Tiranë, 19 mars 2017: Absurdin politik të këtyre ditëve do ta kishte pasur zili edhe vetë Joneskoja: protagonistë të superstresuar, që funksionojnë nën presion apo në lakmi, në karrierë apo si barrierë, me frikë apo nën narkotikë.., nën qindra instinkte, aleanca e varësi, por kurrsesi me logjikë dhe përgjegjësi…, një tufë personazhesh filmike, me identitet midis horrorit dhe vizatimorit…, që zotërojnë dhe komandojnë gjithçka, me përjashtim të kokës, që ose e kanë lënë peng ose e tërheqin zvarrë si bagazh të tepërt, se mbi supe as e duan dhe as u duhet… . Përballë – një turmë që rri dhe vështron …, provon të dëgjojë, po nuk kupton, provon të orientohet dhe dështon, ndaj vendimin ia merr barku, xhepi dhe e alternativa që bërtet më fort dhe më afër… Midis – një media e varur në mënyrë të pavarur, “liria” e ushtruar sipas modelit të partishmërisë dhe rokokotë e opinionistëve ushqyer nga dora që mbushin sot apo pala, që do t’u duhet mot…
Nëse përpjekja për t’u orientuar në këtë situatë më duket naive, ajo për të njohur protagonistët e saj, më tremb:
– çfarë mendojnë ata vallë kur janë vetëm me veten e tyre?
– Si i perceptojnë ata detyrimet e veta apo pritshmëritë e komunitetit ndaj tyre?
– Me seriozitet apo me nënvleftësim, me tallje apo me përgjegjësi?
Fatkeqësisht, përfytyrimi, që sjellja e tyre publike dikton, më dredh dhe vë në dyshim seriozisht sistemin dhe aftësinë e shoqërisë sonë për të qenë pjesë e tij.
– Po a janë vetëm politikanët përgjegjës për mungesën e përgjegjësisë që i karakterizon?
– E kujt është përgjegjësia nëse klasa politike historikisht mbjell pakënaqësi, zhgënjim, mungesë perspektive dhe zvetënim?
– Kush e sjell në fuqi një klasë politike dhe kush e riciklon atë?
Shoqëritë kanë politikanët dhe politikën që meritojnë. Nëse ata janë të papërgjegjshëm, përgjegjësia për këtë është e mbarë shoqërisë. Dhe shoqërisë sonë, kjo përgjegjësi i rëndon për një kohë të gjatë. Secili prej nesh ka në dorë një instrument, me të cilin ditën e zgjedhjeve identifikon politikanin që do dhe që i duhet, përputhur me sistemin e tij të vlerave. Po që kjo të ndodhë, shoqëria duhet të ketë një sistem të njësuar dhe të konsoliduar vlerash. Sistem që ne nuk e kemi. Shoqëritë në tranzicion të gjatë duan kohë të rigjejnë veten në sistemin e vlerave. Po nëse procesi vazhdon pafundësisht, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës, por e terrenit shoqëror që e lind atë.
Kur ankohemi për nivelin e parlamentarëve, harrojmë se shoqëria është sot më e paarsimuar dhe më e keqedukuar se më parë – për shkak të politikave të gabuara të arsimimit dhe mungesës së vëmendjes ndaj edukimit, për shkak të modeleve që propagandon media, mangësive të theksuara të edukimit në familje dhe sistemit të përmbysur të vlerave. Modeli i gjithëpranuar prej nesh në makro dhe mikrokomunitet nuk është Din Shumi i varfër po Din Paku i kamur, jo i ndershmi po zhongleri, jo i zellshmi po fjalëshumi, jo rendimenti po reklama, jo ligji po Maliqi!!! Ndërsa në shoqëritë e stabilizuara, rruga është kriteri i parë i vlerësimit të arritjes, neve na intereson vetëm rezultati, por jo mënyra e arritjes së tij.
– Ne kërkojmë karrierë pa dije,
– fitim pa investim,
– shpërblim pa përkushtim.
Shkurt – ne i falemi suksesit të pamerituar. Kështu jemi ne – kështu edukojmë fëmijët – kështu i zgjedhim politikanët. Nga kjo klishe duhet të dalim ne që të kemi politikanë për të qenë.
Para zgjedhjeve është gjithnjë pas zgjedhjeve – është i njëjti elektorat dhe të njëjtat probleme, të njëjtat parti e të njëjtat alternativa, të njëjtët flamurë dhe po ata renegatë… Dallim bën vetëm besimi i publikut apo norma e manipulimit të tij… Po zgjedhjet nuk janë vetëm politike! Zgjedhje – secili prej nesh ka dhe bën përditë… Me mënyrën se si shan apo fiton paratë, se si nget makinën apo sillet me lypësit në rrugë, se si proteston ose jo, miraton apo refuzon, guxon apo frigohet, bëhet pjesë e një komuniteti apo distancohet prej tij… Vota jonë është vendimi i gjithsecilit për të imponuar zgjedhjet e tij dhe kërkesat e tij të përditshme ose idhullin që s’mundi të arrijë dot vetë..
Zgjedhjet e lira – janë zgjedhjet e krenave me idhuj … Po kur idhujt mungojnë ose u kanë rënë krenat, votën e vendos lotaria e mjerë e stomakut të zbrazët dhe miopia shoqërore që ushqen rrethin vicioz të perspektivës së munguar… Që krenave të mos u mungojnë idhujt, shoqërisë s’duhet t’i mungojë sistemi që i bën ata të tillë, një sistem i gjithëpranuar dhe i gjithërespektuar, një sistem, që të dënon nëse ti e shmang… ligjërisht dhe moralisht… Ndryshe e mira trazohet me të keqen, e zeza me të bardhën, xhelati me viktimën, krimineli me gjykatësin… dhe kryet e shkelin këmbët!!!
“Çdo gja që s`ka krye asht kufomë”,- shkruante Migjeni rreth një shekull më parë. “E kufoma s’ka vend mes të gjallëve… Se përlyemja me të asht katastrofale … Ajo zhduk kombe”!
Le të na mbetet të gjithëve mësim! Që të mos e lëmë të shndërrohet në profeci!!!
Kjo është sfida e qytetërimit tonë!