DR.MOIKOM ZEQO: BORGESI, MIGJENI DHE GRETA GARBO

Tiranë, 06. 06. 2014 – Jorge Luis Borges ka thënë: “Më kujtohet reklama e bujshme e bërë për shfaqjen e filmit “Mbretëresha Kristina” të Greta Garbos, sipas një pjese të Eugene O’Neill. Reklama shënonte “Greta tolks” (“Greta flet”). Për këtë film, ishin ndërtuar posaçërisht – për një kënd më të gjerë – një serë baresh, pastaj kishte edhe brymë, një kalë në brymë, dhe së fundi një grua që vinte nga Suedia dhe që vete në këtë dekor… që ishte Greta Garbo. Ajo hynte në një bar dhe aty ajo shkon drejt një tryeze tepër të gjatë. Ne (spektatorët) prisnim që ajo të fliste – do të dëgjonim më në fund zërin e Greta Garbos – ajo çka ne dëgjuam qe një zë pothuaj i ngjirur që shqiptoi “Give me a whisky”, dhe ne zumë të dridheshim të gjithë nga emocioni. Dhe pastaj ajo vazhdoi të flasë dhe ky qe filmi i parë me zë. Tërë brezi im ka qenë i dashuruar me Greta Garbon, mendoj se e tërë bota ka qenë e dashuruar me të. Motra ime, Norah, ka thënë diçka të bukur: “Greta Garbo nuk do të jetë kurrë e lënduar” dhe kjo është e vërtetë; një femër e madhe, me shpatulla të gjëra. Artistet e tjera të asaj kohe qenë të brishta, por jo Greta Garbo; ajo kishte në vetvete një lloj qëndrueshmërie, diçka të mistershme, kështu e quanim ne: “Sfinksi suedez””.
Borgesi bën një apologji elegante, të beftë. Po ai nuk e dinte (o Zot, s’kish si ta dinte!) që shumë përpara tij në 1936 një tjetër shkrimtar, shqiptari i brishtë dhe rebel Migjeni ka shkruar diçka për këtë motiv, ku dallimi midis së ngjashmes dhe të pangjashmes krijon një subjekt më vete.

Jorge Luis Borges, M.Gj.N.Migjeni dhe Greta Garbo.

Në skicën migjeniane “Urime për 1937” shkruhet: “t’uroj shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos dëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Golgotha. Të mos dëgjosh as dëshpërimin e të mundurve, as britmën e ngadhnjyesve në këtë jetë. Të mos dëgjosh bubullimën e Spanjës… mbas gjumit tambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrëshme – të jesh i gëzuem, gjithmon i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në semintalizëm, të puthish drrasat e dhomës dhe shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretëresha Kristina” kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).”

 

Ah, Mbretëresha Kristina! Mbretëresha e çuditshme dhe gati e çmendur e Suedisë. Vajza e mbretit Gustav Adolfit të Suedisë dhe Maria Eleonora e Bradenburgut. Lindi në 1632 në Stokholm dhe vdiq në 1689 në Romë. Shumë e re në moshë u kurorëzua Mbretëreshë. Por në moshën 19 vjeç papritur abdikoi nga të drejtat e fronit, duke habitur e lemerisur tërë Europën dhe bashkëkohësit. Natyrë e vrullshme, pasiononte, poliglote dhe jashtëzakonisht e ditur.
Si Mbretëreshë ajo u mbiquajt si Minerva e Veriut. Ndërsa Stokholmi u shpall Athina e Veriut. Ajo qe padrone e arteve, filozofisë, muzikës. Ajo e mbrojti filozofin francez René
Descarte-in, për t’i shpëtuar censurave feudale të kohës. Në fillim qe protestante dhe luteriane e thekur. Më pas u konvertua në katolicizëm, por gjatë tërë jetës u akuzua për ateizëm të fshehtë. Ajo u lidh me priftin katolik Antonio Macedo – aq shumë sa e kërcënoi, e vuri në provë, e sfidoi virgjërinë seksuale të priftit të shkretë. Ajo u vendos në Romë, për shkak të katolicizmit të saj tashmë pasionant.
Kur vdiq 63 vjeç- salma e saj në një sarkofag të përzishëm u vendos përfundimisht brenda bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan.
Kristina qe një femër krejt e lirë, dinake, autoritare që vishej me shpesh me rroba burri. Jeta e saj seksuale qe pa kufij. Qe lesbike dhe interseksuale. Përherë sfiduese dhe joshëse! I hutonte në biseda dijetarët. I shpërfillte teologët. Abdikimi i saj qe i tmerrte. Por dhe tepër kalorsiak.
Në 23 dhjetor 1933 Metro-Goldwyn-Mayer shfaqi në New Jork filmin “Mbretëresha Kristina” me Greta Garbon e famshme. Këtë film – pikërisht këtë edicion në pelikulë e ka parë Migjeni. Por edhe Borgesi. Reagimet e tyre janë të ndryshme. Por edhe plotësuese. Filmi ka sekuenca lesbike (mund të shihet në You Tube lehtësisht, mrekullisht paradoksalisht), por dhe skenën skandaloze të seksit që e ka çmerituar Migjenin puritan dhe poet ironik.
Në arkivin e Migjenit ruhet ende dhe sot një fotografi e Greta Garbos. Ah, fotografia e Greta Garbos! Hapësirë e vogël e koncentruar. Tek sytë magjikë të Gretës janë edhe sytë e verbër të Borgesit, tek balli i saj edhe balli i Migjenit.
Të tre e bëjnë një rastësi sikur i ka mbledhur në fshehtësi një regjizurë. Bije bora e New Yorkut, Mbretëresha Kristina (ajo në fakt nuk është e katërta!) takon në bar Migjenin (ç’ne Migjeni në New York?) dhe Migjeni i thotë “Give me a whisky”. Shkrep një vetëtimë si klithma e orgazmës. Pastaj filmi rrotullohet mbrapsht. Një tren vjen mbrapsht në një stacion të panjohur. Borgesi, Greta dhe Migjeni largohen mbrapsht nga njëri tjetri. Realiteti është dekori i një ëndrre. Tërë njerëzimi lëviz me kryqe në Golgothanë e filmit, lufta e Spanjës rishfaqet përsëri. Dolores Ibarruri nuk është Greta Garbo, por ama del nga Guernika e Pikassosë.
Greta ja vlen të adhurohet. Kjo aktore e jashtëzakonshme në kulmin e suksesit abdikoi nga karriera dhe kaloi në një jetë private, larg syve të famës dhe idhujtarisë botërore. Qe tepër e re, diçka më shumë se sa mosha e Migjenit që vdiq 27 vjeç.
Vdekja e Migjenit qe i ngjashëm me abdikimin e Gretës. Greta vdiq anonime në moshë të madhe, – të njëjtën moshë fizike e arriti dhe Borgesi.
Vdekja e Borgesit nuk qe si e Migjenit. Vdekja e Borgesit s’qe “abdikim” por natyralitet. Greta Garbo pati famë të paskajshme – Borgesi gjithashtu.
Migjeni pati një fat krejt të përkorë, jashtë famës botërore – por Migjeni është ndër shkrimtarët e zgjedhur që e ka fituar betejën e tij me amëshimin. Ai është në substancën inkandeshente, pulsuese të letërsisë së madhe, pra edhe botërore.
Ai skaliti shkurtimisht një fragment ambikuid për Greta Garbon si Mbretëresha Kristina e Suedisë.
Dhe ky fragment është i vetëmjaftueshëm.
Në mendjen e tij Migjeni kishte diçka më tepër. Shumë më tepër. Po ai s’i pëlqente apoteozat. Asnjë apoteozë !- as për veten e tij! E ç’i dukeshin apoteozat? Ai qe çmitizues i lindur. Çmitizues edhe në pasvdekje. E pra, kjo nuk është asnjëherë pak!
Si hije e Hadit ai ka mundësi të takojë hijen e Borgesit dhe të Greta Garbos për të thënë “të pathënat”. Të tre të ndryshëm, por dhe të ngjashëm.
Çdo shkrimtar është aktor i roleve të personazheve të tij. Këtë bëri edhe autorja Greta. Jetuan jo për veten por për të tjerët. Në përjetësi! Amen!

_____________________
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura