DR.JAKUP KRASNIQI: PËRSE U MBIJETOI SHEKUJVE DREJTËSIA E KANUNIT?

Prishtinë, 16. 09. 2014: Kanuni dhe si rrjedhojë e drejta e tij, u mbijetoi shekujve. Ky Kodi mirëfilltë, Kanun, dhe, përse të mos e themi edhe Kushtetutë, u ruajt dhe u bart brez pas brezi me besnikëri në kujtesën gjeniale të kryepleqve të kombit tonë. Të dhënat flasin se Kryeplaku i parë, e mbase edhe shkruesi i parë ishte pikërisht Lekë Dukagjini. Kujtesa e përgjegjshme e popullit tonë qe ajo e cila e ruajti që nga thellësitë e shekujve në gjuhën e bukur shqipe, pa ekuivoke, sepse drejtësia e mirëfilltë nuk lë vend për ekuivoke, zbraztësi apo mundësi interpretimi sipas qejfit të kujtdoqoftë. Këtë e kanë vlerësuar dhe shumë dijetarë të shquar të botës perëndimore, specialistë të fushës, por edhe gjuhëtarë, shkencëtarë, studiues e përkthyes në Europë, SHBA e deri në Japoninë e largët. Kur kihen parasysh këto fakte domethënëse, s’ke sesi të mos i besosh autenticitetit të Kanunit të Lekë Dukagjinit të mbledhur, e të sistemuar vit pas viti, botuar në të përkohshmet e kohës (“Hylli i Dritës, etj.) nga At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve 1913 – 1929 (kur u vra pabesisht në pritën e organizuar nga xhandarmëria serbe e instaluar në Prizren. Gjeçovi ia la kombit një kryevepër të trashëgimisë kulturore – një përmbledhje të ligjeve, të rregullave e të zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Sipërme në një libër, siç është Kanuni i Lekë Dukagjinit, botuar i plotë vetëm pas vdekjes, më 1933 në Shkodër, me përkujdesje të pakursyer të françeskanëve dhe të të madhit Gjergj Fishta, i cili shkroi njëherësh edhe parathënien. Mbase, me këtë rast, mund të hamendësohet se forma e parë e shkruar do të jetë bërë nga Lekë Dukagjini, meqenëse të asaj kohe e kemi edhe dokumentin e parë të gjuhës shqipe (Formulën e pagëzimit, 1462), por që deri me sot, fatkeqësisht, nuk është gjetur asnjë ekzemplar i tij, ndërsa vepra, Kanuni, Kodi juridik apo Kushtetuta shumëshekullore shqiptare është meritë e të palodhshmit At Shtjefën Gjeçovit.

Me këtë rast nuk do të ndalem në hollësira të veçanta për Kanunin si vepër të rëndësishme normative, por për hir të momentit që po kalon shoqëria jonë, sidomos në Kosovë dhe me ngërçin politik në formimin e institucioneve, do të flas, apo më saktë, do t’i shtroj disa argumente, të cilat janë një dëshmi e gjallë, që reflektojnë jo pak seriozitet se pse Kanuni u mbijetoi shekujve në atë që quhet “terren i drejtësisë”, edhe pse për pesë shekuj u përball me “ligjet” e Perandorisë Osmane, e më pas u bëri ballë edhe ligjeve të kohës moderne të shekullit XX. Për mbarështrimin e kësaj teme, ndihmën do ta kërkoj dhe do ta gjej në tregimet tona popullore, konkretisht në filozofinë popullore. Tregimin e parë popullor, i cili kujtoj se zbërthen bindshëm arsyen pse Kanuni ynë i mundi ligjet e sulltanëve (lexo: tiranëve, despotëve, njëshit!) e kam dëgjuar para tridhjetë e sa vitesh në burgun famëkeq të Prizrenit (ku vuaja dënimin për veprimtarinë e vlerësuar nga pushteti i kohës si “kundërrevolucionare”!), nga i urti Tush (Metush) Bajraktari nga Polluzha e Drinisë (Rahovecit). Xha Tushi në burg ishte për rastin e Ahmet Paçarizit (i cili atë kohë i kishte vrarë dy policë dhe ishte në arrati) nga Dragobili i Malishevës, të cilit ai i kishte dhënë bukë si mik shtëpie që e kishte. Me këtë rast do të përpiqem ta zbërthej idenë e atij tregimi, i cili që atëherë më pati lënë një përshtypje të madhe për urtësinë, bindshmërinë dhe drejtësinë e dalë nga universaliteti dhe konkretja e Kodit autokton shqiptar, me një origjinalitet të pa kund shoq.
***
Stambolli kishte dërguar një zyrtar të lartë të drejtësisë për t’i hulumtuar arsyet e dominimit të drejtësisë kanunore mbi ligjet osmane. Personi në fjalë rrugëtimin po e bënte me kalë. Para se të hynte në qytetin e Prizrenit do të takohej me një udhëtar të varfër, me të cilin bëri një pjesë të rrugës. I pëlqeu muhabeti me fshatarin. Së bashku vazhduan rrugën deri te hani i qytetit. Me të arritur, fshatari ia mori në shenjë nderimi qyrkun si dhe kalin për ta vendosur në haur. Pas disa ditqyrkunsh, kur duhej të kthehej zyrtari për Stamboll, i kërkon atin dhe qyrkun e tij, por hanxhiu i thotë se ai nuk mund të jetë pronari, derisa kalin e kishte sjellë një person tjetër. Madje fshatari i thotë zyrtarit, pa iu “trembur” syri, se jo vetëm kali por as qyrkun nuk mund t’i kërkojë se nuk janë të tij! Kjo bëri që zyrtari perandorak të detyrohej që çështjen ta dërgonte te gjyqtari i kohës – Kadiu. Kur u përballën te Kadiu, zyrtari qeveritar me fshatarin dhe hanxhiun, si dëshmitar i fshatarit, që të dy dëshmuan se qyrku dhe kali ishin të fshatarit. Pasi Kadiu dëgjoi të dy palët u detyrua, “në mungesë provash” që t’i jepte të drejtë fshatarit, i cili e kishte dëshmitarin. Kështu qyrku dhe kali i mbetën fshatarit.
Zyrtari osman në situatën e krijuar ishte i detyruar që të kërkonte ndihmën e Kryeplakut shqiptar që ndante drejtësi me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Kur Kryeplakut ia treguan historinë e ndodhisë ai i urdhëroi që të dy të hynin në një dhomë dhe te mbuloheshin me një mbulojë duke ua lënë jashtë vetëm këmbët e zbathura. Kur Kryeplaku ua shikoi këmbët, ai vëren qartë se njëri prej tyre i kishte këmbët e plasaritura nga të ecurit këmbë, ndaj dhe i thotë, duke mbajtur për këmbësh të ngrihet, sepse ato këmbë tregojnë se gjithë jetën kanë ecur e nuk kanë kalëruar. Zyrtarit osman do t’i thotë se qyrku dhe kali i përkasin atij, meqenëse këmbët e tij tregojnë se është pronari i vërtetë i kalit dhe i qyrkut. Kështu zyrtari mori kalin dhe qyrkun e tij, pasi faktonin kamjen e tij,një dëshmi kjo se drejtësia që ndahej me Kanunin e shqiptarëve ishte më e hollë dhe më e drejtë se ajo që në Kosovë e kishin sjellë padishahët e Stambollit.
Pa dyshim se drejtësia nuk ishte vetëm në Kanun, ajo varej shumë, në rend të parë edhe nga Kryeplaku apo Plaku që e ndante drejtësinë me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në Llapushë, në fshatin Kjevë si familje pleqnare ka qenë dera e Tahir Hasanëve, e cila ka pleqnar së paku për 150 vjet. Pinjolli më i njohur nga kjo familje ka qenë Ramadan Shabani, fjalët e të cilit kanë pasur peshë të madhe në çdo mexhlis (kuvend burrash) të mbajtur në Shqipërinë e Sipërme. Është interesant, si arriti kjo familje të ndaj pleqni (drejtësi) dhe të mos i kontestohej asnjë ‘maresë’ pa e pasur asnjë mekanizëm të shtetit me vete? Arsyetimin më të mirë për këtë e ka dhënë, plaku i urtë nga fshati Carallukë e Malishevës, Man (Osman) Hasan Hoti, që ka rastisur të jetë gjyshi im nga nëna. Ai, më një rast, kishte thënë (parafrazim imi): “Kjo familje ka ndarë drejtësi sipas Kanunit dhe asnjë rast nuk iu ka dështuar, madje as kontestuar ndonjë ‘maresë’, për faktin se ata e kanë ndarë drejtësinë pa hile, pa asnjë anësi, nuk kanë pleqnuar me para, kurrë nuk kanë qenë palë në konflikte dhe asnjëherë puna e tyre nuk ka dalë në cergë të burrave”.Janë këto çështje që kësaj familjeje i kanë dhënë kredibilitet, kredibilitet që nuk mund të krijohet me dhunë, me kërcënime dhe mashtrime të ndryshme “moderne”. Njerëzit, nga natyra, si qenie të ndërgjegjshme, kanë (dhe duhet të kenë) prirje t’i “nënshtrohen” drejtësisë e jo dhunës dhe padrejtësisë.
Se pleqnarët që kanë ndarë drejtësinë me Kanunin e Lekë Dukagjinit, me besnikëri e përgjegjësi të madhe e konfirmon edhe Plaku i Drenicës, Xhemajl Abria. Fjalët e tij të urta, të shprehura me një filozofi të qartë e të kapshme për njerëzit, janë transmetuar nga brezi në brez edhe në formë të gojëdhënave. Më një rast, kur Xhemajl Abria po përgatitej të shkonte në një mexhlis burrash, në dhomën e vet kishte filluar të fliste me vetveten: “A po shkon ti e po rri unë, apo po shkoj unë e rri ti…”. Dhe këtë po e thoshte me zë të lartë, e shoqja po e dëgjonte, e dinte se ishte i vetëm në dhomë, atëherë me ke po fliste Xhemajli! Prandaj ajo u detyrua t’i thoshte: Xhemajlo, a u trenove a çka u bë”. Ai ia kthen: “Jo nuk u trenova fisnike, por po i them kajtes, ja shko ti e po rri unë, ja po shkoj unë e rri ti se te dy bashkë nuk mund të shkojmë në mexhlis të burrave”. Kjo është dëshmia më e mirë, e cila e tregon karakterin e tij shumë njerëzor dhe njëkohësisht nderin dhe bujarinë e dijetarëve të shquar të drejtësisë shqiptare, kudo ku ishte në përdorim Kanuni. E njëri nga ata që ka skalitur me pak fjalë figurën e Kryeplakut pa dyshim që ishte Xhemajl Abria. Xhemajl Abria ka qenë përfaqësuesi më dinjitoz i filozofisë shqiptare në përgjithësi, dhe asaj të Drenicës në veçanti.
Të gjithë këta burra të shquar të përmendur, secili në mënyrën e vet ka kontribuar që të ruhej drejtësia burimore e shqiptarëve, e cila buronte nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kur sot i kujtojmë ata burra vullnetmirë, që ndanin drejtësi dhe mënjanonin konflikte krejt vullnetarisht, pa asnjë kundërpagesë, veç respektit që gëzonin, është e pamundur të mos ndihesh krenar me fisnikërinë e atyre burrave të mëdhenj të kombit që sot kanë mbetur në hije e në harresë nga njerëzit, të cilët përveç dhelpërisë, makutërisë, etjes për pushtet nuk kanë asnjë vlerë tjetër. Njerëz me sindroma të pashërueshme! Në krahasim me Drejtësinë e kodifikuar të popullit, derivuar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, drejtësi kjo lapidare e brezave për ç’gjë jemi krenarë, sot të vjen të vajtosh për gjendjen ku është katandisur Sistemi i Drejtësisë te shqiptarët në përgjithësi, por në veçanti te ne në Kosovë! Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, ata të djeshmit ishin maja e dijes, e guximit, e përgjegjësisë dhe e dashurisë për të bërë vepra të mira, vepra njerëzore në të mirë të kombit.
E sot?
Ruana Zot nga “drejtësia” e korruptuar e të parëve të drejtësisë sonë dhe jo vetëm të atyre!
Për fund, nuk ka sesi të mos sjell fjalët e të madhit Gjergj Fishta, pikërisht lidhur me rastin e botimit (të plotë) të Kanunit të Lekë Dukagjinit:
“Me të vërtetë se neper botim të «Kanûnit të Lekë Dukagjinit» i bâhet komit nji sherbim i dobishem, mbasì per ç’do Shtet, qi thotë, se do me jetue e me zhvillue mbas parimeve t’arsyes e të hullís së gjytetnís së vertetë, ligjët gojdhânse e qi permblidhen në kanunin doketar të komit, kan nji randsí të madhe fort në vetvedi: e se prandej duhen pasë para sýsh prej gjith njatyne, qi presin e zbatojn ligjët e Shtetit.”
A duhet të themi në këtë moment: Ruana Zot “prej gjithë atyre që presin e zbatojnë ligjet e Shtetit”?
Mbetet të shihet…

– Autori është Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura