DRITËHIJET E ZËRIT TË KOSOVËS

Më 2 prill 2024, në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, u mbajt një akademi për nder të 50-vjetorit të “Zërit të Kosovës”. Xhafer Shatri ka lexuar një kumtesë me titull:

DRITËHIJET E ZËRIT TË KOSOVËS

Nga Xhafer Shatri

Teza të pashmangëshme për një vështrim kritik lidhur me veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare të Kosoves

Të nderuar pjesëmarrës,

faleminderit për organizatorët që na mundësuan të takohemi sot dhe këtu për të përkujtuar 50-torin e «Zërit të Kosovës».

Nuk kam çka t’i shtoj analizës që bëri Mehmet Hajrizi, sepse, askush nuk do të mund ta bënte një vështrim më përmbledhës, më të saktë dhe më kuptimplotë për këtë temë, që na ka bashkuar.

NJË SHYP I LIRË DHE I PAVARUR NË KOSOVËN E ROBËRUAR

Nga Mehmet Hajrizi, Prishtinë, më 2 prill 2024

***

Po e them që në krye se unë do të lexoj para jush një analizë atipike për jetën dhe fatin e «Zërit të Kosovës» në mërgim. Dhe më shumë do të flas për hijet që e ndoqën se sa për dritën që shpërfaqi «Zëri i Kosovës» në periudhën më dinamike të historisë së Kosovës.

E bëjë këtë, sepse siç thoshte Umberto Eko, ai që nuk di t’i zbërthej hijet, ai nuk di ta shijojë as Gernikën e Pikasos.

Po ju them që në fillim se nuk e bëj me kënaqësi, por pikërisht këtu dhe sot është vendi ku duhet të thuhen edhe të vërteta të rënda

Jemi me fat që kemi privilegjin të flasim për këtë temë të nxehtë në atdheun tonë të lirë, e jo nëpër burgje apo në istikame, sepse nuk do të kishim as kohën e as luksin.

Janë disa të vërteta tepër të hidhura që nuk guxojmë t’i heshtim. Përndryshe do të tallej historia me ne. Dhe jo vetëm historia, por edhe pasardhësit tanë.

Para jush po e lexoj versionin e shkurtuar, ndërkaq analizën e plotë do ta publikoj më vonë.

I

Pas arrestimit dhe dënimit të pjesëtarëve të Grupit Revolucionar, më 1974, mediet e patën përmendur organin e tij, «Zëri i Kosovës». Kështu që, për herë të parë, opinioni mori vesh për ekzistencën e shtypit ilegal.

Ndoshta mu për këtë, në mërgim, dy grupime politike lidhen, në një mënyrë, me këtë emër:

Në Bruksel, Enver Hadri publikonte periodikisht një fletushkë me emrin «Zëri i Kosovës»; Moto e saj ishte një varg i poetit Ali Podrimja «Kosova është gjaku im që nuk falet»;

Ndërkaq në Gjermani, ekzistonte një grup politik që quhej «Zëri i Kosovës», të cilin e udhëheqte Riza Salihu.

Në nëntor të vitit 1981, Jusuf Gërvalla, pasi kishte nxjerrë dy numra të «Lajmëtarit të Lirisë», nxori numrin e parë të «Zërit të Kosovës», si organ të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LKNÇVSHJ).

Në faqen 2 jipej ky sqarim: «Deri tash «Zëri i Kosovës» ka dalë në trajtë buletini dhe ka botuar materiale të përdorimit të brendshëm për anëtarët e LNÇNVSHJ…»

Meqë e njoh mirë historikun e kësaj Organizate atdhetare, konstatimi i mësipërm nuk qëndron. Dhe jo për fajin e Jusuf Gërvallës, por për shkak të karakterit ngatërrestar dhe synimeve tuxhare të XY, të cilit, për shkaqe higjenike nuk dua t’ia përmend as emrin.

Me këtë çështje nuk do të merresha fare, sepse, në pikëpamjen time, nuk kishte nder më të madh për «Zërin e Kosovës» se sa në faqet e tij të shkelqejnë idetë, shprehjet dhe shpirti i dëlirë i idealistit të pavdekshëm, Jusuf Gërvallës.

Për më tepër, këtij kolosi të idealizmit shqiptar i takon merita historike që «Zërin e Kosovës» e bëri nga një buletin krejt modest që botohej në dhjetëra kopje në një gazetë, pothuaj, gjithëkombëtare që botohej në mijëra kopje dhe që e lexonin me dhjetëra mijëra shqiptarë anë e kënd rruzullit të etshëm për fjalën e lirë e me shkëndija të lirisë.

Sepse Jusuf Gërvalla çdo gjë që e ka prekur me dorë e ka praru’ (ndritë) me idealizmin e tij të qashtër.

Por po e përmend këtë rast drastik, për pasojat kolosale që ky shtrembërim i fakteve historike dhe keqpërdorim i pafalshëm me Jusuf Gërvallën, pati për Lëvizjen Kombëtare të Kosovës. Sepse në bisedimet që janë bërë në Turqi (në mesin e tetorit 1981 – shënim i pashtrikut), në mes përfaqësuesve të OMLK-së (Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës), Kadri Zekës, dhe të LNÇKVSHJ -së, për bashkimin e këtyre organizatave atdhetare, XY, me pseudonimin Mërgimi (Sabri Novosella – shën.i pashtrikut), që ishte strehuar në Turqi, është shërbyer me shantazh e me intriga për t’i imponuar Kadri Zekës kushte të papranueshme.

Meqë po flasim për gjëra që gjeneratat e reja nuk i njohin, dua të them se Kadri Zeka ishte ndër kuadrot më të përgatitur që kishte asokohe Kosova, ishte maja e ajkës së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. I shkolluar, gazetar i talentuar, intelektual par excellence dhe ekspert i pakonkurrencë në fushën e organizimit, që dinte më mirë se askush tjetër t’i afrojë, t’i mobilizojë dhe t’i organizojë shqiptarët e të gjitha kategorive diturore kundër pushtuesve.

Prandaj përpjekja e Mërgimit, që ishte një rrobaçepës ordiner, ta gjunjëzojë një kuadër si Kadri Zekën, duke u shërbyer me rrena të tejdukshme, e bënte bashkimin e organizatave gati të pamundshëm.

Mërgimi ishte një tugjar i zhdërvjelltë që dinte ta shiste mallin e vet të skaduar. E ky ‘mall’ ishin disa rastësi që i ndodhin çdo lëvizjeje ilegale.

Po i përmend dy prej tyre:

Në vitin 1974, pjesëtarët e Grupit Revolucionar, më vonë OMLK, filluan ta publikojnë një buletin me emrin «Zëri i Kosovës». Paraprakisht, kjo Organizatë atdhetare, kishte publikuar, për nevoja të brendshme një punim teorik me titull «Udhëzime për konspiracion». Punimi kishte për qëllim përgatitjen e anëtarëve të ilegales se si t’i ruajnë fshehtësitë e sidomos si të sillen në rast të arrestimit. Që në hyrje të shkrimit teorik, ishte një frazë ku thuhej: «Pjesëtarët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kanë përballë një shtet të fuqishëm me shërbime sekrete kudo të pranishme…»

Termi «Lëvizje Nacionalçlirimtare» në këtë rast nuk nënkuptonte një organizatë konkrete por një Lëvizje për çlirimin e Kosovës e në të cilën, sipas pikëpamjes tonë atëherë dhe sot, bënin pjesë të gjitha grupet ilegale, përfshirë këtu edhe Grupin Revolucionar.

Në shtator të vitit 1974, Grupi Revolucionar, kishte shpërndarë një trakt që, më vonë, u kthye në një termet politik në Kosovë, sepse, pas shpërndarjes masive të tij, UDB ndërmori një aksion masiv arrestimesh e raprezaljesh, si në vitin 1964 kur arrestoi pjesëtarët e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Ky trakt ishte nënshkruar me «Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës». Nuk e di se isha në burg pse shokët e mi kishin përdor këtë emërtim në fund të traktit, por sipas të gjitha gjasave qëllimi ishte të tregojnë masivizimin e qëndresës kundër pushtuesve.

Kadri Zeka ishte në thelb të kësaj veprimtarie dhe kur ishte kthyer nga bisedimet e dështuara në Turqi (mesi i tetorit 1981) u thotë shokëve të vetë në Zvicër:

«Ne jemi në një pozitë paradoksale: po bisedojmë për bashkimin e organizatave me njerëz që i takojnë të njëjtës organizatë si ne…, por se janë shkëputur lidhjet pas arrestimit të vitit 1974 dhe tash ne dalim me dy gazeta të ndryshme dhe u takojmë dy organizatave poashtu të ndryshme…., dhe për më keq prej meje po kërkohet t’i shkel parimet themelore të Organizatës tonë…»

Faktet që u përmendën i jepnin argumente Mërgimit për ta çuar deri në fund lojën e tij të pistë, ta pengojë bashkimin e organizatave, sepse në rast të bashkimit ai nuk do të mund të manipulonte as me Jusuf Gërvallën e as me Kadri Zekën… Për të qenë bindës Mërgimi shkoi edhe më larg me poshtërsitë e tij, duke i thënë Kadriut, se ndonjë prej aktivistëve të Grupit Revolucionar që ishin arrestuar në maj të vitit 1974, gjoja ishte pjesëtar i LNÇKVSHJ-së.

***

(Një digresion: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin njohur në mërgim dhe mënjëherë kishin filluar të bashkëpunojnë gjithanshëm; në organizimin e demonstratave, në përgatitjen dhe shpërndarjen e shtypit, në këmbimin e përvojave etj. Ishte një veprimtari e gjerë, titanike e idealistëve që ishin të vetëdijshëm se çështja shqiptare po hynte në një periudhë vendimtare dhe se në këtë rast Lëvizja Kombëtare e Kosovës do të faktorizohej vetëm përmes kohezionit të përbërësve të saj e kurrsesi përmes sektarizmit dhe luftës së pistë brenda llojit. Dhe bënin çdo gjë të mundshme që bashkë dhe vetëm bashkë ta forconin qëndresën kolektive kundër pushtuesve.)

***

Pas torpedimit të përpjekjeve për bashkim, Mërgimi shkoi edhe më larg: e detyroi Jusuf Gërvallën ta ndërpresë nxjerrjen e «Lajmëtarit të lirisë» dhe ta nxjerrë «Zërin e Kosovës» si organ të LNÇKVSHJ-së!

Qëllimi, siç u pa më vonë, ishte diabolik, sepse Mërgimi duke përvetësuar paturpësisht veprimtarinë e një organizate tjetër donte të imponohej si kapuç i të dyja organizatave.

Pasojat e mosbashkimit ishin tmerrësisht të mëdha!

Në rrethana të rënda kur krejt Kosova po përvëlohej nga terrori serbomadh, mërgata e Kosovës, që kishte aq pak kuadro, aq pak mundësi dhe mbështetje prej askujt i nxjerrte dy gazeta, ani se me platformë të njëjtë politike, kishte rrjet të dyfishtë të shpërndarjes, ndërkaq goditjet e UDB-së në Kosovës kishin qenë dërrmuese për të dyja organizatat. Në valën e arrestimeve në pranverë të vitit 1981, ishin arrestuar me qindra aktivistë që vepronin ilegalisht…

Po të bashkoheshin organizatat, Kosova do të fliste me një zë, do të kishte një udhëheqje unike larg kontrollit dhe rrezikut të drejtpërdrejtë nga pushtuesit; do të strukturohej organizativisht dhe çka është më e rëndësishmja armiku nuk do të mund t’i vriste prijësit e saj, sepse strukturimi i organizatës vetvetiu do të krijonte organe të efektshme për t’u mbrojtur, por edhe për ta goditur armikun…

Në këto rrethana, UDB-a organizoi vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës (më 17 janar 1982 – shën. i pashtrikut). Ky ishte një grusht dërrmues për Kosovën. Jo rastësisht, krerët e UDB-së këtë vrasje e kanë quajtur eliminim strategjik. Sepse realisht kjo ishte prerja e kokës së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës…

Po të ishin bashkuar të dyja organizatat, përkundër dëmtimeve serioze të rrjetit që ishin shkaktuar gjatë valës së arrestimeve, Organizata e përbashkët do ta merrte vetën shpejt, sepse do t’i kishte në krye dhe bashkë tre kuadro të përgatitur:

– një kryeredaktor kompetent e autoritativ të organit të organizatës, siç ishte Jusufi,

– një organizator të lindur, e mbi çdo normë dhe me një përvojë të gjatë në organizim, siç ishte Kadri Zeka dhe

– një komunikues me botën, që ishte poliglot e folës i zhdërvjelltë, siç ishte Bardhosh Gërvalla.

Për njohësit e mirë të rrethanave është e ditur kaherë se vrasja në Untergrupenbach kishte pasojat e një tërmeti, nga e cila Lëvizja Kombëtare e Kosovës nuk ka mundur ta marrë vetën për më shumë se një dekadë.

II

BASHKIMI I EMRAVE TË ORGANIZATAVE ILEGALE

Në vitin 1981, kam qenë në burg në Kosovë, fillimisht në Ferizaj dhe më vonë në Prishtinë. E theksoj këtë sepse kisha rastin ta shoh me sytë e mi atë kalimin e rrezikshëm të Rubikonit nga cilësia në sasi të paimagjinueshme, të ngjashme me vërshimet.

Pra atë kapërcimin historik kur nga grupe të vogla idealistësh që, kryesisht komunikonin me kode, u krijua një lëvizje e fuqishme që i mbushi burgjet me kundërshtarë të pushtimit dhe i lau rrugët e Kosovës me gjak në kërkim të lirisë.

Me këtë përjetim që të shënjon përgjithmonë kam ikur nga burgu dhe kam dalë në mërgim.

Atje, ishin tre faktorë vendimtarë që të orientonin detyrimisht:

– Me mijëra të burgosur politikë, trajtimi çnjerëzor dhe britmat e tyre nga qendra e UDB-së në Prishtinë dhe jo vetëm, e që i dëgjonim për çdo natë;

– Terrori politik që e ktheu Kosovën në poligon të dhunës si në kohën e inkuzicionit;

– Vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës …

Në këto shkaqe duhet kërkuar përgjigjen pse u themelua LRSHJ (Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi) [më 17 shkurt e 15 maj 1982 – shën. i pashtrikut]. Sepse realisht, nuk kishte rrugë tjetër.

Efekti i bashkimit ishte i madh; u dhjetëfishua pjesëmarrja në demonstrata, u konsolidua rrjeti i shpërndarjes së «Zërit të Kosovës», u shtua numri i mbështetësve financiar dhe filloi konsolidimi i lidhjeve me brenda.

U formua Qendra e Përkohshme Ekzekutive (më 15 janar 1983 – shën.i pashtrikut), me mandat për ta strukturuar organizatën sipas teorive të reja të organizimit.

Në verë të vitit 1983 u mbajt në Biel Bienne, një tubim konsultativ ku merrnin pjesë mbi 100 aktivistë që vepronin në të gjitha shtetet evropianoperëndimore. Ishte hera e parë që takoheshin për të biseduar shlirshëm ata që përbenin ‘armaturën’ e Lëvizjes jashtë e në funksion të përpjekjes për të dalë nga ilegaliteti dhe për të vepruar publikisht. Aty u debatua gjithanshëm për problemet kyqe të organizimit dhe u krijua baza që, përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta, të formoheshin strukturat udhëheqëse nga poshtë lartë.

Duhet nënvizuar edhe njëherë, se në thelb të këtij gufimi politik ishte revolta që shkaktoi te të gjithë shqiptarët, sidomos në mërgim, vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se lëvizjet politike ‘ushqehen’ me gjakun e pjesëtarëve të saj dhe vazhdimisht kanë nevojë për heronj të rinj.

Epopeja e Prekazit është një dëshmi tjetër.

III

Jo rastësisht, mu në këtë moment, filluan përçarjet serioze brenda Lëvizjes. Fillimisht me konflikte personale (sepse XY., ishte anashkaluar vetvetiu, për shkak të largësisë në radhë të parë) pastaj me letra publike që shpërndaheshin gjithandej te mërgimtarët e ku denoncoheshin veprimtarët dhe sekretet e Lëvizjes. Një mjegull e neveritshme shpifnaje me pasoja serioze, sepse u dekonspiruan shumë aktivistë jo vetëm jashtë, por edhe brenda…

Natyrisht kjo shpifnajë e neveritshme amplifikohej sidomos përmes rrjetit të sofistikuar të UDB-së.

Më e rënda në krejt këtë zallahi, ishte dekonspirimi i Rexhepit e i Nuhiut dhe krijimi i rrethanave që ne, që ishim jashtë, të mos mund t’i ndihmojmë me asgjë. E them pa asnjë teprim se po mos të ndodheshim para një diversioni kaq të paskrupull dhe po kaq shkatërrimtar, ne do t’ia arrinim t’i nxjerrim jashtë që të dy dhe në atë rast historia e Kosovës do të ishte krejt tjetër dhe krejt ndryshe.

Në këto rrethana, grupimi i Mërgimit (Sabri Novosellës – shën. i pashtrikut), që ishte në thelb të këtij diversioni, në qershor të vitit 1984 e nxori fletushkën «Zëri i Kosovës» (në Suedi – shën. i pashtrikut).

Në fakt kjo nuk ishte gazetë por një dacibao e mirëfilltë.

Çka është edhe më zi, ata që qëndronin prapa këtij akti të shëmtuar thirreshin në përfaqësuesit e shtetit shqiptar jashtë me seli në Stamboll dhe në Vjenë. Disa vjet më vonë Mërgim Rrota, në një intervistë shterruese krejt përgjegjësinë për këtë akt të rëndë antishqiptar ia mveshte konsullit të atëhershëm shqiptar në Turqi, Bujar Hoxhës.

E keqja shkoi edhe më larg: në Saint Gallen ndodhi një vëllavrasje tragjike: u vra Qemajl Kastrati, 29 vjeç, një aktivist i paepur dhe nip i Hevzi Thaçit, njërit prej aktivistëve më të devotshëm të Lëvizjes tonë Kombëtare në mërgim. Më vonë, autoritetet zvicërane konstatuan se disa ditë më parë, në atë qytet, kishin qëndruar dy funksionarë të lartë të UDB-së, Selim Brosha dhe Bexhet Bexheti.

***

(Digresion: Në kohët tona, e besa ndër shqiptarë është kultivuar prej kaherë një praktikë që atë me të cilin nuk pajtohesh qoftë edhe për interesa krejt meskine ta stigmatizosh si tradhtar. Unë nuk merrem me kualifikime të tilla, por po flas për pasojat. Sepse aktgjykimin për këso veprimesh nëse nuk e jep një organ kompetent e i paanshëm, detyrimisht do ta jap historia… Sepse është një bjeshkë me dokumente autentike, që nuk lënë asnjë dilemë.)

***

Dyfishimi diversiv i «Zërit të Kosovës» shkaktoi një përgjigje të ngutshme e flakë për flakë nga Redaksia, përmes ZK-së numër 5, i njohur si numri i jashtëzakonshëm (qershor 1984 – shën. i pashtrikut).

Për të qenë i saktë dua të them se kjo nuk ishte zgjidhja e duhur dhe përgjegjësinë kryesore mbaja unë që isha kryeredaktor e askush tjetër.

Ajo që duhet nënvizuar këtu është fillimi i rrezikshëm i praktikës së ‘kaskadave’, prapa të cilave, krahas ambicjes së personave të ndryshme qëndronte, veç UDB-së, edhe shteti shqiptar, i cili ishte krejtësisht i papërgatitur për rrethanat e krijuara dhe për misionin që, asokohe, e kishte si shtet amë.

Prandaj cyste krijimin e ‘kaskadave’ sa herë që Lëvizja Kombëtare e Kosovës faktorizohej dhe rrezikonte ‘t’i dalë nga dora’ shtetit amë që udhëhiqej nga një plak diabetik (Enver Hoxha – shën. i pashtrikut) që e kishte harxhuar kaherë edhe trupin edhe pushtetin në luftëra të brendshme vëllavrasëse dhe me ideologji që jo vetëm e kishte shkelë por e kishte vrarë koha.

Në pikëpamjen time, kjo ndodhi për shkak se Shipëria nuk kishte projekt për Kosovën, pos atij që përmes propagandës së rregullt ta mbajë të ndezur prushin e pakënaqësisë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe të ngritë tensionet sidomos kur regjimi kishte nevojë për hallakamë.

IV

Meqë po flasim për ‘kaskadat’, duhet ta përmend atë kryesoren: përballja e mirëfilltë ideologjike, mes atyre që përpiqeshin që Lëvizjen Kombëtare të Kosovës ta vënë njëherë e mirë në binarë kombëtar e demokratik dhe të atyre që përpiqeshin që asaj t’ia imponojnë me çdo çmim stalinizmin si formë dhe si përmbajtje, ndodhi në fund të vitit 1984.

Paraprakisht, më 1983, në «Zërin e Kosovës» janë botuar dy shkrime programatike:

1. «Konturet e programit politik të LRSHJ-së» dhe

2. «Në luftë për liri popujt nuk kanë çka të humbin pos prangave të tyre»

Te ‘konturet’, flitet hapur për Fishtën e Shaban Polluzhën si pinjoll të atdhetarisë së shqiptarëve dhe për pluralizmin politik e demokracinë, ndërsa në të dytin përmbyset teza staliniste se gjoja çështja klasore paskesh epërsi mbi çështjen kombëtare, qoftë dhe në rastin drastik siç ishte Kosova.

Ne vepronim në mërgim, në shtetet evropianopërndimore, dhe duhej të mendojmë jo vetëm për të ardhmen e largët, por edhe për aktualitetin sepse ekstremizmi ideologjik na largonte nga forcat politike dhe nga mediet me ndikim në vendet ku jetonim e vepronim.

Sipas të gjitha gjasave, ky qëndrim politik, vuri në lëvizje mekanizmin e ‘kaskadave’, të gazetave të dyfishta dhe fushatën denigruese e elminuese kundër personaliteteve me ndikim në Lëvizje e sidomos kundër kryeredaktorit të «Zërit të Kosovës» (Xhafer Shatrit – shën. i pashtrikut).

(Një digresion i domosdoshëm: Disa ditë para vrasjes së Stjepan Gjurekoviq, i arratisur kroat në Gjermani, UDB publikoi dhe shpërndau gjithandej gazetën e sajuar fund e krye të mërgatës kroate ‘Nova Hrvatska’ (Kroacia e re). Në të ishte një ‘intervistë’ që, gjoja, e kishte dhënë Gjurekoviqi e ku përmes thashethemesh e intrigash të tejdukshme u krijua kaos gjithandej në mërgatën kroate. Disa ditë më vonë Gjurekoviqin e vrau Arkani, me urdhër të Kryesisë së Jugosllavisë. Këtë e pohoi publikisht shefi i dikurshëm i UDB-së federale për operacione speciale kundër kundërshtarëve politikë të Jugosllavisë, Bozhidar Spasiq.) [Stjepan Đureković, i lindur më 8 gusht 1926 në Bukovac të Kroacisë, u vra më 28 korrik 1983 në Wolfratshausen të Gjermanisë – shën. i pashtrikut].

Mirëpo, për të qenë i saktë, me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, „arrat ishin thyer“ shumë më herët, njëherë në Romë e pastaj, në një takim, në verë të vitit 1982, në Zurich.

Aty ishin dy diplomatë shqiptarë që kishin ardhë nga Vjena, njëri prej tyre, sipas të gjitha gjasave, shef i Sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, ndërkaq me mua ishte kryetari i Komitetit të Lëvizjes për Zvicër, Hasan Malaj.

Aty kemi biseduar një kohë të gjatë. Unë veç tjerash, pa asnjë keqdashje kam vënë në spikamë faktet se: vrasja e prijësve të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në mërgim, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka para së gjithash ngarkon me përgjegjësi shtetin ku ata janë vrarë, pra Gjermaninë, por edhe shtetin shqiptar që, ashiqare nuk ka ndërmarrë asgjë për t’i mbrojtur ata. Dhe ky qëndrim, për ata që dijnë, duhet lexuar edhe si qëndrim i Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës; propagandë pa asnjë mbështetje konkrete.

Kjo, si duket, ishte e papërbijshme, sepse, aty e tutje, raportet me ta ishin as ‘mish as peshk’.

V

Para ‘kaskadës’ së radhës, një dramë e mirëfilltë kishte ndodhur në Kosovë, kur terrori i padurueshëm kishte nxitur një organizim, thënë më së buti, të paanalizuar. Fjala është për themelimin e Partisë së Luftës, për të cilën ne, në mërgim, dëgjuam vetëm pasi u vranë Rexhepi e Nuhiu (natën e 11/12 janarit 1984 – shën. i pashtrikut) dhe pasi u arrestuan kuadro rëndësorë si Kadri Osmani, Enver Topalli, Sejdi Veseli etj.

Një grup i kësaj partie të cilin e ndihmuam të dalë jashtë, e strehuam në Zvicër dhe e inkorporuam menjëherë në organet e Lëvizjes. Posa u sistemua e filloi luftën për ‘marrjen e kalasë nga brenda’.

Tendenca ishte e qartë ta marrin LRSHJ-në ashtu siç kishin bërë me Partinë e Luftës.

Ky grup, i mbështetur nga krykorbi i mërgatës, Mjeran K., (Ibrahim Kelmendi – shën. i pashtrikut) i bëri kalë beteje Tezat për Frontin e Republikës së Kosovës, që ishte një program i gëdhendur gjithanshëm politikisht por që nuk u zbatua për dy shkaqe:

Së pari, rrethanat e bashkimit e përjashtonin këtë dokument;

Së dyti, shpejt pas daljes në mërgim, përmes Hasan Kadriut e kemi takuar një kuadër rëndësor të Shin Fejn (Sinn Féin – është një parti politike irlandeze – shën. i pashtrikut). Gjatë takimit që ka zgjatur një ditë të tërë, porosia ishte e qartë:

– Teoritë me pararojë janë përralla ideologjike. Tash duhej një organizatë politike e strukturuar me tre krah:

– Krahu politik me shtyp të rregullt që thekson në vazhdimësi çështjen e pazgjidhur kombëtare dhe pluralizmin e ideve;

– Shërbimin sekret, si strukturë e domosdoshme për ta mbrojtur organizatën nga penetrimet e paevitueshme të shërbimeve sekrete dhe Krahun e armatosur për ta përdorë posa të krijohen rrethanat…

Jo rastësisht mu në kohën kur ne, pas shumë përballjesh, i krijuam kushtet për strukturimin organizativ e të mirëfilltë të Lëvizjes, brenda përbrenda u krijua sërish një kaos i padurueshëm.

Në thelb të këtij diversioni, në radhë të parë, qëndronte UDB-a. Dhe për këtë ka një mal me argumente. Po e përmend një prej tyre:

Në vitin 2001, në televizionin publik të Serbisë, njëri prej baronëve të UDB-së, Zoran Mijatoviq, deklaronte se «gjatë viteve ’80-të organizimin ilegal të Kosovës e kemi shpartalluar jo vetëm duke infiltruar agjentët tanë nëpër organizata ilegale por edhe duke formuar grupe hibride ilegale. Kjo është treguar metoda më efikase, sepse me këso metodash Jugosllavia ka arritur dikur ta shpartallojë edhe Lëvizjen Kaçake… »

Por nuk ishte pa gjynahe edhe shteti shqiptar, që ashiqare e shqetësonte faktorizimi i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Tirana zyrtare, sipas të gjitha gjasave, dronte që nëse nuk do të kontrollonte çdo gjë në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, do t’i dilte situata nga dora… Por këtu kishte ndikimin e vet edhe inercioni i praktikave policore për t’i disiplinuar njerëzit.

Në pikëpamjen time kjo droe nuk kishte asnjë bazë reale, sepse askush nga kuadrot udhdëheqëse të Lëvizjes nuk kishin për qëllim të ndërmarrë asnjë hap avanturier që do ta rrezikonte Shqipërinë në çfarëdo forme qoftë.

Në kulmin e kundërthënieve në udhëheqjen e Lëvizjes, në fillim të janarit të vitit 1985, kam dhënë dorëheqje nga Lëvizja.

Nuk isha i gatshëm të humb kohën time në luftë me mullinjtë e erës e as me shtetin e stërlodhur shqiptar.

Thjesht nuk ia vlente.

——–

XHAFER SHATRI LARGOHET NGA REDAKSIA E „ZËRIT TË KOSOVËS“ DHE NGA POZITA E ANËTARIT TË KQ TË LRSHJ-së, MË 31 JANAR 1985

VI

Menjëherë pas largimit tim, redaksia e «Zërit të Kosovës», për turpin e saj, hoqi nga ballina e gazetës, citatin, apo thënë më mirë betimin antologjik të Jusuf Gërvallës:

«Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.»

Dhe në vend të tij vuri slloganin që nuk kishte asgjë të përbashkët as me Kosovën as me Lëvizjen: „Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni“.

Po të ishte «Zëri i Kosovës» një gazetë interne që trajton çështje teorike për radhët e organizuara, kjo do të mund të arsyetohej, por ta heqësh betimin e Jusuf Gërvallës, heroit të Kosovës, nga ballina e gazetës së vetme të lirë që asokohe e kishte Kosova, ishte kulmi i poshtërsisë.

Këtë akt të rëndë, në kufij tradhtie, e kishte bërë Kryekorbi i mërgatës, Mjeran K. (Ibrahim Kelmendi – shën. i pashtrikut) Dhe motivi nuk ishte ideologjia, por inati shtazarak që Kryekorbi e kishte me Jusuf Gërvallën. Dhe tash i hakmerrej për së vdekuri, për arsyen e thjeshtë se Jusuf Gërvalla ia kishte bërë 1000 të mira;

Së pari, fletushkën «Bashkimi», Jusufi ia kishte bërë gazetë të mirëfilltë;

Së dyti, e kishte pranuar në shtëpi dhe e kishte trajtuar si ta kishte vëlla;

Së treti, bashkëpunonte me të pa asnjë rezervë, deri në momentin kur u bind se kryekorbi ishte një thashethemagji i sëmurë, një intrigant i pashërueshëm, një vetje pa asnjë kod moral.

Mjeran K. nuk u ndal me kaq, por 42 vjet pas vrasjes, përmes rrjeteve sociale ia bënte gjyqin Jusuf Gërvallës; Për ta përçmuar për së vdekuri, ia publikonte letrat që Jusuf Gërvalla ua kishte dërguar personave të ndryshëm, përfshirë këtu edhe shefin e shtetit shqiptar, Enver Hoxhën.

Ishte krejt normale që Jusuf Gërvalla i kishte shkruar udhëheqjes së Shqipërisë për t’i kërkuar ndihmë, për të vetmen arsye se nuk kishte kujt t’i drejtohej tjetër, sepse Shqipëria ishte i vetmi vend që e mbështeste çështjen e Kosovës publikisht.

Asokohe Jugosllavia ishte superchérie për Perëndimin dhe ta prekje shtetin e Titos ishte si ta minoje Statujën e Lirisë në Amerikë ose Notre-Dame de Paris në Francë.

Jusuf Gërvalla ishte idealist dhe fati i zi i idealistëve është pikërisht ai se duhet të bashkëpunojnë edhe me dreqin e me të birin, sepse nuk kanë as organe e as mekanizma se si t’i sheshojnë njerëzit që lufta i takon me ta, pos veprimtarisë së përditshme.

Dhe në këtë veprimtari të mundimshme e të rrezikshme, idealisti, pra edhe Jusuf Gërvalla si ajka e tyre, kishte fatin e zi të bashkëpunojë edhe me paçavra morale si Mërgim Rr. e Mjeran K.

Ky i fundit, shkon aq larg sa që publikisht dhe me këmbënguljen e thiut të egër, përpiqet t’i fshehë vrasësit e vërtetë të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës.

Krejt bota e dijnë se atentatin në Untergrupenbach e ka kryer shefi i nëntokës së Beogradit, Zeljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ndërsa Mjeran Zeza për këtë krim të tmershëm vazhdon ta akuzojë rivalin e tij të vjetër, Riza Salihun!

Armiqësia e Mjeranit me Riza Salihun daton kaherë dhe në thelb të saj ishte konkurrenca se cili spiunonte më shumë dhe më mirë për qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë.

Objekt spiunimi ishte sidomos Jusuf Gërvalla: Mjeran Zeza e spiunonte nga brenda, duke u bërë ‘shok’ me të, derisa Jusufi e hetoi dhe e nxori përgjithmonë nga shtëpia si qenin e zgjebosur.

***

(Digresion: i kam rënë botës kryq e tërthurë, por kurrë nuk kam parë familje më bujare se Gërvallajt e Dubovikut. Kurrë! Atë person që e nxjerr kjo familje nga shtëpia duhej të ketë shkelur keq kodin themeltar të njerzillëkut, të atdhetarisë e të shqiptarizmit).

***

Ndërsa Riza Salihu e spiunonte Jusufin nga jashtë, për shembull, duke ia hapur kutinë postare dhe duke ia vjedhur letrat që i vinin aty… Në këtë veprim të turpshëm policor, Sigurimi e kishte shtyer duke e bindur se Jusuf Gërvalla ishte njeri i dyshimtë, dhe ky duke qenë budallë me fletë, edhe sot, pas gati gjysmë shekulli, beson dhe e thotë me plotë gojën se Jusuf Gërvalla, Heroi i Kosovës, na paskesh qenë agjent i UDB-së!!!

VII

Një vit më vonë, më 1986, grupi ku bënte pjesë Mjeran K., e përçau Lëvizjen edhe një herë. Dhe çka është edhe më keq, doli me një gazetë tjetër që edhe ajo quhej «Zëri i Kosovës», që edhe ajo ishte organ i Lëvizjes, që edhe ajo kishte të njëjtën platformë politike dhe që të dy zërat e Kosovës dilnin në të njëjtin qytet, në Biel-Bienne, kishin të njëjtën formë, nxirreshin nga të dy pararoja identike, por që dalloheshin si «Zëri» me adresë dhe «Zëri» pa adresë.

Dëmi më i madh i këtyre ‘kaskadave’ realisht do të shihet disa vjet më vonë: Kur u krijuan rrethana të reja, dhe Lëvizja ilegale e Kosovës në vend që të ishte në ballë nuk u ndodh as në bisht të ngjarjeve.

Pasojat dihen dhe ato një ditë do t’i shpërfaqë historia në të gjitha dimensionet e tyre.

VIII

Në vitet ‘90-të, «Zëri i Kosovës» u ndodh në rrethana politike dhe mediale shumë të disfavorshme për të, megjithatë, me kohën, u stabilizua dhe ishte, gati, e vetmja gazetë në gjuhën shqipe që fliste hapur për luftën si rrugë e pashmangshme për çlirimin e Kosovës.

Disa vite rresht, vija politike e redaksisë së «Zërit të Kosovës» ishte bashkimi i shqiptarëve në një front të përbashkët për t’i bërë ballë Serbisë dhe për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë.

Grupimi brenda Lëvizjes që mbronte këtë vijë, kishte nxjerrë mësime nga dëmet që ia kishte shkaktuar Lëvizjes lufta brenda llojit gjatë viteve ’80-të, prandaj, asokohe, ishte subjekti politik më konstruktiv në krejt Lëvizjen Kombëtare të Kosovës.

Pikërisht ky grupim dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), ishin të vetmet subjekte që arritën me punë titanike e me shumë sakrifica ta përgatisin dhe ta udhëheqin Lëvizjen e Armatosur në Kosovë.

Mirëpo rrethanat ishin shumë të rënda dhe në Lëvizjen e armatosur, e njohur me akronimin UÇK kishte dallime të mëdha. Ato u shpërfaqën sidomos pas Epopesë së Prekazit.

Sepse grupimi që thirrej në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, jo vetëm ishte kundër grupit atdhetar brenda LPK-së por edhe kundër

Çetës së Adem Jasharit, që në fakt ishte vertebralja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për pasojë, kur u vra Adem Jashari me krejt familjen e tij (më 5 – 7 mars 1998 – shën. i pashtrikut), i ashtuquajturi Shtab i Përgjithshëm, i cili më parë lëshonte komunikata edhe kur vritej ndonjë shumar në bokërrinat e Llapit ose të Drenicës, për Epopenë e Prekazit nuk e dha dhe nuk e tha as një fjalë të vetme!

Kjo dëshmonte se brenda UÇK-së kishte ndarje të thella. Ndarje në atë masë sa që grupimi i Hashim Thaçit dhe i Azem Sylës, realisht Adem Jasharin që ishte vetë zemra e Kryengritjes së armatosur nuk e konsideronin pjesë të UÇK -së.

Për këtë çështje madhore, për turpin e gazetarisë, historiografisë dhe politikës shqiptare, kurrë nuk është folur as nuk është shkruar, as nuk është debatuar deri sot.

Të fshehësh fakte të tilla, është shërbimi më i keq që i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për më keq vetjet që kishin injoruar në këtë përmasë Epopenë e Prekazit kurrë nuk kanë dhënë sqarime për këtë akt tradhtie të pafalshme e çka është edhe më zi, e kapitalizuan politikisht e financiarisht sakrificën e Jasharëve në përmasa astronomike dhe kryeheroin e Epopesë, Adem Jasharin e shpallën post mortum ‘Komandant legjendar të UÇK-së’, jo pse e konsideronin të tillë, por pse u duhej.

Nuk njoh akt më të neveritshëm hipokrizie se ky në gjithë historinë e shqiptarëve.

Më sa duket ky sektarizëm koçixoxist dhe kjo hipokrizi e shëmtuar shkaktoi një tërmet të vërtetë brenda LPK-së. Sepse, në një mbledhje të LPK-së që u mbajt në Bazel e pastaj në Virzburg të Gjermanisë, në pranverë të vitit 1998, krahu që kishte abuzuar në ato përmasa me UÇK-në dhe me Epopenë e Prekazit, realisht veç UÇK-së tashmë e futi në dorë edhe LPK-në.

Në këtë mënyrë krahu atdhetar i saj u mënjanua plotësisht. Një kontribut madhor në këtë prerje kokash luajti, si gjithmonë, Kryekorbi i mërgatës, Mjeran K.

Pas këtij grushti shkatërrues, koçixoxistët e rinj e morën në duar edhe Redaksinë e «Zërit të Kosovës» dhe, e them me përgjegjësi se, e kthyen në një gazetë që i përçante shqiptarët në orën më të ligë të Kosovës. Aty, me stilin e shëmtuar stalinist publikoheshin qëllimisht shpifje të rrezikshme e fund e krye antishqiptare.

Jam i sigurt se një ditë, cilido analist apo historian i përgatitur dhe i paanshëm, kur t’i lexojë jo pak shkrime të «Zërit të Kosovës» të gjysmës së dytë të vitit 1998 dhe deri në përfundim të Luftës, do të bindet se grupimi që qëndronte prapa asaj politike redaktuese, realisht përgatiste terrenin për zbatimin e projektit ‘Barzan’ që shërbimet sekrete të Millosheviqit përpiqeshin ta zbatonin me çdo kusht.

Fjala është për një projekt që kishte për qëllim nxitjen e konflikteve vëllavrasëse mes shqiptarëve jo vetëm në Kosovën e përcëlluar nga flakët e luftës por edhe në Shqipëri.

Në këtë politikë të rrezikshme prinin inspiratorët e komunikatës famëkeqe numër 59, përmes së cilës koçixoxistët u përpoqën të shkaktojnë luftë vëllavrasëse mu në djepin e Kryengritjes, në Drenicë.

Pikërisht kjo mendësi koçixoxiste, ia siguroi jo vetëm autorit të kësaj komunikate të pistë, por edhe imazhit të UÇK-së biletën njëkahëshe për në Hagë.

IX

PËRFUNDIM

Në këtë kaskadë të pështirë, gjurmët e Tiranës zyrtare dolën hapur. Sepse Shiku shqiptar, me ndihmën e pakursyer të Mjeran K., në maj të vitit 1998, vuri në krye të LPK-së një agjent të regjur të vetin. Me këtë rast udhëheqja e Shqipërisë, me vetëdije e gjakftohtësi absolute, luajti një rol tepër përçarës që pati pasoja katastrofike për Kosovën dhe luftën e saj.

Falë kësaj politike shkurtpamëse e koçixoxiste, Kosova nuk krijoi as ushtri dhe as institucione të përbashkëta e të mirëfillta, prandaj doli nga lufta e përçarë dhe krejtësisht e papërgatitur për ta menagjuar lirinë, për të cilën shqiptarët kishin luftuar 2000 vjet.

Pasojat ishin shumë të mëdha:

– Kosova u bë shesh për përshesh i një administrate të paskrupull ndërkombëtare;

– Ndihmat e shumta që mbërritën në Kosovë, thuase i përpiu toka;

– Fondet e Kosovës në mërgim, ai i 3% dhe «Vendlindja thërret» nuk u analizuan nga asnjë organ kompetent që të dihet realisht se sa mjete u mblodhën, si u shpenzuan dhe në xhepat e kujt përfunduan ato;

– Kosova u anashkalua në atë masë sa që vetëm krahasimi me Timorin Lindor mund t’i nxjerrë në pah përmasat e nëpërkëmbjes së saj: Gati njëkohësisht me Kosovën u çlirua edhe Timori Lindor, mirëpo ky shtet i vogël, dy vjet pas çlirimit u bë anëtar i OKB-së, ani se pjesa dërrmuese e popullsisë së tij në vend të brekëve veshnin gjethe. Ndërsa Kosova, me gjithçka vend evropian, edhe 25 vjet pas çlirimit nuk është bërë akoma anëtare e OKB-së dhe është në konflikt të hapur me shtetin që atë e kishte mbajtur për një shekull nën pushtim.

Për këto që përmenda shteti shqiptar ka përgjegjësi historike. Dhe në thelb të këtij përfundimi qëndron fakti se Shqipëria, apo thënë më mirë elitat e saj, të thuash, kurrë nuk kanë pasur një projekt konkret për Kosovën. Këtë e konfirmojnë katërcipërisht, veç atyre që përmenda, edhe ngjarjet e turpshme të vitit 2004 dhe diversioni i hapur në vitin 2017, kur Tirana zyrtare u implikua drejtpërdrejt në projektin e Serbisë për copëtimin e Kosovës.

Natyrisht, kjo është një temë tjetër, por analogjia dhe permendja, megjithatë janë të pashmangshme në çdo analizë të mirëfilltë.

Kjo është pak shumë saga, ana tjetër e hënës për «Zërin e Kosovës» dhe për Lëvizjen tonë Kombëtare. Dhe këto fakte, të dhimbshme e me shumë pasoja, që janë vetëm maja e Aisbergut, nuk guxojmë t’i fshehim ani se po përballemi me një sistem të rrënuar vlerash, sepse vetëm duke vënë të vërtetën në spikamë, edhe atëherë kur ajo është tepër e rëndë, ne ndihmojmë që historia bashkëkohore e shqiptarëve të shkruhet drejt e me fakte.

Sepse, në mos asgjë tjetër, na ndihmon të nxjerrim mësime prej saj.

Tomoc, 2 prill 2024

Ilustrimet © Pashtriku.org

____________

ZËRI YNË I KOSOVËS

Nga Bislim Elshani, Prishtinë, më, 2 prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura