DR.MOIKOM ZEQO: ABSURDITETI I 400 VJETORIT TË THEMELIMIT TË TIRANËS – ËSHTË SHUMË MË E VJETËR!

Tiranë, 23. 02. 2014 – Tirana (*) është kryeqyteti i Shqipërisë dhe kjo do të thotë që është thelbi i përfaqësimit të shtetit shqiptar Është e vërtetë që çdo shtet në botë përfaqësohet nga kryeqyteti. Emri i çdo shteti ka në mënyrë përfaqësuese një emër të dytë që është emri i kryeqytetit. Ne themi Londra dhe nënkuptojmë tërë Anglinë. Themi Pekini dhe në përfytyrimin tonë është e tërë Kina.
Por në rastin e emrit të Tiranës, ka diçka më shumë. Tirana është vërtet metropoli i Shqipërisë, por në shumë kuptime të shumëfishta është edhe metropoli i kombit shqiptar që nënkupton edhe Kosovën, si një shtet i dytë shqiptar në Ballkan edhe në Europë, por edhe tërë trevat e tjera të shqiptarëve kudo në botë.
Një libër i saktë për Tiranën që i drejtohet gjeneratës së re, është një libër për të mësuar dhe për të kuptuar. Tirana, si kryeqendër e shqiptarëve ka historinë e saj.

– Tirana e vjetër –

Në mënyrë tejet konvencionale viti 2014 konsiderohet si 400 vjetori i njohjes së Tiranës si qendër urbane. Është një absurditet shkencor. Habitem se cila logjikë e pranon dhe e rutinizon këtë absurditet.
Gjoja ky themelim qenka bërë nga Sulejman bej Mulleti, për shkak të një kumti mbinjerëzor nga një ëndërr që paska parë një fshatar nga Mulleti, bari delesh – teksti i ëndërrës nuk ruhet – dhe Sulejman bej Mulleti ka parandjerë se do të vinte më pas një dekret sulltanor nga Stambolli për të lejuar ndërtimin e një qyteti të ri në fushën midis Lanës dhe Riglatës, midis kodrave të Selitës dhe Saukut.
Legjenda e dytë është akoma më bizare dhe e pabesueshme! Sulejman bej Mulleti ka dashur një qytet të bukur si Teherani dhe paska zgjedhur emrin Tiranë.
Por a mundet me elementë onirikë, mitikë të zyrtarizojmë themelimin e vërtetë të Tiranës, gati si një parabolë lindore dhe religjoze?
Si mundet një gjë e tillë?
Në të vërtetë shkencërisht historia e Tiranës, është shumë herë më e lashtë.
Kemi dy referenca kryesore.
E para, një referencë arkeologjike që nuk përmendet nga kronikat dhe që është zbulimi i një ndërtese me mozaik që daton në shekullin V’të pas Krishtit. Ky mozaik i mrekullueshëm është një simbol i madh i Tiranës. Ai vërteton tezën shkencore se Tirana në shekullin V’të pas Krishtit ka qenë një vicus i qytetit të madh antik të Durrësit. Zbulimet arkeologjike në truallin e Tiranës janë të mangëta.

Një ndërtesë e periudhës romake, përmban një mozaik të gurtë në dysheme, i cili është shprehje e vazhdimësisë së një kulture shumë të hershme dhe shumë të përhapur. Pranë saj janë zbuluar muret e një dhome ruajtjeje dhe disa gurë varri të mëdhenj me germa e vizatime të skalitura.

*  *  *

Para disa vitesh në fshatin Baldushk është zbuluar një monument antik i çiftit të vëllezërve binjakë dhe mitologjikë Dioskurëve me një mbishkrim në latinisht të shekullit të II’të pas Krishtit. Ky monument edhe më i hershëm se shekulli V’të pas Krishtit, lidhet me arealin e Tiranës. Është një element plotësues.

Në fshatin Baldushk të Tiranës, një fshatar duke gërmuar arën, zbuloi pesë gurë varri të skalitur, mbi një metër të gjatë dhe me figura njerëzish me veshje të kohës.

*  *  *

Në Rrugën e Kavajës, në fillim të janarit 2014, u zbuluan rastësisht nga punëtorë ndërtimi, jo më shumë se dy metra thellë, një bazoreliev dhe një objekt porcelani i shekujve IV-VI.

*  *  *

Referenca e dytë është kronikore. Marlin Barleti, historiani i pavdirë, në librin e famshëm “Mbi bëmat dhe heroizmat e Gjergj Kastriot Skënderbeut” shkruan edhe për emrin e Tiranës dhe klasifikon dy vendbanime me toponimet:
– Tirana e Madhe dhe
– Tirana e Vogël.

Pse i ka përmendur Barleti këto toponime?
Kjo tregon se vendbanimi i Tiranës në shekullin XV ishte i njohur si një pikë ndërlidhëse midis Krujës, Prezës dhe Petrelës. Në këtë drejtim dhe hulli duhen bërë kërkime të shumta për të plotësuar imazhin e banorëve të lashtë dhe mesjetarë të Tiranës. Rrethinat e sotme të Tiranës janë me dëshmi arkeologjike kryesore,
– kalaja ilire e Dorsit,
– ajo mesjetare në Dajt,
– kisha mesjetare me afreska dhe mbishkrime bilingue në greqisht dhe
– latinisht e Skurajve në fshatin Brar,
– ndërtimi i kështjelles së Krujës, por edhe e Petrelës nga Karl Topia flasin për një qendër fillestare të Tiranës paraosmane.

Barleti duke folur për Tiranën e madhe dhe Tiranën e vogël – siç e përmenda më sipër le të kuptojë se në pozicionin e sotëm nuk quhej më kot vendbanimi me emrin kuptimplotë Tirana e madhe.
* * *
Për të pasur një përfytyrim më të plotë dhe më universal për Tiranën, dua të theksoj tezën e albanologut gjenial kroat Milan Shuflaj. Ai në studimet e tij flet për zonat gjeografike shqiptare, të cilat kanë një qendër që nga Antikiteti i hershëm.
Teza e tij është se në zonën gjeografike të koordinatave ku është sot Tirana, qendra më e hershme ka qenë Durrësi, si qytet metropolitan në Antikitet, kurse në Mesjetë ka qenë Kruja. Në kohërat moderne është Tirana.
Lëvizja e kësaj qendre në emra të tre qyteteve vërteton të vërtetën se është në thelb e njëjta qendër.
Rëndësia e Tiranës bëhet qendërzuese sidomos në kohën kur në shekullin XX, ajo shpallet kryeqytet i Shqipërisë dhe me këto kredenciale ajo mbetet sot e gjithë ditën kryeqytet i shqiptarëve.
Tirana është e përcaktuar nga pozicioni i saj gjeografik për të qenë përfaqësuese. E ndërtuar rrëzë malit të Dajtit, në një terren të sheshtë ky qytet ruan sekretin e ndërlidhjes kryesore të rrugëve magjistrale me Durrësin dhe bregdetin, me Shkodrën dhe Veriun dhe më tej me Elbasanin, Gjirokastrën dhe Korçën. Është kjo ndërthurje e pazakontë dhe fatlume që e bën në të gjitha arsyetimet dhe perspektivat e mundshme Tiranën përherë një kryeqendër.
Ka përherë një biografi të Tiranës që lidhet me zhvillimet e saj artistike dhe arkitektonike. Nga të gjitha qytetet shqiptare Tirana përfaqëson strukturën urbane më të madhe dhe më të pazëvendësueshme.
Kryeqyteti i shqiptarëve me sheshin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është hapësira e institucioneve shtetërore, administrative e kombëtare për tërë kombin shqiptar. Si e tillë Tirana nuk mund të krahasohet me asnjë qytet tjetër.
* * *
Ka shumë diskutime dhe shpjegime për emrin Tiranë. Shpjegimet e ashtuquajtura të etimologjisë popullore që paraqiten si tradita gojore nuk kanë të bëjnë fare me emrin e Tiranës.
Dijetarja shqiptare-amerikane Safete Juka ka botuar një studim substancial për qytetin e Tiranës. Sipas arsyetimit të saj, emri i Tiranës lidhet me një rrënjë shumë të lashtë “Tir”, ose “Tur”, që ka kuptimin e një pike rreth së cilës përmblidhet një hapësirë e gjerë. Sipas kësaj dijetareje emri Tiranë ka lidhje me emra të ngjashëm apo dhe me emrin e kryeqendrën e fenikasve Tir. Ky emër dokumentohet edhe në pika të tjera të Europës dhe ka një kuptim zanafillor.
* * *
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë dhe metropoli i kombit shqiptar është dhe do të jetë gjithmonë kryeqendra. Ajo ka historinë e vet politike, ekonomike dhe kulturore dhe është metafora e historisë shqiptare ku artikulohen shumë hollësira, fakte dhe të vërteta të qenësishme të shqiptarëve.
Roli i Tiranës si kryeqytet është stimulues dhe një rol që mesa duket do të jetë përgjithmonë.
Një libër i vërtetë, jashtë onirikokracisë, dmth shkencor tërësisht, për të mësuar historinë e Tiranës është i domosdoshëm për t’u lexuar nga të gjithë. Ky libër duhet të jetë një ekstrakt i librave të shumtë të shkruar për Tiranën duke përjashtuar përrallat.
Njeriu shqiptar, por edhe ai i huaj duhet të mësojnë diçka të rëndësishme për kryeqytetin tonë, pa harruar se për dijen dhe shkencën historia e Tiranës është shumë herë më e pasur, më e ndërlikuar dhe më e plotfuqishme.
Para së gjithash një libër i tillë duhet t’ju drejtohet fëmijëve dhe moshave të reja. Jo thjesht nga pikëpamja didaktike dhe psikologjike, por edhe nga një pikëpamje e përgjithshme e edukimit. Libri për Tiranën vlen edhe për tërë gjeneratat, t’ju drejtohet edhe tërë fëmijëve shqiptarë, që kanë lindur dhe lindin çdo çast në familjet shqiptare në emigracion dhe në diasporë, jashtë kufijve të sotëm politik të Shqipërisë. Janë pikërisht gjeneratat e fëmijëve që e kanë më të theksuar prirjen për të mësuar diçka parake dhe të pashlyeshme për të kryeqytetin e Tiranës.
Pikërisht për këta fëmijë, në atë që quhet e sotme dhe në atë që do të quhet e ardhme, emri i Tiranës do të ketë përherë një ngarkesë emocionale, kulturologjike dhe simbolike të përjetshme. Për tërë shqiptarët më amëshim!

