DR.JAKUP KRASNIQI: SERVILIZMI DHE PUTHADORIZMI

Prishtinë, 18. 11. 2014 – Para se të them diçka për servilizmin modern te shqiptarët, me duhet të shpjegoj burimin e kësaj fjale. Për të qenë më i saktë, thash ta shfletoj Fjalorin e fjalëve të huaja të Mikel Ndrecës. Në faqen 631, botim i vitit 1986 ‘Rilindja’ Prishtinë, i ribotuar në vitin 2000, autori jep këto shpjegime: servil-i m. (lat. Servilis – që u përket skllevërve) njeri pa karakter, që përulet si skllav; puthador, pastaj shpjegimi tjetër: servil-e adj. (lat. Servilis – që u përket skllevërve) që përulet, që i bën lajka tjetrit për t’i hyrë në qejf; shpirtrob, shpirtskllav. Edhe servilizmi si mbiemër, ka të njëjtën origjinë, në shqip do të thotë: të qenët servil, sjellje e qëndrim prej servili. Kurse në fjalorin e gjuhës se sotme të shqipes jepet ky shpjegim: servil,-i m sh -ë(t), edhe si mb. Që u përulet e ju bën lajka eprorëve, më të fuqishëm etj., për përfitime vetjake, puthador (që të gjitha të thëna në kuptimin negativ të fjalës). Po këtu për servilizëm,-mi m. të qenit servil, sjellje a qëndrim prej servili.
Siç u pa nga shpjegimi, fjala ka një origjinë nga shoqëria skllavopronare, kur skllavi trajtohej si kafshë që fliste. Në fakt për skllavopronarin, skllavi ishte një vegël e gjallë e punës, ishte rob, në kuptimin më të mirë të fjalës. Pa këta skllevër që i janë nënshtruar lehtësisht, pa këta robër apo puthadorë, nuk ka jetuar asnjë rend shoqëror, me gjasë nuk po mund të mbijetoi as shoqëria jonë në tranzicion, madje jo vetëm shoqëritë në tranzicion ua kanë nevojën servilëve të kohës moderne. Sigurisht që fjala skllav e antikës nuk është e barasvlershme me fjalën servil të kohës sonë. Pasi skllavi i antikës është ushqyer aq sa i është dashur skllavopronarit për t’ia krijuar mbivlerën, servili i sotëm paguhet goxha mirë, ndonëse tek ne edhe mund të ketë përjashtime. Po e them ketë, se edhe sot ka mjaftë skllav modern që përjargen duke lavdëruar deri në qiell, sundimtarin e tij, vendor apo i huaj qoftë edhe pse mund të mos e ketë ushqimin e nevojshëm për familjen e tij në sofrën e varfër. Sigurisht që, shoqëria edhe në antikë, dhe edhe sot i ka dhe i ka pasur njerëzit e vet me integritet të lartë, që janë dalë e dalin në ballë të furtunave. Edhe Spartaku me origjinë trakase ishte skllav, por ai e udhëhoqi një kryengritje kundër Perandorisë më të madhe të kohës – Perandorisë Romake.

Gjithashtu edhe Skënderbeu ishte peng e iç-ogllan te Sulltani në Adrianopojë, por për 25 vjet i bëri rezistencë Perandorisë Osmane, fuqisë më të madhe të kohës. Ndërsa në kohën më të re, pak kush mendonte se shqiptarët e Kosovës do ta mundnin pushtuesin e egër serb, ia kishin frikën, sa disa thoshin: “do të faroheshim nëse do të guxonim të luftonim për liri e demokraci”, por ashtu nuk mendonte Adem Legjendari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai dhe ushtria e tij çlirimtare dhe brezi i çlirimtarëve që ishte rreth tij, ishin të bindur se liria, demokracia e as pavarësia që i kemi sot, nuk do të vinin pa Luftën Çlirimtare të shqiptarëve. Ani pse edhe sot ka shumë shqiptarë, të cilët duke mos guxuar as të mendonin për çlirimin dje, ata hidhen në sulm edhe sot, duke e akuzuar Adem Jasharin për sulmin mbi Prekaz, Drenicë e Kosovë. Ndërsa ne që patëm guximin të rrezikojmë shumë dhe sigurisht jo vetëm jetën tonë, përpiqemi ti kuptojmë edhe ata që frikësohen, se në fund të fundit edhe frika është njerëzore, sa edhe thuhet: “frika i ruan vreshtat”. Frika është me bollëk edhe sot në mesin tonë, ajo po vazhdon t’i ruaj “vreshtat”! Madje, i ruajnë aq mirë sa edhe rrushin duan ta bëjnë verë se të dehur mund edhe të trimërohen!
Nuk ka asnjë fije dyshimi se zhvillimet shoqërore progresive, nuk janë arritur nga servilët e servilizmi, nga puthadorët e butakët, nga “lepe”- “peçet”, por janë arritur e do të arrihen vetëm nga njerëzit me dinjitet të lartë, nga njerëzit me integritet, që me guximin e shqiponjës, furtunave të kohës ua kanë hapur flatrat luftarake të guximit njerëzor.
Pse servilët e të gjitha kohërave janë të ligj? Ata janë të ligj, se kur sundimtarët e tyre zbresin nga froni ku i kanë ngritur, nga njerëzit me integritet, ata dinë të behën agresiv si hienat. Kështu tek ne ishin titistët pas titizmit, edhe pse shpesh ata vrerin e tyre për ti mbuluar pisllëqet e veta, vrerin e derdhnin mbi Enver Hoxhën, edhe pse humbjet njerëzore dhe poshtërimi që u ishte bërë shqiptarëve të pushtuar nga federata jugosllave, ishte dhe është i pa krahasueshëm me ato që kishin ndodhur në Shqipëri. Edhe servilët që kishin kontribuar në ngritjen e diktaturës në Shqipëri, pas vdekjes se Enverit, u bën anti Enveristët më të mëdhenj e më të egër sesa ata që ishin viktima të ati sistemi, por servilët e Enverit nuk dolën jashtë kufirit të Shqipërisë londineze, siç dolën nostalgjikët e Titos jashtë kufirit të federatës jugosllave. Nejse, shqiptarët edhe ashtu egërsinë e tregojmë më shumë ndaj atyre që i kanë pranë.
– Si qëndron puna sot?
– A mungojnë servilët apo i kemi me bollëk?
Do të dëshiroja që të vija tek një përfundim pozitiv, bile do të doja të thosha se jam krenar me guximin intelektual e njerëzor të brezit tim, por ketë nuk mund ta them tani! Nuk po mund ta them as për akademikët e profesorët e universiteteve të shumta të Kosovës, të cilëve nuk u intereson asnjë fenomen shoqëror që zhvillohen rreth nesh!? Si duket po ju mjafton që të ndihen rahat për veten e tyre!? Por nuk mund të mos e them një fjalë miradije, për debatin e guximshëm që sa kohë e ka zhvilluar brenda PDK-së, Berat Buzhala, ndonëse unë e kam pritur një zë të tillë nga shqiponjat e viteve të Pranverës shqiptare, apo nga pinjollët e shqiponjave të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim?! Por ata janë treguar pëllumba tepër të urtë dhe me kanë zhgënjyer shumë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura