DR.MOIKOM ZEQO: DEMOKRACIA, NEO-LIBERALIZMI DHE POLITIKA SHQIPTARE

Tiranë, 30. 01. 2017: Para gati çerek shekulli botova një nga esetë e mia në formën e një letre, duke qenë deputet i PS-së në opozitë për të reflektuar idetë racionale mbi demokracinë (është botuar në librin tim “Paradokset e demokracisë” në Shtëpinë Botuese “Europa”, 1994 të mikut tim Frederik Rreshpja – faqe 5-8.)
E tëra ajo që mbiquhej qoftë dhe në mënyrë konvencionale si doktrina demokratike më tërhiqte dhe unë lexoja pa pushim filozofët e shquar që lidheshin me këtë substancë, Presje, Maks Veberin, Tokëvilin, Karl Poperin, Hanah Arendtin dhe sidomos teoricienin kryesor dhe më të njohur në rrafsh ndërkombëtar për demokracinë, Giovani Sartorin.
Mund të them që mbas 25 vjetësh ballafaqimesh mendore por dhe të realitetit politik shqiptar e kam të vështirë për të dhënë një ekuacion mbushamëndës dhe thelbësisht konceptual për demokracinë. Deri diku kjo pasiguri teorike duket dhe në intervistat e fundit të 93 vjeçarit, mendimtarit Sartori i cili ka dhe dyshime dhe ide ambikuide se a mund të flasi për një teori krejtësisht shkencore të demokracisë. Ajo që më intereson si qytetar dhe njeri i letrave është fakti pse në 25 vjet politika shqiptare jo vetëm nuk pati një strukturë idesh funksionale dhe të vërteta për demokracinë, por përkundrazi bëri që përfaqësimi politik në Kuvend të vijë duke ulur në mënyrë të mjerueshme nivelin kulturor, moral, pra edhe demokratik. Kanë qenë politikanët shqiptarë të pazotë, me dituri sipërfaqësore (siç janë në të vërtetë) apo në thelb nuk kanë besuar fare te demokracia, por kanë parë demokracinë si një alibi për pushtet të pakufizuar politik dhe për një pasurim të papërmbajtur larg çdo principi humanist dhe shoqëror.
Filozofi i madh francez, që jeton ende ,Jacques Ranciere, në librin e tij “La mesentente” (“Mosmarrëveshja”) e shpjegon qartë që koncepti për demokracinë ka pësuar transformime dhe kthime mbrapsht në vetë substancën e saj. Sipas këtij filozofi mbas rënies së komunizmit shumë elementë të demokracisë të mirëfilltë kanë pësuar tjetërsim.

Filozofia politike, lind siç thotë Aristoteli, si konflikt i të pasurve dhe të varfërve, pra nga pabarazia. Aristoteli e analizon njeriun si kafshë politike në faktin se konflikti i brendshëm nuk është thjesht një çështje pabarazie në zotërimin e të mirave materiale, por ka të bëjë dhe me pabarazinë lidhur me njohjen e vetë aftësisë për të shprehur dhe për të mbrojtur të drejtën dhe për të kundërshtuar të padrejtën. Sipas këtij filozofi politika në shumë aspekte shndërrohet në një “profesion” të një pakice. Kjo pakicë nuk përcaktohet nga votimi popullor se sa nga atutë e formave të organizimit që të pasurit bëjnë për sektin e tyre. Jacques Ranciere mendon se shuarja e energjive majtiste në Europë u bë duke u konvertuar gjithmonë e më me zell politika e qeverisjes në dogmat ekonomike të neo-liberalizmit, të një programi të ethshëm privatizimesh masive të sektorëve publikë duke kërkuar tashmë jo debatin e opinioneve, por një lloj konsensusi abstrakt se vetëm një pakicë drejtuese mund t’i dije gjërat shumë më mirë nga shumica dhe se koncepti i publikes është gati një ide e vjetruar duke bërë që të jemi dëshmitarët e pasojave të pallogaritshme “të shkatërrimit të njëkohshëm të indit shoqëror dhe formave të jetës publike, nga një ofensivë e ndërmarrë nga fuqitë shtetërore dhe fuqitë financiare sëbashku”.
Ranciere shton: “Po ashtu jemi dëshmitarë të gjithë atyre lëvizjeve të të indinjuarve si Occupy Wall Street etj., që pushtuan rrugët dhe sheshet për të denoncuar efektet e këtij sistemi të përvetësimit privat të pasurisë publike dhe të konfiskimit të pushtetit të të gjithëve, sistem i dysfishtë përvetësimi, që i zhvesh burrat dhe gratë, sa nga mjetet ekonomike të ekzistencës, aq dhe nga e drejta politike e të folurit dhe e të qenit i dëgjuar. Lëvizje të tilla nxjerrin në shesh hendekun që ndan kërkesat minimale për demokraci nga sisteme shtetërore, që mbajnë të njëjtin emër. Ato na rikujtojnë se politikë ka vetëm aty, ku ekzistojnë apo shpiken forma të veprimtarive politike dhe forma të shprehjes së pushtetit të të gjithëve, të cilat janë, dhe duhet të jenë, kryekëput të mëvetësishme në raport me logjikat e sovranitetit përcaktues dhe vendimmarrës të popullit”. Pra klasa politike shqiptare jo vetëm që ka dështuar në kuptimin teorik dhe kulturor për të përcaktuar një program demokratik, apo një kod të mirëfilltë të demokracisë në Shqipëri, por gjatë 25 viteve ka reflektuar autoritarizëm primitiv, subjektivizëm të skajshëm dhe ndryshime të marrëzishme të Kushtetutës si ai i vitit 2008 që bënë virtual dhe fiktiv vullnetin e votuesve për të zgjedhur përfaqësuesit sipas tyre dhe jo sipas listave të parapërgatitura të kryetarëve të partive. Ajo që dua të tërheq vëmendjen dhe fakti që ka vite që në Shqipëri po instalohet në neo-liberalizmim, i cili shkakton problematikë sociale. Asnjëherë politikanët, deputetët por dhe kryetarët e partive nuk flasin për koncepte teorike, për doktrinën e demokracisë dhe per atë përplasje mendimesh që ekziston sot në nivelet filozofike dhe politikologjike të botës. Asnjëri nuk e përmend neo-liberalizmin dhe pasojat e rënda që ka sjellë në rrafsh botëror. Ja ç’thotë një mendimtar amerikan në një shkrim të tij të para ca kohshëm. Është Zygmund Bauman i cili trajton ndryshimin midis liberalizmit ekonomik me atë që pason dhe njihet si neo-liberalizëm dhe që krijon shqetësime të mëdha. Liberalizmi lindi në Europë nga idetë e Revolucionit Francez (Liberte, Egalite, Fraternite). Ky trinitet i Lirisë, Barazisë, Vëllazërisë nuk qe thjesht një slogan. Këto tri element mund të qëndronin vetëm së bashku. Sipas filozofëve të liberalizmit, Liberte mund të sillte Fraternite vetëm në shoqërinë e Egalite, nëse heqim Egalite nga triada dhe Liberte do të çonte drejt pabarazisë dhe efektivisht drejt ndarjes, grindjeve dhe armiqësive të ndërsjellta, në vend, që të çonte drejt bashkimit dhe solidaritetit. Vetëm triada në plotësimin e saj është e aftë për të siguruar një shoqëri paqësore dhe të begatë, të mirëintegruar dhe të mbrujtur me shpirtin e bashkëpunimit të ndërsjelltë. Qoftë në mënyrë eksplicite, qoftë në mënyrë implicide, një qëndrim i tillë lidhet me liberalizmin klasik dhe në këtë aspket John Stuart Mill nxorri përfundime socile të rëndëishme prej bindjeve të tij thellësiht liberale në traktatin e tij që ka shkruar për lirinë. Por 40 vitet e fundit, sipas Zygmund Baumanit, ka sunduar hegjemonia e pakundërshtuar e filozofisë neo-liberale.
Sipas neo-liberalizmit fitimi është gjithçka pa marrë parasysh asnjë kriter moral ose rrezikimin e rezervave energjetike të planetit dhe çdo gjë përbën vetëm burmën e një mekanizmi kolosal të ekonomisë private të një lirie pa cak. Mua më ngjan, qofsha i gabuar, se tek politikanët tanë të djathtë e të majtë, konceptet neo-liberale janë trajtuar deri në skajshmëri në formën e një dogmatizmi provincial. Edhe në shkrimet e mia të mëparshme kam qenë skeptik ndaj përdorimit pa rregulla të PPP (Partneritet Privat Publik) dhe dhënies të koncesioneve si gjoja rruga e vetme e mbijtetesës ekonomike. Kjo tregon që kultura ekonomike në Shqipëri është ose diletante ose virtuale.
I rikthehemi përsëri problemit të madh të demokracisë shqiptare si një demokraci e brishtë dhe me shqetësime të paparashikueshme. Nuk besoj se demokracia është vetëm çështje votimi, ndonëse votimi është thelb i thelbeve.
A është mënyrë mekanike votimi elektronik një konceptualizim i ri dhe emancipim i demrokracisë në Shqiëpri?
A mund të bëhet temë qendrore forma teknologjike e votimit në vend të përmbajtjes së thellë të konceptit demokratik dhe të zgjedhjeve politike?
Nuk e besoj, ndaj mendimin se këto lojëra politike janë më tepër një zhurmë për të tërheuqr vëmendjen nga çështjet e mëdha teorike dhe praktike të demokracisë shqiptare.
Do të doja që elektorati i majtë i PS-së të njihej dhe të kishte një informacion edhe teorik për të kërkuar të vërtetën mbi demokracinë dhe jo thjesht fjalime politike të karakterit elektorale. Nuk mundet që një elektorat i majtë ose i djathtë, pra tërë populli shqiptar që voton të kthehet në subjekt të politikanizuar dhe të verbalizmit apo të ligjërimit të krerëve të partive. Duhet që njerëzit të mendojnë në mënyrë të lirë. Pa liri nuk mund të ketë demokraci. Nuk mundet, thotë filozofi Alain Finkelkraut, që “njeriu demokratik ta përfytyrojë veten si qenie të pavarur, si atom shoqëror, i ndarë nëjherë nga stërgjyshërit, bashkëkohësit dhe pasardhësit, që të shqetësohet para së gjithash për të përmbushur nevojat e veta private dhe të interesohet sa më pak për publiken… banalja ka arritur ta pushtojë kulturën. Padija sa vjen e rritet, sikurse njëkohësisht infantilizmi. Nuk është identiteti kulturor ai që e ndryshon individin brenda përkatësisë së tij politike. Është industria e argëtimit, spektaklit, krijesë e epokës së teknikës ajo që i katandis veprat e frymës në stoli kallpe (ose, siç thihet në Amerikë entertainment). Dhe jeta nëpërmjet mendimit ja lëshon vendin ballafaqimit të tmerrshëm dhe qesharak mes fanatikut politik dhe zombit”.
Jemi para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Disa nga idetë e trajtuara në Republikën e Ideve të filozofëve dhe politikologëve të demokracisë duhet që të qarkullonin dhe të përjetoheshin shumëfish edhe në Shqiëpri. Për fat të keq nuk ndodh një gjë e tillë.
Midis një opozite të shpërqendruar, të tezave foshnjarake të “qeverive teknike” ose për duele groteske midis pjesëtarve të një koalicioni qevërisës përgjithësisht në politikën shqiptare ka shumë paqartësi, shumë virtualizëm dhe “shkumë mediatike”. Po ndjek me kujdes zhvillimet që ka politika në Shqipëri por dhe kudo ku ka parti politike në rajon, të sinkronizuara me ndryshimet e papritura edhe të politikës në rrafsh evropian dhe botëror.
Shqipëria mund të ndeshet në 5 vjetët e ardhshëm me sfida që nuk mund t’i shkojnë njerëzve nëpër mend. Kurse politikanët tanë me dituri sipërfaqësore i japin rëndësi grimit dhe kostumologjisë të spektakleve të tyre të pafundme.
Do të na duheshin mendimtarë politikë, seriozë dhe të pavarur, atdhetarë dhe universalë për të mbushur me ide të vërteta, të patjetërsueshme atë që quajnë demokracia shqiptare, për të patur edhe një kauz si popull si qytetar, për të mos u hutuar në një marrëzi erazmike.
***
PARADOKSET E DEMOKRACISË
(Letër një të panjohuri)
I nderuar N.

Letrën tënde të çuditshme dhe të papritur, ku nuk kishin shënuar as adresën dhe as emrin – gjë që nuk më habiti aspak, e mora në një moment lodhjeje dhe përhumbjeje nga streset e pafundme të kohës, që jemi të detyruar (një fakt determinues i tmerrshëm!) të jetojmë. Të tëra rreshtat, që më kishe shkruar ishin në formën e pyetjeve, pra, të thirrjeve hulumtuese, të dilemave, të shqetësimeve të vetëkuptueshme dhe gati të pashërueshme. Të kuptoj fare mirë, po e kam të vështirë që të bëj shpjegime, sepse e di fort mirë që një e tillë është e pamundur deri në fund. Spjegimet janë një mënyrë të menduari. Po bota përbëhet nga një pluralitet mënyrash të tilla. Pikat themelore, që i depërtojnë ose i bashkojnë këto mënyra të menduari janë e vështirë të gjenden me saktësi dhe karakteri relativ i identifikimit konceptual është përherë një problematikë e hapur dhe jo një enklavë e mbyllur, si dhe as formulim i paracaktuar njëherë e përgjithmonë. Tepër modest për një ndërmarrje të tillë ambicioze dhe gati të parealizueshme unë prirem të shkruaj lirisht disa nga mendimet e mia, duke dashur të dialogoj me një njeri, që nuk e njoh, pra, me një të panjohur, i cili është njeri si unë, ose unë jam njeri siç jemi dhe juve dhe na afron e na bën të afërt për njëri-tjetrin lloji biologjik, sociologjik, më saktësisht ai antropologjik. Ju drejtohem juve duke nënkuptuar se në përcaktimin e përgjithshëm “i panjohur” ka një konvencionalitet të padiskutueshëm, që më tepër na bashkon sesa na ndan. Në këtë kuptim simbolik unë [po shkruaj një letër përgjigje me një adresë gjithashtu simbolike, po aq sa për veten, po aq edhe për ju.
1. Kërkoni të dini nëse shkenca apo mendimi njerëzor e ka një teori të saktë të demokracisë. Ka shumë teori, ose politikologji të ndryshme. Një kod të përbashkët për të tërë njerëzit dhe kombet nuk ka për këtë çështje.
Me termin teori unë kuptoj një shkencë të shoqërisë, që nuk merret vetëm me konceptin e demokracisë, po edhe me tërë format politike të institucionit të shtetit në shekuj. Nëse edhe koncepti i demokracisë shikohet në rrafshin e mirëfilltë politik vetvetiu është i kufizuar. Kështu politikologjia fare lehtë do shndërrohej në politikokraci, duke e konsideruar politikën gati gjithçka edhe qëllim edhe mhet të vetvetes. Po jeta e njeriut është shumë më e rëndësishme dhe më e madhe se sa politika. Unë me konceptin e demokracisë pajtohem ahere, kur shoqëria njerëzore ngrihet mbi politikën dhe jo politika mbi shoqërinë. E kam fjalën për shoqërinë e njerizuar, ku edhe njeriu është i shoqërizuar, ku zhvillimi i secilit përbën bazën e zhvillimit tët ë gjithëve dhe anasjelltas. Demokracia, që shpërthen lëvozhgën politike për të marrë atributet e saj antropologjike, etike, shkencore dhe natyrore të mirëfillta, duke hedhur tutje tjetërsimet e tmerrshme, është diçka tjetër, krejtësisht tjetër nga ajo e politikanëve të ditës.
2. Për demokracinë më shpesh kemi kuptime empirike, ose si pragmatizëm, ose si ëdër heliastike. Le të marrim demokracinë antike. Arostoteli ka folur gjerë e gjatë or të, po kjo demokraci e sistemit skllavopronar ishte e tëra një paradoks. Sepse, siç e thotë dhe vetë Aristoteli, në radhën e njerëzve të lirë të kësaj demokracie ishin të përjashtuar “skllevërit dhe gratë”. Ostrakizmi qe një degradim i kësaj demokracie, e cila mohonte homogjenizimin njerëzor të shoqërisë. Republikanizimi i demokracisë antike (qyteti polis) ngrihej dhe jetonte mbi parimin e kundërt: të skllavërisë të njeriut nga njeriu. Pra liria ishte nj formë e skllavërisë. Kjo shpjegon pse republikanizmi romak u shndërrua në autokratizëm perandorak dhe pse në fundin e perandorisë romake krishterimi i hershëm ishte një lloj republikanizmi dhe demokracie fetare, duke ngritur tezën e barazisë formale.
Po ishte pikërisht krishterimi, që u sinkronizua deri në feudalizmin teokratik dhe në totalitarizmin e kishës-shtet, kurse protestantizmi dhe kalvinizmi ishin gjithashtu lloje republikanizmi qytetare, ndonëse me veshje e ornamente fetare, deri në Revolucionin Francez, që krijoi nocionin e qytetarit dhe barazisë formale juridike, duke bërë që botëkuptimi juridik të bëhet bazë e teorive të demokracisë borgjeze.
3. Demokracia paraqitet gjithmonë në formën e republikanizmit. Republikanizmi është atribut i saj.
Po republikanizmi nuk është një gjë e mjaftueshme për të gjithë e gjithçka. Forma mund të mos përputhet me përmbajtjen. Shpesh karakteri republikan formal nuk pengon aspak instalimin e regjimit politik totalitar. Skpserimentet e totalitarizmit janë një nga përvojat më të hidhura dhe katastrofale të shek.XX. Është vendi të theksoj këtu se komunizmi u paraqit si një kryeideal dhe një projekt universal dhe tërheqës humanizmi total për më shumë se gjysmën e planetit. Po në vend të humanzimit total u konstruktua shteti total, u bë etatizmi i krejt shoqërisë dhe për anologji me kishën-shtet u lartësua partia-shteti u bë një fetarizim ideologjik i pashembullt, si dhe një centralizim ekonomik që në kushtet e bipolarizmit qe një dështim i ngadaltë, po i pashmangshëm. Ky është një mësim i madh reflektimi. Koncepti i shtetit totalitar komunist ra në radhë të parë si nj tjetërsim i humanzimit, që pretendonte idealist. Shndërrimet demokratike krijuan situatat e ndërlikuara dhe komplekse të postkomunizmit, përvojë kontradiktore kjo, për herën e parë në historinë e njerëzimit. Demokracia e tranzicioni është e brishtë dhe gjithashtu kontradiktore.
4. Karakteri kontradiktor paraqitet si demokraci paradoksale, ose paradoks i vetëquajtur demokratik. Shqipëria për shumë arsye është një shembull i qartë kundërthëniesh dhe absurditetesh shpesh të skajshëm.
Pluralizmi dhe shkatërrimi i monopolit të nj partie në politikë. Kjo do të thotë se për demokracinë pluraliste janë më të rëndësishme ndërtimet e institucioneve demokratike, se sa lëvizja ciklike, ose alternativa e partive të ndryshme në pushtet. Kështu në një shoqëri vërtetë demokratike krijohet një kod vlerësimi ndaj institucioneve dhe jo thjesht një kod ndaj partive dhe individëve që vijnë në pushtet.kjo gjë nuk është kuptuar fare në Shqipëri, ose është kuptuar përciptas. Kështu shpjegohet që PD fetishizon veten si mazhorancë parlamentare, ose si “fitimtare” e ligjshme e krejt shoqërisë. Për rrjedhim institucioni i parlamentit dhe ai i presidentit janë personalizuar në një mënyrë të pabesueshme, sipas një koncepti primitiv ballkanik patriarkal. Kriza e institucionalizimt është e prekshme dhe pavarësia e pushteteve kthehet në një slogan, njësoj si funksioni i masmedias shtetërore e partiake, gati e tëra në funksion të Njëshit të shtetit, që identifikon te vetja tërë të vërtetën, pa asnjë dyshim, ose alternativë tjetër, tërë pushtetet, duke bërë që qytetarët të klasifikohen sipas kodit të vlerësimit ndaj tij dhe jo sipas lirisë kushtetuese të bindjeve vetiake. Normat demokratike parakuptojnë faktin substancial se partia në pushtet, qeveria, nuk janë kurrë në pozicionin e një fitimtari total, po të një përfaqësimi të përkohshëm të shoqërisë deri në zgjedhjet e reja. Shteti postkomunist nuk duhet të spastrohet në bazë të një pluralizmi partiak, sepse kështu ai bëhet një shtet vetëm i një elektorati dhe ndarja në “ne” dhe “ata” çon në konfliktm ose segregacion, në një dualizëm absurd. Kriza e shtetit me shoqërinë përvojohet si një paradoks i rëndë dhe sindromë e dështimit e shtetit.
5. Nëse në mendimin e përparuar demokratik shoqëria civile konsiderohet si parësore ndaj shtetit, në fakt që të dy këto dimensione duhet të jenë në lidhje organike. Emancipimi (shkalla, niveli) i shoqërisë civile influencon natyrën e shtetit dhe sjelljen e tij. Autonomia dhe respektimi i shOqërisë civile kërkon që shteti të mos cenojë, të mos përdhunojë, por të ushtrojë një shkallë të lartë vetëkufizimi, në fakt të tërhiqet progresivisht nga fusha të ndryshme, ku shoqëria civile mund të bëhet e aftë për ta zëvendësuar. Qeveritë që autosugjestionohen si pushtet i palëkundshëm, që s’duan t’ja dinë për asgjë, në fakt janë të përkohshme. Ato shtyhen drejt veprimeve superpolitike dhe ekstrapolitike, duke e konsideruar opozitën jo si partneritet, por si shprehje e një komploti armiqësor të pandreqshëm dhe të përjtshëm. Demokracia nuk e pranon konceptin deferencues të “fitimtarit” dhe të “mundurit”.
Opozita si një thelb i madh i shoqërisë civile është rrafshi i opinioneve pa pushtet, po që legjitimon përherë të drejtën e diskutimit të legjitimitetit të shtetit, që është rrafshi i pushtetit pa opinione. Nëse shteti i kundërvihet shoqërisë civile përmbyset formula e “omnis protesta a populo” (“çdo pushtet rrjedh nga populli”) dhe pushteti i popullit kthehet në pushtet mbi popullin. Përdorimi i sloganeve demokratike nga demoagogët dhe despotët, siç e ka vënë në dukje Tokëvili, nuk vërteton të vërtetën demokratike, se sa gënjeshtrën publike dhe mafien informative nga sipër për shtetasit.
Është e vërtetë thënia e njohur e Alenit se “idetë i kemi mbi syzet” dhe se demokracinë në Shqipëri e shikojnë sipas syzeve të ndryshme pushtetarët dhe opozita. Domosdoshmëria e kriticizmit konstruktiv është një fuqi morale dhe intelektuale e pazëvendësushme, që kërkon guximin qytetar, profesionalizëm dhe intelektuale të vërtetë. Në të kundërt populizmi u lumpenizon luftën politike e kthen nga luftë ndaj ideve në luftë ndaj njerëzve. Shembulli i dënimit të Drajfusit dhe Fatos Nanos është ceç të tjerave një simbol konceptual i moskuptimit dhe manipulimit të normave të demokracisë së emancipuar,
Së fusni, sipas pozitivizmit juridik bërja e ligjeve të mira bën edhe një shoqëri të mirë. Kjo është relative dhe mund të thuhet se një shoqëri e mirë është më e rëndësishme se sa vetë ligjet e saj. Pozitivizmi juridik nuk ka mundur ët shmangë deri tani plagët e papunësisë, drogës, mafias, sepse njeriu është mes Skillës së ligjit dhe Karidbës së manipulimit dhe të forcës së antiligjit. Kjo është dhe enigma e sfinksit të demokracisë së sotme më të përparuar europerëndimore dhe amerikane. Kjo do të thotë se alternativa të reja demokratike do ta përsosin shoqërinë, që paradokset e demokracisë mos t’i faturohen mekanikisht të ardhmes.

MOIKOM ZEQO, DURRËS 1993

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura