MR.AVDI GJATA: ALI AJETI DHE ‘ÇETA E LLAPIT’ – ISHIN NISMËTARËT E PARË T Ë KRIJIMIT TË UÇK-së

Prishtinë, 31. 05. 2012 – (Ali A. Ajeti dhe ‘Çeta e Llapit,’ janë nismëtarët e parë të krijimit të UÇK-së së Kosovës. Ai bashkë me shokët e Çetës e gjetën rrugën e çelësin e lirisë.) Më 30 maj 2012 u bënë 23 vjet nga rënia heroike, në fushë të nderit dhe ballë për ballë me armikun, duke e mbrojtur rinin e popullin shqiptar të Llapit që kishin dalë në demonstratën e tridhjetë majit të vitit 1989 në qytetin e Besianës që tashmë ishte bërë kështjellë e rezistencës, qëndresës e protestave të një pas njëshme shqiptare.
Mu, në ditën e sotme të 30 majit, ndërroi jetë, atdhetari dhe patrioti Llapjan i çështjes kombëtare Ali Adem Ajeti, që tërë jetën e tij me përkushtim fanatik ia kushtoi, çlirimit, lirisë dhe bashkimit kombëtar të Kosovës. Pas, një qëndrese heroike e jo të barabartë, vritet nga plumbat e armëve të armikut që vinin nga të gjitha anët. Aliu, përveç sulmeve nga toka ai sulmohej edhe nga ajri që shtihej edhe nga helikopteri e aeroplanët ushtarak. Vritet, pas qëndresës madhështore, vetëm 23 vjet, para ngjarjeve më të lavdishme të shqiptarëve të vitit 1999-ës, të çlirimit të Kosovës nga ushtria serbe të cilën aq shumë e deshi dhe e kërkoi për disa vite me radhë, për çka, më në fund e sakrifikoi, edhe jetën e shpirtin e tij të pavdekshëm.

ALI ADEM AJETI (10.08.1957 – 30.05.1989)

_______________________________

Gjeografikisht në veri të Kosovës, shtrihet krahina e Llapit. Populli i kësaj ane, që vazhdimisht e pandërprerë, luftuan për çlirimin e Llapit e trojeve tjera shqiptare. Luftërat, bëheshin në forma të ndryshme, varësisht prej armikut, kushteve e rrethanave historike. Me gjithë atë, të gjitha ato kishin një qëllim, largimin e shporrjen e armikut nga këto anë. Gjatë këtij shekulli, armiku kryesor dhe jo i vetëm i këtyre trojeve, ishte politika nazi-fashiste e Jugosllavisë Pashiqiste-Titiste të cilët sistematikisht e vazhduan, gjenocidin, zhdukjen e shpërnguljen e shqiptarëve nga tokat e paraardhësve të tyre.
Fshati, Laberion (Sveçël), nga mesjeta njihej si një vend për qëndresë e rezistencë luftarake, kundër të gjithë popujve pushtues të Shqipërisë gjeografike e veçanërisht atij osmano-sllav që me shekuj ushtruan dhunë e terror ndaj këtyre trojeve. Diku në mesin e këtij fshati, lindi e lëshoi shtat, trimi e atdhetari i ardhshëm i Llapit, apo më mirë me thënë komandanti i Çetës së Llapit.
Aliu, lindi më 10 gusht 1957 në fshatin Laberion të Besianës. Babai i Aliut, Ademi ishte martuar me nënën Vahiden e cila ishte nga fshati Dumosh e që ishte vajza e Ahmet Podvericës të cilët kishin ardhur gjatë shpërnguljes së madhe të shqiptarëve nga Toplica në vitet 1876-1878. Familja Ajei, është dalluar për qëndresë kombëtare e rezistencë gjatë të gjitha etapave e periudhave të rëndësishme të historisë, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri sot. Në ngjarjen e madhe të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga kjo familje, kishte marrë pjesë edhe Islam Ajeti i cili vritet më 1916, gjatë luftës së Parë Botërore. Gjithashtu edhe gjatë vitit 1945, vëllai i Islamit, Sahiti i cili pushkatohet nga çetniko-partizanët për kundërshtimin të hapur që kishte bërë kundër ndarjes së Kosovës nga shteti Shqipëtar.
Ismajl Ajeti-Bushi, ishte gjykuar dy herë nga gjyqet e Jugosllavisë që ishte dënuar me brgun më të rëndë për çështje politike, kundër shtetit. Ata patën tetë fëmijë. Aliun, Samiun, Arbimin, Muhametin, Mihanen dhe Izetin. Të gjithë fëmijët tjerë u rritën dhe u martuan që sot jetojnë me familjet e tyre të mbushur paplotë, nipa e mbesa. Ndërsa, Aliu nuk u martua asnjëherë, pasi ai kishte nisur luftën për çlirim e bashkim e që nënës i kishte thënë se: ‘do të martohem kur të çlirohet Kosova’. Nusja në liri është si lulja në dritare.
Familja e Ademit në fshatin Laberioni, bënte jetë jo të mirë pasi ajo ballafaqohej me skamjen që e kishte katandisur tërë Kosovën. Kjo e detyroi të largohet nga fshati e të vendoset në Besianë, duke shpresuar se do të jetë më lehtë për mbajtjen e familjes e shkollimin e fëmijëve. Kjo shpresë, dita ditës, vyshkej pasi edhe këtu e përcolli skamja, kur dihet se Ademi ishte punëtor në KNI ‘Ramiz Sadiku’ i cili dallohej si njëra nga ndërmarrjet më aktive në ndërtimin e Kosovës dhe përkrahjen e protestave e demonstratave të rinisë e studentëve të Prishtinës. Përkundër kushteve të tilla, Aliu arriti që ta kryen shkollën fillore në Laberion, ndërsa atë të mesme në Besianë.
Axha i Aliut, Hetemi, gjatë demonstratave të vitit 1968, është rrahur nga një polic që dy javë më vonë, ai i hakmerret policit i cili kishte mbetur i verbër për gjithmonë. Hetemi është dënuar me tre vjet burg. Gjatë vuajtjes së dënimit, Hetemi ishte njohur me shumë anëtarë të Komitetit të Demonstratave dhe Lëvizjes Kombëtare në tërësi. Gjatë demonstratës të vitit 1981 në Besianë me 1 e 2 prill, u plagosë me armë zjarri, bashk me veprimtarin e kushëririn e tij të afërt për nga gjaku, Sabri Hamitin mu në qendrën e parkut të qytetit nga policia serbe-jugosllave.
Populli shqiptar i Kosovës ishte i pakënaqur me kushtet e rrjedhat shoqërore, politike e kombëtare, qysh nga vitet 1945,( apo siç thuhej)’çlirimi’ që mbretëronin në Kosovë e viset tjera shqiptare në Jugosllavi. Rezistenca e përgatitjet për luftë kundër shtypjes e robërisë serbe, kishin filluar më herët sesa mendohet, por ajo shpërtheu në formën e demonstratave që prinin studentë e Universitetit të Prishtinës gjatë vitit 1981. Demonstratat filluan në Prishtinë, por ato u përhapën edhe në rajonet tjera. Në mesin e demonstruesve ishte edhe Ali Ajeti, i cili vepronte sa në Prishtinë ashtu edhe në Besianë. Që nga ky vit, Aliu bashkë me shumë moshatar të tij, e filloi veprimtarinë ilegale në Llap për tu mos u ndalur deri në vdekje. Gjatë viteve 1981-1983 ai i kryente të gjitha detyrat dhe obligimet që dilnin nga organizata ilegale; ‘OMLK-ja, të cilës organizatë i takonte edhe vet Ali Ajeti.
Edhe pas marrjes së të gjitha masave e shuarjes me dhunë të demonstratës së 1, 2 e 3 Prillit të vitit 1981si edhe vazhdimin e burgosjen e numrit shumë të madh të organizatorëve e pjesëmarrësve të demonstruesve në Besianë, rezistenca dhe veprimtaria kundër Jugosllavisë, vinte duke u rritur me një intezitetë edhe më të shtuar e cila vazhdoi edhe gjatë të gjitha viteve të ardhshme. Më 10 korrik të vitit 1981 në shtëpinë e Hamit R. Hamitit e cila gjindej në lagjen e fushalive të Besianës, së bashku me Hamit R. Hamitin, Avdi H. Gjatën (i cili është nip i Aliut) e Ali A. Ajetin e formuan Grupin Ilegal të Llapit. (GILL). Nga viti 1981 Aliu së bashku me shokët e organizatës vazhdonte pandërprerë të shkruante e shpërndante parulla, afishe, komunikata e detyra të tjera të nevojshme.. Ai, dallohej veçanërisht në organizimin e zgjerimin e organizatës me anëtar të rinj, pasi kishte fituar një besim të veçantë nga rinia heroike Llapiane. Më vonë, grupi u zgjerua me anëtarë të tjerë, anë e mbanë rajonit të Llapit e Kosovës. Gjatë tërë vitit 1981 e 1982 organizata zgjerohej me anëtarë të rinj, po që gati, asnjëherë nuk është ditur numri i vërtetë i anëtarëve, pasi Lëvizja vepronte me sistemin e treshit, për hir të konspiracionit. Duke e kuptuar se pushteti Jugosllav me hapat që filloi t’i marrë, kundër popullit shqiptar, gjatë muajit mars të vitit 1982, organizata ia shtoi vetes për obligim edhe përgatitjen për luftë, ‘nëse kërkesa e popullit nuk do të realizohet’, pasi që kthim prapa nuk kishte.
Këtij grupi në vazhdim iu bashkëngjitën edhe shumë anëtarë e anëtare të tjera të njohura nga Besiana siç ishin: Gjylë Krasniqi-Shota e Llapit, Fatime Gjata, Remzie Sheholli, Valbona Shala, Rukie Ajvazi, Magbule Shala, Rukie Selimi, etj
Gjatë viteve 1981, 1982, 1983, lëvizja edhe për kundër shtypjes e masave represive të UDB-es, aktivitetin e vet arriti edhe më tutje ta zgjeroi e shtrij në të gjitha pjesët e Kosovës e viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Në fund të muajit dhjetor të vitit 1983, organizata u zbulua nga sigurimi jugosllav i cili arriti që t’i burgos një numër jashtëzakonisht të madh të anëtarëve e organizatorëve. Më 18 qershor 1984 në procesin gjyqësor në Prishtinë për veprimtari armiqësore e kundër shtetit u dënuan: Bajram Ajeti, Ismet Begolli, Mustaf Xhemajli, Musa Jupolli, Bajrush Behrami, Sherif Konjufca, Kadri Llugali, Avdi Gjata, Sabri R. Hamiti, Shaban Mulolli e Ali Ajeti i cili u dënua me 5 vjet burg të rëndë.

GJYKIMI I GRUPIT TË LLAPIT- KU BËNTE PJESË ALI AJETI.

____________________________________

Grupi ishte nën udhëheqjen e atdhetarëve e veteranëve revolucionar tashmë të njohur për opinionin mbarë shqiptar siç ishin Rexhep Mala e Nuhi Berisha të cilët ia kishin futur tmerrin pushtetit jugosllav. Pas vuajtjes së dënimit, Aliu nuk u ndalë, po vazhdoi aktivitetin ilegal duke u lidhur me OMLK-në, LPRK-në, etj. Tani ishte më i përgatitur dhe më i kalitur në aspektin e organizimit jo vetëm politik por edhe ushtarak. Ai tani e vazhdoi aktivitetin me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Sabri Kiçmarin, Bajram Ajetin, Hasan Ramadanin, Shaban Mulollin, por edhe me Zahir Pajazitin. Kjo realisht do të thotë edhe me grupin ilegal ‘ushtarak’ të tij, por edhe me grupe të tjera të Kosovës pasi ishin krijuar e pjekur kushtet për hapa më të rëndësishëm e më radikal. Ali Ajeti kishte lëshuar kushtrimin për luftë të armatosur. Ai thoshte: Krismat e pushkës e largojnë friken, e dikush duhet të ia filloi, pasi të tjerët do ta vazhdojnë. Për këtë teori ishin të nevojshme armët që u siguruan me marrëveshjen që kishte bërë me Afrim Zhitinë i cili ishte organizator dhe përgjegjës i Frontit Nacional Çlirimtar e më vonë koordinator i LPRK-së për tërë Kosovën. Grupi ilegal rritej, ashtu siç rriteshin edhe djemtë dhe vajzat e Kosovës. Grupi i armatosur arrinte numrin diku rreth 30 vetave. Ky grup i drejtuar nga Ali Ajeti e filloi organizimin ushtarak, që me të drejtë populli i Llapit e quajti: ‘Çeta e Llapit’. Çeta e Llapit është formacioni i parë ushtarak në rajonin e Llapit pas vitit 1981. Komandanti i parë i Çetës së Llapit ishte dhe është edhe sot e tërë ditën Ali Ajeti, kurse përgjegjës politik i Çetës, Sabri Kiçmari. Aksioni i parë ushtarak në Besianë u bë më 27 mars 1989 në mes policisë e Çetës së Llapit, ku u vra një polic dhe u plagos një tjetër. Pushtuesi bëri shumë fajësime dhe etiketime e që populli asnjëherë nuk i pranoi. Hovin e rriten e Çetës, armiku nuk arriti t’ia ndalë as me propagandë po as me armë, pasi çeta kishte mbështetje në populli. Nga fundi i muajit mars të vitit 1989 Parlamenti Evropian kishte vendos të dërgonte në Kosovë një delegacion për ta hulumtuar gjendjen politike dhe ushtarake sa më afër ngjarjeve. Për ta dëshmuar të vërtetën, Lëvizja Ilegale vendosi të organizojnë demonstrata, për tu dëgjuar zëri i shqiptarëve përpara delegacionit të Parlamentarëve Evropian. Kosova ishte e mbushur me ushtar e njësi speciale të policisë Jugosllave që njiheshin me emrin si ‘Kmishë Zinjët’ në ditën kur do të mbërrinte delegacioni. Evropian. Në këto kushte e rrethana të jashtëzakonshme ishte vendosur nga burrat e Llapit të cilët ishin rreshtuar me kohë në organizatat ilegale. Ata vendosën që më 30 maj të vitit 1989 të organizohej demonstrata në Besianë. Ali Ajeti i cili ishte komandant i Çetës së Llapit e udhëheqës i operativës, e drejtonte demonstratën me automatik në duar. Çdo anëtarë e Çetës po edhe çdo anëtarë i ilegales, me çdo kusht, duhej zbatuar urdhrin e Komandantit tashmë të njohur Ali Ajetit.

_______________________________

JO NUK VRITET AMANETI…,TI JE GJALLË ALI AJEI!…

_______________________________

Nisja e luftëtarëve u bë nga shtëpia e Ali Ajetit, ku ushtarët në duar, mbanin armët, flamurin kombëtar, dhe transparentet si: Kosova Republikë, Europë Hellp, Liri, Bashkim, Demokraci, e vetëvendosje. Demonstruesit bashkë me luftëtarët e Çetës së Llapit nga qendra e qytetit vazhduan drejtë shkollës së mesme QAMO ‘8 Nëntori’ ku aty edhe filloi përleshja me policinë. Sipas planit luftëtarët duhej të tërhiqeshin drejtë fshatit. Merçez. Helikopterët nga ajri e vështronin situatën që e informonin forcat tjera ushtarake dhe e drejtonin atë, drejtë rrugës që duhet ndjekur. Pasi policia dhe ushtria me mjetet motoristike ushtarake u pozicionuan për luftë në të gjitha anët. Lufta edhe filloi e cila zgjati më shumë se një orë. Komandanti, Ali Ajeti u plagos pas një qëndrese që nuk mbahet mend në këto anë. Plagët që i mori nga plumbat e armikut e cila urrente çdo gjë që ishte shqiptare, ishin shumë të mëdha. Trimi i Laberionit, A. Ajeti humbi shumë gjak. Gjakderdhja ishte e madhe. Disa minuta më vonë edhe vdiq. Lëvizja e Çeta e Llapit, humbi komandantin e saj. Kombi e humbi njeriun që ia vuri themelet e shtetit Kosovës. Humbi, njeriun që e gjeti Çelësin e rrugës së Lirisë. Çeta e Llapit dhe komandanti Ali Ajeti janë nismëtarët e parë të UÇK-së. Sot, në vendin ku është vrarë komandanti, populli ia ka ngritur pllakën përkujtimore. Kurse trupi i tij, prehet në varrezat e vendlindjes në Laberion. Sot mbi varrin e tij rriten Lulëkuqe gjaku. Rinia shqiptare, sot thur kurora lavdie veprës e punës së komandantit të Çetës së Llapit dhe luftëtarëve të UÇK-es.
Lavdi idesë dhe veprës së tij të madhe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura