DR.FATMIR TERZIU: DISKURSET E FOTOGRAFISË SË LUFTËS SË KOSOVËS NË SPEKTRIN FILOZOFIK TË NJË LIBRI

Londër, 14. 10. 2014: Libri më i suksesshëm i pas luftës së Kosovës, ndoshta më i veçanti i këtij lloji, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i autorit Pr. Dr. Nusret Pllana, ka dhe një arsye tjetër të jetë më i ndjeshmi. Është i tillë, jo thjesht si dokumentim, as edhe si një memorje e trishtë, por si një ftesë globale në këtë dimension logjik për diskursin e luftës. Ka një histori të luftërave që bëhet më pas një histori kujtese. Dhe kjo ndodh në tërë dimensionin diskursiv që mbart arsyen e përcjelljes mes mbishkrimeve në rreth shtatë gjuhë të ndryshme, edhe pse gjuha e fotografisë ka vlerën e saj më të madhe. Në këtë shkrim shqyrtimi i retorikës vizuale të këtij libri dhe një tjetri me temë akademike “Nato dhe intervenimi në Kosovë” kanë një kapërcim mediatik dhe ndjehen të arsyeshëm në mjedisin e një diskutimi logjik, ku përfqësimi dhe imazhet në cilësimin e fjalëve kanë më shumë se sa një mesazh. Të dy tregojnë për atë rezistencë dhe për atë mbijetesë. Fotografitë kanë gjuhën e tyre, po aq sa edhe të thënat e të pathënat, me syrin mjeshtëror të Profesor Pllanës. Por në planin transmetues pyetjet janë në kalibrin tjetër. Çfarë tregojnë fotografitë? Çfarë bëjnë këto fotografi të sugjerojnë në lidhje me legjitimitetin e veprimeve të pushtuesve dhe atyre që bënë ato masakra?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve mjafton të shfletosh me durimin dhe guximin më të madh mbi gjashtëqind fletët e një formati të madh e të rëndë të librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Për mbledhjen e të dhënave ka qenë vetë aktiviteti i përkushtuar i luftëtarit Pllana, por edhe arsyeja e tij akademike për të bërë globale një memorje që s’duhet të shuhet. Periudha që pasoi dhe që pason atë periudhë është edhe një kronologji akademike në të dy librat. Rrënjët janë kudo dhe memorja flet.
Para se të diskutojmë për imazhet fotogazetarske të realizuar nga vetë autori në më të shumtën e rasteve, por edhe të mbledhura nga një ekip që drejtohej dhe ideohej prej tij, duhet të flasim në lidhje me vlerën e lajmeve dhe mesazheve të tyre.

Disa prej fotografive në korpusin tonë janë ato imazhe të rralla dhe tronditëse të momenteve ekstreme. Ato janë zakonisht të ndjeshme, të kualitetit të dobët në disa raste, framuar në mënyrë të keqe e të fokusuara si në terren lufte e në viktima, të vështira për tu parë nga të gjitha moshat. Mjaft janë si vetë kohë lufta dhe realizimi me kamera vëzhgimi. Por ato janë jo thjesht mes faqeve të librit, janë duke lëvizur kudo ku ai krim u bë dhe ngado nga ato duar u zgjatën e bënë krimin.
Jo më kot para publikut londinez, Profesori James Pettifer, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Kjo e vërtetë që vjen nga diskursi i fotografisë së luftës. Kështu promovimi në Londër i kësaj vepre madhore publicistike dokumentare: “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” dhe filmit dokumentar: “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, solli arsyen diskursive në një mjedis të ndjeshëm akademik, ku ishin mjaft personalitete akademike si Stephanie Schaëandner-Slevers dhe James Pettifer etj. Diskursi fotografik i këtij libri i cili dokumenton krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga regjime të ndryshme serbe përgjatë historisë u bë në ambientet e Regent’s University. Promovimi u organizua nga Ambasada e Kosovës në Londër në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.
Ambasadori Greiçevci e vlerësoi punën e palodhshme të autorit në evidentimin e të kaluarës së hidhur dhe tragjike të kombit tonë. “Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të luftës nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje akademike, por edhe obligim për të gjithë ne për të mirën e gjeneratave që do të vijnë. Siç thotë një thënie e urtë, ata të cilët nuk mësojnë nga e kaluara, e kaluara u përsëritet”, pohoi ambasadori Greiçevci. Të pranishmëve u folën edhe Ambasadori i Shqipërisë në Mbretëri të Bashkuar, Mal Berisha, dhe Talat Pllana, kryesues i Bashkësisë Shqiptare ‘Faik Konica’ në Britani të Madhe.

– Dr.Nusret Pllana dhe Dr.Fatmir Terziu –

Në fjalimin e tij enkas për librin që për herë të parë po shpalosej para publikut londinez, historiani i dalluar britanik dhe njohësi i mirë i Ballkanit, James Pettifer, theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve në funksion të prezantimit të së vërtetës. Puna të cilën z. Pllana e ka bërë, tha Pettifer, është mënyra më efikase për t’iu kundërvënë përpjekjeve për rishkrim të historisë. Të pranishmit patën rastin ta shohin edhe një dokumentar që paraqiste rrugëtimin e këtij libri nëpër kryeqendra të ndryshme të botës. Në fund të promovimit, autori foli për rolin dhe rëndësinë e dëshmive dhe të dhënave të përfshira në librin e tij, si dhe paraqitjen para audiencës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai falënderoi organizatorët e këtij promovimi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit. Të dy librat e autorit, dokumentari dhe fjalët e këtj evenimenti sollën në skenë me të madhe një arsye të rëndësishme për orët e historisë shqiptare të Kosovës. Orët e historisë shqiptare të Kosovës mes këtij diskursi folën me një gjuhë globale, atë të respektit dhe kujtesës ndaj asaj që ka ndodhur për të mos u rikhtyer e për të mos harruar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura