PEIZAZHE SHQIPTARE NË FOKUSIN E PIKTORIT ANGLEZ EDWARD LEAR (SHEK.XIX)

Pashtriku.org, 11. 05. 2016: Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht atëherë që udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës, që historiani anglez Eduard Gibon (Edward Gibbon) e përshkruante si “një vend në fushëpamje të Italisë, por më pak i njohur se thellësitë e Amerikës”. Udhëtarët e parë europianë udhëtuan në drejtim të veriut, nga Greqia për në vendin ku sundonte Ali Pashë Tepelena. Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (Fransua Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, dhe mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812-1813. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre shkuan përtej tokave të Ali Pashës, që sot shtrihen në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në Shqipërinë jugore. Poeti dhe piktori anglez Eduard Lir (1812-1888) ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, ku e kishte lënë të takohej me shokun e tij të udhëtimeve Charles Church, atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze.


Edward Lear (1812 -1888)

***
Eduard Lear lindi më 12 maj 1812, në Highgate Londër dhe ishte fëmija e 20-të i një agjenti burse, vdiq në San Remo, ishte piktor, poet dhe udhëpërshkrues anglez nga Britania e Madhe. I refuzuar nga e ëma, ai u rrit nga motra e vet Ann, që ishte 21 vjet më e madhe. Ai vuante nga epilepsia, të cilën Lear e quante “Djalli” dhe, që 6 vjeç, ishte i prirë për ndryshime të befta humori si dhe periudha depresioni që i quante “të frikshme”. I edukuar nga motrat Ann dhe Sara, dha shenja për prirje artistike që në moshë të re. Për shkak të dështimit të të atit në karrierë dhe pamundësisë së këtij për të mbajtur familjen Lear u detyrua të fitonte mjetet e jetesës që nga mesi i vitit 1820. Në 1848 Lear-i nisi një udhëtim përmes Greqisë për në Stamboll. Udhëtimi i tij mori një kthesë të papritur, kur ambasadori britanik në kryeqytetin osman arriti t’i siguronte dokumentet për të vazhduar përmes zonave të perandorisë që konsideroheshin “të egra”. Duke marrë rrugën përmes Selanikut dhe Manastirit, ai udhëtoi në Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër. Pas disa ditësh u kthye në Tiranë dhe vazhdoi drejt jugut në Kavajë, Berat, Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës, Tepelenë, Gjirokastër dhe më tej në Janinë.
Nga viti 1849 deri më 1853 Liri qëndroi në Angli, por më pas u kthye përsëri në Mesdhe. Për vite me radhë jetoi në Korfuz (1855-1864), më vonë në Kanë, dhe më së fundi në San Remo ku ndërtoi Vilën Emilia. Eduard Liri vdiq më 29 janar 1888 dhe prehet në një varrezë të San Remos, përkrah dragomanit të tij shqiptar.

100 piktura për Shqipërinë
Shumë nga peizazhet dhe skicat që bëri gjatë udhëtimit regjistrojnë një dokumentim të përpiktë të Shqipërisë së mesit të shekullit XIX. Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851) Lear-i ishte tepër entuziast për peizazhet e jashtëzakonshme dhe kishte një sy e vesh të mprehtë për çka shihte e dëgjonte në udhëtimet e tij. Talenti origjinal si peizazhist, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lear-in një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Eduardi krijoj vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Eduard Lear in Greece (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Eduardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Eduard Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliri). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe.

Itenerari i Lirit në Shqipëri
Eduard Liri niset nga Selaniku dhe arriti në Manastir më 20 shtator të vitit 1848, i shoqëruar nga dragomani i tij, Jorgo Kokali, shqiptar i krishterë nga Suli, që vazhdoi t’i bënte shoqëri për një kohë të gjatë edhe në vitet e mëvonshme. Që atje vazhduan rrugën për Ohër, Strugë, Elbasan, Tiranë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër, ku arritën më 2 tetor. Pasi disa ditësh të kaluara aty, u kthyen në Tiranë, dhe pastaj vazhduan në drejtim të jugut për në Kavajë, Berat (14-18 tetor), Ardenicë, Apoloni, Vlorë, bregdetin e Himarës (21-30 tetor), Tepelenë, Gjirokastër dhe pastaj në Janinë (5 nëntor) dhe Greqi. Rrëfimi i gjallë i këtij udhëtimi u botua në librin e tij “Ditar i një piktori peizazhist në Shqipëri”, Londër 1851.

Epitafi i varrit të Eduard Lir dhe Tomorri
Gati 170 vjet më parë, piktori i madh anglez, Eduard Lir, duke vështruar malin e Tomorrit nga Qafa e Kërrabës, pasi ul paletën me anë të së cilës kish hedhur në telajo impresionin e çastit të pamjes që i dilte përpara, shkruan në ditarin e tij: “Ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”. Dhe vërtet piktura në vaj që realizoi Eduard Lir për Tomorrin nga ai impresion nga Kërraba, është një nga kryeveprat e tij. Poeti i shquar anglez, Alfred Tenison, mik i ngushtë i piktorit, i befasuar dhe i frymëzuar nga kjo pikturë, krijoi një poezi monumentale, katër vargjet e së cilës u vendosën në fund të tablosë, dhe më vonë si epitaf mbi varrin e Eduard Lirit: Tomorr e Athos, fron magjie,/ Vjen hije largët gjer te ne,/Një laps e një penel i bie,/ E ndiej si të isha vetë atje.
Syrit të kujdesshëm të piktorit të shquar anglez nuk i kishte shpëtuar ky detaj artistik për një nga malet vërtet më të bukurit e Shqipërisë, që i rri fushës së Myzeqesë dhe gjithë natyrës përreth si një monark i vërtet, sundimtar i fushës dhe i luginave të lumenjve të Osumit, Shkumbinit, Devollit e deri në Vjosë.
Çamëria në tablotë dhe ditarët e Eduard Lir
O Zot, si do të largohem nga Parga!…
Eduard Lir në ditarin e tij ka regjistruar shënime të shumta për vendet e njerëzit që ai haste gjatë rrugës, duke i shoqëruar me skica e tablo. Në udhëtimin e tij të gjatë diku rreth viteve 1848-49-të, përfshiheshin disa qytete e zona urbane si p.sh, Tirana, Shkodra, Durrësi, Kruja dhe Berati. Në njërin prej Ditarëve ”Londër 1851” ekziston një përshkrim i udhëtimit të tij në Çamëri, ku siç shkruan ai:
“Në Thesproti përfshihen udhëtimet nga Lelova deri në majat e Sulit, më tej ndalova në Artë, natyra ime melankolike s’kishte se si mos të ndikohej nga cicërimat e zogjve, flladi i freskët na shoqëronte ngado, dhe e theksoj që shumë pak vende në Shqipëri mund të krahasoheshin me Artën. Në pjesën e tokës kënetore vështroja lejlekë pa fund që përngjanin sikur kishin veshur fustanella të bardha, foletë e tyre të ndërtuara mbi kulmet e çative krijonin një arkitekturë përrallore. Arta rrethohej nga kopshte të bukura pemësh frutore, ku në shkallë të gjerë furnizonin me fruta e perime tregjet e tej mbushura të Janinës e Çamërisë.

Udhëtimi vazhdon, e ndërkohë që ecnim, përpara nesh atje tej, na del një fshat i rrethuar me pemë lisi të gjata, të moçme e fisnike. Një bari shqiptar na fton të shuanim etjen me një tas qumësht të freskët, ishte festë e Shën Gjergjit, këmbëngulja e banorëve për praninë tonë në festën e tyre na detyroi të qëndronim një copë herë bashkë me ta, të cilët na gostitën me gatime shqiptare, ku spikaste mishi i qengjit në hell. Bujtëm në dhoma të rregulluara mirë e pastër, aspektet më mbresëlënëse që unë kam më parë ndonjëherë në Shqipërinë e jugut. Zbritja e një qafe mali në Sul, ku mendimet e mia pushtoheshin nga peizazhi mahnitës, këto mendime lidhnin luftërat e njerëzve të cilët në mënyrë heroike luftuan për pavarësinë e tyre.
Grykat e frikshme të Sulit nuk mund të përshkruhen më mirë se në fjalët e Kolonel Martin Leake: “Një përroskë e thellë, formuar nga bashkimi i dy maleve të mëdha të Sulit dhe Xikuratit, një nga grykat më të frikshme e më të thella në mbarë rajonin, dy anët e maleve të mbuluara me lisa e pisha, ku rruga mund të kalohej vetëm në këmbë…! Mbaja veten me shpresë, derisa ia dola paq, dhe shpëtova nga shpatet e thepisura të lumit Akeron, patjetër thosha me vete që do ja dal, të paktën t’i kalojë edhe këto gryka të Suliot.
Pak kështjella kanë mbetur në kujtesën time hijerënda me histori heronjsh si kjo e Sulit, e ndoshta deri diku shkretëtirat e Sinait mund të krahasohen me këtë pamje piktoreske e mbresëlënëse. Do më pëlqente të qëndroja më gjatë e t’i studioja më nga afër këto shtëpi e saraje hijerënda të Çamërisë. Por më pas shoqëruesi im mori drejt Pargës, aty bujtëm në një banesë komode, ku mund të rehatoheshim disi nga vapa përvëluese të atyre ditëve të nxehta. Pasdite, afër mbrëmjes kam bërë vizatime të shumta nga të dyja anët e kepit të Pargës, edhe pse çdo pikë këndvështrimi ishte e bukur, binte në sy një peizazh shqiptar, dhe kishte më shumë një karakter kalabrez të bregdetit. Në mbrëmje hëna me dritën e saj bënte të mundur të dukeshin lezetshëm ndërtesat e vjetra, ku nën këmbët e shkëmbinjve valët murmurisnin, dukej sikur degët e ullinjve pëshpëritnin mbi kokën time. Në dritën e gjithë kësaj, unë ndjeva një ankth, o Zot si do mund të largohem nga Parga..! pamja që më shfaqej para syve më turbullonte, isha në ëndërr apo zgjuar…?! dhe uroja me gjithë zemër të kisha një shans të dytë të vizitoja Pargën e bukur. Kështjella e Pargës ka pasur një rëndësi të madhe për Korfuzin, ajo krahasohej nga venecianët si “Sytë dhe veshët e Korfuzit”.

Më pas shkuam në Paramithi, filluam të zbresim në fushat e gjelbërta e të gjera të këtij qyteti të lashtë, vihej re në veri të qytetit kështjella e gurtë e mbështetur pas maleve e shpateve me forma të magjishme, poshtë kësaj kështjelle janë të shpërndara vendbanimet e grupuara piktoreske të përziera me selvi dhe të gjitha llojet e pemëve, viheshin re ndërtimet e kishave dhe xhamive me gurë të punuar bukur. Para se të largohesha nga qyteti realizova një portret të një vajze shqiptare nga Paramithia, dhe nuk harrova të shënoja në ditarët e mi për bukurinë dhe hijeshinë e kësaj vajze çame…”!
Por Eduard Lir nuk u mjaftua me kaq, ai pikturoi dhe skicoi shumë qytete të Çamërisë, si Margëlliçin, Filatin, Gumenicën, ujëvara e lumit Kalama-Thiamis etj., ku në detaje mishërohen imazhet me pamje mbresëlënëse nga Shqipëria dhe shqiptarët e asaj kohe, si një dëshmi e gjallë me anë të të cilave shohim dhe lexojmë të kaluarën e vendit tonë.
Artist në disa fusha
Eduard Lir ishte një intelektual i njohur për mendjen ekscentrike. Ai kujtohet për poemën humoristike si “Bufi dhe kotelja” si dhe shumë poemave thellësisht fantastike dhe humoristike për krijesa imagjinare. Liri satirizonte me gjithçka, përfshi edhe veten, luante në fizarmonikë, flaut dhe kitarë dhe në piano, një pjesë të tyre i gjejmë edhe të pikturuara prej tij. Ai madje ka kompozuar muzikë për shumë poema viktoriane dhe romantike, por u njoh më tepër për sfondet e shumta muzikore të poezisë së Tenisonit, poeti që shkroi edhe vargjet epitaf në varrin e Lirit. Liri gjithashtu kompozoi melodi, ekzekutoi këngët e tij dhe sfondet e poezive të të tjerëve në takime apo festa sociale të panumërta, ndonjëherë duke shtuar edhe lirikat e veta.

Për ndjeshmërinë e tij të hollë muzikore, Liri ka hyrë gjithashtu në librin e artë të thënieve të njerëzve më të shquar të muzikës. Ka një fakt interesant në fushën muzikore që lidhet me Shqipërinë. Më 31 tetor të vitit 1848 ai shkroi një pentagram mitik në qendër të pikturës së tij me titullin kuptimplotë: Kudhësi. Ky ishe parashtrimi i transkriptimit të parë në nota muzikore i një melodie isopolifonike shqiptare me fyell.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura