DRITAN GOXHAJ (*): KLEPTOKRATËT DHE BANDITOKRACIA NË SHQIPËRI!

Tiranë, 31 tetor 2017: Në këto 27 vjet kinse demokraci në Shqipëri kemi parë të dalin në pah lloj¬ lloj fenomenesh e tipologji njerëzish të ndryshëm. Me kalimin e kohës, një pjesë i ka shuar koha e një pjesë janë shuar vetë, duke mos gjetur terren për t’u mbarsur. Por dy lloj njerëzish lindën në këtë “demokracinë” tonë:
– kleptokratët dhe
– banditët.

Të dytët janë pasojë e kleptokratëve. Kjo racë lulëzoi e po lulëzon ndër ne dhe i gjen të përqendruar me shumicë në administratën e vendit, në të gjithë sektorët e në të gjitha fushat.
Kleptokrat, për të gjithë që ndoshta mund të mos jenë të njohur me termin, vjen nga greqishtja dhe përbëhet nga “klepto” që do të thotë hajdut dhe “krat” që do të thotë rregull. Pra, praktikisht, rregull hajdutësh. Dhe një tufë hajdutësh së bashku formojnë një bandë. Një bandë e instaluar në zyra të shtetit formon një banditokraci, ose po t’i referohemi Kodit Penal të Republikës, një grup kriminal të strukturuar.
Tashmë prej 27 vjetësh këta kleptokratë, të cilët pasi instaluan në zyra të shtetit fisin e farën, kushërinjtë e kushërirat, krushqit e dhëndurët, ka disa vite, sidomos këto 10 të fundit, që po zihen mes tyre, jo se kush do të bëjë diçka për të çuar përpara administratën shqiptare ose diçka në shërbim të popullit, por zihen se kush do të jetë pronar i lekut. E këtë e bëjnë duke na shitur parime, njësoj sikur karakurva në një bordello të të shesë moral në vend që të të bëjë shërbim. Këta lloj kleptokratësh i përkasin asaj race që pasurohen shpejt e nuk zënë mend kurrë.

– Dritan Goxhaj –

Përsa u përket banditëve, po të dëgjoje Saimir Tahirin kur ishte i ftuar tek emisioni “Opinion”, të mbushej mendja se këta janë vetëm ca banditë lagjesh, e në sferat e larta, dmth në politikë e në administratë nuk ekzistojnë. Saimiri nuk e di ose ndoshta bën sikur nuk e di se “banditokratizimi” i shoqërisë sonë politike dhe i administratës është një proces që ka nisur herët. E ata që vranë protestuesit në 21 janar (2011) me urdhër të “baba Dovletit”, shokut Sali, ishin banditë të kryetarit të trustit të gështenjave apo patriotë, o Saimir? Ndërsa sot banditokracia ka mbërritur kulmin e saj.
Shembulli më i pastër i instalimit të këtyre kleptokratëve që kanë formuar një bandë në institucionet tona është ai i Autoritetit të Aviacionit Civil. Kryebanditi këtu është drejtori ekzekutiv, një farë Lilika Radovicka.
Le të japim disa fakte që vërtetojnë ato që thamë më lart.
1. Prej më se një viti e më shumë ky institucion ka dërguar në zyrat qendrore të EUROKONTROLLIT në Bruksel një inspektor të këtij autoriteti si përfaqësues me detyrën e oficerit të kontaktit. Deri këtu gjithçka në rregull, por pavarësisht se që prej ditës së parë që ky person ka filluar punën në Bruksel paguhet me rrogë nga EUROKONTROLLI. Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar vazhdon t’i paguajë rrogën këtij personi në kundërshtim me të gjitha ligjet e shtetit. Dhe për më tepër, shpeshherë i ka dhënë edhe shpërblim për punën gjoja të kryer këtu, pavarësisht se këtu nuk ka mundur të paraqitet asnjë ditë. Për këtë rast ka dijeni si shefi i personelit, financa, ashtu edhe drejtori i drejtorisë ku personi vazhdon të figurojë në punë. Pra, ky është një rast tipik kleptokracie dhe banditokratizmi.
2. Këtu, në këtë shkrim, do të shihni një procesverbal të mbajtur nga tri drejtorë drejtorish të këtij autoriteti që i përkasin kësaj bande të drejtuar nga banditja në fjalë, përkatësisht Bujar Hazizaj – me detyrë drejtor i Drejtorisë së Sigurisë në aviacion, Altin Vrapi- drejtor i Drejtorisë së Operatorëve Ajrorë dhe Organizatave të Mirëmbajtjes dhe Arben Sula – drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Lundrimit Ajror, ku justifikojnë blerjen e biletave në minutë të fundit, që t’i blejnë me çmime shumë herë më të larta se tregu dhe t’i blejnë për udhëtime për veten e tyre. Pra, një procesverbal kleptokratësh për të justifikuar vjedhjen, siç edhe duket nga çmimi prej 980 eurosh i një bilete Tiranë-Beograd. Për Autoritetin vajtja deri në Beograd kushton njësoj sa vajtja në Amerikë. Fundja tashmë Beogradi është kryeqendra e Ballkanit. Ky procesverbal është njësoj sikur hajduti të të lërë një shënim keqardhjeje që të vodhi. Pra, edhe ky është një rast i pastër kleptokracie dhe banditokratizmi.
3. Një shembull tjetër është blerja e një bilete udhëtimi për në Singapor për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Transporteve Eduard Seitajn me vlerën 324000 ( treqind e njëzet e katër mijë) lekë. Kësaj i thonë ndryshe te ne, qokë partie. Ndërkohë, ky person nuk ka qenë personel i autoritetit dhe për më tepër kryebanditja e autoritetit e ka bërë pa komision, por direkt duke përfshirë në këtë paligjshmëri të sajën edhe sekretaren e saj, të cilën e ka detyruar ta firmosë këtë blerje. Pra, edhe ky një rast tjetër kleptokracie dhe banditokratizmi.
Ky lloj banditokratizimi dhe banditokratësh e gjithfarë kleptokratësh erdhën deri këtu për shkak të zhvërdjelltësisë së politikanëve tanë, të cilët me mjeshtërinë e të gënjyerit e kthyen administratën në një fenomen tenderimi duke na shpikur edhe një fenomen të ri “ tenderokracinë”, ku për të marrë ose mbajtur vendin e punës duhet të paguash. Pagesa është dy llojesh ose me para, po qe se i përket rangjeve të larta si drejtor, ose me pjesëmarrje në kleptokraci dhe, si rrjedhojë, anëtarësim në bandë për nivelet e ulëta që vijnë poshtë drejtorit. Ky sistem tashmë ka mbetur peng i këtyre pasanikëve me fondet publike që mendojnë se paraja të jep gjithçka, madje të bën edhe ministër, edhe kryeministër, edhe president, se drejtor tashmë dihet.
Ky është vetëm një institucion nga ata që Rama ka qejf t’i quajë si të tepsisë, një institucion ku banditët si kjo që përmendëm më lart kanë hyrë me lugë në brez me mendje se u bë deti kos e të hamë sa të mundim.
Ka ardhur koha t’u themi mjaft hajdutëve e banditëve të çdo lloji e kahu.
Ka ardhur koha të flasim për ta e bëmat e tyre haptazi.
Ka ardhur koha t’i kallëzojmë penalisht (për sa më sipër e për shumë të tjera kam depozituar kallëzimet penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë).
Ka ardhur koha t’i japim fund banditizmit partiak në zyrat e shtetit.
Këta banditë e kleptokratë nuk përbëjnë shumicën në këto zyra, por duke shfrytëzuar heshtjen e të tjerëve (për arsye të një rroge) ia kanë dalë që ta ngërthejnë institucionin në kthetrat e tyre dhe banditizmit të tyre t’i japin dimension kolektiv.
Të gjithë këtë e arrijnë jo se janë të zotë, jo se janë trima, por se atyre që nuk flasin u është vyshkur guximi qytetar e kur vyshket ky guxim atëherë fillon e ecën këmbadorazi, sa më rrafsh me tokën, njësoj si viktima e trembur nga gjahtari, si ai që i është dorëzuar rrugaçërisë partiake dhe banditizmit të ngritur në institucion.
Ps: Termi ‘bandit’ i përdorur në shkrim nuk është ofendues por cilësues.
(*) Autori (Dritan Goxhaj) është Inspektor pran Autoritetit të Aviacionit Civil të Shqipërisë.

Lexoni faksimilet:

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura