DR.JAKUP KRASNIQI: INTEGRITETI I PERSONALITETEVE TË LIRISË, TË PAVARËSISË E TË DEMOKRACISË SHQIPTARE

(Prishtinë, 30. 03. 2012) – Konsideroj se viti 2012, si vit i Jubileut të 100 – Vjetorit të Pavarësisë së shqiptarëve e të shtetit shqiptar është momenti më i duhur për t’i kujtuar e rikujtuar dalzotësit më me integritet të Shqipërisë indipendente… Ndër personalitetet më simbolike të tri-katër dekadave të para të shekullit XX, në rrafshin politik, patriotik e demokratik, pa dyshim që janë: Ismail Qemal Vlora, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Çerçiz e Bajo Topulli, Sevasti Qiriazi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Shotë Galica, Dedë Gjo Luli, Azem Galica dhe Fan S. Noli.
     Të gjitha kombeve të botës, pavarësisht formimit të hershëm a të vonshëm të tyre, iu duhen personalitete me kredibilitet e integritet, me moral e dinjitet, njerëz të fjalës së dhënë, që ne e quajmë besë, të ëndrrës e të përkushtimit në realizimin e qëllimeve të larta për një ideal, drejtësi e mirëqenie shoqërore. Në veçanti, personalitete vizionare e idealiste, të drejta e të pathyeshme iu duhen kombeve “të vogla”, kombeve “jetime”, që kanë histori sa të vështira, aq të lavdishme, siç është historia shumëshekullore e kombit shqiptar. Nuk ka histori të lavdishme të asnjë kombi-shtet ose shteti-komb në Evropë pa luftërat çlirimtare apo ndërrimet revolucionare si imperativ i kohës. Është faktuar tashmë se jo vetëm kombet-shtete apo shtetet-kombe të Ballkanit dhe të Evropës kanë kapërcyer nëpër luftëra dhe revolucione shoqërore. Derisa “të gjitha shtetet kanë dalë nga luftërat”, as me Shqipërinë e shqiptarët nuk mund të ndodhte ndryshe.

     Historia politike, e periudhave të vjetra e të reja, na mëson se të gjitha kombet e botës, të mëdha apo të vogla, në formatin e tyre kanë njohur luftëra të ndryshme, lokale e botërore, kanë njohur luftëra civile e revolucione shoqërore. Së paku kështu na mëson historia e njerëzimit e tre-katër mijë viteve të fundit. Po kjo histori na mëson se kombet e kanë të drejtën e tyre të trashëguar për të qenë të lirë siç e ka dhe individi, për të pasur jetë të pavarur në shtetin e tyre. Shekulli XX është shembulli më i mirë i kësaj së vërtete. Dhe gjithashtu, historia më e re dëshmon se edhe njerëzit e këtij shekulli duhet të jetojnë në shoqëri të organizuar, me norma të përcaktuara e të dakorduara për drejtësi, barazi dhe mundësi të barabarta. Ndërsa, kur rrezikohen këto norma, dhe këto rrezikohen shpesh, nga individë a klane të gjithëpushtetshme, lakmitare e mafioze, krijojnë mundësi reale, shpesh edhe të pashmangshme për shpërthime sociale, për revolucion. Sigurisht që luftërat çlirimtare dhe revolucionet shoqërore kanë bërë që shtetet në botë të kenë një fytyrë më njerëzore, por në vende të ndryshme të botës ende kanë mbetur shumë pangopësi ataviste. Kur them këtë kam parasysh faktin se bota kurrë nuk është udhëhequr nga më pak njerëz dhe kurrë nuk ka pasur pabarazi më të madhe shoqërore. Edhe kombi ynë si kombi më i vjetër i kontinentit tonë, i ka njohur dhe ka kapërcyer të gjitha këto forma të luftërave për mbijetesë, për shtet të lirë e të pavarur, për shtet të së drejtës, ku sundimi i ligjit nuk i mbetet vetëm vullnetit të individit. Por edhe këtu, si kudo në botë, udhëheqja është shumë e personalizuar (e individualizuar në vendimmarrje), ndërsa shoqëria shqiptare në vitet e tranzicionit ka prodhuar diferenca të mëdha e pabarazi të theksuara sociale. Për të arritur deri këtu njerëzit e veshur me pushtet, nuk kanë respektuar normat e përcaktuara ligjore, kanë shfrytëzuar pozitat politike për pasurim të paligjshëm të klaneve të caktuara, në të shumtën parapolitike. Këto standarde të organizimit klanor e mafioz në shoqërinë shqiptare janë instaluar në dy-tri dekadat e pas pavarësisë së Shqipërisë, që arriten të përtërihen në vitet e tranzicionit.
     Konsideroj se viti 2012, si vit i Jubileut të 100-Vjetorit të Pavarësisë së shqiptarëve e të shtetit shqiptar është momenti më i duhur për t’i kujtuar e rikujtuar dalzotësit më me integritet të Shqipërisë indipendente. Ata që para më shumë se 100 vjetësh i vunë standardet e atdhedashurisë. Ata ishin liderët e vërtetë të kombit që kishin krijuar vizionin e tyre të lirisë, të pavarësisë e të demokracisë së kohës. Ai vizion kishte përpara vështirësi e kërkonte sakrifica, kishte pa dyshim shkallë të lartë të rrezikshmërisë, por ata ishin gati të shkonin deri në fund, deri në sakrificën sublime, prandaj themi se kishin shkallën më të lartë të integritetit që duhet t’ua kemi lakmi edhe në ditët tona. Personalitetet e tilla jo vetëm që i thurën dhe i lanë lavdi vetes, por edhe epokës së tyre, epokës që po e sjellim në kujtesën e brezave në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vetvetes ia lanë lavdin me çmimin e jetës, ndërsa nderin e lirinë ia lanë Shqipërisë e shqiptarëve. Për hir të brezave që arritën t’u mbijetojnë të gjitha katrahurave të shekullit të mëvetësisë së Shqipërisë, është obligim yni që t’i përkujtojmë, t’i nderojmë e falënderojmë personalitetet që më integritetin e tyre jo vetëm i mbrojtën frytet e lirisë e të pavarësisë, por u bënë korifenj e flakadanë të lirisë, të mëvetësisë, të zhvillimit e të mbrojtjes së demokracisë shqiptare në rrethana tepër të vështira. Kur them këtë, kam parasysh faktin se “integritet ka vetëm aty ku shkalla e rrezikshmërisë është e lartë”, ashtu siç ishte në katër dekadat e para të shekullit XX në Shqipëri. Nuk ishte më mirë as më vonë, por ne po flasim për personalitetet me integritet të kësaj periudhe, periudhës së konsolidimit të shtetit që ka lënë të dëshirohet shumë. Duke iu falënderuar këtyre personaliteteve të ndershme, të përgjegjshme, konsekuente e me integritet, duke qenë të rrethuar me kapedanë e luftëtarë të guximshëm, që gjithçka e kishin vënë në shërbim të Shqipërisë së mosvarme, arritën ta krijojnë epokën e mileniumit për kombin. Dhe disa nga ta, që do i veçoj në vazhdim nuk janë të vetmit, por janë majat e personaliteteve me integritet, secili në mënyrën e vendin e vet dhe me karakteristika të veçanta, porse të gjithë në shërbim të Shqipërisë. Shi për këtë edhe do të sjell dëshmi që vërtetojnë shkallën e lartë të integritetit të tyre në tre-katër dhjetëvjetëshat e parë të shekullit që lamë pas. 

Ismail Qemali, Qazim bej Vlora dhe Hasan Prishtina (Stamboll, në vitin 1910)

_______________________________________________

     Ndër personalitetet më simbolike të tri-katër dekadave të para të shekullit XX, në rrafshin politik, patriotik e demokratik, pa dyshim që janë: Ismail Qemal Vlora, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Çerçiz e Bajo Topulli, Sevasti Qiriazi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Shotë Galica, Dedë Gjo Luli, Azem Galica dhe Fan S. Noli. Këto personalitete në rrethanat më të jashtëzakonshme për Shqipërinë e shqiptarët, në rrethanat e pushtimeve të egra, në rrethanat të rrezikshme thuaja të çdoditshme për jetët e tyre personale e familjare, kur ishte në kulm krimi i organizuar në përgjithësi dhe i bandave të feudalëve në veçanti, krerët e të cilave ishin të gatshëm për çfarëdo “Shqipërie”, veç jo për atë që duhej, këta atdhetarë nuk u hamendën në asnjë rrethanë së luftuari për vizionin e tyre që kishin zgjedhur, për çlirimin e bashkimin kombëtar, për lirinë dhe për shtetin demokratik, civilizues dhe laik të shqiptarëve me vlerat e oksidentit, siç thuhej atëherë e që sot u themi vlera europerëndimore. Ky shtet, themelet e të cilit i vunë kolosët e mëdhenj të kombit, u iku nga duart shtetbërësve dhe demokratëve shqiptarë pse nuk deshën ta rrezikojnë atë lindje të madhe – Shqipërinë e pavarur. 
     Ndërsa Fuqitë e Mëdha të kohës angazhoheshin më tepër për stabilitetin politik në Ballkan, gjithnjë në dëm të shqiptarëve, sesa angazhoheshin për një Shqipëri të tërë, të lirë e demokratike ku do të sundonte rendi dhe ligji, ku do të kishte zhvillim e përparim. Fuqitë e Mëdha, padyshim që ndihmuan në krijimin e një Shqipërie të përgjysmuar e jostabile, duke e lënë në duar tepër të pasigurta, në duar të feudalëve të mentalitetit anadollak, siç ishte Esat Pashë Toptani “që nuk e njihte as një gjuhë të huaj, por i njihte të gjitha monedhat e Botës”, një portretizim i saktë nga Margaret Macmillan në librin e saj, “Parisi 1919”, për këtë figurë të urryer që i solli aq dëm popullit tonë. Personalitetet e përmendura atdhetare shpesh u vunë para rreziqeve të mëdha, por kurrë nuk pushuan së luftuari për Shqipërinë etnike, të lirë e demokratike. Stabiliteti politik, për të cilin shpesh u përkujdesën Fuqitë e Mëdha, e kemi parë të bëhet lubi gllabëruese e shteteve ligjore e demokratike madje edhe në ditët tona.
     Në emër të stabilitetit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër janë bërë copë-copë tokat e Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha e dinin ç’kishin bërë, andaj ishin në kërkim të personaliteteve që mjaftoheshin të ishin të parë dhe të kënaqeshin me çfarëdo Shqipërie, mjaftonte që ata të ishin në krye të saj. Për të ndodhur kjo, nuk lan gurë pa lëvizur për t’i eliminuar fizikisht e politikisht luftëtarët e Shqipërisë Etnike, aty ku edhe guri e druri, toka e nëntoka flisnin shqip. Politika të tilla u ndoqën e po ndiqen edhe sot në Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike. Në kohën tonë edhe pse diçka ka ndryshuar, diçka duhet ndërruar, pasi shumëçka nuk po funksionon ende si duhet. Nëse vërtet mësojmë nga jeta dhe vepra atdhetare, nga integriteti i lartë i personaliteteve të përmendura, të atij brezi që para 100 vjetësh, në rrethana tepër të vështira për kombin, arritën dhe ditën vërtet ta bëjnë Shqipërinë se “nuk bënte pa e bërë Atë – Shqipërinë, atdheun e shqiptarëve”, vetëm me të tillë idealistë, me të tillë luftëtarë kombëtarë, me të tillë njerëz me integritet reflektues e rrezatues, rrezet e të cilëve vazhdojnë të na ngrohin gjatë gjithë shekullit të mëvetësisë, si në ditë të mira ashtu edhe në ditë të liga, ne mund t’i ndërrojmë shumë rrjedha negative të kohës sonë, të shfaqura në gjithë hapësirën gjeografike të kombin tonë.
     Shumë rrjedha negative që i kemi të njohura për vitet e stuhishme 1912-1925, i shohim të zhvilluara (përkundër të arriturave) edhe në vitet 1991-2012, ku interesa të paidentifikuara mirë vihen mbi interesat kombëtare. Këto interesa meskine të vendorëve dhe të ndërkombëtarëve po e pengojnë ndërtimin e shtetit ligjor dhe integrimin në familjen e bashkuar evropiane. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se shteti ligjor, zhvillimi e përparimi, drejtësia dhe arsimi nuk bëhen për EVROPËN dhe evropianët, se ata i kanë të gjitha. Ne shqiptarëve na duhet shteti ynë ligjor, na duhet zhvillimi e përparimi, na duhet drejtësia e arsimi, mirëqenia dhe shëndeti, na duhet shteti për të na siguruar familje e pasuri.
     Shqipëria fillimshekullin XX e nisi si komb i konsoliduar, me program politik të përpunuar nga Sami Frashëri dhe i bashkuar rreth thirrjes së Rilindësve: “fe e shqiptarëve është shqiptaria”, të formëmësuar nga Vaso Pashë Shkodrani, në himnin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “O moj Shqypni e mjera Shqypni”. Pra shqiptarët ishin komb i konsoliduar, por nuk ishin komb-shtet e as shtet-komb. Më ketë formulim për kombin, do të thoja sa substancial aq dhe epokal të rilindësve tanë të urtë, kombi shqiptar arriti t’ju shpëtojë përçarjeve fetare, me çka arritën të sendërtojnë një tolerancë të pashembullt ndërfetare, jo vetëm në historinë tonë, por edhe në atë të përbotshme. Kombi shqiptar është i vetmi komb në botë që përbëhet nga pjesëtarë të dy besimeve të mëdha botërore. Pa dyshim që kjo ishte një vlerë për të cilën në atë kohë kishin nevojë të madhe shqiptarët, por për këtë vlerë ka nevojë sot edhe civilizimi botëror. Toleranca, sigurisht jo vetëm fetare, është bërë vlerë evropiane e botës veriatlantike.
     Megjithëketë, shqiptarët në fillim të shekullit XX u gjetën para rreziqeve të mëdha. Mbetja edhe më tej nën sundimin osman ishte një rrezik shekullor e i trashëguar, por pas pavarësimit të grekëve, serbëve, malazezëve dhe bullgarëve, shqiptarëve iu shtua edhe rreziku i pushtimit dhe i copëtimit nga fqinjët. Kërcënimi kryesor vinte nga grekët, serbët e malazezët. Rreziqet nga këta të fundit ishin edhe më të mëdha se, përveç pushtimit dhe copëtimit të trojeve shqiptare, krijoheshin mundësi e rrethana për realizimin e planeve të njohura të shovinistëve serbë e grekë për dëbimin, shfarosjen, shkombëtarizimin e kolonizimin e tokave shqiptare. Diçka e tillë, për fat të keq, edhe është realizuar, ndonëse shqiptarët vazhduan të mos pajtoheshin me padrejtësinë që u ishte bërë dhe u bëhej, duke iu grabitur më shumë së gjysma e tokave, në fund të shekullit XX, me luftën çlirimtare të UÇK-së u arrit t’i kthehen kombit 10.878 km2. Kjo e bën brezin e Komandantit Legjendar – Adem Jashari, brez të veçantë, brez që realizoi, ndonëse pjesërisht, një aspiratë shekullore të popullit shqiptar të Kosovës. Brez që e pati pothuajse të njëjtin fat që e patën indipendentët dhe demokratët e Shqipërisë jo vetë të viteve 1912-1925, por edhe më tutje.
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura