DRITON GASHI: ZOTI KRAJA – ADAMI, KËTU ËSHTË!

Prizren, 11. 02.2 105 – E marrë guximin t’i komentoj një akademiku. Sigurisht dikush do të nënqeshë. Megjithatë, përsëri marr guximin…! Gjithë shkrimi i akademikut Mehmet Kraja: “Ku ishe ti, Adam”? reflekton dhe është shkrim mbi “mëkatin”, që ne si shoqëri i kemi bërë vetës. Gënjeshtrat, mashtrimet, intrigat, dredhëritë, e të gjitha të tjerat, nuk janë pos tjerash përveç se “mëkate”. Vetë pyetja: “Ku ishe ti, Adam”?’ tregon tashmë që ne kemi takuar atë dhe e njohim në këtë kohë – ku tani jetojmë. E pyesim se ku ishe, apo përse u vonove, ose përse qëndrove aq shumë në të kaluarën? Dhe i themi m’u në sy Adamit që ti je përgjegjës për këtë katrahurë sociale e politike. T’i themi Adamit: “Shiko se ç’ke bërë?
Akademkiu e fajëson Adamin duke qortuar vetë shoqërinë. I flet Adamit nëpërmjet pasardhësve të tij, dhe pasardhësve të tij nëpërmjet Adamit. Mirëpo gabimi në këtë rast është i dyfishtë. Sepse Adami, është përfaqësues i vetë vetës së tij e mëkatit si individ i veçantë në histori, dhe shoqëria është vetë përgjegjëse për fatin e saj, dhe po brenda shoqërisë, po gjithësecili individ është përgjegjës për fatin e tij dhe secili ka po mëkatin e tij.
Akademiku u tregua i sinqertë për titullin e huazuar, “Ku ishe ti Adam”. Tregoi që e ka huajtur nga një roman i Hanjri Bellit që fajëson Adamin njeriun e parë – babain e njerëzimit për atë që ka ndodhur në Gjermani gjatë kohës së nazizmit. Dhe po me këtë tregon se shoqëria në të cilën jetoj nuk ka kapacitete morale të më gjykojë për këtë “plagjiaturë”.
Të nisesh nga gjykimi që e gjithë shoqëria nuk ka kapacitete morale që ta gjykojë për titullin e një libri besoj që është e vetëkuptueshme, por në këtë rast e parëndësishme. Mirëpo, të nisesh nga gjykimi universal siç pohon akademiku se: “Të gjithë gënjejmë dhe të gjithë jemi viktima të gënjeshtrës; të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima mashtrimit”, është jo paragjykim për vetë shoqërinë njëherësh, por dhe për vetën e tij. Në këtë gjykim të tij me “të gjithë” përfshihem unë e tjetri, së bashku me atë që gënjen e mashtron, apo tjetri i cili nuk gënjen e nuk mashtron futet në ‘një thes’ me mua që gënjej e mashtroj. Të thuash: “të gjithë gënjejnë e mashtrojnë”, nuk është gjë tjetër pos është një moto prej një gënjeshtari. Por, jo të gjithë gënjejnë e mashtrojnë dhe jo të gjithë nuk kanë kapacitete morale për të gjykuar.

Por, Adami ku ishte? Adami ishte në parajsë por u dëbua nga aty për shkak se mëkatoi duke ngrënë nga pema e njohjes së ndaluar. Dhe si ndëshkim Zoti e solli këtu – në Tokë, andaj:
Adami, këtu është!
Dhe nuk mund ta fajësojmë. Edhe pse me mëkatin e parë të tij – mëkati erdhi në botë qoftë si koncept, vlerë apo kategori. Ta fajësosh Adamin, nuk do të thotë që ke fajësuar gjithë shoqërinë, e shkuar më tej – njerëzimin, por vetë Adamin. Njeriu i veçantë, pra, unë, tjetri, secili për vetën e tij është pjesëmarrës me mëkatin origjinal (mëkatin e parë të Adamit) vetëm e vetëm nëpërmjet marrëdhënies tonë me Adamin, por jo dhe nëpërmjet marrëdhënies së tij primitive me mëkatin. Pra, çdo mëkat i individit të veçantë, është mëkat i tij, dhe jo i Adamit. Kësisoj, ta fajësosh Adamin, për mëkatin e gjithësecilit, është e gabuar dhe shikuar moralisht bie edhe vetë në mëkat duke fajësuar Adamin që nuk ka bërë asnjë mëkat. Porse, llogaria e mëkatit duhet të kërkohet nga secili individ që ka rënë në mëkat (së paku nga vetja e tij). Adami nuk ka gjeneruar mëkate të tjera siç pretendohet në pyetjen: “Ku ishte ti, Adam”?
Adami, tek Gjeneza në Bibël, është i përjashtuar dhe nxjerrë krejtësisht nga vetë historia njerëzore. Sepse vetë Jezusi kishte marrë të drejtën t’i fshinte mëkatin Adamit. Kështu që nuk kërkohet llogari tek Adami, por tek Jezusi. Andaj, më e përshtathme do të ishte të kërkohej llogari e t’i parashtrohej pyetja:
Ku ishe ti, Jezus?
Jezusi mori me vete mëkatin e Adamit dhe gjithë mëkatet e njerëzimit. Adami është i vetmi individ i cili nuk mori pjesë në histori, sepse pa të nuk ka më mëkat. Kështu që Jezusi duke marrë mëkatin e Adamit dhe gjithë njerëzimit, mëkati i parë i ardhur në botë nuk vie nëpërmjet Adamit, por mëkati vie nëpërmjet mëkatit. Dhe ky koncept mitik i naivitetit i nxjerrë nga Bibla, është po i njejti koncept naiv i nxjerrë në shkrimin e akademikut: “Ku ishe, ti Adam”? Edhe pse pa mëkat përsëri:
Adami, këtu është!
Ishte gjithmonë në mesin tonë. Ne të tjerët të gjithë jemi “adamë të vegjël”. Duke përfaqësuar mëkatet tona e përgjegjësitë. Por, me gjithë këtë shkrim estetik të akademikut i cili dorën në zemër do të më linte edhe më shumë përshtypje pa masë po të parashtrohej pyetja: “kush”, dhe jo “çfarë”.
Po, z. Mehmet Kraja, na thuaj:
– “Kush janë miqtë e juaj”? Që vetë i quan miq në vend se t’i quaje armiq!
– Kush janë këta që janë bërë drejtues institucionesh, anëtarë komisionesh, bordesh, e pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të shkatërrimit të vlerave.
– Kush janë këta plagjiatorë me damkë e mbrojtësit të tyre-kush janë?
– Kush janë zjarrëvënësit e të ashtuquajturit shpëtimtarë të botës?
– Kush janë po këta karrieristë, poltronë, militantë partiakë, e sherbëtor pa dinjitet?
– Kush janë ata që nuk të lënë vend e janë bërë shumicë?
– Kush janë ata kombëtarë e ndërkombëtarë që u bënë bashkë e çmoralizuan shoqërinë?
– Po “vagabondët me shkollë” e këta proveniencë rurale, me këmbët me bajga, që deri para pak kohësh e bënin nevojën pas gardhit, na thuaj – kush janë?
– Kush janë këta armiqë të shtetit e shoqërisë që i quani miq?
Dhe përsëri them që:
Po, Adami, këtu është!
Dhe ka emër. Adam i thonë! Po kush janë këta pasardhës të Adamit që kanë emra, dhe ne e dimë se kush janë.’’ Dhe thoni: “kjo ka pak rëndësi”… “JO”!… Është rëndësi jetike për vendin e atdheun tonë që t’i dijmë kush janë këta tradhëtarë të cilët duhet të jenë prapa grilave që ne nuk ua dimë emrat.
Dhe ju ende fajësoni Adamin duke e pyetur se ku ishe?
Dhe ju ende fajësoni Adamin për migrimin e ekzodin?
Ju fajësoni Adamin dhe për liberalizimin?
Ju fajësoni Adamin dhe për Vetëvendosjen që është e obesionuar me mitet që krijon vetë dhe për çudi e quani dhe lëvizje ilegale e si bashkëpjesëtare e “AAK”-së dhe “Nismës”, për bashkëmarrje të pushtetit?!
Dhe këtu përsëri fajtor na qenka Adami?
Adami nuk është fajtor mund ta pyesim vetë.
Ja, shiko:
Adami, këtu është!
Dhe, fare në fund i gjithë ky shkrimi im, nuk është gjë tjetër porse një “plagjiaturë” e inspirim nga Soren Kierkegaard, dhe vepra e tij “Koncepti i Ankthit”, si një vepër fundamentale e filozofike mbi Adamin dhe Mëkatin, dhe unë jam në gjendje të them se shoqëria në të cilën jetoj ka kapacitete morale e që besa dhe intelektuale të më gjykojë për këtë.
Kështu që z.Mehmet Kraja, ju vetë keni bërë mëkat, duke fajësuar Adamin, për të gjitha mëkatet e shoqërisë e politikës, pa bërë ai asnjë mëkat.
Ja mund ta pyesim:
Adami, këtu është!

LEXONI SHKRIMIN: MEHMET KRAJA: KU ISHE TI, ADAM?
HAPE: http://www.telegrafi.com/lajme/ku-ishe-ti-adam-26-7263.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura