Skënderaj, 11. 10. 2016: Ka shumë debat sot, do të thoja interesant rreth kombit kosovar! Për mendimin tim, kurrë nuk ka për të arritur populli shqiptar i Kosovës të shëndrrohet në një komb kosovar. Për një fakt të thjeshtë: nuk ka bazë as kulturore e as historike për të krijuar një identitet të veçantë nga ai i shqiptarëve. Nëse do të ndodhte ndonjëherë në të ardhmen, atëherë i bie që kosovarët do vjedhin identitetin e shqiptarëve duke asimiluar kulturën shqiptare në atë kosovare. Kjo jo vetëm që është e çuditshme, por edhe e pakuptimtë.
Parasëgjithash, ‘kombi’ është një nocion politik dhe krejtësisht i ri në histori.
Për shembull Italia ka më shumë se një shekull që mundohet të bëhet komb, por shumë italianë ndjehen të tillë vetëm gjatë ndeshjeve të futbollit. Pas ndeshjes, nëse i pyet për përkatësinë e tyre, do të përgjigjen: ‘Unë jam napoletan’, ‘unë jam sicilian’, ‘unë jam sardinian’ e kështu me radhë.
E formimi i kombeve ka filluar pikërisht me bazën kulturore të një grupi shoqëror, pra me atë se si ndjehen njerëzit në realitet në vetvete.
Është diçka tjetër, që grupe të ndryshme shoqërore, mund të jenë pjesë administrative e një shteti që provon të mbajë kohezionin e grupeve shoqërore duke i thënë vetës ‘Shtet Komb’, siç është rasti me Italinë.
Mbi këtë logjikë, edhe sot e njëmijë vjet, nuk ke për të gjetur shqiptarë në Kosovë që ka për t’i thënë vetës nuk jam shqiptar.
Pra thelbi i identitetit të shqiptarëve të Kosovës nuk do të mund të ndryshohet edhe nëse Kosova bëhet dhjetë herë më e fortë sesa vendet e rajonit dhe le të themi do e pushtojë Shqipërinë. Sepse rrënja jonë është rrënjë fund e krye shqiptar.
Emrin Kosovë na e kanë imponuar sllavët. Përndryshe, në realitet trojet shqiptare ndahen veç me lumin shkumbin, Toskëria dhe Gegëria.
Tendenca për të krijuar një komb artificial të quajtur kombi kosovar, është thjeshtë një tendencë për të krijuar një përçarje edhe shpirtërore mes shqiptarëve në Ballkan.
Sepse vetëm ndarja gjeografike e shqiptarëve nuk është e mjaftueshme.
Ata që sot trumbetojnë për kombin kosovar, duhet sëpari të mendojnë gjatë, se çka po i ofrojnë popullit shqiptar me një komb të ri?
Çka përfitojnë shqiptarët si popull i vogël me një ndarje shpirtërore?
A janë vërtetë shqiptarët e Kosovës të ndryshëm nga shqiptarët tjerë të Ballkanit?
Nëse janë të ndryshëm, atëherë cilat janë ato veti kulturore dhe historike që i dallojnë ata?
Nëse kanë përgjigje të argumentuara, do i analizoja me vëmendje.
Për mendimin tim, analistët që po mbeshtesin kombin kosovar, kanë lënë anash kuptimin e shtetit dhe po e përziejnë me biber shtetin si intitet administrativ me kombin si element i përkatësisë historike dhe kulturore.
Kosova mund të vazhdojë të funksionojë si një shtet padyshim, edhe atë si një shtet multietnik për shkak të kompleksitetit që ka pasur në këto rrethana të caktuara historike.
Por, Kosova nuk do funksionojë kurrë si komb. Sepse shqiptarët do i thonë gjithmonë vetës shqiptar, ndërsa serbët do i thonë gjithmonë vetës serb, e pakicat tjera do i ndjjekin këto dyjat.
Shqiptarët në Ballkan kanë vetëm një përkatësi kombëtare dhe nuk ka historian, analist, politikan, inxhinier, ekonomist, shkrimtar, as prift as hoxhë, apo arkitekt që mundët me krijua një përkatësi tjetër për shqiptarët.