DR.ERMIRA YMERAJ: SHKOLLA, KOMUNITETI DHE ROLI I TYRE NË PROCESIN E SOCIALIZIMIT

Shkodër, 20 nëntor 2019: 

 

 

 

 

 

Dr. Ermira Ymeraj
Departamenti i Mësuesisë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
[email protected]

Tema: Shkolla, komuniteti dhe roli i tyre në procesin e socializimit
Argument: Socializimi kërkon bashkëpunim mes prindërve dhe shkollës, kërkon këmbim të të dhënave dhe përvojave. Të dyja palët si shkolla dhe komuniteti janë institucione që duhet të bisedojnë, të dëgjojnë njëri – tjetrin, të njohin njëri-tjetrin dhe të kuptojnë e mbështesin synimet e njëri-tjetrit, ku rëndësi ka njohja dhe respektimi i detyrimeve, të drejtave dhe gjegjësisht mospërzierja në kompetencat të njëri-tjetrit. Socializimi si proces përfshin disa aktorë institucional dhe kërkon një planifikim sistematik nga familja, shkolla dhe komuniteti, në mënyrë që fëmijët gradualisht të bëhen të aftë për të jetuar në bashkësinë shoqërore. Qëllimi themelor i procesit të socializimit në shkolla është nxënësi si potencial i shoqërisë, i cili përmes mësimit dhe ndërveprimit me prindërit, mësuesit dhe mjedisit publik e kulturor, të mësojnë ato lloj sjelljesh dhe marrëdhënie ndërpersonale që janë karakteristike për një kulturë të dhënë dhe të aftësohet me përshtatje ndaj kushteve të reja të jetesës.
Albert Bandura besonte në “përcaktimin reciprok”, që bota dhe sjellja e një personi ndikojnë te njëri-tjetri, ndërsa për sjelljen në thelb, thotë se mjedisi i njeriut ndikon në sjelljen e dikujt. Bandura, studioi agresionin e adoleshentëve, dhe sugjeroi se sjellja ndryshon edhe mjedisin. Më vonë, Bandura e konsideroi personalitetin si ndërveprim midis tre komponentëve: mjedisit, sjelljes dhe proceseve psikologjike. Dy proceset e socializimit janë: Socializimi primar, është socializim që zhvillohet në kuadër të familjes, në vitet e para të jetës së fëmijës. Kjo u ndihmon fëmijëve të mësohen të komunikojnë me të tjerët, çka është e pranueshme e çka nuk është. Socializimi sekondar fillon kur fëmijët vendosin kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe me mjedisin jashtë shtëpisë së tyre dhe që vazhdon gjithë jetën. Socializimi sekondar i mëson fëmijët: si të komunikojnë me të rriturit që nuk janë të familjes së tij, si të komunikojnë me miqtë dhe personat e tjerë, me ‘rregullat’ e shoqërisë, çfarë është e pranueshme e çfarë nuk është e pranueshme jashtë shtëpisë.

Pyetja kërkimorë: A është shkolla drita e qytetërimit social që gjeneron marrëdhënie sociale mes tre fakorëve: shkollës, familjes dhe komunitetit?
Për të shqyrtuar problemin do ndalemi te:
Besueshmëria ndaj institucionit të shkollës dhe aktorëve të saj
Hapja e shkollës dhe përfshirja e komunitetit
Pjesmarrja e komunitetit
Paraqitja e problemit: Duke u mbështetur te pyetja kërkimore, ne jemi ndalur në trajtimin e njërës nga fushat e standardave që zhvillojnë shkollat si qendra komunitare atë të Bashkëpunimit me komunitetin. Shkolla si qendër komunitare ofron lëvizje, promovim, zhvillim, partneritet me komunitetin, të gjitha këto në funksion të shfaqjes së potencialit të plotë të nxënësit. Komuniteti nga ana e tij është vendi ku gjenerohen marrëdhënie, përshtatje, ndikime dhe ku secili mëson të jetë. Shkolla, familja dhe komuniteti sot janë përbërje me rrënjë të ndryshme kulturore, një fenomen strukturor që nuk mund të konsiderohet episodik, detyrë e këtyre institucioneve është se duhet të transformohen vetë në një mundësi për të gjithë. Nuk mjafton për të njohur dhe ruajtur identitetet para-ekzistuese, në autonominë e tyre, duhet mbështetje dhe bashkëveprim në mënyrë aktive, duke i integruar ato përmes shkollës si vendi më i mirë i mundësive të socializimit.
Shkolla qendër komunitare duhet të pranojë sfidën që sjell diversiteti: para së gjithash në klasë, ku situatat e ndryshme individuale duhet të njihen dhe vlerësohen, duke shmangur që ndryshimi të kthehet në pabarazi.
1. Cilat janë problemet që duhet t’i kemi parasysh?
2. A janë të përgatitura shkollat për këtë reformë të re?
3. Si e menaxhojnë?
Problemi i parë është të kuptuarit e komunitetit si bashkësi në tranzicion e karakterizuar nga ndryshime dhe ndërprerje të shumëfishta me rreziqe dhe shumëfishim të mundësive. Problemi i dytë është ambienti në të cilat shkollat janë zhytur, më kontradiktore. Problemi i tretë janë familjet me shumëllojshmëri pervojash negative që rrezikojnë jetën e fëmijëve.
Nisma u miratua në 2014, shkollat u pajisën me një udhëzues të mirëpërgatitur, që kërkon hapjen territoriale të shkollës. Çdo territor i veçantë ka lidhjet me zonat e ndryshme, duke krijuar një mikrokozmos që në një hapësirë territoriale riprodhon mundësitë, ndërveprimet, ul tensionet dhe lehtëson bashkëjetesën. Shkolla është përgjegjëse për sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme në mënyrë që çdo nxënës, prind a anëtar i komunitetit të zhvillojnë një identitet të vetëdijshëm dhe të hapur. Menaxhimi nga institucioni arsimor kërkon të prodhojë diçka të re, të krijojë lidhje me modelet e një shoqërie të futur në një kornizë zhvillimore në tranzicion, individualiste dhe me diversitet të theksuar social – ekonomik – kulturor e fetar. Angazhimi kërkon së pari menaxhim të frikës, pranim të gabimeve dhe dështimeve për të mos harruar se shkolla është vendi i dritës.
1. Besueshmëria ndaj institucionit të shkollës dhe aktorëve të saj, kërkon zbatimin e njërës nga fushat e standardave: Angazhimin dhe zhvillimin e komunitetit.
Në qytetin e Shkodrës janë 14 shkolla qendër komunitare të shpërndara gjeografikisht në fshat dhe qytet për të dy ciklet AMU dhe AML, konkretisht 4 shkolla në fshat të ciklit 9-vjeçar, 4 shkolla po në fshat të ciklit të mesëm; 5 shkolla në qytet të ciklit 9-vjeçar dhe 1 shkollë e ciklit të mesëm.
Sfondi i kërkimit: Nga shkollat kemi marrë në shqyrtim planet e punës për dy vitet shkollore: 2017 – 2018 dhe 2018 – 2019, pikërisht për të evidentuar rolin e shkollës në integrimin e komunitetit në jetën e saj duke kërkuar përgjigje për pyetjen: Pse duhet të angazhohet komuniteti në procesin e socializimit?
Duhet të theksojmë se familja është qendërzimi i parë i socializimit. Komuniteti është socializim i zgjeruar i ndryshëm për bashkësitë sociale në fshat dhe qytet. Komuniteti sepse, lidhëzorja e shkollës në një gjeografi të re të shpërndarë, të zgjeruar, kërkon ripërcaktim të shoqërisë dhe rivlerësim të një kornize të re etike për jetën sociale. Shkolla duhet të edukojë një fëmijë që tregon rritje në kuptimin e familjes dhe komunitetit, për aq kohë sa atij deri më tani nuk i është krijuar mundësia që të aftësohet të sintetizojë problemet e mjedisit, propozojë, krahasojë për përbërjen shoqërore në të cilën rritet.
Vëzhgimi i veprimtarive të shkollave në lidhje me angazhimin e komunitetit paraqet probleme, që kanë lidhje me treguesit e besueshmërisë ndaj institucionit të shkollës si:
Treguesit e sigurisë
Treguesit e hapjes
Treguesit e pjesmarrjes së individëve të interesuar
Treguesit e qendrueshmërisë që favorizon:
pjesmarrje në jetën shoqërore në komunitet
diversitetin
kënaqësinë e jetës
5. Treguesit e vlerësimit nga komuniteti pjesmarrës
Prindërit si bashkëedukatorë me mësuesit, duhet të marrin vendimmarrje të përbashkëta. Qendërzimi i nxënësit në trekëndëshin shkollë-familje-komunitet, ka për qëllim shfaqjen e potencialit të plotë të tij, për të njohur mjedisin, për të mbajtur qendrim për çështje dhe problematika sociale të komunitetit. Puna në partneritet me aktorë të tjerë, krijon mundësitë për të tejkaluar barrierat e të nxënit. Aktorit kryesor nxënësit, që në fillim nga mësuesi, duhet t’i vlerësohen nevojat, burimet, programe që i shërbejnë për të përfituar. Në çdo plan pune të hartuar nga shkollat ka një kolonë që evidenton, faktorët e riskut të suksesit. Fushat e standardeve janë këto:
Fusha1. Sigurimi i arsimit cilësor për çdo nxënës.
Fusha 2. Sigurimi i mirëqënies sociale, emocionale dhe shëndetësore të nxënësve.
Fusha 3. Angazhimi dhe zhvillimi i komunitetit
Fusha 4. Vendimmarrja e perbashkët.
Fusha 5. Gjithëpërfshirja dhe respektimi i diversitetit.
Nga vëzhgimi analitik i tërë planeve, u vu re se pothuajse të gjitha shkollat, suksesin e tyre në realizimin e bashkëpunimit me anëtarë të komunitetit si: organizata rinore; biznese lokale; universitete; pushteti lokal; struktura të mbrojtjes së fëmijëve; organizata lokale, kombëtare e ndërkombëtare, parashikonin si faktorë risku:
Mungesën e prindërve.
Dëshirën e nxënësve.
Frekuentimin e ulët të komunitetit.
Mospërfshirja e biznezit.
Baza materiale e ulët.
Në të shumtën e rasteve, mungesa e bashkëpunimit nga pushteti lokal.
Mungesa e bashkëpunimit me strukturat e mbrojtjes së fëmijëve.
Mungesa e bashkëpunimit me organizata locale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shembuj nga dy shkolla të qytetit: Dëshmorët e Prishtinës dhe 28 Nëntori
Ne mendojmë përgjatë vëzhgimit tonë se paraqitja e këtyre problemeve ka të bëjë me aktivitetet që shkollat hartojnë në fillim të vitit për bashkëpunimin me komunitetit. Besueshmëria ndaj institucionit të shkollës dhe aktorëve të saj, kërkon përmbushjen e standardit të fushës 3: Angazhimin dhe zhvillimin e komunitetit.
Për shkollën 9 vjeçare “Dëshorët e Prishtinës”
Fusha 1 23 aktivitete
Fusha 2 26 aktivitete
Fusha 3 1 aktivitet
Fusha 4 16 aktivitet
Fusha 5 3 aktivitete
Vëzhgojmë grafikun 1.
Grafiku 1. Llojet e aktiviteteve të organizuara në shkollën Dëshmorët e Prishtinës, për vitin shkollor 2017-2018
Siq shihet dhe nga grafiku është e dallueshme fokusimi i shkollës vetëm në veprimtari të fushave 1 dhe 2, pothuajse fusha 3 është e papërfillshme.
Ndalemi te shkolla e dytë, 28 Nentori. Në planin e punës për vitin shkollor 2018-2019, fusha 3 ka këto standarde.
FUSHA 3: ANGAZHIMI DHE ZHVILLIMI I KOMUNITETIT
Standardi 1: Prania e prindërve në shkollë
Treguesit.
1. Prindërit janë pjesë e zhvillimit të jetës në shkollë, dhe japin ide për përmirësimin e performancës së nxënesve.
2. Prindërit marrin pjesë në punë vullnetare për përmirësimin e punës në shkollë dhe mblidhen kur e shohin të nevojshme.
Standardi 2: Shkolla ofron kushte për zhvillimin e komunitetit
Treguesit:
1. Ofrimi i kurseve në shkollë në shërbim të komunitetit, si dhe përgatitja e komunitetit për të nderhyrë në emergjenca natyrore.
2. Ndërgjegjësimi i komunitetit për respektimin e diversitetit dhe pjesmarrjen e komunitetit në aktivitetet e shkollës.
3. Vendosja e pajisjeve të TIK-ut në shërbim të komunitetit.
4. Bashkëpunimi me OJF për të ofruar kurse në shërbim të komunitetit.
Standardi 3: Krijimi i kushteve që mundësojnë zhvillim të përbashkët
Treguesit:
1. Marrja e masave për ndarjen e detyrave që ndodhin në shkollën si qendër komunitare.
2. Ofrimi i kushteve për zhvillim profesional të stafit dhe të aktiviteteve që u përgjigjen nevojave më të përgjithshme të nxënësve dhe komunitetit.
3. Shkolla hap bibliotekën e saj në shërbim të komunitetit.
Standardi 4: Financimi i kurseve që ofrohen për komunitetin dhe nga komuniteti
Treguesit:
1. Shkolla bashkëpunon me prindërit për të gjetur mënyra financimi për kurset jashtëshkollore, pa kosto.
2. Shkolla bashkëpunon me partnerë të ndryshëm për të mundësuar pjesmarrjen e nxënësve dhe komunitetit.
Standardi 5: Prindërit janë të përfshirë në planifikimin, menaxhimin, vlerësimin, implementimin dhe aprovimin e programit në oraret jashtëshkollore.
Treguesit:
1. Përfshirja e prindërve në proceset e organizimit të shkollës dhe sigurimi i atmosferës së mirëseardhjes së prindërve në problemet e organizimit të shkollës
2. Ekzistenca e shumë mundësive për të komunikuar me prindërit në çdo kohë.
Duke u nisur nga zbatueshmëria e standarteve të fushave të ndryshme kemi këtë paraqitje grafike.
Fusha 1 25 aktivitete
Fusha 2 24 aktivitete
Fusha 3 2 aktivitete
Fusha 4 7 aktivitete
Fusha 5 13 aktivitete
Grafiku 2. Sasia e aktiviteteve mbi përfshirjen e komunitetit.

Sipas grafikut mund të pohojmë se treguesit e standardeve 1-2-3-5 nuk janë të përfshira në planin e punës. Sipas llojit të aktivitetit vetëm treguesit e standardit 4 gjinden të realizuara në krijimin e grupit të ndihmës së shpejtë.
Analizojmë: Si punonjëse e DAR-Shkodër, në pozicionin e shefes së kurrikulës dhe cilësisë, ne si institucion hartojmë planin tonë për shkollat qendër komunitare. Nga vëzhgimi i 14 shkollave për treguesit e hapjes së shkollës dhe përfshirja e komunitetit dhe pjesmarrja e komunitetit, po paraqesim disa probleme.
Treguesit e sigurisë në disa shkolla si: Dëshmorët e Prishtinës, 28 Nentori, Dobraç, Mjedë, Bushat dhe Edith Durham nuk zvogëlojnë shtigjet në përcaktimin e marrëveshjeve kontrast-jashtësi, për të krijuar lidhje të rëndësishme grupore, duke vendosur në qendër të veprimtarive edukative anëtarë të ndryshëm të komunitetit të shkollës dhe duke qendërzuar nxënësin për t’u bërë vendimmarrës në probeme të dryshme të përshtatjes së jetës sociale në komunitet.
Treguesit e hapjes: Vullneti i stafeve nuk mungon në këto shkolla, po duhet zvogëlim i shtigjeve në përcaktimin e mundësive për marrëveshje për afër-larg, duke rikrijuar identitete ndihmëse për gjithëpërfshirje, raporte miqësore mes kolegëve që duhet të krijojnë mundësi për zhvillim permes kuptimit të kontekstit natyror-social-antropologjik dhe kulturor në të cilën jetojnë-veprojnë e gjinden nxënësit.
Treguesit e pjesmarrjes së individëve të interesuar: Shkollat paraqesin probleme, nuk ndiqet vazhdimi e kërkimi i një aleance edukimi për të njohur realitetin e njeri-tjetrit.
Treguesit e qendrueshmërisë që favorizon komunitetin: a. pjesmarrje në jetën shoqërore; b. pjesmarrja e aktorëve të komunitetit në jetën shkollore; c. kënaqësinë e jetës me komunitetin. Shkollat janë bashkësi profesionale, që duhet të tregojnë qendrueshmëri në përballjen me bërthama provinciale e qytetare që konfrontohen dhe nuk duhet të anashkalojnë çështje të tilla si komunitet i individualizuar, i egërsuar dhe i pakënaqur me brezin e ri, ndaj detyrë e shkollës është zvogëlimi i shtigjeve mospërshtatje-pakënaqësi me veprimtari që rrisin aktorët pjesmarrës, shtojnë kënaqësinë e jetës dhe përfshirje në jetën shoqërore.
Treguesit e vlerësimit nga komuniteti pjesmarrës: Aktivitetet që nuk mundësojnë mendimin kritik të komunitetit janë tregues për një vlerësim të njëanshëm të shkollave në problemet e përballjes me diversitetin komunitar.
Si përfundim po rëndisim disa nga problemet e shkollave qendra komunitare, në shërbim të marrëdhënieve me komunitetin, të evidentuara në planet e punës së këtyre shkollave:
Shkëmbim jo i rregullt dhe i padokumentuar i informacionit për njohjen dhe afrimin e komunitetit pranë shkollave.
Bashkëpunim me hope mes prindërve dhe mësuesve, kjo për mungesë të bashkëpunimit mes vetë mësuesve dhe neglizhimit të prindërve për arsye të mënyrës së jetesës.
Respektim i njëanshëm i detyrave dhe përgjegjësive të familjes ndaj fëmijës dhe neglizhim i komunitetit për t’u ofruar në zgjidhje të problemeve të ndryshme të shkollës.
Mungon kultura e kritikës, nuk organizohen aktivitete të hapura me pjesmarrjen e komunitetit, për përfshirjen e tyre në dhënien e mendimit ndryshe.
Marrëveshjet janë të dokumentuara në standardet e fushave po nuk zbatohen.
Struktura e organizimit të aktiviteteve me komunitetit paraqet probleme të theksuara në veprimtari përfshirëse të subjektit komunitet.
Mungon përpunimi i informacionit për kuptimin e nevojave mes institucioneve, mungon përfshirja e pushtetit lokal në rregullimin e mjedisive të përshtatshme për një shkollë të hapur ndaj komunitetit.
Ka mungesë besimi mes partnerëve.
Mjedisi ka mungesë të theksuar të bazës material të nevojshme për gjithpërfshirje.
Mungojnë investimet nga aktorë të tillë si bizneset dhe organizma të tjerë.
Roli i prindit në edukimin e fëmijës paraqet probleme të theksuara, duke hequr nga dorë nga roli i tij si institucion në mirëedukim e tij për shkaqe ekonomike, sociale. Treguesit në rritje të familjeve të divorcuara, në emigrim, pa shkollim, në varfëri të skajshme, krijojnë një tabllo më të vështirë dhe në regres të familjes dhe rolit të saj.
Përfundime: I gjithë vëzhgimi ynë del në këto nevoja që shkollat qendra komunitare duhet t’i rivlerësojnë si: Shkëmbim i rregullt i informacioneve prindër – mësues. Bashkëpunim konstruktiv. Respekt i dyanshëm. Kulturë komunikimi dhe ajo e kritikës janë të domosdoshme. Marrëveshje të qarta. Struktura të qarta. Përpunim i informacione të përgjithshme për kuptimin dhe qëllimin e bashkëpunimit mes tyre dhe institucioneve. Durim dhe besim te njëri – tjetri. Tolerancë. Shkolla ka funksion specifik. Ajo ka për qëllim dhe detyrë të planifikojë aktivitete që do të sjellin rezultate dhe sukses të lartë. Kjo do të thotë se qëllimi parësor është suksesi i nxënësve. Niveli i këtyre rezultateve përcaktohet edhe nga faktorë të mjedisit ku shkolla e zhvillon aktivitetin e saj. Familja më shumë të përqendrohet në detyra edukative, kurse shkolla në detyrat e saj arsimore dhe sociale, në dhënien e njohurive dhe zhvillimin e shkathtësive, përkrahjen e familjeve në edukimin e fëmijëve.
__________________
Bibliografi:
1.Standardet e shkollës miqësore për fëmijët në Shqipëri: UNICEF, 2011
2. Standardet për shkollat mike për fëmijë (Drafti I): Prishtinë, 2012
3. Coalition for Community Schools: http://www.communityschools.org
4. Përfshirja e prindërve në jetën e shkollës: rekomandime për një partneritet të suksesshëm shkollë-familje-komunitet: Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë, 2011.
Safe Passages by Joy Dryfoos. Oxford University Press, 1998.

________________
DR. ERMIRA YMERAJ: PYETËSORI I PRUSTIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9247

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura