DR.JAKUP KRASNIQI: IDETË E KUNDËRTA – KOMBIT NUK I DUHEN PËR SHKATËRRIM POR PËR ZHVILLIM

Prishtinë, 19 tetor 2019: Kushdo që mendon se krahu i luftës ( si politikë) duhet të lidhet vetëm me UÇK-në e ka gabim, pasi krahu i rezistencës kombëtare shtrihet në disa gjenerata, sidomos të atyre që jetuan, vepruan, luftuan dhe ëndërruan pandërprerë deri te lufta përfundimtare çlirimtare e 1999-tës por edhe asaj që tashmë ka arritur moshë pjekurie që nga përfundimi i saj. Luftën, në përgjithësi, gjë e ditur kjo, por luftën çlirimtare në veçanti, askund në botë popujt nuk e kanë zgjidhje të dëshirueshme, por të imponuar. Ndoshta përkufizimin më të mirë për ketë e ka dhënë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili ka thënë: “Të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur ta imponojnë të tjerët është urti, është mençuri”! Dhe kombi ynë kurrë nuk ka pasur më shumë nevojë sesa sot për një burrështetas të mençur,i cili rrethohet nga bashkëpunëtorë të ditur e besnikë të atdheut.
Gjithashtu është e vërtetë se pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë pakicë, por Lufta Çlirimtare është bërë për çlirimin e Kosovës, është bërë për lirinë e të gjithë qytetarëve të saj, edhe të atyre që kishin lidhje të shumëfishta me Jugosllavinë e Titos e patën nevojën që të shkëputeshin nga ajo. Lëvizja Kombëtare Klandestine me Ushtrinë Çlirimtare ua dhanë atë mundësi. Nëse individë të caktuar pas luftës çlirimtare janë shndërruar në lakmitarë e grabitës, të korruptuar e haraçxhinj qoftë nga padija, qoftë nga motive të ulëta, panjerëzia, duke u bërë gogolë të së keqes. Gogolë të tillë kanë gjeneruar edhe vendet më demokratike të botës, por kjo sortë e njerëzve askund, as tek ne, nuk mund ta rrëmbejë as idealin, as vizionin e njerëzve që iu kanë prirë proceseve liridashëse e çlirimtare.

Pra, duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe ata që i udhëhoqën idetë e rilindësve, të pavarësistëve, të demokratëve apo të komunistëve, nuk kanë qenë shumicë, por iu kanë shërbyer shumicës së shqiptarëve. Dihet se njerëzit me ideale, me integritet e vizion, kudo e kurdo kanë qenë e janë pakicë. Vetëm ne shqiptarët mendojmë se të gjithë janë Skënderbegë a Enver Hoxha, Mic Sokola a Adem Jashara, se të gjithë janë të gjithëdijshëm e hekurin e hanë me dhëmbë, se të gjithë mund të bëhen deputetë a ministra, kryeministra a presidentë pa ia ditur hallin vetes!
Njëzet vjet pas Luftës Çlirimtare kemi gjeneratën më vitale të kombit, e cila nuk lidhet as me pacifizmin e paraluftës, as me Lëvizjen Klandestine për Çlirim, as me Luftën Çlirimtare, madje as me argatët e jugosllavizmit. Kjo është gjenerata e Lirisë dhe e Pavarësisë se Kosovës. Në Kosovën e lirë e të pavarur, kjo gjeneratë ka kërkesa të tjera, kërkesa në rrethana lirie e pavarësie. Këto aspirata të reja kërkojnë që të kenë drejtues me vizion të qartë për kombin e shtetin. Sigurisht jo ata që i kishim në 20/30 vjetet e fundit.
Gjenerata e Lirisë dhe e Pavarësisë duhet ta dijë të kaluarën, por nuk mund të jetojë me lavdinë e djeshme. Kësaj gjenerate i duhet jeta në të sotmen dhe përgatitja për të ardhmen! Gjeneratës që po e përjeton dhe gëzon Pavarësinë i duhet perspektiva, e cila nuk ndërtohet me sharje e britma, e as me ndarjet armiqësore të historisë.
Qytetarëve tanë iu duhen parti ideologjike e demokratike që i nxjerrin ata nga labirintet e ndarjeve historike me oferta programore për një perspektivë zhvillimi, arsimimi, punësimi e mirëqenieje. Kjo politikë e ky vizion u duhet shqiptarëve sot! Ndonëse njerëzit e dëshmuar për veprimtari atdhetare, te tri dekadave të fundit të shekullit XX, edhe pse kishte në lista zgjedhore të 6 tetorit 2019 në të gjitha partitë politike, mbeten jashtë Kuvendit të ardhshëm, përkundër përvojës se tyre të madhe e të dëshmuar kombëtare e politike. Ndoshta ishte rastësi, ndoshta?! Apo, mbase nuk ishte koha e tyre, ashtu si nuk ishte koha e Kreshnikut Mujë pas zbulimit të barotit?!
Por, një gjë është e sigurt, Ata që e mbërthejnë kombin në korridoret e errëta të historisë së shkuar, të lënë pa ardhmëri!
Kombit i duhen idetë e kundërta e progresive për zhvillim e përparim, por jo “idetë” për konfrontim e shkatërrim!
Shkurt: Kosova nuk duhet të udhëhiqet as nga të vjetrit apo të rinjtë si moshë, shteti duhet të udhëhiqet nga njerëzit që dinë, duan e kanë vizion se si drejtohet shteti! Përvoja, kujtesa e përkushtimi i njerëzve është shfrytëzuar në çdo epokë të historisë, edhe në ato më primitive, pse koha e jonë dhe vetëm për ne të jetë ndryshe?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura