Tiranë, 27 qershor 2017: Dua t’i rikthehem një përfytyrimi: Eqrem Çabej, një djalosh 21 vjeçar në një nga mjediset e qytetit austriak të Grazit, mbase në dhomën e tij të studentit, mbase në ndonjë kafene, apo në bibliotekën universitare, që pikërisht në datën 4 nëntor 1929 e shkruan një shkrim studimor, që përmban një zbulim të çuditshëm: një përkthim të hershëm të poetit të madh De Rada në arbërishten, në dialektin e Makias. Zbulimi në fjalë është parashënuar në veprën e Marchianos, një studiues vizionar, gati i papërsëritshëm i veprës deradiane.
Eqrem Çabeji në strukturën filologjike të gjuhës shqipe e ka njohur dhe e ka konsultuar koleksionin e ndritshëm të poemave të De Radës, ka çmuar jo vetëm substancën, por dhe atributet e imagjinatës dhe mjeshtërinë e ndërlikuar të pikturimeve me anë të fjalëve.
Për Eqrem Çabejin De Rada është një shpirt pavdekëtar. Por zëri legjendar i De Radës, për shumë arsye, të pafundme, të rastit apo të fatalitetit historik ende është “një zë në shkretëtirë”, domethënë sipas vargut biblik një “vox clamantis in deserto”.
Dorëshkrimi i Eqrem Çabejit i 4 nëntorit 1929 ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit F. 295, d. 124, viti 1929.
Ka gjasa që Çabeji nuk e ka botuar kurrë këtë shkrim. Pra kemi të bëjmë me një motiv origjinal të vetë arkivit të dijetarit tonë.
Në vitin 1875, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Giovanni Boccaccio-s, shkrimtari dhe dijetari Giovanni Papanti botoi një antologji të habitshme, që përfshinte 700 përkthime në gjuhë të huaja, si dhe në dialektet e ndryshme të Italisë, të Novelës IX të ditës së parë prej kryeveprës së Dekameronit.
Në këtë Antologji është përfshirë edhe përkthimi që i ka bërë De Rada, në këtë rast kremtor, novelës në fjalë. Kjo përbën një subjekt studimor të shumëfishtë.
Ndërkohë nuk duhet harruar se në vitin 1892, me rastin e 400 vjetorit të shkuarjes së Kristofor Kolombit drejt Botës së Re, d.m.th kontinentit amerikan, De Rada merr pjesë në një poezi të tij në arbërisht kushtuar këtij lundrimtari të madh, në një antologji ku ishin përfshirë tërë gjuhët evropiane si dhe gjuhë të tjera të kontinenteve për nder të Kristofor Kolombit.
Vini re: De Rada është i lidhur me ngjarjet e mëdha kulturore të Europës. Në 1875 ai merr pjesë në antologjinë për Boccaccio, në 1982 në antologjinë për Kristofor Kolombin.
Pra dy veprimtari vlerësuese, përfaqësuese për dy gjeni të mëdhenj të Europës.
Kjo tregon që De Rada jo vetëm që kishte lidhje të shumta me shkrimtarët dhe dijetarët e mëdhenj evropiane, por dhe merrte pjesë në përurimet e veprave kolektive, që paraqiteshin si përmendore dhe përkushtimi ndaj emrave të paharruar.
Disa fjalë për shkrimtarin e pashembullt Givanni Boccaccio – Bokaçios. E kam parë shpesh figurën e tij në albumet me piktura, sipas afreskut të bërë nga Andre del Kostanjos, ku Bokaçio paraqitet në këmbë dhe me libër në dorë.
Nderimi për Bokaçion është gati një apoteozë e përbotshme.
I kam parë librat e studiuesit të madh Vittore Branca (1913-2004). Branca ka qenë Presidenti i Institutit të Shkencave dhe Artit të Venedikut, ai gjithë jetën shkroi studime të pafundme, por dhe substanciale për Bokaçion.
Vittore Branca më ka plotësuar arsyetimin tim dhe nuk më ka befasuar aspak konkluzioni i tij i jetës, që e quan Bokaçion ,pa një të dytë, jo vetëm prozatorin më të madh të shekullit XIV, por prozatorin më të madh evropian dhe botëror të të gjitha kohërave.
Sipas këtij studiuesi Bokaçio përfaqëson triumfin e vërtetë të prozës laike të kohës së Humanizmit, dhe është pa dyshim eksperimentuesi i parë me pluralitetin e stileve rrëfimore, shumë më përpara sesa të spikaste si një prozator gjenial Miguel Servantesi me romanin e Don Kishotit.
Mos harrojmë që Bokaçio është gati 3 shekuj më herët se Servantesi. Bokaçio është bashkëkohës i Petrarkës dhe i Dantes.
Që të tre, Dantja, Petrarka dhe Bokaçio përbënin “tri kurorat e mëdha të imagjinatës”. Ky trinitet shkrimtarësh të pashembullt dhe gjenialë është në themelet e Europës moderne të mendimit dhe të letrave, të kulturës dhe të artit.
Bokaçio lindi në Firence në vitin 1313 dhe vdiq në 1375. Ai shkroi shumë vepra në latinisht, por kryeveprën e tij Dekameronin në italishten vulgare. Përsëriti aksionin letrar të Dantes. Dantja shkroi “Komedinë hyjnore”. Bokaçio shkroi “Komedinë njerëzore”.
Ndërsa Dantja është ende i simbolizuar, ndonëse poetikisht shumë fuqishëm, në strukturat dogmatike teologjike, Bokaçio përkundrazi është një shpërthim i pashembullt i prozës ,ku ndriçon një laicitet i madh, një triumf humanist si tek asnjë shkrimtar tjetër.
Duket sikur Bokaçio është paradhoma për të shkuar tek emra gastorë dhe gjenialë të përfytyrimit, alegorisë dhe stigmatizimit të së keqes, që çojnë tek kryevepra tjetër e Fransua Rables “Gargantua dhe Pantagruel”.
Pra, siç e thashë më sipër, para Servantesit dhe para Rables, Bokaçio është paraprijësi i padiskutueshëm.
Por në vlerësimin e kësaj vepre siç është Dekameroni në shekullin e XVI Koncili kishtar i Trentit, bëri një anatemë, një denoncim të frikshëm. Dekameroni u dënua, jo vetëm për laicitetin, por dhe për humorin e tij që prekte degjenerimin moral të klerit të kohës, duke bërë që për shekuj të tërë mbi këtë kryevepër të binte një heshtje, një mjegull, për të arritur më pas në shekullin XIX kur dy krijues gjigantë të Italisë së Re, Ugo Foscolo dhe Franceso de Santis jo vetëm që bënë rizbulimin e Dekameronit, por e ngritën në nivelet më të larta, në zenitin e dinjitetit konceptual, në qiellin evropian dhe botëror të lavdisë.
Libri i Dekameronit përfshin 100 novela.
Fjala Dekameron do të thotë “10 ditë”. Pra kemi të bëjmë me Librin e 10 ditëve.
Ky libër u shkrua gjatë viteve 1348-1350.
Qyteti që përbën qëndërzimin e subjekteve është Firence. Në 1348 në Firence ra murtaja e zezë. Paniku apokaliptik zotëroi gjithçka.
Në kishën Santa Maria Novella të Firences mblidhen 7 vajza dhe 3 djem dhe për 10 ditë rrëfejnë secili nga 1 novelë në ditë, pra nga 10 novela në ditë. Struktura numerike e 100 novelave kombinon dhe me strukturën numerike të 100 këngëve të “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Bokaçio qe një adhurues dhe përhapës i plotfuqishëm i madhështisë poetike të Dantes.
Ai ka patur miqësi të madhe me Petrarkën. Ai i siguronte bibliotekës së madhe të Petrarkës dorëshkrime të vjetra në latinisht dhe në greqisht. Petrarka mbante një qëndrim ambikuid ndaj Bokaçios.
Kurrë nuk e futi për ta parë dhe vizituar bibliotekën e tij.
Vite më parë në rininë time kam lexuar përkthimin në shqip të Dekameronit ,bërë mjeshtërisht nga një njeri i kulturuar i quajtur Ali Hashorva, emri i të cilit duket sikur sot ka mbetur në humbëtirë dhe në harresë.
Përkthimi i përkorë me frazeologji të mrekullueshme të shqipes i Ali Hashorvës është një nga përkthimet më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në gjuhën shqipe.
Ali Hashorva një emer i pavdirë, pa dyshim nuk e ka ditur që përkthimin e parë, nismën për të kthyer në shqip Dekameronin e ka patur arbëreshi i pavdekshëm De Rada.
Unë po e paraqes para lexuesve edhe përkthimin e Ali Hashorvës të Novelës IX të ditës së parë.
Falë studimit të Eqrem Çabejit ne kemi tashmë në duar edhe tri variante të të njëjtit tekst, kemi transkriptimin, kemi përshtatjen në gjuhën e sotme letrare shqipe të tekstit të De Radës, si dhe tekstin e Ali Hashorvës.
Këto tekste përbëjnë një subjekt të ndërthurur të studimit krahasimtar tekstologjik. Një studim i tillë është shumë i rëndësishëm jo vetëm në pikëpamjen filologjike, apo të bilinguitetit, por dhe në pikëpamjen konceptuale që lidhet me saktësinë e përkthimit në mënyrë lakonike , apo në mënyrë më të gjatë dhe shpjeguese të fjalive të origjinalit në italisht. Një herë tjetër mund të shkruaj diçka për këtë subjekt gjithashtu të trifishtë.
Më poshtë po paraqes shkrimin e Eqrem Çabejt.
NJË SHKRIM I PANJOHUR I DE RADËS
I ndjeri prof. M. Marchiano me veprën e tij “L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada” (1902) e me përkthimin e disa pjesëve prej veprash të De Radës (I Poemi albanesi di Girolamo De Rada, 1903), është ay që ka vënë bazat e studimeve deradiane e ka shënuar direktivat e përgjithshme, në të cilat ata duhen vazhduar. Vepra e parë, tani e sosur, blehet edhe tek i biri i të ndyerit, avv. R. Marchiano, Via Maffei a S. Gaetano 12, Napoli, e dyta tek Ditta Vecchi Vlo, Trani, ku gjindet edhe një biografi e shkurtër e De Radës.
Por edhe sot e gjithë ditën shpirti pavdekëtar i këtij kolosi arbëresh lufton me veshin e shurdhët të kohës për famën më të madhe q’i përshtatet. Nga librat e tija, si nga thellsit’ e nëndheut a nga dete të largët, ndihet zëri i tij legjendar, duke shkuar i padëgjuar nër veshët e botës, një vox clamantis in deserto.
Një shenjë se nuk e njofim De Radën, jo vetëm nga pikëpamja e vlerës spirituale e artistike, por dhe nuk ia dimë veprat të gjitha, është dhe kjo se në asnjërën nga të dy veprat e prof. Marchiano-it nuk përmendet një përkthim i vogël i tij, i cili, sado pa ndonjë vlerë letrare të vetë, prapë si shkrim i De Radës ka rëndësi të veçantë për ne•.
Më 1875, në rastin e kremtimit të pesëqindvjetorit të vdekjes së Giovanni Boccaccio-s, G. Papanti qiti në dritë një veprë•, e cila përmban nja 700 përkthime në dialektet e ndryshme italike e në gjuhët e huaja që fliten n’Itali të novelës IX të ditës I prej Dekameronit.
Në faqet 659-677, pas një parathënjeje së shkurtër te D. Camardas, autorit të veprës “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese”, mbi shqipen, gjinden 12 përkthime të novelës në këta dialekte arbëreshe: Badessa (Abruzzi), Barile (Basilicata), Trascineto, S Demetrio Corone e Macchia, Santa Caterina, Spezzano Albanese (Calabria), Ururi (Molise), Contessa, Pallazzo Adriano, Piana de’Greci (Sicilia), Greci (Capitanata).
Duke folur mbi Sh. Mitrin, thotë Papanti: “Shtesa Corone që i u dha vendit S. Demetrio rrieth nga besimi që atje u paskan përmbledhur disa fëmijë grekësh e shqiptarësh të ardhur prej Koronës së Moresë, në 1534, ndënë perandorin e mbretin Karol V… Dialekti i S. Demetrios, i Macchia-s e i vëndevet t’afërm është përdorur në vjershat e tija prej Z. Girolamo De Rada, prej të cilit është dhe përkthimi që ndodhet këtu. Por ky përkthim tregon disa fjalë e mënyra të veçanta të autorit, që sipas të thënurave të bashkëfshatarëve të tij vetë, nuk njihen si të sanksionuara nga përdorimi popullor”.
Ja përkthimi i De Radës i transkribuar pothuaj tekstualisht, i cili do t’u tregojë njohtësve të disave nga veprat e tija pas një vërrejtjeje të hollë, si në formim ashtu dhe në radhitje të fjalëve, gjithë vetijat e stilit t’autorit të Milosaos e të Serafina Thopias:
VARIANTI I TRANSKRIPTIMIT NGA ÇABEJ:
– Thorn u pocca se te motti i te parit Rhegje te Ciprit, pra ce, e mundur muar goren sheite Gjottifre, Buljoni, kje nje buljureshe ca Guasconja, se bori vute te vee deer mbe deer njera te varri Tinzotti ‘Ngacha mbë t’u – përjerrit e ardhur Ciper kje attie ka tsa dishendsera e terperuar. Gatsilja e psuame e verbuar e cheljmit, e pa njerii per të; Këshilti vej ajo t’i n’caljessenej te Rhegji; cur i Kje than ca’ ndonjerii, po të mos bür mottin e sai, pse ish vet një trivul i prunjet, ce i ftessur ‘mbaar e prap ne ‘nkukjej. ne verdhej. akj sa cush do kish ‘ndonje menu, vei e je ‘ndsur me të e sjelur e perjeerre te shaiturash, e monu ce ng’ e rrig (rrigh): ljip nanni n’ai ndienej te kekjet e guaja (huaja) me i cefritur ljikje. Tsiljat te thena gjegjur gruaja, e bieer bessen e ljekjes ce i ljipsej, i u dhsse pocca mee or-exur cardazcun e zezes te vei te tsingerdhis-senej ate Rhegje Kjuk. E i u-arastier ture i kjaar perpara i tha: “Zotti im, u s’vinj perpara fakjes satta per vinditte ce pres e te dhimemit ce ‘me kjo boen po’ mbeer Ijikjes ce me tockej se ti te me thuash si ben zotteria jote e duron akje te terpruame e tsenore ke gjegjinj se te jaan bonura mosse; sa keshtu e ‘mpsuar ka ti u mund te duronje timen; tsiljen dii Inzott si me gjith zemer u po, ‘nde muundia. dee t’i shtija nd’atta craag (krahe) te zoveoneme te Kjelenjen ce do baarr mae t’i veeget (vihet)”.Perendi njera agief një tcanfani ljem-te-rhii posi i sgjuar gjumi, zu ca të Ijikjet ce gruan kishin tepruar, tsiljet mir dhunoi, e me mahjere e filjakji castioi ‘nka një ce pak o shum I patti ftessur ‘nderies zotteriis tij, e pa fare mae ljipisi.
VARIANTI I PËRKTHIMI TË DE RADËS NË ARBËRISHT
Thom u poka, se te moti i të parit Regjë të Çiprit, pra çë, e mundur muar goren shejte Gotifre Buljoni, qe një bulureshe ka Guaskonja, çë bëri vute te vé dér mbë dér njera te varri Tinzoti. Nga mbë t’u përjerrit e ardhur Ciprë qe atje ka disa dishenxëra e terpëruar. Ka cila e psuame e verbuar helmit, e pa njeri për të, këshillit të vej ajo t’i ‘nkalesenej te Regji; kur i qe thën ka ‘ndonjëri, po të mos bir motin e saj, pse ish ai vet një trivull i prunjët, çë i ftesur ‘mbar e prap ne skuqej, ne verdhej, aq sa kushdo kish ndonjë mëni, vej e je nxir me ‘të e sjellur e përjerë të shajturash, e monu çë ng e rrig; lip nani n’ai ndjenej të keqet e guaja me i çëfritur liqë. Cilat të thëna gjegjur gruaja, e bier besën e liqës çë i lipsej, iu dheks poka me oreksur kardazhin e zemërzezës të vej të cingërdhisënej atë regj quk. E iu parasjter ture i qar përpara i tha:
“Zoti im, u s’vinj përpara faqes sate për vinditë çë pres e të dhunëmit çë më qe bën, po ‘mbër liqës çë më tokej se ti më thuash si bën zotëria jote e duron aqë të tepruame e cënore kë gjegjinj se të jan bënura mose, sa kështu e ‘mpsuar ka ti u mund të duronjë timen, cilën di Inzot si me gjith zemër u po, ‘ndë mundja, dë t’i shtija nd’ata krag të zakonëme të qellënjën çëdo barr me t’i veget”.
Perëndi njera agier një çanfani lem-të-rri posi i sgjuar gjumi, zu ka të liqët çë gruan kishin terpruar, cilët mir dhunoi, e mahjerë e filaqi kastioi nga një çë pak o shum i pati ftesur ‘nderjes zotris tij, e pa fare me lipisi”.
VARIANTI I TRETË Përshtatja në gjuhën e sotme letrare shqipe:
“Pra, unë them se në kohën e të parit mbret të Çiprit, pasi Gotfred Buljoni ngadhënjeu vendin e shenjtë, ndodhi që një bujaresh nga Guaskonja bëri premtim të vente derë më derë deri te varri i Zotit. (= i Krishtit). Si u kthye andej dhe erdhi në Çipër, u turpërua nga disa njerëz të ligj. E helmuar nga ky pësim dhe duke mos pasur njeri, vendosi të vente të ankohej te mbreti. Atëherë i qe thënë nga dikush, që të mos humbiste kohën, sepse ai vetë ishte një burracak i përulur, që, (edhe) i fyer mbarë e prapë, as skuqej, as verdhej, aq sa kushdo që kishte ndonjë brengë, vente e nxirrte duke i drejtuar të shara, dhe gati sa nuk e rrihte. Mendo tani nëse ai ndjente të këqiat e të tjerëve për të bërë drejtësi. Si dëgjoi këto fjalë dhe e humbi besimin në drejtësinë që i duhej, mendoi pra të lehtësonte hidhërimin e zemrës dhe të vente e ta nxiste atë mbret të pamend. Dhe iu paraqit duke iu qarë dhe i tha:
“Imzot, unë nuk vij para teje për të kërkuar hakmarrje për dhunimin që m’u bë. Por në vend të drejtësisë që më takonte, dua që ti të më thuash se si bën e duron zotrote aq turpërime dhe fyerje që po dëgjoj se të janë bërë vazhdimisht, kështu që, duke mësuar nga ti, unë të mund të duroj timen, të cilën unë, po të kisha mundësi, do ta shtija në atë krahë të mësuar për të mbajtur çdo barrë, që t’u vihet”.
Mbreti, deri atëherë një njeri i ngathët e përtac, posi një i zgjuar nga gjumi, zuri nga të ligjtë që kishin turpëruar gruan dhe i ndëshkoi mirë, dhe me shpatë e burg dënoi cilindo që pak a shumë kishte fyer nderin e zotërisë së tij, dhe pa treguar më fare mëshirë”.
VARIANTI I PËRKTHIMIT TË ALI HASHORVËS
Them pra se në kohët e mbretit të parë të Qipros, pasi Godfred de Buillion pati pushtuar Tokën e Shenjtë, qëlloi të na vejë në pelegrinazh te Varri i Shenjtë i një zonje bujare nga Guaskonja, e cila duke u kthyer prej andej, arriti në Qipro, ku disa njerëz të liq e fyen në mënyrë çnjerëzore; ajo, e hidhëruar dhe pa shpresë që të merrte hakën, mendoi të vente të ankohej te mbreti; por dikush i tha se do të mundohej kot, pasi ay ish kaq i dobët dhe i paaftë, sa jo vetëm të tjerëve nuk ua merrte hakën me drejtësi, por përkundrazi, i duronte me poshtërsi të turpshme fyerjet e panumërta që i qenë bërë atij vetë, dhe prandaj kushdo që kish ndonjë inat, e shfrente atë duke i bërë atij ndonjë dhunë a turp.
Kur dëgjoi këto fjalë zonja, e dëshpëruar që s’mund të merrte hakën, për t’u ngushëlluar pak nga mërzia që e kish pushtuar, vendosi të godiste dobësin e mbretit të përmendur, i vajti pra duke qarë e i tha:
– Madhështi, s’kam ardhur këtu për të kërkuar hakmarrje për dhunën që më është bërë, por si shpërblim, në vend të kësaj, të lutem të më mësosh se si i duron ti gjith’ ato fyerje që kam dëgjuar se të janë bërë; që kështu, duke mësuar nga ti, të mund dhe unë të duroj poshtërimin që më është bërë, të cilin sikur të kisha mundësi, do të ta falja ty me gjithë zemër, meqenëse e paske kaq të regjur kurrizin. Mbreti, që gjer ahere kish qenë i plogët dhe i kadalshëm, sikur të ish zgjuar nga gjumi, duke filluar nga dhuna që i qe bërë kësaj gruaje, e cila i dha një shuplakë të rëndë, e ndoqi me rreptësi këdo që andej e tutje guxoi të prekte nderin e kurorën e tij.
Postime të Lidhura
DOCENT ODISE ÇAÇI: ‘DHËMBIN DEGËT E SHQYERA”!
Vlorë, 3 shtator 2018: Mendime për librin me poezi “Dhëmbin degët e shqyera” të poetit, prozatorit, publicistit e…
NEXHAT REXHA: RREZATIMET NЁ SHKЁLQIMIN POETIK
Gjilan, 21. 01. 2015 – (Vera Istrefaj “Qielli i shpirtit tim” – Botoi ‘Ada’ – Kukës, 2014, fq.…
MA.SC. PEDAGOGE ARGJIRA UKIMERI: URAT – MJET KOMUNIKIMI NDËRNJERËZOR DHE MULTIKULTUROR NË PRIZREN
Prizren, 11 shtator 2020: 1. URA SUZI ÇELEBIU Ura e Suzi Çelebiut, u ndërtua në vitin 1513, nga…
PASHTRIKU: DOLI NGA SHTYPI LIBRI ‘NË RRUGË RREZIQESH’
(Pashtriku.org, 22. 10. 2012) – Doli nga shtypi libri “Në rrugë rrëziqesh”, rrëfyer në formë autobiografie nga Fadil…