DR.KOҪO DANAJ: NUK DO TË KETË ‘SHQIPËRI TË MADHE’ POR DO TË KETË SHQIPËRI NATYRALE

Tiranë, 22. 06. 2013 – Kjo përgjigje nuk synon vetëm kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, që u shpreh pa ja kërkuar kush se nuk do të ketë “Shqipëri të Madhe” në një gazetë vieneze. Kjo përgjigje synon të gjithë ata politikanë shqiptarë dhe të huaj të cilët, ose për hir të pushtetit ose për hir të shovinizmit, ose për hir të megallomanisë, ju mohojnë shqiptarëve të drejtën për tu bashkuar në një shtet. Qëllimi i saj, është evidentimi i fakteve, se shpallja e Shqipërisë Natyrale që lindi në 28 Nëntor 1912, nuk drejtohet as kundër paqes rajonale dhe as kundër fqinjëve të Shqipërisë. Në të kundërt, Shqipëria Natyrale, është një ofertë për paqe, për stabilitet dhe mirëqënie të të gjithë popujve të Ballkanit.
Njëkohësisht, kjo analizë është edhe një ftesë për debat me cilindo, studiues apo politikan, turk, serb, grek, maqedonas apo malazez etj. Vërtet rajoni i Ballkanit ndodhet para sfidave serioze që kanë synim kryesor Paqen dhe Progresin. Por, zgjidhja e parë dhe kryesore në Ballkan, e cila përbën sot Kyçin e paqes rajonale, është bashkimi i shqiptarëve, është krijimi i Shqipërisë Natyrale. Pse e them këtë? Po paraqes disa fakte për dijeni, por edhe për gjykim.

Faktet e analizës
Fakti i parë:

Rregullimi i statusit të trojeve shqiptare, përgjatë një shekulli i është nënshtruar 6 Marrëveshjeve ndërkombëtare, vendimet e të cilave ose kanë qenë koloniale ose kanë qenë rregullime pjesore të pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar. Ato janë Marrëveshja e Londrës, Marrëveshja e Versajës, Marrëveshja e Jaltës e vitit 1945, Marrëveshja e Rambujesë e cila ju kushtua vetëm një pjese të territorit shqiptar siç ishte Kosova, Marrëveshja e Konçulit e marsit 2001, që ju kushtua një pjese të kombit shqiptar siç është Lugina e Preshevës, marrëveshja e Ohrit e gushtit 2011, e cila ju kushtua një pjese të territorit shqiptar në FYROM. Aktualisht kombi shqiptar jeton në dy shtete që janë Shqipëria artificiale dhe Kosova, në Shqipërinë Lindore në FYROM me status te popullit shtetformues dhe në dy pakica kombëtare në Mal të Zi dhe në Serbi. Por nuk ekziston fare në krahinën shqiptare të Çamërisë, pasi u deportua me dhunë në vitin 1944.
Fakti i dytë:
Sot kur flitet për marrëdhënie të reja ndërkombëtare të mbështetura jo në të drejtën e forcës, por në forcën e së drejtës, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj tyre.
Fakti i tretë:
Të gjithë fqinjët e Shqipërisë natyrale, e kanë fituar pavarësinë e tyre para shqiptarëve. Shqiptarët e fituan me aktin juridik të Kuvendit të Vlorës në 28 nëntor 1912. Por çfarë ka ndodhur? Të gjithë fqinjët e Shqipërisë Natyrale janë zgjeruar si territore pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa vetëm shqiptarët janë rrudhosur dhe copëtuar si territor pas shpalljes së pavarësisë.
Fakti i katërt:
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Preambulën e saj, pranon të drejtën e bashkimit të shqiptarëve në një shtet si të drejtë legjitime. Fuqitë e mëdha që e kanë miratuar këtë Kushtetutë e kanë pranuar këtë të drejtë, duke mos bërë asnjë vërejtje për Preambulën e saj.
Parantezë
Më duhet të bëj një korrigjim nocionit politik të përdorur nga fqinjët dhe disa politikanë shqiptarë, serbë, grekë, maqedonas apo malazezë. Ata kur flasin për bashkimin e shqiptarëve, përdorin nocionin Shqipëri e Madhe. Unë jam kundër Shqipërisë së Madhe. Përse? Sepse nocioni Shqipëri e Madhe lindi pas marrëveshjes Ciano-Ribentrop të vitit 1941, pra është një nocion nazi-fashist. Ndërsa unë jam antifashist, prandaj pranoj Shqipëri Natyrale, domethënë, Shqipëria në kufijtë e saj natyrale. Dhe këto kufij janë ato që shpalli Kuvendi i Vlorës në vitin 1912.
Shqipëria Natyrale do ta qetësoje Rajonin, do ta stabilizoje atë, do të japë mundësi të stabilizohen edhe rajone të tjera si Bosnja, Sërbia apo Maqedonia. E kundërta, do vazhdoje ta destabilizoje rajonin, sepse do nxisë rryma radikale. Shqipëria Natyrale nuk drejtohet kundër askujt, ajo synon marrëdhënie miqësore me fqinjët, por secili në shtëpinë e tij. Shqipëri Natyrale do të thotë zëvendësimi i boshtit Beograd-Athinë me Trekëndëshin Tiranë-Beograd-Athinë, pas bashkimit të Kosovës dhe trojeve shqiptare në Maqedoni me Shqipërinë.
Disa politikanë serbë, grekë, maqedonas, malazezë, por edhe disa politikanë të Brukselit thonë se bashkimi i shqiptarëve do provokoje efektin Domino në rajon. Nuk është e vërtetë. Pse? Sepse në rajon nuk ka asnjë komb tjetër i cili përgjatë të gjithë kufirit të Shqipërisë aktuale të jetë i kufizuar me veten e tij, pra të ketë fqinj vetveten. Në rajon dhe në botë nuk ka asnjë komb tjetër që të ketë jashtë kufijve të tij shtetërorë dy te tretat e vehtes së tij. A ka ndonjë komb tjetër në rajon të ketë këtë dukuri? Jo, asnjë komb. Efekti Domino ekziston thjesht për të trembur ata që nuk e dinë realitetin e rajonit ose që duan ta fshehin atë.
Shqipëria Natyrale është një domosdoshmëri dhe një realitet që i duhet paqes dhe mirëqenies së rajonit të Ballkanit. Ja një shembull: Në Platformën e Shqipërisë Natyrale thuhet se Çamëria të shpallet zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Domethënë të jenë të lirë shqiptarët e Çamërisë të kthehen në territorin e tyre, nga i cili u dëbuan me forcë dhe padrejtësisht pra 60 vjetësh. A ka kërkesë me demokratike se sa kjo. Tashmë Shqipëria në kufijtë e saj natyrale është një problem i shtruar për zgjidhje. Problemi u hap dhe një problem që hapet kërkon zgjidhje, por asnjëherë nuk mund të mbyllet. Në 28 Nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit te pavarsisë, Kombi shqiptar e shpalli bashkimin faktik në Vlorë dhe në Tiranë. Tashmë i takon politikës ta legalizojë me mjete juridike këtë bashkim. Kjo është politike kombëtarë dhe europiane njëkohësisht. Përballë kësaj situate që ngjason me Rilindjen Kombëtare, janë anakronike dhe antivetvehtes, deklarimet që erdhën nga Athina, Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Na porositën që mos shikoni 100 vjet pas! Por nuk kanë të drejtë. Pse? Nuk janë shqiptarët që shikojnë 100 vjet pas, por është tërë politika greke që shikon 148 vjet pas, në vitin 1864 kur kryeministri grek i asaj kohe, Janis Koletis formuloi famëkeqen “Magaliide” që synonte grabitjen e teritoreve shqiptare deri në lumin Shkumbin. Ky projekt famëkeq, është akoma edhe sot në sirtarët e Ministrisë së jashtme greke. Eshtë politika greke që shikon 72 vjet pas, në vitin 1940, prandaj mban akoma në fuqi Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë, është politika greke që shikon 68 vjet pas kur dëboi me gjenocid nga trojet e tyre shqiptarët e Camërisë dhe sot nuk I lejon ata të kthehen në trojet e tyre.

Është politika sërbe që shikon 168 vjet pas, në kohën kur Ilia Garashanini formuloi Platformën mbi Sërbinë e Madhe, që shikon 77 vjet pas në kohën kur “Klubi i Beogradit”, miratoi Platformën mbi shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova të Cubrillovicit. Politika fqinje, para se tu japë “leksione shqiptarëve”, le ti djegë publikisht dhe zyrtarisht këto akte shoviniste ndaj shqiptarëve.
Mëndjet e ftohta të fqinjëve, të Brukselit dhe Uashingtonit tashmë e kanë kuptuar se Shqipëria natyrale është faktori kryesor i stabilitetit të Ballkanit. Ata e kanë kuptuar se Lufta e Parë Botërore filloi pas coptimit të trojeve shqiptare në mënyrën më makabre dhe raciste ne vitin 1913. E kanë kuptuar se Lufta e Dytë Botërore filloi në 7 Prill 1939 kur u pushtua Shqipëria nga fashizmi dhe jo në 1 shtator 1939 kur u pushtua Polonia nga nazizmi. Me dhimbje njëshekullore, por po realizohet parashikimi profetik i Mehmet Konicës, Filip Nogës dhe Rashih Dinos i janarit 1913 se pa Shqipërinë Natyrale nuk do të ketë paqe në Ballkan. Po realizohet parashikimi profetik i ish-ambasadorit francez në mbledhjen e Londrës, Pol Kambon i qershorit 1913 se “ballkanikët tanë ikën po mbetën pa u zgjidhur kufijtë e Shqipërisë”.
Fqinjët do të jenë më të qetë me Shqipërinë Natyrale, sepse ajo do të “prodhojë” vetëm paqe dhe stabilitet në Ballkan. Mjafton një shëmbull për të gjithë fqinjët: Ka më shumë se 20 vjet që minoriteti grek në Shqipëri voton në shumicë dërrmuese për partitë politike shqiptare. Përse? Sepse e ka parë në praktikë se Kombi shqiptar edhe në kulmin e varfërisë së tij, minoritetet i ka trajtuar më mirë se vehten e tij. Është një Vlerë Europiane. Prandaj edhe Shqipëria Natyrale do të zëvëndësojë boshtin famëkeq dhe luftënxitës Beograd-Athinë, me trekëndëshin paqësor dhe progresist Tiranë-Beograd-Athinë. Luftën nuk e do askush, paqen e duan të gjithë. Një rajon destabilizohet kur problemet fshihen, jo kur ato thuhen hapur. Partizanët e Paqes në rajon, Bruksel dhe Uashington do të mbështësin Shqipërinë Natyrale, sepse kështu mbështesin stabilitetin, paqen, progresin dhe civilizimin. Ata që kundërshtojnë sot Shqipërinë Natyrale, duan trazira, duan Luftë, ata duan të zëvendësojnë.
Pëllumbat e Paqes me Shigjetat e Luftës
Kjo është e vërteta historike dhe aktuale. Të pohosh të kundërtën vetëm mashtron. Por dhimbja e së vërtetës është më e lehtë se dhimbja e mashtrimit Kundërshtarët e Shqipërisë Natyrale na thonë se kombi shqiptar nuk ka nevojë të bashkohet por duhet të ndjekë shëmbullin e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë. Është një tezë kundërhistorike dhe kundërshqiptare. Është kundër historike sepse kur në vitin 1291, përfaqësuesit e kantoneve të Urit, Shëycit dhe Untervaldenit vendosën themelimin e Konfederatës Helvetike, në Gjermani jetonin akoma fise gjermane, por jo shtet. Kur Austria në vitin 1815, pas disfatës së Napoleonit u bë kryeqëndra e Koncertit të Vienës duke u dhënë tonin për gati një shekull marrëdhënieve ndërkombëtare, Gjermania akoma nuk ishte e bashkuar.
Ndërsa në 28 nëntor 1912, ata politikanë shqiptarë që u mblodhën në Vlorë, ishin jo vetëm nga gjithë hapsira e kombit shqiptar, por edhe shpallën pavarsinë e Shqipërisë Natyrale, që shtrihej në 4 vilajetet e atëhershme otomane me shumicë dërrmuese shqiptare ose 100 përqind shqiptare.
Por modeli që na serviret është edhe kundërshqiptar.
Konferenca e Londrës e vitit 1913, i coptoi shqiptarët në 5 pjesë, mbi bazën e llogjikës koloniale, duke shpërblyer me teritore shqiptare shtetet fqinjë që u konsideruan fitimtarë të Luftës ballkanike apo që kishin mbështetjen e kësaj apo asaj fuqie të madhe. Këtij pseudo argumenti ne do t’i vëmë përballë një argument real dhe të freskët. Dhe ky është shëmbulli gjerman. Gjermania në vitin 1945 u nda në katër Zona Ushtarake dhe me vonë në dy pjesë për të kënaqur fitimtarët e Luftës së dytë botërore. Pas 45 vjetësh, kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shëmbulli që vlen edhe për kombin shqiptar. Përndryshe, kemi të drejtë të pohojmë se përballë kombeve dhe çështjeve të tyre kombëtare, bashkësia ndërkombëtare aplikon dy standarte.
Segmente të ndryshme të BE shprehen se në rastin e Gjermanisë kjo ndodhi pasi Gjermania Perendimore e kishte sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar. Po edhe ne, e kemi të sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar, bile në Preambulën e saj. Dhe këtë Kushtetutë pasi e miratuan shqiptarët e konsideruan të drejtë edhe juristët e Komisionit të Venecias, edhe ekspertët e NATO.
Por kundërshtarët tanë na thonë akoma më shumë. Na thonë se tani që po shuhen kufijtë, nuk ka nevojë të bashkohen shqiptarët. Por ky nuk është argument, është thjesht një konstatim. Pse? Shuarja e kufijve, nuk e ezauron bashkimin e shqiptarëve, përkundër e shtron si imperativ të dorës së parë. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i njerëzve, aq më shumë lind nevoja e forcimit të shteteve në teritoret e të cilave ndodh ky qarkullim. Dhe kjo për të garantuar cilësinë e këtij qarkullimi të lirë dhe për të parandaluar kaosin dhe rremujën. Sa më shumë shtohet qarkullimm i lirë i ideve nga një vënd në tjetrin, aq më shumë forcohen identitetet kombëtare, të vëndeve të ndryshme. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se qarkullimi i lirë i ideve nuk do të thotë shuarje e identiteteve nacionale, por përkundrazi forcim i tyre. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i mallrave, aq më shumë po bëhen përpjekje për forcimin dhe përkrahjen e asaj që quhet sipërmarrje kombëtare. Globalizëm nuk do të thotë kaos, por rregull, diversitet identitetesh nacionale, që japin e marrin me njeri tjetrin, pa u tjetërsuar njeri tek tjetri. Njerëzit lëvizin të Lirë në gjithë Europën, por trojet mbeten aty ku janë, shtetet aty ku jane, kombet aty ku janë. Nuk ka shuarje kombesh, por emancipim dhe civilizim te tyre. Dhe elementi i parë i civilizmit të një kombi është e drejta e tij për tu bashkuar. Dhe e fundit, disa politikanë dhe politologë fqinjë na thonë se trojet nuk bashkohen pa luftë. E kanë gabim ose vazhdojnë të gjykojnë me mentalitetin e Luftës së Ftoftë.
Pse?
Sot kur të gjitha regjimet në rajon janë demokratike, atëhere edhe Shqipëria Natyrale do realizohet në rrugë demokratike, pa luftë. Prandaj ne kemi si devizë parimin:
Dialog me këdo, dialog për çdo gjë. Ne ju themi fqinjëve: Ejani në Tavolinën e bisedimeve, pse kini frikë, le të hedhim faktet dhe argumentet. Dhe kush ka të drejtë, të marrë të drejtën e Mohuar. Drejtësi e Vonuar, nuk do të thotë Drejtësi e Cunguar.
Ne nuk jemi arbitra të marrdhënieve nderkombëtare, por veprimtarë të çështjes shqiptare. Arbitër është Brukseli, SHBA etj. Ne nuk jemi profesorë të së drejtës ndërkombëtare, por profesorë të së drejtës shqiptare. Dhe e fundit: “Arbitri ndërkombëtar” deri tani ka anulluar vendimet e dy konferencave zyrtare siç kanë qënë ajo e Versajës dhe e Jaltës.
Shpërbërja e Jugosllavisë dhe bashkimi i Gjermanisë janë vetëm dy shëmbuj. Mal i Zi ka qënë shtet i pavarur deri në konferencën e Versajës. Por kur u krijua mbretëria serbo kroato sllovene, pushoi se qëni edhe pavarësia e tij. Aso kohe në Mal të Zi u zhvillua një luftë e ashpër që në histori ka mbetur si “lufta e jeshilëve me të bardhët”. Por Versaja, pas viteve 90 pushoi se qëni, të gjitha vendimet e saj u riparuan, dhe në vënd të Jugosllavise lindën disa shtete. Ndërsa një nga vendimet kryesore të Jaltës ishte ndarja e Gjermanisë në katër zona ushtarake, që më vonë solli dy shtete, Lindore dhe Perëndimore. Pas 40 vjetësh, Gjermania u bashkua në rrugë paqësore, pra u riparua vetë Konferenca e Jaltës. Dhe të mos harrojmë se u bashkua në një kohë kur në Gjermaninë Lindore ndodheshin 155 mijë trupa sovjetike elitare. Por që nuk lëvizën nga kazermat. Atëhere, ka mbetur edhe një, ajo që konsiderohet Konferencë e Londrës e cila nuk ishte zyrtare, por ilegale dhe kriminale. Prandaj duhet të anullohet edhe Mbledhja famëkeqe e Londrës që i coptoi shqiptarët në 5 shtete. Si do të bëhet kjo? Me rrugë demokratike. Po sjell për opinionin tuaj, disa fakte, nga kjo konferencë.
Fakti i Parë:
Konferenca e Londrës nuk është një Konferencë zyrtare. Që në fillim ajo mori vendim që të mos mbante proces-verbal. Një veprim i tillë, të kujton veprimet e atij që bën një krim dhe merr masa të fshehë gjurmët e krimit. Këtë e pohon vetë drejtuesi i Konferencës ish-ministri i jashtëm britanik Grey në Kujtimet e tij. Ja pohimi: “…….Ne ishim gjashtë: Lichnoësky, Mensdorff dhe Imperiali, respektivisht ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm ti thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu siç edhe ishim. Në mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913…” (Edëards Grey, Memoires, faqe 248, botimet Payot, 1927)
Fakti i dytë:
Kjo konferencë nuk u mblodh, për të diskutuar pavarësinë e Shqipërisë së shpallur në 28 nëntor 1912, por për të pajtuar Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me Turqinë. Ja pohimi i ambasadorit francez në këtë konferencë, Pol Kambon: “U mblodhëm sot datë 16 dhjetor për të arritur një marrëveshje midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Turqisë në zyrën e Greyt” (Kambon, Korrespodenca, faqe 31, Botimet Grasset)
Fakti i tretë:
Pjesmarrësit e asaj që u konsiderua padrejtësisht Konferencë, pranojnë me pohimet e tyre, se ata nuk morën asnjë vendim. Takimi midis tyre, të ngjan më shumë me një “Kazino Politike”, në Tavolinën e së cilës ishin trojet shqiptare. Cilat janë Pohimet: – Grey: …Nuk pati as mbyllje solemne, ne nuk bëmë fotografi grupi, nuk na dhanë asnjë falënderim apo fjalim lamtumire; thjesht ndaluam së takuari. Ne nuk kishim përcaktuar asgjë, as detajet e kufijve shqiptarë…. (Grey, Memoires, botime Payot, faqe 253)

3 harta të Shqipërisë, të modeluar në konferencën e ambasadorëve në Londër 1913.

Në këto takime që zgjatën 6 muaj, teritoret shqiptare u përdorën për të qetësuar dhe kënaqur palët ndërluftuese që ishin fqinjët e Shqipërisë. Vetë Grey e pranon një gjë të tillë. Ai pohon në Kujtimet e tij se: “…. Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës…..” (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246) Për të kënaqur Greqinë, krahina shqiptare e Ҫamërisë ju aneksua asaj, megjithëse shumica dërrmuese e popullsisë ishte shqiptare. Sipas Memorandumit të qeverisë shqiptare të Vlorës në vitin 1913, në Ҫamëri jetonin 75 mijë shqiptarë nga të cilët 18 mijë shqiptarë të greqizuar. Për të kënaqur Serbinë, krahina shqiptare e Kosovës me mbi 90 përqind popullsi shqiptare ju dha Serbisë. Përsëri është vetë Grey që e pohon një gjë të tillë duke folur me përbuzje për trojet shqiptare. Në Kujtimet e tij ai pranon se ….ne nuk mund të bënim luftë për disa fshatra si Gjakova…. (Grey, Memoires, Botimet Payot, viti 1927, faqe 249). Ndërkaq, teritori që ju dha Sërbisë përbënte 24 mijë kilometra katrore troje shqiptare. 
Fakti i katërt:
Përfaqësuesit e 6 fuqive të mëdha, nuk u morën asnjëherë me aktin e shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 nga politikanët shqiptare që nga Kosova deri në Ҫamëri, që nga Durrësi deri në Shkup. Kemi të bëjmë me një akt juridik i cili u injorua përgjatë çdo takimi. Qeveria shqiptare që u krijua pas 28 Nëntorit ishte një qeveri e përbërë nga përfaqesues të të gjitha trojeve shqiptare. Për shëmbull, ministër i mbrojtjes ishte Mehmet Pashë Deralla nga Tetova, ministër i bujqësisë ishte Hasan Prishtina nga Prishtina. Kryetar i Asamblesë ishte Vehbi Agolli nga Dibra e Madhe. Ndërsa dy vjet më pas po këta ambasadorë me Traktatin e fshehtë të Londrës vendosën ta coptojnë sërish Kombin shqiptar, duke quajtur Shqipëri vetëm një krahinë muslimane përgjatë lumit Shkumbin dhe duke ja dhënë teritoret e tjera Italisë dhe Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.
Konkluzion i analizës
Përgjatë një shekulli, bashkësia ndërkombëtare ka mashtuar opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar duke e justifikuar coptimin e trojeve shqiptare, me gjoja ruajtjen e paqes europiane. Në Kujtimet e tij të botuara në vitin 1927, vetë Grey shprehet se kishte mashtruar, lidhur me atë që kishte pohuar në Dhomën e Komuneve në 1914. Ja pohimi i tij në Kujtimet e botuara: “… lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave, sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund t’i vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë…” (Grey, Memoires, Botimet Payot, viti 1927, faqe 246) Ndërsa, Pol Kambon në fund të Konferencës pohon se: “Ballkanikët tanë ikën, por mbetën pa u zgjidhur dy problemet më të rënda, Kufijtë e Shqipërisë dhe ishujt e detit Egje”. (Po aty, faqe 57).
Si përfundim,
më duhet të pohoj se anullimi i Mbledhjes së Londrës, do të thotë “Legalizim” i Shqipërisë Natyrale. Dhe Shqipëri natyrale me kufij nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup, do të thotë paqe, do të thotë progres, do të thotë stabilitet i Ballkanit. Për një shekull, boshti famëkeq Beograd – Athinë, prodhoi luftë dhe trazira. Ndërsa trekëndëshi Tiranë – Beograd – Athinë do të prodhojë vetëm paqe dhe stabilitet.

…………………………………………………………

ZGJERIMI I SERBISË MBI TOKAT ETNIKE SHQIPTARE!

………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura