ISMAIL ARSLLANI: ATDHETARËT QË KANË VËRË VULË NË HISTORINË TONË KOMBËTARE

Tetovë, 15. 11. 2016: /Kush janë figurat atdhetare, patriotike e kombëtare nga Tetova, si Hasan Pashë Deralla, Mehmet Pashë Deralla, Dervish Cara, Sheh Mustafa Tetova, Abdurrahman Pasha, Shaip Kamberi, dr. Xhafer Sulejmani, Mehmetriza Gega e një plejadë e tërë personalitetesh të tjera që kanë vërë vulë në historinë tonë kombëtare?/
Muaji nëntor lidh kombin shqiptar me shumë ngjarje të rëndësishme historike, që kanë vënë vulë në fatin dhe ardhmërinë e këtij kombi. Ato data e bëjnë këtë muaj të jetë festiv, të kujtohen me pietet figurat më të ndritura të kombit. Mehmet Pashë Deralla, bie fjala, një nga figurat më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, pas Ismail Qemalit, në një hark kohor prej një shekulli, ende nuk e ka gjetur plotësisht vendin e merituar në historinë kombëtare shqiptare, ndonëse aty-këtu po përkujtohet dhe i ngrihet ndonjë bust apo merr emrin e tij ndonjë shkollë shqiptare. Para aktit historik të shpalljes së pavarësisë /28 nëntor 1912/, Mehmet Pashë Deralla ishte kthyer nga Bagdadi në Selanik. Aty ushtaraku me nam dhe me gradë, pas kthimit nga internimi, kishte dhënë dorëheqje si gjeneral i Perandorisë Osmane dhe kishte hedhur uniformën ushtarake. Bashkë me të birin, Halimin, nga Selaniku u kthyen në Shkup /Vilajeti i Kosovës/, ku patën një pritje madhështore nga shqiptarët vendorë, të cilët dhanë krah që babë e bir të kushtojnë jetën dhe të sakrifikojnë edhe familjen për krijimin e Shqipërisë etnike.

 