***************************************

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

(*) HISTORIA E TIRANËS

Pas pallateve shumëkatëshe dhe betonit mbytës fshihet një Tiranë tjetër, një Tiranë që pak e njohim e aq me pak e kemi vlerësuar…

________________________

VIZITË NË SHENJAT 12 000 VJEҪARE PRANË TIRANËS (NË FSHATIN E BOVILLËS)
Zbulimi i rrallë arkeologjik pranë Tiranës, i disa veprave murale të vjetra 10-12 mijë vjet, u pasqyrua në një emisionin në Top Channel. Fshati i Bovillës, i njohur për ujëmbledhësin që furnizon ujësjellësin e Tiranës, mbart brenda vetes edhe vlera të tjera të jashtëzakonshme. “Mbas një rrugëtimi jo shumë të gjatë, por as të shkurtër, ndodhemi tashmë në pikturën shkëmbore të Bovillës. Jemi atje ku kanioni i Bovillës ngushtohet më shumë”, thotë Ilir Zaloshnja, specialist i Institutit të Arkeologjisë. Ndonëse se pikturat kanë qenë këtu prej mijëra vitesh, ato u vunë re nga një bari që njoftoi specialistët vetëm pak kohë më parë. “Informacionet e para i morrëm përpara katër vitesh. Menjëherë ngritëm një grup pune të kryesuar nga profesor Myzafer Korkuti. Erdhëm me një staf prej katër vetash, pasi morrëm njoftimin dhe punuam në kushte të vështira. Kushtet atmosferike ishin të këqija, por identifikuam rreth 18 shenja”, vazhdon Zaloshnja. 
Për dikë që është mësuar të kalojë jetën duke gjurmuar qytetërimet e lashta, “pamja që të shfaqet është mbresëlënëse. Kemi të bëjmë me një momunemt natyror shkëmbor sugjestionues”. Ajo që e bën veçanërisht të rrallë zbulimin është koha kur datojnë këto shenja. “Këtu flitet për minumumi 10-12 mijë vjet më parë”, thotë Zaloshnja. “Këto janë shifrat që na kanë dhënë edhe specialistë të huaj të veprave murale në pellgun e Mesdheut. Kjo i përket periudhës së eneolitit. Zbulimi ka një vlerë të madhe, është një dëshmi për popullimin e zonës dhe riteve pagane. Besojmë se shenja që duket qartë, ajo e kryqit të rrethuar nga një rreth, personofikon diellin”, përfundoi eksperti.


_______________________

KALAJA E TIRANËS – MONUMENT KULTURE

*********************************

(Ilustrime i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura