të vetme; për më tepër, çdo ngjarje është e lidhur në një rrjet të gjerë të faktorëve ekonomikë, social dhe politik.
KUSH ËSHTË ERMIRA YMERAJ
(Dr.Ermira Ymeraj: [email protected])
ERMIRA YMERAJ ka lindur në Shkodër me 18.12.1972. Në vitin 1995 mbaron Universitetin e Shkencave Filologjike në degën “Gjuhë – Letërsi” po në Shkodër. Mbas një ndërprerjeje të shkurtër rinis sudimet pasuniversitare në SHPU, në vitin 2005 dhe në 2010 mbaron masterin shkencor në degën “Etnokulturë dhe letërsi shqipe” në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër me tezën“Ringjallja në epos”. Viti 2013 shënon një tjetër hap drejt karrierës akademike. Në QSA (Qëndra e Studimeve Albanologjike), mbron titullin “Doktore Shkence”, fusha: Studime Letrare, specialiteti: Letërsia dhe baladat. Nën udhëheqjen e prof. dr. Shaban Sinanit mbron tezën “Balada si paratekst në letërsinë shqipe – vështrim krahasues. Ka botuar artikuj shkencor dhe studime në revista të njohura brenda dhe jashte vendit. Në fushën e studimeve shkencore ka botuar monografinë: “Shtegtimi i Miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi”, Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2013, ISBN 978-9928-109-52-1. Në krijmatrinë poetike ka botuar dy vëllime me poezi “Zemër diptike” , Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2013, ISBN 978-9928-109-51-4, dhe “Pirg dhimbjesh”, Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ISBN 978-9928-109-17-0…
***
DR.ERMIRA YMERAJ: ARSIMI ËSHTË ÇELËSI PËR NJË TË ARDHME MË TË MIRË
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=2859