Vlorë, Nëntor 1913: Mehmet Derralla (me kokë të rrethuar) me Ismail Qemalin…/

Mehmet Pashë Deralla, i cili ka prejardhjen nga Gradeci, një fshat me një histori të begatshme, ku kaloi jetë edhe e ëma e Skënderbeut, Vojisava, një vendbanim i vogël rrëzë Sharrit, mes Tetovës dhe Gostivarit, u ngrit në një vigan të atdhetarisë dhe të shtetësisë së shqiptarisë, sikundër edhe disa atdhetarë të tjerë që shkrinë pasurinë, shpirtin dhe jetën për një Shqipëri të pavarur. Tetova, sikundër edhe Shkupi shqiptar, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri, Kumanova dhe vendbanime të tjera shqiptare të kësaj pjese të Iliridës, kanë pasur gjatë historisë personalitete të shumta, të cilët, mjerisht, janë hedhur në harresë dhe nuk e gjetën respektin e duhur të brezave të tashëm.
Ç’është e vërteta, megjithatë, emri dhe vepra e Mehmet Pashë Derallës, një personaliteti i shquar, i cili në nëntorin e madh të vitit 1912 ishte pranë Ismail Qemalit në Vlorë dhe, pastaj, u bë ministër i parë shqiptar i Luftës (i Mbrojtjes) i Shqipërisë së pavarur, deri-diku ka gjetur një respekt nga brezat e tashëm, që kanë njëfarë njohurie për këtë figurë emblematike që nderon jo vetëm Tetovën, si vendlindjen e tij, por edhe gjithë gjeografinë shqiptare. Por, mjerisht, nuk po ndodh kështu edhe me emrat e personaliteteve të tjera të shquara, që kanë rrënjët dhe trungun nga Tetova, qytet që ka dhënë nga gjiri i vet shumë kolosë të kombit, që meritojnë të përmenden dhe atyre t’u ngrihen përmendore, buste, pllaka përkujtimore, mbishkrime, epitafe etj.
Në këtë kontekst, duhet përmendur të atin e Mehmet Pashës, Hasan Pashë Derallën, i cili ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit (1878); Dervish Carën nga Pallçishti i Tetovës, i cili ka luftuar që në shekullin e 19-të për çlirimin e tokave shqiptare; Abdurrahman Pashën që kërkoi nga Sulltani autonomi për shqiptarët dhe u syrgjynos pa kthim në Anadoll; për Sheh Mustafë Tetovën, njeriu i dytë i Lidhjes së Prizrenit /1878/, “ambasador” i kësaj lidhjeje në raportet dhe kontaktet me Sulltanin në relacionin Prizren-Tetovë-Stamboll.
Pluhuri mbulon njësoj, si gjësendet me vlerë, ashtu edhe ato pa vlerë, thotë një urti popullore, ndaj dhe duhet hequr kjo shtresë e pluhurit të harresës nga vlerat tona kombëtare, që t’u kthehet atyre shkëlqimi i dikurshëm. Nuk janë vetëm këta që u përmendën, të cilët i ka dhënë Tetova për kombin, janë edhe shumë personalitete të tjera nga qytetet shqiptare jashtë kufijve administrativë të shtetit shqiptar. Janë shekujt që dëshmojnë për shumë të tjerë që janë strukur ndër breza, presin respektin e merituar nga ne që kemi rënë në halle të tjera.
Tetova, bie fjala, nuk është vetëm kaq sa u përmend, nuk është rastësisht qendër politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo ka qenë bastione në të gjitha periudhat kyçe historike, ka dhënë sakrifica të mëdha mendjesh, atdhetarësh, intelektualësh, letrarësh që kapërcejnë kufijtë e kombit. Por, ne, ndër vite po i harrojmë, sikur të mos kishin qenë fare. Tetova nuk është vetëm Teqeja Harabati Baba, një kompleks kulti i të kaluarës, apo Xhamia e Larme (e Pashës), një monument funksional islam që mbrohet nga shteti, Kalaja e shekullit 19-të apo ndonjë tjetër, që njihen jashtë kufijve rajonalë, kur ato i vizitojnë turistët. Qyteti rrëzë Sharrit plak ka një të kaluar shumë më të begatë, të cilën brezat që vijnë duhet ta njohin pak më mirë. Por, si do të ndodhë kjo, nëse ne nuk i përkujtojmë, nuk i shënojmë apo nuk i spikasim me elemente arkitekturale-memoriale që do ta bënin veprën e tyre të amshueshme.
Nuk na takon ne që të bëjmë valorizimin apo revalorizimin e personaliteteve të këtilla të shquara të historisë kombëtare. Kjo punë, për nga kompetencat, u takon institucioneve të trashëgimisë kulturore-historike, komisioneve parlamentare, apo të atyre në nivel të komunave, të cilët do të marrin mendimin e ekspertëve dhe do ta bëjnë radhitjen relevante të tyre.
Për fillim, mjafton të ngrihen pllaka përkujtimore apo pllaka mbishkrimi, në vendet ku kanë vepruar të parët tanë apo ku kanë ndodhur ngjarjet e rëndësishme historike. Kjo punë do ta begatojë, gjithsesi, edhe me një dimension tjetër të kaluarën tonë historike, të cilën do ta kenë më pranë dhe në zemër brezat e tashëm dhe të ardhshëm, si kulte krenarie kombëtare, si rrënjë që nuk do t’i shkulin furtunat eventuale në të ardhmen. Kur të kryhet kjo punë, s’do t’u takojë vetëm vizitorëve të rastit dhe turistëve që po shtohen vazhdimisht, kohëve të fundit, në këtë qytet, të cilët do të kenë më shumë pika turistike dhe do të tërheqin edhe më shumë turistë në këtë destinacion, që do të afirmojë qytetin, por do të duhet që këto lokalitete historike, shtëpi përkujtimore, buste e përmendore të historisë t’i vizitojnë në mënyrë të organizuar edhe nxënësit shkollorë dhe studentë universitarë, për të gërshetuar dhe harmonizuar njohuritë e tashme me ato të së kaluarës.
Kjo paletë e ofertës turistike e kulturore–historike do të mund të zgjerohej dhe begatohej edhe me emra të tjerë nga fusha të ndryshme dhe të historisë më të re, që e meritojnë këtë. Bie fjala, shtëpia e dikurshme e Halim Beut, të birit të Mehmet Pashë Derallës, që ende po funksionon në kompleksin e Spitalit të Tetovës, do të mund të shndërrohej në një muze memorial, ashtu siç kërkonte dhe e kishte ëndërr këtë shestim mbesa e Mehmet Pashës, Valdeta Deralla, gjatë një vizite në Tetovë. Halim Beu ka qenë deputet shqiptar në Parlamentin e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, në vitet e 30-ta. Me një pllakë përkujtimore do të mund të shënohej Shtëpia në pjesën e Çarshisë së Epërme të Tetovës, ku në vitin 1939 u themelua shoqata atdhetare “Besa”, në të cilën vepruan një plejadë të rinjsh patriotë shqiptarë, që dolën në mbrojtje të popullatës në momente kritike të historisë. Kjo vlen edhe për shoqatat dhe organizatat e tjera ilegale të shqiptarëve që u themeluan në vazhdimësi, me sakrifica të mëdha dhe u shuan me arrestime dhe vrasje nga regjimet e kohës.
Është shtëpia e prefektit të parë shqiptar në qytetin e Tetovës, në kohën kur Tetova hyri në juridiksionin e Shqipërisë etnike (1941-1944), dr. Xhafer Sulejmani, doktorit që studioi mjekësinë në Stamboll, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Sorbonës në Francë, i cili u sakrifikua për çështjen kombëtare; prefekti i dytë i Tetovës, Shaip Kamberi (1943-1944), themeluesi i organizatës ilegale “Besa” (1939), juristi i parë i Tetovës, i cili u ekzekutua nga OZNA famëkeqe, disa ditë para se të vinin partizanët në Tetovë (nëntor 1944). Duhet përmendur “Mandelën” e Tetovës, patriotin e palodhshëm, Memetriza Gega, si dhe shumë e shumë veprimtarë të tjerë të hershëm e të mëvonshëm që meritojnë të përmenden, të shënohen me pllaka vendet ku kanë jetuar, ku kanë punuar dhe vepruar. Vetëm atëherë s’do të harrohen nga brezat, ndërsa me vizita në ato vende, do të ripërtërihet kujtesa për sakrificën e të parëve tanë në mbrojtje të popullit, për të mbetur kjo histori shqiptare në mbamendje me shekuj. Kjo vlen njësoj edhe për qytetet në gjeografinë e mbetur shqiptare të Maqedonisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura