DR.MOIKOM ZEQO: DOMOSDOSHMËRIA JETIKE E EMANCIPIMIT TË POLITIKËS

Tiranë, 8 qershor 2017: Kërkimi i së vërtetës u përket intelektualëve që nuk nënshtrohen nga zallamahia e gjëmshme e opinioneve, e përpunimeve mendore, e shpëlarjes së truve, për të krijuar një status të një mendje të klonuar sipas thënieve të ashtuquajtura ligjërime politike të krerëve të partive.
***
1. Jam shprehur disa herë, me përkulje dhe sinqerisht, se procesi i të shkruarit për politikën shqiptare, si subjekt dhe objekt, të sinkronizuar, më shkakton një trishtim dhe dhimbje të vijueshme.
E njoh këtë politikë në harkun kohor të 27 viteve, duke qenë dëshmitar okular, por dhe aktor politik, si një ish ministër i Kulturës, apo dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1992-1996.
Sipas një parimi terminologjik opinionistët, por dhe të vetëquajturit politikologë e kanë quajtur fundin e shtetit monist, të centralizmit dhe të ideologjisë së vetme si një zhvillim të ri historik. Por këto 27 vite s’di pse është shpërdoruar termi konvencional i Tranzicionit Politik. Një periudhë tejet e tejzgjatur, plot paradokse me monotoni të mërzitshme, plot marrëzi të frikshme të politikës, pra është tejkaluar masa kohore e çerekut të një shekulli, fundi i mijëvjeçarit të dytë kulmoi me krizën e katrahurshme të piramidave në vitin 1997, me grushtin grotesk dhe fantazmagorik të shtetit të vitit 1998, për të hyrë në dekadën e parë të mijëvjeçarit të tretë, për të qenë dhe për 3 vjet të tjera brenda dekadës së dytë, pa kuptuar në thelb, pa dokumentuar arsye të mëdha për moskuptime të mëdha të procesit politik shqiptar. Për hir të shkencëzimit të termit e kam quajtur klasën politike shqiptare si klasë parapolitike.
Tashmë historia i njeh personazhet e hipertrofizuar të politikës shqiptare. Thjesht si njeri i letrave, që kërkon liri, që bën pyetjen jetike dhe drithëruese “pse”, që nuk kam konflikt interesi me askënd në politikë, edhe për shkak të moshës së pensionit, nuk mund të rri indiferent dhe të bëj të paditurin, duke menduar se kriticizmi logjik është një formë e zhvillimit.
E urrej për vdekje servilizmin në të gjitha format, por sidomos servilizmin në politikë. Për arsye të argumentuara se një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë janë klientelistë, se opinionbërësit dhe prestigjiatorët e mediave në print, online dhe në elektronik HD, nuk e kanë kërkuar të vërtetën, por e kanë kamufluar, e kanë mitizuar, mendoj se njeriu me mendje të lirë (open mind) duhet ta thotë të vërtetën. Viti 2017 është një nyje kohore për të bërë reflektime të thella. Institucionet kryesore të politikës që janë partitë në Shqipëri, kurrë nuk bëjnë analiza.
Kurrë nuk e kritikojnë vetveten. Kurrë nuk ngrihen mbi gabimet, duke mos i njohur ato.
Pra kërkimi i së vërtetës u përket intelektualëve që nuk nënshtrohen nga zallamahia e gjëmshme e opinioneve, e përpunimeve mendore, e shpëlarjes së truve, për të krijuar një status të një mendje të klonuar sipas thënieve të ashtuquajtura ligjërime politike të krerëve të partive.
Po viti 2017 me zgjedhjet e përgjithshme politike në 25 qershor vetvetiu e shtyn njeriun shqiptar të mendojë. Për të kapërcyer tabunë e neveritshme se vetëm politikanët mendojnë, ose kanë të drejtën supreme të mendimit, pra elektoratet vetëm të heshtin, personalitetet e kulturës vetëm të strucizohen. I kam ndjekur tërë fushatat elektorale për zgjedhjet e përgjithshme politike në Shqipëri, përveç mungesave, teprive, dukurive të egra provinciale, të dhunës mendore, të vjedhjes së votës etj., këto fushata kanë qenë fushata logjike për zgjedhjet e përgjithshme politike.
Por fushata e vitit 2017 është larg të qenit fushatë logjike. Është hera e parë që në Shqipëri dhe në politikën shqiptare Qeverisja është Trinitare, d.m.th në qeverisje me kabinetet më të rëndësishëm, më substancialë si Ministria e Brendshme, Ministria e Financave etj., është PD-ja në disa ministri më konvencionale LSI-ja dhe vetëm Kryeministri është i PS-së. Është një ngjarje kaq e çuditshme sa mund të duket dhe si e pabesueshme.
Tre partitë kryesore, historikisht zotëruese të politikës, PD, PS dhe LSI janë në një qeverisje të përbashkët, pavarësisht afatit jo shumë të gjatë kohor.
Duket sikur janë përmbysur të gjitha nocionet kushtetuese dhe konkluzionet që dalin nga matematika votive e zgjedhjeve të përgjithshme politike. Në 2013, me 1 milion vota kundër PD-së PS dhe LSI bënë qeverisjen e tyre dualiste. Kjo qeverisje kish karakter mandator prej 4 vjetësh. Mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë ishte kaq e madhe sa qe mazhoranca më e madhe në të gjithë parlamentet e Europës. Pra pa një shëmbëlltyrë të dytë.
Për fat të keq kjo mazhorancë nuk u vu në funksionim për të bërë shndërrime të mëdha konceptuale të progresit politik. Kjo dhe për një arsye se mazhoranca konsiderohet si një koleksion deputetësh, por jo personalitetesh, gjithmonë lihet në hije nga figurat e kryetarëve të partive qeverisëse. Kryetarët janë gjithçka.
Kjo e bëri legjislacionin shqiptar, tejet të brishtë dhe formal.
Kam shkruar me bindje se marrëveshja e 19 majit ka tejkaluar proregativat e një marrëveshje që bëjnë politikanët e ndërgjegjshëm për të kapërcyer një krizë, madje dhe duke sakrifikuar. Paketa e propozuar nga ndërkombëtarët përmendte zëvendëskryeministra dhe drejtorë drejtorish për t’iu dhënë opozitës si garanci. Brenda natës u tejkalua në forma ministrash, madje opozita mori 7 ministritë më të rëndësishme. Në emër të kujt logjike kushtetuese? Pse duhej ky skajëzim kaq i beftë dhe virtual?
Nuk ka ndodhur kurrë që opozita të jetë në qeverisje duke patur statusin e humbësit të zgjedhjeve të vitit 2013. Nuk ka ndodhur kurrë që partitë qeverisëse të qeverisin bashkë me opozitën dhe njëkohësisht të shkojnë drejt zgjedhjeve të përgjithshme politike për të partizuar dhe kryetarizuar votat e elektorateve. Natyrisht premisat apriori apo dhe posteriori të marrëveshjes së 19 majit do të bëhen transparente një ditë. Por konkretisht ne po përjetojmë kulmin e një fushate ku të tre partitë kryesore të së njejtës qeverisje, kërkojnë më vete, me asnjë lloj tolerance apo dhe mirëkuptimi për të fituar zgjedhjet. Është hera e parë që PS ngulmon për të fituar zgjedhjet me më shumë se 71 vota. Numri 71 në Kuvend është bërë numri i artë i alkimisë politike. Është bërë enigma dhe makthi i Ramës. Basha kërkon jo më shumë dhe as më pak që të ndërtojë si një proces kimik me zhvillim të pakufizuar atë që e mbiquan me një metaforë utopike, apo sipas një besimi lunatik si Republika e Re. LSI me Petrit Vasilin kërkon postin e kryeministrit. Është pikërisht çoroditja që buron nga marrëveshja e 19 majit që ka ndryshuar dhe ligjërimet politike të kryetarëve të partive.
Deri para marrëveshjes së 19 majit Rama flet me terma, nojma, hamendje të një Triumfalizmi Total. Tashmë fushata e Ramës ka nota krejt negativiste, madje dhe agresive ndaj qeverisjes mandatore 4 vjeçare me LSI-në. Artikulimi i tij i thjeshtëzuar deri në kufijtë e mediokritetit është ai i shëmbylltyrës së shoferit që e do vetëm timonin e pushtetit pa patur të tjerë në prehër. Shumë e çuditshme kjo parabola e shoferit karizmatik, që s’ka asnjë lloj lidhje me qeverisjen. Me këtë thënie Rama del kundër idesë racionale dhe funksionuese të koalicioneve politike në qeverisjet e shteteve të mëdha evropiane.
A nuk kemi në Gjermani me në krye kancelarin Merkel një qeverisje të respektimit të parametrave të një koalicioni, prej gati 10 vjetësh? Nuk e kemi dëgjuar kurrë Merkelin të përdorë metaforën e një shofereje, me duart e vetme në timon, pa patur të tjerë në prehër. Të gjitha qeveritë në Europë bazohen mbi koalicionet.
Rama duhet ta dijë se të paktën mbas vitit ’90 forma e pluripartizmit ka çuar detyrimisht tek qeverisjet me koalicione. Absolutisht është një dukuri që vazhdon dhe sot dhe do vazhdojë në të ardhmen. Po pse kryeministrat europianë nuk e kanë përdorur kurrë metaforën e shoferit?
Së pari një kryeministër nuk është një shofer. Ta krahasosh një kryeministër me një shofer do të thotë të banalizosh nocionet.
Së dyti, qeverisja, pavarësisht ministrave që përfaqësojnë parti të ndryshme politike bazohet në respektimin e kritereve kushtetuese të qeverisjes. Këtë subjekt e ka trajtuar shkëlqyeshëm dhe në mënyrë shteruese politologu i madh Max Weber. Madje është Weber-i i cili ka treguar se si kushtetuta rregullon jo vetëm marrëdhëniet midis partive, por që bën të mundur krijimin e një administrate me kritere profesionale, përtej kritereve të posteve politike dhe që me të drejtë në sociologjinë e politikës quhet si “administrata veberiane”. Nuk duhet harruar ndërkaq se Kushtetuta është e ndërtuar mbi idenë e pluripartizmit, madje të ballafaqimit dhe të ekuilibrimit të pushteteve. Kjo ide novatore e artikuluar nga një gjeni i madh si Monteskje shpreh faktin se pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv, pushteti gjyqësor dhe pushteti mediatik nuk mund të jenë të identifikueshëm me njëri-tjetrin, por përkundrazi vënia e kompetencave sipas parimit minimalist dhe kufizimi i kompetencave kryesisht të ekzekutivit përbën kushtin paraprak dhe substancial të zhvillimit normal dhe të ekuilibruar të këtyre pushteteve të një demokracie të vërtetë për të parandaluar ekseset, deliret e pushtetit, manipulimet e hipertrofizuara, për të shmangur kultin e çdo individi si dhe për të respektuar kushtetutshmërinë e përkohshme të mandateve (kujtoni që Kushtetuta Amerikane ja ndalon dhe presidentit më të suksesshëm të vazhdojë më shumë se dy mandate-dhe ky kufizim është një mrekulli e madhe e demokracisë), për të shmangur qesharakësinë dhe fodullëkun e roleve mesianike në politikë dhe në histori.
Në ligjërimet e pafundme politike të Ramës, për fat të keq ai flet tepër gjatë dhe me fjali të ndërthurura lidhore, ai është ankuar me ashpërsi të madhe sidomos kundër kastës kriminale të gjyqësorit, kazanit të magjive të magjistricave të Shekspirit, të mediave, për katundin mediatik, për kundërshtarët e tij që nuk vlejnë për asgjë.
Ajo që më bën përshtypje rëndë në këto ditë që po përjetojmë fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme politike të 2017 është fakti se mbaroi një epokë apo një praktikë e fushatëbërjeve të tilla të ngjashme dhe ka ardhur përfundimisht një epokë e re, ku programet, kriticizmi, premtimet janë shndruar në një përleshje propagandash. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë propagandë. Asnjëherë nuk ka qenë kaq kokturbulluese, kaq e papërmbajtur dhe kaq e paturpshme propaganda dhe lufta midis partive të cilat nga statusi sinkretik i bashkëqeverisjes shpallin se janë armike për vdekje të njëra-tjetrës.
Kujtoni fushatën elektorale të vitit 2013.
Unë kam qenë tepër aktiv me shkrimet e mia në gazetën Dita në 2013. Rama dukej se e kishte një kauzë: të shembte përfundimisht regjimin berishian .
Qenë kohët më të vrullshme të PS-së. Dhe dihet historia e 1 milion votave kundër Sali Berishës i cili sot me qetësinë më të madhe dhe gati me një dhunti filozofike e miraton dhe nuk e kundërshton fare marrëveshjen e 19 majit.
A ka të drejtë PS të kërkojë 71 vota? Po ka të drejtë! Po në 2013-ën PS nuk e arriti numrin e 71 votave. Në 2013-ën PS mundi të krijojë qeverisjen vetëm në koalicion me LSI-në. A duhet harruar kjo gjë? Po dhe nëse harrohet kujt i hyn në punë se një e vërtetë e tillë edhe mund të harrohet? Në 2013 PS kish një motivim kombëtar të politikës, pra kish një shpresë të ndryshimit. Në 2017 PS ëndërron, madje pa asnjë lloj krenarie sfiduese Rama lutet për numrin 71 por pa bërë llogaritë e pashmangshme.
***
2. Edi Rama hyri në poltiikë në 1997. Në 2017 ai mbush plot 20 vjet si politikan kryesor.
Pothuaj një rekord. Asnjë nga politikanët nuk e ka këtë rekord, as Berisha, as Fatos Nano, as Ilir Meta. Rama është njeriu në pushtet më gjatë nga të gjithë.
Jo një politikan i periferisë, po një politikan i pushtetit dhe i financimeve tejet të mëdha.
Ai e ka prezantuar veten si një politikan sui generis. Pa ja kërkuar kush ka deklaruar shpesh se “s’jam politikan”. Askush si Rama nuk i ka dhënë rëndësi spektaklit dhe garderobës. Rutinor dhe ekstravagant, Rama ka qenë më i toleruari, pra dhe më i pranuari nga publiku dhe elektorati i majtë i Shqipërisë. Ai ndryshon pa pyetur askënd logon e PS-së, ngjyrën rozë e bën ngjyrë mavi, madje logon e kësaj fushate e bën me dy gishtat e PD-së dhe trëndafilin e PS-së. Kurrë, megjithëse jam treguar shumë i hapur dhe shumë vizual, nuk e kam kuptuar pse Rama i bën këto gjëra.
Ajo që është një e vërtetë shkencore është se PS-ja e vjetër nuk është më. Përfundimisht nuk ekziston më. PS-ja është partia e Edi Ramës. Një personalizim dhe zëvendësim të imazhit të PS-së me imazhin e tij vetiak. Votimi është një formë e legjitimitetit. Por Rama rrezikon. Rama nuk mëton të krijojë raporte virtuale midis vulgaritetit dhe pushtetit, apo të shpalosë një përpikmëri të rreme të së vërtetës. Kujdesi pothuajse kleritar i kultit të kryetarit para dishepujve, por dhe përballë kundërshtarëve është pa një të dytë një këtë tranzicionin e nëmur të politikës shqiptare.
Pasojë e kësaj është një çrregullim i papërmbajtshëm i kuptimeve, apo dhe daltonizëm politik. Shpesh nocionet e politikës klasike në Shqipëri ngjajnë në imazh si sahatet e lëngëzuar të Salvator Dalisë, apo Kështjella në Pirene e Rene Magrittit.
Politika konceptohet dhe shumëfishohet tashmë si pikturë me puzzle.
Askush sa Rama nuk ka mbijetuar kaq gjatë në politikë, madje as politikanët europianë. Më thoni ju lutem një shembull të dytë të një politikani që të ketë 20 vjet në pushtet.
Askush nuk mund ta thotë dot këtë gjë. Por mua nuk më intereson aspak fati vetiak i Edi Ramës. Ai e ka krijuar vetë këtë fat. Por më shqetëson fati i demokracisë në Shqipëri. Por edhe fati i së majtës në Shqipëri.
A ka më të majtë në Shqipëri? Cila është kjo e majtë? Ç’është identiteti i kësaj të majte? Si dallon e majta nga e djathta?
Pse e majta social-demokrate në Europë këto 20 vjet ka pësuar një disfatë kolosale?
Shikoni partinë socialiste në Francë. Në Spanjë apo në Itali. Apo Pasokun në Greqi. Ishin parti shumë të mëdha.
Me elektorate shumë të mëdha. Partia Socialiste e Francës me përqafimin programor të neoliberalizmit, apo të ashtuquajturit PPP (Partneriteti Privat Publik) katandisi keq e më keq. Partia Socialiste e Italisë u shndërrua në Parti Demokratike të së Majtës. Pra ndryshoi dhe emrin dhe logon dhe gjithçka. Kriza e institucionit të partive është shumë e madhe dhe e rëndë në Europë. Kjo krizë u reflektuar në Itali me lëvizjen e 5 yjeve të Grillos kundër establishmentit të vjetër politik të partive të mëdha. Kundër establishmentit të partive tradicionale të politikës në Greqi reagoi tërë populli dhe rinia greke.
Në Shqipëri establishmenti i partive tradicionale është akoma i fortë.
Por për çudi një pjesëmarrës i establishmentit të vjetër ,disa herë ministër i establishmentit të vjetër Lul Basha në ligjërimin e tij politik flet për Republikën e Re. Pra flet për një EXELSIOR!
A është e drejtë kritika kundër establishmentit të vjetër? Tashmë të gjithë janë të bindur se establishmenti i vjetër në vitin 2017 shfaq krizën, dekadencën dhe humbjen e substancës së institucioneve partiake që për 27 vjet stimuluan një korrupsion të llahtarshëm në Shqipëri, krijuan një koleksion figurash të klonuara si deputetë, si ministra, shmangën personalitetet e kulturës, e shndërruan politikën e një vendi të varfër dhe me halle të shumta thjesht në një spektakël cinik larg çdo humanizmi dhe ndjeshmërie njerëzore.
Të vetmet Dilucida intervalla – Momente të ndritshme, të politikës të këtyre 27 viteve, janë futja në NATO, liberalizimi i vizave dhe së fundi Vettingu. Të tre këto arritje madhore janë bërë nën diktatin dhe presionin e madh të partnerëve ndërkombëtarë. Pra nuk janë meritë ekskluzive e pjekurisë, maturisë dhe e vizionit të klasës politike shqiptare.
Asnjëri nga ne nuk mund të parashikojë saktë se a do të kemi një Big Brother, pra a do kapërcehet rubikoni i frikshëm i 71 votave nga një parti e vetme në 2017.
Përtej kësaj metafore uruvelliane, mendoj, me qetësi dhe në mënyrë modeste, se PS, as PD dhe as LSI nuk mund të qeverisin pa lëvizuar mekanizmi i koalicioneve dhe i aleancave.
Ndoshta jam i gabuar, por nuk do doja të kishim si pasojë e një politike të deformuar krijimin e një Shefi, të një Vozhdi.
***
3. Dhe një pikë inkandeshente e kreticizmit lidhet me të tre partitë porsa i përket kuptimit që kanë ato dhe reflektojnë për rininë, apo për femrën.
Historiani i madh i shek.XX Eric Hobsbaun në librin e tij “Epoka e ekstremiteteve” në një kapitull ndalet shumë për lëvizjen e rinisë dhe të femrës në vitet 1967-1968. Kryesisht në Francë, në Itali por dhe në SHBA. Analiza që i bën lëvizjeve ky historian i pashembullt është e saktë. Rinia dhe lëvizja e femrës për emancipim ishin kundër ndikimeve zotëruese të partive, pra ishin kundër partive politike, kundër liderëve politikë, kundër establishmentit politik të kohës. Kjo qe një lëvizje e madhe e botës përparimtare që ndikoi shumë në ndryshimin e disa koncepteve rutinore të politikë evropiane. Pra rinia si forcë kolosale e çdo populli, por dhe femra, janë kundër partikracive, kundër politikave manipuluese, janë për lirinë, për lirinë e vërtetë, kundër pushtetit dhe shtypjes, kundër liderëve demagogë. Të trishton por dhe të tmerron ideja se kryetarët e partive tona i drejtohen rinisë dhe femrës shqiptare në përgjithësi si dikur PPSH për të “fuqizuar” rrymat e transmesionit të organizatës militante të rinisë ,apo të organizatës së gruas.
Shikoni ç’mendësi retrograde, e prapambetur që na çon në vitet e monismit politik dhe ideologjik. Do ta mendoja rininë dhe femrën shqiptare, dhe nuk gaboj kur them si identitete të lira, të vetmet identitete emancipuese, të pabindura, reale, të panënshtruara ndaj së keqes, ndaj politikokracisë, ndaj gënjeshtrës sociale.
Është kjo arsyeja që mendimtari i madh amerikan George Steiner kur flet për politikën, nuk bëhet fjalë për politikën në Shqipëri, por dhe në botë, si një kitch politikë. Sa do ta durojmë ne shqiptarët që jemi përherë të vonuar edhe në rrafshin e demokracisë këtë kitch politik?
***
4. Në 26 maj mbylli sytë mendimtari politik më i madh i Amerikës Zbigniew Brzezhinski.
Asnjë artikull nuk u shkrua në shtypin shqiptar për këtë “thinker” i cili ka luajtur një rol të madh në kriticizmin dhe emancipimin e politikës botërore, por në substancë edhe të vetë politikës amerikane. Libri i tij i famshëm “THREE PRESIDENTS AND THE CRISIS OF AMERICAN SUPERPOWER” është përkthyer dhe në gjuhën shqipe. Unë kam botuar dy artikuj për këtë libër për shtypin shqiptar.
Kam patur dhe një arsye personale. Në 1996-1997 unë kam jetuar për një vit në Washington D.C. Në bibliotekën të Dombartom Oaks-it unë lexoja pa pushim, kam menduar shpesh edhe për Berzhinskin. Kisha me vete revistën “Sot” ku si pjesëtar i redaksisë ndikova për botimin e një fragmenti të gjatë të librit “Rënia e komunizmit” të Brezhinskit.
Për ata që nuk e dinë dua të them se revista “Sot” e një formati të madh, qe revista kryesore politike e Partisë Socialiste në vitin 1991-1992.
Gjatë kohës që isha në Washington D.C. vendosa ta takoj Brzezhinskin. Mbasi e gjeta adresën e zyrës së tij, pasi thashë identitetin tim se kisha qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe ish-ministër i Kulturës, prita pak dhe u ngjita tek zyra e tij.
Ai më priti thjesht, qetë dhe plot shprehje humori. Unë i zgjata revistën “Sot” dhe i thashë qe kemi botuar një fragment të librit të tij.
Të doli profecia, i thashë. Po, tha, përveç Kinës.
Kanë kaluar 20 vjet që nga ai takim i shkurtër, por kuptimplotë. Ndoshta nj ditë do të shkruaj përshtypjet e mia nga ai takim. Por ajo që është e rëndësishme për ta nderuar këtë mendimtar të madh, është mënyra si ai në mënyrë kriticiste kritikon politikat e gabuara të presidentëve amerikanë. Libri i tij i cili është mbiquajtur dhe si Shansi i Dytë i Amerikës, është një vlerësim i paanshëm, pa asnjë klientelizëm dhe që nuk kursen askënd nga tre presidentët, Bushin, Klintonin dhe Bushin Junior. Flet për përgjegjësitë e liderit botëror dhe nënvizon se kjo përmbushje është ndikuar shumë prej stileve personale të secilit prej tyre.
Zbignew Brzezhinski, komentuesi më i shquar i Amerikës për çështjet e jashtme nuk ngurron të nxjerrë përfundimin se Shtete e Bashkuara edhe kanë çuar dëm një sasi të madhe fuqie dhe prestigji. Asnjë president nuk i shpëton kritikës së Brzezhinskit, nonëse fajin nuk e ndan ndër ata në mënyrë të njëjtë. Brzezhinski e mbyll librin e vetë duke e këshilluar Amerikën se si ajo mund të fitojë staturën e vetë botërore në erën e sotme të ndërlikuar të zgjimit politik botëror.
Duke rilexuar sërish këtë libër vura re një aktualitet të paparë. Mendova: kush ja jep fuqinë këtij mendimtari politik që të mos ketë asnjë kompleks, asnjë lloj klientelizmi edhe ndaj presidentëve të Amerikës? Këtë fuqi mendore e jep dhe Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Amerikës ,që thotë se askush nuk mund të dënohet për mendimet e tij politike apo bindjet fetare. Por më kryesorja është se ky mendimtar i jashtëzakonshëm në politikë bazohej te arritjet shkencore dhe një kulturë e pashembullt dhe e jashtëzakonshme politike, kombëtare dhe globale.
Natyrisht në Shqipëri mungojnë mendje të tilla të ndritura. Ne ende galvanizojmë vetveten në provincionalizmin tonë politik, në dituritë sipërfaqësore, në inatet dhe instinktet ballkanike, në urrejtjet kanunore.
Por kurrë nuk mund të bie në humnerën e një dëshpërimi dhe të them se njeriu shqiptar është i destinuar për të thënë vetëm Amen, se statusi i mercenarit, qenka gjoja statusi universal i shqiptarëve në histori.
E hedh me përbuzje tej këtë ide të mbrapshtë.
Dixi et salvavi amimam meam – Fola dhe shpëtova shpirtin tim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura